2016-01-20

Merita Bajraktari Januzi MILLOSH GJERGJ NIKOLLA - MIGJENI




Merita Bajraktari Januzi



Migjeni  ka jetuar dhe vepruar në Shkodër, në vitet e 38-ta të shekullit të kaluar dhe atëherë Shkodra ishte ndër qendrat më të mëdha të kulturës në Shqipëri. Koha e tij ka takuar  edhe krijuesit  tashmë të dëshmuar: Fishtën, Mjedën, Koliqin etj., por që ai në letërsi solli një stil të veçantë të të shkruarit dhe duke qenë mjaft origjinal, veprat e tij njohin elemente që mund të thirren me emrin e tij: elemente migjeniane, stil migjenian etj.  Idetë e tij  shkojnë kah ekspresionizmi dhe natyralizmi.
        Shkrimet e tij bartin frymën e publicistikës, poezisë dhe prozës moderne  të kohës dhe ato lidhen ngusht me  artikulimin e lartë artistik të ideve realiste e kritike në raport me rrethanat e jetës, problemet me të cilat ballafaqohet individi, kolektivi, populli në përgjithësi.
       Në tregimet e skicat e tij të përmbledhura në Novelat e qytetit të veriut, ashtu si edhe në poezitë e tij të mbledhura në Vargjet e lira, rrihet vazhdimisht ideja për jetën e vështirë materiale, për kushtet e njeriut dhe vuajtjet e shumta në suazat e të cilave njeriu zhvishet nga vlerat shpirtërore dhe morale. Por, për Migjenin nuk janë me rëndësi  vetëm idetë dhe mendimet i tij, por edhe artikulimi sa më artistik i tyre sepse vetëm ashtu ato mund të jetonin brenda veprës dhe vetë vepra në kornizat e mirëfillta të artit letrar.
           Migjeni shihet qartë se është shkëputur nga poezia tradicionale dhe ajo shkëputje  ishte e qëllimshme, e dukshme me plotë kuptimin e fjalës. Kjo shihet qartë në ciklet e poezive të tij, si p.sh. siç është cikli Kangët e rinisë në përmbledhjen Vargjet e lira. Synimi i Migjenit për t’u shkëputur nga e kaluara, nga tradicionalja shprehet edhe  në poemën  Na të birtë e shekullit të riNa të birtë e shekullit të ri, / që plakun e lamë në “shejtnin” e tij....[1]
 Duke folur për thyerjen që bëri Migjeni në traditën e poezisë shqipe, kritiku Arshi Pipa mendon se Migjeni sjell një stil të ri duke i zëvendësuar  temat dhe motivet e vjetruara me tema aktuale. Ndonëse Migjeni vendos shkëputjen e dukshme nga tradicionalja, lexuesi mund ta ndjejë lidhjen e pashmangshme dhe referencat  në  poezinë e traditës. Thirrjet  : Pak dritë! Pak dritë! Pak dritë, o shok, o vlla![2]  të kujtojnë vargjet,  thirrjen naimiane: Punë, punë natë e ditë, / që të shohim pakëz dritë., apo edhe vargjet me të cilat Migjeni e identifikon veten me një luan të mbyllur në kafaz: ... edhe e ndiej veten luan të ndryem në kafaz.[3] që gjasojnë me vargjet e Ndre Mjedës, i cili e identifikon Shqipërinë me bilbilin e mbyllur në kafaz: Por ty, n’kafaz t’ shtrëngueshëm,/ Ty t’paska ndrye mizori...[4], Kështu artikulimi i ngjashëm i ideve, koncepteve domosdo që edhe ngre ngjajshmëri edhe në ndërtimin e figurave poetike, p.sh. Bilibili i Mjedes simbolizon Shqipërinë e robëruar, ndërkaq luani i Migjenit simbolizon  individin e zhytyr në rrethanat e vrazhdta sociale të Shqipërisë  së viteve të 30-ta. Kështu Migjeni tregohet i ndjeshëm ndaj kohës së tij, reflekton për  gjëra dhe preokupimet e bashkëkohësve të tij, merret me tema nga jeta e qytetit ( e jo si autorët e traditës që për bazament kishin temat patriotike dhe ato për fshatin, natyrën, malësinë etj.). Në poezinë e Migjenit janë fare të kufizuara tablotë e natyrës, sidomos skenat nga jeta e fshatit. Kështu ndodh edhe në poezinë e Baudelaireit ku arave, korijeve, rrëkeve e liqeneve, pyjeve dhe maleve të poezisë tradicionale, ua zënë vendin çatitë dhe tymtarët, rrugë dhe oborre, uzina, ura dhe shtëpi të mbledhura grumbull të metropolit industrial, për një skenë të re të fatit të njeriut.
              Në përmbledhjen Vargjet e lira ka 43 poema, nga të cilat vetëm njëra prej tyre, Recital’i malsorit i referohet drejtpërdrejt fshatit, malësisë. Për tri poema të tjera si Vjeshta në parakalim, Ekstaza pranverore dhe Sonet pranveruer nuk mund të thuhet në mënyrë të prerë se ato lidhen medoemos me fshatin. Kjo që u tha më sipër tregon sesa e thellë është shkëputja e Migjenit nga tradita poetike e mëparshme, kryeveprat e të cilës lidheshin me fshatin ose në to mbizotëronin mjediset fshatarake. Të tilla janë: Këngët e Milosaos e Jeronim De Radës, Bagëti e Bujqësia e Naim Frashërit, Lahuta e Malsisë e Gjergj Fishtës, Andrra e jetës e Ndre Mjedës. Madje edhe te Lasgush Poradeci, i quajtur poeti i liqenit, vendin kryesor e zënë tablotë e natyrës, motivet e fshatit.  Me pak fjalë  do të përmbildhja mendimin e studiusit, Sabri Hamiti, i cili thotë: ” Karakteristikë e poezisë së këtij autori është shkëputja e vetëdijshme nga trajta formale e tematike të poezisë shqipe të kohës. Gati askund nuk duket tema e famshme atdhetare  a kombëtare. E kaluara preket  vetëm si reflektim në aktualen, por jo si temë e veçantë. Kjo poezi në fakt merret me përshkrimet e një të tashmeje dhe një të ardhmeje të projektuar. Temë zotëruese e saj bëhet tema shoqërore e kohës ashtu si dhe dhembjet personale të lidhura me kohën e me vetveten”[5]
                   Migjeni është poet modern, sepse është poeti i parë shqiptar që e bëri qytetin dekorin e poezisë së tij. Me shndërrimin e qytetit në një dekor të privilegjuar të poezisë moderne ka lidhje edhe një prirje tjetër e saj, siç është estetizimi i të shëmtuarës, i të keqes. Ashtu si te Lulet e së keqes apo te Poema të vogla në prozë të Baudelaireit, kjo dukuri haset dendur në poemat e Migjenit ku parakalojnë lypës, pijanecë, prostituta, të sëmurë, të gjymtuar, jetimë, të burgosur prapa hekurave të kryqëzuar, njerëz të mbështjellë nga mashtrimi, njerëz që i bren dyshimi... Për herë të parë, në poezinë shqipe të shkruar paraqiten skena të zvetënimit moral, skena ku harbohet instinkti, ku njeriu është viktimë e epshit: Nëpër skaje t’errta, bashkë me qej, mij, mica, / mbi pecat e mykta, të qelbta, të ndyta të lagta / lakuriqen mishnat si zhangë, të verdhë e pisa; / kapërthehen ndjenjat me fuqi shtazore, / kafshojnë, përpijnë, thithen, puthen buzët e ndragta / edhe shuhet uja, dhe fashitet etja / m’epshin kapërthyes ku mbytet vetvetja.[6]  
             Migjeni, siç shihet  është modern edhe për nga strukturimi i librit të tij të parë e të vetëm me poezi Vargjet e lira.  Struktura përfundimtare e librit është: Parathënja e Pasthënjeve si hyrje, Kangët e Ringjalljes, Kangët e Mjerimit, Kangët e Perëndimit, Kangët në Vete, Kangët e rinisë, Kangët e Fundit.  Me këtë strukturim, ai të sjell ndër mend autorin e përmbledhjes Lulet e së keqes, i cili pohonte me ngulm se i kishte kushtuar kujdes të madh ndërtimit të librit.

 Figurat poetike te poezia e Migjenit

  Vargjet e lira dhe metafora  

Përveç aspektit tematik, konceptit filozofik,  moderniteti i poezisë së Migjenit është i dukshëm edhe në rrafshin stilistik. Figura më e privilegjuar e shprehjes poetike te Vargjet e lira është metafora. Dihet se ky trop është i pranishëm në poezinë e mëparshme, prandaj studiuesit e quajnë të udhës të saktësojnë ku qëndron ndryshimi midis përdorimit të metaforës nga poeti modern dhe përdorimit të saj nga poeti tradicional. Metafora nuk është më e izoluar as e ngjitur si një zbukurim apo një ilustrim i thjeshtë, ajo përfshihet në një lëvizje  për rikrijimin e realitetit sipas ndjeshmërisë sonë, me një rrëshqitje, me një lidhje zinxhir të imazheve  në një artikulim muzikal.
        Vargu i lirë është karakteristikë e poezisë së këtij autori, i cili tejkalon anën konvencionale të ndërtimit të poezisë duke krijuar një stil të ri. Kjo shihet që nga titulli i përmbledhjes Vargjet e lira.  Ndonëse një masë e poemave të Migjenit kanë fakturë klasike, janë shkruar me varg të matur, madje ndonjëherë ai përdor edhe sonetin (Kanga e rinisSonet pranveruer), por janë të dukshme rastet kur ai e çliron vargun plotësisht nga rregullat e metrikës klasike, siç ndodh te Parathania e parathanieve, te Vuejtja, apo Nën flamujt e melankolisë. Ciklet e vjershave të tij, të emëruara kangë,  kanë temat dhe idetë që korrespondojnë me vetë emërimet e tyre, p.sh. Kangët e ringjalljes pa dyshim artikulojnë idenë për zgjimin, për lindjen e njeriut të ri, i cili do ta ndryshojë jetën, do ta zgjojë ndërgjegjen e njeriut për ta kuptuar jetën dhe nevojën për liri.
Edhe studiues të tjerë të poezisë sonë kanë theksuar se origjinaliteti i Vargjeve të lira qëndron sidomos te përdorimi i metaforës. Për dendurinë dhe funksionin e metaforës në Poemën e mjerimit ka bërë një analizë të hollësishme poeti Koçi Petriti në studimin e tij Poema e mjerimit – një kuti e Pandorës.[7] Poema e mjerimit u prin poezive të ciklit Kangët e mjerimit  dhe është më e njohura ndër lexuesit. Kangët e mjerimit ngërthejnë në vete numrin më të madh të poezive të mjerimit dhe me siguri kjo ka bërë që Migjeni të quhet poet i mjerimit. Në këto poezi, idetë letrare adresojnë shpërthimin e revoltës në një anë, dhe në anën tjetër shpeshherë  kemi abstenim ku autori i lë gjërat në rrjedhën e vet sepse koha është ajo që do t`i lëvizë ato në formën e duhur.
Migjeni shpalos pamjen e vrazhdët  të fryteve që sjell mjerimi me një shprehje të lartë metaforike:

                                   ”  Kafshatë që s`kapërdihet asht, or vlla, mjerimi
                                       kafshatë që të mbetë në fyt e të zë trishtimi
                                       kur shef ftyra të zbeta  edhe sy të jeshilta
                                       që të shikojnë si hije dhe shtrijnë duert e mpita
                                       edhe ashtu të shtrime mbrapa teje mbesin
                                       të tanë jeten e vet deri sa të vdesin.

Në vazhdim metafora lidhet e kombinuar me epitete, me shkallëzim dhe me aliteracion:
                                       
                                         Mjerimi ka vulën e vet të shëmtueme;
                                         asht e neveritshme, e keqe, e turpshme;
                                         balli që e ka, sytë që e shprehin,
                                         buzët që më kot mundohen ta mshefin –” [8]

Kështu autori nëpërmjet të figurave don ta vë në pah mjerimin me të këqijat  që i sjell njeriut, ku epitetet që vijnë e shkallëzohen fuqizojnë idenë se mjerimi duket sheshit dhe s`mund të fshihet dot.
Më tej metafora transformohet në metonimi, kur autori thotë se:

Mjerimi punon, punon ditë e natë
      T`u` i vlue djersa në gjoks edhe në ballë,
Tue u zhigatun deri në gjijë në baltë
      E prap zorrët nga uja i banen palë-palë[9]

duke e emërtuar me gjendjen e mjeruar vetë njeriun që e përjeton atë dhe ndërmjet tyre, njeriut dhe gjendjes së tij, ekziston varshmëria. Nëpërmjet të kësaj figure, Migjeni thekson faktin se mjerimi po e bënte punën e vet dhe me gjithë përpjekjet, njeriu i zhytur në skamje, nuk arrin dot ta heq qafesh urinë, atë më elementaren për jetën e njeriut.
 Njësoj metonimi kemi edhe në vargjet:

Mjerimi tërbohet në dashuri epshore,
Nëpër skaje t`errta, bashkë me qej, mij e mica,
...
Lakuriqen mishnat, si zhangë, të verdhë e pisa,
Kapërthehen ndjenjat me fuqi shtazore
...
Dhe aty zajn   fillin të marrët, shërbëtorët dhe lypsat
                                                                        ... [10]
Ku fjala mjerim përfaqëson shtresën e  varfër, e cila ndonëse e privuar nga të mirat e jetës, ka dëshira, lidhje dashurie prej nga, siç thotë poeti, shtohen  shërbëtorët dhe lypsat.   
                Brenda Poemës së mjerimit kemi edhe metafora të tjera si:    Mjerimi është njollë e pashlyeshme / në ballë të njerëzimit që kalon nëpër shekuj/ pastaj   Mëshirë? Bijë bastardhe e etënve dinakë, ..., etj..
        
Parathanja e parathanjeve u prin vargjeve të lira dhe është një mendim, sintezë e pikëpamjeve të autorit mbi jetën, zotat-perënditë, lindjen dhe vdekjen. Me një metaforë të ndërlidhur me antitezë :

“  Përditë përndojnë zotat
    Dhe rrëshqasin trajtat e tyre
Mbi vjet dhe shekuj
Dhe tash s`po dihet ma kush asht zot e kush njeri.
...
-        E njeriu nuk e di:
                                                       a është zoti pjella e tij
                                                      apo ai vet pjella e zotit
                                                      Por e shef se asht kot i kotit             
                                                      me mendue mbi një idhull
                                                             që nuk përgjegj.”[11]
 
Migjeni shpreh besimin e tij në njeriun e jo në perëndi.  Ai vërtetë don të merret me kohën e tij, me ndryshimet e saj, duke kërkuar që njeriu të merret me kërkesat e duhura për të mirën e vet. Definitivisht ai kërkon që:

           Nder lahuta tona të këndohet Jeta e Re....”[12]

Dhe, në përpjekjet e tij ai ballafaqohet me konvencën, me mjerimin, me kontradiktën shoqërore, të cilat i lufton me penën e tij. Jeta e re është thjeshtë një metaforë e bukur  që shprehimisht ofron idenë e re dhe kërkesat  i shpalos Migjeni me vargun e tij.
Në ciklin Kangët e përndimit, autori sikur  del për të kërkuar diçka që ia largon vëmendjen nga përshkrimi i situatave të rënda të përditshmërisë. Dhe në këtë gjendje ai me plotë emocion i kthehet besimit të njeriun në vlera të reja, por kjo nuk paraqitet në kuptimin që e shpjegon besimtari i madh i fesë, përkundrazi Migjeni jep idenë për njeriun që tashmë ka kulte tjera, tempuj tjerë para të cilëve përkulet, thjesht jep idenë për besimin e ri-besimin në vetvete. Kështu idenë për ndryshimet e nevojshme në shoqërinë njerëzore si edhe te vargjet e shumta i jep edhe te poezia Kangët e përndimit:

                     Kangë Përndimi, kangë njeriu të dehun nga besimi në vete
Kanga e tij një fe tjetër, me tempuj të tjerë, me meshë solemne
                                                                        ....
                    Kangë Përndimi , kangë njeriu të dehun nga besimi në vete
                    Le ta dëgjojmë kangën  që mshtillet në shllung` avulli në pika djerse.[13]
                                                                                                     ( Kanga e Përndimit)


Këtu  Kangë Përndimi është metaforë, e cila nënkupton fundin e diçkaje, d.m.th.  që ka perënduar  dhe në kontekstin e  dhënë  paraqet fundin  e këngëve, lutjeve dhe  besimin në tempuj e idhuj fetarë, ndërkohë që autori  jep mesazhin për besimin në vetë njeriun dhe në punën e tij, djersën e tij.
           Edhe te poezi të tjera gjejmë metafora të bukura, nëpërmjet të cilave emërton gjendje dhe situata të caktuara brenda ideve dhe temave që i trajton autori:

                                                Melodi e këputun-lot i kjartë nga syri     
                                                i një grues së dashtun...
                                      andje e përplasun,
                                                xhevahir i tretun,
                                               një andërr e shkelun
                                                buzë e paputhun,
                                            në melodinë e këputun  [14]
                                                        ( Melodi e këputun)

Te kjo strofë janë të shfaqura një varg i metaforave si: melodi e këputun,  lot i kjartë, andje e përplasun, xhevahir i tretun, andërr e shkelun, që vijnë si shprehje me kuptimin e dytë brenda kontekstit të përdorun nga autori.   Sigurisht që metafora melodi e këputun  bart kuptimin e  shpresës së këputur, kur dihet se këtu gruaja e dashtun  është gruaja që shet nderin për para dhe asaj i shkëputen shpresat për jetën e qetë e normale. Ëndërra për jetën e mirë njerëzore mund të ketë qenë melodi që tashmë i është këputur, prandaj i rrjedhin lotë nga sytë dhe  melodinë  e këputur autori e lidh me lotin e kjartë sepse  gruaja është e vetëdijshme se aty s`gjen tjetër pos lumturisë së rreme që do t`i shkaktojë vuajtje. Ajo lumturi, kënaqësi  e rrejshme vjen e shprehur me metaforën andje e përplasun dhe nderi i saj i humbur shprehet me metaforën xhevahir i tretun, ndërkaq  ëndrra e saj e bukur për jetën, tani më është anderr e shkelun.
  Kështu Migjeni metaforat i vë në funksion të artikulimit artistik të mendimeve që i ka për jetën e individit, kësaj radhe të gruas që skamja ia imponon jetën e shthurur larg dëshirave dhe ëndrrave  që i ka çdo grua, çdo njeri.





 Figura të tjera

            Duke qenë i bindur se vetëm njeriu i ri me ndërgjegje të re  do të arrijë ndryshimin e duhur të shoqërisë, do të arrijë majën e Kullës së Babilonit dhe Migjeni sjell simbolin e ndërtimit të një shoqërie të re dhe të qëndrueshme. Përmbyllja e kësaj poezie me thirrje/ eksklamacion  dhe pyetje retorike bashkë: “ Perëndi! Ku je?” vjen rrjedhshëm siç vijnë edhe duken të shpeshta, thirrjet dhe pyetjet në vargjet e këtij autori.
            Figurat poetike  që janë prezente te poezia e Migjenit krahas metaforës janë edhe  antiteza, simboli, ironia, alegoria, eksklamacioni, paralelizmi figurativ, apostrofa, gradacioni, etj., siç mund të shohim në shembujt vijues:

,, ( Liri!- Po, liri dhe gaforrja gëzon,
Por gaforre asht...
Liri, ku plogsi ndërgjegje gjallon,
Jo, liri nuk është!)[15]

Këtu shohim antitezën  tek autori nuk e konsideron liri, lirinë që vjen nga njeriu i pafuqishëm ( plogsi), prandaj hedh idenë për lindjen e një njeriu që del nga gjiri i dheut, nga gjaku dhe shpirti i popullit dhe siç e krahason autori të jetë si madhni ( të lindet një njeri/ i madh si madhni), i cili do ta ketë fuqinë  për ta ndezur dashurinë,  idealin dhe ndërgjegjen kombëtare për liri. Më tej kemi antitezë edhe në vargje të tjera si: Mjerimi s`ka gëzim, por ka vetëm dhimba dhe s`don koment, figura ndërtohet mbi shprehjen e gjendjeve, ndjenjave të kundërta ( s`egziston gëzimi, por dhimbja)  në situatat mjeruese që  i përjeton autori dhe i ndjen lexuesi i tij. Ngjashëm vepron edhe  në situatën kur vuajtja dhe dëfrimi rrinë bashkë, p.sh.:

por befas, të një jones së panjoftun tingllimi,
së cilës asht te hyu i bukurisë trillimi
krahnorët n`i përkdheli dhe n`i piskoi zemrat
gjatë korrizit të thermët zbresin fill te themrat.
Qashtu vuejmë, dëfrejmë...”[16]
                                  ( Mbas tryezës)

 Figura e antitezes shfaqet edhe në kontekste të tjera, p.sh. te vargu: se jetë e re lindet me vdekje të njeriut ( f.25), ku artikulohet ideja për trajtat e mbinjeriut që sjell jeten e re dhe të ardhmen  plot ndërgjegje, pa dyshime e trillime.  Kështu Migjeni në shkrimet e tij  kërkon njeriun e ri, kohën e re, jetën e re, idetë e reja për jetën e lumtur të kombit. Në kontekstet e caktuara të shprehjes së mendimit të poetik  ai i vë  në raporte të kundërta situatat e caktuara  për të nxjerrë  në pah kundërthëniet shoqërore dhe ekistenciale. Poema e mjerimit  ofron plot tablo që ofrojnë situata kontradiktore në realitetin e kohës së tij, duke i vënë  në dukje kontrastin e dy botërave, dy stresave sociale skajshmërisht të ndryshme:

                                      Mjerimi rrit fëmijën nën hijën e shtëpive
                                      të nalta , ku nuk mrrinë zani i lypsisë
                                      ku nuk mund t`u prishet qetsija zotnive,
                                      kur bashkë me zoja flejnë në shtretënt e lumnis.[17]

       Të varfërit janë poshtë e të pasurit aq lart sa nuk mund ta dëgjojnë zërin e të përvuajturve që thërrasin, kërkojnë lëmoshë dhe kështu të pasurve nuk u prishet qetësia fare tek bëjnë jetën e tyre pa halle e brenga.
Migjeni beson në brezin e ri, i cili do të ndez revolucion, do t`i sjell ndryshimet pozitive në shoqëri, prandaj e thërret rininë kësisoj:
                        
                                   ” Rini, thuaja kangës ma të bukur që di!
                                     Thueja kangës sate që të vlon në gji.
                                     Nxirre gëzimin tand, të shpërthej me vrull...
                                     Mos e freno kangën! Le të Marri udhë.”
                   
                                                                        ( Kanga e rinis )[18]

Brenda vargjeve ka një eksklamacin të fuqishëm dhe të bukur drejtuar rinisë, te e cila e ka besimin dhe shpresën për ndryshimet e dëshiruara. Këto vargje të bukura me ritëm plotë muzikalitet dhe me rimën e puthitur  janë kënduar dhe këndohen sot e kësaj dite brenda dhe jashtë trojeve shqiptare, prandaj vargjet e Migjenit lirisht mund të themi se i kanë përmasat tejkohore dhe tejhapësinore.           
Poeti është i sigurt se liria do të vijë dhe se asgjë s'mund ta pengojë më hovin e saj. Liria do të lulëzojë, ishte intuita e poetit, i cili ka aftësinë ta ndjejë i pari rrezen e ngrohtë të Diellit të jetës së re:
         ,,Por a do të vijë dita kangët me u zgjue?
         
Apo ndoshta shekujt me ne prapë po tallen?
Jo, Jo! Se liria filloi me lulzue
            Dhe e ndjej nga Dielli (alegorik) valën.,,
[19]
                                     ( Këngët e pakëndueme)
Kështu autori sajon simbolin, ku  Dielli ka simbolikën e pritjeve që i ka autori, i cili  ndien rrezatimin e botës së re, shoqërisë së re, e cila do të jetë e ngrohtë dhe e ndritshme si dielli dhe si ai do të mund të gjallërojë gjithçka që ishte strukur në skëterrë, në errësirën e realitetit të hidhur. Vargjet e para te ky shembull janë thjeshtë pyetje retorike, pas të cilave autori dëshiron të shpreh idenë se të keqes do t`i vijë fundi.                                                                                     Ide fund e krye realiste dhe kritike janë idetë që përshkojnë poezitë e Migjenit. Ai ia ofron lexuesit ato që edhe ai t`i ndjejë nga afër situatat që i vrasin shpirtin dhe mendjen e autorit, i cili me emocion, dhembje flet për fatin e njerëzve të kohës së tij. Pa dyshim, poezitë e tij kanë edhe nuancat autobiografike sepse ai flet për mjerimin që e ka përjetuar edhe vet.
 Duke lexuar këto poezi në përfytyrimin tonë defilojnë: lypësit, të papunët, foshnjat e uritura, laviret, rrugaçët që dalin si rezultat i jetës së  përvuajtur, gjendjes së rëndë sociale. Dhe, siç e thashë edhe në fillim, Migjeni e vë në pah idenë se mjerimi e zhvesh njeriun nga vlerat shpirtërore dhe morale. Kjo shihet qartë në vargjet e tij ku shihet një krahasim i jetës së gruas  që shet nderin e saj, veten  dhe jeta saj s`bëhet tjetër pos  siç thuhet  metaforikisht Valle e çmendun:
                             
”  ( Dikur,
kur gjit` e saj me kreni
shpërthenin n`aromë

kur ish e njomë –
atëherë e dashurojshin shumë zotni.
E sot?)
Jeta e saj është kjo vall` e çmendun
Në rrugat e qytetit tonë.”
( Baladë qytetëse)[20]
                                                               
Pikërisht, ndërhyrja autoriale e bën më të qartë idenë e kësaj poezie që reflekton shfrytëzimin e vrazhdët të qenies njerëzore. Jeta e gruas dikur dhe sot na del me plot kontradiktë dhe e dhembshme.  Pyetja retorike që si figurë sajohet si pyetje që nuk kërkon përgjigje, te  Migjeni kryesisht me vargjet pasuese marrim një përgjigje, një ide se çfarë mendon ai për secilën situatë. Kështu pyetja  E sot? merr përgjigjet me metaforën vall` e çmendun.
  Ndërhyrja  në tekst, po edhe abstenimi here-herë janë mjaftë evidente  brenda veprave të këtij autori, i cili herë don të deshifrojë idenë e tij  e herë e lë që gjërat të rrjedhin në suazat e rrethanave të kohës dhe lexuesi t`i shohë dhe t`i ndjejë situatat e caktuara...Në disa raste brenda poezisë së tij, autori sajon retiçencën ( heshtimin ) si figurë stilistike, kur i vë tri pika në mes të vargjeve duke e shkëputur mendimin e tij, për të mos e thënë atë që do ta thoshte troç, por që pikat e heshtjes lënë hapësirën që lexuesi ta nënkuptojë mesazhin e dhënë nga autori.
        Këngët e mjerimit kanë edhe shprehjet që paraqesin guxim, revoltë, por edhe pamundësinë për të vepruar dhe shihni pasthirrmën dhe krahasimin:

                                           O, si nuk kam një grusht të fortë
                                           t`i bij mu në zemër malit që s`bëzanë,
                                           ta dij edhe ai se ç`domethan i dobët
                                           n`agoni të përdihet si vigan i vramë.
                                                                       
                                                                            ( Recital i malsorit) [21]

“Klithja, eksklamacioni si për ekspresionistët evropian, po ashtu edhe për autorët e viteve`30, bëhet një shprehje e fuqishme, një akuzë e fortë, drejtuar regjimit të kohës, që  “ skaj më skaj” i kishte mbushur rrugët me lypës”[22]  Migjeni është i njohur për prirjet e tij kah ekspresionizmi  dhe janë të shpeshta shrehjet e fuqishme,  ekspresive,  me të cilat i shpreh idetë e tij  që lidhen me fatin e individit dhe të kolektivitetit:

     O kangë e dejë e dhimbjes krenare...
         Mos pusho kurr! Por bashkë me vaje,44
Si dy binjakë këndoni mjerimin
Se koha do të ju bijë ngushllimin.

                    (  Kënga e dhimbes krenare) [23]

 Te këto vargje shohim apostrofën, thirrjen të gërshetuar me krahasimin, duke  e  kristalizuar mendimin poetik, nëpërmjet të cilit shfaqet ideja se duhet ngritur zëri në vazhdimësi kundër gjendjes mjeruese dhe koha do t`i ndryshojë gjërat për të mirë.
Poeti e sheh mjerimin  si zymtësinë e vjeshtës, prandaj sajon paralelizmin figurativ, ku vjeshta në natyrë i ngjanë fytyrave të zymta të njerëzve të vuajtur. Vënia në vijë paralele të dukurisë natyrore me atë njerëzore jep të pastër paralelizmin figurativ si figurë e kuptimit:
Vjeshtë në natyrë dhe vjeshtë në fytyrat tona

Apo bën personifikimin bashkë me alegorinë, tek ua jep mundësinë ngjyrave të hedhin valle dhe në përfytyrimin e lexuesit krijohet një tablo alegorike  si:

Ngjyrat e zeza lozin vallen e fundme
( dëshirë e marrë e gjetheve që një nga një vdesin)”
                                                               
                                                                             ( Vjeshta në parakalim) [24]

       Migjeni e ka të shprehur  edhe përdorimin e ironisë, si në vijim:

“Mbi kështjellat mijëvjeçare qëndrojnë sorrat e smueme,
krahët i kanë varë pa shpresë-simbojt e shpresave të humbura...”[25].
ose:
Aty këtu në hijet
                                                                  e flamujve
mund të shifet
një mund,
një përpjekje
e madhe përmbi vdekje
për të pjellë diçka të madhe,
për të qitë në dritë një xhind!
Por, o ironi
nga kjo përpjekje lind
vetëm një mi.”[26]

Ai ironizon pushtetarët e vendit që vijnë nga shtresat çifligaro-borgjeze, nën udhëheqjen e të cilëve shqiponjat e simbolit tonë kombëtar si duket tjetër veç sorra të smueme dhe aspiratat e forta për një të ardhme më të mirë për masat e popullit i konsideron  shpresa të humbura,  siç i sheh  me ironi edhe lindjen e një miu pas përpjekjeve aq të mëdha. Kjo ironi reflekton nga thesari popullor, konkretisht të kujton fjalën e urtë : Shtërzoj mali polli një mi”.                                                                        
                 Te  Kangët e rinisë Migjeni përmbledh poezitë e bukura kushtuar mallit rinor, dashurisë, të cilat  e shtojnë koloritit tematik dhe ideor të lirikave të tij. Por edhe këtu shihet vuajtja e tij për dashurinë e parealizuar e të paarritshme. Brenda vargjeve krijon apostrofën, dyzimin dhe asonancën, pasi thërret gruan me emocion të thellë, përsëritë nga dy herë fjalët e njëjta dhe vargu i fundit i thyer i ka fjalët e fundit me zanoret e njëjta brenda bashkëtingëlloreve të ndryshme:

O grue, q`u ndeshme ditn e fatkobit tonë
zemër për zemër edhe ball për ballë
e ndjesitë n`u shprehën me mall
më një vall`:
sa hall...”
( Ndeshja)[27]
                                                           
Vargjet e tij sjellin imazhin e bukur të një dashurie rinore, ku është shkrirë pasioni për vajzën, dëshira për të shijuar gjithçka të bukur, si dhe dashuria për krijimin e jetën në përgjithësi. Edhe pse kjo ndjenjë i shkakton vuajtje  autorit, ai krijon vargjet më të bukura për ndjenjën e dashurisë dhe gruan që dashuron, duke i vënë  në vija paralele dy buzët e saj dhe dy lotët e tij, të cilat  i quan shenjat e dhimbjes:     

”  Ato dy buzë
dhe dy lotë të mia
qenë shenjat e dhimbjes
kur më vrau bukuria,
kur më zu dashuria
e më dogji rinia.”
( Dy buzë ) [28]

Këto vargje kanë brenda metaforën shenjat e dhimbjes dhe  anaforë e asonancë në vargjet e fundit.
 Idetë për jetën më të mirë, për jetën gazmore janë ato që i vlojnë në gji autorit, dëshmitar i jetës së vobektë që ka mall të pashuar për jetën rinore:

     Njesitë e mia pre valët muzikore
                                                shkëmbejnë puthje të nxehta
                                                          posi dy dashnorë
     
Këtu autori sajon personifikimin pasi ndjesive u jep shpirt, u jep tipare të personave që mund të puthen dhe e bën më tej krahasimin posi dy dashnorë. Në vijim vargjet na vijnë me aliterecion ku kemi përsëritjen e  shpeshtë të një tingullit m brenda vargut:

edhe më merr malli për jetë ma gazmore.”
                                   ( Malli rinuer)[29]

            Kangët e fundit ngërthejnë në vete poezitë e shkruara në kohën kur autori  numëronte ditët e fundit të jetës së tij, duke qenë i sëmurë nga sëmundja atëherë e pashërueshme e tuberkulozit. Rrethanat në të cilat ndodhej autori ishin të rënda ashtu si edhe vetë situatat dhe pamjet që i kishte paraqitur ai në shumicën e krijimeve të tij. Thjesht  poezitë te Kangët e fundit  janë poezitë  më personale të Migjenit, të artikuluara deri atëherë, të shprehura me lirizmin tipik që buron nga shpirti i përvuajtur që deri  në fund nuk pushon së shfaquri idenë për përjetimin e rëndë të njeriut të kalimit të njeriut nga jeta në vdekje. Të gjitha poezitë janë qartë fjalët e fundit të poetit, të paraqitura  në mënyrën më të drejtpërdrejtë të mundshme dhe të pasur me figuracion artistik të qëndrueshëm  e në harmoni me përmbajtjen motivuese e tematike të poezive në fjalë. Vetë titujt e poezive: Një natë pa gjumë, Vuajtja, Frymëzim i pafat, Vetmia etj., flasin për gjendjen e autorit dhe japin emocionet e thella, klithjet e fundit, frymëzimin e pafat kur Migjeni më nuk ka shpresë dhe vuan skajshmërisht, kur melankolia është e vetmja mënyrë e shprehjes së ideve të fundit të tij. Këtu autori ka përdorë figurën e sintaksës, enumeracinon, për të bërë një përshkrim më të detajuar të gjendjes së tij :
                                                                                                      
                                        ” Ka do ditë
                                          që po shof fare mirë
    se si nga vuajtja sytë po më madhohen,
          nëpër ball dhe ftyrë rrudhat  po më shtohen
Se si buzëqeshja m`asht e hidhun....
                                           ...dhe po ndij
                                           se si mëngjeset e mia
                                          nuk janë mëngjese hovi e pune,
  as ndërtimi, por të shtymt dita më ditë
                                          e një jete që s`durohet...”
( Vuajtja)[30]

 Dhe shpërthen klithma, thirrja  e shprehur me figurat e përsëritjes: epizeuska (dyzimi), aliteracioni, por edhe tropet ( simboli, krahasimi, personifikimi etj.) që e fuqizojnë atë duke e ofruar në mënyrë artistike dhembjen që e përcjell autori e të cilin e ndjen çdo lexues:

                                  ” Pak dritë! Pak dritë! Pak dritë, shok, o vlla.
                                    Të lutem, pak dritë në këtë natë kur shpirti vuen,
                                                        ...................
                                    Hiqmuni qafe, mendime!
                                    O jastëk ty të rroki, të përqafoj si shpëtimin,

                                    më fal atë që due: gjumin dhe andrrimin
                                    e dy buzve që përshpërisin ngushëllimin.”

                                                                          ( Një natë pa gjumë) [31]

Me pyetje retorike nga personifikimi,  ai i drejtohet frymëzimit të tij pashmangshëm,  atij shfrytëzimit, me të cilin flet sikur ai  të mund t`i përgjigjej. Autori nuk don të shkruajë më për plagët shoqërore sepse  siç thotë vet: ” Njerëzit s`duen ma trishtim”:

” Frymëzim`i em i pafat
që vjen e më djeg mu në gji,
për kë po më flet? për kë të shkruaj?
përse po më ban  që kaq të vuaj?
pse vjen e më djeg mu në gji,
frymëzim`i em i pafat?”
                                      
                                                                                           
                                                                        ( Frymëzim i pafat ) [32]
    
 Te vjersha Vuajta, Migjeni përshkruan gjendjen e vet  fizike  dhe shpirtërore deri në nivel tragjik:

Por kot
në pasqyrë po shof
se si nga vuajtja syt`po më madhohen
nëpër ballë dhe në fytyrë  rrudhat po më shtohen,
dhe shpejt do të bahem
flamur i vjetruem
i reckuem
nder luftat e jetës

Këtu figura e flamurit është metaforë kontekstuale që flet për humbjen e poetit në luftën e jetës dhe kjo si edhe poezitë tjera të këtij cikli janë poezi autobiografike  që paralajmërojnë fundin e jetës së autorit.
Figurat stilistike të realizuara nga Migjeni janë aq të forta dhe origjinale  sa flasin për një mjeshtri të rrallë të shprehjes poetike. Migjeni  mund të konsiderohet ndër poetët që e përdori shumë figurën poetike për të realizuar domethënien e veprës së vet letrare, ndoshta pse kishte censurë dhe shumçka duhet të fshihej pas figurave dhe të lihej të nënkuptoheshin mesazhet e tij  apo pse donte të sillte një atraksion artistik në letërsi. Sido që të jetë, lirisht mund të konstatojmë se gjuha e  Migjenit është  shumë e figurshme dhe figurat janë mjaft të qarta, konkrete dhe të gjalla, të cilat i sajoi natyrshëm gjatë procesit të krijimit, prandaj edhe rrinë bukur brenda përmbajtjes tematike dhe ideve që bart vepra e tij. 
Temat e trajtuara  për  kontradiktat sociale, mjerimin e shtresës së varfës, degjenerimin e jetës së qytetarëve në rrethanat e kohës, fatet e individit dhe kolektivitetit  janë risitë që i sjell Migjeni në letërsinë tonë dhe  niveli i lartë artistik i shprehjes së tij,  bën që ai të shquhet ndër autorë të suksesshëm. Temat, idetë dhe mendimet e Migjenit  kanë arritur t`u përballojnë kohëve dhe vepra e tij e  ka interesimin e lexuesve dhe studiuesve në vazhdimësi.
Përfundim:
Figurat e fjalës, ato të kuptimit dhe figurat e intonacionit janë më evidente te vargjet e Migjenit. T`i kujtojmë metaforat e bukura, diku të transformuara në metonimi, alegoritë, ironitë, simbolet, antitezat, krahasimet, pasthirrmat, pyetjet retorike e figura të tjera që u japin shpirt, emocion dhe fuqi semantike  dhe stilistike  vargjeve të këtij autori.





[1] Migjeni, Vepra, Tiranë, 1988, f.9.
[2] Migjeni, Vepra, Tiranë, 1988, f.87
[3] Po aty, f. 38
[4] Mjeda, Vepra, Tiranë, 1964, f. 34  
[5]  Sabri Hamiti,  Letërsia Moderne,  Faik Konica, Prishtinë, 2002, f. 661.
[6] Migjeni, Vepra, Tiranë, 1988, f.22.
[7]Migjeni, Vepra, Tiranë, 1988, f. 14-21.
[8] Migjeni, Vargjet e lira dhe Novelat e qytetit të veriut, Sh.B. Migjeni, Tiranë, 2006, f. 11.
[9] Po aty, f.13.
[10]Migjeni, Vargjet e lira dhe  Novelat e qytetit të veriut, Sh.B. Migjeni, Tiranë, 2006,  f. 11.
[11] Migjeni, Vargjet e lira dhe Novelat e qytetit të veriut, Sh.B. Migjeni, Tiranë, 2006,  f.3.
[12] Po aty, f. 6.
[13] Migjeni, Vargjet e lira dhe Novelat e qytetit të veriut, Sh.B. Migjeni, Tiranë, 2006, f. 35.
[14] Po aty,  f. 20.
[15] Migjeni, Vargjet e lira dhe Novelat e qytetit të veriut, Sh.B. Migjeni, Tiranë, 2006,   f. 6.
[16] Migjeni, Vargjet e lira dhe Novelat e qytetit të veriut, Sh.B. Migjeni, Tiranë, 2006, f. 47.
[17] Po aty,  f.12.
[18] Migjeni, Vargjet e lira dhe novelat e qytetit të veriut, Sh.B. Migjeni, Tiranë, 2006, f.9.
[19] Po aty, f. 10.
[20] Migjeni, Vargjet e lira dhe novelat e qytetit të veriut, Sh.B. Migjeni, Tiranë, 2006,  f. 15.
[21] Migjeni, Vargjet e lira dhe Novelat e qytetit të veriut, Sh.B. Migjeni, Tiranë, 2006, f.16.
[22] Isak Eshrefi, Poetika e letërsisë sociale e viteve `30, Rilindja, Prishtinë, 1990, f. 55.
[23] Migjeni, Vargjet e lira dhe Novelat e qytetit të veriut, Sh.B. Migjeni, Tiranë, 2006, f.23.
[24] Migjeni, Vargjet e lira dhe Novelat e qytetit të veriut, Sh.B. Migjeni, Tiranë, 2006, f. 27.
[25] Migjeni, Vepra, Tiranë, 1988, f. 33.
[26] Migjeni, Vepra, Tiranë, 1988, f. 96.
[27] Po aty, f. 43.
[28] Migjeni, Vargjet e lira dhe Novelat e qytetit të veriut, Sh.B. Migjeni, Tiranë, 2006, f. 40.
[29] Po aty, f. 49.
[30] Migjeni, Vargjet e lira dhe novelat e qytetit të veriut, Sh.B. Migjeni, Tiranë, 2006, f. 52.
[31] Migjeni, Vargjet e lira dhe novelat e qytetit të veriut, Sh.B. Migjeni, Tiranë, 2006, f. 51.
[32] Po aty, f. 53.

(Merita Bajraktari Januzi, e lindur në Vushtrri më 10.12.1972. Shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në Vushtrri, ndërkaq studimet universitare  në Fakultetin e Filologjisë të UP-së, në degën: Letërsi dhe gjuhë shqipe. U diplomua më 1997  dhe si absolvete mori çmimin Studente e dalluar. Pas një pauze për arsye familjare, iu rikthye studimeve dhe në maj të vitit 2012 mbrojti  me sukses temën e  diplomës së studimeve pasuniversitare ( Figuracioni poetik te autorë të njohur të letërsisë moderne shqipe). Tani vazhdon studimet doktorale në degën e letërsisë, në Universitetin e Prishtinës.
            Qysh prej fillimit të studimeve bazike është marrë me recensione, vështrime letrare dhe ka botuar punime në gazetat dhe revistat e kohës. Së fundi i ka botimet në gazetën Zëri  ( tema: Tradita dhe modernia me referenca të shumta historike) dhe në revistën Shkëndija ( Idetë letrare të Gjergj Fishtës). Merret edhe me poezi për çka edhe ka marrë çmime në Takimet  e poeteshave shqiptare.   Ka në dorëshkrim një numër të konsiderueshëm të poezive dhe studimeve letrare që mund t`i botojë ndërkohë.
            Jeton në Vushtrri me bashkëshortin dhe katër vajzat, ndërkaq punon në Prishtinë, në Ministri të Arsimit Shkencës dhe të Teknologjisë.)

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...