2016-02-15

Për çdo të lumen ditë, e bija kërkon t'et. Ajo pyet nënën e saj: "Ku është babi?". Nëna i përgjigjet: "Dil jashtë dhe vetëm thirre tri herë emrin e tij. Ai do të vjen shpejtë".

Gjykata Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë kundër 14 serbëve të komunës së Klinës, të cilët dyshohet se kanë kryer krime të rënda të luftës gjatë vitit 1999 në Kosovë.


Kjo aktakuzë është ngritur nga kjo gjykatë në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale për krime lufte të Kosovës.
Njëkohësisht janë lëshuar ndaj këtyre të dyshuarve edhe fletarrestime, të cilat janë shpërndarë në të gjitha stacionet policore në Kosovë, në pikat kufitare dhe Aeroportin e Prishtinës.
Për përmbajtjen e fletarrestimeve të shpërndara nëpër stacionet policore, zëdhënësi i Policisë në Pejë, Xhevat Ibra, tha se nuk ka njohuri.
Ndonëse nuk janë bërë publike për cilat masakra akuzohen këta 14 serbë nga Komuna e Klinës, burimet flasin se rasti ka të bëjë me masakrën e kryer në fshatin Qyshk të Pejës, më 14 maj të vitit 1999, si dhe në dy fshatrat e tjera në afërsi, në Zahaq dhe Pavlan.
A do të gjykohen kriminelët e luftës nga terreni?




PRANIMI I DRAGANIT - militarit nga vazhdimet e mëparshme - se ka kryer ekzekutime masive dhe se ka marrë pjesë në deportimet në fshatin Qyshk, automatikisht e rangojnë atë në radhën e kriminelëve potencialë të luftës. Megjithëkëtë, ekspertët e drejtësisë ndërkombëtare spikasin se ai, si dhe personat që kanë bërë gjëra të ngjashme, ka gjasa të mëdha të kalojnë pa marrë dënimin e merituar. Për më tepër, Dragani dhe pjesëtarët e tjerë të grupeve militare të nivelit "tokësor", që kanë kryer masakrën në Qyshk dhe në shumë vende të tjera në Kosovë, mund edhe fare të mos çajnë kokën se do të ndiqen ndonjë ditë nga Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në Ish-Jugosllavi, në Hagë.
Dennis Milner, hetues i OKB-së për krime të luftës, thekson se puna e ekipit të tij do të vazhdojë të fokusohet thuaja tërësisht në rangun e lartë të regjimit të të kryeakuzuarit për krime lufte, kryetarit 'jugosllav" Slobodan Milosheviq.
"Mund të thuhet se Tribunali as që është themeluar ndonjëherë ose kurrë nuk ka pasur për qëllim të vihet pas gjykimit të akterëve të krimeve në nivelet e ulëta", thotë Milner. "Ne do të insistojmë në atë se ata në krye janë personat përgjegjës... dhe se ata, duke qenë të implikuar, kanë tërhequr këmbëzën".

....


M. Cherif Bassiouni, ish-hetues i OKB-së për krime lufte, i cili tash ligjëron në Universitetin De Paul në Chicago, pohon se edhe individët që kanë dhënë ndonjë mbështetje për vrasësit do të mund të gjykohen.
"Ata janë njësoj përgjegjës si dhe ata që kanë qenë në terren dhe që kanë vrarë njerëzit", thekson Bassiouni. "Ky është një koncept për përgjegjësinë në grup. Nuk ka ndonjë ndryshim nëse në një bandë kriminelësh, dy vetë qëndrojnë jashtë duke bërë roje ndërkohë që dy të tjerë ndodhen brenda duke plaçkitur ose vrarë. Që të katërt janë njësoj përgjegjës për krimin".
Sido që të jetë, Bassiouni mbështet fokusimin e Tribunalit të Hagës mbi Slobodan Milosheviqin dhe bashkëpunëtorët e tij të lartë. Çështja themelore, thotë ai, nuk është në dënimin e krimeve të kaluara, por në parandalimin e krimeve të ardhshme.
"Po, personat nga terreni kryejnë krimet", thotë Bassiouni. "Por, përderisa atyre të mos i jepen urdhrat për të bërë diçka të tillë, përderisa atyre nuk i garantohet imunitet, ata nuk do të dëshironin të bëjnë këtë krye në vete. Mënyra e vetme për të parandaluar këso lloj krimesh bëhet në do të kemi për cak liderët e tyre".
Me gjithë fokusimin e Tribunalit në udhëheqësinë serbe, ekipet e hetuesve kanë bërë hetime nëpër Kosovë për të mbledhur dëshmi dhe materiale të tjera. Disa javë pas hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, një ekip patologësh nga policia daneze që punojnë për Tribunalit, kanë vizituar Qyshkun. Ata kanë ekshumuar kufomat të djegura ose gjysmë të djegura, që janë varrosur në një varr masiv në qendër të fshatit, te varrezat, në vendin e njëjtë ku edhe ishin tubuar nga militarët serbë, më 14 maj. Patologët danezë, po ashtu, kanë nxjerrë plumbat nga dërrasat e nevojtores ku ishte vrarë dhe masakruar Çaush Lushi.
Në qoftë se njeriu që e ka vrarë Çaush Lushin do të identifikohet, bazuar në planin e OKB-së, ai do të gjykohej në gjykatat lokale në Kosovë dhe jo në tribunalin ndërkombëtar në Holandë. Mirëpo, sistemi lokal i drejtësisë vuan nga disa pengesa. E para, të gjithë të dyshuarit për krime kanë ikur në Serbi ose në Mal të Zi. E dyta, është mungesa e policëve dhe punëtorëve të tjerë të sigurimit që do të kapnin këta të dyshuar.
Në anën tjetër, zyrtarët e administratës së OKB-së në Kosovë, nuk mbyllin sytë edhe për dhunën që është ushtruar ndaj minoriteteve serbe dhe rome në vend, pas hyrjes së NATO-s. Administrata e përkohshme në Kosovë ka përllogaritur se rreth 300 njerëz janë vrarë në Kosovë, që kur lufta ka marrë fund. Por, përkundër kësaj, ekspertët e drejtësisë theksojnë se Tribunali nuk është i gatshëm të hetojë dhunën që është ushtruar gjatë kësaj periudhe kohore, ngase me juridiksionin e OKB-së mbulohen vetëm krimet e kryera gjatë luftës.
Kush duhet të sjellë drejtësinë në vend?
ËSHTË SHUMË E VËSHTIRË të besohet se të gjithë kriminelët që kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë do të gjenden prapa grilave. Ka kaluar një kohë relativisht e gjatë nga përfundimi i luftës në Kosovë dhe ka pasur vetëm disa raste të arrestimit të disa të dyshuarve që kanë kryer krime lufte në Kosovë.
Kjo gjë ka filluar të brengosë shumë edhe të angazhaurit për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Kjo e brengos edhe Fred Abrahamsin nga "Human Rights Watch".
"Gjykatat e kanë të vështirë të merren me hajnat e thjeshtë të xhepit e jo më me krime të luftës", thotë Abrahams. "Nuk mund të llogaritet shumë në këto gjykata. Ç'është e vërteta, kjo na vë në një pozitë të vështirë për kërkimin e drejtësisë. Unë dëshiroj të shoh kriminelët prapa grilave dhe është diçka frustruese ta dish se një gjë e tillë nuk do të ndodhë".
Sa i përket drejtësisë, një qëllim tjetër i NATO-s mbetet në pajtimin ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve.
Në të njëjtën kohë që shqiptarët ishin mbledhur në ceremoninë e rivarrimit të viktimave të Qyshkut, në korrik të 1999-s, serbët nga fshati me të kaluar lumin, Gorazhdec, po varrosnin viktimat e tyre - një djalë të ri dhe një grua të moshuar, që ishin vrarë nga sulmues të panjohur.
Gorazhdeci është i vetmi fshat në komunën e Pejës, ku ende jetojnë pjesëtarët e minoritetit serb. Fshati tash ngjan në një oazë të rrethuar nga të gjitha anët me shqiptarët dhe ka një mbrojtje shumë të madhe nga forcat e KFOR-it. KFOR-i ka organizuar çdo javë disa autobusë, të cilët marrin serbët nga fshati, të enjten, i dërgojnë ata në Mal të Zi dhe i kthejnë prapa të premten.
Të mbijetuarit e Qyshkut shpesh kanë ngulur këmbë se disa nga militarët që i kanë sulmuar më 14 maj, kanë qenë nga fshati Gorazhdec. Ndërkaq që, me të përfunduar lufta, është aluduar se disa nga të dyshuarit për krime lufte kanë gjetur strehim në këtë fshat, gjë që nuk ka mundur të konfirmohet ndonjëherë. Forcat paqëruajtëse kanë kryer një bastisjenë këtë fshat, në fillim të vjeshtës, dhe kanë gjetur disa armë dhe municion, por nuk kanë arrestuar askë.
Flamur Kelmendi, koordinator i prokurorisë për qarkun e Pejës, që përfshin pesë komuna e edhe Qyshkun, thotë se për momentin nuk kanë mundësi të kapin të dyshuarit për krime lufte në Kosovë dhe për t'i sjellur ata para drejtësisë.
"Kjo është edhe vështirësia me të cilën përballemi", thotë Kelmendi. "Të dyshuarit për krime lufte nuk ndodhen në mesin tonë. Ata kanë ikur së bashku me forcat serbe që janë tërhequr në Mal të Zi ose në Serbi dhe dihet se ne nuk kemi ndonjë marrëveshje me organet e sigurisë nga këto vende, që do të mund të ndihmonte në kapjen dhe dorëzimin e këtyre personave".
Deri më tash në Pejë nuk është kapur dhe rrjedhimisht nuk është gjykuar asnjë kriminel lufte, edhe pse dihet se vetëm në komunën e Pejës janë më se 500 të vrarë gjatë kohës së luftës.
"Ne jemi të gatshëm të veprojmë në këtë drejtim, por na nevojitet ndihma", thekson prokurori Kelmendi.
Në anën tjetër, një punë të palodhur në mbledhjen e materialeve për krime - përfshirë këtu dëshmitë e të mbijetuarve, ekzaminimin e kufomave, identifikimin e tyre, identifikimin e kriminelëve dhe mbledhjen e të dhënave për ta e deri te fotografitë e këtyre keqbërësve - ka bërë edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, dega në Pejë.
"Besojmë të jetë një punë me shumë dobi kjo që kemi bërë dhe të gjithë ato që ia kemi dalë të mbledhim do t'ia dorëzojmë Tribunalit të Hagës", thotë Tahir Demaj, kryetar i këtij këshilli. "Materialet do t'ia dorëzojmë edhe prokurorit të qarkut. I mbetet pastaj Tribunalit dhe gjykatave lokale të merren me këto çështje".
Të mbijeturit theksojnë se zvarritjet në kapjen e atyre që i kanë marrë më të dashurit dhe që u kanë shkaktuar dëme të tjera, vetëm sa iu shtojnë dhimbjen, por ata dëshirojnë të besojnë se diçka do të bëhet për të kthyer drejtësinë në vend.
"Në mos nuk do të bëhet asgjë, nuk mbetet tjetër, vetëm që drejtësinë ta ndajë vetë", thotë Aliu, vëllai dhe babai i të cilit i janë vrarë në masakrën në Qyshk. "Njëherë do të më kërcet filmi dhe..."
"Na duhet drejtësia sikurse plagës ilaqi"
SHIRAT DHE I FTOHTI, që paralajmëronin një dimër të vështirë, e kishin zënë Akifin, bujkun që ka mbijetuar masakrën e tmerrshme, duke bartur materialin për t'i vënë kulmin shtëpisë së tij të djegur.
Tash edhe ajo ka kaluar.
Akifin, në vizitën tonë të fundit në Qyshk, e gjetëm të strehuar në shtallën, ku dikur kishte mbajtur lopët. Ajo tash ishte adoptuar si një shtëpi e vogël.
Varret e viktimave të Pavlanit, një fshati të afërt me Qyshkun, i cili po ashtu është sulmuar më 14 maj.(Foto: Stephen Smith)
"Jetohet...", thotë shkurt Akifi, i thjeshtë si gjithnjë, pa dashur të ankohet.
Ne ia kemi dalur të zbulojmë se kush ka qëlluar mbi Akifin dhe 10 meshkujt e tjerë, të cilët kishin dhënë shpirt pranë tij. Ne kemi zbuluar se kush ka udhëhequr sulmin mbi Qyshk dhe zingjirin komandues që ka qenë prapa në organizim. Ne kemi zbuluar se luftëtarët serbë kanë qenë të motivuar nga hakmarrja, lakmia, detyra dhe frika.
Mbetet vetëm çështja e kohës! Pse sulmi ka ndodhur mu më 14 maj dhe jo më herët gjatë luftës? Vetëm komandatët e policisë dhe armatës së Milosheviqit e dinë përgjigjen.
Një mundësi: emri i Qyshkut më në fund kishte dalë në krye të listës së caqeve.
Plagët nga plumbat në trupin e Akifit tashmë janë shëruar dhe ai bën përpjekje, bashkë me ndonjë organizatë humanitare, të rindërtojë shtëpinë. Akifi beson se Perëndimi edhe do të sjellë drejtësinë në vend. "Jam thellë i bindur se ata do të përgjigjen në Hagë", thotë ai për kriminelët që kanë kryer masakrën në Qyshk. "Ata që janë fajtorë, ata që kanë duart e zhytura me gjak, ata do të dënohen".
Të mbijetuarit e tjerë, përfshirë këtu edhe Aliun, mësuesin 35 vjeç nga Qyshku, ngulin këmbë në teorinë për pasojat që mund të sjellin moskapja dhe dënimi i ekzekutuesve dhe komandantëve.
"Na duhet drejtësia sikurse plagës që i duhet ilaqi", thekson ai. "Në do ta leni plagën të hapur, në nuk do ta mbyllni atë, ajo kurrë nuk do të shërohet".
Aliu frikësohet se urrejtja do të vazhdojë edhe për një gjeneratë.
Lulja, 27-vjeçarja që ka mbijetuar masakrën dhe që ka varrosur eshtrat e babait dhe të shumë të tjerëve në varrezat e fshatit, rrëfen storien për vajzën 3 vjeçe, babai i së cilës është vrarë në masakër, po ashtu:

      Për çdo të lumen ditë, e bija kërkon t'et. Ajo pyet nënën e saj: "Ku është babi?". Nëna i përgjigjet: "Dil jashtë dhe vetëm thirre tri herë emrin e tij. Ai do të vjen shpejtë".Vajza e vogël i thotë secilit se babai i saj ka shkuar në Gjermani për t'ia blerë një biçikletë.
Një ditë ajo kishte shkuar me nënën e saj te varrezat e fshatit për të kuptuar se ç'kishte ndodhur vërtetë. Vajza e vogël e kishte pyetur nënën: "A është ky vendi ku e kam babin?"
Dhe nëna ishte dorëzuar: "Po, babain e ke të varrosur këtu".
Vajza kishte filluar të qajë dhe kishte thënë: "Këtu e kam babin që ma kanë vrarë banditët dhe serbët". Pas kësaj ajo kishte filluar të gropojë me duar varrin, duke thirrur: "Ta nxjerrim babin prej këtu dhe ta çojmë në spital... ndoshta do të shërohet".
Si ndodhi masakra e Qyshkut?

Më 14 maj 1999 ishte ditë e premte, kur në fshatin Qyshk (2-3 km afër Pejës) u vranë e u masakruan barbarisht 42 meshkuj, gjatë një sulmi të furishëm nga forcat e kombinuara elite militare e paramilitare serbe. Në mëngjesin e së njëjtës ditë, forcat serbe kishin sulmuar edhe dy fshatra të tjerë fqinje, Pavlanin dhe Zahaqin, dhe pasi kishin dëbuar nga shtëpitë e tyre gratë, fëmijët dhe pleqtë, kishin vrarë mizorisht dhjetëra shqiptarë të pafajshëm.

Sipas një raporti të publikuar nga “American Radio Works” dhe organizata joqeveritare amerikane “Human Rights Watch”, ky sulm ushtarak ishte planifikuar tri ditë më herët, më 11 maj, në një takim të komandantëve të ushtrisë dhe policisë serbe në Pejë.



Sreçko Popoviq (i dyti nga e majta) dhe Sllavisha Kastratoviq (i treti nga e majta) të fotografuar me uniforma të kamufluara bashkë me persona të paidentifikuar.

Dëshmi: Si ndodhi masakra e Qyshkut?

Të mbijetuarit e masakrës së Qyshkut, për “Human Rights Watch”, kanë deklaruar se “ushtarët kishin të veshur uniforma të përziera - disa kishin uniforma policie dhe të tjerat ishin të ushtrisë jugosllave. Ata kishin fytyrat të ngjyrosura, kurse disa mbanin edhe shami për t'u maskuar”. Kur janë futur forcat serbe në fshat, disa mashkuj kishin bërë përpjekje për t´u fshehur në një mal me drunj të dendur në afërsi të fshatit, mirëpo ishin vrarë derisa orvateshin të arratiseshin, ndërsa shumica e familjeve ishin kapur nëpër shtëpitë e tyre. Me këtë rast të gjithë banorët e zënë janë dërguar pranë varrezave të fshatit, ndërkohë që forcat e shumta serbe kanë filluar t´i djegin shtëpitë e fshatit. Në këtë situatë të rëndë, gratë dhe fëmijët janë veçuar nga meshkujt, dhe pasi ata janë ndarë në tri grupe i kanë ngujuar në tri shtëpi dhe janë pushkatuar mizorisht. Pas ekzekutimit të burrave, shtëpive u është vënë zjarri, me qëllim të humbjes së gjurmëve të krimit, mirëpo për çudi në secilën shtëpi i kanë shpëtuar vdekjes nga një person, dhe ata tashmë kanë rrëfyer gjithë ngjarjen e tmerrshme të ditës së 14 majit.



Vidomir Shalipur (këmbë në qendër) dhe Nebojsha Miniq (këmbë, djathtas) së bashku me militarë të armatosur rëndë dhe me një flamur shqiptar të rrëmbyer


Kush u masakrua më 14 Maj 1999 në fshatin Qyshk të Pejës?

Më 14 maj, në Qyshk janë vrarë e masakruar këta persona (civilë) të paarmatosur:
- Ramë Dervish Gashi (65),
- Xhafer Ramë Gashi (40),
- Rrahim Dervish Gashi (55),
- Rasim Hysen Ramaj (45),
- Metë Shala (55),
- Selim Maxhun Gashi (50),
- Haki N. Gashi (45), Jashar Azem Gashi (58),
- Muharrem Azem Gashi (50),
- Avni Drevish Gashi (50),
- Skënder Dervish Gashi (35),
- Musë Shaban Gashi(63),
- Ibish Kadri Gashi (55),
- Rrahim Shaban Gashi (55),
- Ahmet Rrustem Gashi (35),
- Emin Bekë Gashi (60),
- Emrush Krasniqi, mysafir nga Vranoci,
- Ismet Bajraktari, mysafir nga Raushiçi,
- Hasan Metë Hatamaj - mysafir nga Batusha,
- Gani Avdyl Hasanaj, mysafir nga Batusha,
- Hasan Ahmet Çeku (70),
- Bedri Ahmet Çeku (65),
- Isuf Shala, mysafir nga Grabofci,
- Çaush Rrustem Lushi,
- Ardian Çaushi (30),
- Ardian Çaush Lushi (20),
- Osman Haxhi Lushi (48),
- Sefedin Haxhi Lushi (44),
- Avdullah Lush Lushi (45),
- Ukë Lush Lushi (43),
- Ramiz Lush Lushi (40),
- Xhafer Lush Lushi (35),
- Skënder Lush Lushi (30),
- Nifa Din Kelmendi (55),
- Skënder Din Kelmendi (50),
- Besim Din Kelmendi (38),
- Ardian Skënder Dina (20),
- Rrahim Sylë Kelmendi (40),
- Xhemë Isuf Kelmendi (40),
- Mentor Shaban Kelmendi (22),
- Avdi Shaban Berisha (58) dhe
- Zeçir Aliaj - mysafir nga Zllopeku.

Maskrat barbare serbe në fshatrat tjera të Pejës

Në mëngjesin e së njëjtës ditë, forcat serbe kishin sulmuar edhe dy fshatra të tjerë fqinje, Pavlanin dhe Zahaqin, dhe pasi kishin dëbuar nga shtëpitë e tyre gratë, fëmijët dhe pleqtë, kishin vrarë mizorisht edhe 35 shqiptarë të pafajshëm.

Në fshatin Pavlan u ekzekutuan:
- Zymer Sadik Gashi (70),
- Agush Selman Gashi,
- Liman Hajzer Gashi,
- Haxhi Rexhë Dreshaj (41),
- Shaban Tahir Kelmendi (52),
- Zenun Shala, mysafir nga Fusha e Pejës,
- Musë Isuf Lulaj (75),
- Rrahim Salih Nikçi (55),
- Xheirane Brahim Nikçi (25),
- Hatixhe Kamer Nikçi (50),
- Ajshe Avdyli dhe
- ? Kelmendi (40).

Ndërsa në Zahaç janë ekzekutuar këta persona:

- Zenel Bekë Berisha,
- Shaban Kasem Neziraj,
- Sadri Ymer Ramaj,
- Faton Sadri Ramaj,
- Valdet Nezir Ramaj,
- Shpend Rexhë Hyseni,
- Naim Hajrullah Hyseni,
- Ismet Hajrullah Hyseni,
- Haki Hajrullah Hyseni,
- Sabit Hajrullah Hyseni,
- Bajrush Avdyl Hyseni,
- Fehmi Rashit Gjokaj,
- Hysen Rashit Gjokaj,
- Ruzhdi Halil Dobraj,
- Muhamet Halil Dobraj,
- Halil Halil Dobraj,
- Bekim Ahmet Delijaj- rom,
- Shaban Sokol Ramaj,
- Zymer Osmanaj,
- Shaban Osmanaj,
- Fakë Rexhep Murati - mysafir,
- Demë Ahmet Hatashi - nga Leshani.

Më 1 qershor 1999, njësitë kriminale serbe në Qyshk ekzekutojnë edhe 10 civilë shqiptar, këta janë:
- Ajeshe Nezir Kastrati,
- Mirjeta Nezir Kastrati,
- Haxhi Halil Dobraj,
- Xhevrije Halil Dobraj,
- Qerim Halil Kelmendi (95), nga Lutogllava dhe
- shoqja e tij, Selime Klemendi (75),
- djali i Qerim Halilit,
- Gani Kelmendi (52),
- djali i Ramadanit, 1.5 vjet.
(Të gjithë ata me mbiemrin Kelmendi i përkisnin të njejtës familje)

Në fshatin Nabërgjan janë vrare e masakruar mizorisht:´
- Jusuf Rexhep Dreshaj (49),
- Haxhi Dervishi (65),
- Beqë Nimani(70),
- mysafir nga Nakulli,
- Selman Brahim Ibërdemaj (55),
- Ukë Ademi (65) prej Malajve të Rugovës dhe
- gruaja e Ramë Berishës (50), nga Nabërgjani,
- Vesel Ramë Dreshaj (50),
- Rexhep Kuçi (45),
- Shpëtim Rexhep Kuçi (23),
- Shkurte Bërbati (60),
- gruaja e Bajram Hajdin Bërbatit (65),
- Bute Bajrtaktari (34),
- Ramë Rexha (70),
- Vulake Sadri Mujaj (75),
- Ibish Sadri Mujaj (50),
- Sulltane Ramë Lajçi (50).
Këto viktima janë gjetur rreth shkollës së Nabërgjanit dhe të gjithë janë të identifikuar.

Në fshatin Shaptej janë zhdukur këta persona:
- Hasan Lushi nga Raushiqi dhe
- Mahmut Idriz Mahmutaj nga Trubuhovci.

Personat nga fshati Trubuhovc, për të cilët mendohej se ishin të zhdukur janë:
- Nexhat Ramë Mahmutaj,
- Ahmet Binak Mahmutaj,
- Fahredin Sylë Mahmutaj,
- Bedri Binak Mahmutaj,
- Bedrije Niman Mahmutaj,
- Halil Niman Mahmutaj,
- Ervin Niman Mahmutaj,
- Merita Hamit Asllanaj,
- Bjetë Hamit Asllanaj,
- Ardita Hamit Asllanaj,
- Brahim Lushi.

Cilat njësi kriminale sebe morën pjesë në masakrimin e shqiptarëve?!

Në ekzekutimin e këtyre shqiptarëve kanë marrë pjesë, njësitë militare e paramilitare serbe, pikërisht ato njësi që kishin masakruar edhe 42 shqiptare në fshatin Qyshk.

Ndër njësitet serbe që kanë marrë pjesë në masakrën e Qyshkut, janë:

Formacioni “Frenki”, një njësit komando i emëruar sipas udhëheqësit të tij Franko Simatoviq - “Frenki”, ka qenë pjesë e forcave speciale të sigurimit shtetëror të Serbisë, të njohur edhe si “Crvene beretke” (Beretat e kuqe).

“Operativna Grupa” ose “OPG” (grupi operativ), një njësit elitë i policisë serbe, pjesëtarët e të cilit me krenari kanë quajtur veten “Magla” (mjegulla), sipas gjasës se pas aksioneve të ndërmarra nuk kanë lënë ndonjë gjurmë. “OPG-ja” mësohet të ketë marrë urdhrat nga gjeneralë të lartë në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë. Bazuar në dëshmitë e disa burimeve serbe, pjesëtarët e OPG-s kanë marrë pjesë edhe në disa masakra tjera famëkeqe në Kosovë, ndër të cilat është ajo e Abrisë së Ulët, Reçakut, Pavlanit, Zahaçit etj.

Njësiti snajperist i Armatës së Tretë “Jugosllave”, grup që theksohet të ketë qenë nën komandën e drejtpërdrejtë të kryegjeneralit të Armatës së Tretë serbe.

Pastaj, grupet paramilitare të ashtuquajtur “Munja” (vetëtima). “Munja”, në raportin e “Human Rights Watch-it” përshkruhen se “ka qenë një mishërim i çuditshëm i policëve, kriminelëve dhe të vetëquajturve patriotë, (plotësisht nën kontrollin e armatës dhe policisë), të cilët nga serbët ishin konsideruar si legjendarë, për përleshjet e tyre që kishin zhvilluar me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe për sulmet e pamëshirshme mbi civilët shqiptarë”.

Udhëheqës i grupit paramilitarë “Munja” ishte krimineli famkeq

- Vladimir Shalipuri - Munja, (ky kriminelë është vrarë nga UÇK’ja), ndërsa në këtë grup bënin pjesë:
- Nebojsha Miniq - Mrtvi,
- Milan Kaljeviq i njohur me nofkën “Rambo” dhe ”Puçrrani”,
- Sreçko Popoviq,
- Sllavisha Kastratoviq,
- Zvonimir Cvetkoviq,
- Mijo Paviqeviq,
- Sasha Jaksomoviq,
- Vlladan Krstoviq - Xhuxha,
- Boro Bubanja e shumë të tjerë.

Shikoni Fotot e kriminelëve: 1 - 2 - 3 - 4 - 5 - 6 - 7 - 8

Dëshmitë që akuzojnë kriminelët - neglizhenca e EULEX’it dhe e institucioneve të Kosovës për t´i nxjerr ata përpara drejtësisë!

Pas përfundimit të luftës, kur popullata kthehet në Qyshk, kanë gjetur dokumente ushtarake e madje edhe fotografi, në të cilat shihen militarët e paramilitarët serbë ( të lartpërmendur) në aksione, duke buzëqeshur mistershëm me armë në dorë përpara shtëpive që i kishte kapluar zjarri.

Edhe pse emrat e kriminelëve që kryen masakrën në Qyshk dhe në fshatrat tjera të Pejës, janë identifikuar nga njerëzit që mbijetuan krimin, deri më sot askush nga përgjegjësit e sigurisë në Kosovë, (policia e EULEX’it, gjykatat dhe SHPK-ja…) po as institucionet tjera ndërkombëtare dhe ato vendore, nuk kanë treguar aspak interesim, për t´i arrestuar dhe sjellë ata kriminelë përpara drejtësisë.


Një banor i Qyshkut viziton shtëpinë ku babai së bashku me kushërinj të tjerë të tij ishte vrarë dhe djegur. Ky burrë gjatë sulmit ishte fshehur në pyll. Ai ishte kthyer për të varrosur të mbeturat e 35 kushërinjve dhe fqinjëve.

(Foto: Stephen Smith)


Kjo neglizhencë e çuditshme, shumë e çuditshme (edhe pas dhjetë vjetësh nga përfundimi i luftës) duket se po mbretëron edhe te i gjithë spektri i lidershipit politik - institucional (pozitë e opozitë) duke mos përjashtuar këtu as organizmat tjerë jo-qeveritare dhe shoqërinë civlie përgjithësisht.


 Një banor shqiptar i Qyshkut, Akifi, demonstron se si ai së bashku me 11 persona të tjerë ishin vënë në linjë dhe qëlluar nga militarët serbë. Shtëpia ishte djegur, por ky burrë ka shpëtuar. Atë e fotografon një hetues i të drejtave të njeriut.
(Foto: Stephen Smith)





















Ndonëse shqiptarët janë dëshmitarë okularë për krimet barbare serbe të kryera në Kosovë, përveç rangut më të lartë shtetëror të Serbisë në krye me kryekriminelin Sllobodan Millosheviq, për këto krime, padyshim se janë përgjegjës edhe strukturat tjera më të ulëta politike e shtetërore të saj, e veçanërisht institucionet akademike serbe, siç janë Akademia e Shkencave e Serbisë dhe përgjithësisht inteligjencia serbe.
Për më tepër, në këtë kuadër përgjegjës historik për golgotën shqiptare, është kisha serbe në krye me patriarkun Pavle, e cila në vazhdimësi ishte mbështetëse dhe promotore shpirtërore e jetësimit të projekteve antishqiptare, nga regjimi kriminal serbë.



Dy banorë të Qyshkut, të cilët e kanë mbijetuar sulmin e 14 majit në fshat. Që të dy kanë humbur etërit dhe vëllezërit në masakër.
(Foto: Stephen Smith)


Meqë ekzistojnë të gjitha dëshmitë që provojnë inkriminimin e kriminelëve serbë në vrasjen e shqiptarëve në Qyshk, Reçak, Prekaz, Lybeniq, Abri, Izbicë, Krushë e Madhe, Krushë e Vogël, Therandë, Tusus, Rogovë, …, atëherë është imperativë i kohës ngritja e padive penale kundër qindra kriminelëve të tillë, veç e veç, në grupe apo dhe ngritja e një kallzimi penal kundër vetë shtetit serb. Nëse nuk merret një hap i tillë, jam i bindur se historia dhe gjeneratat e ardhshme do ta gjykojnë rëndë këtë klasë të papërgjegjshme politike dhe institucionale!


Kush është Zvonimir Cvetkoviq - Zvonko
PESË OSE GJASHTË SERBË ishin mbledhur rreth zjarrit në oborrin e shtëpisë ku jetonte tash i dyshuari për krime lufte, Zvonimir Cvetkoviq - Zvonko, duke ngritur dolli me gotat e vogla të mbushura me raki kumbullash dhe duke mbrehur thikat e tyre vezulluese. Ata po përgatiteshin ta prenin një derr shumë të madh. Me një shtytje të përnjëhershme ata kthejnë bishën në krah, secili prej tyre duke mbajtur nga një këmbë të tij. I pesti, ndalet për një çast mbi kokën e madhe të derrit dhe, me një lëvizje të beftë dhe të shpejtë të thikës, e pren derrin në fyt. Një curril i ku gjaku del nga gërrmazi i prerë i bishës, teksa bën përpëlitjet e fundit në jetë.

Brenda shtëpisë së vogël, përfundimisht del përpara Zvonimir Cvetkoviqi. Në dhomën ku rrinte së bashku me të shoqen, vajzat dhe balldëzat, Zvonkoja na ofron kafe dhe pranon që të flasë.

Ai është një mezoburrë 46 vjeç, me flokë të dendura që kanë filluar të thinjen dhe me njërin sy gjysmë të mbyllur, i cili i kishte mbetur në kujtesë fshatarëve të llahtarisur. Cvetokoviqi ishte mësuar të refuzonte ato që kishte parë të botoheshin në gazetat lokale në Mal të Zi - si dhe në Internet - sipas të cilave ai kishte qenë i lidhur me krimet që ishin kryer në Qyshk.

"Gjithë ajo për të cilën unë kam qenë i interesuar të bëj ka qenë që të shkoj në punë herët në mëngjes dhe të kthehem në shtëpi pasdite", thotë ai. "Kurrë nuk kam qenë në Qyshk. Kurrë nuk kam kryer shërbimin ushtarak dhe kurrë nuk kam mbajtur revole në dorë".

Me të shpjeguar se disa njerëz kishin dëshmuar se e kanë parë atë në Qyshk gjatë sulmit, ai me rrëmbim dhe nervozë qëllon me grusht tavolinën dhe thotë: "Më lejoni të ju them diçka. Në do të ishte përzier madje edhe vëllau im në diçka të tillë, unë do ta tregoja menjëherë. Ata kanë qenë qenë e jo njerëz, ata që kanë bërë këtë punë në Qyshk".

Megjithëse Cvetkoviqi ngulte këmbë vazhdimisht se kishte qëndruar larg luftës, ai dëshmonte me saktësi detaje të shumta për njësitet militare dhe për komandantët e tyre.

Si mund të dijë ai kaq shumë?

Ai nuk e tregon. Por, kjo kishte bërë që të ktheheshim prapa në Pejë dhe të flasim me shqiptarët, të cilëve, sipas fjalëve të Cvetkoviqit, do të dëshmonin se ato çfarë thotë vetë janë të vërteta.

Kështu, ne gjetëm në Pejë një familje shqiptare, të cilën, gjatë bombardimeve të NATO-s - me të filluar serbët vrasjet dhe dëbimin masiv të shqiptarëve nga shtëpitë e tyre - Cvetkoviqi e kishte përcjellur në rrugën drejt Malit të Zi. Por, në bisedën me këtë familje, ne ia dolëm të kuptojmë disa detaje të tjera shumë kruciale, për të cilat Cvetkoviqi nuk kishte folur. Për shembull, familja shqiptare e tregon fare qartë dhe ngul këmbë në faktin se Cvetkoviqi i ka përcjellur ata për në Mal të Zi, por se ai në atë kohë ka qenë i veshur me uniformë ushtarake dhe se mbante me vete një pushkë automatike. Kjo binte në kundërshtim të plotë me ato që Cvetkoviqi na kishte thënë në Mal të Zi, kinse nuk kishte veshur kurrë uniformë dhe se nuk kishte mbajtur kurrë revole në dorë. Sipas kësaj del se Zvonkoja e ka ndihmuar këtë familje, ngase miku i tij i kishte pasur miq të ngushtë dhe se në të njëjtën kohë kishte larguar edhe familjen e tij në atë drejtim. Familja shqiptare tregon se ai tërë kohën e kishte qortuar mikun e tij për rrezikun në të cilin e kishte futur - rrezikun e përcjelljes së një familjeje shqiptare.

Një shqiptar tjetër, të cilin e vizituam, për të cilin Cvetkoviqi na kishte porositur ta pyesnim, po ashtu, na tregoi se e kishte parë Zvonkon vetëm disa javë para se të ndodhte masakra e Qyshkut, dhe se ai kishte pasur të veshur uniformën ushtarake dhe se kishte mbajtur një automatik. Ndërsa, e treta e vërteta, njeriu i tretë i cili do të duhej të thoshte fjalë të mira për Cvetkoviqin, ish-punëtori në kompaninë "Pe-trans", Dardani, dyshonte se Cvetkoviqi ka qenë gjithnjë në bashkëpunim me bandat ushtarake në Pejë.

"Ai gjithmonë do të vinte për të na folur", rrëfen Dardani. "Por, njëkohësisht, ai ishte më ekstremisti në mesin e punëtorëve serbë. Ndodhte që ai të thoshte: 'Duhet t'i vrasim të gjithë shqiptarët, të marrim pastaj buldozerët dhe t'i rrafshojmë fshatrat; duhet që t'i dëbojmë ata të gjithë'".

"Nuk di çfarë të them", rrudhë krahët Dardani, "ndoshta këto kanë qenë vetëm fjalë".

Pra, tashmë e kishim të qartë se Zvonimir Cvetkoviq - Zvonko ishte bashkuar me militarët për të sulmuar fshatin Qyshk - dhe sigurisht edhe dy fshatrat e tjerë - dhe që ndoshta ka qenë vetëm një ushtar i parëndësishëm gjatë operacionit. Kështu që, filluam të gjurmojmë edhe për komandantët ushtarakë, për të cilët kishin treguar Cvetkoviqi dhe shumë luftëtarë të tjerë serbë, që kishin qenë më aktivët në rajon.

Njësitet militare që kanë marrë pjesë në sulm
LUFTËTARËT SERBË QË KANË QENË në Qyshk, më 14 maj, ose ata të cilët dinin diçka për ndodhinë e tmerrshme të mesit të pranverës, dëshmojnë se sulmi ka qenë i organizuar nga grupet më elite të policisë së Serbisë, si dhe armatës dhe njësiteve paramilitare - trupa këto nën direktiva të drejtpërdrejta nga gjeneralët më të afërt të të akuzuarit për krime lufte, Slobodan Milosheviqit.

Në sulm kishin marrë pjesë edhe bandat militare, po ashtu, të cilat janë quajtur "trupat e befasisë".

Ndër njësitet serbe që kanë marrë pjesë në Qyshk, janë:

Formacioni "Frenki", një njësit komando i emëruar sipas udhëheqësit të tij Franko Simatoviq, njërit nga agjentët më të rrezikshëm dhe njëkohësisht të mistershëm, për të cilin flitet se është një komandant veteran nga lufta e Bosnjës.


Sreçko Popoviq (i dyti nga e majta) dhe Sllavisha Kastratoviq (i treti nga e majta) të fotografuar me uniforma të kamufluara bashkë me persona të paidentifikuar. "OPG", ose "Operativna Grupa" (grupi operativ), një njësit elit i policisë serbe, pjesëtarët e të cilit me krenari kanë quajtur veten "Magla" (mjegulla), sipas gjasës se pas aksioneve të mdërmarra nuk kanë lënë ndonjë gjurmë. "OPG-ja" mësohet të ketë marrë urdhrat nga një gjeneral i lartë në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë.

Luftëtarët nga ky grup kanë theksuar se "OPG" qëndron prapa masakrës që ka ndodhur në fillim të vitit 1999, natën ndërmjet 14 dhe 15 janarit, në Reçak, që kishte grishur pezmin e komunitetit ndërkombëtar dhe, sipas shumë analistëve, kishte qenë pika shtytëse për ndërrimin e politikës botërore kundër Serbisë, rrjedhimisht duke cytur fillimin e bombardimeve të aleancës së NATO-s.

Njësiti snajperist i Armatës së Tretë "Jugosllave", grup që theksohet të ketë qenë nën komandën e drejtpërdrejtë të kryegjeneralit të Armatës së Tretë.

Pastaj, banda paramilitare "Munja" (vetëtima). "Munja" ka qenë një mishërim i çuditshëm i policëve, kriminelëve dhe të vetëquajturve patriotë, të cilin nga serbët ishin konsideruar si legjendarë, për përleshjet e tyre që kishin zhvilluar me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe për sulmet e pamëshirshme mbi civilët shqiptarë.

Në mesin e 17 luftëtarëve, me të cilët u takuam në Mal të Zi, kishte qenë edhe Branko, një veteran shpatullgjërë i grupit militar "Munja", në të katërdhjetat e hershme. Branko tregon se ai ishte rritur në Pejë dhe se i ishte bashkuar grupit vetëm tre muaj para fillimit të luftës ajrore të NATO-s.

"Me t'iu bashkuar 'Munjës' më është thënë se detyra jonë do të jetë spastrimi etnik - dëbimi i njerëzve nga shtëpitë e tyre", rrëfen Branko. "Kishim edhe punë të tjera, po ashtu, jo vetëm spastrimin. Bënim arrestime, në të shumtën e rasteve, caku ynë ishin liderët e shqiptarëve dhe eliminimi i gjithë atyre që përkrahnin idenë e Kosovës së pavarur. Jo vetëm liderët e UÇK-së, por edhe shqiptarët me ndikim, intelektualët".

Autoritetet serbe një kohë të gjatë kanë refuzuar çfarëdo lidhje me paramilitarët, siç është, për shembull, grupi "Munja". Por, luftëtarët serbë ngulin këmbë se paramilitarët, përfshirë këtu edhe "Munjan", kanë qenë "njësite speciale" nën kontrollin e armatës dhe policisë. Pikërisht, njëri nga komandantët më famëkëqinj dhe më të frikshëm, Vidomir Shalipur - polici më i njohur në qytetin e Pejës për dhunën e ushtruar ndaj shqiptarëve - ka qenë mu një polic serb. Shalipuri është vrarë më 8 prill, 1999, nga një ushtar 17-vjeçar i UÇK-së, në pusinë e vënë në afërsi të fshatit Radac. Funerali i tij kishte qenë një ndër më të mëdhenjtë që kanë organizuar ndonjëherë serbët e Pejës, ndërkaq që kishte qenë një ndër lajmet më të gëzueshme që kishin marrë shqiptarët e qytetit perëndimor, të cilët ishin dëbuar nga shtëpitë dhe ishin strehuar në vendet fqinje. Madje, edhe përkujtimorja me rastin e vdekjes së tij, tregon për lidhjen e tij me grupin, duke shkruar si shtojcë të emrit - Vidomir Shalipur - "Munja".



Urdhrat kanë ardhur nga nivelet më të larta
VRASJA E POLICIT VIDOMIR SHALIPUR, bazuar në dëshmi të shumta, kishte bërë që grupi militar "Munja" të mbetej nën drejtimin e partnerit të tij në krime, kriminelit Nebojsha Miniq. Kjo kishte qenë edhe një ndër strategjitë e luftës së Milosheviqit në Kosovë - policët dhe kriminelët të luftojnë krah për krah më njëri-tjetrin.

Nebojsha Miniq është një 38-vjeçar, i cili veten e quan "Mrtvi" (i vdekuri), nofkë që e ka marrë nga tatuja që tregon një njeri të vdekur në krahëror.

Branko, njëri nga pjesëtarët e "Munjas", rrëfen se Miniqi ka vrarë disa shqpitarë në Pejë dhe rrethinë. "Ai ishte ekstremist që nga fillimi", thotë Branko. "Ai gjithnjë ka qenë një njeri që ka jetur në tehun e shpatës. Ai ishte i mbushur plot me urrejtje ndaj shqiptarëve. Kishte bërë aktivitete kriminale së bashku me ta dhe ata e kishin tradhëtuar. Kështu që, ai ka qenë i mbushur me ndjenjën për hakmarrje. Ishte në gjendje të vriste tërë një familje, nënën, babain, ose motrën, vetëm për këtë gjë."

Isai nga Peja, ka treguar se si Nebojsha Miniq kishte dhënë urdhrin për të vrarë gjithë familjen e tij. Një natë para hyrjes së trupave të NATO-s në Pejë, pjesëtarët e grupit të Miniqit, kishin ekzekutuar shtatë pjesëtarë të familjes së Isait. Isai ia kishte dalur t'i shpëtojë vrasjes. Prej shtatë të pushkatuarve - pesë kishin qenë fëmijë.


Vidomir Shalipur (këmbë në qendër) dhe Nebojsha Miniq (këmbë, djathtas) së bashku me militarë të armatosur rëndë dhe me një flamur shqiptar të rrëmbyer Disa dëshmitarë, si fshatarët shqiptarë ashtu edhe militarët serbë, identifikojnë Nebojsha Miniqin si njërin nga komandantët e sulmit mbi Qyshk, Pavlan dhe Zahaq, më 14 maj. Së bashku me Miniqin ishte edhe njeriu hijerëndë nga fotografitë, Burdushi, emri i vërtetë i të cilit është - Sreçko Popoviq.

Një pjesëtar tjetër i grupit "Munja", Petar, thekson se Miniqi dhe Popoviqi kanë qenë komandantë të këmbësorisë në Qyshk. Mirëpo, Petar ngul këmbë se planet për betejat dhe listat e ekzekutimit kanë ardhur nga zyrtarët e nivelit të lartë të armatës dhe policisë, të cilët edhe e kishin drejtuar operacionin.

"Ne na jepeshin listat nga komandantët e policisë për shqiptarët që ishin lojal ndaj UÇK-së ose që kishin lidhje me ta", tregon Petar. "Qëllimi ishte që të spastrohet çdo fshat. Na ishte urdhëruar që të ndanin gratë dhe fëmijët prej burrave. Ne merrnim çdo mashkull që kishte mbi 15 vjeç".

Disa luftëtarë kanë bërë të ditur për "American Radio Works" se sulmi mbi Qyshk ishte planifikuar në takimin e komandantëve të armatës dhe policisë në Pejë, më 11 maj. Një libër shënimesh, i nënshkruar nga komandanti rajonal ushtarak, koloneli ushtarak Dushan Antiq - i cili i është treguar "ARW"-së nga zyrtarët e Këshillit Komunal në Pejë - konfirmon se në Qyshk ishin dërguar trupa përforcuese, tri ditë para sulmit. Gjithashtu, disponojmë me një kopje të dokumentit, të nënshkruar nga i njëjti komandant "jugosllav" Antiq, që dëshmon për të ashtuquajturin "Shtab të krizës", ku drejtuesit serbë të ndërmarrjeve të ndryshme në qarkun e Pejës, kishin marrë detyrat përgjegjëse të dala nga gjendja e krijuar me shpalljen e gjendjes së luftës në Jugosllavi. Ky dokument mbante datën e 25 marsit, ndërkaq drejtuesit ftoheshin për të marrë detyrat në mbledhjen që do të mbahej më 1 prill, 1999. Sipas dokumentit, armata merrte mbi vete autoritetin absolut në rajon, ku përfshihet edhe fshati Qyshk.

Nga këto dokumente dhe deklarata nga luftëtarët përgënjeshtrojnë pohimet se njësitet e tyre nuk kanë qenë të involvuara në sulmet mbi civilë.

Bazuar në burimet pranë policisë serbe, listat e ekzekutimit kanë ardhur nga armata lokale dhe komandantët e policisë, duke vazhduar të ngjiten lart e më lart në zingjirin komandues. Një oficer nga një njësit elit i policisë sekrete serbe ka deklaruar se ai ka përcjellur urdhëresa të detajizuara për arrestime dhe deportime drejtpërdrejt te komandantët e policisë dhe armatës në Kosovë, në mesin e të cilëve kanë qenë edhe ato për grupin "Munja". Ai dëshmon se këto urdhëresa dilnin nga kancelaritë e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Beograd.

"Urdhri për të dëbuar me forcë shqiptarët ka ardhur nga Beogradi, nga vetë kreu", tregon oficeri i lartë i Armatës Jugosllave, i cili parapëlqen të mbetet anonim. "Ne ishim fokusuar parësisht në rajonet ku UÇK-ja kishte përkrahje, siç është Peja".

Por, ky oficer shton se ajo që kishte filluar, sipas tij, si një luftë legjitime kundër "terroristëve shqiptarë" UÇK-së, së shpejti ishte kthyer në një luftë të përgjithshme kundër civilëve shqiptarë. Ajo ishte një luftë ku secili mashkull shqiptar pak më i rritur ishte trajtuar si një terrorist potencial.

"Me të filluar sulmet ajrore", tregon oficeri, "çdo gjë u keqësua. Ne u bëmë më të varur nga militarët dhe njësitet speciale, ngase rekrutët dhe rezervistët tanë nuk po e kryenin punën si duhet. Gjithçka u kthye përmbys. Në këtë gjendje, unë isha një polic që duhej të punoja me kriminelët, në vend se t'i arrestoja ata".

Nga burgu në luftë
SHUMË MILITARË SERBË janë dërguar në Kosovë drejt e nga qelitë e burgjeve në Serbi. Disa prej këtyre militarëve që kanë luftuar në Kosovë i pranuan "American Radio Worksit" se ata ishin liruar nga vuajtja e dënimit në burg me kushtin e ardhjes për të luftuar në Kosovë.

Një nga ta është Marko, një ish i burgosur që tash jeton në Mal të Zi. Ai është një figurë tipike e njeriut nga nëntoka serbo-malaziase, një djalosh meskuloz me zixhirë prej ari të varur në qafë, syze dielli të shtrenjta dhe shortse "Bermuda". Markoja tregon se në kohën kur ishte liruar nga burgu kishte qenë duke vuajtur dënimin prej pesë vjetësh në Serbi, për shkak të një përleshjeje të armatosur. Pas lirimit, ishte stërvitur në një kamp serb policie, i ishte dhënë arma dh ishte dërguar në Pejë, për të kryer të ashtuquajturat - operacione speciale.

"Urdhërat që më jepeshin mua ishin që të arrestoja njerëzit dhe t'i fusja brenda", tregon Marko. "Pastaj, ka pasur urdhra speciale për të kapur individë të veçantë dhe për t'i sjellur ata gjallë ose vdekur. I kam likuiduar pesë a gjashtë njerëz në këtë mënyrë. Arrestonim njerëz të rëndësishëm, politikanë, funksionarë. Për çmimin e lirisë sonë ne ishim në gjendje të bënim, thjeshtë, gjithçka".

Markoja dhe disa militarë të tjerë serbë të intervistuar kanë theksuar se disa njësite janë sponsoruar nga gangsterët serbë, që kanë lidhje të ngushta me policinë sekrete të Slobodan Milosheviqit. Këta sponsorë u kanë paguar luftëtarëve shuma parashë prej 5-6 mijë markash për një muaj dhe kanë bërë aranzhimet për armët dhe municionin nga armata si kundërshpërblim për ndaljen e një pjese të madhe të pronave shqiptare.

Mrakoja tregon se punëdhënësi i tij ishte famëkeqi, Zheljko Razhnatoviq - Arkan. Arkani ishte njëkohësisht politikan - kryetar i Partisë së Bashkimit Serb (SSJ) - dhe mafioz, për të cilin në vitin 1997 ishte ngritur aktakuza nga Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në Ish-Jugosllavi, për krimet që kishte kryer gjatë luftërave në Kroaci dhe Bosnjë. Aktakuza ishte shpallur botërisht, nga atëbotë kryeprokurorja Louise Arbour, gjatë muajve të bombardimeve të NATO-s mbi "Jugosllavi", në vitin 1999, kur i ishte shtuar sipas burimeve edhe dosja e krimeve në Kosovë.

Razhnatoviq është vrarë në janar të vitit 2000 në një atentat në hotelin "Interkontinental" në Beograd.

Fred Abrahams nga organizata "Human Rights Watch" beson se kriminelët e manipuluar nga shteti ishin një komponent esencial i luftës së udhëhequr nga Serbia në Kosovë.

"Ka pasur elemente të fuqishme kriminale të mishëruar në tërë zingjirin që vjen nga armata, nëpërmjet policisë e deri te paramilitarët", vlerëson Abrahams, "dhe ky është një refleksion i shtetit Serb dhe Jugosllav. Ky është një regjim gangsterësh. Po flasim për një vend që është i qeverisur nga njerëz që janë të mishëruar thellë në të gjitha sojet e aktiviteteve ilegale dhe të dyshimta. Pra, në kjo do të fillojë mu në krye, në nivelin ministror, është më se e qartë se do të arrijë edhe në nivelin e banditëve të rrugës dhe policëve lokalë".


Kriminelët nuk kënaqeshin vetëm me para...
KËTA BANDITË DHE POLICË janë dërguar me urdhrin e komandantëve nga nivelet e larta që të shplajnë Qyshkun dhe dy fshatra të tjerë. Të mbijetuarit dëshmojnë se kanë parë Nebojsha Miniqin dhe Sreçko Popoviqin - komandantët e formacionit "Munja" - të torturojnë civilët e paarmatosur dhe të terrorizojnë ata me të shtëna nga automatikët, madje edhe buzë këmbëve të fëmijëve.

"American Radio Works" ia ka treguar fotografitë e Miniqit dhe Popoviqit njërit nga të mbijetuarit në një nga dhomat e likuidimit në Qyshk, bujkut rreth katërdhjetë vjeç të quajtur Besim. Pa mëdyshjen më të vogël, ai rrëfen se i kujtohet fare qartë se Popoviqi ka dhënë urdhrin për të ndarë meshkujt shqiptarë që do të ekzekutoheshin.

"Ai qëndronte në mes dhe jepte urdhrat", kthen kujtimet për Sreçko Popoviqin, Besimi. "Ushtarët e tjerë dolën në krye të grupeve dhe na dërguan nëpër shtëpi. Gjatë gjithë kohës, ky Popoviqi, na bërtiste: 'Keni kërkuar NATO-n, tash do t'ju tregojmë ne NATO-n! Ju shqiptarët kurrë nuk do të jeni të lirë, vetëm nëse do të vrisni tërë 11 milionë serbët'".

Edhe Skënderi, një burrë tjetër i mbijetuar në masakër, identifikon Popoviqin nga fotografitë.

"Kam pasë vërejtur se mbante një kryq rreth qafës", thotë ai. "Kishte të veshur një fanellë me ngjyrë të gjelbër ushtarake. Ai ka dhënë urdhrat që të na ndanin në dy grupe dhe të na dërgonin nëpër shtëpitë...".

Në intervista të ndara, dëshmitarët theksojnë se Popoviqi nën kërcënimin e armëve ka vënë para grupin prej dhjetë meshkujsh dhe i ka dërguar në njërën shtëpi. Në këtë grup kishte qenë edhe Skënderi.

Pas disa çastesh, disa rrebeshe armësh ishin dëgjuar dhe meshkujt e vënë në vijë me shpinë nga muri ishin shembur të vrarë nga plumbat e ekzekutorit serb. Skënderi, megjithëse me disa plagë në këmbë, ia kishte dalë të shpëtonte, duke dalë nga dritarja, pak para se shtëpinë, tashmë të mbushur me kufoma, ta kaplonte zjarri.

Ndërkohë, Nebojsha Miniqi ishte duke gjuajtur ndonjë pre më të majur. Miniqi e kishte rrëmbyer Çaush Lushin, 51 vjeç, burrin e njohur si më i pasuri në Qyshk. Njerëzit e Miniqit, po ashtu, e kishin kapur të birin e Çaushit, Arianin, 21 vjeç, për të shantazhuar atë me qëllim të marrjes së çelësave të veturës. Çaushi u kishte ofruar vetë të merrnin veturën dhe disa para, duke shpresuar se serbët do të tregoheshin të mëshirshëm dhe do t'ia kursenin jetën e të birit. Dëshmitarët tregojnë se Miniqi e kishte dërguar Çaush Lushin në shtëpinë e tij.

Gruaja e Çaushit, Ajshja, kishte mbetur në mesin e grupit të femrave, derisa gjithë këto skena rrëqethëse ishin luajtur para syve të saj të mbushur me lot.

"Çaushi u solli atyre gjithë paratë që kishim", kthen kujtimet më të këqija të jetës së saj ajo. "Ai solli gjithçka vetëm për ta shpëtuar birin tonë të dëshirit. Kur ai u kthye te vendi ku na kishin grupuar, te varrezat e fshatit, pa se Arianin e tij e kishin marrë ushtarët. 'Ku e kam djalin?', ka pyetur. Dhe ata iu përgjigj gjakftohtë: 'Ti mund të kesh para, të jesh i pasur, por kjo nuk do të thotë se ne nuk do të ta vrasim djalin!'".

I biri, Ariani, i vetmi djalë në familje, ishte pushkatuar së bashku me 10 meshkuj të tjerë, disa minuta para se Çaushi të kthehej me paratë. Çaush Lushi së fundi është parë i gjallë me Nebojsha Miniqin - "Mrtvin", komandantin e "Munjas".

Një ditë më vonë, Ajshe Lushi e kishte gjetur kufomën e burrit të saj të masakruar në një nevojtore fshati.

"Ishte i shtrirë me fytyrë për tokë, derisa në të gjitha anët shihej gjaku", rrëfen ajo si e përhumbur. "Ishte shumë e vështirë të shikoje. Ishin mbledhur aq shumë miza. E kishin prerë në fyt dhe gati ia kishin prerë shuplakën fare. Ndoshta kur ia kishin vjedhur orën e shtrenjtë. Pas kësaj, kam bërtitur dhe i kam thënë: 'Çaush, të vranë edhe ty, tash nuk na ka mbetur mashkull në shtëpi. Ku e kemi birin tonë? Tash pa ty, më nuk kemi shtëpi".

"Ishim të pajisur me urrejtje kundër shqiptarëve"
TË SHTATËMBËDHJETË LUFTËTARËT serbë të intervistuar, kanë pranuar të bënin një gjë të tillë, vetëm pasi që iu kishim premtuar se nuk do t'i publikonim emrat e tyre. Thuaja, që të gjithë kanë pranuar se kanë sulmuar edhe shqiptarët civilë. Disa luftëtarë serbë kanë pranuar, po ashtu, se kanë kryer ekzekutime masive, edhe pse asnjëri prej tyre nuk ka pranuar se ka qenë i përzier në vrasjen mizore të Çaush Lushit.

Shumica e luftëtarëve theksojnë se ata i kanë bërë këto vullnetarisht, duke konsideruar një gjë të këtillë si një fushatë legjitime kundër terroristëve. Mirëpo, motivacionet e tyre të vërteta variojnë.

Vasoja është një burrë i imët, rreth 30 vjeç, i cili ka lindur dhe është rritur në Serbi. Ai ishte punësuar pasi që kishte hedhur firmën në letër për të shkuar në luftë në Kosovë. Teksa kishte parë militarët e tjerë duke vrarë gra dhe fëmijë shqiptarë, ai për një kohë ishte turbulluar. Por, Vasoja thekson se kishte vazhduar me zbatimin e urdhrave.

"Ne ishim si të pajisur me njëfarëlloj ndjenje patriotike të detyrës, posaçërisht me rritjen e intensitetit të luftës aktive", tregon Vasoja. "Ne ishim ushtarë, ne ishim sikur qenë të luftës të cilët vrasin pa u mëdyshur për këtë, pa menduar fare. Këta ishim ne. Ishim po ashtu të pajisur me urrejtje... Mendoj se gjeneralët kanë krijuar një projekt, njëfarëlloj plani, për të na mbushur me urrejtje për shqiptarët".

Luftëtarët e tjerë, veçanërisht pjesëtarët e grupeve militare, ishin të kapluar nga pasione të ndryshme dhe nuk ndjenin ndonjë keqardhje për vrasjen e civilëve shqiptarë. Me Milanin u takuam në tarracën e një kafeterie të zhurmshme. Ai është një burrë i parruar, me sy të skuqur dhe të mëdhenj. Ai ka një të kaluar kriminale, po ashtu. Milani pohon se i ka takuar grupit militar "Munja", një bande ku të vetëquajturit patriotë serbë ishin njëkohësisht edhe kidnapues të paguar nga shteti.

"Më herët, policia sekrete serbe transportonte shqiptarët në mënyrë të sigurt përtej kufirit, duke i bartur ata fshehurazi në bagazhet e veturave", tregon ai. Për këtë merrnin nga 5 mijë DEM. Me të marrë vesh për këtë djemtë nga njësiti im, filluam edhe ne të bënim një gjë të tillë. Pastaj, me të ashpërsuar më tepër bombardimet e NATO-s, nuk përpiqesha që t'ia kaloja shqiptarëve kufirin. Vetëm u merrja paratë dhe i vrisja".

Milani thotë se nuk ka marrë pjesë në sulmin mbi Qyshk. Kështu që shkojmë ta shohim një tjetër që ka marrë pjesë në masakrën e tmerrshme. Ky është Predragu. Ai ka të veshur një fanellë "Versace", xhinse të të zeza dhe gëzon një respekt të veçantë në kafeterinë që ri. Predragu ka insistuar që biseda të zhvillohet në bodrumin e një hoteli buzë detit. Gjatë gjithë bisedës rrinte i ulur në karrige, teksa, nën prapanicë mbante një revole "Magnum 44" të nikelizuar dhe të gatshme, për çfarëdo nevoje.

"Së pari, nuk jam duke biseduar me ju ngase dua ta bëj këtë", thotë ai. "Këtë e bëj vetëm se jam i mbushur. Jam i mbushur deri në fyt. Disa gjëra nuk mund t'i mbaj më brenda. Në do të dëshironit ju ose jo, duhej të punonim për policinë. Duhet të kesh para në qoftë se dëshiron të jetosh. Fabrikat nuk punonin, asgjë nuk funksiononte. Nuk kisha dëshirë të shihja njerëzit duke vdekur, nuk kisha dëshirë të shihja gjakun gjithkah rreth meje, por u mësova edhe me këtë".

Sytë e Predragut duken të lodhur dhe të shqetësuar. Nga qafa e tij rrjedh djersa. Gjëja tjetër e cila e shtyn të bisedojë është se dëshiron ta shfaqë mllefin kundër Milosheviqit, për arsyen se ai kishte braktisur Kosovën pas luftës. Kjo është një ndjenjë që ndajnë një pjesë e madhe e luftëtarëve. Predragu rrëfen edhe për mllefin e familjes së tij dhe shokëve në Serbi të cilët refuzojnë të besojnë storiet për ato që ka parë në Kosovë. Mbi të gjitha, duket sheshazi se Predragu dëshiron t'ia hapë dikujt zemrën, pa marrë parasysh se kush janë ata. Ai dëshiron të rrëfejë për tmerrin.


"Vetë i ekzekutova të gjithë... përse të harxhonim fishekët"
"VËLLA, ËSHTË E VËSHTIRË ta shikosh ndarjen e meshkujve nga familjet e tyre dhe pastaj t'i vrasësh ata", pohon Predragu, me një ndjenjë të çuditshme brenda vetes. Ai nuk e di se a është duke ndjerë keqardhje për ato që ka bërë së bashku me kolegët e tij të krimeve ose vetëm flet përqartë për të nxjerrë dufin që i është stisur brenda. Ndjenjat e tij janë të përziera.

"Nuk ka asgjë më të keqe sesa kur shikon fytyrat e nënave, motrave, fëmijëve... se si dënesin kur shohin duke iu marrë etërit ose vëllezërit".

Predragu, me të thënë këto, ndalet për një çast, merr frymë thellë dhe vazhdon:

"Një grua në Qyshk m'u qas pranë. Ishte 50 vjeçe dhe kishte gjashtë a shtatë fëmijë. Militarët ia kishin marrë burrin me vete. Ajo më ofroi 6 mijë marka në qoftë se do t'ia liroja burrin. Në sytë e saj unë pashë nënën time që lutej për jetën time. Dëshirova ta ndihmoj. Por, në do të provoja ndonjë gjë, vetëm se do ta vrisja edhe veten. Natën, tash ku bie për të fjetur, fytyra e saj më torturon".

Disa militarë serbë rrëfejnë storie të tilla. Kujtimet që i kanë marrë me vete nga Kosova, sytë e çjerrë dhe të përlotur të grave dhe fëmijëve nuk i lënë ata të qetë. Por, këtu shtrohet pyetja se si djelmoshat si këta kanë mundur të vrasin aq shumë njerëz dhe t'i vrasin ata aq metodikisht.

A ishin ata vetëm duke i ndjekur urdhrat?

Kjo pyetje iu shtrua një burri tjetër që kishte qenë në Qyshk, Draganit. Dragani është një djalë i ri që kishte kryer shërbimin ushtarak në armatën "jugosllave" dhe që iu kishte bashkëngjitur si vullnetar njësitit militar, të cilët veten e kishin quajtur "Brigada Cara Dushana", sipas carit serb të mesjetës. Dragani pa pushim ngrydh cigaren me gishtërinjtë e tij të zverdhur nga tymi, gjë që tregon nervozën e tij, teksa flet në një kafeteri për ato që kanë ndodhur në Qyshk.

Dragani pohon se pjesëtarët e grupit "Munja" dhe "OPG" kanë udhëhequr sulmin dhe se kanë hyrë në Qyshk 200 metra par njësitit të tij.

"Gjithfarë gjërash kanë ndodhur në atë fshat", thotë ai tek flet për Qyshkun. "E rrethon një djalë të rritur dhe e merr në pyetje. Pas kësaj ai fillon të qajë ose ulet në gjunjë. Zakonisht, ai do të të ofrojë para për ta liruar. Por, njësiti ynë nuk ka lejuar të bëhen këso lloj pazarllëqesh. Dhe, motivimi ynë kryesor në Qyshk ishte hakmarrja".

Dragani shpjegon se disa kolegë të tij nga njësiti militar ishin vrarë kohëve të fundit gjatë përleshjeve me UÇK-në. Kështu që, kur kishin sulmuar Qyshkun, pjesëtarët e mbijetuar kishin etje të madhe për t'u hakmarrë. Me rrjedhën e rrëfimit të Draganit për Qyshkun, detajet ngadalë shkojnë duke u përshtatur me ato që kishte dëshumar Akifi, njëri nga të mbijetuarit në Qyshk.

Dragani: "Ishin rreth 12 veta që ne vendosëm t'i marrim në pyetje. Tashmë kishim pastruar të gjithë shqiptarët nga sektori ynë, kështu që i dërguam këta meshkuj në një shtëpi të zbrazët".

Akifi: "Ata na dërguan brenda shtëpisë së një komshiu dhe na vunë në dhomën e ditës në vijë me shpinë nga muri".

Dragani: "U thamë se meshkujt nga ky fshat më herët kanë marrë pjesë në sulmet mbi ne. Për këtë arsye komandantët tanë kanë marrë vendimin për t'ju vrarë".

Akifi: "Njëri prej tyre, një ushtar i ri, erdhi te ne dhe na tha se duhet të presim derisa të bisedojë me komandantët e tij".

Dragani: "Ishte e qartë se disa prej tyre kishin qenë në UÇK. Zbuluam se disa prej tyre mbanin fanella të gjelbra në rrobat e tyre të zakonshme. Si dhe çorape të gjelbra - e gjelbër ushtarake. Ky ishte gabimi i tyre. Ne morëm hakun".

Akifi: "Nuk e di se për çka kanë biseduar. E gjithë kjo zgjati vetëm një sekondë, pastaj ai u kthye dhe tha: 'Në emër të Serbisë, të gjithë jeni të dënuar me pushkatim'".

Dragani: "U thashë se këtë po e bënim në emër të Serbisë. Vetë i ekzekutova të gjithë. Nuk më nevojitej askush tjetër. Përse të harxhonim fishekët?"



Ç'ka qenë njësiti militar "Munja"?
KUSH JANË PJESËTARËT e njësiteve serbe që kanë kryer krime në rajonin e Kosovës Perëndimore, posaçërisht në Qyshk, Pavlan dhe Zahaq? Kush i ka formuar ato? Kush i ka drejtuar ato? Cili ka qenë misioni i tyre? Këto janë pyetjet që kërkojnë përgjigje.

Më poshtë do të lexoni dëshmitë që për këto formacione i kanë dhënë vetë pjesëtarët e tyre, si dhe detajet e tjera të dala nga analizat dhe burimet militare perëndimore.

"Munja" (vëtetima) është formuar në fillim të vitit 1998, si një njësit që do t'iu kundërpërgjigjej sulmeve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që sa vete e shtoheshin në rrethinën e Pejës. Njësiti ishte menduar për të qenë si një krah i "Posebne Jedinice Policije (PJP)" (njësite spaciale të policisë) të Ministrisë së Punëve të Brendshme, bazuar në dëshmitë e disa luftëtarëve serbë. Munja ka pasur prej 30 deri në 50 luftëtarë dhe një numër të madh të automjeteve të blinduara, të cilat, me fillimin e bombardimeve të NATO-s, ishin strehuar në barakat e "Armatës Jugosllave" në Pejë.

Njësitet e "Munjas" kanë bartuar uniforma të njëjta të kamufluara, të njëjta me uniformat e PJP-së, ndërsa nganjëherë kanë ngjitur në krahë nga një shirit.

"Ata ishin djelmoshat të cilët shkonin në vendet ku askush tjetër nuk dëshironte", shpjegon një rezervist serb policie. "Kur këta ishin në vijën e parë, para nesh, dëmet që pësonim ishin të reduktuara në minimum. Dhe është e vërtetë, 'Munja' shkatërronte çdo gjë, dhe kur them çdo gjë, ajo edhe do të thotë mu çdo gjë".

Sikurse edhe militarët e tjerë serbë, "Munja, po ashtu, financohej nga lidhjet joformale me komandantët e policisë dhe armatës, si dhe nga qarqet e ndryshme politike. Disa luftëtarë kanë dëshmuar se ky grup ka pasur lidhje të ngushta në Pejë me anëtarët e Partisë Radikale Serbe (SRS) të Vojislav Sheshelit dhe me zyrën e prefektit të Pejës, Jovo Popoviqit.

Gjatë luftës, Jovo Popoviq ishte zëvendës i komandantit të "Shtabit të krizës" për qarkun e Pejës, i emëruar nga "Armata Jugosllave".

Një lidhje tjetër e tyre ishte edhe me shefin e policisë ushtarake në Pejë, i cili është raportuar t'u ketë dhënë "Munjas" qasje në informatat dhe operacionet në këmbim me një pjesë të vlerave të plaçkitura nga shqiptarët.

Komandant i grupit militar "Munja" ka qenë Nebojsha Miniq, një kriminel me dosje të trashë dhe me një stazh bukur të gjatë nëpër burgje. Ai veten e quante "Mrtvi" (i vdekuri). Por, sipas shumë përllogaritjeve, truri militar i këtij grupi famëkeq ishte polici i njohur serb, Vidomir Shalipuri. Shalipuri, kohë më parë, iu kishte bashkëngjitur, si polic, njësitit special të quajtur "Operativna grupa (OPG)" (grupi operativ). Sipas një burimi nga policia, ai e kishte lëshuar OPG-në për "Munjan" "për të pasur më tepër autonomi në operacione dhe për të qenë komandant". Raportohet se ndër pjesëtarët e tjerë të "Munjas" kanë qenë: Miqo Martinoviq, Gjuro Kastratoviq, Milan Kaljeviq dhe Obrad Rajiqeviq.

"Munja" kishte marrë pjesë në disa përleshje të mëdha me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, në mesin e të cilave edhe një në Jabllanicë. Shalipuri, veçanërisht njihet në mesin e disa policëve të tjerë, si shumë represiv që ka rrahur dhe terrorizuar shqiptarët e qytetit të Pejës edhe para se të fillonin përleshjet e para në Kosovë dhe para se të shfaqej UÇK-ja. Sipas ditarit të një serbeje, të gjetur pasi që ajo kishte lënë shtëpinë e saj në Pejë dhe ishte strehuar në Mal të Zi, shkruan se kur nënat shqiptare kanë dashur t'i vënë në gjumë fëmijët e vet, në vend të ninullave kanë kënduar: "Flej, flej, se po vjen Shalipuri". Sipas gjitha gjasëve, pjesëtarët e grupit "Munja" kanë qenë të lidhur mes vete edhe familjarisht. Mësohet se motra e Shalipurit ka qenë e martuar me komandantin tjetër të "Munjas", Sreçko Popoviqin. Disa luftëtarë serbë kanë dëshmuar se Popoviqi, i cili vinte nga Serbia e Jugut, ka aranzhuar transportimin e vlerave të vjedhura për në Serbi.

Burimet shqiptare kanë theksuar se Popoviqi, para luftës, ka kryer punën e mbikqyrësit të punëtorëve në birrarinë e Pejës. Ai tash, siç mësohet, ka hapur një kafeteri në Novi-Sad.

Me vrasjen e Shalipurit në një pusi në afërsi të fshatit Radac, në prill të viti 1999, kishin filluar edhe ditët e vështira për "Munjan". Me vdekjen edhe të disa pjesëtarëve të tjerë të grupit, mendohet se numri i luftëtarëve ishte zvogëluar dhe se pak prej tyre kanë mbijetuar.

Por, jo të gjithë luftëtarët serbë thonë fjalë miradie për aftësitë luftarake të militarëve "Munja".

"Ata gjithmonë i kanë fëlliqur punët", thotë një polic serb, detyra e të cilit kishte qenë të furnizojë me pajisje komunikimi dhe të përcjellë urdhrat nga komanda e policisë serbe në Prishtinë te njësitet militare. "Ata kanë qenë të pakujdesshëm. Nuk kanë qenë të disiplinuar... Por, ua kemi pasur nevojën".

OPG - njësit që ka kryer masakrat në Abri, Reçak dhe në Qyshk
"GRUPI OPERATIV" (OPG) është një njësit elit antiterrorist për të cilin deri tashti nuk është ditur ose është ditur shumë pak ndër hetuesit e krimeve në Kosovë, si edhe nga organet e mediave. Sipas shumë dëshmive që ia ka dalë të mbledhë "American Radio Works", OPG-ja është formuar në Kosovë si një njësit elit antiterrorist. Bazuar në dëshmitë e disa luftëtarëve serbë, OPG-ja ka marrë pjesë në disa nga masakrat më famëkeqe në Kosovë, ndër të cilat është Abria e Ulët, Reçaku dhe Qyshku. OPG-ja është formuar nga policët më të mirë nga e gjithë Kosova, si edhe nga lokalitetet në Serbi. Sipas raportimeve, ky njësit është themeluar gjatë muajve të vonshëm të vitit 1997, ndërsa pjesëtarët e tij janë stërvitur në Serbi.

Një polic sekret i rangut të lartë ka bërë një përshkrim në detaje të këtij grupi militar: "Është paraqitur nevoja për një njësit të tillë, ngase në aksionet e fundit të njësiteve policore kundër UÇK-së, ato nuk ishin treguar edhe aq të efektshme dhe po pësonin dëme shumë të mëdha. 'Crvene beretke' (beretat e kuqe, forcat speciale të sigurimit shtetëror të Serbisë) ishin shumë të zëna për t'u inkuadruar në operacionet në pjesë të brendshme të Kosovës, ndërkaq që policia kishte nevojë për njësite që do të kryenin operacione të shpejta, të cilat do të zbatoheshin me një sekret të plotë".

"Këto njësite zakonisht kanë operauar me nga 12 ose 24 meshkuj në grup. Luftëtarët nga njësitet e tjera policore kanë pasur fare pak kontakte me OPG-në, posaçërisht në kohën para bombardimeve. Kjo ka qenë edhe arsyeja përse ata janë quajtur 'Magla' (mjegulla) - ata zhdukeshin pa lënë ndonjë gjurmë... OPG-së i ishin besuar detyra speciale, për të shkatërruar bërthamën e njësiteve armike, për të kryer sulme të befasishme dhe për të terrorizuar popullatën shqiptare. Kjo nënkupton edhe vrasjen e civilëve në rajonet e UÇK-së, me qëllim të shuarjes së çfarëdo dëshire ndër shqiptarë për të hyrë në radhët e tyre. Kështu ka ndodhur edhe ne Reçak. OPG-ja ka qenë një grup shumë i fuqishëm dhe shumë efektiv, por ata kanë marrë pjesë në shumë krime, ku kanë mbetur të vrarë shumë civilë".

Pjesëtarët e OPG-së kanë bartur uniforma të ndryshme për aksionet e ndryshme që kanë kryer, por ata ishin më së miri të njohur nga uniformat e tyre të zeza dhe për armët e tyre të prodhimit perëndimor. "Ata nuk kanë mbajtur armë ruse ose jugosllave, e dini, si ato AK-47. Ata kishin armët më bashkëkohore të NATO-s.

Ishte diçka impresive".

Pjesëtarët e OPG-së, të shumtën e rasteve kanë qenë të armatosur me pushkë automatike "Hekler-Koch". Burime nga policia serbe theksojnë se OPG-ja ka qenë nën kontrollin e drejtpërdrejtë të gjeneralit Obrad Stevanoviq, komandant i forcave të policisë speciale serbe dhe njëri nga komandantët më të rëndësishëm të Milosheviqit. Sipas të gjitha gjasave, OPG-ja ka qenë pjesë e "Specijalne Antiteroristicke Jedinice - SAJ" (Njësitet specilae antiterroriste) të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilat janë komanduar nga gjenerali Stevanoviq. E themeluar, më 1995 nga gjenerali Radovan Stjiçiq - Baxha, SAJ-i, sipas të gjithë përllogaritjeve, ka qenë njësiti më elit i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (me përjashtim të Departamentit të Sigurimit Shtetëror). Duke pasuar atentatin e kryer mbi themeluesin e këtij njësiti, Baxhën, tek ndodhej me të birin në restorantin "Mamma Mia" në një lagje të Beogradit, SAJ-i ka rekrutuar pjesëtarë të rinj në Kosovë dhe ka shtuar numrin e vet në rreth 1.000 meshkuj.

SAJ-i ka qenë posaçërisht i njohur për bartjen e uniformave të zeza, me të cilat janë dalluar nga njësitet e tjera militare që kanë vepruar në Kosovë, si edhe për armët e tyre nga Perëndimi, bazuar në dëshmi të shumta.


"Frenkit" - profesionistët e mistershëm
FORMACIONI MILITAR "FRENKI" (ose "Frenkijevci") është njëri nga njësitet më sekrete serbe që kanë luftuar në Kosovë dhe të cilët, sipas të gjitha gjasave, kanë marrë pjesë edhe në masakrën në Qyshk.

"Frenki" ka qenë pjesë e forcave speciale të sigurimit shtetëror të Serbisë, të njohur edhe si "Crvene beretke" (Beretat e kuqe), po ashtu. Emri i këtij njësiti militar rrjedh nga Franko Simatoviq, një komandant i mistershëm, i cili, siç raportohet, ka qenë koka e disa operacioneve të mëdha gjatë luftërave në Bosnjë dhe Kroaci.

Simatoviqi ka qenë i lidhur ngushtë, gjatë kohës së këtyre dy luftërave, me njësitet militare të Zhelko Razhnatoviqit - Arkanit dhe të Vojislav Sheshelit.

Gjatë luftës në Kosovë, "Frenki" ka qenë një njësit me disiplinë të lartë, që ka kryer operacionet e ashtuquajtura komando. Ata kanë qenë të njohur për armët e tyre të sofistikuara (prodhim perëndimor), radiolidhjet e veçanta dhe kapelat e gjelbra me strehë, të ngjashme me ato të kaubojëve. Zakonisht, kanë ngasur xhipa me ngjyrë të zezë ose të gjelbër, ndërsa preferonin modelin "Cherokee").

Sipas një komandanti të policisë serbe, "Frenkit" kanë përdorur emra të ndryshëm për operacione të ndryshme.

"Kanë pasur një autoritet të përgjithshëm. Ata mund të bënin çdo gjë. Kanë pasur armët për të cilat ne vetëm do të mund të ëndërronim".

Miloshi, një ish-pjesëtar i "Frenkit", thotë se ai kishte luftuar në Kroaci dhe se ishte rekrutuar nga ish-komandantët e tij.

"Kjo ka qenë një polici sekrete për likuidim dhe për operacione të nduarnduarshme", thekson ai. "Ishte diçka plotësisht ilegale - nuk ishte e shkruar në ligje ose në kushtetutë. Mirëpo, çdo shtet ka diçka të këtillë, edhe ato që pohojnë se mbrojnë të drejtat e njeriut, siç është Amerika".

"Ne shkuam në Kosovë në shkurt të vitit 1999. Ishim rreth 1.000 veta në grup. Ky numër sigurisht se është rritur me nismën e luftës, ndoshta në 1.500 njerëz. Ishin nga 20 ose 30 veta në secilin skuadron, në krye të të cilit qëndronte një komandant".

"Qëllimi ynë në fillim ishte shumë i thjeshtë, që të shkatërrojmë UÇK-në, bazat e tyre dhe shtetin e tyre ilegal... Mund të pyesni në Interpol dhe ata do t'iu thonë se çfarë lloji i bandave kriminale kanë qenë ata".

Miloshi përshkruan njësitin e tij si profesionist absolut, ndërkohë që përqesh njësitet e tjera, siç është për shembull "Munja".

"Ne ishim profesionistë. Ne nuk ishim të interesuar për të vrarë gra dhe fëmijë. Detyra jonë ishte që të vrisnim UÇK-në dhe kjo është ajo që bënim... Mendoj se një burrë që është i gatshëm të përdhunojë dhe të masakrojë civilët, dikush që mund të sulmojë një fshat vetëm për të masakruar civilë, prej cilitdo popull qoftë ai, ai person nuk i sjell lavd popullit të tij. Unë do t'i likuidoja të tillët në vend. Nuk do të kishte gjyq, vetëm ekzekutim".

Me përjashtim të bonueseve për operacionet speciale, sipas Miloshit, pjesëtarët e "Frenkit" kanë marrë paga prej rreth 8 mijë dollarësh në muaj, gjatë luftës në Kosovë.

"Kemi qenë të paguar mirë. Por, ne kemi qenë më të mirët dhe u kemi hyrë shumë rreziqeve". Ai thotë se kurrë nuk e ka parë me sy Simatoviqin. "Nuk e ka parë askush prej nesh. Ai është i këtillë".

Miloshi thotë se nuk ka qenë në Qyshk, por disa luftëtarë të tjerë pohojnë se "Frenkit" kanë qenë komandantët që kanë udhëhequr sulmin.

"Nuk kishin mundur ta qetësonin veten teksa kishte edhe ndonjë fshat shqiptar të pa pastruar", spikat një polic. "Kanë dashur të heqin qafe edhe fshatin më të fundit në rajonin e Pejës".

Komandant “Kobra”(Naser Raif Vllasi) :Ja si serbet e maltretuan dhe e vranë babain e komandant “Kobra”, bashkëluftëtarit të Sali Çekajt

Naser Vllasi, apo i njohur si komandant “Kobra”, përmes një postimi në facebook kujton 14 shkurtin e vitit 2001, kur atij i vranë babain.
“Pasditen e 14 shkurtit të vitit 2001. mbeturinat e pushtetit serb e nxunë në pritë në mënyrë tinzare babain tim Raif Ahmet Vllasi. Ata e torturuan gjatë gjithë natës dhe të nesërmen në mëngjes trupi i tij u gjet i vdekur nga puntorët e ujsjellsit, të cilët e kishin njoftuar policinë, e pastaj lajmin e morëm edhe ne si familjar të tij. Në torturimin e babit tim ishin përdorur mjete të forta, si shufra metalike, thika por edhe sëpata”, ka shkruar Vllasi.
Ja postimi i tij i plotë
Pasditen e 14 shkurtit të vitit 2001. mbeturinat e pushtetit serb e nxunë në pritë në mënyrë tinzare babain tim Raif Ahmet Vllasi. Ata e torturuan gjatë gjithë natës dhe të nesërmen në mëngjes trupi i tij u gjet i vdekur nga puntorët e ujsjellsit, të cilët e kishin njoftuar policinë, e pastaj lajmin e morëm edhe ne si familjar të tij. Në torturimin e babit tim ishin përdorur mjete të forta, si shufra metalike, thika por edhe sëpata. Babai im ishte njeri i urtë, i mirë e i sinqertë, që kurrë nuk i kishte bërë dëm askujt. Për vet faktin që ishte i tillë ai nuk nguronte që të endej i lirë në vendin e tij të lindjes dhe natyrisht se nuk ia kishte frikën askujt. Çetnikët e pangopur me gjakun e shqiptarëve vrasjen e babait tim e kishin bërë me qëllim hakmarrjeje për arsye të ndryshme. 
Atyre u pengonte shumë fakti që unë isha luftëtar i lirisë për më shumë se 1 vit(1998-1999), si dhe vëllau im Nehrui që nga themelimi i Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës. Poashtu deshën të marrin hak edhe për axhen tim Azemin i cili në mbrojtje të pozitës kushtetuese të Kosovës u ndesh me Millosheviçin, me këtë kasap të Ballkanit i cili doli humbës historik në vendin tonë. 
Pushtetit serb gjithmonë i kishte penguar familja jonë, ngase vëllezërit e mi Selimin dhe Agimin i kishin persekutuar rënd gjatë vitit 1989 dhe kur e burgosën Azemin, i izoluan edhe Selimin e Agimin, vëllaun Nehruin që në atë kohë ishte ushtarak i armatës jugosllave ne Republikën e Kroacisë e helmuan, por për fat të mirë e shpëtuan mjekët kroat. Në këtë kohë të rënd për Kosovën u burgos për dy muaj edhe babai im përshkak të kundërshtimit të pushtetit të athershëm pikrisht në fshatin Ranillug komuna e Kamenicës, e familjen tonë përkundër gjithë kësaj dhunë nuk arritën që ta thyejn.

Ata që e vranë Raifin tonë dëshmuan se nuk duan dhe nuk dijnë të jetojnë në paqe në Kosovë. Për fat të mirë Kosova nuk është vend i njerzve të tillë, por është një shtet i pavarur dhe përfundimisht i ndarë nga Serbia edhe pse shikuar logjikisht kurrë nuk kemi qenë të bashkuar.

Familja jonë e përkujton me krenari personin tonë më të dashur dhe me virtytet më të larta. Ai është martir i këtij vendi, e vrasësit e tij i gjykoftë Perendia!
15 shkurt 2016. Kamenicë.

Zëri i Amerikës habitet me Bujar Nishanin

Takimi i kësaj të diele i presidentit të Shqipërisë tek shkallët e avionit, mund të jetë më i çuditshmi që ndonjë kryetar shteti i ka lejuar vetes.
Në agjendën e takimeve zyrtare të sekretarit amerikan të Shtetit John Kerry gjatë ditës së djeshme në Tiranë, ishin fiksuar vetëm takimet me kryeministrin Edi Rama dhe me kreun e opozitës Lulzim Basha. Por presidenti i Republikës Bujar Nishani, i surprizoi të gjithë kur u shfaq në shkallët e avionit në Rinas. Gazeta Tema raporton se Zëri i Amerikës e ka konsideruar si “një gjest i pazakontë nga pikëpamja protokollare”.
Kerry dhe Nishani biseduan në këmbë për rreth 5 minuta, ku i pranishëm ishte edhe ambasadori Donald Lu. Më pas, Kerry i dha dorën e “ndarjes” presidentit, çka do të thotë se takimi i tyre përfundonte aty. Pas kësaj, eskorta e shefit të diplomacisë amerikane u nis drejt Tiranës.

Këto janë masakrat greke ndaj popullit shqiptar të Çamërisë

Nehat SHAQIRI

Duke shfletuar literaturë rreth tragjedisë së shqiptarëve pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë me 28 Nëntor 1912, kësaj radhe, me pak fjalë do të ndalëm rreth tragjedisë së Çamëve, të cilët, sikurse edhe populli shqiptar i Kosovës, që kishte përjetuar të njëjtat vuajtje; u dogjën dhe u pjekën në të njëjtin zjarr.
Ashtu edhe populli shqiptar i Çamërisë u përdorë nga të huajt si dhuratë për këlyshët e fuqive të mëdha të kohës. “U sunduan, u robëruan dhe u persekutuan, si në të kaluarën, ashtu edhe sot. Se loti i Çamit është i njëjtë me lotin e kosovarit, me ç’rast Çamët përjetuan të zitë e ullirit nga bishat greke (lë të më falin bishat e malit për nënçmim) dhe ato serbo-sllave”, thekson sociologu Agim Curri.
Menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, njëjtë sikurse sllavët, ashtu edhe grekët iu përveshën punës për shkombëtarizimin e krahinës së Çamërisë.
I masakruan dhe i djegën në furrë
“Që nga fillimi i Luftës së Parë Botërore dhe në vazhdimësi; grekët dogjën, grabitën pasuri dhe vranë e masakruan popullatën e pafajshme Çame, vetëm pse ishin shqiptarë. Në Prill të vitit 1913 Fuad Prronjua, Subhi Dinua dhe Alush Gjyseli ishin djegur në furrë të druve për së gjalli; kurse në Dhjetor të po këtij viti, kinse të kërkuar nga Guvernatori i Janinës, 75 Çamë nga Paria e Çamërisë u masakruan pabesisht në një prua të fshatit Selan. Midis viktimave të asaj masakre ishin edhe Mehmet Kasiqani, Resul Ceno, Sadush Dino, Adem Bedeleni, Fejzo Neziri, Isuf Bezhani, Malo Kasemi dhe vëllezërit Refik e Hajro Tahiri. Gjatë kësaj periudhe kohore ka pasur me mijëra masakra të tilla të cilat urdhëroheshin nga koloneli i atëhershëm grek – Evitis dhe ekzekutoheshin nga xhelatët Delijanaqi dhe Harillagoj”, thotë Curri.
Ai pohon se, kjo masakër mbi popullatën Çame ishte vetëm njëra nga masat e grekëve që u përdorën për shkombëtarizimin e Çamërisë. Kjo masakër aplikohej vetëm mbi popullatën myslimanë. Mënyrë tjetër e shkombëtarizimit të Çamëve aplikohej mbi popullatën Çame me fe ortodokse.
Dëbimi i shqiptarëve nga Çamëria
“Numri i këtyre me fe ortodokse ishte rreth 60 mijë. Për arsye së ishin ortodoksë, duhej që patjetër të quhen grekë. Për të ia arritur këtij qëllimi u mobilizua propaganda më e madhe fetare e kishës greke e përcjellë edhe me persekutime për ata që nuk u bindeshin urdhrave të kishës dhe të qeverisë. Më vonë, pra pas një periudhe kohore, grekët duke e shfrytëzuar Traktatin e Lozanës që bënte fjalë për shkëmbim të popujve turko-grekë; u vërsulën mbi popullatën myslimane të Çamërisë dhe me dhunë sistematike i dëbuan rreth 62 mijë Çamë myslimanë duke i depërtuar në brigjet e Anadollit. Pasi që edhe me aplikimin e këtyre masave nuk u arrit qëllimi, atëherë grekët vuan në veprim masën e persekutimeve prej më të ndryshmeve, duke filluar me grabitje të pasurisë dhe burgime e deri të likuidimet fizike. Këto metoda barbare i detyruan shumë Çamë që të arratiseshin për në Shqipëri, apo edhe të emigrojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe të Amerikës”, pohon ai.
Ai thekson se, Qeveria greke në atë kohë, (por edhe sot) Çamëve nuk u lejonte as shkolla shqipe dhe kurrë nuk i trajtojë si qytetarë të barabartë, ata që mbetën të jetojnë në krahinën e Çamërisë. Sipas ligjeve greke, Çamët nuk kishin kombësi dhe prejardhje dhe si të tillë duheshin zhdukur nga faqja e dheut.
Masakrimet vazhdojnë…
“Rasti më i volitshëm për eliminimin e Çamëve, u erdhi grekëve kah mbarimi i LDB-s. Me të përfunduar LDB-ja grekët u sulën si bisha mbi popullatën e Çamërisë. Më këtë rast, krimineli i famëkeq grek – ZERVAS i urdhëroj bandat që ai i komandonte, që të masakronin pa fije mëshire popullatën myslimanë të Çamërisë. Në vitin 1939 grekët vranë dhe torturuan hoxhë Mehën i cili në atë kohë ishte myfti i Filatit. Ky masakrim më vonë vazhdojë me vrasjen e Idriz Dulës dhe dy djemve të tij, të cilët qenë të detyruar që të hapin më parë varrin e tyre dhe pastaj i ekzekutuan duke i varrosur njërin mbi tjetrin; kurse myftiu i Paramithisë ishte djegur brenda në shtëpi së bashku me djalin dhe vajzën e tij. Më vonë, në Parga ishin ekzekutuar 64 burra në të njëjtën kohë duke i varrosur në një gropë të përbashkëte. Kjo masakër ishte bërë në krahinën e Çamërisë dhe me mijëra e mijëra Çamë tjerë gjejnë vdekjen e tyre tragjikisht brenda një kohe shumë të shkurtër”, thotë sociologu.
Sociologu Agim Curri, thekson se ajo tragjedi dhe ajo masakër që bënë grekët në Çamëri është një nga tragjeditë dhe masakrat e më të papërshkruara dhe më të pashembullta në botë. Mënyra me të cilën grekët bën për shfarosjen e popullatës Çame, ka si shembull vetëm krimet që bënë nazistët.
Gratë të veja, fëmijët jetim
“Sot, grekët rrahin gjoks duke pretenduar së bota ka marrë qytetërimin nga ata. Mirëpo, duke folur kështu, grekët harrojnë së janë të zhytur deri në gjunjë në gjakun e derdhur nga popullata Çame e martirizuar me metodat dhe mjetet me barbare, që ndonjë herë ka njohur historiografia njerëzore. Gjithashtu edhe vajtimet e nënave Çame që kishin humbur djemtë e tyre, të qarat e motrave që kishin humbur vëllezërit e tyre, lebetitjet e grave që kishin mbetur të veja dhe thirrjet e fëmijëve që kishin mbetur jetim; ngritën gjërë në qiell, duke u thënë grekëve: JOOO! Ju nuk jeni të qytetëruar as për vete! Ju jeni barbarë e gjakatarë! Është Çamëria ajo që tregon veprën tuaj mizore. Si përfundim mund të nxjerrim këtë konkludim: Sikur që Helenët e vjetër të ngritëshin nga varri e të shihnin dhe dëgjonin mbi tragjedinë e Çamërisë; ata do të turpëroheshin dhe do të mohonin së janë stërgjyshërit e tyre prej mijëra vjetësh”, thotë Curri.

Lidhjet e famshme romantike që ndryshuan historinë

A mundet dashuria të ndryshojë botën? Mundet! Në të mirë a në të keq, me dhunë apo me shkencë, me ligj apo me fe, këto lidhje romantike ndryshuan rrjedhën e historisë.

1 – Kleopatra dhe Mark Antoni
Kleopatra e Egjiptit është e njohur për fuqitë e saj legjendare të joshjes dhe ndërtimit të aleancave.
Lidhja e saj e fundit, romantike dhe politike me gjeneralin romak Mark Antoni solli vdekjen e të dyve dhe rrëzimin e dinastisë së Ptolemeut së cilës ajo i përkiste.
Pas luftës që i shpallën Oktavianit, ishte ky i fundit që e mposhti Antonin në Betejën e Aktiumit në Aleksandri. Mark Antoni pasi e keqinformuan se Kleopatra kishte vdekur, qëlloi veten me shpatën e tij dhe kreu vetëvrasje.
Të njëjtën gjë bëri edhe Kleopatra në dhomën e saj të gjumit duke e lënë Oktavianin të shijonte pushtimin e Egjiptit.
2 – Henri VIII dhe Anne Boleyn
Ndërsa historianët e pranojnë që ishin një sërë faktorësh ata që e transformuan Anglinë në një shtet protestant, pasioni intensiv i Henrit VIII dhe gruas së tij karizmatike Anne Bolyen në mënyrë fare të qartë kishin gisht në këtë punë.
Pas ndarjes nga bashkëshortja e parë e njohur Katerina e Aragonit pasi nuk arriti t’i jepte një trashëgimtar mashkull, u martua në fshehtësi në vitin 1533 duke thyer rregullat e Kishës Katolike Romake dhe duke e shpallur veten kreun e Kishës së Anglisë menjëherë pas kësaj.
Po ashtu si me gruan e parë, edhe dashuria për Anne filloi t’i zbehej mbretit, pasi edhe ajo nuk po i jepte një trashëgimtar mashkull, kështu që ai e arrestoi dhe e dënoi me prerje koke.
Martesat e mëvonshme të Mbretit Henri VIII ishin ato që e dobësuan mbretërinë derisa në krye erdhi Elisabeta I, vajza e Henrit me Anne, kur u themelua dhe kisha protestante.
3 – Pierre dhe Marie Curie
Kur Marie Sklodovska u martua me Pierre Curie në vitin 1895, çifti formoi një partneritet të jashtëzakonshëm që mori famë dhe ndikim në brezat ndërkombëtare të shkencëtarëve.
E lindur në Poloni, brilantja Marie u diplomua në fizikë e matematikë, në Paris ku takoi Pierre Curie, një fizikant e kimist të njohur francez, 8 vjet më të madh se ajo.
Çifti menjëherë shprehu interesin e përbashkët për magnetizmin, dhe një vit më vonë ata u martuan.
Për temën e saj të doktoraturës, Marie Curis filloi të studionte mbi rrezet e uraniumit. Pierre iu bashkua në kërkim. Një vit pas ardhjes në jetë të vajzës së tyre Irene, çifti zbuloi poloniumin dhe radiumin. Në vitin 1902 ata arritën me sukses të izolojnë kripërat radiokative të radiumit nga mineralet. Vitin që pasoi, çifti fitoi çmim Nobel në fizikë.
4 – Car Nikolla II dhe Aliks
Në mes të trazirave revolucionare, përralla e tyre i kishte të gjitha elementët melodramatikë për t’u bërë një operë e bujshme.
Mbesa e Mbretëreshës së Anglisë, Viktoria, Alix Helena Lousise Beatrice, nuk pranoi të martohej me kushëririn e saj të parë, Princin Albert, pasi ra në dashuri me Nikolasin, trashëgimtarin e fronit rus, kur ishte adoleshente në vitin 1889.
Çifti u martua në nëntor 1894, pak javë pas vdekjes së carit dhe kurorëzimit të Nikolas. Nga martesa erdhën në jetë 4 vajza dhe një djalë, Alexei, i cili trashëgoi fronin nga i ati, Por nga e ëma, ai mori një çrregullim shëndetësor, të quajtur hemofili. Të shokuar nga humbja e djalit të tyre, çifti përfundoi në çmendinë. /Tirana Observer/

Azem Vllasi: Lufta për marrjen e pushtetit...

Njohësi i proceseve aktuale, Azem Vllasi, në një prononcim për Telegrafin tha se e gjithë kriza politike në vend ka vetëm një emër “luftë për pushtet”.

Ai tha se zgjidhja e kësaj situate politike do të ishte që koalicioni qeverisës të zgjerohet dhe në këtë koalicion të hyjë edhe partia e Ramush Haradinaj, AAK-ja.
“Ndoshta, do të ishte mirë që koalicioni qeverisës qysh sot apo më vonë nesër t’i bëj disa konsultime dhe t’ia jap një ofertë AAK-së për koalicion, që Ramush Haradinaj të zë vendin e Hashim Thaçit, ndërsa ky i fundit kryetar. Kjo do ishte zgjidhja të dalim nga kjo situatë, dhe të gjithë në qetësi të bisedojnë a ka nevojë për rirreshtime politikë të parakohshme apo do ta shtyjnë mandatin deri në 2018. Pa e futur Ramush Haradinaj në koalicion s’besoj që do të kenë ndonjë rehati”, tha Vllasi.
Ndërsa, sa i përket protestave në ditën e Pavarësisë, Vllasi tha se i gjithë ky skenar për Ditën e Pavarësisë duket pak grotesk- primitiv.
“Kjo gjendje manifeston gjendjen e skenës politike e cila është krejtësisht e çoroditur. 17 shkurti është ditë feste dhe duhet të dominoj skenari i shënimit të Ditës së Pavarësisë, jo vetëm në Prishtinë me ngjarje kryesore por edhe në të gjithë komunat e Republikës së Kosovës. Ndërsa protesta ka mundur të planifikohet për një ditë tjetër, p.sh të shtunën”, tha tutje ai.
Po ashtu, Vllasi tha se protesta ka rrezik të eskalojë.
“Ata po premtojnë që do të jetë më masovike se protesta e nëntë janarit, dhe premtimet janë për protestë paqësore. Por në një protestë aq të madhe zor që të kontrollohet rendi publik dhe ka rrezik që të kalohet në dhunë”, u shpreh Vllasi.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...