2016-01-23

Edmond Tupja: Bukuria e kulluar e artit…dhimbja

Edmond Tupja është përkthyes dhe shkrimtar shqiptar, ka lindur në Tiranë në vitin 1947. Pasi kreu studimet në vendlindje, u diplomua për gjuhë e letërsi frënge në Universitetin e Sorbonës, Paris. Fillimisht pedagog në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, pastaj mësues në qytetin e Gramshit, më vonë përkthyes në Tiranë, sot drejton seksionin e përkthimit pranë departamentit të frëngjishtes në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës. Autor tekstesh universitare, vëllimesh me poezi e prozë në shqip dhe frëngjisht, leksikograf, publicist e kritik përkthimesh, laureat çmimesh kombëtare e ndërkombëtare, ka shqipëruar vepra të shkrimtarëve francezë: Proust, Gracq, Tournier, Sartre, Giono, Mauroius, Pieyre de Mandiargues, Delerm, Plazy etj. dhe ka përkthyer në frëngjisht autorë shqiptarë si F. Kongoli, I. Kadare, D. Çomo, D. Çuli, B. Shehu dhe S. Çapaliku. Si shkrimtar, ai ka botuar disa tituj, shumë prej tyre me temë erotike. Përmendim këtu: “69 variacione për një temë erotike”, “Tingujt e trupit tënd” dhe “Fjalori erotik”. Ai është gjithashtu autor i veprave autobiografike “Mos ik, o ma” dhe “Kur dhimbja premton dashuri”.



Botime

69 variacione për një temë erotike
Mos ik, o ma
Kur dhimbja premton dashuri
Tension i lartë
Pro translatore
Vajzat e ballkonit
Mos harro të më puthësh
Albumi i një brenge
etj.

Floripress/Flori Bruqi



Edmond Tupja.jpg


Janë dyzet e nëntë poezi, përmes së cilave Edmond Tupja zhvishet përpara lexuesit, i sinqertë, i vërtetë, njeri, poet, prind…babai i Gesit, djalit të tij 23 -vjeçar, autik.


Suadela Balliu
Nga Suadela Balliu

Nuk është i pari libër që ia shkruan dhimbjes i mbushur plot e përplot me të, e ndoshta as i fundit…Por ky është më i dashuri, më i çmuari ndër ta. Albumi i një brenge, asaj më të thellës…për të birin, për pamundësinë e vdekatarëve të zakonshëm ta kuptojnë një fëmijë të veçantë, që rregullat njerëzore kërkojnë ta etiketojnë si çrregullim neurologjik me emrin autizëm…Ata vdekatarë ku bën pjesë edhe ai e ku përkohësia në këtë botë (e nga ta dimë se nuk është vetëm iluzion?!) ka vetëm një peng; të mos jetë i përjetshëm për t’u kujdesur për birin e tij.

Janë dyzet e nëntë poezi (shifër që e bën vuajtjen po aq mistike sa përsosmëria e matematikës ) përmes së cilave Edmond Tupja zhvishet përpara lexuesit, i sinqertë, i vërtetë, njeri, poet, prind…babai i Gesit, djalit të tij 23-vjeçar, i dënuar me fat e fatkeqësi( siç do e quanim rëndom ne, shumica, e paaftë për t’i kuptuar punët e Providencës) për të mbetur përjetësisht i pastër, përjetësisht fëmijë.
tupja
“Kishte momente kur shkruaja dhe qaja. Rilexoja dhe përlotesha”, – rrëfen Tupja, ndërsa përshkruan me të njëjtën frymë, të cilën ai e quan gulç që nuk e linte të qetë apo dalldi që e kishte mbërthyer për muaj të tërë, ndërsa çdo mbrëmje shkruante një poezi që i kushtohej Gesit.

“Kam botuar një libër për autizmin, tim bir, mbi dramën familjare, tronditjen… i cili titullohet ‘Kur dhimbja premton dashuri’, por diçka kishte mbetur nga ajo kohë. Kisha dëshirë të shkruaja prapë”, – zbulon ai ndërsa rikujton dhimbjen që përshkruan librin e parë.

Dhimbja do trokiste sërish, kësaj here do të kishte trajtën e nënës. “Mos ik o ma” ishte libri që e shkroi tre muaj përpara se e ëma të ndërronte jetë. “Isha prapë brenda qerthullit të dhimbjes”.

Kishte nisur të shkruante ndërkaq disa poezi për të birin. Njëra madje u bë edhe teksti i një kënge. “Renis Gjoka, këngëtar i muzikës rrok ma propozoi, kishin bërë muzikën dhe unë u dhashë tekstin, i pëlqeu, bëri këngën bashkë me një video dhe fitoi çmimin e Videoklipit më të mirë në vitin 2013, pastaj kisha shkruar tri apo katër poezi të tjera. Më erdhi një si gulç, thashë, pse të mos shkruaj poezi për djalin?! Më vinte vetiu. Ulesha në darkë, pasi mbaroja punët e mia të të shkruarit, përpara dhe të bëja një dorë shah apo letra me kompjuterin, ulesha dhe shkruaja një poezi. Shkrova kështu pesëdhjetë ”, – vijon Tupja, ndërsa thotë se njërën prej tyre e sakrifikoi duke menduar se ishte motiv që gjendej edhe në poezi të tjera. Kështu mbetën dyzet e nëntë, që bënë bashkë “Albumi i brengës më të thellë” botim i Shtëpisë botuese “Ombra GVG”.

Një arush që kujton fëmijërinë dhe është subjekt i një prej poezive. Gesi i tij i dashur nuk ndahet kurrë nga lodra e butë e pelushit. Një flakë që digjet e nuk konsumohet, që është dhimbja dhe dashuria e pashtershme e prindit dhe një degë e tharë lulesh, si ëndrrat që ndoshta kurrë nuk u realizuan apo si vitet që ikin duke e shtuar edhe më brengën e një prindi që nuk ka kujt t’ia lërë amanet të birin të pamundur të kujdeset për veten… Është kjo kopertina që hap një album, ku me vargje janë të fotografuara lotët, ditët e vështira, mendimet e errëta të netëve pa gjumë, ndenja e fajit të atij që pafaj vuan, muret e lartë të pamundësisë për të gjetur gjuhën që do e bënte të birin ta kuptonte e të kuptohej, por edhe dashuria e madhe, fitoret e vogla, lumturia dhe një thënie e Gilles Plazy në kopertinën e pasme “…e ushqyer me dëshpërim, poezia lidh duajt e fatit”.

“M’u zgjuan vatra, që si të thuash ishin disi të fjetura, por edhe ato ndodhi që ishin të freskëta në marrëdhënien time me djalin merrnin një ngjyrim tjetër, ndriçoheshin nga delli i poezisë. Ka shumë dhimbje në këtë libër”, -bën të ditur Tupja, që lajtmotiv të palodhur në secilën prej poezive ka brengën e madhe: “Ç’do të bëhet me Gesin tim kur të mos jem? Kush do të kujdeset për fëmijët si Gesi?”. Flet për dhembshurinë e fëmijëve autikë dhe keqardhjen që të ashtuquajturit normalë nuk munden ta kuptojnë botën e tyre të thellë e të mistershme.

Poezia për Tupen, veçanërisht ajo që bën të kullojë dhimbja në çdo varg të saj, është çlirim. Çlirim i së keqes dhe nxjerrje nga vetja. Por kurrsesi ai nuk shkruan thjesht për të shkruar. Asnjë prej librave të tij nuk e ka vendin në sirtar.

“Unë dua shumë të komunikoj, të krijoj marrëdhënie me lexuesin. Sigurisht, është një përçapje nën rrogoz pak egoiste… lehtësohem kur shkruaj. Por nuk është ky qëllimi fillestar. Është një rrëfim, të cilit mund t’ia bëj qoftë edhe një njeriu të vetëm, por ndarja e gëzimit apo hidhërimit me të tjerë të bën të ndihesh mirë”.

Ai nuk ka frikë të dalë emocionalisht i tejpashëm, se mund t’i shihen vragat që i ka lënë jeta dhe dhimbja për të birin, se mund t’i lexohen rrudhat e mundimit, që është i ditëpërditshëm.

“Unë nuk vë maska. Aq më pak në poezi, por edhe në prozë jam i sinqertë. Nuk jam hermetik.

Kjo bën që unë them herë pas here që të shkruarit e kam terapi; terapi për ta hequr nga vetja një gjë. Por egoizmi në këtë rast, duke e hequr të keqen nga vetja, e bëj të lërë gjurmë te tjetri. E sidomos kur tjetri ka empati, e përjeton keq. Ky është efekti bumerang ose pervers i një gjëje shumë të mirë” , – thotë ai, duke shtuar se ky libër ashtu si edhe i pari, për ata që e kanë lexuar dhe bërë të vetin, krijon vetëdije dhe ndërgjegjësim.

Në këtë rast, arti i Edmond Tupes nuk është thjesht “art për art”, edhe pse ai e çmon shumë edhe kur dhimbja përdoret vetëm si element i së bukurës. Libri i tij, arti i tij poetik ka efekt zgjimi, shkundës për ata prindër që ende jetojnë në mohim dhe duan ta fshehin një fëmijë të lindur autik, që fajësojnë ende të tjerët për fatin e tyre, por edhe tek ata prindër që i kanë fëmijët krejt normalë dhe mbajnë merake ekzistenciale për të ardhmen. “Ka një kriter terapeutik edhe për prindër me fëmijë normalë që ndihen fatkeq se fëmija nuk shkon mirë me mësime, që do të shkojë ushtar, apo është në burg, E kam thënë edhe te libri i parë, që këta prindër janë prindër të lumtur”.

Letërsia , thotë Tupja, është dhimbje e dyfishtë. E para, për temat që trajton dhe e dyta, për përjetimin e shkrimtarit a të poetit. “Letërsia limonadë do të kalojë, edhe ajo e angazhuar me tepri bie, por letërsia që mbart dhimbje do të rezistojë. E bukura e vërtetë, për mua është e moralshme”.

Krahas njohjes me një njeri autik, libri i Tupes të bën të njihesh dhe të hysh në lëkurën e një prindi që ka një fëmijë me autizëm, e ravijëzuar nga ndjesia e fuqishme e vetëfajësimit.

Rrëfen sesi deri më tani barrën më të madhe për rritjen dhe kujdesin e të birit e ka pasur e shoqja, Xhilda. Sesi ajo hoqi dorë nga piktura , sesi për vite të tëra iu përkushtua vetëm të birit. “Tani që unë jam në pension, mendova se do të kisha më shumë kohë, por nuk kam sepse djali kërkon shumë kohë e të gjithë këtë e ka pasur Xhilda me një vetëmohim, stoicizëm, pa u ndjerë”.

Flet për ditët e zakonshme që kalon me Gesin, sesi i rivendosin marrëdhëniet e dashurisë çdo ditë, sesi luajnë, sesi komunikojnë për kërkesat e tij të vogla, por edhe sesi e ka përgatitur veten në reagimet e dhunshme kur ai ndjen se nuk e kuptojnë si duhet.

“Prindërit e përjetojnë thellësisht. Unë dhe Xhilda kishim thurur ëndrra për këtë fëmijë. Ishte koha kur e drejta e studimit në diktaturë nuk dilte kollaj. Thoshim që edhe po të mos i dilte e drejta e studimit, unë, i ati, do i mësoja frëngjisht, pikturën do ia mësonte ime shoqe. Por këto nuk u realizuan”, – rrëfen ai, ndërsa kujton edhe netët pa gjumë dhe sesi jashtë shtëpisë jeta vazhdon normalisht dhe me të njëjtat kërkesa e ritme i duhet t’i bindesh, edhe kur ke kaluar kohë të vështirë dhe të pagjumë…Krahas vuajtjes është edhe lumturia. “Fitoret e vogla, hapat e vegjël përpara të japin një gëzim të paparë. Mundimi nuk ka shkuar kot”. E di se një forcë përtej së tijës, e quajtur Zot apo jo, e ka sjellë këtë fëmijë në gjirin e tij, sepse e ka ditur se do ta rrisë me dashuri. “Pas tronditjes së thellë, i bëmë ballë. Kuptuam që duhet të japim shumë dashuri. Dashuri të pakushtëzuar. Të paktën sa të jemi gjallë ne prindërit, t’i bëjmë të lumtur, që nëse ata do të kenë kujtime, të paktën ta mbajnë mend këtë lumturi”, – thotë Tupja.

E ka mbyllur ciklin poetik me një apel, një thirrje për ata që ai i quan të gjithëpushtetshëm, qeveritarë dhe të kamur, të hedhin sytë nga ky komunitet e t’u vijnë në ndihmë, për t’ua bërë pak më të lehtë brengën e pse jo, për t’i qetuar pak në ankthin më të madh, se kush do të kujdeset për këta fëmijë pasi prindërit të mos jenë më në këtë tokë…

Librari i ri në librarinë “Albania” , teksa të dorëzon “Album i brengës më të thellë”, që e shtrëngon në duar, të thotë se nuk i mban dot lotët sa herë dikush i kërkon këtë libër, apo sa herë ai ua sugjeron atyre që duan të blejnë një libër me poezi…Bukuria e artit dhemb. Aq shumë sa e një prindi, si Edmond Tupja.



Një arush që të kujton fëmijërinë dhe është subjekt i një prej poezive. Gesi i tij i dashur nuk ndahet kurrë nga lodra e butë e pelushit. Një flakë që digjet e nuk konsumohet, që është dhimbja dhe dashuria e pashtershme e prindit dhe një degë e tharë lulesh, si ëndrrat që ndoshta kurrë nuk u realizuan apo si vitet që ikin duke e shtuar edhe më brengën e një prindi që nuk ka kujt t’ia lërë amanet të birin të pamundur të kujdeset për veten… Është kjo kopertina që hap një album, ku me vargje janë të fotografuara lotët, ditët e vështira, mendimet e errëta të netëve pa gjumë, ndenja e fajit të atij që pafaj vuan, muret e lartë të pamundësisë për të gjetur gjuhën që do e bënte të birin ta kuptonte e të kuptohej, por edhe dashuria e madhe, fitoret e vogla, lumturia dhe një thënie në kopertinën e pasme “…e ushqyer me dëshpërim, poezia lidh duajt e fatit”

*****

Ti je lënda ime e lënduar

Brenda shpirtit të shpërbërë,

Brenda zemrës së zemëruar,

Brenda ëndrrës plot me rërë.



Ti je kënga grykë prerë,

Shija ime e shituar,

Mjalti im i pandërprerë

Akullnajë e përvëluar.



Ti je kryqi im i ndritur,

Bukuria e burgosur,

Mrekullia e paarritur

Ankthi im i përsosur

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...