Pas protestës së opozitës para Bashkisë së Tiranës, kreu i PD-së, Lulzim Basha ka reaguar përmes një deklarate për mediat, ku akuzon kryeministrin Rama për vjedhje, korrupsion dhe shkelje të ligjeve.
Sipas Bashës, Edi Rama vazhdon të thellojë hendekun mes dy botëve që ka krijuar në vend.
“Në botën e tij gëlon shkelja e ligjit, e kushtetutës, vjedhja e korrupsioni. Në këtë anë, janë strehuar hajdutët që vjedhin dhe spyesin për askënd. Në botën tjetër, janë qytetarët e pamundur, të cilët i kap ligji dhe represioni, edhe për një tjegull që vendosin në çati, edhe për një dritare që rregullojnë.
Në botën e Edi Ramës, është Erion Veliaj që shkallmon Parkun e Liqenit pa leje, që ndërton aty kafe dhe restorant për interesa korruptive. Eshte Armando Prenga që pasi ka bërë kasaphanë me armë pa leje brenda komisariatit të policisë, sot shqyrton në parlament dekretet e Presidentit.
Janë Beqët e Ahmetajt që po zhvasin çdo ditë miliarda me koncesione. Eshte Tahiri, kumbari i trafikut të drogës. Eshte Kokëdhima që sundon Jugun. Balla që kontrollon çdo emërim, licensë e tender nga Elbasani në Korcë. Një gjiriz i madh me shkelës ligji, me vjedhës, me të korruptuar”,- tha Basha.
Më tej kreu i opozitës është shprehur se, rruga e vetme për t’i rezistuar dhunuesve dhe plaçkitëse është përballja me protestë, me rezistencë.