2016-01-18

“Ti nuk lexon”, shkrimi që u bë hit në rrjet

education-booksNjë shkrim i Edison Ypit, me titull “Ti nuk lexon” është kthyer në një ndër materialet më të shpërndara dhe lexuara në rrjet. Më poshtë është teksti i plotë
 education-books
Ti ha, pi, vishesh, mbathesh, udhëton, zbavitesh. Por nuk je i qetë. Nuk ndjehesh i lumtur. Ke ankesa. Nuk të rreh mirë zemra. Nuk të mbushet mushkëria. Nuk e shijon dhe nuk e tret si duhet ushqimin. Mirë të bëhet. Këto taksirate do t’i kesh deri sa të ngordhësh. Sepse ti nuk lexon.
Vendi yt ka vuajtur diktaturën më gjakatare të botës, gjatë së cilës u përdhosën vlerat dhe u himnizuan veset. Prej një çerek shekulli vendi yt nuk është më diktaturë, por vend i lirë ku vendos vullneti i shumicës. Megjithatë ti vazhdimisht ankohesh. Ankohesh dhe do ankohesh sepse ti nuk lexon.
Ti pi kafe dhe sodit njerëzinë. Habitesh dhe nuk e gjen dot pse nuk janë të gjithë si ty, dhe kafja të duket zeherr. Kafja helm do të bëhet sepse ti, ngaqë nuk lexon, nuk mund ta kuptosh madhështinë e laryshisë së karaktereve njerëzorë. Ndërsa pretendimi yt idiot që edhe të tjerët të jenë si ty, domethënë që askush të mos lexojë, do ishte groposja për së gjalli e të gjithëve.
Ti kalon ndonjëherë në rrethinat e qytetit ku sheh shtëpi të reja, vila, oborre të sistemuara, jo rrallë edhe me basene të kaltra. Sa herë që kjo ndodh, ti nis e bërtet;
-Janë bërë me pare droge.
-Ore eja në vete, të thotë ndonjëri. Kanë punuar në kurbet duke ngritur llaç e beton në katin e shtatë e të tetë. Kanë bërë punën e vinçave dhe buldozerave. Nuk i kanë ngritur në 1 ditë, por tullë pas tulle me një mijë mundime për vite të tëra. Shtëpitë e reja në Shqipëri janë me qindra mijëra. Kaq drogaxhinj nuk ka gjithë bota.
E kotë. S’ka spjegim që të bind ty që nuk lexon, dhe duke mos lexuar nuk kupton.
Je vërdallosur ca kohë “jashtë shtetit”. U thua miqve, italiani është kështu, gjermani ashtu, greku i tillë, turku i atillë, dhe të gjithëve u vë nga një nofkë. Përcaktimet që nuk guxon t’i bëjë asnjë dijetar dhe asnjë enciklopedi, guxon t’i bësh ti shtaza që nuk lexon.
Duke kaluar përmes bukurive të natyrës, pyjeve, grykave të maleve, rrjedhave të lumenjve, sheh aty-këtu ura të vjetra, mure të rrënuar kështjellash të lashta, fytyra misterioze banorësh lokalë. Ti nuk bën asnjë dallim mes pamjeve të tilla që i sheh të gjalla, dhe të njëjtave pamje në televizor. Ky tmerr nuk ndodh për asnjë arësye tjetër veç asaj se ti nuk lexon.
Ti i jep ryshfet nëpunësit, mjekut, dhe pastaj i përgojon. Ti vepron kështu sepse ti nuk lexon
Ti nuk mban ment përmendësh monologun e Hamletit, ndonjërën nga Introduktat e Nolit, Mall-in e Lasgushit, letrën e Tatjanës Onieginit, por mban ment batuta të pështira soc-filmash. Ti nuk lexon, prandaj.
Ti thua se diktatori bëri krime por bëri edhe disa gjëra të mira. Në fakt, gjëja më e mirë që bëri diktatori, është gjëja më e keqe që ekziston, ti që nuk lexon.
Ti voton, dhe të nesërmen e votimit ankohesh ndaj atij që ja dhe votën. Kjo ndodh sepse ti nuk lexon.
Brendinë e librave ti e përfytyron si muhabet. Ky, ai, ai tjetri, trokiti një natë dimri, hyri, u ul pranë vatrës, u ngroh mbi mangall, u krruajt nga majasilli, u inatos, bërtiti, përplasi derën, doli. Shumica e librave vërtet të tillë janë. Por ti nuk e di se aq pak libra të mirë sa ka, janë shumë më të vlefshëm se këta me dimër dhe mangall, sepse ti nuk lexon.
Ti nuk ke sukses me femrat. Dhe nis i shan e i mallkon kot së koti ato të shkretat. Femrat, kështjellat e tyre, nazet e tyre, icklat e tyre, mposhten me komplimenta. Ti komplimenta s’di të bësh, sepse ti nuk lexon.
Ti çfaqesh në Fejsbuk në foto me të ngrëna përpara. Është turpi më i madh. Më turp se t’i ulësh brekët tek Sheshi Skënderbej. Po të lexoje nuk do dilje kurrë në fotografi me të ngrëna përpara.
Sheh ndonjëherë në televizor njerëz që recitojnë Poezi, flasin për libra. Habitesh, dhe thua me vete; Ç’u duhet këtyre fatkeqëve leximi ? Ndërkohë që fatkeqi, fatkatrani, fatpjerdhuri je ti që nuk lexon.
Ti që nuk lexon je nxitësi më i madh i grafomanëve, atyre budallenjve delirantë që presin të lëvdohen nga lexues inekzistentë si ty.
Ti që nuk lexon je dekurajuesi më i madh i atyre që dinë të shkruajnë por i ka gjetur belaja me ty që nuk lexon.
Ti që nuk lexon i bën të gjitha të zezat; Shet votën, vjedh, spiunon, thashethemnon, nuk punon, bëhesh bandit, kriminel, i korruptuar, mafjoz.
Përvojat e njerzimit, Shkencat, Artet, të mirat, të këqiat, të ëmblat, të hidhurat, të gjitha janë nëpër libra, që ti nuk i lexon
Ti që nuk lexon je lënda e parë e të gjitha të këqiave; politikës së keqe, qeverisjes së keqe, letërsisë së keqe, medias së keqe.
Ti që nuk lexon je katastrofa e vetes dhe fatkeqësia e të tjerëve.
Ti që nuk lexon, je një lëvere dhe një këllirë që nuk i duhesh as dreqit.
Boshllëkun e leximeve të munguara nuk e mbush dot materia e krejt Universit.
Rrofsh e qafsh, ti që nuk e di çfarë janë; shiu i gërmave, stuhitë e paragrafeve, furtunat e kapitujve, zjarri i vargjeve, inkandeshenca e Poezive, simfonitë e Poemave, vullkanet e novelave, tërmetet e romaneve.

Kjo është trashëgimia për të cilën do mbahet mend Rama

Nga Dritan Hila*
Kur në konferencë e tij të fundit për shtyp, kryeministri Edi Rama deklaroi se “nuk do të ketë zëvendësime ministrash në qeveri pasi nuk ka të tillë të korruptuar dhe, nëse ka akuza për korrupsion, do të veprojë vetëm pasi askuza të jetë provuar në gjykatë”, askush nuk reagoi.
edi rama
Nuk reagoi shtypi, shoqëria civile dhe as individë. Por kjo jo aq për faktin se këto segmente të shoqërisë janë korruptuar nga pushteti. Padyshim që ka të tilla.
Por për faktin se e keqja jonë ka arritur nivele të tilla ku pika e referimit ndaj të ndershmes dhe të pandershmes nuk është e ndershmja dhe morali, por e pandershmja dhe më pak e pandershmja.
Dhe në këtë dergradim, kontributi i Edi Ramës është i padiskutueshëm.
Nëse do të shkonim me logjikën dhe standardet e sotme të Edi Ramës, as Sali Berisha nuk duhet ta kishte shkarkuar Ylli Pangon dhe as Ilir Meta nuk kishte pse jepte dorëheqjen nga posti i ministrit të ekonomisë, pasi asnjeri prej tyre nuk ishte i dënuar nga gjykata.
Por sot e gjithë shoqëria shqiptare ka kaluar në gjendje apatie dhe kjo thënie lapidare e Edi Ramës që do të kishte pataksur çdo qytetar normal të botës së lirë, kaloi në heshtje.
Qerthullin ku kemi hyrë, ciklin ku çdo korrupsion i ri është më i madh se i pari, por çuditërisht reagohet më pak se më parë, Hana Arendt në librin e saj “Banaliteti i të keqes” e quante pikërisht me këtë emër.
Shkakun e merrte pikërisht nga përballja me ideatorin dhe ekzekutorin e shfarosjes së hebrejve Ajhman gjatë gjyqit që këtij u bë në Izrael pas rrëmbimit në Argjentinë ku ishte fshehur pas lufte.
Për habinë e saj, Ajhman pa uniformë, pas hekurave të kafazit, me syze të rumbullakëta miopi si të një nëpunësi të rrëgjuar, dhe të folurën e qetë, i nxiti kureshtjen e njohjes së bashkëpunëtorëve të tij dhe arkitektëve të plojës ndaj popullit të saj.
Dhe ajo që zbuloi e tmerruar, ishte se asnjëri prej ekzekutorëve në masë, nuk ishte një vrasës i pamëshirshëm apo kriminel.
Jo. Ishin të gjithë njerëz të shkolluar dhe pa të shkuar kriminale, nëpunës të rregullt, të cilët të vendosur në një sistem tjetër, do të kishin qenë po aq skrupoloz në lëshimin e certifikatave të martesës në zyrat e gjendjes civile, saç ishin në plotësimin e statistikave të njerëzve të shfarosur në dhomat e gazit.
Ata i kishte transformuar e keqja. Pikërisht ajo e keqe banale e cila nuk vjen menjëherë, por e shndërron njeriun dhe standardet e tij morale dalëngadalë, ku në fund të procesit ka mbetur vetëm lëvozhga, por thelbi i tij është përbindëshi.
Në stadin e transformimit është shoqëria shqiptare sot. Relativizimi i së keqes, po e shndërron individin shqiptar në një monstër, ku më vonë ai që do kërkojë zbatimin e rregullave të një shoqërie normale perëndimore, do të duket si prifti në mes të bandës së vrasësve.
Për të qenë korrekt me realitetin, ky proces nuk ka filluar në 2013-ën.
Kjo është një sëmundje që ka ardhur duke u rënduar me kalimin e viteve.
Por asnjëherë si sot nuk ka qenë ky lloj relativizimi i standardeve morale dhe ideologjike.
Asnjëherë më përpara nuk janë dhënë më shumë se gjysma e fondeve publike për shokët dhe miqtë e kryeministrit, duke e kthyer ligjin për tenderimin në një farsë.
Asnjëherë si sot, nuk ka ndodhur ky bllokim i investimeve, pasi gjithë fondet jepen në mënyrë klienteliste dhe për koncesione.
Është e kotë të kërkohet një performancë e doganave apo tatimeve, pasi është ekonomia që nuk zhvillohet më pasi nuk ka më mundësinë e konkurencës së lirë, ndërsa monopolet e lidhura me politikën janë mbizotëruese.
SHBA dhe BE, janë kaq të ndjeshëm ndaj këtij fenomeni saqë secili prej tyre ka komisionet antimonopol.
Deri edhe Microsoft, një revolucionar i teknologjisë dhe simbol i erës së re, është penalizuar nga këto komisione.
Ndërsa në Shqipëri banaliteti korrupsionit ka arritur në atë shkallë sa kryeministri blen me fondet publike tek miqtë e tij jo vetëm makinat zyrtare, por deri ato të shoqërimit.
Askund nuk ndodh që kërkesës përse i jepet jashtë ligjit një miku të tij riparimi i zyrave të kompanisë publike OSSHE, kryeministri e hedh problemin në standardet si kanë qenë kushtet e këqia të këtyre zyrave më përpara.
Partia e së majtës, e cila erdhi në pushtet me objektiva majtiste, jo vetëm që i harroi ato, por rrugës akaparoi edhe klientelistën e Berishës, dhe sot konkurrenca ekonomike është e bukosur.
Fatkeqësia e kësaj situata nuk qëndron vetëm në faktin se ekonomia jonë po lihet peng nga kryeministri për dhjetë vitet e ardhshme, dhe do të duhen po aq vite që të riparohen dëmet që ai po bën, çka do të thotë se edhe brezi i 20 vjeçarëve të sotëm, do të vuajë pasojat e qeverisjes profane dhe korruptive të Edi Ramës.
Fatkeqësia nuk është se për të trashëguar një pushtet ekonomik e partiak me të cilin do të zbavitet në vitet që vijnë, qoftë edhe në opozitë, ka shkatërruar një ndër forcat më genuine të politikës shqiptare siç ishte PS.
E keqja nuk është se kemi një qeveri, e cila në katër vjet nuk ka ndërruar asnjë ministër çka tregon se më shumë se kundërshti e ligjeve të dialektikës; më shumë se paaftësi e shefit të saj të dallojë se kur një ministër nuk bën, është heshtja prej bashkëfajtorësh në trajtimin e pushtetit si një klan ekonomiko-mafioz.
Dëmi i madh është se ky cikël i të mësuarit me të keqen po kthehet në një standard moral për gjithë shqiptarët.
Dhe ky do të jetë ai deformim gjenetik moral, të cilin nuk do të ketë ilaç ti bëjë derman, dhe e vetmja trashëgimi për të cilën Edi Rama do të mbahet mend.

Milaim Zeka: Në Listën e Gjykatës Speciale, Agim Çeku është i pari, Shaip Muaj i fundit

Në emisionin 'Antipod' në First Channel gazetari i njohur Milaim Zeka ka thënë se e gjithë kjo që po ndodhë në Kosovë, po bëhet për shkak të Gjykatës Speciale.
Zeka ka përmendur edhe emrat e disa personave që janë në listën e kësaj gjykate ndaj të cilëve pritet te ngriten aktakuza.
I pari, në listën që ka përmendur gazetari Zeka, është Agim Çeku, pastaj Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Xhavit Haliti, Rexhep Selimi, Azem Syla, dy deputetë nga AAK-ja, Bislim Zyrapi dhe shumë të tjerë. Ndërsa i fundit në këtë listë do të jetë Shaip Muja.
Zeka tha se këtë listë e ka pasur në dorë.
Për më tepër ndiqeni videon në min 1:04.40.

Rrëfimi fotografik Lala Meredith – Vulës për shqiptarët, në “London Art Fair”

Image result for Lala Meredith – Vula
 Imazhet që shpalosin edhe historinë e Kosovës do të zënë vend në njërën prej ngjarjeve më të njohura të artit në botë.
Image result for Lala Meredith – Vula

Fotografitë e fotografes kosovare Lala Meredith – Vula, që dokumentojnë një pjesë të kohëve të vështira të historisë kosovare do të ekspozohen në “London Art Fair”.
Image result for Lala Meredith – Vula
Ky panair ka për qëllim që të bëjë bashkë në një vend artin bashkëkohor në Britani të Madhe dhe do të zërë vend në “Business Design Centre” në Londër duke filluar prej datës 20 deri më 24 të këtij muaji. Kjo ngjarje këtë vit shënon edicionin e 28-të dhe pritet të mbledhë rreth 30 mijë vizitorë.
Image result for Lala Meredith – Vula
Do të jenë gjithsej 126 galeri, të cilat do të shpalosin veprat e artistëve duke përfshirë edhe “Jerwood Gallery”, ku do të ekspozohen veprat e artistëve të njohur John Piper (1903-1992) dhe Christopher Wood (1901-1930).

Image result for Lala Meredith – Vula
 Përveç panairit të veprave të artit, këtë vit do të jetë edhe ekspozita mysafire e fotografisë ku do të shpalosen 50 vepra. Drejtoresha e “Photocaptionsit”, Frederica Chioocchetti, do të jetë kuratore e ekspozitës që titullohet “Feminine - Masculine”.
Image result for Lala Meredith – Vula
Lala Meredith - Vula, e lindur në Sarajevë më 1966, e cila ligjëron në “De Montfort University Leicester” në Londër, do të ekspozojë fotografi nga cikli “Shifting Borders” në “GxGallery”.
Image result for Lala Meredith – Vula
Siç shkruan “dmu.ac.uk”, kjo ekspozitë shënon një tjetër sukses të Lalës pas atij që pati në Kosovë. Në mars të vitit të kaluar ajo hapi ekspozitën e saj personale që e titulloi “Kujtesë gjaku”, ku në Galerinë Kombëtare të Kosovës shpalosi 40 fotografi, të cilat i kishte përzgjedhur nga koleksioni i saj me më shumë se 1 mijë sosh.

Image result for Lala Meredith – Vula
 Në vitet ’90 pas një vizite që kishte vendosur ta bënte në Kosovë do të bëhej dëshmitare e një pjese të rëndësishme të historisë kur mori pjesë në organizimet për faljen e gjaqeve në Deçan, Malishevë, Has dhe në vise të tjera të Kosovës...

Enver Sadiku : “Gjilani me rrethinë gjatë luftërave Ballkanike 1912- 1913”

Image result for enver sadiku


Libri i Enver Sadikut i titulluar “Gjilani me rrethinë gjatë luftërave Ballkanike 1912- 1913” është promovuar të shtunën në prani të një auditorium të gjerë.

Për rëndësinë e librit dhe trajtimin e këtij studimi folën Fehmi Rexhepi, Fitim Rifati, Aliriza Selmani e Naim Musliu. U tha se libri është një studim i parë serioz dhe një dokumentar i ndërtuar dhe i bazuar në fakte

Libri i Enver Sadikut “Gjilani me rrethinë gjatë luftërave Ballkanike 1912 – 1913” ka arritur të mbledhë historian të fushave të caktuara në përurimin e tij, për të dhënë vlerësimet e tyre profesionale për studimin e thukët që përmban në disa kapituj ky libër i dobishëm dhe me vlerë për historinë e Anamoravës dhe më gjerë, transmeton rajonipress.

Fehmi Rexhepi në emër të Lidhjes së Historianëve të Kosovës tha se libri i Enver Sadikut është një studim i parë dhe serioz në trajtimin e fakteve historike dhe realisht është një kontribut i madh për zhvillimet e asaj kohe në Anamoravë.

Rexhepi ka folur për kapitujt e librit derisa u shpreh se libri do të mbetet një studim i dobishëm për të gjithë ata që dëshirojnë ta hulumtojnë këtë fushë.

Edhe Fitim Rifati historian tha se libri i Enver Sadikut mbështet në argumente të bollshme i cili ndihmon në kompletimin e dokumenteve dhe studimeve që ndërlidhen për historinë e këtyre viteve. “Padyshim që libri ka një vlerë të madhe sepse Enveri e ka dëshmuar se është studiues i përkushtuar dhe njohës i mirë i trajtimit të këtyre problemeve” tha Rifati.

Naim Musliu historian tha se libri është i faktuar dhe kjo i jep dimension shtesë vlerës që ka ky libër.

Aliriza Selmani tash se në dukje libri nuk është voluminoz, por në fat është tepër i mirë sepse Enveri nuk është marrë me përshkrime, por është bazuar në realitet. “Historia jonë është reale dhe e bazuar në dëshmi e dokumente. Ne duhet ta themi ashtu siç është, por fatkeqësisht shumë pak është bërë në këtë drejtim” tha Selmani.

Kurse vet autori Enver Sadiku pasi i ka falënderuar të gjithë atë që e kanë ndihmuar e mbështetur duke përfshirë edhe kryetarin e Komunës Lutfi Hazirin i cili e ka ndihmuar financiarisht librin tha se ai librin e ka mbështetur në punën dhe metodologjinë hulumtuese - shkencore, me burime të shfrytëzuara që i janë nënshtruar kritikës së brendshme e të jashtme. “Jam mbështetur në metodën e analizës së përmbajtjeve dhe interpretimit të shënimeve, rezistencën e armatosur në Gjilan me rrethinë gjatë viteve 1912-1913 dhe synojë që ky studim dhe rezultatet e shfaqura do të shërbejnë si informacion i domosdoshëm e nxitës për hulumtime të mëtejme” tha Sadiku.

Ndryshe libri nga njohësit e historisë është cilësuar si një fuqizim i provave për padrejtësitë që u janë shkaktuar shqiptarëve në përgjithësi dhe atyre të rrethinës së Gjilanit në veçanti, para një shekulli.
Në vlerësimet e tyre për librin recensentët Aliriza Selmani e Fitim Rifati kanë thënë se autori ka arritur të ekspozojë një tablo realiste në angazhimin mobilizues të shqiptarëve të kësaj ane në mbrojtje të tokave të tyre nga ushtria serbe. “Me gjithë qëndresën heroike në Luftërat Ballkanike, shqiptarët e këtyre trevave përjetuan dhunë e gjenocid nga pushtuesi serb, fakt të cilin autori ka arritur ta dokumentojë me të dhëna të qëndrueshme të mbështetura në burime e ilustrime relevante të panjohura deri më sot” thuhet në vlerësimin e recensentëve.

Recensentët kanë konstatuar se libri i Enver Sadikut jo vetëm që rrumbullakohet me anë të prurjeve të reja, por njëkohësisht qartësohet, rivendoset e zgjerohet horizonti i njohurive për këtë çështje dhe fuqizohet dëshmia e provave për padrejtësitë që i janë shkaktuar shqiptarëve në përgjithësi dhe atyre të rrethinës së Gjilanit në veçanti, para një shekulli.

Mysafiri i Mengjesit Enver Sadiku 17.01.2016

https://www.youtube.com/watch?v=nLdlE0MLp5c

Hapet konkursi për “Dita e poezisë shqipe” në Gostivar

Këshilli Rinor i Komunë së Gostivarit, në suaza të manifestimit kulturor “Dita e poezisë shqipe”, i cili realizohet për të tretin vit me radhë me rastin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, hap konkurs letrar për poezi.

Konkursi vlen për të gjithë të rinjtë e talentuar nga mosha 15 deri 25 vjeç, banues në Republikën e Maqedonisë. Të rinjtë që i plotësojnë kushtet mund të konkurrojnë vetëm me një poezi ndërsa tematika dhe motivet e poezive janë të lira.Me këtë rast, juria profesionale do të shpall edhe fituesit e tre vendeve të para që do të marrin çmimin “Sefer Selimi” dhe do të shpërblehen nga Komuna e Gostivarit, edhe atë: Vendi i parë – 15.000 denarë, Vendi i dytë – 10.000 denarë dhe Vendi i tretë - 6.000 denarë (një euro bën rreth 61.6 denarë), transmeton Zhurnal.

“Konkursi ka për qëllim të nxis nxënësit e shkollave të mesme, studentët dhe të rinjtë që të merren me poezi dhe krijimtari letrare dhe në të njëjtën kohë t’ju krijojë atyre hapësirë për afirmim në mesin e shoqërisë. Përmes këtij manifestimi pretendohet të promovohet krijimtaria letrare, stimulimi i të rinjve për t’u marrë me poezi, promovimi i vlerave kulturore, letrare dhe përkujtimi i personaliteteve që kanë dhënë kontribut për qytetarët e Gostivarit”, theksoi për Zhurnal koordinatori i Këshillit Rinor, Sefer Selimi.

Çmimi do të ndahet në emër të veprimtarit e poetit Sefer Selimi, duke e përkujtuar veprën e tij që të shërbej si shembull për gjeneratat e reja dhe në nderim të punës dhe veprimtarisë së tij kombëtare. Sefer Selimit ishte arsimtar, poet dhe patriot i shquar i njohur si një nga nismëtarët e luftës për arsim dhe barazi të shqiptarëve në Maqedoni.

Konkursi do të jetë i hapur nga data 15 janar deri 7 shkurt 2016. Poezitë konkurruese të dërgohen përmes postës elektronike në emalin: konkursiletrar@gmail.com.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...