2016-02-20
Don Kishoti ynë
Nga Reshat Kripa
Isha ulur në divan dhe po lexoja diçka. Dëgjoj zilen e telefonit të tingëllojë. Ngrita receptorin dhe ndieva një zë të njohur, që e kisha dëgjuar aq shpesh në ekranet e televizorëve:
- Jam...- dhe përmendi emrin e kryetarit të një partie të madhe. – Ju ftoj nesër mbrëma në mitingun e madh...
E mbylla receptorin dhe fillova të mendoj me vete:“Sa i marrë qenke! A mund të të besoj unë ty?”
Para syve më doli ky person gjatë këtyre njëzet viteve. E pashë në ditët e fundit të diktaturës duke folur me patetizëm për nevojën e mendimit të lirë, për hapjen e burgjeve politike, për përmbysjen e sistemit totalitar. Unë, ish i burgosuri politikë, shikoja në figurën e tij të riun idealist, të mbrujtur me idealet e lirisë. Shikoja çlirimtarin.
Pas përmbysjes së madhe e pashë përsëri të rreshtuar në rradhët e para të partisë që pretendonte se kishte përmbysur sistemin, madje anatemonte deri në vdekje ish të përmbysurit. Në figurën e tij shikoja një hero që papritur kishte mbirë nga dheu, një ante, bir të tokës mëmë, që i dilte zot këtij vendi. Të gjitha këto bënë që të harroja se ky hero ishte biri i një njeriu që pa kundërshtuar fare hidhte firmën për pushkatimin e “armiqve të popullit”, që braktiste pa hezituar gruan dhe fëmijën, që lahesh nudo plazheve të Europës, për më tepër që ishte edhe homoseksual, gjë që ia vuri në dukje një gazetar disa vite më vonë, në një emision televiziv.
Nuk kaloi shumë kohë dhe heroi u zhduk. Flitej se pati kontradikta me udheheqjen e partisë së tij. Mori rrugët e Europës. Për një farë kohe nuk u ndie zëri i tij. Atëherë m’u duk si një flluskë sapuni. Por nuk ishte kështu. Erdhi dita kur udhëheqësi i partisë që ai e anatemoi, e ftoi dhe e bëri ministër. Shqipëria në botën e çudirave, (Ju lutem mos e ngatërroni me librin për fëmijë të Lewis Carolle, ku personazhet nuk ishin gjë tjetër veçse një palë letra bixhozi). Shkallët e karrierës nuk kanë të sosur. Nuk vonoi shumë dhe heroi na u bë Kryetar Bashkie.
Oreksi vjen duke ngrënë, thotë një proverb i njohur. Kjo i ndodhi edhe heroit tonë. Tani synonte majat më të larta. Po si? Më parë duhet fituar partia. Papritur dhe pakujtuar na doli në krye të saj. Euforia e tij kishte verbuar edhe ata që deri më dje i kishte patur kundërshtarë. Edhe ata verbërisht filluan të betohen për kokën e tij. Madje për këtë u habitën edhe antarë të tjerë ta asaj partie. Atëhere shigjetat e tij u drejtuan kundër ish udhëheqësit që e bëri ministër dhe Kryetar Bashkie. Nuk la më mal balte pa hedhur mbi të. Edhe mbi ish diktatorin e përmbysur në vitet e fundit të shekullit nuk kishte hedhur aq baltë.
Nga një herë njeriu bënë disa paralelizma. Një e tillë m’u kujtua edhe mua në ato çaste. Më doli parasysh figura e diktatorit fashist. Edhe ai në vitet e rinisë ishte një antar aktiv i partisë që pretendonte se ishte parti e popullit, parti e vegjelisë. Ai kishte arritur të ngrinte disa shkallë në karrierën e tij. Por nuk ishte i kënaqur. Puna arriti deri aty sa të shkëputej prej saj dhe të krijonte nja parti të re që do t’i kundërvihej me gjithë egërsinë e saj partisë mëmë. Të njëjtën rrugë ndoqi edhe heroi ynë.
Kështu ky mik nga një hero u shndërrua në një Don Kishot që luftonte me mullinjtë e erës. Por ndërsa Don Kishoti i Servantesit kishte si ndjekës vetëm një Sanço Pançë të mjerë, Don Kishotin tonë e ndiqnin nga prapa një lukuni langojsh që grindeshin se kush do të përfitonte kockën më të madhe dhe kjo turmë çirrej, deri sa iu ngjir zëri, për udheheqësin e tyre të ri.
Thirrjet histerike filluan të dëgjohen ngado. Dirigjent i tyre natyrisht ishte Don Kishoti. Një herë thërrisnin: Duam votat tona, një herë tjetër: Të hapen kutitë! Një herë: Duam drita, një herë tjetër: Duam bukë! Dhe kështu vazhdonin për çdo ditë. Si e panë që edhe nga kjo nuk doli gjë ndërruan taktikë. Vendosën të bëjnë një grevë urije. M’u kujtuan vargjet e një poeti të kohës së përmbysur. Duke perifrazuar me to do të shkruaja:
Do bëjmë grevë de more de,Lumthi ti popull mezi na ke!
Kështu na u ulën një ditë të bukur me diell nja dyqind petrita të mbyllur në disa çadra, që nuk e di se si u ndodhën në mes të bulevardit dhe të veshur me disa bluza të kuqe me nga një zhgabë në mes që dhe ato nuk e di se kur u qepën, pasi ata e paskan vendosur një gjë të tillë vetëm disa orë më parë.
E po këto kujtimet nuk m’u ndakan sot. Më kthejnë gati shtëdhjetë vite më parë, në ato vite të zjarrta si sot, kur mblidheshim për të themeluar partinë tonë mëmë, por që na u bë njerkë. Edhe atëherë ishim dyqind petrita, dyqind trima me fletë që krijuam partinë e popullit, atë parti që do të bëhej udhërrëfyesja e ndritur e Don Kishotëve të sotëm.
Por, ç’e do, nuk na lenë rehat edhe këta ndërkombëtarët? Seç na bëjnë disa deklarata që neve nuk na vinë për shtat. Jo drejtojuni Gjykatës Kushtetuese, jo Komisionit të Venecias. Jo diskutimet i bëni në institucionet, jo gjeni rrugën e bashkëpunimit. A nuk e dinë ata se ne jemi kalitur me mësimet e shokt E... oh, më falni, zotit Don Kishot!
Mirpo ku lëshon pe ky Don Kishoti ynë? Dhe vërshojnë protestat e njëpasnjëshme. Bllokohen rrugët, dëgjohen thirrje si në kohën e luftës çlirimtare: Ja vdekje, ja liri dhe po të vazhdohet më gjatë nuk dihet se si do të përfundojë. Po shteti? Deri tani është në pritje. Të kujt? Mos vallë duhet pritur deri sa të pëlcasë si para trembëdhjetë vjetësh, në atë vit të zi? Njerëzit duan të jetojnë të qetë. Duan të lëvizin të qetë. Bulevardet dhe rrugët janë për të gjithë. Të gjithë kanë të drejtë të qarkullojnë nëpër to. Atëhere kush i dha të drejtë një pjese t’i bllokojë dhe të mos lejojë qarkullimin e të tjerëve?
Don Kishotit tonë i ka lindur idea të bëhet i pari i këtij vendi. Mos e dhëntë Zoti një gjë të tillë! Kjo më kujton një fabulë që më ka treguar një miku im:
U mblodhën të gjitha kafshët e botës për të zgjedhur mbretin e tyre. Rivaliteti ishte i madh. Konkuronte luani dhe tigri, pantera dhe hiena, ujku dhe çakalli. Një gjë e tillë ra në kundërshtim të kafshëve barngrënëse. Me zgjuarsinë e tyre ato arritën të venë mbret gomarin dhe kryeministër luanin.
Vitet kalonin. Gomari sa kalonte koha aq më tepër i ngrinte veshët. Gjendja e kafshëve sa vente dhe keqësohej. Ngrihen ato dhe i ankohen luanit:
- O luan, sa do të na lesh në këtë gjendje?
Luani përgjigjet:
- Unë vërtet jam kryeminstër, por mbret është gomari.
***************
I nderuar zoti Reshat,
E lexova me shumë kënaqësi artikullin tuaj interesant "Don Kishoti ynë". Ju, si një figurë shumë e nderuar e ish-të përndjekurve politikë, jeni për t'u respektuar për gjykimin tuaj gjakftohtë dhe tepër objektiv në publicistikën tuaj interesante. Ajo çka mua më befason në praktikën e kësaj Partisë Socialiste, është nënshtrimi i saj proverbial ndaj Njëshit të saj. Ky fakt e vë në dyshim dinjitetin politik të kësaj partie, e cila, me statutin që aprovoi në kongresin e fundit të saj, nuk e lejon mendimin ndryshe në radhët e veta. Kjo është një praktikë e pastër neokomuniste, që të kujton funksionimin e Partisë së Punës të Shqipërisë. Habitem se si është e mundur që pjesa më e shëndoshë e kësaj partie (në qoftë se në radhët e saj ka me të vërtetë ndonjë pjesë të shëndoshë nuk po mundet ta kuptojë faktin që kjo parti ka fituar dhe po fiton mërinë e dhejtra e dhjetra mijëra qytetarëve të kryeqytetit, të cilëve Edi Rama u ka krijuar aq shumë shqetësime me bllokimin e bulevardit kryesor, po fiton mërinë e dhjetra e dhjetra mijëra qytetarëve në mbarë Shqipërinë me bllokimin e tetë akseve kryesore të vendit, siç e mësova sot nga emisioni i lajmeve i disa kanaleve televizive. Si është e mundur që grevën e urisë të kësaj partie e vlerëson lart një kriminel, si Ramiz Alia, i cili deri sot e kësaj dite nuk ka shprehur as pendesën më të vogël për atë firmën që hodhi për vrasjen e atij plakut kuksian, i cili gjoja do t'i bënte atentat? Si është e mundur që në krye të grevës së urisë nuk është vetë kryetari i partisë? Prandaj, i nderuar zoti Reshat, ju keni plotësisht të drejtë që Edi Ramën e cilësoni si një Don Kishot të vërtetë. E çuditshme është se edhe atyre "mendimndryshasve" të deridjeshëm, tani u wshtw varur zëri. Me sa duket, kryedonkishoti i partisw ua ka kujtuar ku i kanë ca pika të dobëta, prandaj edhe ata s'po bëhen më të gjallë.
Prof.dr. Eshref Ymeri
*******************
I nderuar zoti Eshref!
Ju falenderoj per komentin tuaj profesional. Jam i nje mendje me ju kur flisni per nenshtrimin e praktikes se partise socialiste ndaj "Njeshit". Per fat te keq kjo eshte nje praktike qe, ne Shqiperi, po ndiqet nga te gjitha forcat politike. Nuk ka dite qe neper organet e shtypit viziv dhe atij te shkruar, qe e quan veten te pavarur, te mos permenden me elozhe prej servili "Njeshat" e pazevendesueshem, a thua se po te mos jene ata nuk do te kete Shqiperi. Kjo eshte nje semundje e keqe e trasheguar nga sistemi socialist. Ne cilin vend te botes emisionet e lajmeve dhe bisedat e ndryshme opo opinionet hapen dhe mbyllen vetem me figurat e "Njeshave"? Ne cilin vend te botes lideret e partive sillen si padrone te tyre, duke mos lejuar asnje ze, sado te vogel, te ngrihet kunder tyre? ne asnje. Shembull tipik i kesaj jane edhe ata qe ju i quani "mendimndryshe", por qe sot na e kane mbyllur gojen dhe nuk kane kurajon te thone dy fjale. Megjithate, i dashur profesor, kjo eshte Shqiperia jone. Keta jane shqipetaret qe kane marre nder duar fatet e kombit. Dhe ne, rebelet e ketij vendi, jemi te detyruar t'i degjojme. Vetem nje gje kemi te ndryshme nga ata. Nuk mund t'i duartrokasim.
Ka edhe disa pyetje te tjera qe kerkojne pergjigjje.si eshte e mundur dhe pse edi rama ka frike per hyrjen ekipit mjeksore ne vendin e greves dhe analizimin dhe verefikimin e gjendjes hendetesore te grevisteve.Si eshte e mundur qe grevistet kan dy jave qe nuk kane ngrene dhe nuk kane humbur asnje kile peshe?Si eshte e mundur qe grevistet nuk kane pesuar asnje problem shendetesore por nga fytyra duken tamam me ngjyren e nje njeriu normal nga shendet i cili ushqehet normal.gjer tani dikush duhet te kishte pesuar limolktonia ne gjitha keto dite pangrene dhe te rrezikohej jeta e tije?Sa per ata qe shkojne pas Edi Rames per mendimin tim jane njerez te semure nga sistemi mendore ose te paguar nga vete kryesia dhe klika e tije.gjer kur shqiptari do mendohet me mendjen e te tjereve dhe jo me te tijen?gjer kur shqiptari do vuaje nga ky sindrom komuniste qe te beje veprime te pavetedishme?gjer kur shqiptari do jete vegel e te tjereve per qellime karrieriste?Kur do vije dita qe shqiptari te sherohet nga trute dhe shqiperia te sherohet nga canceri i komunizmit qe e ka penguar zhvillimin e saje?te gjitha keto kerkojne pergjigjje.
Reshat Kripa
I nderuar Nikola!
Te gjitha pyetjet tuaja kane nje pergjigje te vetme. Politikanet shqiptare luajne teater me zgjedhesit e tyre. Dhe militantet fanatike shkojne verberisht pas liderit te tyre, qofte ky edhe nje i çemndur si Edi Rama qe po e çon Partine Socialiste drejt katastrofes. Ata kujtojne se demagogjia e tyre do te genjeje gjithe popullin shqiptar. harrojne se ne Shqiperi ka burra te atille qe nuk puqen me politiken e tyre te deshtuar. Edi Rama me kujton Uriah Hipin e romanit "David Koperfild" tw Dikensit. Por nje e keqe tjeter eshte se ne Shqiperi nuk ekziston nje force e vertete kombetare qe t'i dale zot ketij vendi. Dhe kjo eshte fatkeqesia te cilen duhet ta perballojme. Pershendetje!
ARTI I BINDJES -PROPAGANDA NGA KËNDVËSHTRIMI PSIKOLOGJIK
Shkruan: Sabir KRASNIQI
| |
Ne kemi veprimtari të gjerë të propagandës në jetën e përgjithshme, duke filluar nga ajo familjare, natyrisht që aplikohet nga prindërit për qëllime edukative, pastaj propagandë shkollore-arsimore, propagandë fetare, propagandë sektare, propagandë tregtare, propagandë mediative, propagandë qeveritare, pra me një fjalë, vetëdijshëm apo jo, ne jemi të bombarduar çdo ditë nga format e ndryshme të propagandës institucionale.
| |
Sjelljet e njerëzve janë të kushtëzuara me faktorë të ndryshëm të rrethit dhe vetvetiu aspirojnë që t’i përshtatën rrethit. Organizmi, në të cilin ndikon faktori i jashtëm dhe ndryshon baraspeshën e tij të deritanishme, aspiron që të neutralizoj këtë baraspeshë dhe të vërë prapë balansin e mëparshëm. Pra, me ndryshimin e faktorit të jashtëm, ndikohet drejtpërdrejt edhe në sjellje, dhe me to manipulohet në mënyra të planifikuara, kështu që është e mundur, sipas interesit, t’i modifikojmë, respektivisht t’i ndryshojmë sjelljet, dëshirat, vullnetin e njerëzve, e për një gjë të tillë si mjet mjaft efikas përdoret propaganda.
Në shumë enciklopedi e fjalorë të ndryshëm propaganda definohet si: aktivitet shoqëror, i bazuar në ligjet e psikologjisë, e cila nënkupton punë dhe cak të organizuar në përhapjen e ideve të përcaktuara dhe besimit në to. Caku i aktiviteteve propaganduese është që individi, shoqëria apo mbarë një popullatë t’i pranoj idetë e ofruara (imponuara) dhe besimin në to, si dhe të sillet në harmoni me normat dhe rregullat e parapara për to.
Shikuar nga këndvështrimi i përgjithshëm, propaganda si nocion është neutrale; kahja e saj varet nga qëllimi i saj. Ajo mund të jetë konstruktive (revolucionare) dhe shumë e dobishme kur të aplikohet për çështje me prioritet human, njerëzor, kombëtar etj., por gjithashtu mund të jetë edhe destruktive (reaksionare) dhe shumë e dëmshme si dhe e rrezikshme, jo vetëm për individin, por për mbarë shoqërinë, kur ajo aplikohet për interesa të caktuara të atyre që e kanë në dorë timonin e kësaj fuqie.
Në këtë shkrim do të mundohem të bëjë një elaborim, përgjithësisht rreth propagandës destruktive, të cilën e ushqen, e zhvillon dhe e aplikon, pothuajse secili pushtet, natyrisht, për nevoja të veta në shumë fusha si: në fushën sociale, në fushën ekonomike, në fushën e marketingut, në fushën e religjionit e sidomos në atë politike, qoftë ajo e brendshme apo e jashtme.
Propaganda destruktive në esencën e saj është totalitare. Ajo nuk ka qëllime humane, as zhvillimin e personaliteteve të njerëzve, por të kundërtën, që të krijoj tek ata sjellje të kushtëzuara, pra, që të jetë në gjendje me mekanizmat të automatizuar t’i kontrolloj dhe t’i përshtatë sjelljet e tyre shoqërore. Mu për këtë qëllim shfrytëzohen mediume të ndryshme e sidomos shtypi, radioja, TV-ja, interneti, satelitët etj, përmes të cilave, me metoda të organizuara, përhapen shumë shpejt dhe shumë lehtë idetë e përcaktuara.
Dihet se emocionet janë pjesë shumë e rëndësishme e jetës shpirtërore të njeriut. Në bashkësinë e dukurive psikike, ato paraqesin (duke pasur në konsideratë specifikat e tyre) sferën më të ndjeshme dhe njëkohësisht edhe më të lënduarën. Dhe kur duhet që dikë ta qesim nga baraspesha shpirtërore dhe t’ia tronditim moralin, atëherë së pari atakohet pjesa emocionale e jetës së tij. Pra, në instancën e fundit, qëllimi final i propagandës destruktive është një atak i tillë që i shkakton dhembje njeriut dhe që e dezintegron jetën e tij psikike.
Në kohën e thyerjeve shpirtërore të njerëzve, në rrethana të mjerueshme sociale e ekonomike, në situata jo të qeta, në goditje fatkeqësish, në kohëra luftërash, etj., paraqitja e propagandës destruktive, atakon anën emotive të individit duke ndikuar në sjellje dhe duke krijuar konfuzion e mosbesim, gjë që vije deri te paralizimi i plotë i jetës normale pothuajse në të gjitha sferat, dhe mu për këtë arsye përhapja e propagandës bëhet në situata të tilla kritike. Pasiguria në këto situata imponon ndjenjën e panikës e cila kaplon individin dhe ia lëkund personalitetit e qëndrueshëm të tij. Ai bëhet labil dhe në këto faza të pasigurisë, ai kërkon mbështetje, stabilitet fizik e psikik. Dhe mu në këto faza të destabilitetit moral, nxitësit e propagandës ndikojnë mbi individin duke ia imponuar atij idetë e caktuara për qëllimet e tyre manipuluese.
Propaganda si dukuri figuron që nga kohërat më të hershme, por në mënyrë të organizuar psikologjie u përdor gjatë luftës së dytë botërore, për qëllime të caktuara politike. Kjo strategji u zbatua në praktik në mënyrë profesionale dhe mori dimensione të reja nga nazistët gjermanë gjatë sundimit të politikës hitleriane. Në librin e tij “Mein Kampf” Hitleri shkruan: “Strategjia jonë përbëhet në thyerjen e kundërshtarit nga brenda, kështu që ai të na ndihmojë që ta fitojmë atë. Më mirë është që ta çarmatosim kundërshtarin se sa ta shkatërrojmë me luftëra të rënda”. Më tej ai vazhdon: “Mua para së gjithash më intereson problemi, se si të arrijë deri te thyerja morale e kundërshtarit. Pse ta demoralizojmë kundërshtarin me jetë ushtarake, kur atë mund ta bëjmë me thjesht, me metoda të tjera”.
Duke e ditur mirë se subversimi është qëllimi psikologjik i luftës, e propaganda arma kryesore e saj, Hitleri e përpunoi këtë strategji deri në ekstrem, duke arritur në konkluzion se “...edhe në shkallën më të ulët të luftimeve i vrari paraqet vetëm një njëri më pak - deri sa njeriu i tmerruar që humb nervat, bëhet bartës i frikës, i aftë për të provokuar epidemi të gjerë të panikut, kështu që caku i luftës moderne duhet të jetë neutralizimi psikologjik i kundërshtarit, e jo shkatërrimi i tij fizik. Me fjalë, në vend të armëve, me propagandë, në vend të plumbave”.
Efektet e suksesshme të propagandës gjatë luftës së dytë botërore, i nxiti pushtetarët e shumë shteteve që ta studiojnë këtë dukuri me seriozitetin më të madh nëpër institute e laboratorë legalë e ilegalë. Zhvillimi i hovshëm i teknologjisë moderne ofroi mundësi të shumta të demonstrimit të kësaj fuqie, jo vetëm në situata lufte kundër armikut, por edhe situata paqeje si mekanizëm shumë të fuqishëm për qëllime të caktuara manipuluese. Propaganda, si mjet shumë i fuqishëm u shfrytëzua sidomos gjatë “luftës së ftohtë” mes paktit NATO, gjegjësisht SHBA-ve dhe atij të Varshavës, gjegjësisht ish-BRSS-së, që vazhdon akoma edhe sot e kësaj dite në forma nga më të ndryshmet.
Që të jetë propaganda e suksesshme, zakonisht ajo i dedikohet individit ose një shtrese të caktuar, varësisht prej interesave të propaganduesit. Ne kemi veprimtari të gjerë të propagandës në jetën e përgjithshme, duke filluar nga ajo familjare, natyrisht që aplikohet nga prindërit për qëllime edukative, pastaj propagandë shkollore-arsimore, propagandë fetare, propagandë sektare, propagandë tregtare, propagandë mediative, propagandë qeveritare, pra me një fjalë, vetëdijshëm apo jo, ne jemi të bombarduar çdo ditë nga format e ndryshme të propagandës institucionale.
Mesazhet dhe format e tjera bindëse, sajohen në bazë të karakterit të individit ose shtresave ndaj të cilave planifikohet që të ushtrohet ky “art i bindjes”. Para se të lansohen format propaganduese, së pari bëhen kërkime dhe studime për të prekur pulsin (mentalitetin) e individit ose shtrese së caktuar duke mbledhur informacione për ta: kush janë ata; si mendojnë ata; si sillen; cilit besim i takojnë; cilat janë motivet e tyre; çfarë bindjesh politike kanë; çfarë mentaliteti disponojnë etj. etj. Informacionet e grumbulluara nga kërkimet e mësipërme, u ndihmojnë propaganduesve në gjetjen e metodave më efikase psikologjike dhe formave më të përshtatshme për manipulim, duke lëkundur besimin dhe vetëbesimin, duke destabilizuar dhe thyer moralin, duke degraduar personalitetin, duke paralizuar përshtypjet shqisore, pra duke çrregulluar në përgjithësi jetën psikike te individi ose grupi, ose duke përhapur idetë e caktuar tek ata me qellim të bindja dhe mobilizimi masiv.
Duke e njohur fuqinë e propagandës dhe ndikimin saj tek individi ose masa; duke e ditur se për veprim sa më efikas duhet njohur klima psikologjike e asaj shoqërie, edhe pushtuesi ynë i mëparshëm, pra Serbia, i përdori vite me radhë dhe me mjaftë sukses këto forma të manipulimit masiv, jo vetëm mbi popullatën tonë, por edhe ndaj popujve tjerë të ish-Jugosllavisë e në raste të caktuara, edhe ndaj popullatës së vet, vetëm për ta ruajtur, forcuar dhe ushtruar me çdo kusht hegjemonizmin e saj të shfrenuar mbi të tjerët.
Aq larg shkuan institucionet serbe me metoda propaganduese sa që për rastin “shishja e Martinovicit” (që e pat futur vetë në prapanicë, por i kishte akuzuar shqiptarët) lansoi në qarkullim me qindra artikuj gazetaresk, programe të shumta televizive, bile botuan edhe një libër vëllimor për këtë ndodhi, të cilën e përktheu edhe në gjuhë të huaja dhe e shpërndau nëpër botë. Natyrisht, që qëllimi i kësaj propagande nuk do koment!
Mirëpo, çudit fakti se edhe institucionet tona “paralele” të asaj kohe, pavarësisht se dispononin mjete sfiduese, u treguan te paafta dhe të papërgatitura (shpesh edhe injorante) për ta kuptuar këtë “luftë psikologjike”. Duke pasur për qëllim primar interesat e tyre të ulëta, dhe pa ndonjë vizion të qartë, ato u bënë edhe vet pre e kësaj propagande destruktive, si rezultat i të cilave pasoi kolapsi i përgjithshëm ekonomik që i parapriu shpërnguljeve masive...
Në kontekstin e ngjarjeve të përgjithshme bashkëkohore, ndikimet psikologjike-propaganduese përputhen drejtpërdrejt me interesat dhe strategjitë politike të shteteve, fuqive, blloqeve të ndryshme. Dhe, për arritjen e synimeve dhe qëllimeve finale, shfrytëzohen maksimalisht të arriturat e teknologjisë më bashkëkohore si: elektronika, sistemet e komunikimit, mediat, etj. Këta element shumë të fuqishëm të bindjes, të cilët edhe janë bartësit kryesor të këtij ndikimi të imponuar, sot janë bërë pjesë e pandarë e përditshmërisë sonë, ashtu që secili qytetarë, pa marr parasysh gjininë, moshën dhe ngritjen e shkallës intelektuale, është konsumator i “produkteve” të ofruara nga ata. Sidomos transmetimi i programeve satelitore dhe shërbime e internetit, që mundësojnë bartjen e drejtpërdrejt te mesazheve pa përfillur pengesat e kufijve gjeografik e politik, janë bërë armët më të fuqishme të kësaj lufte psikologjike. Mjafton vetëm qasja në shërbimin www, për ta kuptuar, e ndoshta edhe për ta përjetuar vet, pushtetin e këtij mashtrimi e manipulimi të qëllimshëm të quajtur propagandë.
Besoj se edhe pushtetar tanë të rinj do ta trajtojnë më seriozisht këtë sferë të domosdoshme duke pasur parasysh vorbullën e ngjarjeve politiko, diplomatike, ekonomike etj. në të cilën ndodhet Kosova por edhe vetë ata...në mos për asgjë tjetër, së paku për t’ia vazhduar jetën pushtetit të tyre!!!
|
KEQPËRDORIMI I PSIKOLOGJISË
Shkruan: Sabir KRASNIQI
| ||||
Duke pasur parasysh forcën e madhe të veprimit, të ndikimeve të ndryshme psikologjike në sjelljet dhe disponimin e njerëzve, psikologjia kur të keqpërdoret mund të bëhet armë e fortë në luftë kundër individit ose grupacioneve më të mëdha të njerëzve, madje edhe kundër gjithë një nacionaliteti.
| ||||
Sot në botë ekzistojnë institucione, në të cilat përveç punës psikologjike dhe profileve tjera shkencore, punohet në gjetjen e metodave për manipulime me njeriun. Këto institucione punojnë për nevoja të armatës dhe shërbimeve kundërinformative dhe financohen prej tyre, ndërsa zbulimet e reja ruhen si top sekrete shumë të rëndësishme, kështu që deri te ato vështirë mund të arrihet para se efekti i tyre të zbatohet në praktikë.
Qendrat kryesore për studimin dhe modifikimin e sjelljeve janë universitetet dhe institucione të ndryshme në mbarë botën, e sidomos në SHBA dhe Rusi. Problemet që i trajtojnë këto institucione janë të lloj-llojshme, ndërsa ekspertet që punojnë në to janë të specializuar për çështje specifike. Një ndër ekspertet medicinal më eminent, që punon për nevojat e CIA-së është Mathan Kline, me detyrë kryesore që t’i stërvitë operatorët, ndërsa në projektin ndërkombëtar, dirigjimin e mendimeve. Përndryshe Kline është i njohur si kryetar i komitetit ndërkombëtar kundër mentale (ICAMI), një ndër planet e së cilës ishte edhe dhënia e barërave me efekt antidepresiv të porsalindurve, te të cilët duhej të veprojnë deri në fund të jetës së tyre. Kline nga diktatori i dikurshëm i Haiti P. Duvalier, mori mirënjohje më të lartë për pastrimin e trurit të haitasve. Ekzistojnë fakte se organizata ICAMI me ndihmën e narkotikëve i ka shfrytëzuar njerëzit me të meta mentale, si forcë pune në industri.
Keqpërdorimi i psikologjisë bëri që ajo sot, në duart e disa vendeve të zhvilluara dhe diktatorëve të ndryshëm, të bëhet armë me pasoja të paparashikueshme, madje një shkencëtar deklaron hapur se bomba atomike është lodër fëmijësh në krahasim me mundësit e metodave të reja psikologjike në luftë kundër njeriut.
Më poshtë po i parashtrojmë disa nga metodat, përmes së cilave mund të manipulohet me qenien njeri.
Shpëlarja e trurit
Është metodë e cila nuk shërben vetëm për pranimin e informatave të rëndësishme nga armiku, por edhe që t’i ndryshohen qëndrimet, mendimet dhe bindjet e tij. Përveç mundësisë së pranimit të informatave dhe ndryshimit të pikëpamjeve, kjo metodë shërben edhe për kthimin e armikut në një bashkëpunëtor aktiv, në mënyrë që armiku merr pjesë në mediume të shkruara e sidomos elektronike, me pohime të rrejshme, pra aktivizohet në propagandën e kundërshtarit ndaj nacionalitetit të vet.
Hipnoza
Sot është pranuar qëndrimi se hipnoza paraqet koncentrim specifik të vetëdijes, e cila është shumë më e madhe se ajo në gjendje të zgjuar, dhe mundëson pranim më të mirë të sugjestioneve që vijnë nga jashtë. Përndryshe, hipnoza kur përdoret nga ekspertët, shfrytëzohet me shumë sukses si metodë ndihmëse e psikoterapisë për shërimin e neurozave dhe psikozave.
Hipnoza është një ndër faktorët më bindës për ekzistimin e motiveve të pavetëdijshme dhe ndikimeve të tyre në sjelljet e njerëzve. Nëpërmjet sugjestioneve hipnotike është e mundur që të zbulohen e shqyrtohen motivet më të thella të sjelljeve të njerëzve, të korrigjohen ose ndryshohen e rrënjosen shprehitë e personalitetit dhe kështu, në vend të tyre, të regjistrohen të tjera, të reja. Kjo metodë më vonë u quajt edhe si “serumi i së vërtetës”, që zakonisht keqpërdorej në “biseda informative” të policisë. Për tu arritur gjendja hipnotike, përveç metodave klasike, përdorën e substanca kimike, pra lëndë narkotike.
ESB
Stimulimi elektrik i trurit (Elektrical Stimulation of the Brain), ose si e quajnë nga një herë, radio-stimulator, është metode e re e psikofizikës për drejtimin e sjelljeve të njerëzve. Një ndër iniciatorët e keqpërdorimit të ESB-së është edhe njëri ndër themeluesit e organizatës ndërkombëtare për kërkimin e trurit, Deligardo, i cili u parashtron metodën e vetë të interesuarve, sepse siç thotë ai, mund të ndaloj “parregulluesit politike” në baza fiziologjike përmes stimulimit të trurit. Nëpërmjet ESB-së mund t’i kontrollojmë sjelljet e cilitdo personi ose grupi njerëzish, dhe në atë mënyrë të ndikojmë indirekt në ndryshime publike.
Narkotikët
Janë të njohura edhe metodat, që me anë të llojeve të ndryshme të drogave si: kokaina, heroina, hashashi, alkooli, LSD-ja etj., të depërtojmë në personalitete me qëllim të marrjes së informatave të caktuara. CIA për qëllime të veta përdor zakonisht LSD-në por edhe disa lloje drogash të reja, që ende janë të panjohura, së paku për opinion. Është e ditur se CIA është e interesuar për rreth 50 lloje drogash, dhe ka kryer e kryen edhe sot e kësaj dite eksperimente të ndryshme me njerëz, për të vërtetuar ndikimin e drogave në ndërdijen e tyre. Këtë e dëshmon edhe Timot Liri, i cili i tregoi shkrimtarit dhe estetit Volter Bovar, se një kohë të gjatë ka punuar si agjentë në CIA (deri sa nuk është burgosur) dhe se në Amerikë ekzistojnë afër 30.000 njerëz të cilët me ndihmën e drogës i kontrollon CIA.
Po e marrim vetëm një shembull sa për ilustrim për efektin e drogës LSD-25. Një sabotues me dy çanta udhëtimi të mbushura me këtë lëndë, nëpërmjet ujësjellësit, mund të paaftësojë përkohësisht të gjithë njerëzit e Evropës.
Udhëheqësit ushtarak konsiderojnë se lufta me ndihmën e substancave psikoaktive është mënyra më humane e luftës. Përdorimet për paaftësimin e materies paralizojnë përkohësisht vetëm rezistencën aktive dhe nuk janë në mënyrë të drejtpërdrejt vdekjeprurëse për kundërshtarin. Fabrikat, mjetet e komunikimit, transportit etj., mbetën të padëmtuara, ndërkaq njerëzit, brenda 24 orëve, prapë riaftësohen për drejtimin e tyre. Do të jetojnë edhe më tej në vendbanimet e tyre të padëmtuara... por në qoftë se mënjanojmë humbjen më të madhe - lirinë personale dhe kolektive, atëherë kjo luftë ndoshta edhe do të mund të quhej si “humane”.
Numri i njerëzve të kontrolluar me anë të këtyre metodave, padyshim është i madh, dhe atë në mbarë rruzullin tokësor. Gjithashtu, këto metoda u përdorën edhe në luftërat e fundit në Ballkan, ku policëve dhe ushtarëve serb, nëpërmjet substancave të ndryshme narkotike u rritej morali luftarak, iu humbiste frika, iu ndryshoheshin sjelljet etj., duke i kthyer ata në njerëz të dëgjuar, pra në një lloj njerëzish “Zombi”, në duart e udhëheqësve të tyre, për të kryer krime nga më barbare që ka mundur të njehë ndonjëherë bota.
Ser Johan Acches, i cili për punë shkencore mori Çmimin Nobel për Medicinë, konsideron se kërkimi i trurit është problem themelor me të cilin është ballafaquar ndonjëherë njeriu. Atë, si shkencëtar dhe humanist, e shqetëson thellë edhe parashikimi, se kërkimi i trurit ndoshta do të na zbulojë veprimet me të cilat njerëzit mund të bëhen anëtarë të dëgjueshëm të sistemeve totalitare, të cilët, pa protesta do t’i zbatojnë gjithnjë ato që u urdhërohen. Të gjitha kërkimet në këtë drejtim i duken më të rrezikshme se bomba atomike.
|
Haki Stermilli (1895 – 1953)
Nga Flori Bruqi
Haki Stermilli (1895 – 1953) shkrimtar patriot dhe demokrat. Lindi në Dibër të Madhe ku mori mësimet e para, kreu gjimnazin turk në Manastir. Në vitet 1920-1924 hyri në lëvizjen demokratike dhe u bë një ndër drejtuesit e shoqërisë “Bashkimi”. Pas dështimit të Revolucionit Demokratiko-Borgjez të qershorit 1924 si emigrant politik në Bashkimin Sovjetik, Itali, Austri, Jugosllavi e gjetkë, e vijoi luftën kundër regjimit zogolian dhe bashkëpunoi në faqet e “Lirisë kombëtare” dhe “Federacioni Ballkanik”. Më 1930 policia jugosllave ua dorëzoi autoriteteve të Ahmet Zogut që e dënoi me burgim. Haki Stërmilli mori pjesë si partizan në Luftën ANÇ, ishte anëtar i KANÇ-it.
Veprimtaria
Hapat e parë në letërsi i bëri në fillim të viteve 20, me drama (“Dibranja e mjerueshme”, 1923, “Dashuni e besnikri”1923, etj.), në të cilat i bëhet jehonë luftës heroike të dibranëve kundër shovinistëve serbë. Shkroi edhe librin “Burgu” (1935). Vepra e tij më e shquar është romani “Sikur t’isha djalë” (1936), ku kritikohen rreptë despotizmi familjar, normat e moralit sundues që ndrydhnin personalitetin e femrës shqiptare. Romani u prit mirë nga shtresat demokratike dhe shpejt u bë një nga veprat më të lexuara të kohës. Më 1968 u botua romani “Kalorësi i Skënderbeut”. Në të dy këto vepra autori ka bërë përpjekje për një pasqyrim me vërtetësi të jetës, por nuk i ka shpëtuar një fryme sentimentaliste. Problematika e re e gjeti pasqyrimin në dramën për fëmijë “Trashëgirntarët tanë” (1950), ku trajtohet pjesëmarrja e fëmijëve krahas të mëdhenjve në luftën kundër zgjedhës fashiste. Mbajti një ditar që u botua me titullin “Shtigjeve të lirisë” (1966), me vlera njohëse e letrare. Në të autori rrëfen për ngjarje të rëndësishme të historisë së Luftës ANÇ në vitet 1943-1944, për patriotizmin dhe heroizmin e popullit. Haki Stërmilli la të papërfunduara disa vepra letrare e historike.
Veprat
Dibranja e mjerueshme, 1923, dramë
Dashuni e besnikri, 1923
Burgu, 1935
Sikur t’isha djalë, 1936, roman
Trashëgirntarët tanë, 1950, dramë për fëmijë
Shtigjeve të lirisë, 1966, ditar
Kalorësi i Skënderbeut, 1968
Haki Stermilli (1895 – 1953) shkrimtar patriot dhe demokrat. Lindi në Dibër të Madhe ku mori mësimet e para, kreu gjimnazin turk në Manastir. Në vitet 1920-1924 hyri në lëvizjen demokratike dhe u bë një ndër drejtuesit e shoqërisë “Bashkimi”. Pas dështimit të Revolucionit Demokratiko-Borgjez të qershorit 1924 si emigrant politik në Bashkimin Sovjetik, Itali, Austri, Jugosllavi e gjetkë, e vijoi luftën kundër regjimit zogolian dhe bashkëpunoi në faqet e “Lirisë kombëtare” dhe “Federacioni Ballkanik”. Më 1930 policia jugosllave ua dorëzoi autoriteteve të Ahmet Zogut që e dënoi me burgim. Haki Stërmilli mori pjesë si partizan në Luftën ANÇ, ishte anëtar i KANÇ-it.
Veprimtaria
Hapat e parë në letërsi i bëri në fillim të viteve 20, me drama (“Dibranja e mjerueshme”, 1923, “Dashuni e besnikri”1923, etj.), në të cilat i bëhet jehonë luftës heroike të dibranëve kundër shovinistëve serbë. Shkroi edhe librin “Burgu” (1935). Vepra e tij më e shquar është romani “Sikur t’isha djalë” (1936), ku kritikohen rreptë despotizmi familjar, normat e moralit sundues që ndrydhnin personalitetin e femrës shqiptare. Romani u prit mirë nga shtresat demokratike dhe shpejt u bë një nga veprat më të lexuara të kohës. Më 1968 u botua romani “Kalorësi i Skënderbeut”. Në të dy këto vepra autori ka bërë përpjekje për një pasqyrim me vërtetësi të jetës, por nuk i ka shpëtuar një fryme sentimentaliste. Problematika e re e gjeti pasqyrimin në dramën për fëmijë “Trashëgirntarët tanë” (1950), ku trajtohet pjesëmarrja e fëmijëve krahas të mëdhenjve në luftën kundër zgjedhës fashiste. Mbajti një ditar që u botua me titullin “Shtigjeve të lirisë” (1966), me vlera njohëse e letrare. Në të autori rrëfen për ngjarje të rëndësishme të historisë së Luftës ANÇ në vitet 1943-1944, për patriotizmin dhe heroizmin e popullit. Haki Stërmilli la të papërfunduara disa vepra letrare e historike.
Veprat
Dibranja e mjerueshme, 1923, dramë
Dashuni e besnikri, 1923
Burgu, 1935
Sikur t’isha djalë, 1936, roman
Trashëgirntarët tanë, 1950, dramë për fëmijë
Shtigjeve të lirisë, 1966, ditar
Kalorësi i Skënderbeut, 1968
ETNONIMI KOSOVAR DHE KUPTIMI HISTORIK I TIJ
Prof. as. dr. Begzad BALIU
Emri i Kosovës si toponim dhe emri kosovar si etnonim janë dy elementet onomastike të cilat do të mund të diskutoheshin jo vetëm duke iu qasur nga aspekti gjuhësor e historik, por edhe nga aspekti semasiologjik, shoqëror, politik, diplomatik, motivor etj. Le t’i shohim njëherë emërtimet Kosovë si toponim dhe kosovar si etnonim:
Emri i Kosovës si toponim dhe emri kosovar si etnonim janë dy elementet onomastike të cilat do të mund të diskutoheshin jo vetëm duke iu qasur nga aspekti gjuhësor e historik, por edhe nga aspekti semasiologjik, shoqëror, politik, diplomatik, motivor etj. Le t’i shohim njëherë emërtimet Kosovë si toponim dhe kosovar si etnonim:
- Kosovë, emër historik për territorin jo aq të përcaktuar të Dardanisë antike;
- Kosovë, emër i Krahinës së Kosovës nën regjimin e Serbisë dhe të Jugosllavisë;
- Kosovë, emër i Republikës së Kosovës në vitet 1989-1999;
- Kosovë, emër i sotëm i Kosovës;
- Mala Kosova (Kosova e Vogël), emër i një pjese të Kosovës që kap kryesisht krahinën
e Llapit dhe një pjesë të Rrafshit të Kosovës;
- Kosova dhe Metohija: në trajtë administrative serbe e shekullit XX.
Ndryshe ndodh ndërkaq me rrafshin historik dhe gjeografik të etnonimit kosovar:
- Kosovar: etnonim. Njëri prej etnonimeve shqiptare, si dibran, mirditor, shkodran, llapjan
etj. Në shumë këngë shqipe të Kosovës, thuhet: “Jam shqiptar, kosovar”.
- Kosovar: përcaktues i popullatës shqiptare në territoret e ish-Jugosllavisë nga
nënshtetasit shqiptarë të Shqipërisë londineze;
- Kosovar: etnonim i përbashkët për të gjitha etnitë që jetonin brenda Kosovës nga
regjimi i ish-Jugosllavisë;
Kosovar: përcaktues etnik për vetveten nga shqiptarët e Kosovës së dëbuar dhe të vendosur me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare në shtetet e treta, për t’u dalluar nga emri shqiptar (albanian) të cilën administrata ndërkombëtare nuk e pranonte, prandaj si kompromis ndërmjet etnikut jugosllav, (i cili imponohej përdhunshëm në Maqedoni dhe insistohej në vendet e treta) arrihej në kompromisin kosovar;
- Kosovar: përcaktues i të gjitha etnive që jetojnë në Kosovë nga administrata ndërkombëtare e UNMIK-ut, megjithëse edhe ky nuk është stabilizuar plotësisht.
Në kuadër të fenomeneve motivuese, gjatë kësaj kohe ka kaluar edhe vetë etnonimi kosovar. Nëse shikojmë rrugëtimin historik të tij, etnonimi kosovar, deri në fillim të shekullit XX, ka mundur të barazohet me etnonimet e krahinave etnografike: gegë, toskë, çam, kosovar, drenicas, labriot, dukagjinas, rugovas, gallapas, llapjan etj., por pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe pushtimit të Kosovës nga shteti serb, etnonimi kosovar nga shqiptarët e Shqipërisë së lirë ka përfshirë banorët shqiptarë të mbetur nën ombrellën e mbretërisë serbo-kroato-sllovene që quhej Jugosllavi. Për të njëjtit, ky etnonim ka vazhduar të mbulojë të gjithë shqiptarët deri në fund të këtij shekulli edhe nga politika shtetërore shqiptare.
Ndryshe nga shqiptarët e Shqipërisë londineze, shqiptarët e pushtuar nga sllavët e kanë quajtur veten e tyre shqiptar dhe kur e kur edhe kosovar, vetëm për atë pjesë të popullatës që ka jetuar brenda kufijve të Kosovës, ndërsa sllavofolësit i kanë quajtur me emrin e vjetër arbanas, ose edhe shiftari e shiptari (eufemizmë) dhe albanci, në të gjitha rastet në shkallë të administratës shtetërore.
Në shkrimet gazetareske dhe në fjalorin diplomatik të Europës nga të huajt etnonimi kosovar ka filluar të përdoret për shqiptarët që migruan këto dhjetë vjetët e fundit, mbase më shumë për të dalluar nga migracioni po kaq vërshues nga Shqipëria.
Tradita gojore shqipe e ka “shqiptar - kosovar” dhe anasjelltas: “jam shqiptar e kosovar” thotë rapsodi, mbase një shprehje e traditës, së ruajtur si “italo - arbëror” dhe “italo-shqiptar”. E ndihmuar edhe nga një ndërhyrje politike, pas vitit 1981, në traditën gojore emri mal(ë)sor në shumë raste erdhi e u bë sinonim i emrit shqiptar. Këngëtari popullor në shumë raste për toponimin Shqipëri përdorte toponimin Mal(ë)si, ndërsa për etnonimin shqiptar përdorte etnonimin malësor. Kjo trajtë, megjithëse jo në administratë, përdorej në bisedimet e përditshme edhe brenda qarqeve politike e shkencore serbe. Një drejtues i Bibliotekës Universitare të Beogradit, duke më njoftuar për ardhjen e një punëtori të ri në Bibliotekën e albanologjisë, më thoshte: “Kemi pranuar një punëtor nga Mali i Zi, por ai është malësor e jo cërnogorac (sic!), me çka më jepte të nënkuptoja se, megjithëse punëtori i bibliotekës ishte nga Mali i Zi, ai nuk ishte me kombësi malaze, por shqiptare.
Etnonimi kosovar u bë pjesë e shtypit të përditshëm, e fjalorit diplomatik ndërkombëtar dhe më në fund edhe e dokumenteve personale të shqiptarëve nga Kosova. Natyrisht, kjo nuk ndodhi në të gjitha rastet. Deri sa në Shqipëri, në rubrikën e dokumenteve zyrtare nacionality shkruante: kosovar, në të njëjtin dokument në Maqedoni, për të njëjtën rubrikë, shkruante: YU (jugosllav), sikur edhe në të gjitha shtetet ku punonin shqiptarët nga Kosova që në fillim të viteve ’60.
Përkundrazi, refugjatët e luftës, si duket, qenë të parët që e thyen këtë rregull. Për herë të parë, në dokumentet me vlerë ndërkombëtare, shumë refugjatët e luftës nuk pranuan të nënshkruhen në dokumentet e tyre shtetësinë jugosllave, por kërkuan që ajo të jetë shqiptare-kosovare, ose kosovare, siç arrihej me kompromis.
Shikuar nga aspekti juridik, me sa dimë ne, në këto dokumente (me vlerë ndërkombëtare), për herë të parë shtetet ku u vendosën të dëbuarit, brenda sistemit juridik dhe legjislativ të tyre kanë pranuar identitetin dhe etninë e kosovarëve, pra, para se të pranohet shteti i Kosovës.
Pas mbarimit të luftës dhe vendosjes së administratës ndërkombëtare, në Kosovë, disa të ashtuquajtur teoricientë të kombit kosovar, kanë marrë nismën për përkufizimin e kombit kosovar. Përdorimi i emrit kosovar nuk ka munguar as nga institucionet ndërkombëtare, me të cilën ata kanë emërtuar të gjitha nacionalitetet në një etnitetet të Kosovës.
Kujtimi i krijimit të kombit kosovar na kujton edhe një tregim nga historia. Sipas disa historianëve, në vitin 1966, qeveria e Beogradit kishte arritur në një vlerësim të caktuar sa të besonte se në Kosovë, përveç udhëheqësve politikë, ishte krijuar edhe një inteligjencë e mjaftueshme që t’i kundërvihej politikës dhe kulturës së Tiranës, prandaj duhej krijuar edhe kombi kosovar, e madje edhe shteti i Kosovës.
Pavarësisht nga historia, shqiptarët në Kosovë duhet të krijojnë konceptin e tyre rreth etnonimit kosovar, sepse kam përshtypjen që etnonimi kosovar nga ndërkombëtarët ka filluar të konceptohet si një emërtim që deri dje mbulonte konceptin për etnonimin jugosllav, dhe mbulonte të gjitha etnitë e ish-Jugosllavisë. Në pasqyrën e regjistrimit të vitit 1972 u krijua një rubrikë e veçantë në kuadër të të gjitha etniteteve: sllovenë, kroatë, malazez, shqiptarë, maqedonas, jugosllavë, serbë, hungarezë etj. Teoricientët e krijimit të kombit kosovar, jo rrallë janë nisur nga konceptet çintegruese në shkallë kombëtare të dala dhe të reklamuara shumë dhjetë vjetët e fundit për gegët dhe toskët, për Veriun dhe Jugun e Shqipërisë etj., prandaj është e kuptueshme pse mendimet e tyre janë pritur me reagime, me ftohtësi dhe madje me frikë.
Një gjë ndërkaq është më se e vërtetë. Sot edhe analistët që merren me studimin e çështjes shqiptare dhe ballkanike guxojnë të thonë se ‘një komb i ri po lind’. Kjo dëshmon se brenda strukturës së këtyre teoricienëve sot nxisin, kontribuojnë dhe lobojnë edhe një numër i caktuar i të huajve.
Për ne tashmë shtrohet nevoja e diskutimit të kësaj çështjeje me vetëdije kritike për të sotmen dhe me vetëdije historike për të ardhmen. Ky është problem kombëtar që duhet diskutuar me përmasat historike të çështjes e kurrsesi me pikëpamje dhe vetëdije krahinore ose rajonale. Ky është problem që do një diskutim tjetër, një studim të ri.
MORALI, ETIKA DHE NDËRGJEGJA
Shkruan: Sokol DEMAKU
Sot duket se këto rregulla, sjellje, parime e ndjenja dhe këto veti pozitive të njeriut as që duken në horizont, as që janë prezente në jetën tone. Sikur të ketë rënë një breshër dhe t'i ketë zhdukur nga faqja e dheut këto veti pozitive njerëzore. Pra sot as që mund të flitet për moral apo rregulla a parime apo norma njerëzore.
Morali
Morali është një rregull, parim ose normë e sjelljes, e paravendosur nga një shoqëri, bashkësi, dhe e pranuar nga një njeri për mënyrën e tij të sjelljes dhe e zbatueshme nga të gjithë njerëzit e arsyeshëm; ose mësim i vlefshëm në mirësjellje, etikë ose domethënie praktike e shprehur apo e nënkuptuar në një histori, fabul, ose ngjarje.
Pra, morali është tërësia e parimeve, e normave edhe e rregullave që janë krijuar historikisht në kushte të caktuara ekonomiko-shoqërore dhe që përcaktojnë sjelljen e veprimtarinë e njerëzve në shoqëri, vetë sjellja e njeriut sipas këtyre parimeve, normave e rregullave. Sjellje që lidhet me nderin, sjellje e ndershme, tërësi e forcave të brendshme që e shtyjnë njeriun të veprojë, të qëndrojë a të plotësojë një detyrë, gjendja shpirtërore e dikujt.
Morali ka edhe kuptime të tjera:
-Çështje a shqetësim me gjykimin e veprimit dhe karakterit të mirë apo të keq të njeriut: mëdyshje morale; shqyrtim moral,
-Mësim ose shfaqje e mirësisë ose përpikërisë së karakterit dhe sjelljes: mësim morali,
-Në përputhje me standardet e asaj çka është e drejtë ose e mirë në sjellje: virtyti, jeta morale,
-Ngritja nga ndërgjegjja ose kuptimi i së drejtës dhe gabuarës: detyrim moral,
-Pasojat e qarta shpirtërore sesa trupore: përkrahje morale,
-Bazimi në mundësi të fuqishme ose bindje të fortë, sesa në dukshmërinë e së vërtetës: siguri morale.
"Përpjekja më e rëndësishme njerëzore është orvatja për moralitet në veprimet tona. Baraspesha jonë e brendshme dhe madje bash qenësia jonë mvaret nga kjo. Vetëm morali në veprimet tona mund t´i japë bukuri dhe dinjitet jetës". (Albert Ajnshtajn)
"Shkëlqimi i moralit ndodh si pasojë e vesit. Ne bëhemi të drejtë duke bërë vepra të drejta, të përmbajtur duke bërë vepra të matura, trima duke bërë vepra guximtare". (Aristoteli)
Por e zezëdita se sot duket se këto rregulla, sjellje, parime e ndjenja dhe këto veti pozitive të njeriut as që duken në horizont, as që janë prezente në jetën tone. Sikur të ketë rënë një breshër dhe t'i ketë zhdukur nga faqja e dheut këto veti pozitive njerëzore. Pra sot as që mund të flitet për moral apo rregulla a parime apo norma njerëzore.
Etika
Etika është shkenca që studion moralin, parimet, normat dhe rregullat e sjelljes së njerëzve në shoqëri. Morali i një shoqërie, i një klase apo edhe i një grupi shoqëror.
Etika në filozofi është studimi dhe vlerësimi i sjelljes njerëzore në dritën e parimeve morale. Parimet morale mund të shikohen si standardi i sjelljes që njerëzit kanë ndërtuar për veten e tyre ose si lëndë e shtrëngimeve dhe detyrimeve që një shoqëri e caktuar kërkon nga pjesëtarët e saj. Ajo merret me çështjet se çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe, si mundemi ne të bëjmë dallimet mes tyre, a është e mira dhe e keqja e njëjtë për të gjithë; si mundemi të bëjmë vendime të forta që mund të ndihmojnë apo pezmatojnë të tjerët? Emërtimi përdoret edhe për çdo sistem ose teori të vlerave morale ose parimore. Tradicionalisht etika ndahet në etikë normative dhe etikë e zbatuar.
”Asgjë që është e gabuar moralisht mund të jetë politikisht e drejtë". (William E. Gladstone)
"Ata që kultivojnë rrëmujë morale për përfitim duhet të kuptojnë këtë: ne do t´i përmendim emrat e tyre dhe do t'i korisim ata siç e lypin të koriten". (Bob Dole)
Por fatkeqësisht edhe kjo shkencë sot është hequr nga përdorimi dhe nuk gjen zbatim në jetën e përditshme përderisa edhe morali ka renë dhe nuk behët fjalë për norma amorale apo rregulla morale, pra edhe kjo shkencë ka renë në gjumë, sepse nuk kam e çka të merret.
Ndërgjegjja
Ndërgjegjja është forma më e lartë e pasqyrimit të realitetit objektiv si veçori e veprimtarisë së trurit të njeriut dhe si funksion i tij.
Sipas psikologjisë tradicionale, është një funksion i aftësisë njerëzore për të përvetësuar diturinë. Ndërgjegjja është dhuntia e vetëgjykimit, ndjenjës së pendimit dhe e keqardhjes kur ne bëjmë gjëra që janë kundër normave tona morale. Ndjenja të tilla nuk arrihen nga mendja, megjithëse ato mund të shkaktojnë që ne të "shqyrtojmë ndërgjegjen tonë" dhe t´i rishikojmë këto norma morale, ose ndoshta të arrijmë të shmangim përsëritjet e sjelljeve të tilla. Shumë njerëz mendojnë që ndërgjegjja është një shkallë e veçantë e vetëdijes njerëzore, që na shtyn, madje na detyron, nga shkaqe etike dhe morale të kryejmë ose jo veprime të caktuara.
Vendimet që marrim mund të na duken si të pashmangshme ose të vetëdijshme, pra në dijeninë e pritshme dhe të mendueshme të pasojave. Shkencëtaret e sotëm të fushës së etologjisë dhe psikologjisë zhvilluese kërkojnë t´a shpjegojnë ndërgjegjen si një funksion të trurit njerëzor që u zhvillua të aftësojë altruizmin e dyanshëm brenda shoqërisë. Si e tillë mund të jetë vetështytëse ose e mësuar. Pra aftësia për të kuptuar vendin dhe detyrën në jetën shoqërore, kuptimi i qartë i vetive kryesore e dalluese që përcaktojnë qëndrimin dhe sjelljen e njeriut në jetën shoqërore, vetëdije, ndjenjë vetjake e përgjegjësisë morale për sjelljen e veprimet përpara shoqërisë, qëndrimi i drejtë në punë e në jetë, që niset nga kjo ndjenjë. Materia është parësore ndërsa ndërgjegjja është dytësore.
Por si duke edhe kjo sot ka humbur nga horizonti, jo vetëm tani por ka filluar që ka kohë.
EMRI KOMBËTAR SHQIPTAR NË STUDIMET E PROFESOR ÇABEJT
Shkruan: Prof. as. dr. Begzad BALIU
Gjatë kësaj kohe, dmth, gjatë kalimit nga antika në mesjetë, sikur dihet përveç fërkimeve që kanë pasur me fqinjët, përveç ndeshjeve kulturore, fetare etj., u zhvilluan edhe disa procese të brendshme, të qëndrueshme për organizimin e mëvonshëm të arbërorëve përballë sfidave të kohës. Këtu mund të përmendim: formimin e gjuhës shqipe përpara dyndjes së sllavëve, përhapjen e krishtërimit, organizimin kur më i dobët e kur më i fortë të fiseve në shkallë krahine, organizimin kulturor etj.
1. Interesimi i Çabejt
Problemi i prejardhjes së etnonimit arbër-shqiptar dhe emrit të vendit të tyre Arbëri-Shqipëri i ka nxitur shumë studiues që të merren me hulumtimin e tij në aspektin interdisiplinar. Çështja e studimit të këtij problemi lidhet me vetë rrjedhën e studimeve albanologjike në përgjithësi dhe onomastikën në veçanti. Filozofët, historianët, arkeologët, etnografët - etnologët, gjuhëtarët ( indoevropeistët, ballkanologët, albanologët, helenistët, sllavistët, germanistët, romanistët, ilirologët, trakologët, trako-ilirologët, pellazgologët, etruskologët etj., ), problemin e prejardhjes së etnonimit arbër, arbëror, arbënuer, arbnesh, arbëresh, «shqiptar»; emrin e vendit Arbëni, Arbëri, Shqipër; të gjuhës, arbërisht, arbënisht, shqip, ilirisht, pellazgjisht, etruskisht etj., e kanë trajtuar sipas shkollave të dryshme, metodave e domeneve të ndryshme, nga aspekti diakronik e sinkronik, nga aspekti historik, material e shpirtëror, etnologjik, fonetik, gramatikor, etimologjik e sociologjik, por edhe pse deri më tash janë dhënë rezultate të shumta, nga disa aspekte edhe më tutje ka moskënaqësi e mospajtime mes studiuesve të ndryshëm. Eqrem Çabej, etnonimin arbër/shqiptar ose siç shprehej ai: «emrat e vjetër nacional», «emrat nacional», «emri i popullit», dhe toponimin Arbër/ Shqipëri, i ka trajtuar në një thellësi, pothuajse shteruese shkencore, duke pasur parasysh studimet dhe rezultatet e arritura deri në kohën e tij dhe zbulimet arkivore të vjela nga ai ose paraardhësit e tij. Eqrem Çabej problemin në fjalë e ka trajtuar në disa artikuj, në të cilët trajtonte probleme të ndryshme e domos problemin e vendit të formimit të popullit shqiptar e të gjuhës shqipe, dhe në artikuj të veçantë.
2. Horizonti historik dhe hapësira gjeografike
Qëkur studiuesit (historianët, gjuhëtarët, arkeologët e etnologët) lexuan në hartën e Ptolemeut të shekullit të II pas erës sonë emrin e fisit Albanoi dhe të qytetit Albanopolis, nuk pushuan së hulumtuari ]ështjen e afrisë së këtij emri me emrin etnik të vetë arbërorëve -shqiptarëve dhe të vendit të tyre, Shqipërisë. Mirëpo, çështja has në vështirësi që në fillim. Pas daljes së emrit të fisit Albanoi dhe të qytetit Albanopolis, ky emër, në njërën anë, tretet në dokumentet historike për më se 2000 vjet, siç thotë Çabej dhe nuk ndeshet as në dokumentet e brendshme kombëtare, as në dokumentet e kohës te fqinjët, pavarësisht se një popull, si populli arbëror nuk mund të qëndronte aq indiferent në rrjedhat historike, ndërsa në anën tjetër rrënja alb- është një element, i cili përfshin një zonë të gjerë gjeografike, jo vetëm të zonës etnike shqiptare e ballkanike por edhe evropiane.
Studiuesi Antonio Galanti, duke u marrë me këtë rrënjë shkruan: «Britania e vjetër u quajt edhe Albion. Malësorët e Skocisë e thërrasin vendin e tyre Albany. Emri Alba gjendet shpesh n’Italinë e Vjetër (Alba-Longa në Lac, Alba Fucense në vendin e Marsejvet, Alba Pompeja,...). Edhe në Galinë e moçme e në Spanjën e Vjetër takojmë emrin Alba. Të gjithë e kanë ndigjuem emrin e qytetit Albi në Provencë, prej kah mueren emrin e vet heretikët albigezë në shek. XIII» (...) Rëndësi më të madhe përkundrazi ka hipotheza se gati të gjithë, a gati të gjithë këta emra qesin ndër mend rranjen alb a alp që do me thanë i bardhë e mal i lartë (prej majes së bardhë të mbulueme me borë)». Mahir Domi nuk flet për mënyrën se si është bartur emri, por flet vetëm për vijimsinë, një element me rëndësi për prejardhjen e popullit shqiptar e të gjuhës shqipe nga ilirët, kur shkruan: vijimsia «iliro-shqiptare që del në lidhjen e emrit kombëtar të shqiptarëve në mesjetë (në burimet bizantine të shek. XI-XII e më pas «Albanoi», «Arvaniti», vendi «Arbanon» në burimet latine Albanenses/Arbanenses, në shqipe arbën/arbër, arbnesh/arbëresh, arbënor/arbëror), me emrin «Albanoi» të një fisi afër Durrësit».
Si Eqrem Çabej ashtu edhe Shaban Demiraj, më vonë, pyetje për vijimsinë e etnonimit arbër nëpër dokumente, u janë përgjigjur me mënyrën e jetesës së popullit shqiptar (në fise dhe në një homogjenitet të pamjaftueshëm për të shtrirë dhe mbajtur gjallë një emër etnik të përbashkët. Duke u nisur nga kjo gjendje, sidomos nga pozita e Çabejt, historiani Muhamet Pirraku, konstaton se «Mendimi i ngulitur në literaturë se emrat Arben/Arbër, Arbënesh/Arbëresh ishin «Emri i Shqipërisë e i shqiptarëve në mesjetë», për mendimin tonë, nuk ka mbështetje në faktologji dhe në realitetin mesjetar. Vendi dhe populli i copëtuar në disa perandori e principata dhe në disa fe, në mesjetë, nuk mund të mbante emër të njëjtë për popullin dhe për vendin».
Mendimi i Mahir Domit del përballë disa studiuesish, si ai grek Eras L. Vranusi, i cili në vitin 1970, e kishte vënë në dyshim një lidhje të domosdoshme, në mos më shumë për një ngjashmëri të rastit, ndërmjet albanoit dhe arbëri dhe studiuesit serb Bariç, i cili më herët e kishte lëkundur sikur shprehej ai: «kontinuitetin e emrit të vjetër ilir Albanoi me emrin e arbërve të sotëm. Ai mendonte se ky kontinuitet nuk ka ndonjë domethënie ma të madhe, sepse të parët e tyre kanë muejt me e trashëgue këtë emër prej banorëve të vjetër ilirjan n’atdheun e tyre të ri, poashtu sikur sipas rezultateve të shkencës bashkëkohore edhe Albanoit ilirijanë këtë emër e kanë trashëguar prej popullsisë së lashtë joindoevropiane, dmth., prej popullsisë mediterane, për të cilën gja dëshmojnë toponimet e shumta, të nxjerra prej fjalës mediterane alb- «kodër, vend i ngritur», në të gjithë zonën e shtrime prej Kaukazi deri në Liguri dhe në gadishullin Iberik»
Ndryshe nga Çabej, Demiraj e studiues të tjerë dhe sidomos M. Pirraku, që e vejnë në dyshim një emër të mundshëm për tërë popullin, Osman Myderrizi homogjenitetin e mundshëm e gjen te rreziku nga ndërhyrjet e sllavëve në mesjetë: «Kundërshtimi e fërkimi i pandam me këta të huaj (sllavët-B.B.) zgjoi ndjenjën e solidarsisë etnike ndër fise të ndryshme ilire t’Epirit, të Maqedonisë e t’Ilirisë e si konsekuencë duel edhe pranimi i një emëri të përbashkët, për t’u paraqitur si një fuqi e bashkueme kundra tyre. Kështu emri Arbën, tue qen emni i një krahine të njohun, të fortë e të përparueme, u pranua vetëm si një emblemë bashkimi për të gjitha krahinat e tjera dhe me kohë u bë emën kombëtar» Nuk duhet përjashtuar faktin që, nëse arbërorët ishin ndihmës të fisit të avarëve, ata në të vërtetë u përhapën në të gjitha zonat e etnicitetit iliro-shqiptar dhe në këtë mënyrë u bënë trashëgues të këtyre zotimeve, por që identifikimi i tyre në literaturë u bë i njohur vetëm pas shek. VII, kur u ndeshën me fillimin e depërtimeve të sllavëve në Ballkan dhe rrezikun që u kanosej.
Mendoj se mendimeve të mësipërme më së miri u përjigjet historiani shqiptar Kasem Biçoku, i cili mendon se shkak i paraqitjes së vonë të emrit Arbëri, deri në shek. XI-XII, kur edhe fillon dobësimi dhe rënia e Perandorisë Bizantine, është praktika administrative, kancellareske e kishtare e shtetit bizantin për të përdorur elemente të traditës antike, si: Ilir, Epir, Maqedoni etj». Përhapja, ose më mirë të themi, stabilizimi i etnonimit arbër gjatë kohës romake u bë edhe për shkaqe të ndikimit ekonomik e kulturor. Rruga Via Egnatia dhe roli i saj në Shqipërinë e mesme ishte i fuqishëm, prandaj nuk është e çuditshme që pikërisht kjo zonë do të bëhet vatra kryesore, nga e cila rrezaton më së shumti emri i arbërit edhe atëherë kur emri arbër në shkallë kombëtare do të ketë më shumë karakter metaforik(libror) sesa nacional.
Mendimi i Biçokut gjithashtu të kujton një emërtesë të dyfishtë të emrit të Dardanisë nga administrata romake, si Pirustae dhe popullata vendase Dardani. Po kjo shpjegohet edhe me një element të rëndësishëm që e shënon Kasem Biçoku: «Shkrimtarët e vjetër shqiptarë e të huaj fjalët Epir e epirot i kanë përdorur si sinonime të emrave arbër e arbën, kurse banorët vendës të Epirit(Shqipërisë së Poshtme) gjatë shekujve të mesjetës nuk e kanë përdorur e njohur». Bie fjala, «Maqedonia, si emër më i vjetër dhe Arbëria si emër mesjetar, cilësohen si pjesë të njëra-tjetrës dhe këta dy emra dalin si sinonime».
Gjatë kësaj kohe, dmth, gjatë kalimit nga antika në mesjetë, sikur dihet përveç fërkimeve që kanë pasur me fqinjët, përveç ndeshjeve kulturore, fetare etj., u zhvilluan edhe disa procese të brendshme, të qëndrueshme për organizimin e mëvonshëm të arbërorëve përballë sfidave të kohës. Këtu mund të përmendim: formimin e gjuhës shqipe përpara dyndjes së sllavëve, përhapjen e krishtërimit, organizimin kur më i dobët e kur më i fortë të fiseve në shkallë krahine, organizimin kulturor etj. Kasem Biçoku, për të njëjtën periodë, ka dalluar edhe një element të rëndësishëm për temën tonë, emrat personalë. Sipas tij «edhe pse me përhapjen e kristianizmit-emrat personal erdhën në pjesën më të madhe nga emrat e botës së krishterë, duke iu përshtatur gjuhës shqipe, ata morën tiparet e një antroponimie kombëtare shqiptare. Kështu gjatë shekujve të mesjetës u formua një unitet antroponimik relativ te shqiptarët kudo që ata banonin. Në këto kushte, si dhe në konfrontim e bashkëjetesë me popujt ardhës paganë, që u dyndën dhe u vendosen në Ballkan dhe për t’u dalluar dhe veçuar nga ta, jo më vonë se në këtë periudhë ndryshimesh të vrullshme etnike, emri arbër (Arbëri, Albani) u bë emër i përbashkët për shqiptarët». Mendimin e Henrik Bariçit, që në të vërtetë është vetëm një vazhdim i mendimit të Norbert Joklit, Trombettit, Bertoldit, Taliavinit, Hubsehmmidi-tit, Popoviçit etj., të cilët mendonin se rrënja alb-, arb- etj., duhej të ishte e trashëgimisë paraindoevropiane, e kanë kundërshtuar Kasem Biçoku dhe Eqrem Çabej. Biçoku mendon me të drejtë se «emri Arbër (Arbëri, Albani) është trashëguar nga onomastika ilire» dhe Çabej, i cili nxori një përfundim për një çështje kardinale për gjuhën shqipe dhe historinë e popullit shqiptar: «Prej këtij emri rrjedhin rregullisht Arben, Arbër i shqipes, një dëshmi ndër të tjera, që shqiptarët janë anas, autokton në vendbanimet e sotme dhe që aty ka një vijimsi, një konfirmitet gjuhe të paktën prej antikitetit».
3. Shtrirja gjeografike
Prej shek. XI, kur emri Arbër, Arbën, fillon të dalë nëpër dokumente të huaja, deri në shek. XVIII kur del etnonimi shqiptar, për studimet gjuhësore dhe historike çështja e shtrirjes gjeografike e emrit të Arbërit paraqet një element të rëndësishëm. Eqrem Çabej e ka konsultuar një literaturë të gjerë dhe ka bërë një pasqyrë pothuajse shteruese për shtrirjen e etnonimit arbër dhe top. Arbëri, në Shqipëri e koloni, te popujt fqinj dhe në burimet dokumetare e të traditës së tyre, ndërsa sa i përket lokalizimit të qytetit të Albanopolisit të Ptolemeut në Zgërdheshin e sotëm, në Juglindje të Krujes, E. Çabej mendon se teza e Hanit, paraqitet mjaft bindëse. Studiuesit Ludwig von Tholloczy-Konstandin Jeriçek i kanë bërë një paraqitje të gjerë shtrirjes historike dhe gjeografike të Arbërit: «Në burimet e shkruara latinisht, sidomos në burime kishtare, vendi quhet Arbanum, populli Arbanenses, prej nga rrjedh italishtja, në librat e Raguzes 1320, Albanese, Arbanese. Sllavët e quajtën popullin Arbanasi. Emrin Arbanasi e gjejm te poemat dalmatine, si dhe në këngët popullore, por tani ndihet vetëm në jug, sidomos në Ragusë e në Mal të Zi, ku Arbanas quhet Shqiptari katolik». «Turku Ballabanbeg, (...) më 1415 mban titullin «Subash i Krujës dhe i Rabinit» dmth Arbënit». Nga këto të dhëna autorët Tholoczy-Jeriçek kanë përfunduar: «Në Arbanum përfshiheshin gjith vendet prej Alpevet shqiptare midis lumenjvet Lim e Drin e gjer te malet në jug t’Elbasanit. Me kohë emri i Arbnit u zgjerua e u shtri edhe jashtë këtij trualli të ngushtë. (...) Qysh nga fundi i shek. XIV, emri i Arbnit shtrihet edhe në veri: n’akte raguziane më 1386 përmes S. Sergius dhe Albania(ot Shirq) në grykën e Bunës; gjithashtu 1419 Tivari, 1413 edhe Lushtica afër Kotorrit, 1443 Podgorica, përmenden të gjitha si vende të ndodhura n’Arbën ose në Shqipëri. Një përshkrim rreth vitit 1570 quan Arbër vendin prej Ulqini e gjer në Vlorë e në malet e Himarës. Dihet se edhe vendi i Kotorrit u quajt Shqipëri venetjane, në kohën e Napoleonit I. Shqipëri frenge, para 1448 Shqipëri austriake».
Studiuesi David Lluka pasi e ka vlerësuar studimin e Çabejt nga aspekti historik e gjuhësor, mendon se etimologjia e këtij toponimi qëndron në shndritjen e toponimisë së rrethit të Krujes së sotme, prandaj ai përfundon, se etimologjia e tij varet nga metodologjia e shtruarjes së problemit e këto janë tri elemente: «Shtrirja e karahinës së Arbërisë, shtrirja e këtij emri në kohë jashtë kësaj krahine deri sa ai bëhet kombëtar dhe raporti në mes »arben/arbër» »krainë» dhe arbër/arben »fushë», duke i shikuar këto në lidhjet që paraqesin me njëra tjetrën».
Studiuesi Engjëll Sedaj është njëri nga ata studiues që i ka kushtuar një monografi të tërë problemit të prejardhjes së etnonimtit arbër/shqiptar dhe në kontekst të shqyrtimit të kësaj teme e shoh të udhës ta trajtojë në vijimsinë e problemeve të përgjithshme a të veçanta. Autori bën mirë që krahas emërtimit të shqiptarëve me emra të ndryshëm nga të huajt, gjatë historisë edhe sot, sjell edhe një pasqyrë të emërtimit të popujve edhe më të mëdhenj se shqiptarët, për të dëshmuar se fjala është për një dukuri të natyrshme historike që ka lindur si rezultat i fqinjësisë së popujve, luftëtarëve, okupimeve të ndërsjella, ndikimeve kulturore, përkimeve gjuhësore, madje jo vetëm në Gadishullin Ballkanik por edhe në Evropën Perëndimore e Qendrore. Sa u përket shqiptarëve, autori sjell edhe emërtimet e brendshme: «ndër shqiptarët, përveç emërtimeve arbënesh dhe shqiptar, ekzistojnë emërtime tjera, sipas shtrirjes regjionale më të gjerë dhe më të ngushtë, siç janë: gegë (Gegëri), toskë (Toskëri, Toskëni), çamë (Çamëri), pastaj: matjan, pultjan, llapjan, drenicas etj., kurse popujt tjerë na quajnë: Albansis, albanese, Albaner, albanci, Arnaut, Arvanit, Raban etj».
Nuk më duket i qëndrueshëm insistimi i përsëritur i autorit që kalimin nga ilirët te shqiptarët ta shikojë vetëm përmes etnonimit arbër. Sikur dihet, shqiptarët kanë përdorur edhe emrat «sporadikë», - sikur i quan Sedaj, - epirotas, makedon etj., të cilët nuk duhet përjashtuar nga ky proces. Të pranosh vetëm emrin arbër, si përcaktues të etnonimisë së sotme shqiptare do të thotë të rrudhësh shumë hapësirën gjeografike të trojeve shqiptare, ndërmjet trojeve të djeshme etnike dhe trojeve të sotme shqiptare, d.m.th. ta rrudhësh shumë shtrirjen territoriale shqiptare dhe të zvogëlosh për disa herë numrin e «shqiptarëve» të sotëm, gjatë antikës dhe mesjetës. Engjëll Sedaj duke iu qasur etnonimit arbër mbështetet edhe në lëndën etnografike e të folklorit, por veçanërisht në rezultatet gjuhësore të prof. Çabejt, pa lënë anash këtu, vërejtjet dhe mendimet e historianëve si: Aleks Buda, Kristo Frashëri, Fanulla Papazogllu etj., pastaj gjuhëtarët Idriz Ajeti, Rexhep Ismaili, Dhimitër S. Shuteriqi etj. Në një kapitull të veçantë me mbështetje të mirë historike, historiografike e të arkeologjisë E. Sedaj trajton shtrirjen dhe vendin e formimit të albanëve antikë dhe Albanopolit të tyre. Në mbështetje të njohurive të sotme të historisë dhe sidomos arkeologjisë, këtë vend autori e gjen midis Matit e Shkumbinit, duke pranuar mendimin e Selim Islamit, për Zgërdheshin si qendrën më të madhe arkeologjike të njohur në atë zonë. Po këtu, autori i trajton nga shumë aspekte edhe marëdhëniet historike ndërmjet krahinave dhe qyteteve shqiptare gjatë antikës e mesjetës, duke i vënë në përdorim edhe disa çështje të ndikimeve gjuhësore, ndërmjet greqishtes e shqipes, të cilat shpjegojnë shumë çështje historike, edhe nga fakti se shqipes i mungojnë dokumente të shkruara gjatë mesjetës dhe antikës në krahasim me greqishten.
4. Aspekti biblik i shpjegimit të etnonimit arbër
« Shikuar sub specie mundi, - shkruan E. Sedaj – etnonimi alban, në këtë shkallë të vetëdijes së zhvilluar, dëshmohet në rrjedhat e fuqisë titanike traditore, që gjatë shekujve ishte më e fuqishme se raca, relegjioni dhe ekonomia». Le të shihet këtu edhe përkufizimi i përafërt i studiuesit Giusepse Schiro Juniori: «Duke krahasuar me kujdes shprehjet arbëreshe ndër shkrimet greke – të pabotuara, por që gjenden në shtyp – më ra në sy se në fjalën Arbër përmblidhen vlera kuptimore që kapërcejnë shënimin e thjeshtë si emër i një populli e se ky emër reflekton më tepër botën etnike të fisit». Këta ishin njerëz që jetonin në kultin atavik të lirisë së individit dhe të njëjtës strukturë familjare: më pëlqen të kujtoj se historianët bizantinë i quajnë Arbëreshët αβαδιεντοι, do me thënë, njerëz pa udhëheqës, pa kuryetarë. Ishin njerëz që u lëshojin grave, të rinjëve dhe të vjetërave kujdesin e shtëpisë dhe të arave dhe vijin si ideal të jetës trimërinë dhe respektin absolut të fjalës së dhënë, të besës». Ose edhe më saktë: «Ashtu si u tha për greqishten, ku shënohen dy grupe kuptimesh albanon e albana, me vlerë të njëjtë, dhe arbanhtiV. Chetta, duke iu përshtatur të folmes së kohës, përdor dy forma: një arbër dhe tjetra është «arbëreshë» dhe, ashtu si në greqishte, forma e parë shënon «arbreshin» apo shqiptarin si përfaqësues i fisit, ndërsa arbëreshë-arbëreshi shënon individin arbreshë në vetvete. Ndryshimi sot, duke dalë jashtë përdorimi fjala arbër, duket i stërholluar, por është lehtë për t’u kuptuar nga ai që njeh kuptimin e ri e të vjetër të fjalës arbëresh».
« Pra, kuptimi arbër është arbresh a shqiptar duke theksuar sidomos »fisin» si dhe dheu ku jetojnë Arbreshët e Shqiptarët. Pra, ku arbreshi vë vatrën e tij aty është «Arbër»: do me thënë «Shqipëri», (theksojmë se Chetta nuk përdor formën Arbëri). Rrjedhimisht Arbria nuk gjendet vetëm brënda kufirit politik të Shipërisë së sotme, por në çdo pjesë të dheut, ku dhizet flaka e një vatre shqiptare: në Greqi, në Ungari, në Rumani, Jugosllavi, Turqi, Itali dhe Amerikë. Vlerë mistike e fjalës: aty ku shqiptari vë gurin e vatrës së tij, ajo shtëpi bëhet Arbër. (…) është Shqipëri mistike, një Shqipëri spirituale me plotësimin e të gjitha vlerave morale që çdo shqiptar trashëgon nga autoriteti atëror dhe ja u pason pasardhësvet me besnikri». Një përgjegjje e tillë e krahasuar me Skiroin besoj gjen shpjegim edhe te studiuesi i folklorit Shaban Sinani, kur vlerëson se: «tek krijuesit e moçëm të këngëve legjendare-shqiptare është kulti i vedlindjes, i malit, i dheut, i bjeshkës, i asaj që kovencionalisht do ta quanim »atdhe shpirtëror», ose një «habitat» ende i vagullt». Që të dy mendimet, pra edhe mendimi i Skiroit edhe mendimi i Sinanit, që ndonëse merren me probleme të ndryshme, në fakt që të dy kërkojnë probleme thelbësore të etnisë, unë gjej një bazë biblike të shpjegimit, të lëvizjes së shenjëtorëve, ose saktësisht të Shën Mateut:
18.«Duke ecur gjatë bregut të Detit të Galilesë, Jezusi pa dy vëllezër: Simonin të quajtur Pjetër dhe Andrean, të vëllanë, të cilët po hidhnin rrjetën në det, sepse ishin peshkatarë;
19. Dhe u tha atyre: »Ndiqmëni dhe unë do të ju bëjë peshkatarë njerëzish».
20. Dhe ata i lanë menjëherë rrjetat dhe e ndoqën.
21. Dhe, duke vazhduar rrugën, pa dy vëllezër të tjerë: Jakobin, birin e Zebedeut dhe Gjonin, vëllanë e tij, në barkë bashkë me Zebedeun, atin e tyre, duke ndrequr rrjetat; dhe i thirri
22. Dhe ata lanë menjëherë barkën dhe atin e tyre dhe i shkuan pas».
Ky shpjegim ka përgjegje në fushë të historisë, sepse vetëm njerëzit (individët) e tillë mund të bëheshin bartës të emrit që do të bëhet etnonim kombëtar. Për shumë shekuj, në një kohë kur vendi ishte i ndarë në principata e krahina nga më të ndryshmet. Nga pikëpamja sociale kjo dëshmon se bartësit e tij ishin shtresa popullore, që kishte një kulturë të caktuar dhe bazë të caktuar ekonomike-sociale. Nga aspekti etnokulturor kjo hipotezë afrohet me situatën historike dhe etnokulturore të krahinës së Arbërit dhe i afrohet shpjegimit gjuhësor e semantik: «fusharak», «arë» etj. Nga aspekti historik dëshmohet se kjo përhapje ka ndodhur më së voni, para ardhjes së sllavëve në Ballkan, po më i rëndësishëm është fakti se kjo nuk ka ndodhur në prag të vërshimit të sllavëve në trojet e tashme shqiptare, e madje as si rezultat i rrezikut nga këta, siç mendon Osman Myderrizi, por në një gjendje paqeje, pra në një shkallë të lartë kulturore dhe organizative, kur arbërorët dhe sllavët jetonin në fqinjësi të tolerueshme. Bartës i një kulture, mentaliteti a filozofie të tillë, natyrisht nuk mund të ishin struktura të popullatës së varfër dhe thjesht nomade, e as nga zonat me zhvillim të ulët, por sigurisht njerëz, që përfaqësonin një zonë të zhvilluar në aspektin ekonomik, secila e kulturor dhe njerëz me ndikim, që përfaqësonin një klasë me zhvillim të caktuar ekonomike-kulturore të kohës. Kjo zonë e pasur (me zhvillim blegtoral e bujqësor ishte Shqipëria e Mesme, ku shtrihej qendra e Arbërit dhe nëpër të cilën kalonte rruga interkontinetale Via Egnatia, pa harruar këtu luginat e përshtatshme për ndërtime të mundshme drejt qendrave bregdetare, nga zonat më të thella verilindore e veriperëndimore të trojeve ilirike.
5. Baza antroponimike e etnonimit arbër-shqiptar
Etnonimi arbër në dokumente të ndryshme sikur ka shkruar R. Doçi, që nga fillimi del me funksion antroponimik, patronimik, por edhe në kuptimin e përcaktorit të etnosit shqiptar. Këtë element e ka diktuar edhe Çabej, kur ka shkruar se: «paralel me emrin arbër si emrin etnik do të ketë shtrirë fushën e përdormit, duke përfshirë edhe popullin e vendit». Interesimi për të barazuar etnonimin arbër/shqiptar del pas botimit të dokumenteve të mesjetës në «Acta Albania» të Shuflait e Jireçekut, nga shek XIV, kur del emri i familjes Schivipudar, Schepuder, Schapudar, Scapuder, e të një banori të qytetit të Drishtit afër Shkodrës që përmendet rreth vjetëve 1368-1402 në arkivat e Raguzës». E. Çabej e ka pasur këtë fakt parasysh në një artikull të vitit 1972, prandaj është shprehur se hipoteza e tillë meriton të gjurmohet më tej. Shembuj të tillë, me shumë interes nga Kosova, ka sjellë, sidomos Rexhep Doçi nga dokumentet arkivore të arealit latin dhe sidomos nga krisobulat serbe, si dhe Qemal Murati nga dokumentet dhe studimet sllave në Maqedoni. Ky i fundit ka mbrojtur edhe tezën e njohur për prejardhjen e etnonimit shqiptar me bazë patronimike, me argumentin se «Me kohë ky emër në formë të patronimizuar(familjarizuar) do të jetë marrë e do të jetë përdorur si ofiq, nofkë, dhe në këtë funksion do të jetë ngritur e përgjithësuar për mbarë popullin». Që emrat vetjakë marrin zhvillime të këtilla është edhe një gjë që provohet gjithkund. Më në fund edhe emri etnik arbër/arbën, arbnesh/arbëresh, i periodës antike e mesjetare,, që ishte në përdorim deri në kohën e Skënderbeut, para se të shfaqej emri i ri shqiptar, ka dalë në thelb nga një emër i vjetër fisnor Arban, Alban, të cilin e përmend Ptolemeu qysh në shek. e II pas krishtit». Për interesin tonë, mbase më e rëndësishme do të ishte, sikur të mund të shpjegonim vetë etimologjinë e trajtave të patronimeve Schepuder, Scapuder etj., dhe më pastaj të diskutohet një prejardhje e mundshme e emrit shqiptar nga ky patronim. Përndryshe, një shembull i vetëm, zor se mund t’ i qëndrojë metodës së rreptë shkencore, ku për një tezë do të duheshin së paku tri dëshmi të qëndrueshme, qoftë edhe në kundërshtim me njëra-tjetrën, por që njëkohësisht i plotsojnë ndryshimet brenda tërësisë. Rezultatet e historianit Muhamet Pirraku për vendin e formimit të etnonimit shqiptar dhe për motivin e një emërtimi të tillë, këtu janë të rëndësishme për tri çështje të hapura dhe një përfundim:
Së pari, një vazhdim i kahershëm për të parë etnonimet arbër dhe shqiptar në kontekst vetëm të besimit katolik dhe besimit islam;
Së dyti, rindërtimi i tezës se «emri kombëtar për popullin dhe vendin është autokton, vazhdues i një popullsie ilire ose shumësi i emrit të banorëve të një qyteti dhe pikërisht nga Shkupi Shkypi -shkyptarë, shkuptarë, shqiptarë, siç mendonte dijetari Qiro Truhelka, por me plotësimin e Muhamet Pirrakut se area e vendformimit etnokulturor i popullit dhe i gjuhës shqipe është bukur më i gjerë se shqiptarët, ku jetojnë sot»; dhe
Së treti, i ashtuquajturi «zbulim» i emrit kombëtar «pas islamizimit masiv të shqiptarëve në ish zonat e ndikimit politik e fetar mesjetar serb, që u krye përfundimisht deri në mesin e shek. XVII».
Sa i përket motivit prej të cilit shqiptarët kanë marrë emrin, Pirraku zgjedh shqiponjen, një element të njohur edhe në përmasa shkencore, dhe të diskutuar sidomos nga studiuesi i shquar Maksimilian Lamberci, por duke e parë në përmasa më të gjera. Muhamet Pirraku i ka bërë një përshkrim të detajuar vijimsisë së përdorimit të këtij simboli nga pikëpamja historike dhe kulturore dhe ka nxjerrë në përfundim se: «teza se shqiptarët quhen sipas shpesës shqipe si totem e orë trimërie është tezë e vetme që buron nga kultura shqiptare, që është e mishëruar në kulturë shqiptare shpirtërore».
6. Aspekte gjuhësore (onomastike) të rrënjës alb- arb-
Problemi i kohës së paraqitjes së rrënjës së etnonimit arb-, alb-, dhe sidomos i tingujve r/l është njëra nga temat më të rrahura nga aspekti i fonetikës historike mbase në gjithë etimologjinë e leksikografisë dhe onomastikën shqiptare, nëse këtu përjashtohen disa probleme të guturaleve. Shkaqet janë të shumta: dalja në dy trajta dhe në kohë të ndryshme brenda vetë shqipes, mungesa e një tradite dokumentare për zhvillimin e brendshëm të shqipes krahas burimeve që na i ofrojnë të huajt, pozita e saj në shkallë të zhvillimit të gjuhëve indoevropiane dhe sidomos në shkallë të zhvillimit të gjuhëve fqinje gjatë antikitetit dhe mesjetës etj. «Gustav Majeri rrënjën e arbërit e nxjerr nga baza i.e. «albh» në lidhje me lat.albus; Petar Skoku te një alb-, arb- gjen një rrënjë paraindoevropiane, sikur edhe Vinçenc Dorsa e M. Pavlloviç, bazën arb- e gjen me bazë ilire. Idriz Ajeti duke prezantuar mendimin e Holger Pedersenit, shpreh mendimin e tij se trajta alb- është sekondare e dalur nga baza arb-. Shuflai mugesën e r-së te Ptolemeu e sheh te ndikimi padyshim i bazës paraindoevropiane. Profesor Shaban Demiraj mendon se trajta latine: «Arbanum, Albanum (-r->-l-) lidhet me trajtën më të herëshme Arban», por mendon gjithashtu se «me sa duket trajta me nistoren /-al/ ka pasur një përdorim më të dendur ndër banorët e përtej Adriatikut, sepse ndër italianët dhe nëpërmjet këtyre edhe ndër popujt e tjerë të Evropës, është përhapur me nistoren /-al/». I vetmi problem i paqartësuar nga këto trajta, sipas Demirajt është burimi i trajtave greke Alvanoi (a Albanoi?), Arvanon (a Arbanon?), arvanitis, që dëshmohen në shekujt XI-XII».
David Lluka është përpjekur që ]ështjen edhe njëherë ta shtrojë nga aspekti fonologjik. Ai shkruan: «Për mendimin tonë trajtat me l dhe me r paraqesin dy variante të ndryshme fonetike të të njëjtit emër (megjithëse historikisht përpara bashkëtingëllores pëlcitëse buzore e dhëmbore l-ja përgjithësisht ruhet e pandryshuar». Lluka gjithashtu ka përkrahur një mendim të H. Krahes për praninë e prapashtesës -an dhe në ilirishte, por sikur edhe Çabej më parë, e ka kundërshtuar Joklin për një prejardhje latine të prapashtesës -esh.
I shikuar edhe më hapur, problemi i tingujve r/l na del përgjithësisht me zgjidhje të kënaqshme edhe në shkallë të studimeve indoevropiane. Bie fjala linguisti Lenard Blumfild ka konstatuar se «gjuhët indoevropiane tregojnë po ashtu edhe një mosdallim të vjetër të l-së dhe të r-së që është shpjeguar si shkak i substratit, i cili kishte vetëm njërin apo asnjërin nga këta tinguj».
Zgjedhja e këtij problemi në gjuhësinë shqiptare, besoj se këtu do të jepte përgjigje edhe në disa çështje të rëndësishme të fjalorit etimonologjik, sidomos në lidhjet dhe ndërndikimet gjuhësore shqiptaro-rumune dhe në lidhje me rotacizmin e praninë e tij në gjuhësinë ballkanike. Ne këtu po e shtojmë edhe një mendim të Giuseppe Schiro Jr., që jo vetëm në aspektin historik, por edhe gjuhësor e ndihmon çështjen tonë: «Nuk duhet të jesh glotolog për të zbuluar që albanoV e arbër janë fjalë të një rrënje, e se arbër – gegërisht arben – është rezultat i një evolucioni fonetik gjatë shekujsh në gojën toske. Nëse ne marrim në shqyrtim zhvillimet semantike të albanoV nga popullsia greke e Epirit që jetonte bashkë me Arbëreshët dhe rrjedhimisht nga kronisti i Tokajve – i cili ishte një grek fanatik nga Janina, - ne mund të depërtojmë në vlerat semantike të fjalës «arbër, vlera semantike e të cilit na reflektohet nga gjuha greke dhe motike, e cila nuk ishte e panjohur nga të parët tanë».
«Fjala albanhtiV përkthen termin arbëresh dhe shënon arbëreshin në individualitetin e tij: albanhtai a albanhteV janë shumë Arbëreshë, duke llogaritur përmendësh shumicën një me një. Kjo është forma që i qëndroj kohës: e vetmja sot në përdorim në greqishten dhe motike». «To albanon është një fjalë neutre (asnjënëse), me kuptim kolektiv e mund nënkupto genoV =fis.» «Të gjithë popujt tjerë, duke u marrë në entitetin global të tyre, shënohen zakonisht me emrin mashkullor, njëjës apo shumës, por jo me trajtën neutër». «Lirisht dhe haptas të shkoj për mes të krahinave arbëreshe, është e qartë se këtu për metonimi ta Albana shënon jo aq Arbëreshët sa krahinat e banuara nga Arbëreshët. Nga këtu del se çdo krahinë e banuar është në vetvete albanhon».
Pavarësisht nga të gjitha zgjidhjet e mundshme historike, etnokulturore, historike dhe sidomos gjuhësore, mendojmë se përgjegja gjuhësore e Eqrem Çabejt në këtë tërësi është jo vetëm më relevantja, por edhe më e mundshmja. Duke pasur parasysh të gjitha rezultatet e arritura E. Çabej ka dhënë këtë shpjegim: «Gabim e kanë spieguar sll. Arbanas- me mjete gjuhësore sllave, e të (BER 1 14) prej gr. Arbanos Albanos, e cila në pajtim me kohën e këtij huazimi të pretenduar, nuk mund të kish dhënë tjetër veç se një emër me arv-; kjo Arbanas rrjedh nga një zgjerim sot i zhdukur, i shqipes me -as, format për emra banorësh, si vendas, Beratas». Krahe (PN 145) gjen këtu, në një mënyrë gjuhësisht dhe gjeografikisht mjaft bindëse, një sufiks -ano të ilirishte. Më pak afër mendësh është mendimi i Galboit (Ling. balk. VI. 78) që emri etnik i Ptolemeut të përbëjë sufiksin -eno/-ano të trakishtes». Sa i përket sistemit gramatikor, sipas Çabejt, prapashtesa -esh, me nyje Arbëneshi e i Arbneshi janë më të vjetra se Arbnesh, pa nyje.
Eqrem Çabej pranon trajtën arb- e jo alb- si primare, duke pranuar mendimin e Gustav Majerit e Pedersenit, mendim ky edhe i dijetarëve të tjerë. Trajta albresh albrisht thotë Çabej «është një ndikim i italishtes albanese e një disimilim r/l. Edhe historikisht arb- del më e vjetër. Vetëm prej kohës së Anzhuve(1271) e këtej del më fortë me alb-, e nga të cilat rrjedhin trajtat e gjuhëve gjermane e prej këtej edhe gjuhëve të tjera». «Duke u nisur nga arb- siç del te arb-ën(ë) nga një më e lashtë *arb-an, e duke e ]uar atë te një formë bazë *arv- e kohës antike e mesjetare e hershme, me betacizëm rv:rb, si te korb nga lat. corvus, mund të afrojmë këtë fjalë me lat. arvum »arë, tokë e punuar, fushë», umbr. arvam-en »in arvam» gr. aronra «arë, tokë buke», irl. e mesme arbor shm. arbanna «drithë», arm. haravunk «tokë buke»; aty Pederseni KG I 63 vendon ndër të tjera edhe sll. e vjetër kishtare rabëno «i rrafshtë»; po pa gjetur miratim të përgjithshëm. Me këtë mënyrë të dhënat gjuhësore, historike dhe territoriale tregojnë që emri arbër arbën është më fortë me gurrë indoevropiane, një alb- indoevropiane duke u përjashtuar vetvetiu me dëshmitë historike, të brendshme e të jashtme. Kuptimi i parë i fjalës rezulton të jetë kështu «arë, fushë, rrafshinë», khs. u dynd mal e arbër, që u përmed më lartë. Emërtimi analog me atë të Polonisë, Polska polje «fushë arë».
Me këtë përkufizim Çabej veç të tjerash hodhi dritë të re në dy probleme kardinale: së pari nga aspekti fonetik rrëzoi një hipotezë të përsëritur gjatë dhe shumë shpejt, për një bazë paraindoevropiane të rrënjës alb- dhe së dyti nga aspekti semantik ndërpreu një metodë po kaq të përsëritur për etimologji për hirë të metodologjisë, sikur do të shprehej edhe vetë Çabej. Mbi këto rezultate të Çabejt, Rexhep Doçi nxori edhe një varg përfundimesh me interes për onomastikën:
-së pari, mendimi i Çabejt, sipas R. Doçit “është çelës për gjetjen etimologjike e kuptimore edhe të shumë antroponimeve, patronimeve e toponimeve kosovare e më gjerë të tipit arb-(arv-)
- së dyti, edhe më parë Doçi kishte vërejtur se shumë emërtime të hershme janë me burim konfiguracioni;
- së treti, mbante qëndrim rreth dilemës, nëse antroponimet dhe patronimet me kuptim etnik arbanas janë përdorur për të treguar përkatësinë etnike apo për të treguar aspektin konfiguracional të pronës.
Në këtë mënyrë Çabej jo vetëm përjashtoi rrënjën alb- nga një prejardhje paraindoevropiane por dëshmoi se pikërisht rrënja arb- ishte ajo që hynte në bazën indoevropiane, krahas gjuhëve të po këtij trungu.
7. Etnonimi arbër në gjuhën sllave
Dy çështje janë historikisht të rëndësishme kur shtrohet etnonimi arbër në gjuhën serbe. Çështja e parë lidhet me praninë e emrit mesjetar në dokumentet serbe që në shekullin XII. Një element i dytë po aq i rëndësishëm në krejt historinë e studimit lidhet me një përfundim të Gustav Majerit, sipas të cilit emri i krahinës së Labërisë duhet të ketë dalë me metatezë nga një Albëri, sipas një ligje fonetike të sllavishtes dhe prej të cilit janë orientuar shumë përfundime të gabuara jo vetëm lidhur me etimologjinë e etnonimit arbër, por edhe me shumë toponime tjera. Ndonëse Gustav Majeri vetëm pak më vonë e ka përmirësuar mendimin e tij, vërragët e kësaj teze nuk janë tejkaluar as sot e kësaj dite.
Ndër studiuesit e mëvonshëm Petar Skokun e ka përmirësuar Idriz Ajeti, i cili mbrojti mendimin e Çabejt të dalë pak vite më parë, madje duke shtuar edhe ndonjë shembull konkret të kolonive shqiptare(arbërore). Eqrem Çabej më vonë edhe njëherë, ka ndërruar mendimin e tij për emrin e vendit e pastaj të popullit si kuptim të parë. Këtë mendim Çabej e kishte formuluar që te Gjeneza, në vitet ’30, por e ndërroi në disa artikuj të viteve ‘60, sidomos në studimin e rëndësishëm «Shumësi i singularizuar në gjuhën shqipe»(1967), botuar së pari në gjuhën gjermane që në vitin 1959. Ashtu sikur kam thënë më parë, edhe këtu mendimi i Çabejt i detyrohet zgjidhjes gjuhësore të problemit në fjalë, përndryshe të gjitha rrugët e sistemeve dhe relacioneve etno-historike të sistemeve dhe relacioneve të onomastikës shqiptare ]ojnë kah rendi antroponimik, patronimik dhe toponimik. Sipas Çabejt «me arb- paraqitet emri në gjuhët ballkanike popullore, që në mesjetë (...) prandaj bie edhe mendimi i një rrjedhe sllave të emrit shqip lab, Labëri, të përfituar kinëse prej alb- me metatezë likuidesh të sllavishtes: kur vetë gjuhët sllave kanë vetëm arb- ose rab-, do t’ishte një mrekulli që një krahinë shqiptare të ketë zhvilluar edhe ruajtur një lab- sllave që nuk del gjëkund me këtë kuptim në sllavishten popullore». Pra, sikur mund të shihet, në dokumentet serbe etnonimi arbër, fillimisht paraqitet si: Rabanë, Arbënë, Arbanasin, Raban etj. Studimit të tyre i janë qasur Latif Mulaku, Rexhep Doçi dhe Qemal Murati nga aspekti gjuhësor dhe Muhamet Pirraku në aspektin kulturo-historik.
Latif Mulaku duke u marrë me emrat etnik të popullit shqiptar në fjalorin e Vuk Karaxhiçit, pasi shënon të gjitha trajtat: «Arnautin (me kuptimin ‘shqiptar’), Arnautka (‘shqiptare’), ktetiku arnautski,-ka, -ko (për kuptimin e mbiemrave ‘shqip,-e’; ‘shqiptar,-e’), pastaj edhe foljen me -iti; arnautiti(‘shqiptarizoj’) dhe emrin foljor arnauqenje (‘shqiptarizim’)» përfundoi se fjala është për rrënjën turke arnaut sipas këtyre rregullave fonetike dhe gramatikore: «nga emri etnik i greqishtes mesjetare u përftua emri i osmanishtes respektivisht i turqishtes Arnavut (më parë Arvanit), e kjo ndodhi me rënien fonetike të mbaresave -is, -ai,(-oi) të gjuhës së huaj dhe nëpërmjet metatezës v-n>n-u, e pastaj në kalimin e zanores i në u kur kjo është në pozicion pas bashkëtingëllores v sipas harmonisë a përputhjes fonetike të gjuhës turke, sipas së cilës v-ja kërkon u(-vu)». Sipas tij Vuku e mori emrin arnaut nga turqishtja dhe e shënoi në pajtim me gjuhën popullore, që është në pajtim edhe me mendimin e Sh. Demirajt për dy trajta paralele të emrit arbër në gjuhën popullore dhe në gjuhën e shkruar edhe të krahut oksidental.
Kur jemi këtu, te disa procese gramatikore e fonetike, është interesant një mendim i Shaban Demirajt për trajtën më të vjetër sllave Rabënë dhe arbanas. Sipas tij «trajta më e vjetër sllave është Rabënë, -është krijuar më herët, pra kur janë takuar stërgjyshërit e shqiptarëve dhe sllavëve, ndërsa trajta arbanas është pranuar nga forma librore dhe njerëzit e shkolluar në vise evropiane». Një pyetjeje të mundshme, sepse këtë trajtë Rabënë e kanë vetëm dokumentet serbe, e jo edhe ato bullgare, kur dihet se shenjat më të moçme sllave janë pikërisht të ndikimit bullgar, do të mund t’i përgjigjeshim në interes të saktësimit të problemit në fjalë. Trajta Rabënë u krijua, jo kur sllavët u dynden në trojet shqiptare, por kur jetonin në fqinjësi me ta dhe natyrisht këmbenin marrëdhëniet materiale dhe shpirtërore të tyre.
Rexhep Doçi etnonimin arbër në gjuhët përkatëse të kohës e gjen në dokumentet sllave-latine në Kosovë, në funksion antroponimik, toponimik e patronimk, por për studiuesin në fjalë, me rëndësi është se këto trajta dalin edhe «në kuptimin e përcaktuesit të etnosit shqiptar». Rexhep Doçi e ka përcjellë historinë e emrit Arbanas deri në shek. XIII(1208), kur nga dokumentet sllave nxjerr termin arbanas(si përkatësi etnike) dhe më tej në shekullin XIV(1330), në Krisobulen e Deçanit. Për pjesën lindore të Kosovës Doçi ka vjelë një inventar të pasur me bazë në etnonimin arbër nga Libri i borxhlinjëve të Llukareviçit (shek. XIV), të cilin nga Arkivat e Dubrovnikut e ka nxjerrë dhe botuar Mihailo Diniçi. Shtresën turke Doçi e ka vjelë nga Defteri Obllast Brankoviça dhe Defterët e Sanxhakut të Shkodrës të shek. XV. Rexhep Doçi gjithashtu ka shënuar një inventar të mbledhur në Kosovë dhe me gjerë të patronimeve, ojkonimeve dhe sidomos toponimeve me rrënjën arbër të cilit ne do t’ia shtonim patronimin Arbneshi në Prizren.
Qemal Murati më parë në një recension polemizues me studiuesin e gjuhësisë maqedonase Petar Ilievskin, e pastaj në dy vepra të tjera ka radhitur një dyzinë toponimesh, antroponimesh e patronimesh të trojeve etnike shqiptare në Maqedoni, nga dokumentet arkivore, nga ato të botuara, të terrenit, të letërsisë popullore dhe të toponimeve me funksione mbiemrore, të cilat, siç përfundon autori, «tregojnë vendin e arbëreshëve, ku kanë jetuar ose ku jetojnë shqiptarët (arbëneshët, arbëreshët)».
Si onomasticientët ashtu edhe historianët e gjuhëtarët shqiptarë, një kohë të gjatë, me ndonjë përjashtim janë të prirur që kur ndeshen me studimet sllave të kësaj problematike etnikumin shqiptar të këtyre trevave ballkanike (Kosovë, Maqedoni, Serbi Jugore e Mal të Zi), ta shohin në vëllimin e pranisë së etnonimit arbër, i paraqitur këtu si patronim, toponim, ojkonim etj. E deri sa studiuesit shqiptarë, vendbanimet me emrat etnik arbër/shqiptar i gjejnë si dëshmi të fundit për të dëshmuar praninë e më shumë apo më pak të elementit etnik shqiptar në këto troje, krahas atij sllav, e jo si element të përhershëm para atij sllavë, atëherë edhe studiuesit sllav mbeten të patrembur në mendimet e tyre. Kur jemi këtu, që më parë duhet ngulur këmbë që duke njohur që më parë rrjedhat historike, studiuesit shqiptarë nuk duhet të pranojnë diskutimet për «praninë e elementit etnik arbëror/shqiptar krahas atij sllav», por për praninë e elementit sllav në tërthoret etnike shqiptare të Ballkanit, edhe pse duhet pranuar një element hendikepues tonin që diskutimet zhvillohen kryesisht duke u mbështetur në dëshmitë arkivore, madje kryesisht kishtare sllave, pasi dokumentet arbërore/shqiptare vendase, me përjashtim të mbetjeve onomastike, mungojnë ndërsa arkivat perëndimore ende nuk janë hulumtuar në masë të kënaqshme.
Toponimet e këtij lloji, për etnitë tjera, ose që në mënyrë të tërthortë i shpjegojnë ato krejtësisht. P.sh. Vorri magjupit, Vorret e shkive (le të përkujtojmë se bie fjala në fshatin Makresh i Poshtëm (Gjilan), toponimi Vorret e shkive, shënon tri varre të shqiptarëve të varrosur aty pas luftës së parë botërore, pasi këta shqiptarë të besimit islam pas pushtimeve serbe kishin pranuar me dhunë besimin ortodoks), Vorret e muhagjerëve etj. Etnitë e tilla (sikur edhe e shqiptarëve në Maqedoni) nuk dëshmojnë shumicën, por pakicën dhe pikërisht ashtu siç e shpjegon Ilievski, sado edhe ai e di se ato zona të Maqedonisë Perëndimore përfshijnë hapësirën e brendshme të trojeve etnike shqiptare dhe nuk mund të flitet për etni tjera në këto anë, përveç ndonjë grupi etnik që nuk janë tjetër veç grupe nomade, sikur janë vllehët. Pra, çështja e diskutimit ndër studiuesit shqiptar ]alon në metodën e studimit. Çështja e përhapjes së toponimeve me bazë në rrënjën arb-, si në brendi të vendit ashtu edhe në periferi, si në gjuhën e vetë shqiptarëve ashtu edhe në gjuhët fqinje do parë e lidhur me disa çështje të pazgjidhura jo vetëm të natyrës gjuhësore, por edhe historike, etnografike, sociale etj., si:
-Ç’është mbetje historike e toponimit me bazën arb- alb-?;
-Ç’është e bartur nga goja shqiptare dhe ç’është e gjuhëve fqinje?;
-Ç’është e ruajtur me gjelozi (mbështetje materiale a shpirtërore), e ç’është metaforë librore?, etj.
Fakti që etnonimi arbër nuk kishte karakter krahinor por gjithëkombëtar dhe duke iu kthyer edhe njëherë përfundimeve të Skiroit dhe Shaban Sinanit, të cilat i nxora me bazë biblike, ne dalim me hipotezën se bartës të emrit arbër nga Shqipëria e Mesme, së paku deri tek dyndja sllave në Ballkan, ishin «nomadët e lirë» që në gjuhën e sotme do të mund të quheshin «shtegtarë të lirë» arbërorë, të cilët vepronin si brenda ashtu edhe në skajet e trojeve etnike të arbërit, apo sikur shprehej Skiroi, aty ku ndizej një zjarr, aty ishte Arbëri. Kjo hipotezë jona i përgjigjet edhe mendimit të Çabejt se së pari u formua emri i vendit, e pastaj doli emri i populit.
8. Etnonimi arbër-shqiptar dhe stërkeqja e tij
Stërkeqja e emrit arbër është njëra prej çështjeve më interesante që del në rrugën e vijimsisë së studimit të kësaj teme. «Çabej fjalën arbër e ka shënuar në anët e Tomorit për «kalama», në purishten, gjuhën e fshehtë të mjeshtërve(muratorëve) të Oparit, fjala arbër përdoret për «bari» si dhe një rast tjetër në Okushtan të Dibrës ku «arbni» është «dimër i fortë». Le të shënojmë këtu se legjenda e kësaj teme lidhet edhe me një objekt natyre të fshatin Kështenjë të Krajës, Mal të Zi. Sa i përket Kosovës, me interes më duket edhe një shënim i Rexhep Doçit, i cili në fshatin Llapçevë të Llaushës ka shënuar një lagje, e cila pos emrit Avdiaj, e kishte edhe emrin përbuzës Abneshi.
Krahas përpjekjes për të kurorëzuar mendimin e tij, Engjëll Sedaj sjell edhe mendimin e prof. Çabejt për përdorimin e stërkequr të etnonimit arbër, që unë këtu po e sjell më të plotë nga një botim më i hershëm: «një stërkeqje analoge (me malësorët e Veriut të Shqipërisë, - B.B.) ka pësuar në Vlorë fjala arbëresh: Arbëror siç dihet quhen banorët e Arbërit, pra të një pjese të Labërisë e të rretheve të Vlorës (…). Qytetari i Vlorës, Arbëreshët, bariut të vrazhdë dhe shumë herë të ndyrë të maleve që zbresin në qytet, i dha një kuptim pejorativ si «njeri i ndyrë, i pagdhendur» tamam siç ndodhi me malokun në Veri». Në këtë rrugë mbase do parë edhe shprehjet e mëvonshme: shqiptar e katundar (Gjakovë), qytetar e katundar, sheherli e malok etj., të cilët s’ka dyshim se dolën si rezultat i ndryshimeve sociale – ekonomike e kulturore, e jo krejtësisht fetare, sikur insiston autori.
Subscribe to:
Posts (Atom)
Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve
Kërko brenda në imazh Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme Haki Taha, u lind n...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...