2016-01-22

Të pathënat e familjes së Abdyl Frashërit: Nga Mit’hat Frashëri te historia vajzës së vetme

Të pathënat e familjes së Abdyl Frashërit: Nga Mit’hat Frashëri te historia vajzës së vetme
Nga Kastriot Bezati
Abdyli, deri sa u bë 18 vjeç, e kaloi jetën në Frashër. Më 1857 shkoi në Janinë, ku jetoi më tepër se 20 vjet. “Kur ishte 18 vjeç, me vdekjen e të atit, Abdyli mbeti kryetar i një familje me shumë frymë. Me preokupimin për mbajtjen e familjes së madhe …, u mor me sipërmarrje të dhjetash, të taksës mbi bagëtinë e të taksave të tjera dhe, pas dy vjetëve, pasi i vdiq edhe e ëma, për të siguruar arsimin e pesë vëllezërve të tij më të vegjël, e la vendlindjen dhe e transferoi krejt familjen në Janinë. Aty ndërsa kryente punën e tij si nëpunës dhe qeverisjen e shtëpisë, natën me vëllezërit në mënyrë bashkëmësimi me ta ka nxënë arabisht, persisht, frëngjisht e greqisht dhe fillimet e diturisë e të shkencave” – thotë Sami Frashëri, Kamus ul Alam, Vëll. V, Istanbul, 1896. Abdyli, më 1865, tërhoqi familjen në Janinë, ku me përjashtim të vëllait të dytë, Sherifit, i cili e ndërpreu shkollën, ndoshta për t’i ardhur në ndihmë financiarisht familjes shumëfrymëshe, të tjerët, Naimi, Samiu, Tahsimi dhe Mehmeti, e filluan dhe e mbaruan gjimnazin “Zosimea”.
Abdyli u martua në moshën 35 vjeç, më 1874, “pasi vëllezërit e tij i mbaruan studimet”, – thotë vëllai i tij, Sami Frashëri. U fejua dhe pastaj u martua me Ballkëzin, vajzën e Ibrahim Frashërit nga familja e Lahçenjëve dhe të Xhenfize Çokut nga familja e Çokllarëve, të cilët quheshin ndryshe edhe Aliçkas. Në atë kohë Ballkëzi banonte pranë të atit, i cili ishte ushtarak i karrierës, në Janinë. Ishte motra e vetme e pesë vëllezërve, Mehmetit, Xhaferit, Fuatit, Sabriut dhe Qazimit, – thotë studiuesi Alfred Frashëri.
Abdyli u shqua si personalitet politik qysh më 1877 dhe, gjatë këtij viti, zgjidhet kryetar i Komitetit Shqiptar të Janinës, deputet i Vilajetit të Janinës në Parlamentin II Osman dhe kryetar i Komitetit Shqiptar të Stambollit. Në vitet 1878 – 1881, Abdyli, ngrihet në lartesitë e një burri të madh shteti, është udhëheqës, ideolog, politikan, diplomat, organizator, veprimtar dhe orator i shquar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Abdyli, nisur nga fotografitë, kishte një trup mbi mesataren, me një portret të gdhendur nga vetëtimat e gjëmimet e historisë, me vështrim të përqendruar në hallet e popullit dhe lirinë e Shqipërisë. “Kujtohem shumë herë me trishtim për Abdyl Frashërin. Një hop kohe e kam parë në jetën time: po përgjithnjë e gjallë është në trutë e mija fytyra e tij … mjekra e gjatë, pak e thinjur, balli i lartë dhe i gjerë, i jepnin Abdyl beut një hije me të vërtetë madhështore; po sytë – dy sy të mëdhenj e të thellë, që kishin shkëlqimin e yjeve edhe forcën e çelikut – dëftenin më shumë, gjithë flagën, gjithë fuqinë e këtij burri. Tepër i papjekur, mjerisht, nuk kuptoja në atë ditë të lumtur për mua, fjalët që dilnin si një zjarr i qërur nga goja e tij. Po ndjeja se ato fjalë ishin të drejta e të larta, ndjeja se ishin për të mirën tonë, për të mirën tënde e për të mirën time, për të mirën e të gjithë shqiptarëve … Shumë ditë më rrëkëllenin në mëndje fjalët e margaritarta që kisha dëgjuar … me trishtim, mendohem sa ka vuajtur ndofta, një i tillë burrë të rronjë e të japë shpirt larg Shqipërisë”, – shkruante Faik Konica më 1898, Efthim Dodona në “Kuvënde Shkencore në Frashër”, Tiranë, 2010.
Ballkëzia, e shoqja e Abdylit, lindi gjashtë fëmijë, nga të cilët djali i parë lindi më 1874 dhe, u quajt sipas emrit të gjyshit, Halid, vdiq shpejt, ndërsa djali i dytë, i cili lindi më 1876 dhe u quajt gjithashtu Halid, jetoi pak më gjatë por dhe ai vdiq fëmijë. Nga pesë djem dhe një vajzë që i lindën, Abdylit dhe Ballkëzit, vetëm djali i tretë, Mit’hati, dhe vajza e vetme, që u quajt sipas emrit të gjyshes, Emineja, jetuan. Dy djemtë e tjerë, që të dy me emrin Feridun, vdiqën njëri pas tjetrit që kur qenë fëmijë, – ka shkruar Kristo Frashëri.
mitat frasheriMit’hat Frashëri lindi më 25 mars 1880 në Janinë
Veprimtar politik, shkrimtar, publicist, përkthyes, i njohur me pseudonimet Lumo Skëndo dhe Mali Kokojka. Në korrik 1908 themeloi gazetën “Liria” në Selanik, në vitet 1897-1928 botoi revistën “Kalendari Kombiar”, më 1909 themeloi revistën “Dituria”, që doli në Selanik, pastaj në Kostancë dhe më vonë në Tiranë. Më 1908, 14-22.11, mori pjesë dhe u zgjodh kryetar i Kongresit të Manastirit dhe nënkryetar i Komisionit të Alfabetit. Më 1909, 2-8.09, mori pjesë në Kongresin Kombëtar të Elbasanit. Mori pjesë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës më 28 nëntor 1912 si delegat i Përmetit, Elbasanit dhe Pejës dhe nënëshkroi Aktin e Shpalljes së Pavarësisë. Në qeverinë e Ismail Qemalit u emrua Ministër i Punëve Botore. Në kabinetet e Turhan Pashë Përmetit, në vitet 28.05.1914 – 03.09.1914, ishte Ministër i Punëve Botore dhe Post-Telegrafës, ndërsa në vitet 25.12.1918 – 29.01.1920, ishte Ministër pa Portofol. Ishte anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, në vitet 1919 – 1920.
Më 1920 përfaqësoi Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve, në vitet 1923-1925 ishte ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Greqi. Në vitet 1926 – 1939 hapi në Tiranë librarinë “Lumo Skendo”.
Në vitet e pushtimit fashist “themeloi e drejtoi organizatën e “Ballit Kombëtar”, – thuhet në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, Vëll.I, 2008. Në përfundim të luftës u vendos në Itali e më vonë në Londër, ku krijoi Komitetin “Shqipëria e Lirë”.
Mit’hati nuk u martua. U nda nga jeta më 03.10.1949, në hotelin “Ëinthrop” të Nju Jorkut dhe u varros në varrezat “Fernchff” të SHBA. Eshtë dekoruar me Urdhërin “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”.
Vajza e Abdylit, Emineja ose Mimika, siç e thërriste i vëllai, Mit’hati, u martua në Fier me Kahreman Vrionin, 1889 – 1955, djalin e Omar pashe Vrionit, 1839-1928. Vrionasit shfaqen në jetën politike e shoqërore të Beratit në shek. XVII, por nga viti 1854 del një degëzimi i tyre edhe në Fier. Nisur nga “libri i bukur i zotit Teki Selenica”, si thotë më 1928 Norbert Jokli, “Shqipëria më 1927”, Tiranë, 1928, edhe në se nuk mund të jesh i mendimit se ky qytet është themeluar nga familja e Kahreman pashë Vrionit, mund të mendosh se qyteti i Fierit është zhvilluar apo rindërtuar nga Vrionasit, nga familja apo trungu familjar i Kahremanit, dhëndrit të Abdyl Frashërit.
Emineja kishte tre vajza, Selmanë, Lilinë dhe Lulunë, – më ka thënë më 18.07.1972 Bele Myteveliu, mbesë, si e konsideronte veten ajo, në familjen e Vëllezërve Frashëri. Lili u martua me Shadan Toptanin, ndërsa Luluja me një shqiptar në SHBA, i cili nga disa të dhëna jo shumë të sakta, quhej Nexhmi. Selmaja, 1915-1995, u martua më 1936 me Tajar Zavalanin, djalin e Fehim bej Zavalanit dhe të Qerime Frashërit. Qerimeja ishte motra e atdhetareve Sabri e Shefqet Frashërit, nga të cilët ky i dyti ishte delegat në Kongresin e Manastirit të vitit 1908 si delegat i Klubit të Korçës.
Dhëndri i Eminesë, Tajari, lindur më 1903 në Manastir dhe martuar më 1936 me Selmanë, kishte një motër dhe tre vëllezër, Adilenë, Asimin, Hysenin dhe Dalipin. Tajari ishte veprimtar politik, historian, publicist. U emërua sekretar i Komisionit Ndërkombëtar për Caktimin e Kufijve më 1923, anëtar i Shoqërisë “Bashkimi”, pjesëmarrës në Revolucinin e Qershorit 1924 dhe, po atë vit, sekretar i Legatës Shqiptare në Romë. Më 1925 shkoi në BS, më 1930 në Berlin ku bashkëpunoi me Fan Nolin në KONARE, më 1933 vjen në Shqipëri, pjesëmarrës në Grupin Komunist të “Të Rinjëve”, më 1940 vendoset në Londër dhe fillon punë në Seksionin e gjuhës shqipe të BBC. Bashkëpunoi me A.Zogun e me Komitetin “Shqipëria e Lirë” në SHBA, me F.Nolin e Federatën “Vatra”, ishte ndër të tjera edhe sekretari i përgjithshëm i klubit të shkrimtarëve antikomunit i quajtur “Pen Club”. Eshtë përkthyesi në gjuhën shqipe i romanit “Nëna” të Maksim Gorkit dhe autori i veprës në dy vellime “Historia e Shqipërisë”, Londër, 1957 dhe 1966. Vdiq më 19.08.1966 në Londër. Eshtë dekoruar më 16.10.1995 me Urdhrin “Naim Frashëri” Klasit I.
Vjehrri i Selmasë, krushku i Eminesë, Fehimi, është një ndër themeluesit e Komitetit “Për lirinë e Shqipërisë”, kryetar i Klubit “Bashkimi” të Manastirit, drejtuesi i gazetës “Bashkimi i Kombit” e më pas “Drita”, një ndër organizatorët kryesorë të thirrjes së Kongresit të Manastirit për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe më 1908. U nda nga jeta më 1935. Eshtë dekoruar më 21.11.2002 me “Medaljen e Artë të Shqiponjës”.
Emineja, vajza e Abdylit, nga jeta jo e mirë që bënte, u nda nga i shoqi, Kahremani, dhe shkoi në Stamboll, ku punoi edhe në Ministrinë e Punëve të Jashtëme të Turqisë, – shkruajnë vëllezërit Alfred dhe Neki Frashëri në librin “Frashëri në historinë e Shqipërisë”, Tiranë, 2007.
Abdyli u kap më 27 prill 1881 në afërsi të fshatit Buqës, jo shumë larg Elbasanit. U gjykua në Prizren nga një Këshill Lufte i Portës së Lartë dhe u dënua me vdekje, dënim që iu kthye në burgim të përjetshëm. U burgos më 10 maj 1881 në Kalanë e Prizrenit dhe dolli më 19 ose më 31 maj 1884. U internua në Anadoll, në Belikeser dhe, pas një viti, në Bandërma deri në maj 1886. U fal dhe u vendos në Stamboll.
“Abdyl Frashëri … ka qenë një zotëri me zgjuarsi e guxim të jashtëzakonshëm, i mësuar dhe i durueshëm ndaj mundimeve trupore, trim sa nuk bëhet …E donte shumë familjen e farefisin … Ashtu si jeta e tij edhe vdekja e tij ka qënë e jashtëzakonshme, ka dhënë shpirt duke thënë fjalë burrërore dhe duke dhënë këshilla të mënçura”, – ka shkruar Sami Frashëri, Kamus ul Alam, Vëll.V, Istanbul, 1896. Vdiq më 1892 dhe u varros në varrezat e Merdiven-Qojit të Stambollit. Eshtrat e tij u sollën nga shteti në Shqipëri, në Përmet, më 19 mars 1978, nga një delegacion i përbëre nga Xhorxhi Robo, Luan Omari, Anastas Kondo dhe Duro Kopo. Qëndroi arkivoli me eshtrat e Abdylit në shtëpinë e tij në Frashër, nga 20 marsi deri më 9 qershor, i mbështjellë me flamurin kombëtar, pastaj u çua në Tiranë dhe, më 11 qershor 1978, u vendos, si dhe arkivoli me eshtrat e Naim Frasherit, të cilat më parë preheshin në Kryegjyshatë, në Varrin Monumental apo Përmendoren e tre Vëllezërve Frashëri në Kodrat e Parkut të Madh të Tiranës, ku ngrihen apo lartësohen edhe bustet e tre vëllezërve, Abdylit, Naimit e Sami Frashërit, të derdhur në bronz mjeshtërisht nga Odise Paskali, Thoma Thomai dhe Spiro Bakallbashi. Arkivoli me eshtrat e Abdylit, u shoqërua nga Frashëri në Tiranë, edhe nga nipi i Sami Frashërit, Emin Ereri. Ballkëzia, e shoqia e Abdylit, u nda nga jeta 24 vjet më vonë në Stamboll, në mars 1916.
Nefiseja dhe Sherifi
Nefiseja u martua me Halim bej Përmetin. Nuk la fëmijë. Tuberkulozi u bë një fatkeqësi e madhe që nuk iu nda familjes shumëfrymëshe me “babëzot”, siç quhej në atë kohë kreu i familjes, Abdylin. Ishte kjo sëmundje që mposhti në fillim Nefisenë, edhe pse ajo kur u nda nga jeta kishte familjen e vet së bashku me të shoqin, Halimin. Më tej kjo sëmundje e rëndë e kohës preku Sherifin e pastaj edhe Naimin e Tahsimin.
Në librin “Tehajjulat” (“Endërrimet”), botuar më 1885, ndodhet edhe vjersha e titulluar “Mbi varrin e sime motre”, shkruar nga Naimi me 1880. Kujt i kushtohet kjo vjershë, Nefisesë apo Shahnishasë? Nefisesë i dimë vetëm lindjen, 1841, ndërsa Shahnishasë i dimë edhe lindjen, 1848, edhe ndarjen nga jeta, 1871. Këto vite jepen nga Alfred e Neki Frashëri, “Frashëri në historinë e Shqipërisë”, Tiranë, 2007. Naimi në vjershën “Në varrin e sime motre”, ndër të tjera shkruan: “Nuk po gjej këtu nga ti asnjë kujtim, / Përveç dheut moj, të varrit, ah ç’mjerim, / Por, mbasi ka gjashtë vjet që jemi ndarë, / Si takim e quaj që vij të të shohë varrë”. Duke besuar se të dhënat e cilësuara më lart, si për Nefisenë ashtu edhe për Shahnishanë, janë të sakta, mendojmë se vjershën “Mbi varrin e sime motre”, Naimi ia kushton motrës së madhe, Nefisesë, dhe, njëherësh, nisur nga ç’thuhet në një varg të vjershës, si dhe kuptohet por si ka edhe më shumë mundësi, Nefiseja është ndarë nga jeta në vitin 1874 dhe është varrosur ose në Përmet ose në Janinë, ku Naimi i shkonte pranë varrit dhe, në një rast, iu drejtua me fjalët: “Ah, sikur, moj, të më flisnje dot një fjalë, / Dhe të t’shihja dhe njëherë atë ballë!”.
Sherifi qëndronte më pranë shqetësimeve e halleve të Abdylit dhe kjo vinte nga mosha, ishte i dyti pas Abdylit. Ai u bënte ballë vështirësive dhe ishte i vendosur në kapërcimin e çdo pengese. Sigurimi i domsdoshëm me punë i mjeteve të jetesës për të mbajtur familjen shumëfrymëshe, e detyroi atë t’i qëndronte sa më afër vëllait të madh, Abdylit, duke mos mundur të vazhdonte, edhe pse kishte dëshirë e vullnet jo të vogël, studimet në gjimnazin “Zosimea”.
Sherifi, u martua kur ishte në Janine me vajzën e një berberi nga Shkodra, që banonte edhe ajo në Janinë, e cila quhej Hatixhe dhe thirrej më shpesh Hexhe, në fillim nga familja e saj ku lindi dhe u rrit e më pas edhe nga i shoqi, Sherifi. Jetoi vetëm 31 vjet, duke lënë të vogël vajzën, Asijen, të cilën e adaptoi dhe e rriti si fëmijën e vet, Naimi.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...