Për herë të parë, Akademia e Shkencave i ka kërkuar Komisionit të Edukimit që Ministria e Kulturës t’iu krijojë hapësira për propozime, në ligjin për të drejtat e autorit.
Përfaqësuesi i Akademisë së Shkencave, Vaso Tole, ka relatuar dje mbi lapsuset në ligj dhe nenet ku duhet ndërhyrë për mbrojtjen e punës shkencore
Për herë të parë, Akademia e Shkencave i ka kërkuar Komisionit të Edukimit që Ministria e Kulturës t’iu krijojë hapësira për propozime në ligjin për të drejtat e autorit. Absurde fakti se deri tani nuk ka ekzistuar një ligj për të rregulluar çështjen e kërkimit shkencor, pra mbrojtjen e dokumentacionit shkencor – një fushë krejt e errët, me jo pak raste denoncuese.
Ndaj dje, një nga pikat kryesore ka qenë propozimi i një neni të veçantë që të titullohet: Për të drejtën e autorit në fushën e shkencës dhe kërkimit shkencor.
Përfaqësuesi i Akademisë së Shkencave, Vaso Tole ka relatuar dje mbi lapsuset në ligj dhe nenet ku duhet ndërhyrë për mbrojtjen e punës shkencore, duke ndarë qëndrimin mbi tri momente të draft ligjit, shqyrtimin nen për nen.
Në parantezë, referuar ligjit për të drejtat e autorit, miratuar në vitin 2005, pothuaj të gjithë kanë rënë dakord se ka probleme në administrimin e së drejtës, e sidomos shpërblimit, ndaj është konsideruar e arsyeshme përgatitja për një ligj të ri. Por si duket edhe ky ligj, përshtatur nga modeli Sllovak, po përballet me grupet e interesit me jo pak vërejtje.
Por palë në këto interesa deri tani nuk është bërë Akademia e Shkencave, e cila dje me përfaqësuesin e tyre, kërkoi të jetë jo vetëm pjesë e draft-ligjit, por Ministria e Kulturës t’u japë mundësi për t’u përfshirë edhe fushën e shkencës, dhe kërkimin shkencor, po ashtu të kenë përfaqësues në Këshillin Kombëtar të së Drejtës së Autorit.
Edhe pse nuk janë thirrur si palë, Tole ka thënë se janë për një ligj të ri, por me një vërejtje fillestare, pothuaj ironike siç ngjet në raste të tilla, për të kaluar në një redaktim gjuhësor e letrar. Tole ka propozuar për nenin 1, germën “a”, ku përshkruhet objekti i këtij ligji për të drejtat e autorit, për krijimtarinë artistike dhe atë të trashëgimisë kulturore, të lidhen me faktin që letërsia si pjesë e krijimtarisë artistike, të mos evidentohet më vete për të drejtat e autorit, por të përfshihet brenda kuadrit të krijimtarisë artistike, e cila siç njihet ndërkombëtarisht e kombëtarisht, ka disa elemente që lidhen me letërsinë, krijimtarinë muzikore dhe me artet e bukura.
Por për Akademinë e Shkencave, pasi është shqyrtuar gjithë draft-ligji, nuk është gjetur asnjë term që lidhet me përkufizimin e termave ku konkretisht shqetësimi lidhet me përcaktimin e përkufizimit të kërkuesit shkencor. “Këto përkufizime nuk gjenden në këtë projektligj, gjë që përbën mangësi në raport me ligjin ekzistues dhe aq më tepër pasi bëhet fjalë për një ligj që përmban mjaft terma teknike, që nuk njihen nga persona jo profesionistë. Në këtë kuadër propozojmë përkufizimet e detyrueshme të shtohen, të përfshihen edhe për kërkuesit shkencorë. E ngremë këtë shqetësim pasi është pjesë e një grupi ligjesh që i kushtohen kulturës, artit dhe trashëgimisë, kam parasysh ligjin për simbolet kombëtare, ligjin për artin dhe kulturën në Shqipëri dhe ligjin e trashëgimisë, të cilat kanë njësuar terminologjinë përkatëse që nevojitet të respektohet dhe nga ky ligj, pra në kuptimin që termat të përcaktohen njësoj si në një ligj, ashtu dhe në një ligj tjetër”, ka thënë Tole.
Propozimi që bën akademiku në nenin 12, pika “c”, ku bëhet fjalë për krijime të cilat nuk zënë mbrojtje të autorit, është një listë dukurish, të cilat nuk gëzojnë të drejtën e mbrojtjes, për arsye se janë domen publik, duke kërkuar që në krye të kësaj liste të shtohet himni kombëtar, si simbol i parë, dukuri që nuk preket nga kjo e drejtë.
Në nenin 55,Tole thotë se kanë konstatuar një parregullsi, e cila duhet rikonsideruar, pasi për shembull, problemi i artikujve shkencorë botuar në periodikë, përjashtohen nga e drejta e autorit.“Ne e kuptojmë logjikën e hartuesve për ta shmangur këtë lloj forme, por nga ana tjetër kuptojmë faktin se shmangia e të drejtave të autorit e kësaj tipologjie botimesh, dekurajon formën më të përhapur të kërkimit shkencor në Republikën e Shqipërisë, që janë përmbledhjet e artikujve kërkimorë shkencorë”.
Në nenin 62 është vënë re një asimetri sipas akademikut, që kur autori ka një vepër të pabotuar, e cila për një arsye shkatërrohet, apo humbet, sipas draftit konsiderohet e humbur dhe pa asnjë të drejtë shpërblimi.“Ndërkohë ne, mendojmë se drafti duhet të detyrojë botuesit, ata të cilët e kanë në administrim këtë vepër, dorëshkrim, duke i kërkuar kopje sigurie. Pra, mos ia vishni autorit diçka që ka të bëjë me ruajtjen e sigurisë fizike të dorëshkrimit”. Në nenin 69 është parashikuar heqja e shpërblimit, e cila ka qenë deri 40% për punën shkencore që bëhet me kontratë pune.“Në nenin 69, kjo gjë bëhet nul. Ne kërkojmë që përqindja të shikohet, por të mos hiqet e drejta e shpërblimit për punën shkencore, e cila kontraktohet. Pra nuk bëhet fjalë për kontratën që merr si botues por për punën e cila kontraktohet”, ka sqaruar akademiku. E quan lapsus përmbajtjen e nenit 76, ku parashikohet se i ndalohet autorit të citojë veprën e vet. “Është një gjë e cila nuk ka sens, nuk dimë si ta interpretojmë, por dimë tjetrën, duhet lejuar që autori ta citojë veprën e vet, kur i nevojitet për një biografi, ose për të konfirmuar rezultatet e punës në këtë fushë”.
Nga Akademia e Shkencave kërkohet ndërhyrje në nenin 107, për ta përfshirë në trup të saj, jo vetëm artistët ekzekutues por dhe bartësit e trashëgimisë shpirtërore. Është padrejtësi e madhe, thotë Tole, që bartësit dhe artistët popullorë, të përjashtohet nga e drejta.
Ndërsa është konstatuar se në nenin 118 ka anomali tjetër për të drejtën me shpërblim të botuesit, ku rezulton se në rast se botuesi ka drejtën e ribotimit të një vepre, shpërblimi i tij është më i madh se për autorin.“Ne, kërkojmë që kurrsesi botuesi nuk mund shpërblehet në mënyrë të barabartë me autorin, por të marrë shpërblim të drejtë për kontratën që ka me autorin, dhe në rast se autori e mban vetë të drejtën, atëherë ky rast për botuesin bie”.
Pika më e rëndësishme e propozimit të Akademisë së Shkencave, është shtesa në draftligj e një neni për fushën e kërkimit shkencor. Tole thotë se ofron një propozim për mbrojtjen dhe çfarë nënkupton vepra shkencore, duke përcaktuar veprën shkencore sipas standardeve, kodin e etikës si dhe plagjiatin. Por mbrojtja e veprës shkencore është e pamundur po të mos shtrihet edhe në rezultatin e kërkimit shkencor, dokumentacionit shkencor të një vepre, për ta përfshirë si pjesë e të drejtës së autorit, dhe jo thjesht vepra. Brenda kësaj, akademiku ndalet në kontributet konkrete për t’u mbrojtur që lidhen me tipologjinë e botimeve shkencore, si: monografia, vepra, fjalori, përmbledhjet, shkrimet, kumtesat në një kuvend, parathënia, hyrja, kontribute në vepra të natyrës enciklopedike, botime kritike rreth gërmimit arkeologjik, bibliografi etj., të gjitha tipologji veprash që nuk gjenden në draft-ligj. Në këtë proces të ndërhyrjes në ligj, akademiku ka kërkuar që të përcaktohet nga një vendim i KM, masa e shpërblimit për veprat shkencore, duke sjellë rastin konkret të Akademisë së Shkencave, ku sapo është mbyllur auditimi nga KLSH, dhe sipas tyre vendimi në fuqi i 97-ës, ka nevojë të rishikohet. Nëse është quajtur një rast absurd që fusha e shkencës dhe kërkimi shkencor ka mbetur jashtë ligjit të mbrojtjes, akademiku Vaso Tole ka bërë dje para komisionit të Edukimit një parashtrim vertikal të propozimeve që do të jetë në dorë të vullnetit të Ministrisë së Kulturës të lihen jashtë apo të mbrohet edhe shkenca!