2016-01-22

Ankthi i quajtur Kosovë

Arbër Ahmetaj shkrimtar shqiptar, u lind në Tropojë në vitin 1965, është diplomuar në farmaci nga universiteti i Tiranës dhe ai i Gjenevës. Që nga viti 1986 bashkëpunon me shtypin shqiptar të asaj kohe dhe më pas punon si gazetar në departamentin e informacionit në TVSH. Në 1993 ndërkohë që specializohej për diplomaci në Oksford, Washington Gjenevë dhe Maltë punon në Ministrinë e Punëve të jashtme në Tiranë. Pas detyrash të ndryshme në këtë minitri emerohet sekretar i parë ne ambasaden shqiptare në Bukuresht. Nga shtatori i vitit 1997 vendoset në Sion të Zvicrës duke ushtruar dashurinë e tij të vjetër, punën si farmacist. 

Disa nga verpat e tij në prozë janë "Fletëhyrje për në varr" "Varri i braktisur"  ,"I huaji ai Kosovari","Më mori malli e dashur".(Floripress).


I huaji ai Kosovari


Një roman që duhet lexuar patjetër!

Pas leximit po e mbaja në dorë romanin “I Huaji ai Kosovari” të autorit Arbër Ahmetajt e po thosha me vete : Ky roman i shkurtër, por i gjerë në kohë dhe i thellë në përmbajtje duhet të lexohet patjetër, duhet të bëhet pjesë e bibliotekave të të gjithe atyre qe e përjetuan luftën, por edhe të atyre që kanë lindur pas saj. Narracioni i autorit në këtë roman i ngjanë dukurisë së ortekut te borës : në nisje i ngadalshëm, e i vogël në përmasa, por duke u rrotulluar bëhet aq I madh sa rrëmben gjithëçka gjen para. Po a është ky një roman mbi historinë e luftërave në Kosovë qysh se e ka kurdisur Zoti këtë botë?

Jo, autori nuk ka shkruar një roman historik, nuk ka ngjarje të përshkruara që te kujtojnë këtë apo atë ndodhi reale gjatë apo edhe pas luftës. Por ne të gjithë romanin ndjehet ekoja e luftës, e tensionit, e pasojave psikologjike mbi personazhet dhe shoqërinë. Duke iu shmangur rrëfimit të luftës, autori e sjell atë gjithsesi me gjithë peshën e dramës së saj. Per ta bërë të përballueshme këte peshë për lexuesin, autori me shumë mjeshtëri e freskon romanin me linjën e nje dashurie të humbur apo “të vjedhur” nga një Kosovar. Ai me vetëdije e zgjedh edhe emrin e të «dashurës», Doruntinë. Një emër që njihet mire në legjendat shqiptare, shumëkuptimësine e te cilave autori e shfrytëzon në të gjitha tekstet e tij letrare të deri tanishme. Doruntina e përshkon romanin që nga lindja e asaj dashurie pasionante, të parealizuar e deri sa vdes, diku në Gjermani nga fundi i romanit.

“Kësaj here - thote autori në fund të librit- legjendës i ka vdekur personazhi i bukur, i ka vdekur vet Doruntina, rrjedhimisht legjenda eshte zhbërë, nuk është më legjende”.

Diktatura e Kurvit

Autori edhe në këtë roman duket qartë që ende nuk i ka larë hesapet me diktaturën e instaluar
në Shqipëri nga Kurvi, diktaturë që e mbyti shpirtin e një populli për 40 vjet. Në qytetin e tij
të gjithë e shajnë dhe truajnë këtë diktaturë, por jo haptas.


Veç, autori, edhe këtij burgu kolektiv ia gjen ilaçin. Përmes personazhit, Hafizja e çmendur; dalëngadalë, pakngapak, çdo ditë, në vazhdimësi e grith dhe e përgjak, shpesh ia nxjerr sytë si me maje të kërrabëzës kësaj diktature dhe levave të saj. Deri aty shkon puna sa edhe shërbëtorët më të devotshëm si punëtorët e sigurimit (SS) fillojne e mendojnë se nuk janë njerëz por sende. Sende në të cilat mund të ulesh, të hash, të punosh madje edhe të përshurresh. Kjo gjendje është e tmerrshme
për nomenklaturën e diktaturës, pasi i bënë ata të duken më të çmendur se Hafizja e çmendur.
Ja një dialog në mes të punëtorit të sigurimit SS dhe Hafizës:

- Ku shtrihet Kosova, Hafize?
- Kosova shtrihet në vorr, te kryet e ka një drrasë ku shkruhet Beligrad, te kamt e ka një tjetër
ku shkruhet Tiranë.
- Kush ta ka mësue këtë gjeografi, Hafize?
- Kurrkush e kam mësu vet.
- Jep këso mësimesh gjeografie kur endesh rrugëve?
- Unë nuk flas me njerëz, unë flas me sende.
- Po me mua pse flet?
- Se ti send je!!!

[...]

SS vuri re se s’qe një ide, qe një kufomë e në ideje në formë pyetje, një kufomë e mbështjellë
në një arkivol të plumtë që po i rëndonte në kraharor. Njeri jam apo send? “Se ti send je... se ti
send je ... se ti send je” po i buçiste në një skaj të kafkës ky refren – se ti send je...!

Ankthi i quajtur Kosovë

Ankthi i autorit është Kosova. Vendi i ndaluar. Kufirin e saj e ruanin njerëz e qenë. Kosova
edhe kjo një legjendë në mendjen e autorit, një emër i gjinisë femërore, një tjetër dashuri
pasionante, e cila ia bren shpirtin të dijë sesi duket. Edhe kur e kishte parë, e kishte parë jo
qartë, në TV me pupla dhe nga larg. Nëse më lejohet të bëj një parantezë, do të thoja se autori
i këtyre rreshtave e ka vizituar për herë të parë Shqipërinë në vitin 1979 dhe derisa e ka takuar
autorin e këtij romani (1997/98) e ka ndjekë si fantazmë pyetja nëse a duan shqiptarët e
Shqipërisë Kosovën, sikur shqiptarët e Kosovës që e duan Shqipërinë ? Dhe ishte habitur kur
kishte mësuar se nga të dyja anët e kufirit kishin bërë të njëjtat gjeste dhe veprime për ta parë
njëri-tjetrin dhe ishin kuptuar sikur vëllezërit binjak.
Personazhi narrator shkon në Kosovë, por rruga nuk është e lehtë, është e mbushur me varre,
me dhimbje! I duhet të varrosë ushtarë të mbetur mbi dhé, ushtarët e Atdheut të vet, sepse
narratori Kosovën e kishte ditur dhe e di për atdhe. Edhe pse e përgjakur, e vrarë, e katandisur, Kosova i duket e bukur.

Një tablo tjetër të cilën autori e abordon me shumë mjeshtëri dhe e vë në spikamë gjithë
lavdinë e ushtrise çlirimtare por edhe llumin qe iu përzie nëpër këmbë e deri në krye. Me
mjeshtri flet hollë e hollë për anën groteske të disa komandantëve të saj që sillen tmerrësisht
keq me kundërshtarët politik. Nëpërmes skulptorit Agim R. të cilit ia vrasin babën dhe djalin,
autori ka vënë në spikamë dhe ua ka bërë gjyqin para Gjykatës Speciale të gjithë këtyre
komandarëve të paskrupullt dhe bodigardëve të tyre, « me zerro shkollë », me këmisha të
zeza, që mbjellin frikë me muskuj të rrejshëm të formuar nga medikamente të ndryshme.
Shume nga këto skena i vendosë në Prizren, qytetin historik të Kosovës, gjatë improvizimit të
një konference për shtyp të një regjisori që donte të bënte një film për UÇK, por që kishte
probleme me zëvendësin e tij-komisar. Ky i fundit nuk e honeps regjisorin e shkolluar dhe
edukuar në shkollën Jugosllave ! Hafizja e çmendur, gjendet si personazh edhe në Kosovë,
por atje ajo, nga një tufë komandantësh, cilësohet si shumë e mençur pasi sipas tyre “disa herë
kishte depërtuar në vijat e armikut dhe kishte sjellë informacione të vlershme”. Po ashtu edhe
oficeri i sigurimit SS, ka shkuar ne Kosovë, ku herë shihet me kolegët e tij të UDB-së e herë
shërben si instruktor politik i komandantëve. Figura më groteske del “I huaji, ai Kosovari” i
cili kishte regjistruar dikur si azilant politik në Shqipëri dy fakultete në Tiranë, por që s’i
kishte mbaruar kurrë, veçse komandant kishte arritur të bëhej.

Legjenda…

Pjesa më e veçantë e romanit është risjellja e legjendës së Mujes dhe Halilit, kënga në të cilën
kreshnikët e zemëruar me njerï-tjetrin, pasi vrasin e shkretojne kundërshtarët e tyre, vazhdojnë kasaphanen mbi njeri tjetrin. Ky lloj teksti poetik i realizuar në prozë, që ruan
gjithsesi rimat dhe ritmin e brendshëm te këngeve të eposit, është aq i përsosur saqë ke dëshira ta lexosh e rilexosh. Romani, I huaji ai Kosovari, e përshkohet prej fillimi e deri në
fund nga një humor i lehtë i mençur, që i alternuar me emocione të forta, shkakton lot. Një
roman që lexohet me shume endje e të mbetet në mendje për shumë kohë.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...