2016-01-20

Merita Bajraktari Januzi : Relacione komunikimi ndërmjet të letërsisë shqipe dhe religjionit


Merita Bajraktari Januzi


Sikur edhe letërsitë e mëdha që kanë mjaftueshëm marrëdhënie me religjionin ( veprat e Dante, Corneille,  Racine, George Elliot, George Meredith, Thomas Hardy, etj.) edhe letërsia jonë ka komunikimin e vet, por diktuar plotësisht nga rrethanat historike dhe kulturore. Kemi shembuj e shembuj veprash me  tema plot referencë në kulturën biblike, tema nën omblrellën morale me diskursin virtytnxitës, doctrinal.  Këtë komunikim po e marr guximin ta  shohim në disa rafshe si:
a)     rrafshi etik dhe teologjik me prapavi nacionale, nëpërmjet të cilit synohet ndërgjegjësimi i popullit për kryerjen e ritualeve fetare në gjuhën shqipe ( shih që nga Formula e pagëzimit, Meshari dhe tërësisht  periudha e letërsisë filobiblike;
b)     rrafshi nacional ndërlidhur  me kodet biblike dhe kuranore  (  Prej romantizmit e tutje: Gjella e shën Mërisë virgjër”, “Jusufi dhe Zylihaja”, “Qerbelaja”, “Vallja e Parrizit”, “E madhe është gjëma e mëkatit”,  etj);
c)     rrafshi nacional, mohues ndaj religjionit (Baba Musa Lakuriq”, ”O moj shqypni”,  Zoti të dhashtë”, Kanga e Përdnimit”, etj);
d)     rrafshi social e kulturor  i ndërtuar mbi temat fetare, por  pa ndonjë admirimin a përçmim të regjionit ( p.sh vepra e shembuj pafund, shih Abelin e Etthem Haxhiademit,    e pse jo edhe tekstin/Lutjen e  shkrimtarit të Konicës e cila ndërtohet krejtësisht në formën e lutjes fetare, edhe pse Konica paraprakisht deklarohet që nuk është edhe aq fetar: "Ati ynë që je në qiell, jepna fuqinë ta mbajmë gojën mbyllur kur s'kemi gjë për të thënë. Falna durimin të thellojmë një punë përpara se të shkruajë mbi të! Frymëzona me një ndjenë të mprehtë të drejtësisë që të flasim jo vetëm me paanësi, por edhe të sillemi ashtu! Shpëtona nga grackat e gramatikës, nga shtrembërimet e gjuhës dhe nga lajthitjet e shtypit. Ashtu qoftë![1]")
Brenda dy rrafsheve të para mund t`i shohim autorët thellësisht teistë ( të krishterë dhe myslimanë ) si: Buzuku, Budi, Bogdani, Jul Variboba, Hasan Zyko Kamberi, Naim Frashëri, Fishta etj, të cilët nëpërmjet tekseve fetare apo temave fetare synojnë ndërgjegjësimin dhe vetëdijësimin  e popullit/kombit ( ta përkujtojmë se ata autorë ishin edhe organizatorë të kryengritjeve për çlirim kombëtar)… Ata me përkthimin dhe përshtatjen e tekstet biblike, shërbesave fetare në gjuhën shqipe, po edhe me tekstet e tyre origjinale provojnë të ngrisin shkrimin shqip dhe të kultivojnë modele të shkrimit letrar, ( shih ciklin e vjershave të  Sibilave të Bogdanit te Cuneus Prophetarum apo poezitë mjaft origjinale të Budit).
Nëse e shohim Pasthënien[2] e "Mesharit" të Gjon Buzukut (1555):

U Donih Gjoni,biri hi Bdek Buzukut, tue u kujtuom shumë herë se gluha jonëh
 nukë kish gjaa të endigluom(
3) ensëh shkruomit shenjtë(4), ensëh dashunit(5) sëh
botësë sanëh(
6), desha me u fëdigunëh(7) për saa mujtah meh ditunëh, meh zdritunë
pak mendetë e atyneh qi t'eh endiglonjinëh, për seh ata tëh mundëh mernëh(
8) saa hi
 naltë e hi mujtunë(
9) e hi përmishëriershim(10) anshtë Zotynë atyneh qi tah duonë em
gjithëh zemërë…
”, e deshifrojmë qëllimin e autorit dhe të brezit të tij.

 Ndërkaq te dy rrafshet tjera  i shohim autorët që e  parodizojnë, ironizojnë dhe kundërshtojnë fenë, duke dashur  të dilet nga velloja fetare, ideologjia religjioze te realja, për t`u ballafaquar  me problemet e  individit dhe kolektivitetit shqiptar.
Te rrafshi i parë dhe i dytë metarrëfimi është religjioni,  ndërkaq rrafshet tjera e përmbysin atë duke krijuar relacione tjera komunikimi, duke përdorur mitin biblik/rrëfimin biblik për të trajtuar aspekte tjera jetësore ( shih Baba Musa Lakuriq, ku miti biblik kthehet në parodi, apo Abelin e Etthem Haxhiademit, ku mitema biblike kthehet në temë morale sociale dhe familjare).
Kjo puna e nacionales na lidhet me secilin rrafsh ngase relacionet letërsi-regjion janë dominante, të pjesshme apo të dobëta fare, varësisht nga rrethanat nacionale historike, politike e kulturore  dhe brenda seciles esenca është nacionalja ( shih  periudhat letrare të letërsisë shqiptare, kodet tematike, idetë letrare dhe domethënien e tyre.). Gjithashtu meqë shumica e atorëve krahas temave biblike thurin edhe vargje origjinale nga jeta kulturore shqiptare, e shohim pashmangshëm edhe elementin kulturor brenda këtyre rrafsheve ( shih Gjellën e Shën Mërisë Virgjër, ku devotshmëria e Shën Mërisë dhe e Krishtit kthehen në nivel personal njerëzor dhe më tutje brenda veprës kemi edhe tema tjera me motive arbëreshe (këngë, valle e forma tjera me figura origjinale.).
Të gjitha veprat,  pavarësisht tematikave që kanë, i shikojmë nga perspektiva letrare, tekstore, metatekstore, intertekstuale deri në çdo element letrar,  stilistik dhe gjuhësor meqë  i lexojmë si letërsi, siç mund ta lexojmë Biblën dhe Kuranin si letërsi.

 Letërsia bashkëjeton me religjionin
Letërsia nëpër fazat e ovulacionit të saj është mbështetur dhe ka marrë modele të shumta nga religjioni dhe përveç shembujve të sipërpërmendur po ndalemi edhe te të tjerë për ta ilustruar ndërlidhjen e vazhdueshme letërsi-religjion.
Gjergj Fishta duke qenë prift françeskan, shihet se në stilin e tij, pothuaj se  në të gjitha veprat letrare,  vjen në shprehje ndërthurja e kodit fetar me kodet e tjera  si: kodin historik, kodin mitologjik, kodin ligjërimor përshkrues, etj., P.sh. Lahuta e Malcis nis me vargjet që mund  t`i rangojmë si obsekracion/lutje: Ndihmo, Zot  si m`ke ndihmue...për të vazhduar tutje me kodin historik.
Te poezia  “Nji lule vjeshtet” që konsiderohet ndër lirikat më të mira të Fishtës, të cilën e karakterizon mungesa e rimës  dhe ndërlidhja e ideve të shprehura në poezitë e tjera   vërejmë se autori flet në veten e parë dhe shpreh ndjesinë e tij për kalimin e qenies njerëzore nga jeta në vdekje e përjetësi ( nuk dihet kujt konkretisht ia ka kushtuar këtë poezi, atij apo asaj), por që në fillim ai flet me tonin elegjiak kur para varrit kujton të gjallin tashmë të vdekur, flet për virtytet e tij dhe për kalimin e tij në botën e amshuar.
Tema e saj është vdekja, përjetësia me diskursin elegjiak  të artikuluar në formë të monologut:
                       “ N`atë rrahe t`dekne brenda vorrit t`errshëm
                          Tash pluhën je. Ata dy sy t`janë errun
                                            .........
                         Të janë sosur fjalët e ambla e plot urti”[3]

Apo:
                       ” N` prehet t`Amshueshmit
                         Pjesa ma e mira e jotja ka fluture
                         Me gzue n`dritë t`qiellvet, ku pushon dishiri
                         I nierit të drejtë, si drita m`sy kthiellun
                         Po, po, se  përtej vorrin shpirti i nierit
                         Gjallon për jetë!” [4]

                                                                            ( Nji lule vjeshtet )
Në këtë ndërtim artistik me figurat kryesisht popullore, figurat që shprehin emocion, pastaj ato religjioze ( Zoti, Hyji, Engjëjt, parajsa, Ungjijtë) poezia qëndron në vijë  të diskursit personal  dhe në këtë kontekst shihet formimi klasik dhe i krishter i Fishtës në  besimin për jetën përtej varrit, përjetësinë, por edhe qasja reale ndaj pavdekësisë së njeriut që le pas vepra të mira njerëzore.
”  Teksti nuk kufizon ndjenjat në trajtë/formë të ngurtësuar, por ecën pas hovit të tyre. Aq sa shkruhet elegjia, edhe figurat janë ” të zeza”. Një mbajtje zi për mikun. Kur nis odja, figurat bëhen madhështore, si dhe referenca Zinë e zëvendëson adhurimi. Del se edhe po ”pamë”, objekte të ndryshme të tekstit, vjersha ruan formën, afërsinë e subjektit me objektin, tonin. Duket se Fishta ka llogaritur me lexuesin e tekstit të tij. Është e njohur se kur kihet parasysh lexuesi, shkrimi fiton një instancë të re të vetëdijes krijuese e të strategjisë tekstore” [5]
  Ose shembulli tjetër, kur Juda Makabe u flet bashkëluftëtarëve të kujton heroin tonë Skënderbe, të cilit i peshonte fjala dhe respektohej nga populli. Ngjashëm Juda i frymëzon bashkëluftëtarët për të  qenë të paepur e të patrembur në luftë dhe të gatshëm për t`u flijuar për lirinë e vendit:

                                ” Kush din n`shekull shk`asht ndera e burrnija,
                                  Për Fe Shejte, për Atme t`bekueme
                                  Ati jeta s`i dhimbet, as shpija,
                                  Duhmja e ferrit udhën s`ia pret:
                                  Kosa e dekes si pret` e shembtueme
                                  N`dorë t`tij shpata ashtu armikun e pret” [6]

 Qartë në këto vargje shihet ideja e flijimit për atdhe që reflektohet brenda kësaj vepre. Në këtë vijë të idealit  Juda merr bekimin e priftit ( personazh i imagjinuar nga autori) dhe pajtimin e plotë të popullit për çka entuziazmohet dhe mbushet plotë  në realizimin e idealeve më të shtrenjta për liri dhe shtetin e vet.
E  më tutje, prifti që gjithë kohën i shërben Judës dhe popullit të vet, mallkon tradhtarët që vendin e lanë me gjakun e vëllezërve të vet dhe humbën lirinë e atdheut:
                                            ” Mallkue frota e tradhtaret,
                                              Qi besë e Fe harrue
                                              Sot kombin kanë sharrue
                                              Koritë kanë fis e gjak,
                                              Kurrë fmi mos u leftë n`votër,
                                              E larg, nder thoj t`barbaret
                                              Mbrojshin jeten m`lak.”[7]

                                            ” O perëndi, a` ndjeve?
                                               Tradhtarët na lanë pa Atdhe,
                                               E ti rri` e gjun m`errfe
                                               Lisat nper male kot...[8]
       
           Këto vargje plotë emocion i thotë prifti me të kuptuar se u vra Juda Makabe, për të cilin vajtojnë shokët e tij besnik të fjalës dhe të pushkës.
          Në ciklin Kangët e përndimit, Migjeni sikur  del për të kërkuar diçka që ia largon vëmendjen nga përshkrimi i situatave të rënda të përditshmërisë. Dhe në këtë gjendje ai me plotë revoltë i kthehet besimit të njeriun në vlera të reja, por kjo nuk paraqitet në kuptimin që e shpjegon besimtari i madh i fesë, përkundrazi Migjeni jep idenë për njeriun që tashmë ka kulte tjera, tempuj tjerë para të cilëve përkulet, thjesht jep idenë për besimin e ri-besimin në vetvete:

                          ”  Kangë Përndimi, kangë njeriu të dehun nga besimi në vete.
                             Kanga e tij një fe tjetër, me tempuj të tjetë, me meshë solemne,
                                                     ....................
                             Kult` i tij- kult i zhveshun! Nuk ia bren ma trutë enigmi –
                             e varros, mbi varr ia vë një shenj përbuzje o nderimi.”[9]

                                                                                   ( Kanga e përndimit)

Noli i veprat me tematikë  politike- patriotike. Bredna tyre  pa dyshim shihen  referencat autobiografike dhe meqë Noli kishte edhe orientim të krishterë, në tekstet e tij dominon kodi biblik dhe figurat biblike ( Moisiu, Krishti, Shën Pjetri), shih poezitë: Moisiu në mal, Marshi i Krishtit, Krishti me kaçikun, Shën Pjetri në mangall, Kryqëzimi, Marshi i Barabbajt, Marshi i kryqëzimit)
      Tema e poezisë Moisiu në Mal ka kodin biblik dhe është në raport  intertekstual me legjendën biblike për Moisiun, i cili, siç thotë  Bibla, kërkon tokën e premtuar. Duke qenë se temat biblike, figurat biblike, Noli i vë në shërbim të artikulimit të dilemave  dhe gjendjes personale, prandaj shohim se  kodi biblik brenda kësaj poezie ( po edhe te poezi të tjera)  kalon në kod personal:

                                         ” Ngjitet përpjetë malit të shkretë
                                            Krye- Profeti trimi me fletë
                                            Të bisedonjë me Perëndinë
                                             Për Palestinë.”[10]

Dhe sipas Biblës, Moisiu e pa atdheun vetëm për së largu nga maja e një mali, përpara se të vdiste në shkretëtirat e Arabisë. Kjo korrespondon me dramën shqiptare të Nolit, i cili i mërguar përjeton rëndë faktin se nuk do të arrijë ta shoh “ Tokën e premtuar”- Shqipërinë:
                                        ”  Këtej ka dimrin, andej pranverën
                                            Kërkon Parajsën, vdes në skëterrën
                                            Ajme, sa vrer, sa keq e sa zor,
                                                                           Liberator!”[11]

(Një shembull edhe nga vitet e fundit) 
  Musa Ramadani te përmbledhja poetike Mëkatet e E(Ha)vës ofron tema të shumta që aludojnë figurativisht dhe kuptimisht  në vuajtjet e njerëzimit si pasojë e mëkateve që bëri nëna e njerëzimit E(Ha)va. ( Ndërlidhjet tematike biblike me temat e tjera aktuale  janë tërësisht mbindërtime).
Përfundim:
Nuk u ndala te formacionet letrare,  pse dhe si duket religjioni tek to, ngase ajo nënkuptohet nga vetë karakteristikat e tyre dhe fryma që u përket. E kemi parasysh si religjioni dominonte letërsinë e vjetër, po Rilindja vjen me frymën e re,  me tendencën për  artin e bukur, poezinë e bukur dhe siç thotë Todorov: ” Ajo bukuri e definon vetveten përmes të vërtetës dhe kontributit të saj në raport me të mirën.”[12] Dhe në rastin e letërsisë sonë, e bukura e definon vetveten përmes të vërtetës në raport me të dobishmen dhe interesin nacional. Në këtë vazhdë edhe temat fetare e luajnë të njëjtin funksion, artin e  bukur dhe mesazhin e bukur artistik që del në relacion me larushinë tematike, ideore dhe estetike. Edhe modernia e bashkëkohorja luajnë dhe bashkëveprojnë me kodin fetar, duke riaktualizuar dhe rivlerësuar mitin biblik po edhe idenë e krahasimit të autorit me krijuesin ( Zotin krijues), prej nga trajtohen tema e ide nga më të larmishmet.




[1] Gj. Shkurtaj dhe E. Hysa., Gjuha shqipe për të huaj dhe shqiptarët jashtë atdheut,  f.277 ,  Sh.B. TOENA, Tiranë, 2001. 

[2] Pasthënia është nxjerrë nga fotokopja e origjinalit që ruhet në Bibliotekën Kombëtare, Tiranë.

[3]  Mrizi i Zanave, Gjergj Fishta, Tiranë, Naim Frashëri, faqe 168
[4]  Po aty, faqe 187.
[5] Kujtim M. Shala, Shekulli i letërsisë shqipe, Buzuku, Prishtinë, 2006, faqe 21
[6] At Gjergj Fishta, Juda Makabe, Rilinda, Prishtinë, 1994, faqe 8.
[7] Po aty, faqe 40.
[8] Po aty, faqe 43.
[9] Po aty, faqe 35
[10] Fan.S.Noli, Vepra 1, faqe 79, Rilindja, Prishtinë, 1988
[11] Po aty, faqe 80.
[12] Tzvetan Todorov, Letërsia në rrezik, faqe36, Buzuku, Prishtinë, 2007

(Merita Bajraktari Januzi, e lindur në Vushtrri më 10.12.1972. Shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në Vushtrri, ndërkaq studimet universitare  në Fakultetin e Filologjisë të UP-së, në degën: Letërsi dhe gjuhë shqipe. U diplomua më 1997  dhe si absolvete mori çmimin Studente e dalluar. Pas një pauze për arsye familjare, iu rikthye studimeve dhe në maj të vitit 2012 mbrojti  me sukses temën e  diplomës së studimeve pasuniversitare ( Figuracioni poetik te autorë të njohur të letërsisë moderne shqipe). Tani vazhdon studimet doktorale në degën e letërsisë, në Universitetin e Prishtinës.
            Qysh prej fillimit të studimeve bazike është marrë me recensione, vështrime letrare dhe ka botuar punime në gazetat dhe revistat e kohës. Së fundi i ka botimet në gazetën Zëri  ( tema: Tradita dhe modernia me referenca të shumta historike) dhe në revistën Shkëndija ( Idetë letrare të Gjergj Fishtës). Merret edhe me poezi për çka edhe ka marrë çmime në Takimet  e poeteshave shqiptare.   Ka në dorëshkrim një numër të konsiderueshëm të poezive dhe studimeve letrare që mund t`i botojë ndërkohë.
            Jeton në Vushtrri me bashkëshortin dhe katër vajzat, ndërkaq punon në Prishtinë, në Ministri të Arsimit Shkencës dhe të Teknologjisë.)

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...