Beqir Buzuku
U lind në vitin 1948 në fshatin Tygjec të Dardanës, shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse gjimnazin në Dardanë. Studioi në SHLP, grupi Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, në Gjilan.
Beqir Buzuku shkruan për fëmijë dhe të rritur. Përveç mbi 300 poezive, të botuara në “Zëri i rinisë. “Jeta e re”, “Zog mëngjesi”, “Pionieri” etj. ka botuar këto vepra letrare:
Veprat
| Pesha e ngjyrave (poezi për fëmijë), Pionieri, Prishtinë, 1995,
| Etje për buzëqeshje (poezi për të rritur), Jeta e re, Prishtinë, 1995,
| Çupëza e ngjyrave (poezi për fëmijë), Pionieri, Prishtinë, 1996,
| Përtej të sotmes, novelë fantastiko-shkencore (për të rinj), Forumi i krijuesve të artit, Prishtinë, 1997,
| Lahuria e lulemollëve (poezi për fëmijë), Forumi i krijuesve të artit, Prishtinë, 2001,
| Çelësat majë lapsi (poemë për fëmijë), Forumi i krijuesve të artit, Prishtinë, 2004,
| Rrëshqitje në udhëkryq (poezi për të rritur), Galabroi, Prishtinë, 2005 dhe
| Tri ditët e shtojzovalles (novelë për të rinj), Lidhja e Shkritmtarëve të Kosovës, Prishtinë, 2009.
| Atdheu me dy zemra (poezi) bot. autorial 20014
Autori është përfshirë në botimet:
|(Prof.dr. Astrit Bishqemi) në "Historia e letërsisë shqiptare për fëmijë e të rinj", Elbasan, 2001, 2004 dhe 2008,
|(Prof.dr.A. Bishqemi) "Autorë të letërsisë shqiptare për fëmijë e të rinj 1886-2009", Elbasan, 2009, në
|(Hasan Hasani):"Leksikoni i shkrimtarëve shqiptarë 1501-2001", Prishtinë, 2003 etj.
Beqir Buzuku është anëtar i Lidhjes së shkrimtarëve të Kosovës(LSHK). Jeton e vepron në Gjilan.
_________
Etj.
Jeton dhe vepron në Gjilan.
NË PESHOJË KOHE
Bota shikohet
me dy parë sy...
Me sy terri shohim natën
me sy drite
presim diellin,
diellin e së nesërmes.
Në vendnumërim
shtohet dergja e pritjes.
Me hapa përpara
shkurtohet rruga,
rruga drejt pikëcakut.
E ç’kuptim ka maksima
në udhëkryq:
Udha e gjatë
jeta e shkurtë,
udha e shkurtë e pasigurtë...
Ruletfati
ndodh na del mashtrim,
po mendjemprehtësia
e fundja dorëtakati
thonë sjell shpëtim.
HILJA
Në Dëbëllde e gjetiu
tkurret mezhda e tokës sonë,
kot ankohen fshatarët,
ankesat kurrë s’kanë peshë
për njerkën e për hileqarët.
Andej e këndej
të gjithë janë shqiptarë.
Pse u shty
guri i mezhdës së kufirit,
o hileqarë?!
Në tokën tonë stërgjyshore
Sikur t’ishim ardhacakë,
na shikojnë vëngërr,
paria jonë gjithnjë e përgjumur,
mrekulli sheh në ëndërr.
LUMI ME EMËR TË RI
Ibri s’është më Ibër
tash ka emër të ri:
K u f i...
Në mes të Mitrovicës
molla e sherrit,
në shpinë të Ibrit
mbi urë, mur.
Ndërtuesit e murit
sot na shkruajnë recetë
recetë për mu(l)ti jetë.
O ju kopshtarë,
të mollave të sherrit,
ne nuk i kemi sytë
për zyze të territ...
përtej lumit, përtej urës
shikohet në mes gishtash,
kur e lyp nevoja
nuk përdoret stopi...
Këtej çdo gjë hidhet n’peshojë,
çdo imtësi shikohet
me sy mikroskopi
Kosova e lodhur,
Kosova e tkurrtë
Meriton atë që synon.
Assesi imponim të shurrtë
IRRITIMI
Ca mjeshtër të padukshëm
gjenden diku,
në fundmoshën pus pa fund,
në trupin tonë ushtrojnë zejen e vet;
nisin të punojnë,
punojnë me dekretligje natyre,
dita-ditës na tisin energjinë,
mbjellin viruse e bakterie,
na e ndjellin pleqërinë.
Netët bëhen vite,
zgërdhihet pagjumësia,
peshëbjeshkën mbi shpinë
na e hedh plogështia.
Dhe më në fund
disi çdo gjë duket
sikur e përmbysur,
dielli i zbehtë,
qielli më i ngrysur.
KONTRASTE
N’kafene
dikush pi bukën e fëmijve t’vet
Mushkëritë gërrith tymduhani
Dreqi e i biri
aty kanë për t’hy,
pispilloset kamerierja
kronisti vjedh me sy.
Ndokund
n’dasmë valltarët prekun qiellin,
jehu i surlës e tupanit
posi bubullimë,
bën qetësinë copë e grimë.
Ndokund
dikush si M. Kuteli
në testament vulos porosinë,
shprush gjurmët e zhgënjimit,
n’mes jetëvdekjes
derën e vajit
e hap dorë e pikëllimit
MËDYSHJE
Shi e sqotë
porta me rezë
tavan i ëndrrës
plot krahnezë
Ngrohtësinë joshëse
e gllabëroi mjegulla
çatisë së shpresës
i mungojnë ca tjegulla
PENGESA
Kur hapërimi bëhet
me këmbë breshke
në shpinë na hudhet
një peshë bjeshke
Kur në qepalla
vërshon heshtja
zemrën përvëlon etja
Kur shtegu
është i ngatërruar
dikush Lulëkuqes
ia ndërsen
klyshëzit e tërbuar
ILAÇI
Shtatë pash thellë
fundos zymtësia
për t’pushtuar
majët e shkallëve
mungon fuqia
N’shkrumb të shpirtit
helm e pelim
mjegull e terr
një bashkëdyzim
Urë e dreqit
leqe-leqe
lypset shpikur një ilaç
lypset shporrur
ëndrrën e keqe
NJË PIKËPYETJE
Punët e vogla
kokorisjet
në shtrëngata
e po a trembet
muzgu nga mesnata