Armiqtë e rinj të sferës publike

image

Chris STONE

Para sulmeve terroriste të nëntorit në Paris, ishte e ligjshme të organizohej një demonstratë në një shesh publik në atë qytet. Tashmë kjo gjë nuk lejohet. Në Ugandë, qytetarët që kanë bërë në të shkuarën fushata kundër korrupsionit apo në favor të të drejtave të homoseksualëve, qenë përballur shpesh me një publik armiqësor, por jo me rrezikun e burgimit për shkak të tubimit. Por nën disa ligje të reja të paqarta, ata tani po përballen me rrezikun e arrestimit dhe përndjekjes. Në Egjipt, autoritetet qeveritare bastisën kohët e fundit dhe mbyllën institucionet e shquara kulturore - një galeri arti, teatër, dhe një shtëpi botuese - ku mblidheshin dikur artistët dhe aktivistët. Mesa duket në të gjithë botën, muret po mbyllen në atë përmasë, sa njerëzit kanë nevojë të mblidhen bashkë, shprehen lirshëm dhe shfaqin mospajtimet e tyre. Megjithëse interneti dhe teknologjia e komunikimit e kanë bërë të folurit publikisht teknikisht më të lehtë se kurrë më parë, mbikëqyrja e kudogjendur shtetërore dhe tregtare ka siguruar që shprehjet, organizimet, dhe protestat të mbeten të kufizuara. Me pak fjalë, të folurit hapur nuk ka kërkuar kurrë më shumë guxim sesa sot. Për mua, ky ndryshim s'mund të godiste më pranë shtëpisë. Në nëntor 2015, Fondacionet për Shoqërinë e Hapur (filantropët globale të Xhorxh Sorosit, që unë drejtoj) u bënë organizata e dytë në listën e zezë sipas një ligji rus, të miratuar që në muajin maj, çka i lejon Prokurorit të Përgjithshëm të vendit të ndalojë organizatat e huaja, dhe pezullojë mbështetjen e tyre financiare për aktivistët lokalë.

Për shkak se cilido që angazhohet me ne, është subjekt i ndjekjes së mundshme penale dhe burgimit, ne nuk kemi pasur asnjë zgjidhje tjetër, përveç ndërprerjes së marrëdhënieve me dhjetëra qytetarëve ruse, të cilët i kemi mbështetur për vite me radhë në përpjekjet e tyre, për të ruajtur ndonjë fragment të demokracisë në Rusi. Sigurisht, nuk ka asgjë të keqe në rregullimin e hapësirës publike dhe organizatave që e përdorin atë. Në fillim të viteve '90, disa qeveri të reja në Europën Lindore, Afrikë dhe Amerikën Latine, e nënçmuan fuqinë e një qytetarie aktive dhe shoqërisë civile, duke mos arritur të rregullojnë në mënyrë të përshtatshme organizatat mbrojtëse të të drejtave të njeriut dhe demokracisë, si dhe hapësirën në të cilën ato veprojnë. Por gjatë dy dekadave të fundit, ndërsa qytetarët aktivë kanë rrëzuar regjimet në dhjetëra vende, qeveritë kanë lëvizur shumë larg në drejtimin e kundërt, duke imponuar rregulla të tepërta mbi ato organizata dhe në atë hapësirë publike. Gjatë këtij procesi, ata po kriminalizojnë format më elementare të praktikës demokratike. Në disa raste, qeveritë madje as nuk shqetësohen se mos krijojnë një precedent ligjor për veprimet e tyre.

Pranverën e kaluar në Burundi, Presidenti Pier Nkurunziza mori një mandat të tretë në këtë detyrë, megjithëse Kushtetuta e vendit kishte të sanksionuar vetëm dy mandate. Kur qytetarët dolën në rrugë për të protestuar, ata u shtypën me dhunë. Mjerisht edhe vendet me disa prej traditave më të fuqishme demokratike të botës, kanë shënuar regres në këtë drejtim. Pas sulmeve terroriste të Parisit, Franca dhe Belgjika (ku komploti ishte planifikuar dhe organizuar) pezulluan liritë civile për një kohë të pacaktuar, duke u shndërruar brenda natës në atë që janë tashmë, të paktën me statut, shtete policore. Në të dyja vendet, demonstratat janë ndaluar; vendet e kultit janë mbyllur; dhe qindra njerëz janë arrestuar dhe marrë në pyetje, vetëm pse kanë shprehur një opinion të pazakontë me frymën aktuale.

Kjo qasje është saktësisht një kosto e rëndë. Mijëra njerëz që kishin planifikuar të protestonin gjatë bisedimeve në samitin e Kombeve të Bashkuara mbi ndryshimet klimatike muajin e kaluar, zgjodhën të lënë vetëm këpucët e tyre. Ky ishte një imazh befasues, që ilustron më së miri sesi frika mund të mposhtë angazhimet e nevojshme për të ruajtur shoqëritë e hapura dhe liritë politike edhe në Evropë, vendlindjen e qytetarisë moderne. Nuk ka asnjë formulë të thjeshtë për rregullimin e hapësirës publike, ose mbrojtjen e mospajtimit politik paqësor në epokën e terrorizmit dhe globalizimit. Por dy parime themelore janë të qarta. Së pari, bota ka nevojë për kontroll të fortë ndërkombëtar të lëvizjes së njerëzve dhe parave, dhe për më pak kufizime në të folurit, tubimin dhe mospajtimit. Kohët e fundit, qeveritë kanë lëvizur në drejtim të gabuar. Por viti 2016 ofron shumë mundësi për korrigjim, në fusha që shtrihen nga tregtia deri tek emigracioni.

Së dyti, organizatat jo-fitimprurëse që punojnë për të përmirësuar politikat publike, kanë nevojë për të njëjtat të drejta për të siguruar fonde ndërkombëtare, ashtu si sipërmarrësit me qëllime fitimprurëse që kërkojnë të ofrojnë mallra dhe shërbime. Investimet e huaja direkte duhet të inkurajohen, dhe jo pengohen, pavarësisht nëse ato do të mbështesin prodhimin e mallrave dhe krijimin e vendeve të punës apo politikat e forta publike dhe një qytetari më aktive. Përgjegjësia për ndryshimin e kursit nuk bie vetëm mbi qeveritë. Të gjithë ne që e vlerësojmë hapësirën e hapur publike, duhet të qëndrojmë krah për krah në mbështetje të kornizave të politikave dhe institucioneve që e ruajnë atë. Tanimë është koha për solidaritet tek të gjitha lëvizjet, kauzat dhe vendet. Në kushtet kur thjesht aktivizimi si një qytetar i shqetësuar mund t'iu çojë në burg, dhe frika e mbikëqyrjes inkurajon pasivitetin në masë, politika e një çështje të vetme nuk është një strategji fituese. Mënyra më e mirë për të mbrojtur hapësirën publike është pushtimi i saj, edhe në qoftë se ju përkrahni një kauzë të ndryshme nga personi që qëndron pranë jush. Në vitin 2016, ne duhet ta mbushim - dhe në këtë mënyrë mbrojmë - atë hapësirë së bashku. (Chris Stone është president i Fondacioneve të Shoqërisë së Hapur)

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)