2016-01-20

Vera Istrefaj :Vesë shpirti(Cikël poetik )

Vera Istrefaj është lindur në Kukës më 1 nëntor 1975. Që në vegjëli ka botuar vjersha dhe skica në shtypin e kohës.Në vitin 1991 është paraqitur në një Almanak të krijuesve me 76 poezi dhe me një skicë. Që prej asaj kohe ka botuar herë pas here brenda dhe jashtë Shqipërisë në shumë media të shkruara. Ka qenë pjesëmarrëse në shumë konkurse letrare ku edhe është nderuar me çmime.

Ka botuar librat :

"Shiu i fundit", "Nënqeshja e ëmbël", "Në akuj digjem", “U jepem udhëve" dhe “Qielli I shpirtit tim” .
Eshtë juriste në profesion dhe është aktiviste e shoqërisë civile, avokate e të drejtave të njeriut me nje experience 20 vjecare.

Eshte koordinatore e rrjetit “ Barazi ne vendimmarje” per Qarkun Kukes.

Në vitin 2009 është nderuar me “Mirënjohje për kontributin e dhënë në komunitet” dhe është përzgjedhur një ndër 10 personat më aktivë në rang kombëtar.

Është e martuar dhe është nënë e dy djemve. Punon e jeton në Kukës, ku eshte kryetare e “Lidhjes se Shkrimtareve dhe Artisteve te Shqiperise” –Dega Kukes








DIMRI

Dimri
përqafoi fuqishëm
brishtësinë e supeve

Peshë e bardhësisë
rëndueshëm
ngrin vështrimet

Pas hapave nëpër qytet
mbetet heshtja,
heshtje që klith
ngricave të shpirtit

Tutje në horizont
ngrirë shpresa

Degëve të blirëve
hallet nxijnë


SHPRESË

Buzëqeshjes
mos ia mbyll derën

Lëre të dritojë
nëpër shpresë

Mbi trishtim lëre,
si lule me vesë


VJESHTË NË SHPIRT

I kanë ikur gjethet
pemës së shpresës

Lulja zhuritur
mungesës së vesës

Nisur në udhëtim
vjeshta e vonë,
shpirtit të trazuar




FLATRA NË FJALË


Le t’i nisin fjalët
pranga për to s’kam

Po më rimon shpirti
si ky shi mbi xham

Vargu flutron
petal më petal


Me rrezet e shpirtit
ngrohur e kam
e udhëtimin e tij
asgjë s’e ndal


KRISTAL NË SY

Më mbetën sytë
drejt derës

Pres të më vish
si syth i pranverës

Mureve të zemrës
përplaset etja për ty

E portreti yt,
kristal në sy,
imazh



IMAZH NË IKJE


Pendë të argjendta
zogjtë e shpirtit

Edhe kalimin dembel
nga teli në tel

Gjalica rëndon
nën të bardhin mantel

Dimri po rrëshqet
duke mbretëruar
nën këmbë tona




ACAR


Kjo vjeshtë
la gjurmë në shpirtin tim

Etjen
nuk ma shoi
shija frutore

E tani,
etjen ma ngriu në buzë
një flokëz dëbore

Një putje e acartë
ngriu qiellit,
puthje e kristaltë


KRAHASIM

Stinën e mjergullës
të gjatë e pati ky vit,
mjaft të gjatë

E ftohtësinë
lak në fyt.

Tymnajë
në kokat e njerëzve,
tymnajë.

Ç`ti japim qiellit
në këtë etje shekulli?

Përpëlitet etja
në funde oqeanore,
e tymnaja jonë
na tërheq për dore.
Biseda ka përfunduar

*************

foto e Gëzim Ajgeraj


Nga Gëzim Ajgeraj


(Fjala e redaktorit - Zvicër, janar, 2016)

POEZIA E VERA ISTREFAJT - SI PIKËLIM I BRENDSHËM I SHPIRTIT POETIK



***
Poezia e autores Vera Istrefaj, nuk vuan nga e kaluara e errët, nga izolimi, diktaturat e sistemet të cilat njëherë e përgjithmonë kanë përfunduar mallkimit të kohë-shkuarës. Por as vargun nuk e vë për asnjë çast në shërbim të sistemeve apo politikave ditore, të cilat një ditë do të përfundojnë si ajo e shkuara, ndërsa vargjet dhe poezia mbeten të përjetshme. Zëri i brendshëm i saj, që shkrihet si pikëllim shpirtëror dhe pikëlon vargjeve, është burimi i muzës për fjalën, e cila pasqyron individualitetin krijues të saj dhe botën prej nga ajo gjithmonë niset me fjalën, për ta shkrirë në poezi. Vargun e trajton si një dritë në vizion, që buron nga një ndjenjë e brendshme shpirtërore, e cila rrjedh pandalshëm dhe merr trajtat e komunikimit me publikun e gjerë, si një rreze që përhap dritë.
Falë këtij individualiteti, ajo tashmë në poezinë e saj ka ngritur stilin dhe botën krijuese, e cila e bën të dallueshëm me individualitetin e saj krijues.


Vera Istrefaj: VESË SHPIRTI, botoi: Metafora, Prizren, 2016

Vera Istrefaj, tashmë autore e disa librave me poezi, në vazhdimësi po shpalos vlera të artit letrar dhe të fjalës së bukur artistike, në poezi. Poezia, si shprehje dhe art i shpalosjes së ndjenjave të brendshme të botës njerëzore, në raport me jetën dhe kohën që jeton, autores i është bërë udhërrëfim kronik, brenda së cilës ajo paraqet ndjenjat dhe përceptimin e saj për jetën.

Nëpërmjet vargut të saj, ajo gjithnjë e më shumë, shpalos metafora të bukura, të cilat si tërësi në varg, japin peisazhe, shprehje, forma të prezantimit të gjërave, të cilat për kah akceptimi letrar, janë shumë të bukura: ... / Dridhet zemra / si gjethe vjeshte / furtunave të shpirtit/... /Po fundosen ëndrrat/... IMAZH.

Stili i metaforave, të cilat kjo poete i sjell, i takojnë metaforës brenda vargjeve, duke përdorur në vazhdimësi fjalorin e përditshmërisë së fjalëve.

Një formë shumë e pëlqyer dhe e aplikuar në poezinë e sotme moderne. Pra, autorja nuk vrapon pas fjalëve, por brenda vargjeve, ajo fsheh një botë të thellë metaforike, që vargut vibrojnë lehtazi metaforat e muzës së një mendimi po aq të thellë, por me akcent të lehtë të kapjes së tyre, nga lexuesi: ... / Tutje darë e mendimit,/ librin e ëndërrave / mos ma shfleto! / S’po i gjej dot një varr / Trishtimit / .../ ABSTRAKSION/

Edhe libri “Vesë shpirti” që po vjen përpara lexuesit, vjen ndjeshëm, me ato vlerësime që u thanë më lart, por tani më me një profesionalizëm që brenda një finese të hollë të mendimit, shkrihet në vargje, një botë e tërë e poeteshës Vera Istrefaj.

Poezia si shprehje e mirëfilltë e mendimit

... / Në skërmitje dhëmbësh / akulli i kohës /

më mundon, / e zjarri i zemrës, bubulak / shkrumbon / Sa pak kërkoj nga jeta, / sa pak! / ... / E s`më ofron / Asgjë /.../ AKULLI I KOHËS/

Dihet mirëfilli se tani më kjo autore, ka disa libra me poezi, dhe me individualitetin e vet krijues dhe poezisë që e prezanton, ka hyrë në radhët e krijuesve të cilët gjithnjë e më shumë po dëshmojnë e po lënë emër në letrat shqipe.

Kjo dëshmi, është fakti se ajo në vazhdimësi po krijon dhe prezanton përpara lexuesit, botën shpirtërore të saj, përmes vargjeve të bukura e artistike.

Stuhisë së shpirtit tim
veç vargu në rrëfim

Dhe ky sukses i saj, e radhit atë në vlera të mirëfillta të vargut të krijuesve, që nuk i shkëputen artit, por jetojnë me të, pranë tij dhe e prezantojnë atë në vazhdimësi.

Poezia e Vera Istrefajt, si tërësi shpalos botën e njeriut tonë, të njësuar brenda artit të vargut, që si tërësi njësohet brenda metaforave të mendimit nga botëkuptimi i brendëshëm poetik.

Brenda këtij njësimi, e gjejmë kohën, krijuesin dhe hapësirën e saj dhe raportin me kohën. Dhe nga një botë individuale, vargu vjen e shndërrohet si mendim artistik, i kapshëm për realitetin shoqëror, të cilit i dedikohet. Megjithatë, përgjithësisht, poetja vargun e saj e nis nga brendia e vetë, si një shpalosje e brendshme individuale, pa ndonjë synim dhe personifikim të jashtëm.

Le t`i nisin fjalët / pranga për to s`kam / Po më rimon shpirti / si ky shi mbi xham / Vargu fluturon / Petal më petal / Me rrezet e shpirtit / ngrohur e kam / e udhëtimin e tij / asgjë s`e ndal /. (FLATRA NË FJALË).

Pjesa më e madhe e poezive të kësaj poeteje, shpalosin dromca mendimesh të çastit, të cilat në përpunimin artistik të shplosjes së tyre, marrin trajtat e vargut, duke shhpalosur me to, refrenin e ndjesisë individuale të përjetimeve të çastit dhe frymëzimit, që vjen si një burim i brendëshëm dhe i pashterrshëm tani më tek kjo poeteshë.

Kjo për faktin, se ajo tani më po vjen me librin e gjashtë të saj, dhe në vazhdimësi po dëshmon stilin dhe veçantinë e saj krijuese, brenda finesave në varg, duke dëshmuar ndjeshmëri të hollë për mjeshtrinë e artit të bërjes së poezisë.

Duke i lënë hapësirë lexuesit, për një imazh personal për vargun që do të lexojë në vazhdim, do të shkëpusim edhe disa vargje, për ta plotësuar atë që thamë më lart: / Këngë e pakënduar / valë e zemrës sime / Në pentagram / dridhjet e shpirtit / Kujtimet / valëzojnë trazirave / Nostalgjia / ra mbi zbrazëtinë / e etjes sime /. (ZBRAZËTIRË).


Le t’i urojmë suksese dhe ngritje të vazhdueshme, vargut të poeteshës Vera Istrefaj, ashtu siç do t’i dëshironim edhe sukseseve të saj në artin e poezisë.



I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...