Presidenca reagoi përmes Zëdhënëses në lidhje me deklarimet e bëra mbrëmjen e djeshme nga Kryeministri Edi Rama gjatë intervistës së tij në emisionin “Dritare”mbi takimin e Presidentit të Republikës me Sekretarin e Shtetit, John Kerry në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” gjatë vizitës së tij në Shqipëri.
“Kërkesa e Sekretarit Kerry e përcjellë përmes Ambasadës së SHBA-së në Tiranë për të takuar Presidentin e Republikës gjatë mbërritjes së tij në Shqipëri ishte një nder i veçantë dhe respekt ndaj Institucionit dhe vetë Presidentit Nishani. i kërkojmë Kryeministrit të vendit të tërheqë menjëherë deklaratën fyese dhe spekulative ndaj Presidentit të Republikës dhe Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, pasi një qëndrim i tillë nuk përfaqëson nderimin dhe mirënjohjen që shqiptarët anembanë botës kanë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe popullit amerikan”, thuhet në reagimin e Presidencës.