Sulme të përmasave të atyre siç ndodhën në Paris, ku mbetën të vrarë 129 persona dhe u plagosën afro 400 vetë, janë të rralla. Por çfarë këshillash duhet të ndjekin njerëzit në ngjarje të tilla?
TË JENI TË PËRGATITUR.
Shumë të mbijetuar në sulmet në Paris thanë se i kujtuan të shtënat e armëve për fishekzjarrë. Kjo është diçka e zakonshme thotë instruktori i mbijetesës John Leach. Njerëzit nuk kujtojnë se janë të shtëna sepse nuk e presin diçka të tillë. Por dikujt që i shkon nëpër mend diçka e tillë, me siguri reagon më shpejt nga ngjarja. Është e lehtë të ulesh në një restorant apo kinema dhe të mos i kushtosh rëndësi daljeve të emergjencës, por nëse i dimë ato mund të shpëtojmë jetët tona.
VEPRONI MENJËHERË.
Shumica e njerëzve hutohen nga ajo që ndodh gjatë një sulmi. Nga studimet e instruktorit Leach nëpër botë, vetëm 15% e njerëzve përgjigjen në atë mënyrë që i ndihmon ata të mbijetojnë. 75% janë konfuzë rreth asaj që po ndodh, ndërsa 10% janë ata që reagojnë në mënyrën që i ulin shanset e vetes për të mbijetuar dhe për më tepër i prishin punë edhe të tjerëve. Të veprosh me vendosmëri do të thotë që me shumë gjasa të mbijetosh, por është në natyrën e njeriut që të gjithë presin që të reagojnë të tjerët në fillim.
TË KUNDËRPËRGJIGJENI.
Ndonjëherë të përballesh me një të armatosur, pa qenë i stërvitur, të bën të rrezikosh jetën tënde. Është e rëndësishme gjithashtu të dimë, se shumica e sulmuesve veprojnë në grup. Shumica e tyre janë të armatosur, pastaj ka edhe nga ata që kanë eksplozivë. Por pavarësisht rreziqeve, disa njerëz mendojnë se është e rëndësishme të kundërpërgjigjesh e të luftosh nëse është e nevojshme.
PAS ARRATISJES.
Kur dikush ka arritur të shpëtojë nga vendngjarja apo situata e tensionuar që është krijuar, është e rëndësishme që përsëri të tregohemi vigjilentë. Largohuni sa më shumë të jetë e mundur, dhe shkoni në pikën më të afërt ku mund të kërkoni ndihmë. Është e rrezikshme t'i bashkoheni turmave të mëdha të njerëzve apo të merrni transportin publik.
NDIHMONI NJËRI-TJETRIN.
Në rastet kur ndodh një sulm, bashkëveprimi me njëri-tjetrin mund të rrisë mundësitë e njerëzve dhe individëve për mbijetesë, thotë Chris Cocking, një psikolog i sjelljes së turmave. Pas disa pyetësorëve që ky i fundit ka zhvilluar tek njerëzit që kanë hasur në situata të tilla, shumica janë përgjigjur që mënyra më efikase për të shpëtuar, është nëse të gjithë bashkëpunojnë me njëri-tjetrin.