Merita
Bajraktari Januzi
Që nga vepra e parë e tij ”Album i grisur” e deri te ”Ëndrra në parajsë” shohim pothuaj të gjitha elementet e
ligjërimit poetik si në fushën e poezisë ashtu edhe në prozë, ndërkaq tani
konkretisht flitet për prirjen e autorit për t`i ofruar në planin estetik poezinë dhe prozën e që kjo
sheshit është fryma postmoderne që i ofron zhanret si dhe i lidh bashkë traditën dhe modernen me referencat e
shumta historike, politike, etike,
estetike etj.
Duke analizuar përgjithësisht veprën ”Ëndrra në parajsë” dua të
argumentoj pak a shumë atë që e thashë më lartë. Kjo vepër është një përmbledhje me tregime të shkurtra,
brenda të cilave ka narracion që është elementi qenësor i prozës, por në shumicën e tyre narracioni
është i artikuluar në formën e ligjërimit poetik, me rrjedhën ritmike të
vargjeve dhe me figurat poetike gjë që
bëhet fjalë pra për krijimet në mes të
poezisë dhe prozës. Vetë sensibiliteti i shprehur brenda tekstit flet për
krijuesin poet, ndërkaq forma tekstuale anon kah tregimi i shkurtër.
Imazhe me referenca autobiografike
Vepra fillon me një poezi të titulluar ”Qielli, uji, toka” dhe mbaron
prapë me poezi, titulli i të cilës është inversioni i titullit të poezisë së parë dhe del: “ Toka, uji, qielli”. Me
fjalët: Qielli, uji, toka emërtohen pjesët e përmbledhjes:
I
Qielli
II Uji
III Toka
Dhe ky leksik që zakonisht simbolizon jetën,
procesin e krijimit, te ky autor jep figura kontekstuale që lidhen me vdekjen,
shqetësimin, vetminë, lëndimin, klithjen, melankolinë, dhembjen, po edhe
ringjalljen. Qielli, uji, toka, fjalët që nga Bogdani e deri te Lasgushi etj.
janë përdorur për të ofruar nga afër konceptin filozofik për krijimin e
rrozullimit apo vallen e përjetësisë, Bashota i përdor për të dhënë imazhe të tjera nga më të ndryshmet për jetën ku dukshëm shihen referencat
autobiografike, historike, politike dhe pashmangshëm ato estetike. Autori deshi
ta vras gjarprin që simbolizon armikun e vendlindjes së tij dhe të shkrimeve të
tij të djegura ( shih “Gjarpri i vetmisë”), por vrasja mashtruese ishte
pamundësia për t`u përballur me armikun, prandaj duke kaluar nëpër krijimet
tjera brenda veprës shohim: ofshamë, brengë, vajtim, lule të thara, gjethe të
thara, vrasje të ëndrrës që sjellin një
trishtim të pambarimtë e një shpresë të pashuar.
Motivet shpalohen lehtë nga vetë narracioni si element strukturor brenda tekstit. P.sh.
te teksti ”Imagjinata”, narratori që është i afërt me autorin flet për vashën e
bukur ( motivi i dashurisë) nëpërmjet një diskursi ligjërimor përshkrues që
korrespondon ngushtë me diskursin oral (
letërsinë gojore) dhe fillon tamam si poezi:
” Ajo kishte trup të bukur.
Sy të shkruar.
Flokë ngjyrë
gështenje.
Vetulla të
zeza.
Qafë të gjatë.
Buzë të holla.”[1]
Për të vazhduar tutje si prozë dhe tema vazhdon të
artikulohet me mjeshtërinë artistike
nëpërmjet figurave të dukshme si:
Kontrasti + krahasimi:
” Ajo ishte vetë mrekullia e
botës, përmasa e saj më e ndritshme, por
e plasaritur përgjysmë, si arra e fortë e Dukagjinit”[2]
Pastaj hiperbola:
”
Gjëmuan fjalët: lipsej forcë e madhe për ta puthur...” dhe litota ku vasha –vetë mrekullia e
përmasave të madhërishme shkrihet, tretet, bëhet lot i ngohtë në sytë e narratorit/autorit.
Te ”Shpirti
i shenjtë” shohim raportin intertekstual me legjendën biblike për mëkatin e
Evës, ndonëse Eva nuk figuron aty, por Ajo ( gruaja), pema e lulëzuar dhe
zjarri i mëkateve të sjell nëpër mendje
mëkatin e Evës, prandaj konstatoj që ky
tekst ka në brendinë e vet modelin/ diskursin biblik ( intertekstualiteti,
komunikimi me tekstet/idetë e vjetra është një elementet bazë të
postmodernizmit apo jo?)
” Më në
fund, u dogj edhe shpirti i drurëve, thanë të dashuruarit.”[3]
Kjo shprehje metaforike flet për shkatërrimin, dëmin, pasojën e mëkatit.
Vepër me ndërtimin e qëndrueshëm artistik
Brenda këtij libri të Bashotës përsëriten shpesh shprehjet dhe fjalët
si: lulet e thara, trëndafilat e vyshkur, gjarpërinjtë, helm, merimangat,
minjtë që paraqesin shpirtin e
shqetësuar të autorit, i cili duke qenë krijues i angazhuar përcjell dhe
reflekton gjendjen shpirtërore të popullit dhe individit në situatat e
caktuara. Te krijimi ” Plisi” ai shpreh shqetësimin për rrezikun e humbjes së
shenjës së moçme identifikuese për kombin tonë.
Në
gjithë këtë proces autori nuk e lë pa iu kthyer vetes, poetit dhe muzës së
tij: ”Muza ime nuk vdes këtu”[4]
thotë autori brenda krijimit me
titull ”Poeti” kur poeti tjetër i
dehur donë ta theri Muzën për të cilën reagojnë edhe ” të vdekurit duke i gërryer muret e parajsës”
e njerëzit në parajsë janë njerëzit e mirë, të devotshëm e të mençur. Nëpërmjet një raporti dialogjik
dhe mesazhit që jepet si thirrje dhe lutje në fund të tekstit shpaloset ideja se Muza për autorin është vet
shpirti i tij pa të cilin nuk mund të jetojë ai dhe çdo moment krize për muzën
e tij është e dhembshme, shqetësuese dhe e padurueshme jo vetëm për të, por
edhe për të gjithë ata që çmojnë vlerat artistike, artin letrar.
Në
këtë vepër shumë shpesh subjekt/
personazh është Ajo , diku e shfaqur me bukurinë e saj (Imagjinata, Bukuria, Buzëqeshja), diku e zhytur brenda ëndrrës në
parajsë ( Fytyra), diku viktimë në internim ( Ajo, Gruaja e njohur). Ky
subjekt/ personazh bashkë me motivet dhe
temat shoqërore ( dashuria, vuajtja, robëria,
internimi, etj.) japim koloritin
e ideve që i japin funksion kryesor dhe domethënie veprës në përgjithësi. Gjatë gjithë kohës ai
sikur donë ta theksojë dhembjen,
lëndimin që e përjeton personazhi i tij në valët e jetës, prandaj kemi ëndrrën
për jetën më të mirë - ëndrrën në parajsë.
Siç e kam thënë në fillim
përmbledhja fillon me një poezi dhe mbaron me një tjetër. E para vë në theks vdekjen ( Stinët e dashurisë
vdesin, vdesin kujtimet), dhe vjen nga dorëshkrimi i djegur i autorit, ndërkaq
te e dyta fjala pikon gjak nëpër shekuj dhe mbijeton,
prandaj vjen nga dorëshkrimi i tij i ringjallur.
Përgjithësisht kjo vepër me përmasat që i ka, me ndërtimin e qëndrueshëm
artistik, të harmonishëm me idetë, temat dhe motivet, zë vend të merituar në
letërsinë aktuale, në letërsinë shqipe përgjithësisht. Bibliografia:
- Bart Rolan, Aventura semiologjike, Rilindja, Prishtinë, 1987
- Bashota Sali, Ëndrra në parajsë, Rozafa, Prishtinë, 2006.
- Çapaliku Stefan, Letërsi e interpretuar, ARBRI, Tiranë, 1998
- Rrahmani Kujtim, Intertekstualiteti dhe oraliteti, AIKD, Prishtinë, 2002
- Vinca Agim, Kurs i teorive letrare, Libri shkollor, Prishtinë, 2002
[2] Po aty, faqe 20.
[3] Po aty, faqe 19.
[4] Po aty, faqe 15
(Merita Bajraktari Januzi, e lindur në Vushtrri më 10.12.1972.
Shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në Vushtrri, ndërkaq studimet
universitare në Fakultetin e Filologjisë të UP-së, në degën: Letërsi dhe
gjuhë shqipe. U diplomua më 1997 dhe si absolvete mori çmimin Studente
e dalluar. Pas një pauze për arsye familjare, iu rikthye studimeve dhe në
maj të vitit 2012 mbrojti me sukses temën e diplomës së studimeve
pasuniversitare ( Figuracioni poetik te autorë të njohur të letërsisë moderne
shqipe). Tani vazhdon studimet doktorale në degën e letërsisë, në
Universitetin e Prishtinës.
Qysh
prej fillimit të studimeve bazike është marrë me recensione, vështrime letrare
dhe ka botuar punime në gazetat dhe revistat e kohës. Së fundi i ka botimet në
gazetën Zëri ( tema: Tradita dhe modernia me referenca të shumta
historike) dhe në revistën Shkëndija ( Idetë letrare të Gjergj Fishtës).
Merret edhe me poezi për çka edhe ka marrë çmime në Takimet e poeteshave
shqiptare. Ka në dorëshkrim një numër të konsiderueshëm të poezive
dhe studimeve letrare që mund t`i botojë ndërkohë.
Jeton në Vushtrri
me bashkëshortin dhe katër vajzat, ndërkaq punon në Prishtinë, në Ministri të
Arsimit Shkencës dhe të Teknologjisë.)