Në veprën e tij studimore ‘Refuzimi Estetik’ është e shkruar edhe e gjithë filozofia politike e Ibrahim Rugovës. Për lexuesit po shkëpusim fragmente të caktuarar nga kjo vepër studimore e Rugovës, filozofia politike e të cilit është shkruar nga vetë dora e tij, por që si filozofi politike ka vdekur bashkë me të. Ibrahim Rugova thotë: Refuzim do të thotë të mos pranosh, të mos pranosh atë që të imponohet, e kjo varet nga qëndrimi personal dhe nga ai i përgjithshëm. Refuzimi më real është ai që mbështetet në bindjen, e bindja në argument, apo në temë thënë me terminologji antike greke. Gjithsesi do thënë se refuzimi realizohet në aporinë e pazgjidhshme të raportit trikotomik imponimi-pranimi-refuzimi.
Njeriu, fundamentalisht është i lidhur, apo i mbërthyer në këtë apori, sepse vetë jeta dhe aktet e veprimit të tij përbehen nga këta anëtarë të raportit. Ne gjithnjë duhet të aprovojmë apo të refuzojmë diçka, e në suboardinacion këto dalin nga imponimi. Me fjalë të tjera, çështja e refuzimit mund të shtrohet e të kuptohet si gjest i përditshëm. Dhe jeta gjithnjë zhvillohet brenda kësaj aporie, apo kështu zhvillohet refuzimi në jetë. Duke e kuptuar si gjest individual, refuzimin e gjejmë edhe në sferat më intime të jetës së njeriut: në gëzim, në hidhërim, në dashuri. Nga ky fundus subjektiv filozofik bartet edhe në jetën kolektive, ku individi gjithnjë gjendet midis pranimit dhe refuzimit personal e kolektiv. Në procesin kolektiv vendos bindja e individit, formimi i tij familjar, shoqëror e intelektual.
Si në planin individual, e më shumë në atë kolektiv, imponimi është një akt represiv, apo opresiv, sepse del nga një rend, sistem gjërash, siç konstaton. R. Jakobsoni. Dhe ne, përmes refuzimit, çlirohemi nga opresioni apo biem viktima të tij, bëhemi robër të tij. Njeriu në këtë plan ka vetë dy zgjidhje, thjesht e shkurt: po e jo, por rrugët e realizimit dalin të ndryshme. Refuzimi ngrihet kundër imponimit kur ai është represiv, kur insiston domosdo, pa bindje në pranimin e një diçkaje. Rëndom njeriut i ofrohen gjëra të ndryshme në planin individual dhe kolektiv: i imponohen nga grupet e ndryshme individuale, profesionale pastaj nga pushteti dhe nga sistemet e ndryshme të botës moderne. Këto janë imponime më të rënda, sepse bëhen në emër të një diçkaje të përgjithshme, sepse pushteti i grupeve, i individëve zakonisht përfaqëson të përgjithshmen, apo popullin, po të thuhej me zhargon politicist.
Duke pasur këto parasysh, do konstatuar se njeriu në jetën e tij, në jetën kolektive gjithmonë gjendet midis përfaqësueses dhe ekzistueses. Dhe imponimi bëhet më i ndërlikuar kur gjendet në kuadër të përfaqësueses, sepse njeriut ekzistuesja i largohet për disa shkallë. Apo thënë me terma më konkretë dhe më të afërmë: raporti midis të vërtetës dhe të vërtetës së përfaqësuar. Mbi këto baza fundamentale ngrihet pushteti individual e kolektiv dhe kur realizohet më mirë apo në të mirë të njeriut ky raport, atëherë kemi një liri më të madhe apo thënë me terminologji filozofike e sociale, kemi një demokraci. E demokracia më e mirë është ajo kur nuk e imponon përfaqësuesen, po e ofron përfaqësuesen dhe ekzistuesen. Këtu lind edhe një faktor tjetër në zgjidhjen e aporisë imponim-pranim-refuzim, lind problemi mjaft human i zgjidhjes së lirë (fr. choix libre, ingl. Liberaly choice).
Zgjedhja e lirë kupton përcaktimin e individit në formë të lirë, mundësinë që ai të zgjedhë midis të imponuares dhe refuzimit. E këtë njeriu e arrin përmes formës së plebishitit individual, referendumit individual dhe kolektiv. Në planin individual ky plebishit zhvillohet në vetë individin kurse në atë kolektiv del më i ndërlikuar dhe plebishiti mbi çështje të përgjithshme shoqërore, historike, politike e kulturore zhvillohet në formë më të ndërlikuar: mbi individin bëhen opresione të ndryshme nga grupet dhe nga pushteti të pranojë formën e imponuar, çfarë lidhen me interesa kombëtare, ideologjike, sociale, shtetërore e të tjera. Zakonisht, këtu mundësia e zgjedhjes së lirë, thuajse gjithmonë del e manipuluar, sepse interesat e ndryshme e mbysin zgjedhjen e lirë, pra individin, e pa individin nuk ka kolektivitet stabil e të drejtë.
Pastaj për të arritur një pranim më të aprovueshëm, individi apo kolektiviteti deklarohet përmes consensusit, bashkëmendimit të palëve të kundërta e të ndryshme. Për të realizuar më mirë plebishitin, më parë duhet dhënë argumente të arsyeshme për të bindur apo për të refuzuar kundërshtarin siç thoshte Ciceroni, simbas ligjeve apo artit retorik. Pos plebishitit apo referendumit ku merret parasysh mendimi i shumicës, përmes consensusit arrihet një baraspeshë midis mendimit të të gjithë faktorëve të vendosjes së lirë, sepse ndonjëherë edhe mendimi i shumicës, nën faktorët manipulues mund të jetë i gabueshëm. Mundësinë më të madhe të manipulimit e largon consensusi, ku vërtetohet barazia e përbërësve të një strukture, sistemi, apo kolektiviteti.
Estetika dhe Politika
Zhvillimi i tezës sonë mbi refuzimin estetik na shpie te raporti i njohur arti, apo estetika dhe politika. Pak histori për kthjellim. Duke u nisur nga tradita letrare evropiane, pra nga antika greke, e në formë më doktrinare nga vepra Politeja (Qyteti, Shteti) e Platonit, do shohim më mirë historinë e raporteve, apo të konflikteve midis artit dhe politikës, apo pushtetit. Etimologjia e fjalës Politikë vjen nga kuptimi i shtetit, si formë e pushtetit. Kështu, titullin e veprës së Platonit, herë e përkthejnë Shtet e herë Republikë me atë latine, në përkthimet moderne, pra me atë latine si res publica, si diçka e përgjithshme, si gjë publike, si gjë e hapur. Pos tjerash, edhe çështjen e artit Platoni e merrte si res publica, si gjë publike, si çështje apo interes të përgjithshëm, thënë me terminologji më moderne. Dhe duke ia shtruar artin interesit të gjësë së përgjithshme, në praktikën dhe në teorinë estetike u ngritën raportet më të precizuara arti-politika, arti-ideologjia, apo estetika-politika në planin teorik e filozofik.
Pos në këtë vepër, ku Platoni e vënte artin në shkallë më të ulët të botës së ideve duke e lidhur me konceptin e mimesisit, ai këtë e bënte edhe në dialogun për Ijonin, ku poetin omonim endacak nuk e çmonte si njeri të mendjes, po më shumë të ndjenjës, të ekstazës dhe boheminë e tij e lidhte me veprën e tij, me recitimet e tij, pra me artin oral të tij. De facto Platoni e gjykonte artin e tij në bazë të sjelljeve të autorit, të Ijonit. Mendojmë se këtu zë fill përzierja e raportit autori-vepra, që në shoqërinë bashkëkohore mori forma të pazgjidhshme, deri në kohën tonë. Kështu lind gjykimi i veprave për shkak të autorëve apo i autorëve për shkak të veprave, pra çështja e gjykimit të krijuesit. Pastaj Horaci kërkon nga arti të ketë edhe të këndshmen e edhe të dobishmen, dulcei et utilei.
Çdo shoqëri kërkon idenë e vet, madje edhe artin e vet, po çdo shoqëri nuk mund të bëjë artin e vet, sepse arti krijohet në të gjitha shoqëritë apo sistemet, apo në të gjitha politikat. Mund të themi se çdo shoqëri ka politikën e vet, e artin e vet jo, sepse arti është i të gjitha shoqërive, sepse ngrihet përmes refuzimit dhe aprovimit estetik që përmban në vete.
Në vazhdën e këtij argumenti historik, mesjeta me ideocentralizmin e saj relegjioz, kryesisht përmes krishterimit e kufizoi zhvillimin e ideve dhe të mendimit të lirë, e madje toleroi vetëm atë tip të letërsisë që i përçonte idetë apo ideologjinë e saj, pra vetëm letërsinë religjioze dhe letërsinë kalorsiake. Dominonte utopia teiste pa përjashtim. Renesansa me decentralizimin e saj dhe me ringjalljen e kulturës antike e të gjuhëve dhe popujve të tjerë, pos latinitetit kristian, ngriti vetëdijen e kohëve moderne dhe çlirimin gradual të ideve dhe të artit në përgjithësi.
Në frymën e Renesansës do shikuar edhe renesansën në kuptimin teologjik – reformën e Luterit. Thënë ndryshe Renesansa i ngriti në nivel kulturor gjuhët popullore në vetë vatrën e latinitetit, ku vepronte imperializmi i gjuhës latine dhe në viset e tjera të Evropës. Në këtë kohë të Renesansës dhe të reformave teologjike i kemi edhe veprat e para shqiptare nga Barleti dhe Buzuku dhe nga shkrimtarë të tjerë. Konflikti, apo mospajtimet midis artit dhe politikës vijuan edhe në shtetet borgjeze deri në kohën tonë dhe për këto të përmendim dënimin e veprës së Bolderit për shkak të përmbajtjes së saj dhe zhdukjen misterioze të Emil Zolas, si duket për arsye të mbrojtjes së Drajfusit e raste të tjera. Në shoqërinë socialiste që u konstitua pas Revolucionit të Tetorit (1917), me dëshirë që artin ta fusë nën kontrollin e vet sidomos në vitet ‘30 në BRSS u zhdukën dhe u dënuan shumë vepra e shumë shkrimtarë. Në formë tjetër të platformës nacionale-naziste në Gjermaninë e Hitlerit u persekutuan shumë shkrimtarë, dijetarë e filozofë dhe u detyruan të largohen nga vendi. Le ta përkujtojmë Tomas Manin me këtë rast. Do përmenduar se edhe pas Luftës së Dytë në shumë vende socialiste u persekutuan autorë dhe u anatemuan vepra të ndryshme.
Në historinë e kulturës dhe të letërsisë shqiptare kemi raste të këtij konflikti. Kështu në shek. XVII Budi zhduket në mënyrë misterioze nga Vatikani, meqë kërkonte konstituimin e inteligjencës kishtare shqiptare, pastaj Nezimi zhduket nga autoritetet turke, si duket për popullaritetin e tij dhe për veprën që e bënte në gjuhë të vet. Është sunjifikativ edhe rasti i S. Frashërit, i cili nga fundi i shekullit të kaluar po sillte kulturën evropiane në Turqi, por kur e shkroi veprën, “Shqipëria ç’ka qënë…”, u mbyll në burg shtëpiak. Këto të dhëna nga kultura jonë, flasin për konfliktin e intelektualëve shqiptarë me pushtetin pushtues.
Në kohën e Monarkisë shqiptare të Zogut, intelektualët shqiptarë u ndeshën me pushtetin e brendshëm, pra të kombit të vet. Kështu një kohë u injoruan Çajupi, Asdreni, Grameno e të tjerë dhe në vitet ‘30 kemi edhe viktimën e parë fizike të këtij pushteti, ekzekutimin me vdekje të intelektualit të ri Ismet Totos, për shkak të pjesëmarrjes në kryengritjen e Delvinës më 1937. Për këtë raport në kohën pas luftës e këndej nuk po flasim në kulturën shqiptare në përgjithësi, por pati raste të mospajtimeve ideologjike dhe estetike, e në Jugosllavi edhe vetëm për shkak të ngritjes së letërsisë shqiptare, e cila para luftës nuk mund të krijohej në gjuhën amëtare.
Prijës i popullit
Te popujt dhe kombet më të vogla që pavarësinë dhe lirinë kombëtare e fituan në kohë më të reja, sidomos brenda shekullit XIX dhe më vonë, që quhen periudha të rilindjes së tyre kombëtare, shumë poetë të stilit romantik u bën prijës të popullit në ato momente, e kjo ngjau me të madhe te popujt e Ballkanit, siç vërente Çabej, më 1938. Vërtet ata u bënë prijës të popullit, po mbetën shkrimtarë të mëdhenj edhe më pastaj vetëm ata që patën edhe mjaft estetikë në vepër. Mund të themi se me romantizmin në letërsinë evropiane u afirmua më shumë roli i shkrimtarit, e sidomos i poetit, siç ishin Hugoja në Francë, apo Bajroni e Shelli në Angli, Gëte e Shileri në Gjermani, e te popujt e vegjël, që luftonin për çlirimin kombëtar dhe për formimin e identitetit kombëtar, historik e kulturor, roli i poetëve u bë më i madh dhe më aktual.
Kjo ngjau kështu, sepse te këta popuj shkrimtarët ishin intelektualët e parë që përgatitnin platformën për çlirim me veprat e tyre, meqë ishin të pakët apo mungonin fare intelektualët e profileve të tjera si dijetarët, shkencëtarët apo filozofët. Kështu do përmendur në këtë drejtim Mickijeviçin te polakët, Pëtefin te hungarezët, Emineskun te rumunët, Preshernin te sllovenët, Kranjçeviçin te kroatët, Zmajin te serbët e të tjerë. Ndërsa në letërsinë shqiptare këtë rol e barti në masë më të madhe thuajse kryesore Naim Frashëri, pastaj De Rada e të tjerë.
Do theksuar se te popujt e vegjël edhe pas rilindjes kombëtare, mbeti ideali i shkrimtarit si prijës i popullit, ku letërsia dhe politika përziheshin, apo përkraheshin e ndihmoheshin në masë të madhe. Duke pasur këtë parasysh në historinë e mendimit kritik shqiptar, çështjen e raportit letërsia-politika e shtruan edhe disa shkrimtarë e kritikë si Faik Konica, Asdreni e të tjerë. Konica nuk e pranonte vlerësimin alternativ të këtyre kategorive, kurse Asdreni ishte më fleksibil dhe më i arsyeshëm, i cili konstatonte se në momente të caktuara, për nevoja praktike letërsia dhe politika bashkëpunojnë kurse në situata normale ato zhvillohen pavarësisht, simbas qenësive të tyre.