ARTI I BINDJES -PROPAGANDA NGA KËNDVËSHTRIMI PSIKOLOGJIK



Shkruan: Sabir KRASNIQI
     
        Ne kemi veprimtari të gjerë të propagandës në jetën e përgjithshme, duke filluar nga ajo familjare, natyrisht që aplikohet nga prindërit për qëllime edukative, pastaj propagandë shkollore-arsimore, propagandë fetare, propagandë sektare, propagandë tregtare, propagandë mediative, propagandë qeveritare, pra me një fjalë, vetëdijshëm apo jo, ne jemi të bombarduar çdo ditë nga format e ndryshme të propagandës institucionale.    
           
 
            Sjelljet e njerëzve janë të kushtëzuara me faktorë të ndryshëm të rrethit dhe vetvetiu aspirojnë që t’i përshtatën rrethit. Organizmi, në të cilin ndikon faktori i jashtëm dhe ndryshon baraspeshën e tij të deritanishme, aspiron që të neutralizoj këtë baraspeshë dhe të vërë prapë balansin e mëparshëm. Pra, me ndryshimin e faktorit të jashtëm, ndikohet drejtpërdrejt edhe në sjellje, dhe me to manipulohet në mënyra të planifikuara, kështu që është e mundur, sipas interesit, t’i modifikojmë, respektivisht t’i ndryshojmë sjelljet, dëshirat, vullnetin e njerëzve, e për një gjë të tillë si mjet mjaft efikas përdoret propaganda.
            Në shumë enciklopedi e fjalorë të ndryshëm propaganda definohet si: aktivitet shoqëror, i bazuar në ligjet e psikologjisë, e cila nënkupton punë dhe cak të organizuar në përhapjen e ideve të përcaktuara dhe besimit në to. Caku i aktiviteteve propaganduese është që individi, shoqëria apo mbarë një popullatë t’i pranoj idetë e ofruara (imponuara) dhe besimin në to, si dhe të sillet në harmoni me normat dhe rregullat e parapara për to.
            Shikuar nga këndvështrimi i përgjithshëm, propaganda si nocion është neutrale; kahja e saj varet nga qëllimi i saj. Ajo mund të jetë konstruktive (revolucionare) dhe shumë e dobishme kur të aplikohet për çështje me prioritet human, njerëzor, kombëtar etj., por gjithashtu mund të jetë edhe destruktive (reaksionare) dhe shumë e dëmshme si dhe e rrezikshme, jo vetëm për individin, por për mbarë shoqërinë, kur ajo aplikohet për interesa të caktuara të atyre që e kanë në dorë timonin e kësaj fuqie.
            Në këtë shkrim do të mundohem të bëjë një elaborim, përgjithësisht rreth propagandës destruktive, të cilën e ushqen, e zhvillon dhe e aplikon, pothuajse secili pushtet, natyrisht, për nevoja të veta në shumë fusha si: në fushën sociale, në fushën ekonomike, në fushën e marketingut, në fushën e religjionit e sidomos në atë politike, qoftë ajo e brendshme apo e jashtme.
            Propaganda destruktive në esencën e saj është totalitare. Ajo nuk ka qëllime humane, as zhvillimin e personaliteteve të njerëzve, por të kundërtën, që të krijoj tek ata sjellje të kushtëzuara, pra, që të jetë në gjendje me mekanizmat të automatizuar t’i kontrolloj dhe t’i përshtatë sjelljet e tyre shoqërore. Mu për këtë qëllim shfrytëzohen mediume të ndryshme e sidomos shtypi, radioja, TV-ja, interneti, satelitët etj, përmes të cilave, me metoda të organizuara, përhapen shumë shpejt dhe shumë lehtë idetë e përcaktuara.
            Dihet se emocionet janë pjesë shumë e rëndësishme e jetës shpirtërore të njeriut. Në bashkësinë e dukurive psikike, ato paraqesin (duke pasur në konsideratë specifikat e tyre) sferën më të ndjeshme dhe njëkohësisht edhe më të lënduarën. Dhe kur duhet që dikë ta qesim nga  baraspesha shpirtërore dhe t’ia tronditim moralin, atëherë së pari atakohet pjesa emocionale e jetës së tij. Pra, në instancën e fundit, qëllimi final i propagandës destruktive është një atak i tillë që i shkakton dhembje njeriut dhe që e dezintegron jetën e tij psikike.
            Në kohën e thyerjeve shpirtërore të njerëzve, në rrethana të mjerueshme sociale e ekonomike, në situata jo të qeta, në goditje fatkeqësish, në kohëra luftërash, etj., paraqitja e propagandës destruktive, atakon anën emotive të individit duke ndikuar në sjellje dhe duke krijuar konfuzion e mosbesim, gjë që vije deri te paralizimi i plotë i jetës normale pothuajse në të gjitha sferat, dhe mu për këtë arsye përhapja e propagandës bëhet në situata të tilla kritike. Pasiguria në këto situata imponon ndjenjën e panikës e cila kaplon individin dhe ia lëkund personalitetit e qëndrueshëm të tij. Ai bëhet labil dhe në këto faza të pasigurisë, ai kërkon mbështetje, stabilitet fizik e psikik. Dhe mu në këto faza të destabilitetit moral, nxitësit e propagandës ndikojnë mbi individin duke ia imponuar atij idetë e caktuara për qëllimet e tyre manipuluese. 
            Propaganda si dukuri figuron që nga kohërat më të hershme, por në mënyrë të organizuar psikologjie u përdor gjatë luftës së dytë botërore, për qëllime të caktuara politike. Kjo strategji u zbatua në praktik në mënyrë profesionale dhe mori dimensione të reja nga nazistët gjermanë gjatë sundimit të politikës hitleriane. Në librin e tij “Mein Kampf” Hitleri shkruan: “Strategjia jonë përbëhet në thyerjen e kundërshtarit nga brenda, kështu që ai të na ndihmojë që ta fitojmë atë. Më mirë është që ta çarmatosim kundërshtarin se sa ta shkatërrojmë me luftëra të rënda”. Më tej ai vazhdon: “Mua para së gjithash më intereson problemi, se si të arrijë deri te thyerja morale e kundërshtarit. Pse ta demoralizojmë kundërshtarin me jetë ushtarake, kur atë mund ta bëjmë me thjesht, me metoda të tjera”.
           

         Duke e ditur mirë se subversimi është qëllimi psikologjik i luftës, e propaganda arma kryesore e saj, Hitleri e përpunoi këtë strategji deri në ekstrem, duke arritur në konkluzion se “...edhe në shkallën më të ulët të luftimeve i vrari paraqet vetëm një njëri më pak - deri sa njeriu i tmerruar që humb nervat, bëhet bartës i frikës, i aftë për të provokuar epidemi të gjerë të panikut, kështu që caku i luftës moderne duhet të jetë neutralizimi psikologjik i kundërshtarit, e jo shkatërrimi i tij fizik. Me fjalë, në vend të armëve, me propagandë, në vend të plumbave”.
            Efektet e suksesshme të propagandës gjatë luftës së dytë botërore, i nxiti pushtetarët e shumë shteteve që ta studiojnë këtë dukuri me seriozitetin më të madh nëpër institute e laboratorë legalë e ilegalë. Zhvillimi i hovshëm i teknologjisë moderne ofroi mundësi të shumta të demonstrimit të kësaj fuqie, jo vetëm në situata lufte kundër armikut, por edhe situata paqeje si mekanizëm shumë të fuqishëm për qëllime të caktuara manipuluese. Propaganda, si mjet shumë i fuqishëm u shfrytëzua sidomos gjatë “luftës së ftohtë” mes paktit NATO, gjegjësisht SHBA-ve dhe atij të Varshavës, gjegjësisht ish-BRSS-së, që vazhdon akoma edhe sot e kësaj dite në forma nga më të ndryshmet. 
            Që të jetë propaganda e suksesshme, zakonisht ajo i dedikohet individit ose një shtrese të caktuar, varësisht prej interesave të propaganduesit. Ne kemi veprimtari të gjerë të propagandës në jetën e përgjithshme, duke filluar nga ajo familjare, natyrisht që aplikohet nga prindërit për qëllime edukative, pastaj propagandë shkollore-arsimore, propagandë fetare, propagandë sektare, propagandë tregtare, propagandë mediative, propagandë qeveritare, pra me një fjalë, vetëdijshëm apo jo, ne jemi të bombarduar çdo ditë nga format e ndryshme të propagandës institucionale.     
           Mesazhet dhe format e tjera bindëse, sajohen në bazë të karakterit të individit ose shtresave ndaj të cilave planifikohet që të ushtrohet ky “art i bindjes”. Para se të lansohen format propaganduese, së pari bëhen kërkime dhe studime për të prekur pulsin (mentalitetin) e individit ose shtrese së caktuar duke mbledhur informacione për ta: kush janë ata; si mendojnë ata; si sillen; cilit besim i takojnë; cilat janë motivet e tyre; çfarë bindjesh politike kanë; çfarë mentaliteti disponojnë etj. etj. Informacionet e grumbulluara nga kërkimet e mësipërme, u ndihmojnë propaganduesve në gjetjen e metodave më efikase psikologjike dhe formave më të përshtatshme për manipulim, duke lëkundur besimin dhe vetëbesimin, duke destabilizuar dhe thyer moralin, duke degraduar personalitetin, duke paralizuar përshtypjet shqisore, pra duke çrregulluar në përgjithësi jetën psikike te individi ose grupi,  ose duke përhapur idetë e caktuar tek ata me qellim të bindja  dhe mobilizimi masiv.
            Duke e njohur fuqinë e propagandës dhe ndikimin saj tek individi ose masa; duke e ditur se për veprim sa më efikas duhet njohur klima psikologjike e asaj shoqërie, edhe pushtuesi ynë i mëparshëm, pra Serbia, i përdori vite me radhë dhe me mjaftë sukses këto forma të manipulimit masiv, jo vetëm mbi popullatën tonë, por edhe ndaj popujve tjerë të ish-Jugosllavisë e në raste të caktuara, edhe ndaj popullatës së vet, vetëm për ta ruajtur, forcuar dhe ushtruar me çdo kusht hegjemonizmin e saj të shfrenuar mbi të tjerët.
             Aq larg shkuan institucionet serbe me metoda propaganduese sa që për rastin “shishja  e Martinovicit” (që e pat futur vetë në prapanicë, por i kishte akuzuar shqiptarët)  lansoi në qarkullim me qindra artikuj gazetaresk, programe të shumta televizive, bile botuan edhe një libër vëllimor për këtë ndodhi, të cilën e përktheu edhe në gjuhë të huaja dhe e shpërndau nëpër botë. Natyrisht, që qëllimi i kësaj propagande nuk do koment!
            Mirëpo, çudit fakti se edhe institucionet tona “paralele” të asaj kohe, pavarësisht se dispononin mjete sfiduese, u treguan te paafta dhe të papërgatitura (shpesh edhe injorante) për ta kuptuar këtë “luftë psikologjike”. Duke pasur për qëllim primar interesat e tyre të ulëta, dhe pa ndonjë vizion të qartë, ato u bënë edhe vet pre e kësaj propagande destruktive, si rezultat i të cilave pasoi kolapsi i përgjithshëm ekonomik që i parapriu shpërnguljeve masive...
            Në kontekstin e ngjarjeve të përgjithshme bashkëkohore, ndikimet psikologjike-propaganduese përputhen drejtpërdrejt me interesat dhe strategjitë politike të shteteve, fuqive, blloqeve të ndryshme. Dhe, për arritjen e synimeve dhe qëllimeve finale, shfrytëzohen maksimalisht të arriturat e teknologjisë më bashkëkohore si: elektronika, sistemet e komunikimit, mediat, etj. Këta element shumë të fuqishëm të bindjes, të cilët edhe janë bartësit kryesor të këtij ndikimi të imponuar, sot janë bërë pjesë  e pandarë e përditshmërisë sonë, ashtu që secili qytetarë, pa marr parasysh gjininë, moshën dhe ngritjen e shkallës intelektuale, është konsumator i “produkteve” të ofruara nga ata. Sidomos transmetimi i programeve satelitore dhe shërbime e internetit, që mundësojnë bartjen e drejtpërdrejt te mesazheve pa përfillur pengesat e kufijve gjeografik e politik,  janë bërë armët më të fuqishme të kësaj lufte psikologjike. Mjafton vetëm qasja në shërbimin www, për ta kuptuar, e ndoshta edhe për ta përjetuar vet, pushtetin e këtij mashtrimi e manipulimi të qëllimshëm të quajtur propagandë.
            Besoj se edhe pushtetar tanë të rinj do ta trajtojnë më seriozisht këtë sferë të domosdoshme duke pasur parasysh vorbullën e ngjarjeve politiko, diplomatike, ekonomike etj. në të cilën ndodhet Kosova por edhe vetë ata...në mos për asgjë tjetër, së paku për t’ia vazhduar jetën pushtetit të tyre!!!
           

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)