2016-02-20

Shkrimtari Mehmet Kajtazi ishte krijues që ka shfrytëzuar ngjarje të vërteta

 





Para se të flasim për jetën dhe veprën e shkrimtarit tonë të mirënjohur Mehmet Kajtazi, në emër të falënderimit për të gjithë pjesëmarrësit e këtij simpoziumi po japim citate nga fjala falënderuese që ka dhënë z. Mehmet Kajtazi më 29 mars 2002 me rastin e shfaqjes së dramës “Nata e Fundit në Goli Otok”:

Fjala FALEMINDERIT (në kuptimin e bimës dhe në kuptimin e tokës), ua drejtojë sonte deri në përulje drejtë NJËREZVE që qëndruan dhe u flijuan që ne të mos jetojmë përherë me erë të mollës, por mollën ta kemi në duart tona”.

Mehmet Kajtazi u lind në vitin 1944 në Kllodernicë të Drenicës (komuna e Skenderajt). Një kohë punoi arsimtar i gjuhës dhe letërsisë shqipe në vendlindje, në Turiqefc, në Runikë, në Klinë të Epërme dhe në shkollën e mesme “Isa Boletini” në Skënderaj, ndërsa, prej vitit 1973 ishte gazetar dhe redaktor i fejtonistikës në të përditshmen “Rilindja” dhe së fundi deri në vdekje punoi si redaktor profesional për prozë në Ndërmarrjen Botuese “Rilindja”, Prishtinë. Më së shumti lëvroi reportazhin ku trajtoi tema të aktualitetit dhe të historisë. Ka botuar tregime, reportazhe dhe shkrime të ndryshme në revista dhe gazeta që botoheshin në gjuhën shqipe në Prishtinë, Tiranë, Shkup, Podgoricë dhe Zvicër.

Me krijimtari letrare merrej që nga shkolla e mesme. Ka shkruar kryesisht prozë për të rritur: romane, tregime, novela.

Pjesë nga veprimtaria e tij artistike janë përkthyer dhe botuar në frëngjisht.

Mehmet Kajtazi ishte krijues që ka shfrytëzuar ngjarje të vërteta, personalitete historike e figura tjera, por edhe situata të veçanta të gërshetuara me ndodhi e personazhe fiktive, të cilat në laboratorin e krijuesit janë përpunuar artistikisht. Tema e fakte të realitetit tonë kombëtar e historik janë brumosur në një varg veprash letrare të Mehmet Kajtazit, të cilat me ngjyrime artistike janë fuqizuar”.

Mehmet Kajtazi ka botuar pesëmbëdhjetë romane dhe dy përmbledhje tregimesh, “ku kryesisht përpush katrahurat e mëdha të etnisë, sfidat, shpresat dhe udhët që e ngjitën në majat e mbijetesës. Pra në të shumtën, në fabulën e veprave të këtij prozatori gëlojnë luftërat, varrëtarët, nënat shamizeza dhe heronjtë, të cilët përcjellin nga një brez në tjetrin gjëmimet e rrufeve, zinë e riteve mortore, kujet dhe prapë kumbimet e betejave dhe sërish kapërcimi i rrethakut të motjes. Të gjitha këto rrjedhin nga një rrafsh rrëfimor plot thyerje e kontraste dhe thuren me nje gjuhë që duket sikur mezi e bart baladën...
Mehmet Kajtazi ka botuar këto vepra:

1. ''Nata në gur'' (roman, 1984), botoi “Rilindja”, Prishtinë,
2. ''Plaku dhe urat'' (roman, 1986), botoi “Flaka”, Shkup. Nuk janë të rralla rastet kur një vepër letrare shkruhet si reagim ndaj një modeli pararendës të llojit të vet, duke tentuar njëherit që mohimin e atij modeli ta mbështesë në argumentet që ofron përmes veprës së rë...Një dukuri të tillë e ndeshim edhe tek romani i Mehmet Kajtazit ''Plaku dhe urat''. Te ky roman, të bëjmë një paralele me konstatimet e deritashme, kemi tekstin që i shqipton situatat e jetës dhe tekstin që komenton këtë formë të shqiptimit dhe artikulimit artistik. ... Romani ''Plaku dhe urat'' ka një kompozicion do të thoshim mozaik, ku tërësinë e rrëfimit e sajojnë reminishencat nga kujtimet e personazhit kryesor (Amnitore Fatorini). Pse është kompozicion mozaik kur pjesa më e madhe e rrëfimit realizohet në veten e parë? Autori mbase edhe qëllimisht ikën nga një mënyrë strikte e zhvillimit të veprimit dhe rrëfimit romanësor, Shkruante R. Musliu për romanin''Plaku dhe urat'' më 22.11.1986.

3. ''Zemër e Thyer'' (tregime, 1987), botoi “Rilindja”, Prishtinë,
4. ''Fundi i legjendave'' (roman, 1990), botoi “Rilindja”, Prishtinë, (Teatri Shqiptar “Kurora” nga Nyoni-i Zvicër (Theatre Albanais “Kurora” de Nyon) dramatizoi dhe shfaqi romanin ''Fundi i legjendave'')

5. ''Shqiptarët në Goli Otok'' (roman, 1991), botoi “Dielli”, Zagreb. Proza ''Shqiptarët në Goli Otok'' ka për temë tragjikën e të burgosurve politikë në kohën e inkuizicionit sllavokomunist, të njohur si periudha e Informbyrosë. Në gjithë veprën ''Shqiptarët në Goli Otok'' të Mehmet Kajtazit, shkruante Rushit Ramabaja, rrëfimi është ndërtuar në formë mozaiku, ku si në ekran ravijëzohen fatet njerëzore.

Teatri Popullor i Prishtinës ka inskenuar dramën “Nata e fundit në Goli Otok”, sipas romanit ''Shqiptarët në Goli Otok''-5 nëntor 1992 u shfaq premiera e kësaj drame dhe kjo dramë theu të gjitha rekordet duke patur mbi 300 repriza dhe është shfaqur në të gjitha trojet shqiptare dhe jashtë vendit. Drama “Nata e fundit në Goli Otok”, sipas romanit të Mehmet Kajtazit, është dramë e dhembjes, dramë e ndërgjegjejes së vrarë, e mllefit të frenuar, e zhgënjimit, e përpjekjes për ta mundur frikën, tmerrin, vdekjen, e përpjekjes për të tejkaluar vetveten, brenda greminave të thella shpirtërore të shkaktuara nga malli për lirinë e largët, që si fatomorganë sillet brenda grilave, shkruante Fadil Hysaj.

6. ''Kodra e pajtimit'' (tregime, 1993), botoi “Ylberi”, Prishtinë, Duke lexuar tregimet e Mehmet Kajtazit, shkruante Rifat Kukaj, lexuesi gjithsesi do të provokohet me ngërthimet, psherëtimat, gjëmat dhe shpresën e njeriut tonë që nga kohërat më të hershme e deri më sot.

7. ''Ushtimë e Alboderit'' (roman, 1993), botoi “Shkëndija”, Prishtinë. Zeqir Gërvalla lidhur me veprën ''Ushtimë e Alboderit'' shkruante: Trekëndëshi tredimensional i romanit ''Ushtimë e Alboderit'' janë tri kohërat-në një kohë-Harmoni në shesh të Brukselit duke hyrë në dimensionin e katërt të ringjalljes së një kohe të Re të Ribashkimit tonë Kombëtar Shpirtëror e Tokësor në një rend të ri të Ballkanit-Evropës e Botës liridashësë e përparimtare nën Diellin e të gjithëve falë Zotit Një- Krijuesit të Gjithësisë

8. ''Shote Galica'' (roman, 1995), botoi Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës, Prishtinë. Për këtë roman, Rushit Ramabaja shkruante: ''Shote Galica'' është një transponim i sukseshëm i njërës nga baladat tona kombëtare që në rrethakun e historisë sikur nuk po e presin njëra rjetrën
9. ''Minatorët'' (roman, 1995), botoi “Onufri”, Elbasan. Vangjush Saro shkruante: Vepër e frymëzuar drejtpërdrejtë nga ngjarjen në minierën e Trepçës në Kosovë, libër prej nga mesazhi i rezistencës, artistikisht dhe dokumentarisht, vjen e plotëson kuadrin e luftës për të drejtat kombëtare e qytetarëve. Autori i sjell kështu lexuesit një botë të pasur që vlon në galeritë e minierave, por me shumë në galeritë e shpirtit.

10. ''Thikë në portokall' (roman, 1995), botoi Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës, Prishtinë,
11. ''Gjeli i katedrales'' (roman, 1996), botoi NB “Rilindja”, Prishtinë,
12. ''Santa Ana'' (roman, 1998), botoi NB “Rilindja”, Prishtinë,
13. ''Guri i dallëndyshes'' (roman, 1998), botoi NB “Rilindja”, Prishtinë,
14. ''Lindja në qiell'' (roman, 2000), botoi “Rilindja”, Prishtinë. Ngjarja e romanit ''Lindja në qiell'', janë vitet tona të përgjakshme nën okupim, personazhet si Agon Zhuka, Adem Jashari, Curr Yjëzimi, Yllkë Dhogaqi, Gëzim Dushi e shumë të tjerë, i bëjnë jëtë veprës e që është shumë e afërt me kohën dhe traumat që i përjetoi populli ynë në Kosovë.

Mehmet Kajtazi me këtë roman tregoi edhe njëherë se është i lidhur ngushtë me fatin e kombit dhe historinë e tij, shkruante H. Perloka.

15. ''Udha I'' (roman, 2000), botoi “Rilindja”, Prishtinë,
16. ''Ndezja e shiut'' (roman, 2001), botoi NB “Rilindja”, Prishtinë, (Romani Ndezja e shiut u nderua me çmimin “Hivzi Sylejmani” të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, për veprën më të mirë në prozë në vitin 2001).

Edhe në këtë roman shkrimtari Mehmet Kajtazi preokupohet me kohë, hapësirat e ekzistencës e të etnisë shqiptare. Kjo unazë narrative-kompozicionale-figurative ka zbritur shumë afër kohës sonë: kalvaret e golgotat e dëbimit masiv të shqiptarëve gjatë luftës së fundit, tek e nisë me Bllacën famëkqe, e vazhdon...

17. ''Një diell tjetër'' (roman, 2003). botoi NB “Rilindja”, Prishtinë,

Edhe në këtë vepër autori, ashtu si edhe në veprat tjera, lëndën e merr nga jeta e përditdshme në Kosovë, nga njerëzit e saj, nga problemet ekzistenciale me të cilat ballafaqohen shqiptarët, për ti bërë ballë gjithë katrahurave që ranë mbi ne nga pushtuesit e huaj tash e sa shekuj.

Romani ''Një diell tjetër'' i Mehmet Kajtazit paraqet tragjedinë shqiptare të viteve nëntëdhjetë, e cila triumfoi me luftën për çlirim. Duke u zhytur në dramën e etnisë Mehmet Kajtazi jep me ngjyra të theksuara kohën e aparteidit serb në vitet nëntëdhjetë të shekullit që lam pas.

Romani ''Një diell tjetër'', siç vëren edhe shkrimtari i mirënjohur Rushit Ramabaja në pasthënie, i shkruar sipas modusit të ironisë së qëndrueshme, e shqipton dramën më të re shqiptare me një gjuhë e me një stil të mvetësishëm duke vendosur në një kompleks modern sintetizues.

Shkrimtari dhe miku ynë i mirënjohur z.Mehmet Kajtazi ndërroi jetë më 25 shtator 2003 në Lozanë të Zvicrës dhe u varros në Prishtinë më 27 shtator 2003.

Fragmente nga disa kujtime të personaliteteve zvicerane për Mehmet Kajtazin

(Nga autorë të ndryshëm – për vdekjen e atdhetarit dhe shkrimtarit të dëvotshëm të Mehmet Kajtazit)



Një  decenie kjo miqësi me shoqëron rregullisht në jetën time të përditshme, më mundëson më shumë qetësi në vendime të rëndësishme: e rikujtoj praninë e tij të matur, buzëqeshjen e tij diellore, mençurinë fjalëkursyer, butësinë e vrojtimeve të tij që më tronditnin me forcën e drejtësisë së tij.

Patrik BYSMAN Drejtor i AVIR-it (kantoni Vaud)

Po pra, ky njeri është i madh! Një shkrimtar i madh, një artist, një bashkatdhetar, një njeri i dashur dhe i afërt me secilën qenie, që di të ndajë dhe të komunikojë, kalimtar i të gjithë kufijve gjuhësorë, i të gjitha dokeve e zakoneve. Në thjeshtësi të tërë, me armë të tij të vetme pendën, ai komunikon, ndan, shpreh dhe bën të njihet Shqiptari, Artisti, Avangardisti, Njeriu – nëpërmjet veprave të tij të shumta.

Marianne EBIBI, janar 2013

Kur kujtohet personaliteti i Mehmet Kajtazit, ngjall në mua kujtime të bukura, por edhe pikëllim të thellë për shuarjen e parakohshme duke më lënë në mua, sikur edhe te shumë të tjerë, një miqësi që qëndron pezull. Matës tokësor i palodhur, ai përfitonte nga zhvendosjet më të vogla për të zbuluar kënde të reja.

Victor RUFFY, Morrens,Kryetar i Parlamentit të Zvicrës (1992) Vazhdoni leximin e Fragmente nga disa kujtime të personaliteteve zvicerane për Mehmet Kajtazin.


 “Sy me sy me jetën”

Biografia e shkrimtarit, gazetarit e publicistit Mehmet Kajtazi, “Sy me sy me jetën”, është përuruar të mërkurën në Prishtinë.
Në përurimin e kësaj biografie miq dhe bashkëpunëtorë e kanë vlerësuar lart veprën e tij. Në këtë përurim është thënë se ai është një ndër figurat që i ka dhënë vulë gazetarisë, publicistikës dhe letërsisë në Kosovë. Po ashtu, është thënë se edhe dhjetë vjet pas vdekjes së Mehmet Kajtazit, vepra e tij vazhdon të jetë e pranishme në medie, letërsi e teatër. 






Duke folur për veprën e tij, Begzad Baliu ka deklaruar se në periudhën e fundit të krijimtarisë së tij vendin kryesor e kishin zënë temat e luftës së UÇK-së, të qëndresës, të dëbimit masiv të shqiptarëve nga trojet e tyre. “Në një kohë kur bashkëkohësit e tij shkrimtarë kërkonin botën ekzotike të lindjes apo përvojën perëndimore të tyre, në veprën e tij të parë e aq më tepër romanet e tij të mëtejshme, merreshin me përmasën historike të brezit të tij dhe ambientit fëmijëror të jetës së tij. Mehmet Kajtazi merrej me përvojën e bashkëkohësve të tij”, ka thënë Baliu. 

Sipas tij, kritikët kanë thënë se romani historik ka karakter të theksuar edukativ dhe njohës. “Romani historik nuk shkruhet me qëllim që t’i bëjë të njohur lexuesit ngjarjet dhe faktet historike nga e kaluara, sepse atë e bën më mirë historia, por të zbulojë artistikisht atë që ai ka mësuar nga historia. 

Sikur shkrimtari Mehmet Kajtazi e bënte dhe e sillte pikërisht këtë përvojë dhe insistonte për të rishfaqur, kompletuar dhe për të bërë të njohur një ambient, një hapësirë dhe një shekull historie. Në kohën kur romancierët, krijuesit e brezit të tij kërkonin të hidhnin dritë në momente të veçanta të mesjetës me tema të mëdha të rilindjes kombëtare, në ndërtimin kompleks të botës së heronjve të historisë kombëtare si dhe në ngjarjet larg hapësirës së Kosovës, Mehmet Kajtazi në të gjitha veprat e tij punoi në hulumtimin, sistemimin dhe ndriçimin material e etnokulturor të krahinës së Drenicës dhe aspekteve, sociale, shpirtërore e kulturore të heronjve të saj gjatë gjithë kohës sonë për të zgjedhur herë-herë edhe me fate personazhesh”, ka shtuar ai. Baliu ka thënë se Mehmet Kajtazi ka shkruar për përvojat e popullit të tij, fatet njerëzore të njeriut të vogël. “Veprat e tij, qofshin ato reportazhe, tregime, romane, vazhdojnë ta bëjnë jetën e tyre në kulturën shqiptare, mediet, letërsinë dhe teatrin shqiptar”, është shprehur ai. 

Ndërsa miku i tij, Rushit Ramabaja, ka thënë se Mehmet Kajtazi i takonte brezit të mësuesve që ndante shkollën shqipe nga shkolla e shkelësve serbë. “Gjatë tridhjetë vjetëve në ‘Rilindje’ ai dhe brezi i tij i dhanë vulë të veçantë gazetarisë, publicistikës, letërsisë shqipe. Me reportazhet, komentet dhe dramat shtriu përmasat në dramat e etnisë dhe frymëzoi mijëra lexues”, ka deklaruar Ramabaja. Sipas tij, Mehmet Kajtazi ka ngritur përmendoren e atdhedashurisë, qëndresës e miqësisë duke kërkuar të veçantën e misterit dashuror mes njerëzve. 


Ndërsa Daut Demaku ka theksuar se atyre që kanë lënë vepra u takon nderimi dhe përkujtimi. Sipas tij, privilegjin e leximit do ta kenë të gjitha brezat. “Le të kënaqen brezat që vijnë me veprat sepse njerëzit janë material shpenzues, kurse veprat do të mbesin sepse janë material ndërtues dhe fisnikërues i jetës njerëzore”, ka thënë Demaku. 


I biri i Mehmet Kajtazit, Dritoni, me këtë rast është shprehur se atyre si familjarë nuk u takon ta gjykojnë veprën e babait. “Babai kishte dashuri aq të madhe për kombin dhe gjuhën shqipe saqë nuk kishte as urrejtjen më të vogël për askënd. Dashuria për njerëzit kishte zënë vend në tërë ndjenjat e babait. Brenga e babait tonë ishte fati i kombit, motivimit i tij, mirëqenia e kombit. Ideal nuk e kishte të mirën materiale, por rehatinë shoqërore në Kosovë dhe kudo në botë”, ka thënë i biri i Mehmetit, Dritoni. Ai është shprehur krenar për përcaktimin fisnik dhe veprimin njerëzor të babait të tij, Mehmet Kajtazit. 




Mr.sci.Flori Bruqi


Lexoni:

http://www.kosovarimedia.com/index.php/art-dhe-kultur/13699-pyetjet-dhe-pergjigjet-ne-letersi-shqiptare.html

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...