Merita Bajtraktari Januzi
Lahuta e Malcis/ figurat stilistike brenda saj
Meqë Lahuta e Malcis është vepër epike, kuptohet se në vete ngërthen
elementin dramatik me veprimet e dukshme, përshkrimet, refleksionet e theksuara
emocionale që paraqesin ndjesitë e folësit, vetë autorit, e cili bën lutje,
lavdon, himnizon, uron, mallkon, shan, fyen, varësisht nga situatat që i
paraqet, ndaj të cilave shpaloset bota e brendshme shpirtërore dhe emocionale e
krijuesit me ideale të larta kombëtare. Menjëherë duke i analizuar vargjet do
ta vëmë re edhe prezencën e figurave stilistike. Në vargjet vijuese, autori sajon
thirrjen (eksklamacionin) dhe më tej
vazhdon me figurën e obsekracionit ( lutjes), të gërshetuar diku
me anaforë dhe asonancë, ku
shprehen lutjet dhe urimet e
mëdha për njerëzit që u flijuan në luftë për çlirimin e trojeve shqiptare:
O ata t`lumt, qi dhanë jeten,
O ata t`lumt, qi shkrine veten
......
Letë u kjoftë mbi vorr lendina
Butë u kjoshin moti e stina
........
E der t`kndoje n`mal ndo i zanë
E der t`ket n`det ujë e ranë
Der sa
t`shndrisin diell e hanë
Ata kurrë mos u harrofshin
.....
e njaj
gjak, qi ka dikue
Ban, o Zot, qi t`jesë tue vlue
Per
m`ia xe zemrën Shqyptarit
Per kah vendi e gjuha e t`Parit [1]
( Deka)
Dhe siç shihet
na del koloriti i figurave stilistike: asonanca, anafora, obsekracioni, me
shprehjet popullore dhe elemententin mitologjik. Ideja e admirimit ndaj njerëzve
që u flijuan për atdhe përshkon veprat e tij në pjesët e caktuara varësisht nga
episodi, ngjarja që e trajton ai.
Ngjashëm vjen në shprehje edhe ekskrekacioni apo nama, mallkimi drejtuar atyre
që bijnë ndesh me vullnetin e popullit, me vullnetin e autorit që me mish e
shpirt i këndon atdheut:
Ah kadalë, Nikollë të vraftë Zoti
Pse k`tu i thonë Oso baroti
Se s`ke pa shqyptar me sy
Se djegë veten edhe ty! [2]
( Deka)
E pastaj
natyrshëm vjen ideja e flijimit që nuk ka si mos të duket kur bëhet fjalë për
ngjarje të lavdishme apo heronj të lavdishëm. Këto vargje, si të tilla,
përjetohen thellë nga lexuesi, te i cili autori gjithsesi e arrin qëllimin që: Mrendë dashtnin m`u a ndezë shqyptarve/ Per
kah gjuha e vendi i t`parve [3]
( Vranina )
Duke perceptuar idenë e veprës,
duke e ndjerë zjarrin që i ka vluar në zemër autorit, lexuesi komunikon
natyrshëm me autorin dhe veprën e kjo e ka rëndësinë e madhe për atë që ne e
quajmë interkomunikim: autor-vepër-lexues.
Idetë kombëtare, siç shihet nga
lart, janë ato që u paraprijnë figurave të ndryshme në suazat e artikulimit
artistik të temave dhe motiveve të ndryshme. Figuracioni poetik është pra elementi
kryesor që harmonizon rrjedhën ritmike të shprehjes artistike me formën dhe
përmbajtjen e veprës. Në këtë rrafsh vërejmë se hiperbola është më e shprehura
në eposit fishtjan, e cila merr përmasat fantastike të të zmadhuerit, por herë
edhe ruan tiparet realiste të paraqitjes së situatave konkrete.
”
Oso Kuka, i burrë Shkodran,
Shoq në Shkodër, thonë, s`ka lanë
Për kah besa e kah trimnija,
Qi
zanat i ka Shqypnia
Kaleshan e sy-përgjakun,
Mje m`sylah e ka mustakun
Ushton mali, thonë kur t`flase,
Dridhet fusha kah t`vikase;
E kah t`dredhë të rrebtë taga`n
Thue se rrfeja shkrepë
per anë:
Kaq vringëllim aj shkon tuë i dhanë!” [4] ( Vranina)
Krahasimi, metafora, personifikimi etj. dalin si
figura mjaft të bukura, herë individuale, herë konvencionale, të ndërlidhura me
shprehjet nga folklori. Edhe ashtu në veprën e tij zotëron tetërrokëshi
popullor që bashkë me larushinë figurative shënon një muzikalitet të fortë aq
sa këngët e Lahutës së Malcis vërtetë mund të këndohen dhe u kënduan me lahutë.
Përse i huej, kushdo qi kjoftë
Ai gjithmonë a augur i zi
Për të mjeren moj Shqypni,
Si njaj korbi që ndiell zi.[5]
Këtu edhe metafora augur i zi, po edhe krahasimi
Si njaj korbi që ndiell zi na
dalin si figura konvencionale të ndërlidhura me oralitetin, si ndodh me
shumicën e figurave te vargjet e Fishtës. Ndërkaq në vargjet:
Pushka e babës, ltinë mizore
Q`i der sot mue s`m`k`a koritun
Pse edhe m`turk ajo asht vaditun...[6]
kemi figurën e personifikimit, të
ndërlidhur me metaforën ltinë mizore. Këtu
pushkës i jepen tiparet e njeriut kur
thuhet Q`i der sot mue s`m`k`a koritun, thuajse
është pushka ajo që vepron vet dhe ka vepruar edhe më parë, pasi ajo si pushkë
me emër dhe pushkë e babait nënkupton përpjekjet brez pas brezi për çlirimin
nga pushtuesit e juaj. Kështu figura lidhet me idenë dhe mesazhin që e jep
autori brenda veprës dhe kështu në komentimin e secilës figurë e shohim
funksionin e saj brenda përmbajtjes së tekstit.
Gjergj Fishta duke qenë prift
françeskan, shihet se në stilin e tij, pothuaj se në të gjitha veprat letrare, vjen në shprehje ndërthurja e kodit fetar me
kodet e tjera si: kodin historik, kodin
mitologjik, kodin ligjërimor përshkrues, etj., P.sh. Lahuta e Malcis nis me
vargjet që mund t`i rangojmë si
obsekracion/lutje:
Ndihmo, Zot
si m`ke ndihmue.
Për të
vazhduar me kodin historik, ku shihet qartë enumeracioni pasi autori bën
përshkrim të detajuar të rrjedhave historike :
Pesqind vjet kishin kalue
Se të bukuren ket Shqypni
Turku e mbate në robni.
Krejt tue e la t`mjeren në gjak
Frymem tue i zanun njak,
E as tue e lanë, jo, dritë me pa:
Kurr të keqen pa i a da:
(Cubat)
Kështu
ndërthurje kodesh kemi varg në këngët e kësaj vepre:
Avdi Pashë tha , ma kadal!
Mos e thuej dy herë atë fjalë
Se për dinë e për Ima`n
T`baj qi t`kjaj e zeza nanë
T`baj qi t`kjaj pa
exhel ty nana
Pse n`Shqypni ka djem si zana
Qi për mbret e troje t`veta
nuk u dhimbet gja as jeta.[8]
( Oso Kuka)
Dhe ja Zana del si krahasim me të cilin autori
don ta nxjerri në pah trimërinë, guximin e djemve shqiptarë. Figurat
mitologjike si: zanat, shtojzovallet, orët, dragonjtë, shtrigat etj, vijnë si
fryt i fantazisë krijuese të autorit për
të ofruar te lexuesi idetë e tij, porositë e tij karshi përshkrimit të
ngjarjeve historike dhe të figurave të heronjve të shquar të historisë e të
kulturës sonë. Kështu vërehet fryma realiste-fantastike e poemës
me personazhe historike nga njëra anë
dhe personazhe fantastike apo mitologjike në anën tjetër. Dhe siç thashë më
lart, figurat mitologjike Fishta i vë në shërbim të paraqitjes së ngjarjeve,
rrethanave, duke u dhënë role e pozicione të ndryshme disave në radhët e
heronjve tanë - pro Shqipërisë e disave në radhët e armikut- kundër
Shqipërisë. Në këtë ndërtim artistik
personazhet e të dyja grupeve mishërohen krejt
natyrshëm në mes veti. Ora e
Shqipërisë e përkrah Ali Pashën e Gucisë kur është çasti që luhet me fatin e
kombit. Zana e madhe është vetë muza e poetit, e cila i jep trimëri, i jep
shpirt për të ndjekur zhvillimin e ngjarjeve dhe bashkë me autorin uron, mallkon, lutet, gëzohet e hidhërohet.
Po kështu, zana shqiptare shihet të jetë në konflikt me zanat që përkrahin
armiqtë e Shqipërisë, p.sh. Zana e Vizitorit, zanë shqiptare, është në konflikt
me Zanën e Durmitorit, zanën malazeze, e cila e nxitë Mark Milanin kundër
shqiptarëve.
Hider, bre! Ti me i ndihmue
Mark Milanit t`birit t`shkines,
Qi Shqypnin aj rreth m`e shtrue
Per nen kamë t`Knjazit
t`Cetinës...
Po a kujton, mori gabele,
Se shqyptarët kan daun fare,
Qi me ardhë Knjazi, me `i kal zhele.
Per t`sunduem mbi tokë shqiptare?
Fjalët hider dhe gabele janë në funksion të epiteteve
fyrëse, nëpërmjet të cilave autori shprehet me nënçmim ndaj përkrahëses së
armikut ( Zanës së durmitorit), ndërkaq edhe pyetja retorike nxjerr në pah nënvlerësimin e fuqisë së
Knjazit për t`i pushtuar trojet shqiptare.
Si vepër epike, Lahuta e malcis e
ka të shprehur shumë enumeracionin si figurë, ku autori bën përshkrime të gjata
të situatave, ngjarjeve, dhe neve na duket sikur i kemi parasysh ato pamje, ato
tablo. Si edhe shembullin më lartë, po i jap edhe këto vargje për të
argumentuar mendimin e shfaqur:
Sa rrin Osja tue mendue
Bukë djelmnija kan marue
Çuene tryezat e i pështetën,
Rrokull odes
mandej zateten,
Kush tue dhenë, kush tue kuvendë,
Kush ue luejtë cic-mic e
hane,
Kush tue
lye ndoi çark breshane:
Nji taga`n m`unuer e mrefë,
Fushekët tjetri nvezme i njefë[9] ( Deka)
Ose
Nja mbas nja`i po i bien Pazarit,
Si ajo re qi prej Tivarit
Njitet zi terthoreve t`ona,
Per me shkrepë ndokahë t`e vona,
Edhe kapen m`at breg Buene,
Ku n`nji lunder u rreshtuene.
...
Edhe nisë asht porsi re
Tuj ça valen për liqe:
Tuj ça valen kah Vranina,
Ku po bate nam Cetina.[10] (
Oso Kuka)
Përveç enumeracionit, kemi edhe krahasimet (Si ajo re qi prej Tivarit/ Njitet zi
terthoreve t`ona, porsi re) dhe anaforat, ku shohin përsëritjen e fjalëve
në fillim të disa vargjeve. Rimat e puthitura, gjegjësisht zanoret e njëjta
ndërmjet bashkëtingëlloreve të ndryshme
e shtojnë rrjedhën ritmike dhe muzikalitetin e vargjeve.
Është karakteristike se krahasimet e Fishtës në
shumicën e rasteve janë krahasime të gjata, si shembulli që dhamë, apo edhe të
tjerë si: Burrë, si burrat që kjenë motit; E,
si kau nën thikë të kandarit;
Porsi njaj tallazi i detit; Porsi shuhet krypa n`ujë; Si ajo hana neper
pyllë, etj. Kjo vjen si rezultat i
gjuhës dialektore, thjesht popullore
dhe ndikimeve të mëdha nga thesari i pasur i folklorit, prej nga shihen
referencat e vazhdueshme. Është e
padiskutueshme që figurat poetike të Fishtes janë të ndërlidhura fort me
frazeologjizma, urti e mençuri popullore dhe
me elementet mitologjike.
Si edhe shumë autorë që marrin forma shprehjesh të
gatshme nga strukturat frazeologjike të
gjuhës sonë, ashtu edhe Fishta i përdor ato në funksion të artikulimit
artistik të ideve të tij. Vargjet: Shtatin
div e syt` si zgjeta; E vraftë buka
si a tue vra!; Porsi shuhet krypa
n`ujë; Diç po vlon atje në Berlin;
Per pa u ba gjaku der m`gju; Pse asht der pushke gjet me gjet; Me iu
dhimtë gurit e drunit; Me i pasë pre... gjak s`kishin ba; Kado shkojshin e kado vijshin/ dy gur njitë
kund nuk i lishin; Si njaj kau i mbajtun n`grazh/ kur t`i mrrije thika n`asht;
Nuk perdihet, jo, shqyptari/ me sa gaca
ndezun zhari; Nuk e la me çue kurr
krye/ se dritë me pa me sy; e ndonjë
njësi tjetër frazeologjike na dalin si shprehje figurative, qoftë si krahasim,
personifikim, metaforë, hiperbollë,
kontrast, etj. që reflektojnë rrethanat e kohës, nuancat e jetës shpirtërore
dhe kulturore të vendit tonë dhe lidhjen semantike në suazat e konteksit që i
përdorë poeti.
Edhe fjalët e urta janë të shpeshta në eposin fishtjan dhe meqë vepra e tij bart
idenë për ruajtjen e identitetit kombëtar e kulturor të shqiptarëve, pa dyshim
se elementet e tilla janë pjesë e diskursit poetik të këtij autori. Në vazhdim
po i japim tre-katër shembuj:
I: Por i urti kurr nuk ngutet
Prej
burrnis e jo prej tutet[11]
( Oso Kuka)
II:
T`huj`n me fjalë mos ta poshtnoni
Me i besue mos i besoni! [12]
III:
Ujit turbullt mos me i ra
Mos
me dalun n`va t`pa va
Me iu ruejtun rrases së lmueme
Me iu ruejtun shakës t`terbueme
Me iu ruejt, po, grues së
lëshueme. [13]
( Marash Uci)
IV: Per dhe
të vet kush dekë ka ra
Aj s`ka dekun, por ka
le.[14]
( Pater Gjoni)
Te shembulli i parë e kemi një lloj antiteze Prej burrnis e jo prej tutet, te
shembulli i dytë e kemi asonancën, ndërkaq te shembulli i tretë e kemi anaforën
në tri vargjet e fundit dhe te e dyta e kemi edhe asonancën: n`va t`pa va, ndërkaq te shembulli i
katërt e kemi aliteracionin në
shkronjën k, të gërshetuar me një
lloj antiteze: Aj s`ka dekun,
por ka le, nëpërmjet të cilës urtia e rithekson faktin e pavdekësisë
së dëshmorëve të rënë për lirinë e vendit të vet.
Gjergj
Fishta përdor një gjuhë të
pasur shqipe me një fjalor dialektor,
pjesa më e madhe e të cilit nuk është përdorur më parë në veprat letrare
aq më pak në poezi. Fishta i përdor në masë të madhe përsëritjet në fillim, në
mes ose në fund të vargut, refrenet, përsëritjet e teksteve të plota,
dialogjet, sentencat filozofike, përbetimet, lutjet, urimet, mallkimet, sharjet
e ashpra, pasthirrmat, pyetjet retorike, të cilat vijnë natyrshëm varësisht nga
situatat që i paraqet ai. Siç pamë nga
shembujt e dhënë figuracioni poetik ka rol të fuqishëm në artikulimin e
shprehjes ekspresive, shpalosjen e mendimeve dhe ndjenjave që barten aq lehtë
dhe me efektshmëri edhe te lexuesi. Hiperbola është figura kryesore e eposit
fishtjan, por një hiperbolë sa fantastike aq edhe realiste. Fantastike për
përmasat zmadhuese të tiparit ose efektit të tiparit, realiste për konkretësinë
e tyre. Siç e kemi më lart krahasimi është
i gjatë, shpesh i ndërlikuar me disa krahasime e të tjera dhe kjo ndosh
po thuajse te të gjitha këngët e tij. Gjithashtu, metafora përdoret me
origjinalitet me nëntekste të shumfishta të folklorit. Epiteti ka gjithnjë
ngarkesa metaforike dhe kryesisht ndërlidhet me Krahasime ose me hiperbola.
Figurat mitologjike lidhen me larushinë e figuracionin poetik, në funksion të ndërtimit
të imazhit poetik, artikulimit ideor dhe artistik të veprës së këtij autori.
[1] Gjergj Fishta, Lahuta e Malcisë, Shtypshkronja
Françeskane, Shkodër, 1997, f. 56.
[2] Po aty, f. 57.
[3]Po aty, f. 42.
[4] Gjergj Fishta, Lahuta e Malcisë, Shtypshkronja
Françeskane, Shkodër, 1997, f. 34.
[5] Po aty, f.120.
[6] Gjergj Fishta, Lahuta e Malcis, Shtypshkronja
Françeskane, Shkodër, 1997, f. 37.
[7] Gjergj Fishta, Lahuta e Malcisë, Shtypshkronja Françeskane,
Shkodër, 1997, f. 3.
[8] Po aty, f. 17.
[9] Gjergj Fishta, Lahuta e Malcis, Shtypshkronja
Françeskane, Shkodër, 1997, faqe 44.
[10] Po aty, f.
21.
[11] Gjergj Fishta, Lahuta e Malcis, Shtypshkronja
Françeskane, Shkodër, 1997, f.17.
[12] Po aty, f. 136.
[13] Po aty, f.136.
[14] Po aty, f. 246.
(Merita Bajraktari Januzi, e lindur në Vushtrri më 10.12.1972. Shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në Vushtrri, ndërkaq studimet universitare në Fakultetin e Filologjisë të UP-së, në degën: Letërsi dhe gjuhë shqipe. U diplomua më 1997 dhe si absolvete mori çmimin Studente e dalluar. Pas një pauze për arsye familjare, iu rikthye studimeve dhe në maj të vitit 2012 mbrojti me sukses temën e diplomës së studimeve pasuniversitare ( Figuracioni poetik te autorë të njohur të letërsisë moderne shqipe). Tani vazhdon studimet doktorale në degën e letërsisë, në Universitetin e Prishtinës.
(Merita Bajraktari Januzi, e lindur në Vushtrri më 10.12.1972. Shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në Vushtrri, ndërkaq studimet universitare në Fakultetin e Filologjisë të UP-së, në degën: Letërsi dhe gjuhë shqipe. U diplomua më 1997 dhe si absolvete mori çmimin Studente e dalluar. Pas një pauze për arsye familjare, iu rikthye studimeve dhe në maj të vitit 2012 mbrojti me sukses temën e diplomës së studimeve pasuniversitare ( Figuracioni poetik te autorë të njohur të letërsisë moderne shqipe). Tani vazhdon studimet doktorale në degën e letërsisë, në Universitetin e Prishtinës.
Qysh
prej fillimit të studimeve bazike është marrë me recensione, vështrime letrare
dhe ka botuar punime në gazetat dhe revistat e kohës. Së fundi i ka botimet në
gazetën Zëri ( tema: Tradita dhe modernia me referenca të shumta
historike) dhe në revistën Shkëndija ( Idetë letrare të Gjergj Fishtës).
Merret edhe me poezi për çka edhe ka marrë çmime në Takimet e poeteshave
shqiptare. Ka në dorëshkrim një numër të konsiderueshëm të poezive
dhe studimeve letrare që mund t`i botojë ndërkohë.
Jeton në Vushtrri
me bashkëshortin dhe katër vajzat, ndërkaq punon në Prishtinë, në Ministri të
Arsimit Shkencës dhe të Teknologjisë.)