Flori Bruqi :Cka shkrova: 28 maj 2010 ?
Por tani ata janë në vështirësi, me prodhimtari të kufizuar dhe paga të ulta.
Njëra prej aktoreve më të njohura në Kosovë, Safete Rugova, thotë për BBC-në se statusi që kanë aktorët sot është “i turpshëm”.
“Pozita dhe shpërblimi i aktorëve sot është i mjerueshëm,” thotë zonja Rugova.
“Është e turpshme sepse arti, megjithatë është gjëja më e bukur dhe aktrimi profesioni më i bukur, prandaj edhe kemi ndejtur në teatër për gjithë këto vite,” shton ajo.
Zonja Rugova thotë se ka shpresuar që me kalimin e viteve diçka do të ndryshojë, por, siç thotë ajo, duket se gjërat po shkojnë gjithnjë e më keq.
Kosova aktualisht ka tre teatro profesionistë dhe po kaq eksperimentalë, një shtëpi filmike, dhe një qendër të kinematografisë, por prodhimi i tyre është në shkallën më të ulët të mundshme.
Ndërsa teatrot mund të thonë që brenda vitit i vendosin në skenë një apo dy premiera, shtëpitë filmike ka vite që mezi e mbajnë veten pa prodhuar asnjë film.
Në fakt kjo ka përcaktuar që aktorët në Kosovë të mos jenë as të angazhuar dhe statusi i tyre të bjerë nën nivelin që do të duhej të ishte.
Aktori i Teatrit profesionist të Gjakovës, Jahja Shehu, thotë se kriza e përgjithshme e shoqërisë nuk ka lënë pa prekur as aktorët.
“Aktori në sytë e publikut ishte si një ikonë, mirëpo aktori sot po e përjeton në mënyrën më të keqe dhe më të paimagjinueshme veprimtarinë e tij si një ndër krijuesit më të rëndësishëm të popullit dhe të kombit,” thotë zoti Shehu.
Pozita e aktorëve të teatrit dhe të filmit nuk është përkeqësuar vetëm në aspektin e punës krojuese, por edhe të pozitës së tyre shumë të rëndë materiale.
Zonja Rugova thotë se pagat e aktorëve janë shumë të vogla.
“Tashmë jam afër pensionit dhe e di se pensioni do të jetë akoma më keq,” thotë ajo.
Aktori nga Gjakova Jahja Shehu thotë se ka ndodhur shpesh që përfaqësuesit e pushtetit të marrin pjesë në prerjen e shiritave për projekte të ndryshme, por jo edhe të projekteve të teatrove të Kosovës.
Kjo, sipas tij, e shpjegon peshën shumë të vogël të teatrit dhe të njerëzve të tij.
“Ne jemi vetë dëshmitarë se asnjë shirit i ndonjë shfaqjeje nuk është prerë, ndërkohë që u prenë bukur shumë shirita të rrugëve,” thotë ai.
“Përderisa nuk ndërron mendësia jonë për teatër, për dramaturgji, kam frikë se teatri do të vazhdojë të jetojë në amulli dhe do të jetojë në krizë,” thotë zoti Shehu.
Teatri Kombëtar i Prishtinës po vazhdon të mbahet disi. Teatrot e tjerë, siç është ai i Gjakovës, i Gjilanit, apo edhe i Prizrenit, pothuajse nuk funksionojnë fare...
http://floart-press.blogspot.com/2010/05/kosove-aktoret-dikur-ikona-sot-te.html