Lidhja e Departamentit për Sundimin e Ligjit dhe Shërbimet Korrektuese që do të krijohet në kuadër të UNMIK-ut me gjykatat në lokalitetet kosovare me shumicë serbe po i shqetëson përfaqësuesit ndërkombëtarë mbështetës të pavarësisë.
Sipas tyre, ky zhvillim do të mundësonte paralelizëm të ri në sistemi e drejtësisë kosovare dhe do të minonte të arriturat në dialogun e Brukselit.
Gjykatat që udhëhiqen nga serbët lokalë do të refuzonin sistemin e drejtësisë kosovare duke krijuar lidhje të drejtpërdrejtë me departamentin.
Ky shqetësim bën që shtetet mbështetëse të përpiqen që ta ndalin miratimin e planit për rifuqizim të UNMIK-ut pas disa javësh kur ai pret miratimin në komitetin e fundit të mbetur para fuqizimit.
Plani që i kthen UNMIK-ut kompetencat në drejtësi dhe sundim të ligjit, ka kaluar në komitetet funksionale të Asamblesë së Përgjithshme dhe i mbetet vetëm edhe vota pro në Komitetin e Pestë që pos tjerash miraton edhe buxhetin në mënyrë që të jetësohet në qershor të këtij viti.
Pikërisht takimi i këtij komiteti që do të mbahet me 29 shkurt është edhe shpresa e fundit që të ndalet rifuqizimi i UNMIK-ut në Kosovë.
Megjithatë shtetet që e duan UNMIK-un e fuqishëm në Kosovë nuk ia kanë lënë rastësisë dhe nuk presin rivitalizmin e këtij misioni vetëm me anë të komiteteve.
Këshilli i Evropës, mekanizmi që u përdorur për ta bërë akt të kryer raportin e Dick Martyt do të përdoret edhe për çështjen e UNMIK-ut.
Në këtë këshillë një raportues për sundimin e ligjit ka përgatitur raportin dhe ka kërkuar që me anë të një rezolute të kërkohet fuqizimi i UNMIK-ut për shkak se edhe institucionet kosovare e edhe EULEX-i kanë dështuar në trajtimin e korrupsionit, krimit të organizuar dhe krimet e luftës.
Rezoluta pritet të marrë mbështetje më 29 janar të këtij viti dhe marrë parasysh se Kosova ka mungesë të vote në këtë mekanizëm, miratimi nuk pritet të jetë problem.
Përkundër përpjekjeve të RTV Dukagjini për të marrë përgjigje, misioni i UNMIK-ut në Kosovë nuk kanë qenë në gjendje që të mohojnë se janë duke e krijuar Departamentin për Sundim të Ligjit dhe Shërbime Korrektuese.