Qeveria ka vendosur të kallëzojë në Prokurori, deputeten e PD-së Albana Vokshi për shpifje dhe madje, nëse akuzat provohen, Kryeministri është gati të japë dorëheqjen dhe të ikë nga politika.
Njoftimi është bërë sot zyrtarisht nga Kryeministria, e cila njoftoi se e ka ndërmarrë këtë veprim pas deklaratave të deputetes Vokshi për abuzime në sektorin e Shëndetësisë. Sipas qeverisë, “deputetja e PD-së ka marrë përsiper sektorin e prodhimit te baltes se shpifjeve per cdo nisem te qeverise ne fushen e shendetesise” dhe “i përket kategorisë së shpifësve profesionistë të nivelit të larte politik në PD si famëkëqinjtë Paloka dhe Ristani.”
Në njoftim thuhet se “Zyra e Kryeministrit ka ndermarre hartimin e kallzimit te deputetes Albana Vokshi per vepren e shpifjes. Ne aktivitetin e saj te vazhdueshem prodhues ajo ne menyre te perseritur perfshin emrin e kryeministrit.
Zyra e kryeministrit ka te gjitha arsyet e bazuara ne prova e fakte, per te besuar se fatkeqesisht deputetja Albana Vokshi i perket kategorise se shpifesve profesioniste te nivelit te larte politik ne PD, si famekeqinjte Paloka dhe Ristani. Keta te fundit u provuan si shpifes per perdorim partiak nga Gjykata e Larte e Shqiperise, pasi nuk arriten te provojne perpara trupit gjykues asgje tjeter pervec faktit se shpifin per llogari te partise se tyre.
Ka ardhur koha qe Gjykata e Larte te kaloje ne siten e gjykimit te saj te pavarur e te paanshem edhe akuzat e deputetes ne fjale. Njesoj si ne rastet e shpifesve Paloka dhe Ristani, kryeministri Rama shpreh publikisht gatishmerine e tij per te dhene doreheqjen, jo vetem nga detyra po edhe nga aktiviteti i tij politik, nese deputetja Vokshi do te provoje ne gjykate se shpifjet e saj ndaj kryeministrit nuk jane te tilla.”
Një përplasje deklaratash ka pasur sot mes PD-së dhe qeverisë për sistemin shëndetësor. Me një reagim të fundit, deputetja e PD-së Albana Vokshi e ka mirëpritur faktin që qeveria do të bëjë një padi ndaj saj. Vokshi është shprehur se kjo është një mënyrë për të bërë transparencë.
“Rama po më çon atje ku ai vetë ka deklaruar që nuk beson. Rama po më çon në Gjykatën që para dy ditësh e akuzoi se nuk bën drejtësi.
Kryeministri me kallëzoi se ka në dorë mbylljen e dosjeve të korrupsionit në Shëndetësi. Me padinë e tij, vetëfaktoi se ai është palë. Togat e zeza, bluzat e bardha, njerëzit në nevojë, çdo qytetar shqiptar po e vuajnë çdo ditë korrupsionin Rama-Beqaj në shëndetësi.
Rama padit në Gjykatë, Kryetaren e Komisionit të Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë. Por kjo është një mundësi e shkëlqyer për të vërtetën. Kjo është një mundësi e shkëlqyer për të bërë transparencë. Një mundësi për më shumë debat për shëndetësinë. Të kuptohet me fakte e dokumente çfarë është bërë mirë e çfarë keq. Çfarë është vjedhur e abuzuar, e çfarë jo.
Meqenëse Rama, në deklaratën e tij dëshmon gadishmëri, e ftoj atë të marrë pjesë në gjykim si palë për të vërtetuar akuzën e “shpifjes” e në përputhje me ligjin, të provojë faktet mbi të cilët ai bazon pretendimin”, shkruan Albana Vokshi në profilin e saj në Facebook.
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, me anë të një deklarate për media reagoi pas kallëzimit për shpifje që Zyra e Kryeministrit i bëri deputetes së PD-së, Albana Vokshi.
“Kërcënimi i kokoshit 200-milionësh sot ndaj Albana Vokshit, pas një serie denoncimesh kurajoze, me fakte e me prova për korrupsionin në shëndetësi, për zhvatjen që ai po i bën parave të shqiptarëve me miliarda çdo muaj, tregon dy gjëra. Se kryehajduti Edi Rama përmes mashës së tij Ilir Beqa i kanë vjedhur ato miliona euro dhe po vjedhin dhe sot të tjera. Dhe se ai ka në shërbim të tij drejtësinë e gjyqtarët e tij mercenarë në Gjykatën e Lartë, me të cilën kërcënon opozitën dhe fjalën e lirë”, lexohet në deklaratë.
”Kërcënon me ata gjyqtarë të korruptuar e të kapur që dënuan Ristanin e Palokën sepse denoncuan lidhjet e tij me krimin, dhe nxorën pa njollë e pa cene përfaqësuesit e krimit, Arben Ndokën e Pjerin Ndreun që bota mbarë i pa të godisnin opozitën brenda në Kuvend. Ja, kjo është drejtësia që do kokoshi”, shton Basha.
Zyra e kryeministrit Edi Rama shpërndau sot një njoftim për shtyp, ku bënte të ditur se do të kallëzonte penalisht për shpifje deputeten e Partisë Demokratike Albana Vokshi për shpifje.
Po çfarë ka ndodhur?
Prej disa muajsh Albana Vokshi, edhe në cilësinë e kryetares së Komisionit Kuvendor për Shëndetësinë, ka qenë tepër aktive në denoncimin e dhënies së disa koncensioneve në shëndetësi por dhe në denoncimin e një rrjeti klientelist tenderash të realizuara nga Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Ilir Beqja.
Por akuzat e bëra javën e fundit nga Vokshi, kanë qenë më të rënda, sepse tashmë Vokshi po ekspozon pjesë nga një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Një organ i specializuar në diktimin e abuzimeve dhe vjedhjes.
Me këtë raport në dorë, Vokshi tejkaloi shënjestrën e zakonshme, ministrin Beqja dhe kaloi goditjen direkt tek kryeministri.
Ndonëse ai që mban përgjegjësi direkte institucionale për aferat dhe abuzimet është ministri Beqja, në linjë politike, është e vështirë të mendohet se Beqja ka qenë i pandikuar apo se “i ka bërë me kokën e vetë” shumë nga veprimet/koncensionet/tenderët e dyshimtë.
Por duket se Rama nuk do t’ia dijë dhe e konsideron shpifje pa kushte lakimin e emrit të tij në këtë rastin e fundit.
Edhe më parë Rama i ka konsideruar shpifje dhe trillime akuzat e opozitës, por sot ai ndërmori një lëvizje ligjore. Atëherë çfarë ka ndodhur më tepër kësaj here?
Ka shumë gjasa që lëvizja e Ramës të jetë e lidhur me një dokument ‘delikat’ të ekspozuar nga Albana Vokshi një ditë më parë.
Dokumenti është i shkëputur nga raporti I KLSH-së dhe tregon se kompania koncesionare e Check UP-it, në pronësi të biznesmenes Vilma Nushi, ka përfituar transferta të paligjshme paraje nga shteti sepse është paguar për një punë që nuk e ka kryer.
Bëhet fjalë për 1.7 milionë dollarë grabitje që sipas deputetes Albana Vokshi është konstatuar në letrat e prezantuara nga vetë kompania e Nushit.
Deklaron Vokshi:
“Tabela e kapur nga KLSH-ja, tregon shumën që i është paguar Vilma Nushit për muajt mars-nëntor. Sipas kësaj shume, 5 miliardë e 554 milionë, i bie që qenkan kontrolluar 318 mijë persona, duke e ditur se kostoja për një person është 17 mijë lekë.
Por sipas të dhënave zyrtare nga institucioneve shëndetësore shtetërore, numri i të kontrolluarve është 216 mijë persona.”
Më pas Vokshi sqaron:
“Dhe më e rënda është se Fondi i Sigurimeve Shëndetësore nuk ka ushtruar deri tani asnjë kontroll, por i ka marrë të mirëqëna shifrat e Nushit. Pra Edi i ka dhënë Vilmës para sikur e kanë bërë check-upin 318 mijë persona. 1 miliardë e 700 milionë lekë më shumë se sa shërbimi që ka ofruar. Janë vjedhur nga paratë e shqiptarëve 1 miliardë e 700 milionë lekë për 9 muaj.”
Kjo është një akuzë tepër serioze e deputetes demokrate, sepse nuk jemi më në kushtet e një denoncimi thjesht mbi favorizimin që mund t’i bëjë Ministria e Shëndetësisë biznesmenes Vilma Nushi, por raporti I KLSH-së zbulon se tashmë kompania e saj koncesionare, po merr lekë nga shteti dhe për punë që nuk i ka kryer fare, madje lekë në paradhënie.
Për ironi janë vetë shifrat e deklarimeve shtetërore ato që kanë zbuluar diferencën e 1.7 milionë dollarëve që biznesmenes Nushi i janë dizbursuar “veresie” nga ministri Beqaj.
Me denoncimin e fundit, Vokshi ka rritur stekën e goditjes, pasi flet me argumentet e KLSH-së, e për më tepër po denoncon një transaksion të paligjshëm prej 1.7 milionë dollarësh nga fondet e ministrisë drejt Nushit dhe duket se pikërisht këtij presioni i është përgjigjur sot kryeministri me një padi penale.
Rama është mik i vjetër i biznesmenes Nushi, kjo e fundit ka përfituar disa kontrata e koncensione të rëndësishme gjatë qeverisjes së tij por sot Rama duket i prekur që emrin e tij po e lidhin kaq padrejtësisht me këtë biznesmene.
Ndërsa Deputeti i Partisë Demokratike Gent Strazimiri nuk ka qenë në një vijë mendimi ne kryetarin e partisë së tij Lulzim Basha, për sa i takon qëndrimit që mbajti ky i fundit lidhur me padinë që qeveria paralëjmroi se do të ngrejë ndaj Albana Vokshit, për akuzat që ka bërë lidhur me aferat e mundshme në sektorin e shëndetësisë.
Basha e quajti këtë akt si një kërcënim për fjalën e lirë.
Por pikërisht këtë koncept ka kundërshtuar Strazimiri, që shkruante në profilin e tij në Facebook: “Në fakt nuk është kërcënim për fjalën e lirë… Është paralajmërim për drejtësinë dhe denoncimin e vjedhjes më të paskrupullt që ka parë ndonjëherë ish-vendi i ‘shqipeve’…”.
Jo se ajo që ka shkruar Strazimiri është ndonjë hata e madhe, por në kohën kur ishte Sali Berisha kryetar i PD-së, qëndrime të tilla të pasintonizuara as që mund të mendoheshin.
“Ty Zoti ta shtoftë inatin se ky vend i shqipeve mund të mos ketë qenë kurrë, por as i hajdutëve grabitësve të parave publike dhe mjerove KURRË s’do të jetë… Cilido që mendon se mund të risjellë Aranit Çelën, si Aranit Çela do e pësojë…”, e mbyllte komentin e tij drejtuar Ramës, Strazimiri.
Gjatë vitit 2015, Inthech + ka fituar deri tani plot 18 tendera në shumën e rreth 7 milionë dollarëve, ku institucioneve shtetërore të mësipërme u shtohen edhe OSSHE, Agjencia Kombëtare e Ushqimit, etj.
Një kompani private ka bërë kërdinë në tenderat publikë, madje mund të ketë shënuar edhe një rekord, kur në më pak se 22 muaj ka fituar plot 28 tendera. Bëhet fjalë për kompaninë Intech +, e cila brenda një kohe të shkurtër ka përfituar nga tenderimet publike një shumë rreth 11 milion dollarë.
Sigurisht që suksesi i papritur i kësaj kompanie lidhet me emrin e ministrit të famshëm gjithashtu për tenderimet dhe konçensionet në ministrinë e tij, vetë zotin Ilir Beqaj. Ministri aktual i shëndetësisë ka qenë aksioner kryesor i kompanisë Intech +, por në momentin e zgjedhjes deputet, për të qenë formalisht në rregull me ligjin, Ilir Beqaj i ka shitur aksionet e tij tek një person tjetër.
Likuidimi është bërë me një kontratë të veçantë që nuk është e publikuar në dokumentacionin në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit. Shumëkush e mban mend që Intech + ia dogji mandatin deputetit Ilir Beqajt në vitin 2011, pasi Gjykata Kushtetuese e quajti shkelje të ligjit faktin që kompania e deputetit socialist kishte përfituar fonde publike nga bashkia e Durrësit.
Mirëpo joshja nga paratë publike qënka e madhe. Për të mos e djegur edhe mandatin e dytë, pasi Partia Socialiste erdhi në pushtet dhe ai u emërua ministër i Shëndetësisë, më 9 shtator 2013, Ilir Beqaj i shiti pra aksionet e tij, 51 përqind, në shumën e afërsisht 120 mijë eurove. Me këtë akt, kompania Intech + i kishte duart e lira të përfitonte nga tenderat publikë dhe ministri ishte formalisht në rregull.
E ndërsa vetë Beqaj akuzohej thuajse çdo ditë për tenderime e konçesione skandaloze në ministrinë e tij, kompania Intech + lulëzonte në biznesin e saj me administratën e re të partisë së Ilir Beqajt.
Me ose pa ndikimin e kryeministrit Rama, kompania ku kishte qenë pronar ministri i Shëndetësisë, e cila ka si objekt të aktivitetit të saj shërbime të ndryshme të sistemeve kompjuterike, gjatë vitit 2014 është shpallur fituese e 10 tenderave në shumën e afro 2 milion dollarëve nga institucione si bashkia Durrës, Albcontrol, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, Instituti i Sigurimeve Shoqërore, ministria e Financave, Fondi i sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor.
Gjatë vitit 2015, Inthech + ka fituar deri tani plot 18 tendera në shumën e rreth 7 milionë dollarëve, ku institucioneve shtetërore të mësipërme u shtohen edhe OSSHE, Agjencia Kombëtare e Ushqimit, etj.
Në total, për 22 muaj kompania që ishte në emër të ministrit Beqaj, ka marrë rreth 11 milionë dollarë nga 28 tenderat e fituar, në 10 prej të cilave është fituese e vetme, të tjerat në bashkëpunim me kompani të ndryshme. Midis tyre vihet re se shumat më të mëdha i ka përfituar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për portalin qeveritar “e albania”. Gjithsej rreth 3 milionë dollarë.
Çfarë ndodhi që kompania, ku ministri nuk është më aksioner, brenda dy viteve u bë kaq e sukesshme? Mos vallë largimi i Beqajt e ndihmoi kompaninë të lulëzonte dhe ndërkohë kryeministri Rama ua bëri peshqesh shqiptarëve tek ministria e Shëndetësisë? Nuk ka dyshim që këtu nuk bëhet fjalë për histori suksesi, por për një aferë të dyshimtë biznesi. Ku përsëri në qendër është ministri i gjatë i Edi Ramës, i cili duhet patjetër të hetohet nëse ka ushtruar ose jo ndikim në kundërshtim me ligjin për të favorizuar ish kompaninë e tij.
Po kështu prokuroria duhet të zbulojë nëse Ilir Beqaj përfiton ose jo, në mënyrë indirekte nga biznesi i Intech +, të cilën e shiti 120 mijë euro por që në dy vjet ka fituar tendera në 10 milion euro. Fakti që kryeministri Edi Rama ka vendosur të mbajë me çdo kusht ministrat e tij, nuk do të thotë që
shqiptarët të durojnë të zhvaten dyfish, edhe kur shkojnë për t’u kuruar edhe kur paratë e tyre shpërndahen në mënyrë korruptive.