2016-02-22

Bizneset ankohen për zvarritjen e lëndëve nëpër gjykata

solid-biznesi-635x374
Sistemi i drejtësisë, furnizimi me energji elektrike, zvarritja e lëshimit të lejeve ndërtimore dhe qasja në financa mbeten ndër barrierat më të mëdha për të bërë biznes në Kosovë.

Janë rreth 1 mijë e 100 lëndë me konteste ekonomike të cilat kanë mbetur të pazgjidhura për shkak të numrit të vogël të gjyqtarëve. Kështu u tha sot në takimin e radhës të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik.


Në këtë Këshill të kryesuar nga ministrja e MTI-së Hykmete Bajrami u tha se Qeveria është e angazhuar për të bërë reforma të thella strukturore , të cilat përmirësojnë efikasitetin institucional dhe klimën e të bërit biznes në Kosovë.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor në largim, Enver Peci tha se sistemi gjyqësor përballet me një numër të madh të rasteve të grumbulluara të pazgjidhura, kjo sipas tij edhe për shkak të numrit të vogël të gjyqtarëve.

Peci: Janë rreth 1 mijë e 100 raste në konteste ekonomike

“Sistemi gjyqësor më të vërtet përballet me një numër të madh të rasteve të grumbulluara të pazgjidhura. Ndoshta pjesa më e rëndësime është çështja ekonomike, që në krahasim me çështjet tjera me të vërtetë janë në numër shumë më të vogël. Për momentin janë rreth 1 mijë e 100 raste në konteste ekonomike… në krahasim me 4 gjyqtarë që janë duke punuar, për afërsisht ata janë të ngarkuar me 270 raste, ndërsa sipas jush një gjyqtarë brenda një viti duhet me i përfunduar 200 raste”, tha Peci.

Mirëpo, kryesuesi i ri i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, i cili pritet ta marr mandatin në mars, iu premtoi bizneseve se do të plotësohen rekomandimet dhe do të shihen mundësitë për rritjen e numrit të gjyqtarëve.

Edhe deputeti Muhamet Mustafa tha se trajtimi i lëndëve biznesore 2 deri 3 vjet është shumë. Sipas tij, duhet të shkurtohet në 6 muaj. Ai tha se bizneset nuk kanë mundësi të presin me vite të tëra për trajtimin e lëndëve. Përfaqësuesit e biznesit thanë se bizneset kanë ankesa të mëdha ndaj gjyqësorit.

Edhe progresi për zbatimin e Reformave të ndërlidhura me Raportin e Bankës Botërore “Të bërit biznes” është diskutuar në Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, në të cilin u tha se klima e biznesit nuk është e mire, dhe për këtë Qeveria ka marrë disa vendime.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Hykmete Bajrami tha se në tetor të vitit të kaluar ishte publikuar raporti i Bankës Botërore për të bërit biznes në vitin 2016 dhe në këtë raport Kosova është renditur në pozitën e 66-të nga 189 vende të botës. Ajo tha se ky raport vë në pah progresin, por edhe ngecjen e disa indikatorëve.

Bajrami: Ne na duhet të angazhohemi për të bërë reformat të thella strukturore

“Kosova gjatë viteve të fundit ka implementuar shumë reforma që kanë qenë të rëndësishme, por do të thosha edhe më të lehta për t’u realizuar. Prandaj, tani ne na duhet të angazhohemi për të bërë reformat të thella strukturore , të cilat përmirësojnë efikasitetin institucional dhe klimën e të bërit biznes në Kosovë. Në fund të dhjetorit të vitit 2015 pas rekomandimit të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, Qeveria e Kosovës e ka miratuar vendimin për koordinim të reformave të të bërit biznes”, tha ministrja Bajrami.

Ky vendim sipas saj ka për qëllim koordinimin më të mirë të aktiviteteve që duhet të ndërmerren për përmirësimin e ambientit të biznesit në përgjithësi dhe adresimin e çështjeve specifike që dalin nga raporti vjetor i Bankës Botërore për të bërë biznes.

Me vendimin e qeverisë, MTI është caktuar si koordinatore e përgjithshme e këtij procesi dhe janë caktuar edhe ministritë të cilat do të udhëheqin procesin e shqyrtimit dhe përpilimit të rekomandimeve dhe adres imin e secilit prej 10 indikatorëve të raportit të BB për të bërë biznes.

Sipas këtij vendimi, Ministritë udhëheqëse janë MTI-ja, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministria e Financave dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

Në kuadër të kësaj ministrja Bajrami tha se është themeluar edhe Task forca për të bërë biznes.

Eksperti i Bankës Botërore Ernesto Franco Temple tha se bizneset duhet të kenë qasje në kredi për të eksportuar, regjistrim dhe transfer të pronës. Nga një herë ai tha se të gjitha firmat kanë hasur në vështirësi për të zbatuar kontratat komerciale.

Temple: Ka stagnim në furnizim me energji elektrike

Video

“Bizneset duhet të kenë qasje në kredi për të për të eksportuar, regjistrim dhe transfer të pronës. Nga një herë të gjitha firmat kanë hasur në vështirësi për të zbatuar kontratat komerciale dhe për këtë sht eti duhet të zgjedh çështjet e pagesës që janë me probleme. Edhe lëshimi i lejeve është i stërzgjatur dhe ka stagnim në sektorin e energjisë. Kjo çështje e mos furnizimit të rregullt me energji elektrike është e kamotshme, dhe kjo duhet të zgjidhet”, tha Temple.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini tha se raporti i BB tregon progresin dhe regresin e Kosovës dhe kjo sipas ti duhet parë si shqetësuese në disa fusha.

Shahini: Investitorët e huaj të shqetësuar për klimën e biznesit në Kosovë

“Vet raporti tregon progresin dhe regresin e Kosovës dhe kjo neve duhet të na shqetëson në disa fusha. Raporti tregon se duhet rreth 6 muaj të pritet një investitor për një licencë për ndërtim. Kjo neve na shqetëson.. kjo është një ngarkesë e cila askund nuk praktikohet pos në Kosovë… të njëjtat çështje i ngriti edhe sot një investitor n ga Suedia që kishte investuar në Kosovë. Me gjithë përpjekjet e Qeverisë që po tentojnë ta ndërtojnë një ambient më të mirë në biznes, por për kundër përpjekjeve të përbashkëta me rekomandime, vetëm vitin e kaluar kemi pasur 2 mijë e 200 biznese të mbyllura”, tha Shahini.

Sipas tij, për zgjidhjen e problemeve gjyqësore duhet të funksionalizohet Bordi i Pavarur i Ankesave për Bizneset.

Shahini tha se edhe procesi politik në 6 muajt e fundit e në veçanti në 2 vjetët e fundit i ka dhënë Kosovës një imazh të keq, ku sipas tij bizneset janë duke u ballafaquar me shumë vështirësi. Migrimi i vitit të kaluar sipas tij ndikoi negativisht tek konsumi. Mirëpo, ministrja Bajrami kërkoi nga përfaqësuesit e bizneseve që mos t’i politizojnë këto forume ekonomike, por të japin rekomandime konkrete për zhvillimin ekonomik.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...