Lajmi për shkarkimin e ministrit të Financave ka gjetur një jehonë të gjerë në mediat ndërkombëtare.
Pas raportimit urgjent të agjencisë Reuters, disa prej mediave kryesore amerikane kanë në faqet e tyre lajmin për shkarkimin e Canit.
Rrjeti amerikan ABC, bazuar në një raport të Associated Press, thotë se Cani u shkarkua pa dhënë ndonjë arsye për këtë.
“Kryeministri shqiptar, Edi Rama, pushoi nga detyra ministrin e Financave të premten dhe emëroi ish-ministrin e Ekonomisë në këtë post, por nuk dha asnjë shpjegim për këtë lëvizje,” shkruan ABC News.
“Shkëlqim Cani, i emëruar ministër Financash në shtator të vitit 2013, mësoi për shkarkimin e tij ndërsa ishte në një takim me zyrtarë të lartë të financave ndërkombëtare, një burim pranë tij tha për Associated Press. Burimi foli vetëm në kushtet e anonimatit”.
“Gjatë drejtimit të Canit, borxhi i vendit u rrit nga 62 përqind e GDP-së në 73 përqind”.
Kurse Zëri i Amerikës raporton se shkarkimi i është komunikuar mbrëmë Canit.
“Kryeministri Rama i dha fund këmbënguljes së tij për të mos bërë ndryshime në kabinetin e tij qeveritar. Mbrëmë ai i ka komunikuar ministrit të Financave Shkëlqim Cani vendimin për shkarkimin e tij, ndonëse sipas një komunikate të shpërndarë paradite nga qeveria, lihet të kuptohet se gjithshka ka ndodhur sot. Në momentin e njoftimit zyrtar të vendimit të shkarkimit, ministri Cani ka qenë në një takim pune me Bankën Botërore.
Zyra e kryeministrit nuk dha asnjë shpjegim për vendimin dhe motivet që e shtynë kreun e qeverisë për këtë lëvizje.
2015-a ka qenë një vit i vështirë për financat e vendit, të cilat u përballën me një gropë të madhe në realizimin e të ardhurave. Në mesin e vitit të shkuar qeveria rishikoi në ulje planin, duke e motivuar këtë lëvizje me ndikimet e konjukturave në tregjet botërore. Por edhe gjysma e dytë e vitit, pavarësisht pritjeve të reduktuara, rezultoi në rënie po të thellë të të ardhurave,” raporton Zëri i Amerikës.