2016-01-20

Merita Bajraktari Januzi : Kritika letrare shqipe & Sabri Hamiti



Merita Bajraktari Januzi
                                        



Hyrje

        Kritika letrare  që në sferë të interesimeve të veta e ka vlerësimin e veprave letrare, nuk rri anash dy degëve tjera: Historisë së letërsisë dhe Teorisë së letërsisë, por bashkëvepron me to dhe merret me to. “ Historiani i letërsisë duhet të jetë patjetër kritik madje edhe për të qenë historian” [1] dhe kjo për faktin se kritiku që nuk e njeh historinë e letërsisë mund të bie pre e lajthitjeve në analizat intertekstuale, duke mos njohur kush kujt i ngjan, veprën bazë dhe atë të mbindërtuar  dhe elemente të tjera, prandaj me të drejt  R. Velek dhe O. Uoren ofrojnë konkuldimin e tillë se “ Kritiku që do të pajtohej me mosnjohjen e plotë të raporteve historike vazhdimisht do të gabonte në vlerësimet e veta. Ai nuk do të dijë cila është vepër burimore e cila ka dalë nga një tjetër më e hershme…” [2].   Teoricieni i njohur kroat, Milivoj Solar, thekson rolin e kritikës letrare përtej vlerësimit të veprës letrare  duke e parë si process shumëdimensional: “  Kritika letrare nuk është ekskluzivisht shqiptim i gjykimeve për vlerën e veprave të caktuara letrare  dhe arsyetim i këtyre gjykimeve. Kritika letrare  merret po ashtu edhe me mënyrën e hyrjes në vlerat letrare dhe kështu luan rol ndërmjetësues  në mes të lexuesit dhe veprës. Me analizën e veprave të caktuara, me gjykimet sintetike mbi autorë të caktuar, epoka e të tjera, që në kritikat letrare janë të pranishme shpesh, ajo prek në histori dhe teori të letërsisë sa që është vështirë të kufizohet plotësisht dhe saktësisht nga shkenca mbi letërsinë në tërësi.”[3].  Fillet  e kritikës mund t`i gjejmë që nga Poetika e Arsitotelit,  sidomos te kapitilli XXVI Vështrim i përgjithshëm i vlerës krahasuese të poezisë epike dhe tragjedisë[4] dhe pa u marrë tutje me historikun, po I kthehem temës së caktuar në lidhje me kritikën shqipe,  në veçanti,  me autorin e një varg shkrimeve kritike, Sabri Hamitin, i cili siç potencohet në paragrafet e sipërme, merret me kritikë të mirëfilltë ngase e zotëron fuqishëm shkencën e letërsisë me degët e saja. Ai thotë se “ Vepra letare është objekt i kritikës. Në jetën e vet, gjithsesi specifike, ajo i afrohet kritikës në dy faza kryesore. E para është kur vepra ndodhet ende në duar të krijuesit të saj dhe i shtrohet pandarë kritikës së tij krijuese. Faza e dytë e kritikës së veprës letrare fillon posa të botohet vepra dhe të hidhet në mesin e lexuesve”[5], prandaj edhe brenda teksteve të tij ai ndërton një sistem të tërë të vlerësimit, kritikës letrare.


   Kritika letrare shqipe

Kritika shqipe është goxha fushë e lëvruar, prej nga kemi studime të shumta e të avancuara letrare, me kërkime, metoda, ide letrare të shtrira në njëfarë kronologjie që nga  shkrimet e Faik Konicës.  Kjo degë  ushqen në vazhdimësi studimet teorike letrare dhe korrespondon fuqishëm me secilën fushë të letërsisë.
Faik Konica është autori i parë shqiptar që u muar me kritikë letrare  duke përdorur metodën e kërkimit, përqasjen, krahasimin. I kemi parasysh shkrimet e tij te revista Albania dhe veçanërisht tekstin Kohëtore e Letrave Shqipe (1906). Më tej vjen Fan S. Noli me introduktat e tij, Dhimitër Shuteriqi si bashkëautor dhe redaktor i  dy historive të letërsisë: Historia e letërsisë shqipe (1959/1960) e Historia e letërsisë shqiptare (1983); Çabej me veprën për gjenezën e literatures shqipe; Mitrush Kuteli me   shkrimet/studimet për Poradecin (Poeti Lasgush Poradeci, 1937) e Nolin (Poeti Fan S. Noli, 1943); e më vonë, Krist Maloku me kritikën e  tij psikanalitike ( Tekstet më të njohura të tij janë: Naim Fra-shëri (1925) dhe A asht Poet Lasgush Poradeci? (1938/1939);  Rexhep Qosja me  veprat: Panteoni irralluar, Romantizmi I, II, II, Mite të zhveshura, dhe kryesisht monografia për Naim Frashërin; Mensur Raifi me interpretimet psik-analitike të poezisë së Lasgushit, Nolit e Migjenit, por edhe me kritikat për Anton Pashkun; Ibrahim Rugova me  veprat: Prekje lirike ( 1971), Kah teoria (1978), Strategjia e kuptimit (1980) Refuzimi estetik (1987), Vepra e Bogdanit 1675-1685, 1982 dhe e Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504-1983, 1986).; Kujtim Rrahmani me veprën Intertekstualiteti dhe Oraliteti (2002), Kujtim M shala me veprat: Shekulli i letërsisë shqipe, Mitrush Kuteli, Letërsia shqipe në katër pamje, Proclasica  etj. kanë ofruar studime, tekste kritike me vlera të larta  për fushën e letërsisë. Kemi edhe shumë autorë të tjerë si: Agim Vinca, Anton Berishaj,  Ali Aliu, Bari Çapriqi,  Nysret Krasniqi, Dhurata Shehri, Sali Bashota, Osman Gashi e autorë të tjerë nga trevat e ndryshme shqiptare me vepra mjaft të çmuara, por fokusi im brenda këtij punimi i dedikohet studiuesit dhe kritikut të njohur, Sabri Hamiti.


Sabri Hamiti, ndër autorët më të realizuar në kritikën shqipe

Sabri Hamiti është ndër autorët  më të artikuluar në gjithë kritikën shqipe. Nëse i shohim pesë vëllimet e veprave të tij: I Kritika letrare, II Letërsia filobiblike, Letërsia romantike, III Letërsia modern,  IV dhe V Letërsia bashkëkohore, kuptojmë se autori nxjer në pah atë esencialen se çka është letërsi nëpër secilën periudhë letrare, duke përdorë në vazhdimësi  metodën e kërkimit letrar.  Në diskursin teorik e në kërkimet e tij, kritikën letrare e sheh si  lexim personal, si vetëdije për interpretim dhe rikonstruktim të veprës letrare. Prej veprës në vepër shohim se  krijon një sistem të tërë të shqyrtimit dhe vlerësimit të literaritetit shqiptar, me format, idetë, temat, fenomenet letrare që  ka letërsia shqipe që nga letërsia  vjetër e deri te bashkëkohorja.   Duke i bërë një sintezë teorike e kritike rrjedhave të letërsisë shqipe, në planin diakronik e sinkronik, identifikon Shkallët e letërsisë, duke shënjuar Shkallën zero të shkrimit (sipas Bartit), që e karakterizon imitimi, shkallën e parë krijimi (poiesis) dhe të dytë rikrijimi (metapoiesis) për të propozuar interpretimin e letërsisë përmes shkollave letrare.
“Manifestimi më i hapur i pikëpamjes e i kërkimit të tillë të Hamitit duket te Faik Konica: Jam unë (1991), që është një kritikë dialogjike, një parafrazë e veprës së Faik Konicës. Projekti më i gjerë kërkimor i Sabri Hamitit përbëhet nga Variante (1974), Teksti i dramatizuar (1978), Arti i leximit (1983), Vetëdija letrare (1989) e Letra shqipe (1986), që shoqërohen nga metateksti Sprova për një Poetikë”( K.M.Shala).
Te teksti Variante prek aspekte të gjithanshme që lidhen me procesin e krijimit, duke u nisur nga ndjeshmëria poetike, pa të cilën askush nuk mund të nxjerr asgjë poetike dhe e bjen theksin te poetët dhe ndjeshmërinë e veçantë që e kanë ata. Më tutje ai shtron çështje të natyrës së poezisë, si abstragim e jo si fotografi e thjeshtë, duke e trajtuar aspektin simbolik dhe figurativ të gjuhës poetike.  Nuk e lë anash prozën me karakteristikat që ka , gjithnjë duke synuar që studiuesit, kritikët të njohin çdo element letrar  ( pse jo edhe shijet, normat që reflektohen në krijime të ndryshme) kur merren me interpretime e vlerësime të veprave letrare.
Sabri Hamiti është mjaft analitik në shkrimet e tij, i qartë dhe detajist, por që lexuesit i ofron informacione të llojllojshme dhe tejet relevante si për procesin e krijimit ashtu edhe për aspektet e vlerësimit.  Vepra e tij lexohet dhe rilexohet  me ëndje  dhe kjo është tejet relevante për t`i dhënë notën dhe vlerën e çmuar si studiues briliant i letërsisë.  
      Më tutje, vjen Tema shqiptare, ku autori ia dedikon tematologjisë të shkrimeve të fillimit të viteve nëntëdhjetë, shpalosen shenjat e autentike, simbolika kombëtare,  mesazhet kombëtare,  figuracioni i veçantë dhe gjithë figurat historike, imazhet historike, heronjtë , himnet etj, që të gjitha së bashku i quan albanizma.  Kështu itrajton me rend temat e këtij lloji brenda letërsisë shqipe dhe autorët tipik të saj si :  Noli, Fishta, Lasgushi, e më tutje edhe Kadare, Podrimja etj. Ndërkohë që vend të veçantë u kushton imazheve historike, hapësirës etnike, identitetit kombëtar, fenomeneve karakteristike për identitetin kulturor historik e social ( Gjergj  Katrioti, Kanuni i Lekë Dukagjinit, Laramani, Diaspora kulturore, Rilindja) si dhe shtetin etnik.  Sabri Hamiti e nxjerr vlerën e në pah letërsinë në funksion kombnëtar, duke i trajtuar temat esencialisht kombëtare me gjithë elementetet ideore e artistike.
Edhe Letra shqipe  sjell veçantitë e letrave shqipe në dy shekujt e fundit. Ai shtron pyetjet esenciale : A është letërsia shqipe letërsi qëllimore? A është  letërsia shqipe letërsi metonimike? dhe  A është letërsia moderne shqipe letërsi metaforike? Të tri pyetjeve u jep përgjigjen pozitive duke ofruar argumentet e tij të qarta, shkencore, bazuar në ideologemat  brenda periudhave letare ( nxjerr letërsinë si qëllimore); tendencave për të hapur idetë shoqërore ( si letërsi metonimike) si dhe të orientimit të shkrimeve që reflektojnë njëjtësimin e autorit me veprën që nxjerrin natyrën e veçantë të letërsisë, atë artistiken dhe estetiken ( letërsia moderne si letërsi metaforike).  Në vazhdim ai e prek edhe problemin e shkrimit të Historisë së letërsisë shqipe me kritere të qëndrueshme me cilësi themelore letrare (literaritet), larg ideologjive pa bazë shkencore.
Kështu nëpër tekstet e tij, Sabri Hamiti,  shtron para lexuesit aspektet e përgjithshme teorike, duke ofruar edhe shembuj të interpretimit të veprave nga autorë të ndryshëm  dhe në vazhdimësi trajton rrjedhat e letërsisë, duke qenë lexuesi, kërkuesi dhe studiuesi më besnik i saj. Këtë e dëshmojnë veprat ku reflekton në vazhdimësi mbi aspektet e leximit, shkrimit,  poetikës:
”Hamiti, viteve të fundit, ka publikuar edhe veprat e rëndësishme, Bioletra (2000), Shkollat letrare shqipe (2004), Tematologjia (2005) e Albanizma (2009), që i veçon diskursi përgjithësues, teorik. I pari thur e provon një teori të shkrimit e të leximit të letërsisë. I dyti bën tipologjinë e shkrimit shqip, duke patur kriter poetikën. I treti dhe i katërti thurin Poetikën historike të letërsisë shqipe, si anticipim të Historisë së kësaj letërsie. Vërtet, këta libra dalin si rezultat e rezyme i kërkimeve të gjata të këtij autori në fushë të letërsisë shqipe” ( K.M.Shala)


Përfundim:
          Kritika e  Sabri Hamiti është poetikë. Kritika e tij ka në fokus kërkimin dhe leximin e prodhimeve letrare, të cilave ua nxjerr në pah vlerat që kanë.  Kështu bën edhe kur flet për veprën e  secilit autor. Këtë mund ta shohim nga teksti i cituar në vazhdim:  “ Poema Andrra e jetës është tekst letrar tipik, interpretimi i të cilit duhet të niset nga vetë interpretimi i titullit. Interpretimi i tij mund të bëhet  nga anë të ndryshme, po më i pëlqyeshëm është interpretimi që del nga leximi i tekstit poetik, nga gjiu i vetë poemës....”  ( Sabri Hamiti, Vepra letrare 7, Faik Konica, Prishtinë, 2002, faqe 394).
       Përgjithësisht, Sabri Hamiti bën kritikë akademike dhe këtë e dëshmojnë tekstet e tij për studimin dhe teorinë. Siç do të thoshte Sent Bëvi: ” Thelbi i kritikës është të dish të lexosh dhe t`i mësosh të tjerët të lexojnë”.  Shihet se Sabri Hamiti ka në vazhdimësi referencë në kritikën e re frënge, veçman në kritikën e Bartit. Ai përqafon idenë e tij  prandaj e sheh kritikës si lexim, shkrim po edhe si hapësirë kreativiteti. Po e rikonfirmojmë prapë se kritika e Hamitit është poetikë, ” Hamiti flet për kritikën si variant të leximit dhe e shkruan atë. Metateksti sprova për një poetikë, që përcjell tekstet e tij në shtrirjen oprej tri dekadash, shenjon kritikën si poetikë ose poetikën e hapur. Kjo poetikë ndërtohet si përshkrim i varianteve të shfaqjeve letrare, qoftë të formave, ideve, qoftë të fenomeneve; gjithnjë duke njohur leximin personal”[6]

Bibliografia:
Aristoteli: Poetika

Dhurata Shehri: Statusi i kritikës

Ibrahim Rugova: Kahe dhe premise të kritikës letrare shqiptare 150401983
Kujtim M. Shala: EXPO, Letërsia shqipe në katër pamje
Milivoj Solar: Teoria e letërsisë

R.Velek e O. Uoren: Teoria e letërsisë

Rolan Bait: Kritikë dhe e vërtetë

Sabri Hamiti: Kritika letrare, Vepra letrare 6

Vehbi Miftari: Kritika dhe modernitet



[1] R.G.Collingwood, Are History and Science Different Kinds of Knowledge?, Mind, XXXI, 1922, f.449-450.
[2] R.Velek e O. Uoren, Teoria e letërsisë, Rilindja, Prishtinë, 1982, f.73.
[3] Milivoj Solar, Teoria e letërsisë, Rilindja, Prishtinë, 1978, f. 28.
[4] Aristoteli, Poetika, Buzuku, Prishtinë, 2010, f.99.
[5]  Sabri Hamiti, Kritika letrare, Vepra letrare 6, Faik Konica, Prishtinë, 2002
[6]  Kujtim M. Shala, EXPO, Letërsia shqipe në katër pamje, Buzuku, Prishtinë, 2007, faqe, 76.

(Merita Bajraktari Januzi, e lindur në Vushtrri më 10.12.1972. Shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në Vushtrri, ndërkaq studimet universitare  në Fakultetin e Filologjisë të UP-së, në degën: Letërsi dhe gjuhë shqipe. U diplomua më 1997  dhe si absolvete mori çmimin Studente e dalluar. Pas një pauze për arsye familjare, iu rikthye studimeve dhe në maj të vitit 2012 mbrojti  me sukses temën e  diplomës së studimeve pasuniversitare ( Figuracioni poetik te autorë të njohur të letërsisë moderne shqipe). Tani vazhdon studimet doktorale në degën e letërsisë, në Universitetin e Prishtinës.
            Qysh prej fillimit të studimeve bazike është marrë me recensione, vështrime letrare dhe ka botuar punime në gazetat dhe revistat e kohës. Së fundi i ka botimet në gazetën Zëri  ( tema: Tradita dhe modernia me referenca të shumta historike) dhe në revistën Shkëndija ( Idetë letrare të Gjergj Fishtës). Merret edhe me poezi për çka edhe ka marrë çmime në Takimet  e poeteshave shqiptare.   Ka në dorëshkrim një numër të konsiderueshëm të poezive dhe studimeve letrare që mund t`i botojë ndërkohë.
            Jeton në Vushtrri me bashkëshortin dhe katër vajzat, ndërkaq punon në Prishtinë, në Ministri të Arsimit Shkencës dhe të Teknologjisë.)

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...