Aman mosni



Shkruar nga Arton Musliu

Sipas autorit Raju G. C. Thomas sot në botë jetojnë afërsisht gjashtëqind gjuhë të ndryshme dhe rreth pesë mijë grupe të ndryshme etnike, si dhe rreth 200 shtete, meqenëse procesi i krijimit të shteteve të reja, ndonëse i ngadalshëm dhe shumë i vështirë, është një proces i pandalshëm.

Popuj të ndryshëm përgjatë historisë kan formuar shtetet e tyre rrespektive duke u bazuar në konfiguracionin politik të Fuqive të Mëdha të cilat kan ekzistuar nëpër çdo etapë të historisë së re. Duke filluar nga Vestfalia e deri në ditët e sotme.

Në peridhën e Koncertit të Vienës ishin fituesit e luftërave napoleoniane ato të cilat vendosën për krijimin e formacioneve të reja politike.

Rusia, Prusia, Austria dhe Britania e Madhe ishin Fuqitë e Mëdha të asaj kohe të cilat vendosnin për fatin e popujve të tjerë. Sa për ilsustrim.

Në vitin 1792 Belgjika u pushtua nga Franca, derisa në vitin 1815 ajo e gjeti vetën nën juridiskionin e Mbretërisë së Portokallt Holandeze. Jo pse Belgjika nuk plotësonte kriteret për shtetësi por që kështu vendosën Fuqitë e Mëdha.

Pesëmbëdhjetë vite më vonë, kur pozicioni strategjik i këtyre Fuqive ndryshoi, ndryshoi edhe kursi ndaj krijimit të shtetit Belg.

Fuqitë e Mëdha jo vetëm që ndihmuan krijimin e shtetit të ri Belg, por edhe intervenuan ushtarakisht, Britania dhe Franca më saktësisht, për të larguar ushtrinë holandeze nga Belgjika.

Ky intervenim ka ndodhur pas shpalljës së shtetit Belg. E njejta gjë mund të thuhet edhe për Revolucion Grek i cili prodhoi shtetin Grek. Edhe këtu u dasht intervenimi i Fuqive të Mëdha për të siguruar tërheqjen e trupave turke nga aty.

Sidoqoftë, për të mos ju lodhur shumë me histori, dua të them se sot ka jashtëzakonisht shumë popuj dhe territore që nuk po mundën të krijojnë shtetet e tyre rrespektive.

Disa po munden por nuk po njihen, e disa spo munden. Shembull të rastit të parë janë Krimea, Abkhazia dhe Osetia Jugore, shembull në rastin e dytë është populli Kurd.

Shprehur ndryshe, ka shumë popuj të clët janë më të mëdhenjë së sa shqiptarët e Kosovës e më të fuqishëm gjithsesi, e të cilët nuk po mundën të krijojnë shtetet e tyre rrespektive për shkak të mungesës së përkrahjes ndërkombëtare.

Shembuj të tillë janë Kurdët në Turqi dhe në Irak të cilët kan pesëmbëdhjetë herë më shumë popullsi se sa që kemi ne, Abkhazia dhe Osetia Jugore në Gjeorgji, Katanga në Kongo, Biafra në Nigeri, Punjabi, Asami, Nagalandi dhe Mizorami në Indi, Morot në Filipine, Çeçenia, Ingushetia dhe Tatarstani në Rusi, Krimea në Ukrainë, Transdniestri dhe Kaukazi në Moldavi, Baskët dhe Katalunasit në Spanjë e shumë popuj të tjerë të cilët nuk kan mundur e nuk po munden të krijojnë shtetet e tyre.

Kjo për një fakt shumë të thjeshtë. Përveç përpjekjeve për liri të secilit popull, përkrahja që vjen nga Fuqitë e Mëdha është vendimtare. Nuk kemi mbetur ne shqiptarët të ndarë në disa shtete për shkak se e kemi dasht një gjë të tillë.

Por që koha në të cilën janë formuar shtetet kombe neve na ka gjetur të papërgaditur përbrenda dhe pa përkrahje nga Fuqitë e Mëdha në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe në fillim të shekullit të njëzetë.

Jo vetëm shqiptarët janë të ndarë në disa shtete. Populli somalez në Afrikë jeton në katër shtete të ndryshme, në Somali, Etiopi, Keni dhe Gjibuti.

Një gjë e tillë ka ndodhur për shkak se pas periudhës së krijimit të shteteve kombe, krijimi i shteteve është bërë gjithnji në baza territoriale e jo në baza etnike.

Vetëvendosja teritoriale, parimi Uti Possidetis dhe stabilitei ndërkombëtar janë tri elementët të cilat kan kushtëzuar një gjë të tillë.

Edhe pse kërkesat dhe motivet në të shumtën e rasteve kan qenë etnike, zgjidhjet pothuajse çdo herë kan qenë territoriale.

Për të mos e zgjatur shumë, sepse është temë mjaft e gjërë, Kosova është shtet së pari në saje të luftës heroike të UÇK-së, e cila luftë po të mos ishte mbështetur nga miqt tanë, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në krye, për mendimin tim nuk do përfundonte më çlirim nga Serbia gjenocidale.

Para se të jemi emocional, e subjektiv duhet të sillemi si realist e objektiv. Prandaj, zhvillimet e fundit shtetin tonë përkitazi me marrëdhëniet e Republikës me shtetet tjera, sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të jenë të shkëlqyera.

Thirrja për largimin e Ambasadorit të akredituar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga Kosova është gjëja më e shëmtuar dhe veprimi më diletant i cili mund të këtë pasoja të pariparueshme.

Ndërsa në aspektin juridik duhet të jetë e qartë se vetëm institucionet shtetërore mund të shpallin një Ambasador apo dikë nga personali diplomatik i huaj si të padëshiruar. Kjo në bazë të nenit 9 të Konventës së Vienës mbi Marrëdhëniet Diplomatike.

Në fund të fundit këto thirrje mund të ndikojnë edhe në agjendën tonë evropiane si dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës, sidomos me mekanizmat jo shtetërorë ndërkombëtar.

Acarimi eventual, apo hatërimi potencial, i Shteteve të Bashkuara të Amerikës mund të na kushtoj me izolim të paparë dhe me relativizim të paparashikueshëm të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës.

Besoj që askush nga ne nuk dëshiron që Kosova të hyj në një kategori të shteteve si Kuba e Vietnami. Mosni ju lutem!

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)