2016-02-16

Gëzuar Kosovë Pavarësia!

"Kosova nuk mund të përvetësohet dhe nuk është pronë e asnjë lideri politik"
Kosova nuk është pronë e asnjë lideri politik, zgjidhjet për vendin duhet të jenë kushtetuese dhe vetëm kështu arrihet përpara. Kështu tha presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga në pritjen zyrtare me rastin e tetë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
I ftuar në këtë pritje, senatori amerikan Robert Corker, dha një mesazh për protestat që pritet të mbahen nesër, të organizuara nga opozita. Sipas tij, edhe pse të gjithë kanë të drejtë të protestojnë, dallimet politike duhet të zgjidhen në mënyrë demokratike dhe jo me dhunë.
Presidentja Jahjaga me këtë rast tha se tetë vjetori i pavarësisë së Kosovës është rrugëtim që forcon themelin e shtetit të tonë. Ajo për këtë arritje ka falënderuar shtetet mike që ndihmuan shtetin në rrugëtimin e sakrificës së popullit të Kosovës.
Ajo shtoi se kjo sakrificë nuk mund të përvetësohet, sepse sipas saj, Kosova i takon të gjithë qytetarëve dhe populli, siç tha ajo, është më i bashkuar se kurrë për t’i refuzuar përçarjet dhe ndasitë e kësaj klase politike.
Jahjaga: Kosova nuk është e asnjë lideri politik
“Sakrifica për të arritur deri këtu në bën të vetëdijshëm që Kosova nuk mund të përvetësohet. Ajo nuk është e as një lideri politik. U takon qytetarëve të saj të cilët sot janë më të bashkuar se kurrë për t’i refuzuar përçarjet dhe ndasitë e kësaj klase politike. Për të kërkuar llogaridhënie, për të këmbëngulur për rend dhe ligj. Për t’i dhënë fund degradimit moral dhe korrupsionit, për t’i rikthyer... angazhimit tonë vlerat dhe idealet që në ndihmuan të shpalim Kosovën shtet, që pran kësaj kauze u rreshtuan aleatët tanë të mëdhenj, çerdhet e demokracisë”, tha Presidentja Jahjaga.
Kryeministri Isa Mustafa tha se në këto tetë vjet, Kosova ka dëshmuar që mund të ndërtojë shtetin dhe ka zbatuar obligimet ndaj shteteve fqinje. Ai ka pranuar edhe dështimet në këto vite të shtetësisë dhe çlirimit që për të janë të njohura.
Mustafa: Ne njohim edhe ngecjet dhe dështimet tona
“Këto tetë vjet ne kemi demonstruar përkushtimin për ta bërë Kosovën një vend të denjë dhe për të jetuar. Kemi dëshmuar përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe jemi përpjekur të njohim dhe zbatojmë obligimet tona ndaj fqinjëve dhe ndaj partnerëve tanë ndërkombëtar. Tashmë Republika e Kosovës i ka bërë të vetat, vlerat e lirisë dhe demokracisë. Këto vlera nuk mund t’i rrënojë askush, sepse ato mbrohen nga qytetarët dhe institucionet e Kosovës. Ne do të kultivojmë fqinjësi të mirë, paqe dhe stabilitet. Ne njohim edhe ngecjet dhe dështimet tona që na kanë përcjell në këto tetë vite pavarësi dhe për 17 vjet liri”, tha kryeministri Mustafa.
Ai më tej tha se ekonomia e një vendi është shtylla kryesore dhe Qeveria në fokus ka zhvillimin e saj. Ai foli edhe për procesin e liberalizmit të vizave, që sipas tij, Kosova është në prag të këtij p rocesi.
Kryeministri ka falënderuar shtetet mike, veçanërisht SHBA-në, Shqipërinë, e të tjerat.
Senatori amerikan Robert Corker, tha se nuk ka qenë e lehtë, por me të vërtet është arritur përparim i jashtëzakonshëm në një kohë shumë të shkurtër. Ai ka nxitur drejtuesit e institucioneve të Kosovës drejt komunitetit euro-atlantik. Po ashtu, ai foli edhe për protestat që pritet të mbahen në përvjetorin e pavarësisë. Corker tha se SHBA-të kanë qenë dhe do të jenë përkrah Kosovës.
Corker: Vendi im ka qenë me ju që prej fillimit, vazhdojmë të jemi me ju edhe tash
“E di se disa qytetarë të Kosovës ndoshta do të demonstrojnë nesër për të shprehur vizionin e tyre për të ardhmen e Kosovës. Ata kanë çdo të drejtë që të demonstrojnë në mënyrë paqësore. Megjithatë, dallimet politike duhet të zgjidhen nëpërmes debatit e jo m e dhunë. Dita e Pavarësisë duhet të jetë ditë e gëzimit e jo e dhunës. Vendi im ka qenë me ju që prej fillimit, vazhdojmë të jemi me ju edhe tash”, tha Corker.
Në këtë eveniment të organizuar nga Presidenca dhe Qeveria, u pritën ambasadorë të të gjitha shteteve më të mëdha në Prishtinë, KFOR-it, përfaqësues të BE-së, senatoër dhe deputetë, por jo edhe përfaqësues të opozitës.




Kryeministri Mustafa: Republika e Kosovës rrëfim i përbashkët i suksesit të Kosovës dhe aleatëve
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në pritjen zyrtare me rastin e tetë vjetorit të pavarësisë, të organizuar së bashku me Presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.
Para të pranishmëve të shumtë në këtë pritje solemne, kryeministri Mustafa tha se 17 shkurti i vitit 2008 është ditëlindja e shtetit tonë.
“Është kurorëzimi i aspiratës së kosovarëve të çliruar me sakrificë sublime të mijëra dëshmorëve e martirëve e i angazhimit të veprimtarëve të shumtë. Është kurorëzim i veprës së Ibrahim Rugovës, i Luftës së UÇK-së dhe i mbështetjes së NATO-s. Është shpagimi i kontributit të secilit qytetar të Kosovës”, tha kryeministri.
Më tej, kryeministri Mustafa theksoi se Republika e Kosovës është rrëfim i përbashkët i suksesit të kosovarëve dhe aleatëve të tyre.
“Secili qytetar i Republikës së Kosovës, do t’i jetë përgjithmonë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Shqipërisë, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë, Austrisë dhe të gjitha shteteve tjera të Bashkimit Evropian e vendeve tjera që e mbështetën dhe po e mbështesin Kosovën në rrugëtimin e saj. Kjo mbështetje është garanci se Kosova ka të ardhmen e saj”, tha kryeministri Isa Mustafa.
Fjala e plotë e kryeministrit Isa Mustafa, në pritje.
Ndjehem i nderuar t’u drejtohem sonte, në vigjilje të 8 vjetorit të shpalljes së Kosovës-shtet i pavarur dhe sovran.
17 shkurti i vitit 2008 është ditëlindja e shtetit tonë. Është kurorëzimi i aspiratës së kosovarëve të çliruar me sakrificë sublime të mijëra dëshmorëve e martirëve e i angazhimit të veprimtarëve të shumtë. Është kurorëzim i veprës së Ibrahim Rugovës, i Luftës së UÇK-së dhe i mbështetjes së NATO-s. Është shpagimi i kontributit të secilit qytetar të Kosovës.
Të dashur miq,
17 shkurti i vitit 2008 është, po ashtu, dëshmia më e freksët e ngadhnjimit të parimeve universale të drejtësisë. Duke e ndihmuar për çlirim, duke e mbështetur për rindërtim e pavarësim, Ju jeni shndërruar në miq të Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Kosovarët janë të paktë në numër. Por, kanë zemër bujare dhe janë popull fisnik. Tek populli i Kosovës, Ju do të gjeni përgjithmonë aleatin besnik dhe partnerin mirënjohës e të përjetshëm.
Zonja dhe Zotërinj,
Republika e Kosovës është rrëfim i përbashkët i suksesit të kosovarëve dhe aleatëve të tyre. Secili qytetar i Republikës së Kosovës, do t’i jetë përgjithmonë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Shqipërisë, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë, Austrisë dhe të gjitha shteteve tjera të Bashkimit Evropian e vendeve tjera që e mbështetën dhe po e mbështesin Kosovën në rrugëtimin e saj. Kjo mbështetje është garanci se Kosova ka të ardhmen e saj.
Zonja dhe zotërinj,
Këto 8 vjet, ne kemi demonstruar përkushtim për ta bërë Kosovën një vend të denjë për të jetuar. Kemi dëshmuar përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe jemi përpjekur të njohim e zbatojmë obligimet tona ndaj fqinjëve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë. Tashmë, Republika e Kosovës i ka bërë të vetat vlerat e lirisë dhe të demokracisë. Këto vlera nuk mund t’i rrënojë askush, sepse ato mbrohen nga qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Ne do të kultivojmë fqinjësi të mirë, paqe dhe stabilitet.
Ne i njohim edhe ngecjet e dëshmtimet që na kanë përcjellë në këto 8 vjet pavarësi dhe gati 17 vjet liri. Sonte dua t’u siguroj se kosovarët nuk e meritojnë dhe jam i bindur se nuk do ta tolerojnë mbisundimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ashtu sikurse, jam i bindur që qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës do t’i mundin tendencat e infiltrimit të rrymave radikaliste, ekstremiste dhe terroriste, të cilat synojnë ta rrënojnë tolerancën dhe bashkëjetesën tonë tradicionale.
Të nderuar të pranishëm,
Ne të gjithë jemi dëshmitarë të ngjarjeve të pakëndshme që i kanë ndodhur Kosovës këta muajt e fundit. Populli ynë thotë: “Shtëpi me tym, pa idhnim nuk ka”. Në fakt është çuar shumë tym. Por, reja e atij tymi do të largohet shpejt. Sepse shteti nuk do t’i dorëzohet dhunës dhe inateve të askujt. Ne kemi vendosur rregullat demokratike, ligjet dhe Kushtetutën e shtetit tonë. Vetëm ato do të jenë udhërrëfyes për Kosovën. Sepse kështu ne e mbrojmë Republikën, e bëjmë atë partnere të denjë të aleatëve dhe aspirante për t’u bërë pjesë e familjes euro-atlantike.
Të dashur miq,
Siç e dini, Ekonomia është shtylla kryesore e programit tonë qeverisës. Unë vij këtu para jush, vetëm një ditë pasi që së bashku me Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, lansuam Strategjinë Kombëtare për Zhvillim 2016-2021, duke cilësuar kapitalin njerëzor, sundimin e ligjit, infrastrukturën dhe konkurrueshmërinë si shtylla të zhvillimit ekonomik të Kosovës në pesë vitet e ardhshme.
Kemi bërë reforma të qëndrueshme fiskale dhe jemi duke e zbatuar një strukturim buxhetor, të bazuar në kursime, rritje të inkasimit dhe luftimit të ekonomisë joformale.
Të nderuar të pranishëm,
Në Qeveri jemi të vetëdijshëm se lufta kundër papunësisë nuk është e lehtë dhe e shpejt. Për këtë arsye ne kemi identifikuar sektorin e bujqësisë si potencial i madh për rritjen e prodhimit vendor dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Kemi nënshkruar marrëveshjen për investimin më të madh privat paslufte në Kosovë, ndërtimin e TC Kosova e Re me partner nga SHBA, ndodhemi në fazën finale të dhënies me koncesion të Brezovicës një konsorciumi francez dhe po punojmë për të ardhmen afatgjate të Trepçës. Kemi përgatitur bazën ligjore për tërheqje të investimeve të huaja direkte.
Të nderuar të pranishëm,
Viti që shkoi është historik sa i përket marrëdhënieve të Kosovës me Bashkimit Evropian, pasi që kemi nënshkruar marrëveshjen e parë kontraktuale me Bashkimin Evropian- Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Por, po ashtu, është vit në të cilin për herë të parë Kosova përfshihet për tu financuar nga Korporata e Sfidave të Mileniumit, të SHBA, duke përmbushur kriteret e kësaj organizate prestigjioze.
Kosova ka arritur që ta ulë gati në zero emigrimin ilegal dhe ne tani ndodhemi në fazën finale të marrjes së rekomandimit pozitiv për liberalizimin e vizave.
Edhe nga ky përvjetor ju ftoj të vazhdojmë ta shohim Kosovën si projekt të suksesshëm të kosovarëve dhe miqve të tyre. Një shtet ku qytetarët e saj realizojnë nevojat dhe aspiratat e tyre, ku diversiteti kulturor, gjuhësor e etnik është pasuri dhe urë lidhëse e bashkëpunimit me vendet fqinje dhe e integrimit në familjen evropiane. Vend në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Fjalimi i Presidentes Atifete Jahjaga në pritjen zyrtare me rastin e tetëvjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës
I nderuar Kryeministër Mustafa,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Kosovës,
I nderuar senator Korker,
I nderuar kongresist Terner,
Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues te misioneve ndërkombëtare në shtetin tonë,
Të nderuar familje të Dëshmorëve,
Qytetarë të dashur,
Zonja dhe zotërinj,
Sonte jemi bashkuar për të shënuar tetëvjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës, të vendit tonë të dashur, ditëlindjen e shtetit tonë të ri. Këtë ditë madhështore, të cilën breza të tërë për njëqind vjet e patëm ëndërr dhe që për një shekull e lartësuam si synim të përpjekjeve tona kolektive për të jetuar në paqe dhe liri.
Shteti ynë lindi me shumë mundime. Për të u bë një sakrificë e hatashme njerëzore, vuajtje të thella me pasoja të rënda, të cilat shumë familje vazhdojnë t'i jetojnë 16 vjet pas përfundimit të luftës, edhe në këtë natë përvjetori të pavarësisë.
Është pikërisht ky rrugëtim i jonë i përbashkët dhe përjetim i përveçëm për secilin prej nesh që e forcon themelin e Kosovës që e bëmë bashkërisht shtet. Na bën secilit t'i gëzojmë privilegjet dhe përgjegjësitë e të qenurit kosovar - përfshirë përgjegjësinë historike për ta përmbyllur këtë cikël shtetndërtimi - njëkohësisht. E bën Kosovën idealin e vetëm, sepse Kosova është më e rëndësishme se secili prej nesh.
Sakrifica për të arritur deri këtu na bën të vetëdijshëm që Kosova nuk mund të përvetësohet. Ajo nuk është e asnjë lideri politik. U takon qytetarëve të saj, të cilët sot janë më të bashkuar se kurrë për t'i refuzuar përçarjet dhe ndasitë e kësaj klase politike, për të kërkuar llogaridhënie, për të këmbëngulur për rend dhe ligj, për t’i dhënë fund degradimit moral dhe korrupsionit, për t'i rikthyer në busullë të angazhimit tonë vlerat dhe idealet që na ndihmuan ta shpallim Kosovën shtet dhe që pranë kësaj kauze rreshtuan aleatët tonë të mëdhenj, shtetet çerdhe të demokracisë. Ju faleminderit që jeni përkrah nesh Ambasador Delawie, Kosova nuk ka mik më të madh. Ambasadorë të nderuar, ju faleminderit për mbështetjen e pakursyer.
Këtë vit më shumë se çdo vit tjetër i kemi përjetuar dhimbjet e rritjes. Në kontekst të tillë, mospajtimet janë kuptueshme sikur që janë sfidat e një kushtetute të aprovuar, por të patestuar, e cila përkundër të gjithave duhet të vazhdojë t’i japë peshë e legjitimitet çdo vendimmarrjeje dhe veprimtarie tonë. Zgjidhjet tona duhet të jenë kushtetuese dhe institucionale, sepse vetëm kështu e forcojmë besimin që na duhet për ta rrumbullakuar këtë shtetformim. Është e pamohueshme që në këtë fazë të shtetndërtimit si shoqëri na duhet dialog i brendshëm për rrugën tonë përpara. Por, ky diskutim asnjëherë nuk guxon të sfidojë konsensusin bazik demokratik, të cilin e vendosëm në themelet e shtetësisë së Kosovës dhe mbi të cilin ndërtuam legjitimitetin tonë shtetëror e ndërkombëtar. Nuk guxon ta testojë miqësinë tonë me aleatët tanë apo ta vë në mëdyshje përcaktimin tonë për të ndërtuar shtet demokratik, të ngjallë frikë e të krijojë pasiguri për të ardhmen tonë. Kjo është ditë e shumëpritur, kjo është ditë e shenjtë që nuk shndërrohet në kontestim të dashurisë për atdheun.
Është e padiskutueshme që kemi shumë punë. Shumë punë për të kërkuar drejtësi për ata që nuk janë më. Punë për të përfshirë secilin qytetar, pa dallim etnie, në ndërtimin e shtëpisë tonë të përbashkët. Punë për t’i thënë jo korrupsionit që po monopolizon fuqinë në duart e një pakice që ia mohon të drejtën e barabartë për të konkurruar, punuar dhe për të krijuar mirëqenie qytetarit të Kosovës. Punë për të arsimuar gjeneratën e ardhshme. Për ta mbajtur atë të shëndoshë. Vendosmëri për t’i mbajtur përgjegjës të gjithë ata që nuk i kanë përfaqësuar interesat e qytetarëve denjësisht.
Padyshim, Dita e Pavarësisë duhet të jetë ditë reflektimi. Por, mbi të gjitha ajo është ditë feste, ditë gëzimi kur kthejmë kokën prapa dhe ndihemi krenarë për të arriturën tonë më të madhe këtë shekull, bërjen e Kosovës shtet. E ndajmë këtë ditë me më të dashurit tanë për të festuar dashurinë tonë më të madhe – dashurinë tonë për Kosovën, këtë ëndërr gjeneratash që ne kemi fatin dhe përgjegjësinë ta jetësojmë.
Kosova do të ecë përpara, ballëhapur e e patrembur. Qytetarët e saj do të vazhdojnë të jenë insistues për të ardhmen e tyre të pakthyeshme evropiane, të palëkundur në besimin që ditët e mira për Kosovën vetëm sa kanë filluar.
Qytetarë të Republikës së Kosovës, Urime 8 vjetori i pavarësisë. Të jemi krenarë me arritjet tona të përbashkëta dhe të mos ndalemi të aspirojmë më shumë.
Gëzuar Kosovë!

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...