“Është neveritëse lëvizja anti-ShBA e cila zhvillohet në Kosovë qe një kohë”. Kështu e fillon reagimin e tij, matematikani, Qëndrim Gashi.
Profesori i njohur në departamentin e matematikës në Universitetin e Prishtinës, deklaron se nuk janë të rastësishme thirrjet kundër ambasadorit amerikan e as kundër paraardhësve të tij.
Ai rikujton se para pak javësh kishte thirrje edhe kundër një përfaqësuesi të një shteti të rëndësishëm evropian.
“Me këtë mendësi lista e shteteve armike mund të zgjerohet, në përputhje me leksionet e xhaxhit Enver”, shkruan gashi në llogarinë e tij në facebook.
Por tash, sipas profesor Gashit, kjo qasje pjesërisht bazohet tek një ideologji ekstreme e majtë për të cilët ShBA ishin gjithmonë kapitalistë të papërmirësueshëm.
Vetë Gashi dikur ishte pjesë e partisë ‘Fryma e Re’, e cila kishte një koncept liberal, dhe ishte bashkëpartiak i Shpend Ahmetit,Ilir Dedës, Fisnik Ismailit, e Dardan Sejdiut.
Megjithatë ai thekson se në këtë përzierje, ka edhe OJQ-istë të frustruar, anëtarë të një “elitëze”, kryesisht prishtinase që meqë nuk shtyhen dot me kontributin në luftë çlirimtare, tentojnë ta rekuperojnë mungesën e dukjes së patriotizmit me pozicione absurde anti-perëndimore.
Postimi në facebook i profesor Qëndrim Gashit
“Disa përkrahës apo individë që kanë simpati për ekstremistët religjiozë, disa “puritanë” që mendojnë se sovraniteti duhet “ushtruar” kundër ambasadorit mik, por nuk janë kundër që KFOR-i të qëndrojë në Kosovë edhe pse është mision i një organizate që ende nuk na njeh formalisht si shtet”, shkruan Gashi.
“Disa përkrahës apo individë që kanë simpati për ekstremistët religjiozë, disa “puritanë” që mendojnë se sovraniteti duhet “ushtruar” kundër ambasadorit mik, por nuk janë kundër që KFOR-i të qëndrojë në Kosovë edhe pse është mision i një organizate që ende nuk na njeh formalisht si shtet”, shkruan Gashi.
“Kuptohet, nuk ka miks pa pasur prani edhe të disa budallenjve”.
Gashi e pranon se pa dyshim se ka probleme themelore në vendin tonë. Por, shkruan se ato probleme që po na e bëjnë jetën më të vështirë, bukur shumë i kemi shkaktuar vet.
“Shikojeni arsimin dhe shëndetësinë si dy fusha ku ne kemi qenë pothuajse ekskluzivisht në pronësi të udhëheqjes që nga paslufta për ta parë se ku qëndron problemi”.
Matematikani deklaron se problemeve reale po u shtohet artificialisht loja me simbolet e shtetit të Kosovës, të cilat simbole më së shumti u pengojnë kundërshtarëve të pavarësisë së Kosovës. “Problemeve akute u shtohet loja me Festën e Pavarësisë së Kosovës — një vit nuk ka të holla, një tjetër s’ka çka të festohet ose s’ka informata se 17 shkurti ndodh më 17 shkurt”.
“Le të mendojmë pak se sipas kësaj logjike 28 Nëntori nuk duhet festuar kurrë sepse nuk u realizua aspirata fillestare e një shteti shqiptar që përfshinte të gjitha territoret e banuara me shqiptarë. Çudi që ende nuk kanë shpallur zi për atë festë kujdestarët e patriotizmit!”, ironizon profesor Gashi.
Ai thekson se ndryshimet dhe progresi mund të bëhen në Kosovë, ato duhet të ndodhin dhe do të ndodhin, por vetëm në mënyrë paqësore e demokratike.
“Rendi dhe ligji, ekonomia, arsimi dhe shëndetësia kanë nevojë për zhvillim të hovshëm. Në atë rrugë do të vazhdojë të na nevojitet përkrahja dhe bashkëpunimi me ShBA-të e jo konfrontimi me ta”.