Imazhet që shpalosin edhe historinë e Kosovës do të zënë vend në njërën prej ngjarjeve më të njohura të artit në botë.
Fotografitë e fotografes kosovare Lala Meredith – Vula, që dokumentojnë një pjesë të kohëve të vështira të historisë kosovare do të ekspozohen në “London Art Fair”.
Ky panair ka për qëllim që të bëjë bashkë në një vend artin bashkëkohor në Britani të Madhe dhe do të zërë vend në “Business Design Centre” në Londër duke filluar prej datës 20 deri më 24 të këtij muaji. Kjo ngjarje këtë vit shënon edicionin e 28-të dhe pritet të mbledhë rreth 30 mijë vizitorë.
Do të jenë gjithsej 126 galeri, të cilat do të shpalosin veprat e artistëve duke përfshirë edhe “Jerwood Gallery”, ku do të ekspozohen veprat e artistëve të njohur John Piper (1903-1992) dhe Christopher Wood (1901-1930).
Përveç panairit të veprave të artit, këtë vit do të jetë edhe ekspozita mysafire e fotografisë ku do të shpalosen 50 vepra. Drejtoresha e “Photocaptionsit”, Frederica Chioocchetti, do të jetë kuratore e ekspozitës që titullohet “Feminine - Masculine”.
Lala Meredith - Vula, e lindur në Sarajevë më 1966, e cila ligjëron në “De Montfort University Leicester” në Londër, do të ekspozojë fotografi nga cikli “Shifting Borders” në “GxGallery”.
Siç shkruan “dmu.ac.uk”, kjo ekspozitë shënon një tjetër sukses të Lalës pas atij që pati në Kosovë. Në mars të vitit të kaluar ajo hapi ekspozitën e saj personale që e titulloi “Kujtesë gjaku”, ku në Galerinë Kombëtare të Kosovës shpalosi 40 fotografi, të cilat i kishte përzgjedhur nga koleksioni i saj me më shumë se 1 mijë sosh.
Në vitet ’90 pas një vizite që kishte vendosur ta bënte në Kosovë do të bëhej dëshmitare e një pjese të rëndësishme të historisë kur mori pjesë në organizimet për faljen e gjaqeve në Deçan, Malishevë, Has dhe në vise të tjera të Kosovës...