2016-01-20

Ligjërimi poetik i Ali Podrimjes


Merita Bajraktari Januzi, Studiuese e letërsisë


Ligjërimi poetik i Ali Podrimjes


                      Ali Podrimja është autor i më shumë se dhjetë vëllimeve me poezi dhe konsiderohet si përfaqësuesi më tipik i poezisë së sotme shqiptare. Botën e vet poetike poeti e artikulon përmes një sistemi figurativ të konsoliduar (veçanërisht me simbolin dhe metaforën) dhe me një shkallë mjaft të lartë ndjeshmërie. Më 1961, Ali Podrimja botoi përmbledhjen e parë me vargje elegjiake Thirrje. Më pas vijnë përmbledhjet Shamijat e përshëndetjeve (1963), Dhimbë e bukur (1967), Sampo (1969), Torzo (1971) etj., deri në veprën e tij mjeshtërore Lum, lumi, (1982), që shënoi një kthesë në poezinë bashkëkohore kosovare. Në vitet '80 e '90 ai do të vazhdojë të botojë libra poetikë: si Zari, Buzëqeshje në kafaz etj., deri te dy librat në prozë: Burgu i hapur (1998) dhe  Harakiri (1999).
 Duke qenë poet bashkëkohor, Ali Podrimja e çliron poezinë shqipe nga kornizat  konvencionale, duke i dhënë shprehje të lirë vargut, shprehje metaforike, shprehje ironike që vënë në pahë idetë dhe mesazhet e tij artistike.

 Brenda punimit do të provojmë analizën e teksteve të Podrimjes në aspektin semiotik, duke vlerësuar si shenjojnë dhe komunikojnë elementet që i përdor autori brenda teksteve të veta. Duke vlerësuar gjuhën e përdorur dhe figuracionin poetik në kontekst të ideve dhe motiveve që trajton autori do të shohim shenjat referente konceptuale brenda rrafshit të përmbajtjeve,  do të shohim shenjat dhe të shenjuarit brenda disa teksteve/veprave. Më konkretisht do të shohim rrafshin e shprehjeve dhe rrafshin e përmbajtjeve, relacionet ndërmjet tyre, si dhe konotacionet tjera të ligjërimit poetik.
          
Përmbledhja poetike "Torzo"

Kjo përmbledhje konsoderohet si kulmi artistik i Ali Podrimjes, uni lirik gradualisht tërhiqet, intimizohet, zhvishet nga patosi kolektiv dhe  personalizohet. Ndonëse lirika është patriotike, ajo gërshetohet me nuancat intime të jetës së përditshme të autorit. Ciklet poetike "Mbi lumin", nis të mos  i kushtojnë vëmendje domosdoshmërisht  artikulimit rtistik, nëpërmjet figurave poetike, ndonëse ka një sistem solid figurativ me theks në metaforë dhe simbol. Më tutje ai e vë në pah ironinë poetike, të cilën  e gjejmë  të artikuluar me mjeshtri e fuqi shprehëse brenda përmbledhjes Torzo dhe aty do t`i veçoj poezitë: Torzo dhe  Baladë për njerinë.  Te e para, semantika e fjalës torzo tregon figurën e njeriut të gjymtuar, të dëmtuar, të deformua:

Gjithkund kaloj  e kurrkund s`jam
në ndonjë kohë po më takuat ndonjëherë
ju lutem mos më lerëni pa emër”[1]


“ Ideja qendrore e torzos materializohet nga torzioni i botës dhe njeriut të dhënë përmes një gjuhe të fortë, kundërvënëse, e jo drejtpërdrejt që do të jepte ekzaltimin. Përkundrazi këtu ndeshemi me brengën, e cila për t`u realizuar, përdor të vetmën mundësi të artit, ironinë e skajshme të ngritur nga revolti i njeriut të revoltuar, i cili ndien neveri të pakufishme ndaj botës së torzionuar. Ky negativum poetik është afirmim i tërthortë i pozitivumit të njeriut dhe botës.”[2]. Më tej poeti jep një ndër figurat më të thelluara ironike e tragjike dhe shenjon figurën e njeriut të gjorë, të cilit i mungon gjithçka  dhe duket gjysmak siç është bota rreth tij:

“Njoh një njeri
i cili shetit lakuriq nëpër botë
në vend të kravatës
gjarprin lidh në qafë
në vend të këmishës
lëkurën e ujkut vesh
njoh një njeri
i cili tërë kohën e lume
zhvishet e zhvishet
në një vend publik
askush s`e këqyr me sy
e ai shetit lakuriq nëpër botë
si në kohën e egërsisë
njoh një njeri
i cili ka humbur gjithçka
ndjenja
sy”[3]

Ironi e sarkazëm bashkë kemi te vargjet e poshtëshënuara:

Të shpëlarër të krekosurit të hekurosurit vini
rend-rend
...
Rrahnin ujë në tavan prej mëngjesi në mbrëmje
prej mbrëmje në mëngjes
Simpoziume kokteje ekstrakokteje pleh deri në
                                                                 gju
Teori të gjora mbi vargje mbi romane të gjorë
psikanalizë e rëndë

Duke qëndisur duke bërë ojna duke bërë
                                                            sehire
mplakeshin gjenitë
në bisht të Evropës.”[4]
 ose 
                                                                                                                                  
E lirë Kosova dhe e pavarur
Me një litar rreth qafe
Kërkon degën më të lartë

Si dele nuk i dilet në Pazar
Nëpër fjalë sec dridhet
Midis dy qytetërimeve e zënë”[5]

ku ironia është e gërshetuar me paradoksin dhe  krahasimin. Litari rreth qafe shenjon gjendjen e kundërt me të qenurit e lirë dhe e pavarur dhe krahasimi me delen që ka simbolikën e të urtës dhe frikacakes del shumë kontradiktore me  vendin e kullave e të qëndresës. Siç shihet në situatat kur autorin e kaplon dhembja e madhe për fatin e vendit, nuk don ta lavdërojë atë, por ta kritikojë. 


Figurat që shenjojnë  identitetin kombëtar

            Guri,  muri, kulla, Rozafa te Ali Podrimja dalin si simbole të qëndresës dhe identitetit të popullit tonë të lashtë dhe shenjojnë lidhjet e poetit me origjinën, me prejardhjen e tij në vështrim individual dhe kolektiv:

Merreni këtë gur e hidheni
ku të doni
Fortësia e tij na përjetëson[6]

Dhe

Deri te kulla ime
Udha e panjohur më çon
Hap derën mbyll peisazhin
Leshoj grilat ngjyrë gri rreth meje[7]

Kështu si edhe studiues të tjerë edhe Rexhep Qosja vlerëson se ” kulla, në poezinë e shumë poetëve të sotëm të Kosovës, do shikuar si pjesë e simbolizmit tradicional, të heroizmit kombëtar, izolacionizmit dhe provincializmit kulturor”.[8]:

Deri te Kulla ime
Udha e pa-njohur më çon

Hap derën mbyll peisazhin
                                              Lëshoj grilat ngjyrë gri rreth meje[9]                      
    
Kulla dhe Rozafati janë objekte kulte të poetit, për to janë sakrifikuar breza e breza ndër shekuj:

“Secili i falëm nga diçka
kush emrin
kush eshtrat i la”[10]

Fuqia e ndërtimit artistik të shprehjeve, vargjeve dhe poezive shihet nga poezia në poezi. Ai me mjeshtri mjaft interesante u këndon vlerave më sublime të popullit tonë ku secila prej tyre ka peshën e gurit, fortësinë, cilësinë dhe vjetërsinë e vet:
“ç'gurron guri në gurinë
gur guri ndër gurë më i guri
gur i gurëzuar pranë gurit
gurth i nguruar rreth gurit
gurron guri në gurë gurësh
guro guroje gurin në gurinë
ç'guri pranë gurit gur guri
vrimë e parë e fyellit tim.”

(Vrima e Parë e Fyellit Tim, poezi nga cikli Guri )[11]

          Këtu guri na del si metaforë e lashtësisë, e vendit, durimit, qëndresës dhe bashkë me figurat e përsëritjes, asonancën dhe aliteracionin rrit efektet artistike të poezisë për të bartur idenë e tij për qëndresën e vendit të tij nëpër kohë. Edhe te poezitë Epika,  Unë biri yt, Hija e tokës dhe Rënkimi  kemi larushi figurative ku shohim metaforën, krahasimin, anaforën, gradacionin, retiçencën, pyetjen retorike, të cilat lidhen bukur me struktura shprehjesh popullore ( kam hëngër veten, gjithë natën e lume) duke ia shtuar edhe më tej bukurinë  dhe fuqinë vargjeve të tij, po edhe gjithsesi edhe ëndjen lexuesit për t`i lexuar dhe rilexuar ato. Siç shihet shprehjet: guri, muri, kulla rozafa janë shenja dhe i shenjuari është kombi brenda rrafshit tematik, përmbajtësor.
Kështu,  fati i  kombit  ka primatin e diskursit tematik dominant në poezinë e Podrimjes. Ky diskurs tematik me nuancat stilistike dhe me formën e lartë të shprehjes letrare e arrin kulmin artistik  të transmetimit të ideve letrare.  Te Epika shekujt flasin për epoka historike, për përpjekje të parreshtura e sakrifica dhe madhështia e saj figurative e fuqia shprehëse vjen me vargun: “Miq, Kosova është gjaku im që nuk falet”  


“Me shekuj kam shitur gjakun
E jam rritur me gjakun e shitur
Me shekuj kam hëngër veten
E ditur s'kam të qesh me veten e tepruar...
Miq,
Kosova është gjaku im që nuk falet!”
                                                                     ( Epika)[12]

Si figurë që artikulohet mbi parimin e ngjashmërisë, duke e fshehur lidhëzën si, metafora bën identifikimin e një sendi me një send tjetër. Një shkrirje të atdheut me gjakun e bën këtu dhe vargu Miq, Kosova është gjaku im që nuk falet!   është varg monumental, një emblemë e çmuar e ndërtuar mbi një strukturë arketipore që lidhet ngushtë me trashëgimin dhe lidhjen e fortë shpirtërore që e ka populli ynë me vendin, aq sa vendin e vet e barazon me gjakun pa të cilin nuk ka jetë. Poeti i njeh dhe i ndjen dhembjet, vuajtjet, dëshirat e vendit të vet, siç i njeh edhe shprehet  nëpërmjet vargjeve të bukura ku vihet re metafora, gradacioni, polisindeti dhe  krahasimi:

“Unë biri yt, Kosovë, t'i njoh dëshirat e heshtura,
t'i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj,
t'i njoh vuajtjet, gëzimet, vdekjet,
t'i njoh lindjet e bardha, caqet e tua të kallura;
ta di gjakun që të vlon në gji,
dallgën kur të rrahë netëve të pagjumta,
e të shpërthejë do si vullkan,
më mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë,
Unë, biri yt.”[13]

              Pylli i Ali Podrimjes del simbol i bashkësisë së botës shqiptare të pushtuar dhe të shkelur nga armiku ( dhembi i ujkut) dhe lumi mund t`ia shuaj etjen tokës së shkretuar, por deri te lumi rrugën duhet t`ua ndriçojë ylli që simbolizon idealin për liri.
Poezia "Dëftore" siç shpreh titulli i saj tregon ardhjen dhe ikjen e pushtuesve gjatë shekujve si: mbretër, sulltanë, kralë, etj. dhe poeti me fyellin e tij (si rilindasit) fton zgjimin e shqiptarëve për liri e pavarësi. Ngjashëm thërret edhe te poezia Zgjohu Kosovë!:

“ Zgjohu Kosovë! Zgjohu nëna ime e dashur
balli dhe emri im i shkelur-
zgjohu oj! A  po e ndien vajin tim?
a po e sheh ngulur sytë,

mu në zemër mu në shpirt,
si t`i kam hedhur duart rreth belit
për të përqafuar, unë- ashti yt?
Zgjohu Kosovë!
Prej degëve të mia të thyera kush po mbahet
Këtë vatër kush po e le?
Ç`janë këto  gjurma gjaku që po shtohen
nëpër  fytyrën tënde.
Këto varre e murana që sillen rreth shtëpisë sime...?
Zgjohu Kosovë! Zgjohu nëna ime e dashur...
Bota në ty le të kallet!”[14]


Simbolet e së keqes dhe të shëmtuarës.

Në një situatë   poeti  ndjen  se  fatin e keq  dikush ia ka ndjellur vendit të tij dhe jo rastësisht Podrimja i artikulon vargjet e ngitura mbi gjurmët e një miti të vjetër për macen e zenë, e cila ndjell fatin e keq:
                         

“ Në udhëtimin tim
Një mace e zezë më ndjek

E shpirti më thotë
Në gjysmë rruge kë për të mbetur
...
Një mace e zezë më ndjek
Në udhëtimin tim


Orët e fatit ajo dikton”[15]

        
 Dhe siç shihet macja simbolizon përcaktuesen e  fatit të tij dhe të vendit dhe gjithsesi dhembja që përshkon poezitë e Podrimjes, nuk është vetëm një dhembje  personale shpirtërore,  por definitivisht ajo dhembje merr përmasat e një dhembjeje së përgjithshme, pasi lidhet me gjakimin për  liri,  me dallgët e jetës, me vdekjen e shëmtuar  etj. që janë njerëzore dhe të ndjeshme për çdo kënd dhe  në gjithë globin.
Autori krahas vargjeve kushtuar kullave, urave, kalave etj., atyre që i ngre në simbole të së madhërishmes dhe sublimes, ai vë në pah edhe simbolet e së keqes dhe të shëmtuarës që lidhen me dukuritë negative: tradhtinë, degjenerimin, dyfytyrësinë, dinakërinë etj., prandaj edhe brenda veprës së tij defilojnë figurat e tilla si: macja e zezë, Kali i trojës, njeriu lakuriq, maskat etj.:

“Kush je ti që flet
e fytyrën s`ta pamë

sa të doni maska
rreth meje dhe botës”[16]

Sikurse Lasgushi edhe Podrimja  e poetë të tjerë  e kanë përdorë detin në funksion të shprehjes simbolike, me të cilën  simbolizohet sfida, vuajtjet, dallgët e jetës dhe e keqja përballë jetës.   Te Podrimja kryesisht deti simbolizon të keqen kundër qenies kombëtare, siç mund të shihet te poezia : “ Koha që s`ekziston për ne”:
                                                          
                                                        “n`udhëtimin e vet
                                                         deti ka shembull brigjet tona
                                                          prej nesh të lirohet
                                                         prej nesh të vërshojë botën
                                                         e dhëmbët i ka harruar  atëherë
                                                          në lëkurën tonë
                                                         një kohë që s`ka ekzistuar për ne”[17]

dhe siç shihet deti na simbolizon armikun, të cilin populli ynë vazhdimisht ka bërë përpjekje për të sfiduar, gjë që e reflekton poezia tjetër gjithashtu me simbolikën e detit “ Si e kemi zbuluar detin”:
“ me qindra e mijëra kilometra kemi udhëtuar
kemi udhëtuar e këmbët plot therra i kemi pasur
e kurtha të panumërta janë ngrehur
në udhetimin tonë të gjatë sa jeta jonë
e tërë jetën kemi udhëtuar nëpër njëfarë uji...
deti është gur i rëndë në zemrat e varfëra”[18]

Te vargu i fundit simboli transformohet në metaforë kur deti quhet gur i rëndë në zemrat e varfëra.   Ngashëm me dimensionet  shkatërruese na e paraqet detin edhe te poezia “ Një arap i zi pa emër dhe histori” e cila është  në raporte intertekstualiteti me legjendën për Gjergj Elez Alinë.
Në vëllimin "Lum lumi", të botuar në vitin 1982 shihet një ngarkesë emocionale që bart dhembja e madhe për  sëmundjen e pashërueshme të të birit, por edhe njëkohësisht është e pranishme edhe fryma e krenarisë dhe e qëndresës së kombit në luftërat nëpër shekuj.
Kështu me të drejtë mund të themi se këtu kemi lirika të pikëllimit me tone të theksuara elegjiake, shih vargjet për të birin, tashmë të vdekur:

“Erdhe në jetë
Nuk ka më nevojë për kuje, lutje
Kryesorja të jetosh
Këtë gur ta hedhësh më larg se Unë”
(Me jetue, Tim bir, Lumit)

apo



Qenit ruaju se të kafshon ajo kafshë shtëpiake
Besnik i madh i Njeriut
Nga kafshimi i gjarprit mund të shpëtosh
Macen nxirre nga fjalori yt gjithsesi
Ajo s'është simbol i kohës sate as i artit tënd

(Unë gjthmonë ia kam frikën edhe Lules edhe
Femrës)
...
Dhe si të duash Ti Lumi
Kryesorja: jetën ta jetosh pa e vrarë
Dhe pa të mbetur në këmbë ndonjë therrë
e saj e zezë
Bashkudhëtari im
Ta provojmë vetveten derisa kemi frymë
...”[19]
                            
Kjo poezi që ishte krijuar në vitin 1979 sa ishte gjallë biri i poetit, bart me tërësinë e saj peshën e dëshirës për ta sfiduar vdekjen, të cilën poeti as që don ta mendoj fare, ndonëse e din që nuk ka shpëtim për Lumin e tij.  Siç shihet nuk ka aspak vaj, kuje e as mallkim brenda poezisë, por vetëm porosi të karakterit prindëror, porosi  plot e përplot mençuri  të bazuara në përvojat shekullore, porosi këto të artikuluara fuqishëm si në planin artistik, ashtu edhe në atë etik dhe kombëtar.
Janë të njohura vargjet e tij të poezisë  Pikëllimë , të shkruara në vitin 1981, kur thotë se:

Unë nuk qaj
Shi bie vogëlushi im
Shkundet plepi i  shtëpisë

Unë nuk luaj vendit
Muret lëvizin sendet vogëlushi im
Vjeshtë e keqe mori

Re e zezë shtëpinë tonë mbështolli”[20],

brenda të cilave ndërlidh pikëllimin, dhembjen për të birin me pikëllimin dhe dhembjen për popullin e tij që hiqte të zitë e ullirin dhe përpëlitej në përpjekjet për liri.  Këtu poeti sajon një paralelizëm figurativ  kur  vajin e vë paralel me shiun, moslëvizjen e tij me lëvizjen e murit, sendeve dhe vjeshta e keqe del në funksion të metaforës që nënkupton motin e keq, ngjarjet e rënda dhe në vargun e fundit  “ re e zezë”  simbolizon të keqen që e kaploi  si shtëpinë e tij edhe vendin.
           
Përfundim:

 Nga e gjitha që u tha,  pamë deri diku funksonin semiotik të tekstit, si fjalët dhe  shprehjet gjuhësore si janë të lidhura ngushtë me komunikimin e autorit të shtyrë nga motivet e caktuara për ta ndërtuar tekstin. Meqë poezia e Podrimjes është kryesisht patriotike i nxorëm në pah shprehjet, shenjat që identifikojnë elementet kombëtare, nëpërmjet të cilave shtrihet rrafshi tematik dhe ideor, qoftë kur motivohet nga qëndresa e popullit ( shenjat/ simbolet: gur, kala, Rozafa, etj.) apo kur frigohet nga armiku dhe dëmet që sjell ai ( deti, gjarpëri, macja e zezë, Kali i Trojës, maskat etj.).  Interpretimin e domethënies së këtyre shenjave e bëmë duke i deshifruar dhe komentuar figurat poetike që ishin mjaft të qarta dhe të dallueshme brenda tekstit. Kjo puna e interpretimit, mund të zgjerohet edhe më tej me aspektet strukturore, linguistike, tingullore etj., ngase semiotika mund të shikohet nga perspektiva shumëdimensionale. Shih për këtë tema mbetet gjithnjë e hapur për plotësime me punime tjera.





[1] Ali Podrimja, Torzo, Rilindja, Prishtinë, 1979, f.53.
[2] Ibrahim Rugova, Strategjia e kuptimit, Rilindja, Prishtinë, 1980, f. 83.
[3] Ali Podrimja, Torzo, Rilindja, Prishtinë, 1979, f.41.
[4] Ali Podrimja, Gjumi i tokës, Ideart, Tiranë, 2007, f. 76,78.
[5] Ali Podrimja, Gjumi i tokës, Ideart, Tiranë, 2007, f. 128.
[6] Ali Podrimja, Gjumi i tokës, Ideart, Tiranë, 2007, f.40
[7] Ali Podrimja, Credo, Rilindja, Prishtinë, 1976, f.37
[8]  Rexhep Qosja, Poetika e romantizimit, Koha në unazë, Rilindja, Prishtinë, 1980, f. 28
[9] Ali Podrimja, Credo, Rilindja, Prishtinë, 1976, f. 37.
[10] Ali Podrimja, Torzo, Rilindja, Prishtinë, 1979, f.11.
[11] Ali Podrimja, Credo, Rilindja, Prishtinë, 1976, f.29.
[12] www. http://poezishqiptare.blogspot.com/
[13]  Ali Podrimja, Credo, Rilindja, Prishtinë, f.53.
[14] www. http://poezishqiptare.blogspot.com/
[15] Ali Podrimja, Torzo, Rilindja, Prishtinë, 1979, f.7.
[16] Ali Podrimja, Torzo, Rilindja, Prishtinë, 1979, f.43
[17] Ali Podrimja, Sambo, Rilindja, Prishtinë, 1969, f.63.
[18] Po aty, f.63.
[19] Ali Podrimja, Gjumi i tokës, Ideart, Tinanë, 2007, faqe 60
[20] Ali Podrimja, Gjumi i tokës, Ideart, Tiranë, 2007, f. 104.

(Merita Bajraktari Januzi, e lindur në Vushtrri më 10.12.1972. Shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në Vushtrri, ndërkaq studimet universitare  në Fakultetin e Filologjisë të UP-së, në degën: Letërsi dhe gjuhë shqipe. U diplomua më 1997  dhe si absolvete mori çmimin Studente e dalluar. Pas një pauze për arsye familjare, iu rikthye studimeve dhe në maj të vitit 2012 mbrojti  me sukses temën e  diplomës së studimeve pasuniversitare ( Figuracioni poetik te autorë të njohur të letërsisë moderne shqipe). Tani vazhdon studimet doktorale në degën e letërsisë, në Universitetin e Prishtinës.
            Qysh prej fillimit të studimeve bazike është marrë me recensione, vështrime letrare dhe ka botuar punime në gazetat dhe revistat e kohës. Së fundi i ka botimet në gazetën Zëri  ( tema: Tradita dhe modernia me referenca të shumta historike) dhe në revistën Shkëndija ( Idetë letrare të Gjergj Fishtës). Merret edhe me poezi për çka edhe ka marrë çmime në Takimet  e poeteshave shqiptare.   Ka në dorëshkrim një numër të konsiderueshëm të poezive dhe studimeve letrare që mund t`i botojë ndërkohë.
            Jeton në Vushtrri me bashkëshortin dhe katër vajzat, ndërkaq punon në Prishtinë, në Ministri të Arsimit Shkencës dhe të Teknologjisë.)

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...