Dr. Andon Dede, Nju York
Në një cikël emisionesh për historinë e
Kinematografisë, që e pata ndjekur vite më parë, jepej një detaj tepër
interesant e domethënës. Duke bërë fjalë për një dokumentar për peshkatarët,
autori theksonte se ”ai peshk që ju hani në restorant apo në shtëpi, në një
mjedis komod dhe e shijoni për shtatë palë qejfe, ndofta as që ju shkon në
mëndje se sa mund e djersë është derdhur, për të përfundar ai peshk tek pjata
juaj…”. Dhe autori, përmes një retrospektive, kthehej tek gjuetia e peshkut në
një ditë jo të zakonshme, por në një det me dallgë e stuhi që e bënte peshkimin
aq të vështirë sa që të rrezikonte dhe jetën e peshkatarëve. Më pas ai tregonte
rrugën që bënte peshku i zënë deri sa përfundonte tek pjata jonë.
Prof. Dr. Eshref Ymeri
M’u kujtua kjo histori tek po lexoja librin e Prof.
Dr. Eshref Ymerit, botuar tani vonë, me një titull tepër tërheqës: ”Përkthimi,
një histori pasioni”.
Lexuesi, me të drejtë, mund të habitet nga kjo
përqasje: e ç’lidhje ka peshkimi me përkthimin? Në vështrim të parë edhe unë
bashkohem me të. Por, më lejoni ta shpalos deri në fund idenë që më lindi nga
përqasja e mësipërme. A nuk kënaqemi dhe ne, tek lexojmë një roman, përmbledhje
me poezi apo tregime, në mos dhe çdo libër të ndonjë fushe tjetër dhe, ndofta,
jo për fajin tonë, as që na shkon ndër mend se atë kënaqësi po na e jep jo
vetëm autori por dhe ai që e ka sjellë aq bukur, natyrshëm në gjuhën tonë sa ne
jo vetëm që e kuptojmë plotësisht por dhe e shijojmë estetikisht. Për hir të së
vërtetës duhet thënë se jo gjithmonë i jemi mirënjohës edhe përkthyesit krahas
autorit, ndonëse ai, për të na e sjellë në gjuhën tonë, ka derdhur mund e
djersë, në mos sa ai peshkatari në dallgë e stuhi, por shpirtërisht e
mendërisht, është lodhur e cfilitur jo më pak se ai. E, pra, me punën krijuese
por dhe të vështirë e të mundimëshme të përkthyesve, pse jo dhe me heroizmin e
heshtur të tyre, na njeh libri i sipërcituar. Autori shkruan diku se : “njëlloj
siç njohim arrtistin e madh në secilin
prej roleve që ai luan, po ashtu edhe në çdo vepër të përkthyer gjejmë se cili
është përkthyesi i shquar që domosdoshmëisht duhet të jetë një mjeshtër i
vërtetë i fjalës artistike me artin që
prodhon pena e vet.” Më tej ai shtjellon bindshëm idenë se për një përkthim
cilësor është e domosdoshme jo vetëm zotërimi mjeshtëror i gjuhës burimore por
dhe i shqipes, çka nënkupton njohjen me themel jo vetëm të pasurisë leksikore
por dhe të strukturës gramatikore të të dyja gjuhëve, të cilat mund të mos kenë
përputhje me njera tjetrën.Ajo çka mund të shprehet me mjete morfologjike në
një gjuhë, në tjetrën mund të kompensohet me mjete leksikore.
Por, ky aspekt i përkthimtarisë është vetëm njera
nga trajtesat e shumta që përmban libri. Autori e ka parë këtë veprimtari
intelektuale në shumë plane e prerje, horizontale e vertikale. Ai e nis
shtjellimin e kësaj teme që nga orgjina e lashtë, si lindi vetë termi përkthim,
si një nga llojet e hershme të veprimtarisë së njeriut dhe, kapitull pas
kapitulli, vjen deri në ditët tona. Ndërkohë që je duke lexuar librin, ti iu je
përgjigjur një sërë pyetjeve që edhe mund t’i kesh pasur që më parë në mëndje
apo që t’i ofron vetë autori si fjala vjen, pse lindi nevoja e përkthimit; sa
lloj përkthimesh kemi; a ka dallim midis përkthimit të një vepre artistike dhe
të një tjetre tekniko-shkencore, të biznesit e të tregëtisë, diplomacisë apo të
gazetarisë e të publicistikës. Po në vetë letërsinë artistike, a përdoren të njëjtat mjete e rrugë për të
sjellë në gjuhën tonë prozën e poezinë? A e vlen të ripërkthehen veprat e
përkthyera tashmë, qoftë dhe nga mjeshtër të shquar të fjalës shqipe, si Fan
Noli, Mitrush Kuteli, Skënder Luarasi e plot të tjerë? Parë në këtë prizëm libri, krahas kënaqësisë që
të jep të pasuron edhe me një informacion të bollshëm. Për të qënë sa më bindës
autori nuk mjaftohet thjesht me shpalosjen e mendimevet të veta por iu hap
derën dhe krijuesve e përkthyesve të tjerë për të plotësuar sa më gjerë e sa më
thellë përgjigjet për pyetjet që shtruam më sipër e për shumë të tjera që
gjallojnë në faqet e këtij libri.
Do të mjaftonte gjithë sa thamë më lart për të
përligjur botimin apo dhe leximin e tij. Por, po ta linim me kaq do të bënim
një mëkat të madh se libri përmban dhe shumë e shumë informacione e trajtesa të
tjera, njera më interesante se tjetra. Autori përveç shtjellimit
teoriko-shkencor të kësaj veprimtarie të vyer intelektuale e sheh atë edhe në
një sërë planesh psiko-sociale. Ai ndalet gjerësisht tek puna kolosale, po, po
e përsëris, kolosale e një brezi të tërë përkthyesish që kanë sjellë në gjuhën
tonë kryevepra botërore, jo vetëm të letersisë artistike por dhe
politiko-shkencore-shoqërore dhe që jo vetëm nuk u shpërblyen materialisht për
atë stërmundim prej sizifi por, për arsyet që merren me mënd nga ne që e kemi
jetuar atë kohë, emri i tyre nuk është vënë as në ballinën e shumë e shumë
botimeve voluminoze. Le të përmendim, fjala vjen përktheysit e veprave të
klasikëve të Marksizëm-Leninizmit. Mos e paragjykoni nga përmbajtja apo
konotacioni i keq që mori kjo rrymë e shkencave shoqërore me dështimin e
utopisë komuniste. Por, a e merrni dot me mend se ç’punë e madhe është bërë për
të sjellë në gjuhën tonë vepra të tilla si “Kapitali”, “Teoritë e Mbivlerës” e plot
të tjera, kur edhe terminologjia e përdorur në to thuajse mungonte fare. Parë
në këtë prizëm, autori, që është edhe vetë një përkthyes i njohur, i bën një
homazh të shkëlqyer atij brezi që punoi pa u lodhur, me sakrifica të mëdha, për
të pasuruar fondin e literaturës tonë politiko-shoqërore, apo dhe atë të
terminologjisë përkatëse. Është kjo arsyeja që autori, këtë libër, siç e pohon
vetë që në faqet e para të tij, ua blaton “të gjithë atyre Njerëzve të Shquar
të Kombit Shqiptar, që ia kushtuan jetën artit të përkthimit, duke dhënë një
kontribut të paçmueshëm për pasurimin e kulturës sonë kombëtare me thesare të
kulturës botërore, paçka se disave prej tyre, si pasojë e luftës së klasave që
e ushtroi me aq dhunë diktatura komuniste, ose thjesht për tekat autoritariste
të kësaj të fundit, emrat nuk u figurojnë në ballinat e veprave të përkthyera
dhe ata mbetën heronj të heshtur.” S’ka si të mos ndjesh dhimbje në shpirt kur
lexon një nga rrëfimet e sjella në libër të një koleges së tyre, Violanda Canko:
“Fatkeqësia është se ndokënd nga përkthyesit e përkryer të asaj kohe, e ndesh
rrugës, të katandisur mos më keq, në një pleqëri të mjerë ekonomikisht dhe të
mbaruar shpirtërisht.”
Me shumë interes janë dhënë nga autori apo dhe nga
ata që ia kanë përcjellë atij mbrest e tyre, portretet e shumë përkthyesve të
shquar, duke nisur me Gjon Shllakun që solli në shqip “Iliadën” e Homerit, e
deri tek Isuf Vrioni që përktheu në frengjisht Kadarenë.
Por, edhe me këtë parantezë që bëmë nuk i treguam
gjithë shtigjet që ka çarë autori për të plotësuar tablonë e përkthimtarisë në
vendin tonë. Jo pa qëllim e theksojmë këtë aspekt se ne, ndryshe nga tërë bota,
edhe në këtë fushë kemi specifikën tonë. Brezi im nuk e ka vështirë ta marrë me
mend se përse e kemi fjalën. A ju kujtohen veprat “madhore” të diktatorit që
përktheheshin e botoheshin në tërë ato gjuhë të botës? Me siguri që iu kujtohet
por jo të gjithë e dinë se si është punuar për to dhe sa kanë kushtuar. Në
libër jepet një tablo e saktë dhe e plotë e tërë asaj pune të jashtzakonshme që
kanë bërë përktheysit e Shtëpisë Botuese “8 nëntori” për t’i përkthyer ato jo
më nga një gjuhë e huaj në shqip por në drejtim të kundërt. Vetëm kush është
marrë sadopak me të tilla punë mund ta kuptojë se sa e mundimëshme ka qënë ajo.
Jo vetëm kaq, por siç vë në dukje autori, mjaft prej atyre “veprave të
shquara”, duhet të përktheheshin shumë shpejt se “mezi i priste proletariati
botëror e marksist-leninistët në tërë rruzullin për t’u njohur me përvojën e
shkëlqyer shqiptare dhe me mendimin teorik të udhëheqësit të shquar ku i pat
drejtuar sytë gjithë bota”. Ato vepra, thekson autori, duhet të përfundonin në
duart e antarëve të grupeve dhe të partive M-L, të cilat kishin për mision të
“zgjonin proletariatin botëror për tu çuar peshë në këmbë që të hidhej në
revolucion, për të marrë pushtetin me grykën e pushkës.” Pohime të tilla janë
njëkohësisht tragjike e komike kur mendon se sa mund e djersë është derdhur për
to e, bashkë me to dhe paret e një populli ekstremisht të varfër që s’ngopej as
me bukë. Kujtojmë me këtë rast, se ato libra u botuan me letër shumë të
shtrenjtë, me kapak të fortë e me lidhje speciale, pra bëhet fjalë për miliona
e miliona dollarë. Tragjizmi merr përmasa edhe më të mëdha kur njihesh me fatin
e tyre, shumica e të cilave, në mos të gjitha, përfundonin në koshin e
plehrave.
Duke qënë shef i asaj redaksije, autori ndjen
keqardhje për atë punë që i qe ngarkuar.
Ja si shprehet ai: “Më vjen keq për kolektivin e redaksisë që punonte duke
gogësitur mbi makinat e shkrimit, që raskapitej me orar aq të stërzgjatur dhe
në fund të pesëmbëdhjetëditëshit, (siç paguheshin rrogat asokohe), nuk merrte
asnjë shtesë mbi rrogën. Ajo ishte një grabitje e pastër e punës intelektuale,
të cilën, përveç mohimit të mbishpërblimit material, shteti e shoqëroi edhe me
mohimin e pronës intelektuale, duke mos lejuar shënimin e emrave të përkthyesve
dhe të redaktorëve në ballinat e librave të përkthyer.”
Por autori nuk bije në pozita qaramane, por sheh me
objektivitet dhe anën tjetër të medaljes se, siç thotë një fjalë e urtë, çdo e
keqe e ka dhe një të mirë. Mund të them me bindje të plotë, - pohon ai, - se puna në atë Redaksi ka qënë një “kudhër” e vërtetë, një
“universitet i dytë”, siç e quan me shumë të drejtë përkthyesi i njohur Edmond
Tupja. Pra, ajo djersë e derdhur atje për gati dy dhjetvjeçarë, nuk shkoi dëm
për përgatitjen e gjithanshme shkencore të përkthyesve, të cilët, pas
shpërbërjes së Shtëpisë Botuese, u larguan me disa gjuhë të përvetësuara dhe me
një bagazh të admirueshëm kulturor e profesional, çka bëri të mundur që ata të
gjenin veten pa vështirësi në kushtet e reja të ekonomisë së tregut.
Në libër është pasqyruar edhe puna e vëllimshme që
është bërë jo vetëm në atë shtëpi botuese por dhe në Radion e Jashtëme e në
ATSH.
Libri nuk është vetëm një pasqyrë e përkthimtarisë
tek ne dhe as një paradë e sukseseve të saj por, në të njëjtën kohë, edhe një
vështrim kritik për të meta e dobësi që vërehen në këtë fushë, veçanërisht të
theksuara këto pas ndryshimit të sistemit. Me të drejtë autori vë në dukje se
shumë shtëpi botuese, që mbas ’90-ës mbinë si kërpudhat pas shiut, tashmë janë
të lira të përkthejnë e të botojnë ç’të duan, mjafton që të tërheqin vëmëndjen
e lexuesve e të shesin libra, duke shkelur me këmbë parimet aq të domosdoshme
për një përkthim dinjitoz, siç e vumë në dukje më lart. Ne të gjithë jemi
dëshmitarë të kësaj të vërtete të thjeshtë. Të më falë lexuesi që po rrëfej një
përjetim timin: sa herë që shkoj në
Shqipëri, mbushem me libra të autorëve të ndryshëm. Pa ekzagjerim mund
të them se më ka ndodhur disa herë që librat e përkthyer nga ato gjuhë që nuk i
zotëroj, të botuara në shqip, nuk i kam marrë vesh, jo më fraza e paragrafe por
jo rrallë edhe pjesë të tëra të librit. Ndaj, me të drejtë në veprën që po
diskutojmë, tërhiqet vëmëndja se përkthime të tilla jo vetëm që i bëjnë një shërbim
të keq autorit të përkthyer por dhe vetë lexuesve me shijen e keqe që iu lënë.
Gjuha shqipe, - shprehet në një intervistë autori i librit, - është shpirti dhe
zemra e kombit shqiptar, “dritarja” përmes së cilës, nëpërmjet përkthimit,
thesaret e kulturës botërore, në lëmin e letërsisës artistike, vijnë e bëhen
pjesë e pandarë e thesarit të kulturës
sonë kombëtare se, siç thotë një nga
teoricienët e shquar të praktikës dhe të teorisë së përkthimit, J.I.Recker, “
Përkthyesi ka për detyrë të përcjellë me mjetet e një gjuhe tjetër, në mënyrë
tërësore dhe të përpiktë, përmbajtjen e orgjinalit, duke respektuar veçoritë e
tij stilistikore dhe shprehëse”.
Për të evidentuar bukurinë e Shqipes autori ka
paraqitur tre fragmente veprash artistike, nga tre autorë të ndryshëm, të
sjella në gjuhën tonë nga tre përkthyes të njohur. Këtu, thekson ai, kemi të
bëjmë me një lidhje të goditur martesore
të gjuhës së huaj me atë amtare.
Edhe pse voluminoz, libri me atë mozaik formash e polifoni
zërash që përmban, paraqitet tepër i
larmishëm dhe si i tillë lexohet me një frymë, nga fillimi në fund. Autori ka
kombinuar bukur memoristikën e përsiatjet e veta me intervista të të tjerëve,
me kuriozitete nga tërë bota që lidhen me këtë temë. Aty këtu, në funksion të
ideve që hedh, ka futur citate e aforizma që të ngelen në mëndje për nga forca
përgjithësuese e tyre. Ai ka shpalosur në të edhe përvojën e tij të pasur, jo
vetëm si përkthyes por dhe si pedagog i përkthimit në Universitetin e Tiranës. Pa
e tepëruar, mund të themi se ai është si
një enciklopedi që hedh vështrimin në tërë aspektet që lidhen me përkthimtarinë.
Ne e pamë këtë libër nga këndvështrimi i lexuesit
por ai është në të njëjtën kohë dhe një manual i vyer për përkthyesit e rinj,
nëse duan t’i përkushtohen kësaj veprimtarie sa të vlertë aq dhe të bukur e të
vështirë njëkohësusht. Siç vë në dukje Mira Meksi, në parathënien e librit, ky
libër i Prof.Dr. Eshref Ymerit përmban
një informacion shkencor tejet të pasur të nivelit erudit për problemet e përkthimit
dhe bart vlera të jashtazakonshme njohëse. Kam bindjen, përfundon ajo, që kjo
vepër e përmasave encikopedike do të jetë një traktat plot vlerë për studentët
e degëve të gjuhëve të huaja”.