2016-01-23

Vargjet anonime: Kadare, ç’kujton në të ri për Geraldinën

Ekskluzivisht nga shkrimtari Ismail Kadare, vargjet e panjohura, anonime, për mbretëreshën Geraldinë dhe një bisedë e shkurtër reflektuese mbi familjen mbretërore dhe raportet e saj me shqiptarët. Fundviti 2015 kaloi në heshtje të plotë 100-vjetorin e lindjes së mbretëreshës Geraldinë, ndërsa në Shqipëri ende kjo grua identifikohet me paragjykimet e historisë

Fundviti 2015 kaloi në heshtje të plotë 100-vjetorin e lindjes së mbretëreshës Geraldinë. Në Shqipëri ende kjo grua identifikohet me paragjykimet e historisë, ndërsa ka një jetë shqiptare, bashkë me ditët më dramatike të saj.
geraldina
Pa zhurmën e historisë në këtë vend, befasisht disa vargje anonime, vijnë përmendesh në memorie nga shkrimtari Ismail Kadare. Një poezi e rrallë, gati epike e kënduar nga jugu të cilën ndalim ta shënojmë, memorizojmë si një totem i fundit për të kuptuar gjithë peshën e një gruaje që linte vendin e saj Hungarinë, për t’u gjendur në ditët më të vështira në krah të një shqiptari mbret, Ahmet Zogut. Eskluzivisht vargjet dhe një bisedë e shkurtër reflektuese mbi familjen mbretërore dhe raportet e saj me shqiptarët, e veçanërisht në ndalesën përballë Geraldinës.

Vargjet që na citon Kadare janë:

Manxhare leshura tëndë,

Ke ikur ke lënë vëndë,

Kaluar apo në këmbë?

Kaluar se s’dija vëndë.

Fajin ta pati jot ëmë,

Të dha në derë të rëndë

Këtë dedikim të rrallë shkrimtari tregon se i është kushtuar mbretëreshës sonë, Geraldinës, gruas së Ahmet Zogut, mendohet e kënduar në të gjitha krahinat e Vlorës, Labërisë. Me kohën kjo këngë është harruar. Është mbresë e rrallë, këto vargje nga një shqiptar anonim që Kadare na e thotë përmendesh, qysh prej sa kohësh dëgjuar nga të parët, ndoshta qysh nga martesa e mbretit Zog. E mban mend që në tëri, duke e tërhequr vargu i rëndë, i fortë për një grua të huaj që i donte shqiptarët dhe Shqipërinë, e lidhur pas një dashurie plot pasione. Por si duket është dhe një paralajmërim ogurzi, se çfarë do të tërhiqte pas vetes gruaja e Mbretit shqiptar, në kohët e vështira. Në dasma këndohet për nusen, për fatin dramatik të lënies së vendlindjes dhe të familjes, për kalimin te një jetë e re, te burri, te një vend i huaj dhe te zakone të tjera (kaluar se s’dija vëndë). Si duket fjala “manxhare” në jug ka simbolikën e nuses, që shkëputet nga një mjedis, sikur të shkohet në një botë tjetër.

“Vështroni çfarë epiteti, nuk kanë thënë derë të madhe, por “derë të rëndë”, një pamje më tragjike që i ka të gjitha dramat brenda. Janë vargje antologjike”, thotë Kadare.

Biseda shkon jo vetëm për periudhën, por më tepër në personalitetin e mbretit, Ahmet Zogut, raportin kontradiktor, mohues, anatemues që ka pasur gjithherë me shqiptarët.

“Nuk i kuptoj shqiptarët, ka qenë koha më e artë për Shqipërinë; Zogu ishte timid- i civilizuar, e donte perëndimin, prandaj edhe u martua me Geraldinën, një nga gratë më të njohura në Evropë që respektohet”. Shkrimtarin e ka prekur akti i saj: ikja lehonë, dhe përsëri duke shprehur dëshirën për t’u varrosur këtu. Kjo shpreh shumë. Ishte një grua sakrifikuese…po ne, s’dimë të vlerësojmë, jemi bardhezi. Duhen të thuhen “të mirat” dhe “të këqijat”, ndërsa ndalemi sërish vetëm në dramatiken e vargjeve, shqiptarët e kanë “skanuar” jetën e një gruaje të huaj në Shqipëri, jo vetëm për historinë.

“Vjersha për mbretëreshën nuk më hiqet nga mendja”, – e thotë Kadare, sërish përmendesh vargun, sërish duke mbetur në të fundit…tragjiken e saj: fajin ta pati jot ëmë, të dha në derë të rëndë.

Kujtojmë se disa javë më parë, në shenjë të 100-vjetorit të lindjes së Mbretëreshës Geraldinë në ambasadën e Shqipërisë në Paris, u promovua libri i fundit i shkrimtares franceze, Josephinë Dedet “Geraldina, mbretëresha e shqiptarëve”. Në këtë mbrëmje ka qenë e pranishme edhe vetë autorja e librit, e cila ka folur mbi qasjen e saj në këtë libër, duke përfshirë jetën e saj në Hungari, e më pas edhe në cilësinë e mbretëreshës në Shqipëri.

“Ata u dashuruan me shikim të parë. Ajo gjithmonë fliste për të me një dashuri e pasion të thellë. Ata patën një jetë të vështirë në ekzil, por dashuria i ndihmoi për t’ia dalë me kurajë e guxim”, ka thënë Dedet.

Violeta Murati



Letërkëmbimi me Mustafa Krujën, Geraldina: I due të gjithë shqiptarët me nji zemër nane, çfarë mundem me dhurue

Është një letërkëmbim i shkurtër, në emigrim midis Mustafa Krujës dhe familjes mbretërore, nisur nga një letër urimi në ditëlindjen e mbretëreshës Geraldinë e në të tjera letra për problemet familjare, situatën në Shqipëri, si po iknin shqiptarët nga Shqipëria e ndihma në Paris…Këto letra janë në vëllimin e tretë “Kuvend letrash me miqtë”, që përfshijnë periudhën kohore: 5 gusht 1956 – 26 nëntor 1958.

***

Madhnisë së Saj, Mbretneshës Gjeraldina të Shqipnisë,

Cannes

Sa ma shumë largohemi, aq ma shumë mendojmë për ju të gjithë. Në këtë ditë të gëzueshme të ditlindjes Suej pranoni urimet tona shumë të ngrohta.

Mustafa

Haxhire



Telegram i 5 gushtit 1956,

ora 23:00, nga Transatlantiku K. Kolombi

Cannes, 6 shtatuer 1956

Shkëlqesi,

Telegrafin t’uej, për ditëlindjen t’eme e mora, ju falënderoj me gjithë zêmër. Nuk dijshe ku të mundesha me u përgjegj, kështu prita letrën e juej, qi ka qenë për të gjithë ne nji gëzim. Aqë mirë e përshkrueni vendin ku jeni, sa më duket se vetë isha me ju.

Nuk shkon ditë qi nuk përmendeni ju, dhashtë Zoti qi të shifemi prapë! M’u bâ qejfi qi djalin e keni gjetë shëndosh; pa e njoftun i jepni pra të falat e mija. Haxhires i puth syt.

Nuk mujta me ju dhanë përgjegje mâ shpejt për arsye se deri tani kam qenë në klinikë për operacionin e dhambit edhe sinusitit. Jam hala shum e dobët dhe kam dhimbje. Mbreti, me shëndet shyqyr Zotit, ka qenë mirë, por gjithnji mendon se më hiku shkëlqesia edhe s’kam me ke të flas !

Princesha Maxhide asht hala në klinikë, por shkon shumë ma mirë.

Tue ju urue shëndet të plotë, edhe tue pritë kohë mbas kohe letrën prej jush, po ju dërgoj me Lekën dhe Mbretin të falat t’ona mâ të përzemërta.

Geraldine



Cannes, 8 shtatuer 1956

Shkëlqesi !

Letrën t’uej “gentile” e mora me gëzim. U gëzuem qi mbërritët shëndosh edhe mirë afër djalit t’uej.

Princ. Maxhide, shyqyr Zotit, shkon shumë mâ mirë edhe Gerry ka dalë prej klinike.

Zoti Ministri na mungon shumë në mes të nesh, ju dhe Haxhire. Kur të mërziteni, na bâni nji shenj, se ju thrrasim prapë këtu.

Unë dhe Myzejeni ju dërgojmë të falat mâ të përzemërta ju dhe djalit t’uej, Haxhiren e marrim ngryk me mall.

Senija



Cannes, 22 nëndur 1956

Excellence,

Dëshirojsha me ju shkrue shum ma përpara, vonesa i detyrohet dëshirës t’eme me ju dërgue nji letër në gjuhën shqipe, në stilin t’em dhe jo në frëngjisht. Si e shifni, po të marr mundim me shkrue gjuhën t’onë t’ ëmbël, gjâ e cila ju kënaq, jam e sigurt.

Tragjedija e Hungarisë më ka tronditë pa masë dhe më ka lodhun shumë. Ditët i kaloj tue i u përgjigjun telefonit, telegramave e letravet të njerzve qi tregojnë sympatinë e tyne. Duhet me bamë qi Franca të marrë pjesë me diftue ndihmë morale e medicale !

Shum kohë marr për me kërkue nji shtëpi, pse më 1 mars duhet qi të lajmë kët vilën e mirë. Natën ndigjojmë gjithë stacionet e radios.

Zotit lavdi, morali i Mbretit asht nalt dhe optimizma e tij na jep shpresë. Ka qenë mirë, me shëndet dhe lus Zotin të vazhdojmë kështu. Koha asht hala shum e bukur këtu. Madame A. Sula ka qenë për disa ditë këtu, evenimentet e Proche Orientit e kapën në Romë, po zoti Ministri Sula asht mirë në Cairo. Lekës i erdhi leja, speciale për me hyë në Kalnur në Sandhurst, në Inglí dhe jam tani shumë ma e qetë.

Princeshat janë të gjitha mirë dhe ju çojnë urimet e tyne ma të përzemërta. Pr. Maxhide ka fitue 52 kilo dhe asht këtu me nji muze.

Shpresoj Hadjire ka marrë librin e vogël qi i kam çue e qi vazhdon mirë tue qenë e kënaqun. Mbreti dhe unë ju çojmë urimet t’ona ma të përzemërta.

Edhe unë pres nji letër të gjatë prej Jush. Sigurisht edhe atje evenimentet e Kontinentit t’onë bajnë përshtypje?!

Geraldine



Cannes, 18 – III – 1957

Villa Clément Bayard

Ave. Jean de Noailles

I dashun Zoti Ministër,

Më duket se ka kalue nji kohë e gjatë që nuk kemi lajme prej jush. Koha kalon gjithmonë shpejt e në shtëpinë time më duket se mungon deri diku mundimi moral për të mbajtë një letërkëmbim të rregullt. Dimri këtu ka qenë shumë i butë, por po aq i ashpër me Mbretin. Me gjithë kujdesin tonë ai pat marrë nji grip shumë të keq qi e ka mundue shumë e, në të vërtetë e ka marrë veten vetëm tashti. Kisha shkue tek Leka më 15 janar në Londër. Kisha ba ndërmend me ndejtë nja dhjetë ditë, por të tretën ditë u detyrova të marr aeroplanin e të kthehesha shpejt tek Mbreti. Mezi gjeta kohë t’a vejsha Lekën në kontakt me familjet angleze qi njifsha e me ndonji personalitet zyrtar. Duhet t’ju them se jam shumë e prekun nga mirësjellja e përsosun e këtyne miqve për të pritë Lekën në shtëpitë e tyne.

Ai ka ba nji përparim të madh në akademinë ushtarake të Sandhurstit dhe komandanti i përgjithshëm i akademisë i ka shkruejtë Mbretit nji letër plot lavdërime për te. Natyrisht fillimi asht veçanërisht i vështirë përsa i përket stërvitjes fizike, por ajo nuk i ban veçse mirë e ai asht dakord. Pati fatin e keq të thyente kaviljen në nji stërvitje, por duket se po e përballon mrekullisht.

Atmosfera politike nuk po kthjellohet e mbas pafuqisë të diftueme nga Kombet e Bashkueme, përballë tragjedisë së vendit tonë, unë nuk lexoj ma gazetat. Me u vendosë në Shtetet e Bashkueme, siç e dini, ka qenë dëshira jonë për nji kohë të gjatë, por mjetet financiare na mungojnë për me ushqye ende nji projekt të tillë. Zoti i Madh ka dëshirue që ne të qëndrojmë në Evropën tonë të mirë e të hershme dhe unë përulem me mirënjohje që vullneti i Tij i mirë të plotësohet…

Këtu gjithshka asht ashtu si e keni lanë. Për lajmet nga Shqipnia preferoj ma mirë me ju lanë nji Kolonel.Nuk më pëlqen me u tërheqë në thashetheme. Un i due të gjithë me nji zemër nane, asht e vetmja gja që mundem me ju dhurue.

Shpresoj që kurajozja ime Haxhire të jetë mirë. Me kujtimet e mira të gjithë neve ju dërgoj urimet më të mira të mijat për ju të tre.

Geraldine



1 gusht 1957

Excellence,

Kët pjesën tjetër po e shkruej të diktueme prej Mbretit. Nji dënim për popujt e robnuem nën nji formë “diabolique” po përgatitet në Europën centrale edhe ne Balkan. Tue i marrë parasysh interesat e nalta të vendit t’onë nji memorandum i paraqita Nato-s, Ambasadës Inglize, t’Amerikës, të Francës, t’Italisë.

2-3 muej ma përpara tue i pa gjasat paç ba do démarcha verbale, prej të cilëve paç përgjegjen qi nuk besohet se nji gja e tillë mund të bahet. Do t’ishte mirë, tashma qi ka rrahë çeshtja edhe në shtyp, t’u bante prej emigratës shqiptare qi ndodhet atje démarcha kolektive në Departamentin e Shtetit, burimi i vetëm qi mund të na shpëtojë prej zgjedhjes slave. Këtë çështje po va laj edhe në gjykimin tuej e nuk po i shkruej tjetër kujt.

Shpresoj se Shqiptarët, tue i marrë para sysh qi nuk asht çeshtje partizanije, qi humbën kohë kot tue i ngatrrue njenën me tjetrin, po asht çeshtje atdhetarije, do të mundin të bajnë nji hap, si detyrë qi e kanë kundrejt atdheut.

Geraldine



Cannes, 24 shtator 1957

Villa Clément Bayard

Ave. Jean de Noailles

I dashun Zoti Ministër

Më duket se koha asht zgjatë shumë, pa nji letër të gjatë me lajme nga ana e juej. Edhe unë kam lanë mbas dore letër këmbimin tim, kam qenë gjithë kohën n’ankth për shëndetin e Mbretit. N’ato rrethana nuk kam pasë mend për asgja tjetër. Tashti, falemnderës Zotit, gjithshka shkon mirë përsëri. Ne jemi gjithmonë në këte vilë edhe se pronari ka dashtë qi të hikshim, por ne nuk gjetëm asgja deri tash. Leka i jonë asht ende në manevra në malet e Uellsit e do të jetë këtu, me ndihmën e të Madhit Zot, në të II-ën e këtij mueji për pesë javë pushime. Dhurata ma e mirë qi kam marrë për këte datlindje ka qenë nji letër e mbrritun nga Z. J. Amery, në të cilën më thotë se ka vizitue Sandhurstin si sekretar shteti në War Office, e qi Komandanti dhe instruktorët i kanë folë me termat ma të nalta për Lekën, qi duket se asht ma i njoftuni n’Akademi e unë jam mjaft krenare për te. Kemi ndigjue shumë mjerime, tortura e guxim këta muejt e fundit, refugjatët e vendit tonë të shkretë kalojnë fshehtas kufinin e vijnë edhe në kambë këtu nga Bari apo Trieste. Faleminderit Zotit, autoritetet franceze jane shume mikpritës dhe u japin atyne letrat, ne i çojmë me biletat e trenit e ndonji lek në xhep për Paris. Ata kanë fillue me ardhë kaq shumë, sa vërtetë duhet me pasë nji komitet! Në Paris, deri tash, kanë gjetë të gjithë punë.

Në shtëpi gjithshka asht siç ka qenë. Shpresoj të kem lajme së shpejti prej jush, ashtu si prej birit tuej dhe Haxhires, së cilës i shkojnë mendimet e mija ma të mira.

Urimet ma të mira edhe për shëndetin tuej.

Geraldine



Cannes, 25 nandor 1957

Shkëlqesi,

Morëm vesh se keni festue 70-vjetorin e lindjes suej. Mbreti dhe unë ju dërgojnë urimet ma të mira për shëndet të plotë, që të mund të vazhdoni të punoni ma së miri për Atdheun.

Asht e randë kur festohen ditlindjet tue i ba ballë nji realiteti t’ashpër të gjatësisë së mërgimit tonë e të ndamjes së pafund prej të dashunve tonë qi nuk i shohim. Por, faleminderit Zotit, Zoti i Madh na jep gjithmonë mbështetjen e moralit e të shpirtit njerëzor: Shpresën ! Mbreti mbetet gjithmonë optimist, Zoti plotësoftë dëshirat!

Me mendimet tona më të mira dhe urimet tona më të ngrohta.

Geraldine

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...