2016-02-20

Avokati Dastid Pallaska : Armiqësia me SHBA-në e dërgon vendin në vetizolim

Pallaska: Armiqësia me SHBA-në e dërgon vendin në vetizolim
Avokati Dastid Pallaska ka komentuar thënë se armiqësia me SHBA’në e çon Kosovën në vetizolim të modelit të diktatorit Enver Hoxha.
Ai ka thënë se politika e SHBA’së është e qartë: “qofshin ata të korruptuarit e pozitës apo të dhunshmit e opozitës - nuk e kanë vendin në institucione por në burg!”.
“Të gjithë ata që në rrjetet sociale me lehtësinë e një adoleshenti të llastuar po mbjellin armiqësi kundër aleatëve tanë që janë kundër dhunës në Kuvend le ta mbajnë në mend se sot – 8 vite pas pavarësisë – janë pikërisht këta aleatë që garantojnë, ruajnë dhe mbrojnë kufijtë e këtij vendi. Gjuha që po përdoret e dërgon vendin në vetizolim të modelit të Enver Hoxhës”, ka shkruar Pallaska.
Ky reagim i Pallaskës vjen pas inicimit të një peticioni nga shoqëria civile në Kosovë për largimin e Ambasadorit Amerikan në Kosovë, Greg Delawie, i cili ka dënuar dhunën në Kuvendin e Kosovës.
Lexojeni të plotë reagimin:
Përpjekja e elitës politike për përvetësim të meritave për çlirimin dhe pavarësimin e vendit i ka bërë ata dhe disa mendjelehtë si ata që të besojnë në gënjeshtrën e tyre dhe të harrojnë se ky vend u krijua dhe ekziston për shkak të aleancës tonë me demokracitë kryesore perëndimore, në krye me Shtetet e Bashkuara.
Të gjithë ata që në rrjetet sociale me lehtësinë e një adoleshenti të llastuar po mbjellin armiqësi kundër aleatëve tanë që janë kundër dhunës në Kuvend le ta mbajnë në mend se sot – 8 vite pas pavarësisë – janë pikërisht këta aleatë që garantojnë, ruajnë dhe mbrojnë kufijtë e këtij vendi. Gjuha që po përdoret e dërgon vendin në vetizolim të modelit të Enver Hoxhës.
Kjo ndjenjë e armiqësisë ndaj aleatëve tanë është rezultat i drejtpërdrejtë i mungesës së guximit të elitës politike në vend për me u marrë vetë me vendimet e vështira këto 8 vite. Në secilin sfidë, sado e vogël që ka qenë, këta “trima” e “patriotë” vendimet e vështira dhe jopopullore ia kanë faturuar aleatëve tanë. Kjo sjellje e papërgjegjshme duhet të dënohet po aq sa edhe përpjekjet e politikës aktuale që aleancat tona strategjike t’i sakrifikojnë në garën e tyre për mbrojtje të pushtetit apo ardhje në pushtet.
E për ata që ende kanë dilema, politika amerikane në Kosovë është shumë e thjeshtë: të gjithë ata që shkelin ligjin - qofshin ata të korruptuarit e pozitës apo të dhunshmit e opozitës - nuk e kanë vendin në institucione por në burg!

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...