2016-08-05

Tiranë-Moskë: Letrat për “Harbutët” e Spasses




stere spase
Letrat e Mitrush Kutelit për Sterio Spassen ndërsa po studionte në Moskë, në Tiranë kritikohet libri i tij, romani “Harbutët”
Puna e stërmundimshme krijuese, mësimore, me dëshirën për të dale “atliçna”, klima e ftohtë e Moskës, malli i madh për familjen, shokët, Shqipërinë kishin ndikuar tepër në shëndetin e tij. E ndiente veten mjaft të trullosur e të lodhur. Ndiente një shtrëngim të fortë në gjoks. Ndaj, për të ndërruar ambient, për t’u qetësuar, një ditë vete për darkë tek Ibrahim Uruçi, ku u kënaq shumë nga fasulet shqiptare që hëngri aty. Në të mbaruar të darkës, Ibrahimi, me atë natyrën e tij ashtu pa takt, i thotë Sterjos: – Ç’roman ke shkruar ti? Është bërë një plenum i veçantë vetëm për romanin tënd. Ka gabime të rënda politike e ideologjike,… “Bamb” – ndjeu Sterjoja një goditje të fortë në zemër. Tavani iu rrotullua. Shtrëngoi duart fort në karrige. Nuk po e merrte dot veten që të pyeste, se si ishte puna. Ndërsa Ibrahimi vazhdonte të fliste për të metat e rënda të romanit, të cilin s’e kishte lexuar, Sterjos po i dilnin djersë të ftohta nga fytyra, nga trupi i tërë, gjoksi po i çahej. Mezi u ngrit e doli jashtë. Këmbët po i hepoheshin, frymëmarrja po i bllokohej. Sa arriti pranë spitalit “Botkin”, ra në tokë. Shkëlqyeshëm. Në këtë vit Ibrahim Uruçi punonte në “Radio Moska”, në sektorin e emisionit shqip.
19.
Shokët nga Tirana, që ende nuk e kishin marrë vesh sëmundjen e Sterjos, do t’i shkruanin atij për zhvillimin e Plenumit të shkrimtarëve:
Nonda:
“… Le të fillojmë nga konkursi. Siç mund të kesh marrë vesh u mblodh Plenumi për të diskutuar mbi veprat e paraqitura, për ato që fituan dhe për ato që mbetën në klasë. U shanë e u lavdëruan me të drejtë e pa të drejtë plot, po Fatmiri në raportin e tij nuk shpërndau komplimente për ty, megjithëse fitove. Mua, gojarisht, më kishte thënë edhe ai, edhe Shefqeti (të dy të duan), se Sterjoja në atë roman çalon tepër nga ana gjuhësore. Edhe Shefqeti të kritikoi cazë, po ajo që nuk durova dot ishte kthesa prej jezuiti e D. K. i cili tha: “Vërtet i dhamë çmim, por unë mendoj se nuk bëmë mirë… “… (Të marrçin pleshtat të gjithë) – thoshim vesh më vesh me Ziaudinin, kur dëgjonim ato që thuheshin.
I dashur Sterjo, mos u prek nga këto që them, se më i miri prej syresh të merr të keqen… Sidoqoftë, qyfyre plot, intriga plot, po shyqyr që vjen dita dhe dalin të tëra në shesh. Unë zaten jam shkëputur nga frekuentimi i klubit, jo vetëm se ka tym dhe më dhemb koka, po ka edhe maskarenj, që s’bëjnë punë tjetër, veçse merren me punët e njërit dhe të tjetrit duke denigruar shokët. … Nga Zisa ke të fala. E takova në Plenum dhe më tha, se vërtet kishte gabime forme romani yt, prandaj, tashti, – jepi, ndreqe mirë e mirë, që të pëlcasin intrigantët dhe çmirëzinjtë…
Ziaudini:
“S’dij nga t’ia nis e si ta filloj: dua të të shaj, po e di se atje je vetëm dhe s’ke me kë të qash hallin. Nga seanca e fundit e atij Plenumi të mallkuar dola derr fare, se më erdhi keq, nga ç’u tha për ty, po pse më erdhi më tepër inat me ty. Aty, në seancë dhe nga bisedat për në pushime, mësova se fajin e ke vetë dhe shokët ta kanë fajin: “Bushtra që ngutet të pjellë, bën këlyshë të verbër” – ka thënë Bardhi që më 1635. Unë mësova, se ti në ethet e konkursit dhe të nisjes, “Harbutin “ e kishe dorëzuar me ngutje dhe pa e  parë mirë. – Kur qenka kështu, – thashë me vete nga inati, – pse të ndodhë kështu, – mirë e ka Shulja – thashë. Edhe vendosa të të shkruaj me inat edhe të të shaj. Po ato dy ditë më dhanë shtëpi, me Nondën s’u takuam dhjetë ditë.
Në këtë kohë ai të kishte shkruar dhe kishte marrë letrën, ku ti më thoje ta nxis të të shkruajë rreth Plenumit. E di ti, se Nonda s’vajti fare në plenum, veçse në seancën e fundit. Edhe atëherë e mora unë si me zor, pasi i shitëm biletat e kinemasë që kishte marrë. S’desh të vinte. Kur lexova letrën tënde, ku dukeshe aq i prekur, se në “Zërin”(e Popullit) Javeri (Malo) nuk foli për ty, vendosa të të mos shkruaj gjë. Po Nonda më tha se t’i kishte thënë të tëra. Më erdhi keq, se e marr me mend se sa keq të ka ardhur. Të kishe qenë këtu, ishte ndryshe. Me që e more vesh, tani do hollësira se ç’ndodhi? I pari D. K. foli keq për romanin. Unë isha në mes të Razi Brahimit dhe Bedri Dedjes (në këtë seancë nuk qe Nonda). Kur foli ai unë thirra në mes të mbledhjes: “Pse iu dha çmim?”. Këtë bëri edhe Liri Ftera, që e kishim pranë. Në pushimin që u bë, Razi Brahimi na dha këto tri arsye pse fitoi “Harbuti”: 1.- Se nuk mund t’i jepesh çmimi një emri tjetër të panjohur, 2.- Se Sterjoja kishte nevojë ekonomike, 3.- Se Sterjoja kishte miq… Në mes të mbledhjes M. P. thirri: “Ai të mësojë më parë shqipen”. Kritikën më konkrete ta bëri Shefqeti, që mu duk se nuk qe me qëllim. Nga fjala e tij u binda, se ti tamëm si bushtra je ngutur të pjellësh shpejt dhe polle “Harbutin” me plot gabime gjuhe: ortografi, leksik, frazeologji. Ndonjë tjetër tha: “S’ka se si të dilte vepër e mirë, nuk shkruhen dy vepra në një vit!”. Ndonjë tjetër tha: “Nuk e ka pasur Mahirin pranë!”. Thanë e ç’thanë e ç’nuk u thanë. Po sa më tepër thonin, mua më mbushej shpirti me inat, jo pse flisnin ata, se gojët e botës dhe vrimat e murit nuk mbyllen, po sepse fajin e paske vetë e ta paskan shokët. Nejse, na e hëngshin Muuu… në! Po ti atje, që tani, duhet të marrësh angazhim për t’i zbardhur faqen vetes dhe shokëve, po atyre që të duan ama, edhe brenda vitit Harbutin, plebeun, ta bëjsh patric! Se si mora vesh nga Mahiri, romani ka brume të mirë, po do ngjeshur, e pastaj të holluar mirë, që të bëhet byrek i mirë. S’e ditke ti, se edhe “presniku” që të bëhet i mirë, të zerë kore të mirë duhet ftollur? Me një angazhim të tillë do të qetësohesh, do t’i shtrohesh punës së provimeve dhe të na vish sa më shpejt”.
Mitrushi:
“… Dua të flas për një çështje për të cilën nuk kemi biseduar kurrë as me gojë, as me shkrim. Ti e di parimin tim: hallvaxhinjtë nuk flasin për hallvë, bile nuk hanë hallvë, po gjëra të kripura, të tharta, ndonjë kërnac, ndonjë turshi. Ashtu edhe ne të dy. Ti je shkrimtar, unë jam ish shkrimtar, njeri i rënë nga dynjallëku, po sidoqoftë kemi miqësi të mirë dhe nuk flasim kurrë për shkrime. Më fal se këtë radhë po bëj një përjashtim – të parin, ndofta të fundit. Këtë po e bëj vetëm e vetëm të të heq një brengë që ndofta të ka pllakosur e të ka bërë të vuash. Mua s’më pëlqen të vuajnë miqtë.
Dëgjomë: Ti ke shkruar një roman të ri. Pra doli ajo fjala e Pandit tim që të pyeti vjet: xhaxhi Sterjo, kur do të bësh një roman? Për këtë vepër unë pata dëgjuar plot fjalë të mira. Fitove dhe çmimin e 15-Vjetorit të Çlirimit. Ky është një gëzim i madh për ata që të duan me gjithë zemër. Këtë roman s’e kam kënduar, me përjashtim të dy fragmenteve të botuara në gazetë. Si m’u duk? Është zor të japësh një gjykim mbi një tërësi, kur s’njeh veçse një pjesë të kësaj tërësie. Sidoqoftë edhe kjo pjesë e vogël, mu duk e rrjedhshme. Problemet ishin shtruar mirë e zgjidhur mirë. Është e vërtetë se aty – këtu kish ndonjë të metë stilistike, po kjo nuk peshonte aq shumë sa të prishte vlerën e veprës. Siç të thashë, pata dëgjuar fjalë të mira për këtë shkrim. I pari që më foli ka qenë Sotir Caci. Më tha: “Hyrja shumë e mirë, stili i rrjedhshëm, ngjarjet të gjalla”. Ky ka qenë opinioni i të gjithëve deri në dhjetor. Pastaj ç’ndodhi? Të kritikuan në një mbledhje shkrimtarësh për disa dobësi. Ti gjendesh larg vendit, pra, më shkon mendja se mund të jesh pikëlluar, aq më shumë se kritika u bë në mungesë. Nga larg njeriut mund t’i duken të mëdha edhe gjërat më të vogla sepse mund të punojë subjektivizmi që zmadhon dhe zvogëlon. Prandaj, po të shkruaj këtë letër, duke hapur një muhabet që s’e kemi prekur kurrë as me gojë, as me shkrim.
Ti e di nga përvoja jote se jeta nuk është shtruar gjithnjë me trëndafila, përkundrazi – rruga e saj ka më shumë gjemba se sa trëndafilë. Pra, ty nuk duhet të të tronditë shumë kjo gjë. Kjo është, si të them, një në dorë. Ti e di mirë se kritika, kur niset nga një qëllim i mirë, dua të them kritika pozitive, na bën mirë, na ndihmon të shohim atë që ne vet nuk e vëmë re. Çdo vepër përbëhet nga dy faktorë kryesorë: nga brendia dhe nga trajta. Domosdo, brendia zë vendin e parë. Me sa kam dëgjuar, vepra jote nuk çalon nga kjo pikëpamje. Pra, përmbajtja është e mirë, e shëndoshë. Kjo gjë duhet të të gëzojë. Mbetet tani pjesë e dytë: ajo e trajtës. Por kjo përbëhet nga shumë pjesë: kompozim, stil, gjuhë. Me sa kam dëgjuar, kritika ka prekur, sidomos anën e gjuhës. Nuk them se është mirë, po nga ana tjetër s’është thagmë e madhe. Punë që ndreqet. Mendja më thotë se ti je ngutur disi, nuk i ke dhënë mirë dorën e fundit. Po kjo nuk do të thotë se duhet të dëshpërohesh. Do të punosh ca më shumë për të ngritur vlerën e trajtës në nivelin e asaj të përmbajtjes. Ti e di se puna e mirë kërkon kohë, përpjekje të shumta. Nuk të kujtohet sa herë e kish punuar e ripunuar Fadajevi “Shpartallimin”? Pra, mend e mësim për të ardhmen. Shollohovi ka kaq vjet që po punon pjesën e dytë të “Tokave të çara”. Pra, puna letrare s’do ngutje. Por kam edhe diçka tjetër. Unë, siç e di, lexoj vetëm letërsi të lashtë. Në kohën e fundit lexova “Punë dhe ditë” të Hesiodit. Ky ka qenë, pothuaj bashkëkohës i Homerit, sidoqoftë, vepra e tij është shkruar sot e 2700 vjet. Në një vend thotë: “Kështu, poçari i ka zili poçarit, lypësi i ka zili lypësit dhe këngëtari këngëtarit”. Pra, ti duhet të kesh parasysh edhe fjalët e këtij plaku të lashtë, që i njihte mirë shtambarët, lypësit, këngëtarët. Sidoqoftë, po të them se dje, kur po kthehesha në shtëpi, pashë në vitrinë shumë ekzemplarë të botimit frëngjisht të romanit tend “Ata nuk ishin vetëm”. Dy ishin të hapur, me fotografinë tënde. Kjo do të thotë, se kritika nuk pakësoi dashurinë që kanë lexuesit për ty.
Pra, meqë dora-dorës je larg dhe ke nevojë për qetësi që të vazhdosh dhe përfundosh studimet, të këshilloj të mos e vrasësh mendjen për gjëra të tilla të vogla. Të siguroj se nuk peshojnë shumë…”
Letër e datës: Tiranë, më 24.IV.1960.


Sterio Spasse: Jeta prej të birit
Nga Sadik Bejko
 Libri i Ilinden Spases “Im atë Sterio”, botuar nga UETPRESS, është një roman i mbajtur në faktet reale dhe në hollësitë e jetës së përditshme, një trajtim kronologjik i shtrirë nga fëmijëria deri në ndarjen nga jeta të shkrimtarit Sterio Spasse
Libri i Ilinden Spases “Im atë Sterio”, botuar nga UETPRESS, është një roman i mbajtur në faktet reale dhe në hollësitë e jetës së përditshme, një trajtim kronologjik i shtrirë nga fëmijëria deri në ndarjen nga jeta të shkrimtarit Sterio Spasse.
Biografia letrare e një personaliteti kërkon qëmtimin e imtë dhe përzgjedhjen e fakteve jetësore. Ky libër me një lëndë të bollshme, madje shumësia e materialit jetësor është një nga pasuritë e tij, është mbështetur në disa burime. Ilinden Spasse ka pasur në duar arkivin e gjerë të familjes, një arkiv që është ruajtur dhe sistemuar nga vetë Sterjo Spasse. Burimi i dytë janë kujtimet e tij si autor. Një jetë e tërë e jetuar pranë atit të tij i ka dhënë mundësinë të ndjekë gjithë ulje – ngritjet e gjithë dramacitetin që shoqëroi jetën krijuese të një brezi shkrimtarësh, miq të të atit. Duke qenë dhe vetë shkrimtar, Ilinden Spasse i ka jetuar në thellësi peripecitë e shumë krijuesve shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit që shkoi. Në këtë libër janë bashkuar kërkimi, përzgjedhja dhe derdhja në formën letrare të romanit e gjithë jetës së Sterio Spasses.
Sterio Spasse lindi në fshatin Gollomboç të krahinës së Prespës. Babai i tij, një natyrë mjaft energjike në rininë e tij, me shumë mundim rriti fëmijtë e tij. Sterjon e dërgoi në shkollë. Fillimisht ai studioi në fshat, në Korçë dhe mbaroi pedagogjiken e Elbasanit. Si mësues në fshatin Dervician të Gjirokastrës, në moshën 22 vjeç, Sterjo Spasse ka gati romanin “Pse?”. Me botimin e tij në Korçë, ky roman e vuri autorin ndër pionierët e romanit shqiptar dhe i dha atij një vend prijëtar ndër autorët e quajtur të viteve ’30.
Vitet ’30 kishin sjellë në Shqipëri botimin e disa gazetave ku shpalleshin idetë e disa lëvizjeve letrare e mendore që nga ato të quajturat konservatore të udhëhequara nga Branko Merxhani dhe Vangjel Koça deri ato republikane, e të majta me përfaqësues Petro Marko, Dhimitër Shuteriqi, vëllezërit Stafa etj.
Sterio Spasse i përmbahej një krahu të qendrës, boton tregime, botoi romanin “Afërdita”, shkroi artikuj mbi shkrimtarët e traditës. Kjo e afroi me Dhimitër Paskon, Vedat Kokonën, Nexhat Hakiun, me të cilët në vitet 40 krijuan revistën Kritika letrare.
Merr pjesë në jetën letrare pas çlirimit, duke bërë gati për botim një roman që pas shumë vjetësh u botua nën emrin “Ata nuk ishin vetëm”. Kalon me vetëpërmbajtjen dhe qetësinë e tij karakteristike vitet kur ndëshkoheshin intelektualët. Jepet nga puna me arsimin, hartimin dhe botimin e shumë teksteve mësimore. Përgatit romanin “Afërdita përsëri në fshat”. Kalimi nga parimet krijuese të një kohe me liri krijuese siç ishte ajo e viteve ’30, te një letërsi me angazhim të fortë politik dhe social ka qenë dramatik për shumë shkrimtarë që u ndodhën në kapërcyell të dy kohërave. Sterjo Spasse dhe të tjerë krijues që nuk ishin shkrimtarë të temave sociale u quajtën dekadentë, iluministë. Romani “Pse?” dhe romani “Afërdita” u damkosën si të tillë dhe nuk u botuan kurrë në vitet e quajtura të socializmit.
Në roman merr vend shtëpia e Sterio Spasses aty te rruga e Kavajës. Në këtë shtëpi me një oborr të mbuluar nga pemët mblidheshin shumë shkrimtarë, miq të Sterios. Marrëdhëniet njerëzore përzjehen me dramacitetin që mbart jeta prej shkrimtari e intelektuali në atë kohë. Veç taktit miqësor dhe human të Sterio Spases në krijimin e një klime të ngrohtë për miqtë e penës, ndihmesë të rëndësishme me mbështetjen e saj pa rezerva jep dhe e shoqja e shkrimtarit. Si një grua e traditës, pa interesa në punën intelektuale, ajo u vinte shpatullat punëve të shtëpisë, rritjes së fëmijëve, një djali dhe dy vajzave, priste e përcillte pa u lodhur miqtë e të shoqit të cilët i vlerësonte nga cilësitë njerëzore. Miq të shtëpisë ishin Dhimitër Paskua, Nonda Bulka, Mahir Domi, Mustafa Greblleshi, Kol Koci etj miq më të rrallë ishin dhe shumë piktorë, skuptorë, gazetarë. Pastaj në shtëpi hynë edhe shkrimtarë të brezit të dytë si, Llazar Siliqi, Fatmir Gjata…pastaj dhe të brezit të viteve ‘60 e ’70. Në libër vijnë hollësi me shumë vlerë për njohjen nga afër të këtyre figurave, për njohjen e atmosferës krijuese të kohës
Duke qenë një nga ndihmësit e të atit shpesh dhe lexuesi i parë dhe daktilografisti i disa prej veprave të tij, në këtë libër vijnë shumë të dhëna mbi jetën krijuese të Sterio Spasses, të dhëna për ngjizjen e disa prej romaneve, për botimin e tyre, ndonjëherë për peripecitë deri sa të botoheshin, për pritjen e tyre nga kritika zyrtare e kohës.
Sterio Spasse ka qenë një krijues sistematik, një prozator i lindur. Ai gjithë jetën është marrë me punë të tjera, si ajo me hartimin e teksteve shkollore, me punën e redaktorit në organet e shtypit të Lidhjes së Shkrimtarëve, por krahas kësaj, ka lëvruar prozën e gjatë. Në vitet e fundit të jetës ai konceptoi dhe e realizoi në një bllok ciklin e gjerë të romaneve mbi Rilindasit. Kjo temë e çoi te një material i vjelë nga jeta, nga shtypi dhe nga arkivat.
Sterio Spasse vuante nga një sëmundje e zemrës dhe sa herë mbaronte një roman, kalonte një atak të lehtë kardiak. Duke qenë nën vëzhgim mjekësor të përhershëm ai merrte veten nën regjim shtrati disa mujor, ndërkohë që mblidhte e përzgjidhte materialin për romanin pasardhës. Me pasionin e gjallë krijues, midis atakëve në zemër, si midis tërmeteve, ai punoi deri në fund, nuk u nda nga puna prej shkrimtari.
Në faqet e fundit të romanit vijnë vlerësimet e kohës për punën e tij krijuese, si: botimi i kompletit të veprës në Kosovë, pastaj edhe në Shqipëri. Romanin “Pse?” që mungonte në serinë e veprave të plota botuar në Tiranë, një miku i tij nga Korça ia skaliti në një gur mermeri në ngjyrën e formatin e botimit.
Sterio Spasse e ka ndjerë veten të plotësuar dhe të realizuar në punën e tij si shkrimtar.
Ky libër i shkruar me përkushtimin e birit për babain është një ndihmesë me vlerë për njohjen e jetës e të veprës së tij prej shkrimtari. Libri është shkruar me mjeshtëri, me vërtetësi artistike, me stil të rrjedhshëm që të bën mos ta lëshosh nga dora këtë roman me kaq lëndë të plotë, me strukturë të ngjeshur e të lidhur mirë për të mbajtur peshën që ka personaliteti të cilit i kushtohet.

Bisedë me Kadarenë: Doruntina në kolegjet franceze





Ismail Kadare
Një libër që reflekton prozën e Kadaresë në letrat franceze, me tekst të një natyre të rrallë, ky botim ofron dy biseda me shkrimtarin, përmbi leximet që konfigurojnë vizionet e Kadaresë duke tërhequr vëmendjen e tre shkrimtarëve francezë, të shkruar në gjuhën narrative remiks – rikrijime, interpretime, rikombinime, përshtatje teksti të Kadaresë, zbërthime dhe variacione të së njëjtës temë, zhanri, subjekti…
Viola Isufaj: Të jesh i njohur –çfarë do të thotë kjo, zoti Kadare?
Ismail Kadare: Të jesh i njohur në letërsi nuk është njëlloj si të jesh i njohur në jetë. Në këtë të fundit, njohja, fama, mund të jenë me kahe të kundërta: për mirë apo për keq. Në letërsi kjo dikotomi nuk gjendet. Mund të jesh i njohur vetëm për mirë, kurrsesi për të kundërtën. Madje fjala “famëkeq” edhe në u përdortë për ndonjë shkrimtar, nuk ka lidhje me artin, por për një akt jashtë tij (vrasje, çmenduri etj). Janë ato akte që mund ta mbytin njohjen ose famën letrare dhe shkrimtari harrohet.
V.I. – E nëse talenti është i fuqishëm?
I.K.- Në qoftë se talenti është tepër i madh, ai, bashkë me famën, arrijnë ta mbysin të keqen, gjersa ajo harrohet. Por kjo ndodh tepër rrallë. François Villon, autori i së famshmes Balada e të varurve, që e shkroi kur përfytyronte varjen si bandit, është një nga shembujt.
V.I – Kur e ndiet se ishit i njohur botërisht?
I.K – Kisha qenë i botuar në Moskë, me një përmbledhje poezish, në SHBA dhe Norvegji me Dasmën!!!, në Bullgari e Jugosllavi me Gjeneralin, por ende nuk quhesha i njohur. Njohja ndodhi befasisht, më 1970, pas botimit të Gjeneralit në Paris.
V.I. – Nuk rreshtni së ndari kohën mes Francës dhe Shqipërisë. Sikur nuk ka ngjashmëri sa u takon “llojeve” të njohjes…? Kam një pyetje të thjeshtë, (jo për portretin e veprës, po për portretin tuaj, atë fizik): a ndodh t’ju njohin njerëzit në Paris kur ju shohin? Ju njohin fqinjët, kalimtarët? Në fund të fundit, është me rëndësi kjo? Pastaj, a ka “fama” ndofarë takse për t’u paguar? Ka diçka që s’ju pëlqen, ju bezdis? Cila është marrëdhënia e shkrimtarit me të?
I.K – Nuk ka asnjë ngjashmëri njohja për të cilën flisni ju, në Shqipëri në krahasim me Francën. Kjo duhet të jetë për cilindo shkrimtar, sidomos në Paris. Dihet se një rol të pazëvendësueshëm për njohjen fizike luan dalja në televizion. Ashtu siç dihet se profesioni i shkrimtari nuk është i lidhur me botën televizive aq sa i disa arteve të tjera. Ose i njerëzve të politikës e të sportit. Por edhe tek këta që përmenda, gjendja nuk është e njëjtë. Ka një gjendje të veçantë kur njohja ngrihet: ajo e skandalit. Shkurt, është diçka që kërkon taksën e vet, duke nisur nga më e thjeshta, ta zëmë, ndarja me gruan, tek nga më të papërfytyrueshmet. Zakonisht, shkrimtarët e njohur i shmangen këtij kushtëzimi. Nga rasti i Kunderës, i cili s’del pothuajse kurrë në TV, te një shkritmar parisian, i cili ca kohë më parë, u akuzua se, i shtyrë nga etja për bujë kishte organizuar rrëmbimin e vetvetes, ka një larmi të tërë sjelljesh. S’jam ndonjë rashë e vdiqa për t’u shfaqur në TV, por as për të kundërtën. Në Parisin 5, pranë kopshtit të Luksemburgut ku banoj, ka disa shkritmarë të njohur ,ata janë mësuar me lagjen dhe lagjja me ta.
V.I- Cilët janë treguesit e njohjes suaj ndërkombëtare? A ka një shifër të saktë: sa botime keni në të gjithë botën?
I.K.- Në radhë të parë numri i botimeve. Vlerësimi prej kritikës botërore, gjithashtu, çmimet ndërkombëtare. Futja në sistemin universitar (diploma etj) së fundmi, futja në sistemin e ulët shkollor. Kjo e fundit, pavarësisht fjalës “e ulët”, përbën, në të vërtetë, kulmin e njohjes së një shkrimtari, ajo që përkthehet me stilemën “klasik i gjallë”.
Lidhur me numrin e botimeve, duke pranuar së pari marrëveshjen për termat; që një botim do të thotë çdo titull i veçantë përkthyer në çdo gjuhë, unë kam mbi një mijë botime në të gjithë botën. Në qoftë se kriteri do të njehsonte si të veçanta botimet për shkollat, për të verbërit ose librat e xhepit, atëhere numri do të ishte shumë i lartë.
V.I.- Sapo u shprehët për përfshirjen e veprës suaj në sistemin e ulët shkollor. Përse ku nivel i arsimit përbën kulmin e njohjes së një shkrimtari? Çfarë e bën një përfshirje si kjo, të përkthehet me stilemën “klasik i gjallë”?
I.K.- Siç e thashë më lart, jemi përpara diçkaje që i ngjan paradoksit: sa më e ulët të jetë shkolla, aq më e vështirë, rrjedhimisht më e nderuar quhet hyrja e shkrimtarit në programet e saj. Në rastin e rrokshëm, rangu më i lartë është kolegji. E para sepse përfshin rreth dy milionë nxënës. E dyta sepse ka të bëjë me moshën 13 deri në 16 vjeç, atëhere kur krijohet baza e leximit serioz që ngulitet për tërë jetën në kujtesë.
V.I.- Të bën përshtypje mënyra si u paraqitet vepra juaj nxënësve; ata ftohen të marrin pjesë në dialogun e madh mes njerëzve. Në këtë mënyrë do ta kuptojmë se si qenia njerëzore merr frymë si një e tërë, me gjithë dallimet e kombeve dhe racave. Këtë ata e fitojnë përgjithmonë. E shkrimtari, çfarë fiton ai? Çfarë i jep një autori si ju, studimi i veprave të tij në vende të tilla si Franca?
I.K.- Në vende si Franca, e cila ruan përparësinë e letërsisë së saj, në të gjitha nivelet, hyrja e shkrimtarëve të huaj, midis autorëve francezë, duke qenë tepër e rrallë, u jep këtyre të fundit gati gati statusin e autorëve vendas, pra u kushton të njëjtin kujdes dhe ngrohtësi. Dhe kjo nuk është pak për shkritmarin.
V.I.- U paraqitet nxënësve për t’u studiuar romani “Kush e solli Doruntinën”. Zgjedhje e volitshme? Po të ish lënë në dorën tuaj, do të kish zgjedhje tjetër?
I.K.- Mendoj se është zgjedhja e duhur. Që të jem i sinqertë, në fillim m’u duk tepër e guximshme. Natyrisht që s’ishte puna ime të kujdesesha nëse vepra ishte apo jo e përshtatshme për 14 ose 15- vjeçarët francezë. Madje, ndjeva kënaqësi që një vepër kaq delikate dhe e ndërlikuar zgjidhej nga letërsia shqipe.
V.I.- U bë një marrëveshje me ju për këtë? Nëse po, çfarë kish të veçantë marrëveshja?
I.K.- Natyrisht janë bërë të gjitha marrëveshjet për gjithçka, me një seriozitet të rrallë, sidomos nga pala që përfaqësonte shtetin francez. Marrëveshja më e veçantë kishte të bënte më një “kërkesë për shkurtim”, te rreth 110 ose 120 radhësh. Më kujtoi censurën tonë të dashur socialiste, ndonëse s’kishte të bënte aspak me të. Përkundrazi, kërkesa që m’u bë si autor për heqjen e atyre pjesëve ishte dëshmi e përgjegjësisë së lartë morale të bordit botues. Ishte fjala për  motivimin e incestit motër-vëlla, i brishtë për të gjithë, por sidomos për moshën e nxënësve të vegjël.

V.I.- Duket se ju pëlqeu mjaft ideja e përfshirjes së tekstit tuaj në programin e letërsisë së shkollave franceze…
I.K.- Më pëlqeu jashtëzakonisht. Ishte një nga befasimet më të bukura në kalendarin e botimeve të mia.
Në mënyrë të qartë i shpjegohej nxënësit francez nga ç’pjesë e botës vinte ky libër. Ç’ishte ky autor dhe ç’ishte ky vend që quhej Shqipëri. Ç’ishte kombi që banonte në të, bashkë me gjuhën dhe letërsinë e tij. Së fundmi, shpjegohej përse fliste ky libër, shtjellimi i enigmës së njeriut që ngrihej nga varri për të kryer një porosi, si niste dhe si mbaronte udhëtimi i të vdekurit dhe i të gjallit mbi të njëjtin kalë.
Pastaj jepej balada mesjetare mbi të cilën e kishte zanafillën subjekti, vijonte ngjashmëria e tekstit me vepra të shquara të Mopasanit, Balzakut, Viktor Hygoit. Natyrishëm, libri shqiptar radhitej kështu midis vlerave të Francës dhe atyre të njerëzimti dhe do të mjaftonte vetëm kjo për të kuptuar se ç’rol mund të luajë letërsia në shpalosjen e atyre që mund të cilësohen si “letrat e fisnikërisë së një kombi”. Krahas kësaj, analogjia kërkohej më tej, në fushën e ideve dhe mesazheve të mëdha, aq shumë familjare për adoleshentët e Francës. Kështu, për shembull, një fjalim i personazhit të librit, kapitenit shqiptar Stres, vihej përbri një prej fjalimeve të famshme të Robespierit të Francës. Në të dy fjalimet shpallej një mesazh që iu drejtohej kombit dhe botës. Ndërkaq, ndërsa mesazhi i Robespierit lidhej me vlerat morale për të cilat Franca ngadhënjyese kishte nevojë për të shembur rendin feudal europian, mesazhi i kapitenit shqiptar ishte, përkundrazi, kumti funebër i Shqipërisë që po thyhej nën kërcënimin osman.
V.I.- Në “Doruntinën” tuaj ndjehet një “qëllim” i autorit tek domethëniet e reja që merr balada nga përfshirja në një konteskt të ri. Nga varri i Shqipërisë së viteve ’70, një dëshirim i dritës dhe i jetës, një dëshirim i asaj që ndodhet përtej. Në kohë trazirash politike, ringjallen shpresat për të komunikuar me vendet e tjera, të afërta apo të largëta. Këto shpresa kishin qenë të vdekura, të kallura nën dhe, si Konstandini, balada e të cilit shërben si parabolë, metaforë dhe simbol. Ky është njëri nga leximet e mundshme. Por cila është vërtet zanafilla e romanit? Si mund të ndikojnë gjithë këto në përzgjedhjen në programin shkollor francez? Si ndodh që një shoqëri e huaj “e përqafon” kumtin tuaj?
I.K.- E kam shkruar këtë roman aty nga mesi i viteve ’70-të dhe ishte e natyrshme që ankthi numër një i Shqipërisë së asaj kohe, veçimi tragjik nga qytetërimi evropian, do të ndihej në të. Ndërkaq, me të njëjtën siguri mund t’ju them se asgjë e tillë, pra asnjë ankth francez nuk do të bëhej shkas që kjo vepër të vihej në programin shkollor të Francës më 2004. Dhe do të ndodhte për arsyen e thjeshtë se Franca nuk e ka pasur kurrë këtë problem. Dhe pikërisht këtu qëndron mrekullia e letërsisë: ajo e kapërcen kohën që e ka pjellë vetë qëllimin e autorit, nëse të tilla ka pasur, dhe nëpërmjet ligjeve të përjetshme të saj përbotësohet. Nuk jam i sigurt nëse në kohën që e shkrova e kam pasur qëllimin që u përmend më lart. Besoj më shumë se zanafilla e veprës ka qenë brenda tharmit të artit; ishte një ngritje nga varri. Pra, një ngjitje thellësish. E kam përmendur për herë të parë baladën e Doruntinës te Muzgu i perëndive të stepës, në një bisedë midis dy personazhesh, një student shqiptar dhe një vajzë letoneze, por në tjetër kah; parandjenja e një ndarjeje.
Më vonë, është shtjelluar te “Hija”, më 1985, në kahun: dalje dhe kthim në gropën e Shqipërisë.Doruntina, për të cilën po flasim, qëndron midis të dyjave.
V.I.: Në librin e përgatitur për kolegjet e Francës diskutohet me thellësi e finesë të veçantë gjuha juaj, stili. Ju jeni shkrimtar. Pa diskutim, ju besoni në pushtetin e gjuhës. Me të keni dëshmuar përtej talentit tuaj, dhe fuqinë e shqipes, mundësitë e saj të mahnitshme. Dikur Dantja, falë gjenialitetit të tij, tregoi mundësitë e dialektit të Toskanës- dhe kështu u sanksionua një gjuhë bazuar pikërisht në këtë forcë shprehëse dhe këtë hijeshi. Midis një morie diskutimesh për gjuhën shqipe, sidomos së fundmi, bërë nga njerëz të kultivuar, dhe më pak të kultiviuar, besoj, ju, më bukur se kushdo, mund të flisni për natyrën e kësaj gjuhe, potencialet e saj. Ç’i ka dhënë veçanërisht shqipja krijimtarisë suaj?
I.K.- Është një bisedë e gjerë në kufinjtë e së pamundurës. Marrëdhëniet e një populli me gjuhën e vet janë tepër të ndërlikuara, që shkojnë nga adhurimi i verbër, te nervozizmi i verbër. Në fazën e sotme të zhvillimit shqiptar, i gjejmë të dyja. Po përpiqem të flas në mënyrë të thjeshtë për të, por dyshoj se mund t’ia arrij. Atëhere do të provoj për të kundërtën, mënyrën e ndërlikuar, duke dyshuar prapë në se mund t’ia arrij. Gjuha shqipe, ndonëse pa familje, sikurse greqishtja, është ndër dhjetë dymbëdhjetë gjuhët themelore të Evropës. Këtë e pohojnë të gjitha hartat e pemës gjenealogjike të gjuhëve dhe shumica e gjuhëtarëve seriozë të botës, me përjashtim të shumicës së gjuhëtarëve shqiptarë, të cilët, për një habi të madhe, i druhen kësaj të vërtete.
Duke folur si shkrimtar, pra si një përdorues, si të thuash, një artizan i gjuhës, me përgjegjësi të plotë pohoj se shqipja është një makinë e përkryer shprehjeje, një nga më të përsosurat në kontinent. Shkalla e përsosjes së një gjuhe lidhet, në radhë të parë me aftësinë e tejçimit (transmetimit) të nxjerrjes jashtë nga terri, thënë ndryshe, të çlirimit të mendimit njerëzor. Në një plan lehtësisht të rrokshëm, kjo duket në aftësinë për përkthimin e teksteve më të madhërishme të letrave botërore. Në këtë log shemërimi nuk është lehtë të gjendet një gjuhë evropiane që të mëtojë t’ia kalojë shqipes, në përkthimin, për shembull të Komedisë Hyjnore të Dantes a të tragjedive të Shekspirit, për të marë vetëm dy nga diamantet më të rralla të thesarit botëror.
Mendoj se shembulli është i mjaftueshëm për t’i besuar më shumë kësaj gjuhe, ose, së paku, për të mos e fyer atë me padijen tonë. Në një qasje më të ndërlikuar, që lidhet me thellësinë diakronike, me sprapsjen e prirjeve nomadiste, me raportet e saj me kombin, me letërsinë e shkruar që është pjellë e njëkohësisht tejkalim i saj, gjuha shqipe, duke qenë një model qëndrese e konservatorizmi, në kuptimin e mirë të fjalës, është njëherësh dhe model i lirisë së brendshme. Si e tillë, ajo i ka të gjitha mjetet e nevojshme që, nga njëra anë, t’i shërbejë krijuesit të saj, qytetërimit dhe njeriut shqiptar, por, nga ana tjetër t’i bëjë shërbimin e zgjedhur, gati gati hyjnor, njeriut të vetmuar, atij që, për një paradoks të madh, është i aftë të krijojë atë që s’është në gjendje të krijojë një popull i tërë: kryeveprat e letërsisë. Për ta kryer këtë barrë, gjuha, si një univers brenda universit, i ka mjetet dhe mekanizmat e duhura për përpunimin dhe skajimin e krejt shpirtit njerëzor në të gjitha gjendjet e tij.
Për këtë, krahas anës së dukshme, gjuha ka anën e saj misterioze, atë që mundëson zbritjen në zonat e paqarta të nënvetëdijes atje ku ngjizen parandjenjat, fatalizmi dhe ku mallkimi dhe bekimi jane ende të përzier. Me mjetet e saj klasike, po aq sa me ato moderne, si të thuash, trupat e saj të zgjedhura, të porsashpikura enkas, për të përballuar risitë e mendimit, së fundi me përmasën e pashfaqur, si të thuash shërbimin e fshehtë të saj, gjuha, me tagrin që ka, ose që kujton se ka, si çliruese e mendimit, përpiqet ta sundojë atë. Për të siguruar këtë sundim të vështirë, gjuha zotëron një teknikë të tërë, që nga fjalët, parafjalët e prapashtesat, kohët dhe mënyrat e foljeve, gufmimi apo tkurrja e ndajfoljeve, deri tek antonimet, dikotomitë, së fundi alfabetin e saj.
Në pamundësi për të shpikur secila vetë këtë rrokakrejt, gjuhët e botës kërkojnë ndihmën e njëra tjetrës. Dhe kjo është një nga mrekullitë e mirëkuptimit ndërnjerëzor. Përkryerjen e saj, shqipja jonë, ia detyron, ndër të tjera, këtij mirëkuptimi.
*Fragment i bisedës së profesoreshës  së Letërsisë Bashkëkohore në Universitetin e Tiranës, Viola Isufaj, me Ismail Kadare  në botimin “Kadare në letrat e sotme franceze”, botimet UETPRESS, Qendra Kadare

Ali Podrimja: Rrëfimi nga ditët e fundit në Lodë

Ali Podrimja
Para tri vitesh, më 20 korrik, nga Festivali Poetik i Lodevës, u zhduk poeti shqiptar Ali Podrimja… Dy-tri ditë u end nëpër pyje dhe u gjet i vdekur më 22 korrik
Nga Luan Rama
Takohemi në një kafene në “Goutte d’Or”, në një lagje pranë Montmartre të Parisit, diku pranë shtëpisë së tij, në një kafene të rrethuar nga librat. Marc Delouze është një punëtor i poezisë, një dashnor dhe një animator i poezisë, pra që i jep asaj frymë, pasi krahas këngëve të tij poetike, ai është dhe organizator festivalesh, si Festivali i Përhershëm Poetik i Parisit 18, i Festivalit “Les Parvis Poetiques” (Pragjet poetike), apo i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë ‘’Zëri i Mesdheut’’ të Lodevës, në jug të Francës, ku më 1990 ai ishte bashkë-themelues i tij dhe ku përgjatë shumë viteve në këtë festival u ftuan shumë poetë shqiptarë, të cilët janë njëkohësisht miqtë e tij.
Ne u takuam meqë ai më kishte kërkuar përkthimin e një teksti për Ali Podrimen dhe unë ia solla, një tekst për mikun intim të tij. Ali Podrimja jetonte ende në sytë e tij, dhe në zemër, ngjizur. “E kisha vëllam të poezisë!” – më thotë ai, duke më treguar historinë e ditëve të fundit të poetit të madh të Kosovës në Lodeve, kur për ditë me radhë ai e kishte kërkuar, gjersa më në fund, katër ditë më vonë e kishin gjetur në një shpat me sytë nga qielli. “Donte të shkonte!” – më tha ai. – “Ku? Në qiell?” – i thashë unë. Ai uli kokën dhe e mori mes dy duarve, ndërsa unë mendoja për qiellin e Podrimes dhe tokën e tij që nuk e mbante më, për tokën mbi të cilën ai nuk mund të ecte më, pasi ai jetonte në dhimbje, prandaj dhe kërkonte qiejt, diku larg, larg dhimbjes, për të qetuar shpirtin. Fjalët e tij tashmë shtegtonin nëpër qiell…
Marc Delouze ishte kthyer nga Kosova ku kishte lexuar poezitë e tij për Podrimen. I dhashë përkthimin e atij teksti në shqip, ndërsa ai më dhuroi një nga vëllimet e tij poetike “Epouvantails” (Dordolecët, 2002) duke më treguar njëkohësisht për jetën e tij, për vëllimin e tij të parë poetik, njohjen me poetin e madh Louis Aragon, dhe pastaj për ditën kur ai papritur, i nxori librat poetikë jashtë shtëpisë, në rrugë, duke i mbyllur portat e poezisë meqë dyshonte nëse ishte një poet i vërtetë… porta që do t’i hapte 20 vjet më vonë… E ndërkohë ne kujtonim hapat e para, të botuara në një nga vëllimet e fundit poetikë.
“Janar i vitit 1971. Në mbrëmje bie telefoni.
– Mirëmbrëma, jam Louis Aragon. Dëshiroj të flas me Marc Delouze.
– Unë jam…
Në fillim mendova se mos ishte një shaka. Isha gati të shpërtheja me të qeshura.
– I mora poezitë e tua. Doja t’u merrja leje për t’i botuar në numrin e ardhshëm të revistës Les Lettres Françaises.
Përgjigjem:
– Sigurisht, patjetër…
Nuk e di si e mbylla telefonin. Vështrova nga S.
– Ishte Aragon!…
E pabesueshme. Isha në një gjendje të jashtëzakonshme. Një jave e kaluar si në mjegull, kujtesë.
Të mërkurën që erdhi bleva revistën Les Lettres Françaises. Në faqen e parë lexoj emrin tim.. .”.
Në parathënien e botimit të librit të parë poetik të Delouze, shkruar nga Aragon, me titullin “Si një lloj testamenti”, poeti i madh e paraqet Delouze si një shprehje e testamentit të tij poetik. Jo si një vazhdues i veprës së tij, por si një e ardhme e poezisë pas tij. Aragon shkruante mes të tjerash: “Në shtëpi kam një grup librash kryesorë që i marr në duar me një emocion të veçantë… një nga ata dhe libri i Marc Deleouze, emrin e të cilit duhet ta mësoni ashtu siç dikur mësonim emrat e Nerval e të Rimbaud. Ah, ju lutem, mos më thoni se po e ekzagjeroj! A nuk e kuptoni se i dua këto poezi dhe ai që do, nuk ekzagjeron kurrë!… Ky zë i ri që dëgjoj të lartësohet, të forcohet dhe të triumfojë në sajë të vetvetes, ky libër i parë, mbetet gjithnjë para syve të mi si diçka prekëse, pas kësaj jete të gjatë të jetuar… Diçka tjetër fillon këtu, diçka që unë nuk do ia shikoj fundin, por që nxitoj ta paralajmëroj me forcat e fundit të moshës time…”.
Më 17 shkurt 1970, Delouze shkruante një lloj kredoje të tij poetike:
Jam poet nga forca e gjërave
nga forca e fjalëve, dora jonë mbi gjërat
nga forca e lidhjeve
për çdo fjalë një dorë
shumë gjëra shfaq pëllëmba jonë dhe sekretet e saj
shkruhen në statuja si buda enigmatike
nga teoria në teori thoi e ka të vështirë të shënojë
si vraga e kohës që kalon
dhe më kërcënon me shkarjen e fjalëve
si brishtësia e një letre të përdorur tashmë…”.
Sigurisht, mund të flasim gjatë për Delouze, për vëllimet e tij poetike (Kënga e tokave14975 ditë midis poezive në fazë përfundimtareYeou – këmbësori i tokave etj.) dhe ato me tregime (Është bota që fletRruga e martirëveNjeriu që mbyllte sytë pa ulur qepallat etj.) por ne u takuam atë ditë për Podrimen dhe fjalët e tij, madhështinë e fjalës poetike dhe vështrimin e tij të humbur në qiell, larg njerëzve, që tashmë e imagjinoj shpesh: Si mund të vdesë kështu një poet? – pyes unë… E megjithatë u ktheva me idenë se poetët nuk vdesin…
*Titulli origjinal: Ali Podrimja – Sytë e humbur në qiellin e botës.

Petro Marko mes të vërtetës dhe trillimit artistik


Petro-Marko-1


Dy studiuesit në kërkim të zbulimit në ishullin e Ustikës të personazhit që vjen nga rrëfimet e Petro Markos në romanin e tij kryesor “Një natë dhe dy agime” duke ruajtur emrin origjinal, por shfrytëzuar edhe dokumente zyrtare që dalin nga arkivat italiane. Bëhej fjalë për praninë në këtë roman të Antonio Gigante, që në nëntor 1942 nga Ministria e Brendshme italiane saktësohej si shkak për rrezikshmëri politike, internuar në kampin e përqendrimit të Ustikës

Por tani dëshiroj të rrëfehem para historisë, përpara se të vdes- Petro Marko, Epilog



Nga Merita Sauku Bruci & Vittorio Bruno Stamerra

Me këto fjalë Petro Marko përpos paktit që ka nënshkruar me historinë ka nënshkruar njëherazi edhe një pakt me lexuesin e tij. Ai ka zgjedhur qëllimshëm të jetë rëfimtar dhe dëshmitar i një jete “që nuk u jetua vetëm, por paralel me historinë dhe me njerëzit”. Interesimi im si studiuese e lexuese para se ta nënshkruaj këtë pakt, në fakt nuk rrok veprën e Markos në tërësi, por lidhet më ngushtë me praninë në dy vepra të tij, si bashkëvuajtës e personazh romani, të figurës një antifashisti të njohur italian: Antonio (Vincenzo) Gigante.

Duke ndjekur gjurmën e gjetur nga Stamerra, lidhur me praninë e figurës së Antonio Gigante-s në një nga veprat e Petro Markos u bëra kurioze dhe me dëshirën e mirë për t’i ardhur në ndihmë në kërkimet e tij të mëtejshme iu vura punës për ta çuar më tej. Kështu lindi ky kërkim i përbashkët, që harmonizon intuitën dhe këmbënguljen e një gazetari investigativ me analizën e detajeve që vetëm një përvojë e gjatë prej filologu mund të ta japë.

Ajo që fillimisht u duk si gjurmë, pas shfletimit të veprës mori përmasa të tjera. Figurës së A. Gigante-s, Petro Marko i kishte kushtuar faqe të tëra. Por a mund të shërbejnë këto referime ndaj kësaj figure të njohur të antifashizmit italian si dëshmi historike për të lidhur fillin e informacionit ku ai këputet? Në këtë shkrim po përpiqemi të paraqesim se sa e vërteta vetjake (subjektive) e Petro Markos i afrohet asaj historike (objektive); ku përputhen e ku ndahen ato. Kemi përdorur si bazë krahasimi tri libra:

(Libri A) V. B. Stamerra, A. Maglio, P. Miano, Vincenzo Gigante detto Ugo – un eroe brindisino, Brindisi, Hobos Edizioni, 2005. Këtë libër, të mbështetur tërësisht në dokumente të gjetura në arkivat italiane si dhe në dëshmi të botuara të njerëzve që e kanë njohur nga afër Antonio Gigante-n, do ta konsiderojmë si dëshmi të pastër historike që mund ta ofrojë vetëm një burim dokumentar.

(Libri B) Petro Marko, Intervistë me vetveten (Retë dhe gurët), Tiranë, OMSCA, 2000 do ta konsiderojmë si një rrëfim autobiografik, pasi edhe kur flet për veten Petro Marko mbetet në kuadrin e historisë. Ky rrëfim, që përmban vende, data historike e emra njerëzish konkretë, na çon drejt një të vërtete subjektive, por gjithsesi mbart edhe përgjegjësinë në lidhje me atë që ka vendosur të rrëfejë, me njerëzit që citon, që janë ende në jetë apo gjallojnë në kujtimet e të dashurve a bashkëkohësve të tyre.

Siç pohon vetë ai në hyrje të librit: Unë nuk kam mbajtur kurrë shënime, ku të shkruaja ç’kisha parë e ç’kisha dëgjuar, ç’kisha qarë e ç’kisha kënduar, ç’kisha thënë e ç’më kishin zënë veshët, prandaj këto që tani nisa t’i nxjerr nga pellgu i paanë i mbresave të jetës sime shumë, shumë të gjatë, po i nxjerr nga kujtesa që ende nuk më ka lënë.

Nuk po shfletoj as dokumente, as shkresa, as shkrime, por i çel rrugë detit të pafund të mbushur për shtatëdhjetë vjet me radhë.

(Libri C) Petro Marko, Një natë dhe dy agime, Tiranë, OMSCA-1, 2002. Këtë roman, të cilësuar nga e bija e autorit, Arianita Marko si roman pjesë jete ose rrëfimi për një fragment historie të jetuar e konsiderojmë si një rrëfim romanesk, i përshkuar nga një autobiografizëm i theksuar, ku Petro Marko, krijuesi dhe rrëfyesi në vetë të parë, nëpërmjet personazhit të Andrea Borës (Petro Marko) përzgjedh të përshkruajë copëza jete të jetuara (vende, personazhe, ngjarje) gjatë kohës së internimit në vitet 1942-43 në ishullin famëkeq të Ustikës (Itali). Nga këndvështrimi filologjik kritik, botimi i parë i këtij romani nën titullin Nata e Ustikës (Tiranë, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, 1989) nën redaktimin e Xhevahir Spahiut nuk mund të merret në konsideratë pasi është i reduktuar.

Ndodhi të vërteta – dëshmi e një kohe të jetuar
FAKT : Skëterra Ustikë – ishull ku dërgoheshin të dënuarit më të rrezikshëm për shoqërinë. (Ustica isola di confino per i più pericolosi). Përshkrimi i kontaktit të parë me Ishullin e Ustikës dhe përcaktimi i tij si një vend ku internoheshin, përpos të burgosurve ordinerë edhe antifashistë nga më të rrezikshmit, është shumë rrëqethës.

Pamje dramatike: Në shkëmbinjtë ngjyrë guri të djegur lëviznin si krimba të internuarit, uniformisht, me lëvizje të ngadalta. Nuk mund të bindeshe kurrë se ata ishin njerëz…

Shumë të internuar: zhele, skelete, na shikonin pa hapur gojë.

Kishte dy lloje të internuarish: për faje politike si antifashistë, dhe për faje ordinere. Pak shokë antifashistë internoheshin në Ustikë. Shumica e antifashistëve internoheshin në Ventontene e Ponza dhe pak në ishujt e tjerë. Ata që ishin shumë të rrezikshëm, i internonin në ishuj të vegjël dhe të këqij, si në Ustikë (Libri B f. 355) Edhe Antonio Vincenzo Gigante, antifashisti i superkërkuar nga policia fashiste italiane, i mbiquajturi edhe “i pakapshmi me njëmijë fytyra (l’imprendibile dai mille volti)”, për shkak se qarkullonte vazhdimisht i maskuar, transferohet në ishullin e Ustikës. Për policinë fashiste italiane kapja e Gigante-s ishte kthyer në një makth. Në qershor të 1931, më shumë se 200 foto të tij u ishin shpërndarë nga Ministria e Brendshme strukturave të policisë në të gjithë vendin për të mundësuar kapjen e tij.

FAKT : Transferimi në ishull të lidhur me zinxhirë.

Një tjetër moment ku dëshmia e Petro Markos në të dy librat përputhet me historinë është transferimi i të internuarve në ishullin e Ustikës të lidhur me zinxhirë. Tregues i rrezikshmërisë së tyre, zinxhiri ishte shndërruar në një simbol të vaporit që i transportonte të internuarit fatkeqë, saqë nuk thuhej më “erdhi vapori”, por “erdhi zinxhiri”. Edhe Gigante, sipas dëshmisë së Terracini-t i nënshtrohet të njëjtit ritual transferimi për në ishullin e Ustikës.

Prania e Antonio Gigante-s në ishullin e Ustikës dëshmohet si nga Petro Marko në rrëfimet e tij, nga Andrea Bora (Petro Marko) i cili e përzgjedh si një nga personazhet kryesorë të romanit të tij “ Një natë dhe dy agime”, duke ruajtur emrin origjinal, ashtu edhe nga kujtimet e U. Terracini-t e dokumente zyrtare që dalin nga arkivat italiane. Në një dokument të lëshuar nga Kuestura e Romës dhe drejtuar Ministrisë së Brendshme Italiane, më 27 nëntor 1942 saktësohet se për shkak të rrezikshmërisë politike që paraqiste Gigante është internuar në kampin e përqëndrimit të Ustikës.

FAKT : Prania e Antonio Gigante-s në ishullin e Ustikës.

Në kujtimet e tij Petro Marko (libri B) rrëfen se gjatë dimrit të vitit 1942/43 Ustika ishte në krizë të madhe. Ra një sëmundje dhe shumë të internuar italianë vdiqën. Antonio Giganten e ka gjetur në ishull. Edhe në romanin e tij, ku Antonio Gigante tanimë është shndërruar në personazh kryesor, takimi i parë mes dy antifashistëve ndodh në barakën e të internuarve shqiptarë.

Nel novembre 1942 Antonio Vincenzo Gigante venne ufficialmente scarcerato dal penitenziario di Civitaveçhia (Roma) ma per la sua “pericolosità” il Questore di Roma chiese al Ministero degli Interni che fosse inviato in una località di confino. Sbrigate le pratiche burocratiche, il trasferimento a Ustica avvenne nel gennaio del 1943, come risulta dai documenti ufficiali.

Listës së përputhjeve i shtohet edhe përshkrimi fizik dhe moral i Antonio Gigante-s dhënë nga Petro Marko kryesisht në romanin e tij Një natë dhe dy agime.

Le të njohim fillimisht si e sjellin dokumentet e kohës portretin e A. Gigantes.

(Descrizione fisica e caratteriale di Gigante)

FAKT: Para se të shpërndahej një fotografi e tij, konsullata italiane në Bernë e përshkruan kështu në një shkresë që i dërgon Ministrisë së Brendshme . un meridionale, alto, sbarbato dai capelli folti neri (Libri A f. 25), një vit më vonë, më 1928 shkruhet : aggiungiamo pero che il Gigante porta adesso quasi abitualmente oçhiali cerchiati all’americana (Ibidem, f. 26) apo il giudice guardando il suo aspetto fisico, così ben messo, di elegante portamento, la sua façia e i suoi oçhiali da intellettuale…(po aty, f. 30)

Petro Marko e ka njohur pas viteve të gjata mundimesh nëpër burgje. Ai e përshkruan si “një njeri të hollë, të gjatë, me flokë borë të bardhë, që mbante syze dhe sytë i mbyllte shpesh herë. Me një zë të dobët, por të ëmbël, ndonëse ende i ri dukej sikur i kishte kaluar të tetëdhjetat. Antonio Gigante, që Petro Marko ka njohur në Ustikë “vetëm emrin dhe shpirtin e kishte të tillë” (prej gjiganti -MSB) pasi ishte katandisur kockë e lëkurë dhe shikimi i ishte dobësuar shumë.

FAKT: Le foto segnaletiche scattato a Gigante nel 1942, quando lasciò il carcere di Civitaveçhia per essere inviato al confino di Ustica, dove erano reclusi i più irriducibili opositori al regime, lo mostrano, a dispetto dei suoi appena 40 anni, inveçhiato, smagrito e ricurvo.

Petro shkrimtar e jep atë të sjellshëm e fisnik, një njeri që dintë të ngjallë admirimin dhe respektin e të tjerëve.

Gjiganti tani dukej më i afërt dhe më i dashur. Ishte shumë i sjellshëm, më fliste me fisnikëri, me atë zërin e tij të hollë e pak të dridhur që i shkonte fizikut të tij. Që ditën e parë që na erdhi në barakën tonë, atje në Ustika, ndjeva respekt për të… atë respekt që ndiejnë ushtarët e rinj ndaj veteranëve të shumë betejave, të mbushur me plagë… këto ditët e fundit respekti ndaj tij m’u shtua edhe më tepër. (Libri C, f.482)

FAKT: Ricordi di Umberto Terracini, dirigente comunista, anzi uno dei fondatori del Pci, che insieme a Gramsci açumulerà più anni di galera e di isolamento ad opera del regime fascista. Tra i due si stabilirà un forte legame, non solo sul piano umano, ma anche su quello dell’identità politica.

“Egli veniva la sera alle riunioni di Partito, e, la domenica, alle maggiori assemblee e alle manifestazioni popolari. E vi recava quel senso di pacatezza, di equilibrio, di composta responsabilità che doveva procaçiargli rapidamente la fiducia dei compagni, per indicarlo a posti di responsabilità e di guida del movimento operaio.”( Libri A, f. 18)

I justifikuar, i përputhshëm dhe bindës edhe përshkrimi që Marko na bën të ditur në librin C, f. 487: Në këto biseda (për vajzat MSB) Gjiganti nuk merrte pjesë. Dëgjonte dhe shkonte drejt përpara. Nuk qeshte, po vrenjtej e nxihej, siç ishte vrenjtur dhe nxirë rinia e tij në qelitë e burgjeve politike… Rinia e tij e humbur… .

Në kujtimet e bashkëkohësve Gigante aveva l’abitudine di vivere in solitudine, abitudine alla gallera, il fascismo gli aveva distrutto nel carcere la giovinezza e la vita familiare. (Libri A, f. 68)

Ndodhi ndoshta reale
Mbledhjet e celulave në kamp

Marko i kushton një kapitull të veçantë jetës politike në ishull, mënyrës sesi ishin të organizuar, si funksiononin celulat mbi bazën e kombësive, si koordinoheshin veprimet nga një komitet me dy përfaqësues nga çdo kombësi, si organizohej shpërndarja e informacionit të marrë në rrugë të fshehta nga radio të ndryshme e si shpërndahej në kamp.

Pasi mbërritëm në Ustikë, çështja e parë ishte që ne të lidheshim me shokët e atjeshëm, dhe ashtu bëmë. Më parë u njoha mirë me shokun nga Foxhia, që ishte i vjetër. Ai, gjatë bisedave, më tha se aty ishin nja dhjetë komunistë italianë, që kishin celulën e tyre dhe ishin lidhur me partinë ilegale, në Palermo dhe në kontinent. Nuk vepronin fare dhe asnjë ndihmë e asnjë material nuk merrnin. Kur erdhi Antonio Xhigandi, me të cilin bisedova gjatë për shokët italianë që kisha njohur në Spanjë dhe në Francë, më foli edhe ai për situatën e mjerë të shokëve italianë. “Vetëm në Ventontene dhe në Ponza ka shokë që janë gjallë”.

Me shokët jugosllavë u lidhëm më lehtë. Kishte shumë shokë sllovenë, kroatë dhe malazez. Çdo grup kishte celulën e vet, por komiteti ishte një, me përfaqësi nga çdo kombësi… Krijuam një komitet të përbërë nga dy shokë për çdo kombësi. U bënë zgjedhjet. Mua më zgjodhën si komandant ushtarak dhe shokun Alois, slloven, si komisar… (Libri B. f. 365)

Fjalimet dhe diskutimet

Ka shumë gjasa që të kenë ndodhur situatat që Petro shkrimtar përshkruan në romanin Një natë dhe dy agime. Por në kushtet kur të dhënat dokumentare mungojnë, bëhet gjithnjë e më shumë e vështirë të ndash të vërtetën nga trillimi artistik. I tillë është fjalimi që Gigante mban para dy të vrarëve në Burgun e Ustikës:

U afrua pranë varrit një italian i hollë e i gjatë. Sikur i merreshin këmbët. Flokët i kishte borë të bardhë. Mbante syze dhe sytë i mbyllte shpesh here.

-Compagno Antonio! Compagno Albanese! – foli ai.

Të gjithë u ngritën në këmbë. Disa fshinin djersët. Djersët apo lotët? Zëri i hollë, si i atij të burgosurit që pashë për pak çaste në burgun e Palermos, e bënte më tragjike fytyrën e atij që fliste, i bënte më prekëse fytyrat e dy të vdekurve. – Ne vdesim për jetën… vdesim që jeta të jetojë… – Sytë i mbyllte shpeshherë, duke shikuar varret e çelura. – Varret tona janë panteone të jetës. Kalvari ynë është rruga e jetës. Therroria jonë është flamuri i jetës. Po, shokë të dashur, jeta nuk varroset… Siç nuk varroset dielli… – Lidhi duart në gjoksin e tij të ngushtë. Çeli gishtërinjtë e hollë dhe mori pamjen e një martiri para togës së ekzekutimit. – S’kam se ç’t’ju them… Varri juaj flet shumë, flet gjuhën e përhershme të mundimeve tona për lumturinë e njeriut. Varri juaj kurdoherë do të flasë e së bashku me varret e mijëra e mijëra shokëve të tjerë do të bëhet megafon i fuqishëm i kushtrimit kundër së keqes që mundon sot botën, kundër ligësisë, kundër vdekjes, kundër shtypjes, kundër barbarisë, kundër tiranisë, kundër gjakësorëve… kundër atyre që ju vranë ( Libri C f. 307-308)

apo situatat e diskutimeve të gjata në mbledhjet e celulave antifashiste në ishull:

Ne mblidheshim shpesh dhe mendonim si të zotëronim situatën në ishull …

Gjendeshim në frontin midis dy ndërluftuesve. Prandaj menduam ta merrnim ishullin. U mblodhëm dhe biseduam; bëmë planin.Pushtimi nuk ishte i zorshëm. Do të asgjësonim më parë garnizonin italian të dobët; pastaj, me armët që do merrnim, do të sulmonim garnizonin gjerman të zbulimit. Ne ishim shumë dhe të vendosur. Plani u përpunua mire dhe u pranua nga të gjithë. Antonio Xhigandi dhe Nikolasi thane: “Po sikur të pyesim dhe Dushan Kermaunerin? Është shok i vjetër dhe me përvojë të madhe, është dhe gjakftohtë!” E thirrëm dhe i njoftuam vendimin që kishim marrë. … Dushani foli më gjatë. Na bindi. Prandaj e anuluam vendimin. (Libri B f. 37)



Marko- Apostull i Krishtit të Kuq

Mbetet i diskutueshëm dhe më afër trillimit edhe cilësimi që Petro Marko i bën Gigante-s si Krishti i kuq ndërkohë që të dënuar të tjerë, për shkak të bindjeve të përbashkëta politike dhe veprimtarisë së përbashkët e cilësojnë vetë Markon (Andrea Borën) si apostull të Krishtit të kuq. Ky cilësim shfaqet mëse një herë në roman. Ka fakte që Gigante, asokohe militant në Federatën e Socialistëve të Rinj, pësoi arrestimin e tij të parë në Brindisi, në 1920, në një manifestim të hapur të organizuar nga CGIL dhe nga Partia socialiste kundër dërgimit të trupave ushtarake në Shqipëri.

“Sheshi i ndërgjegjeve të shitura”, gjithnjë me atë zhurmë, me ato ngjyra gri. Gri në kalldrëm. Gri në fytyrat dhe në kurrizet e skeleteve lëvizëse që u ngjanin një morie krimbash. Më kaluan pranë disa dhe as që më vunë re. Po njëri syresh më kapi për dore, më nguli sytë e tij që i llamburitnin e më pyeti:

-Si e ke profetin?

-Cilin profet?

-Krishtin e kuq.

I shastisur s’dija ç’ti përgjigjesha. Po si shkreptimë më ra ndërmend fytyra e tij, zëri i tij aty në sheshin e apelit, kur e cilësoi Krisht Gjigantin.

-Pse e quan Krishti i kuq?

-Se fytyrën e ka si të Krishtit dhe mendjen si të Leninit… – qeshi si pa të keq. – I ziu ai! Ne nuk luftojmë me fjalë si ai dhe gjithë vulëhumburit si ai… Mos je edhe ti apostull i tij? Ki mendjen o i shkretë, se do plakesh para kohe dhe s’ke për të arritur gjë? …. Atëhere shko, shko pas gjurmëve të Krishtit të kuq, pa ke për të parë se si do të katandisesh për pak vjet… Do të plakesh… Do të ngordhësh… pa i shijuar asgjë kësaj jete qeni. (Libri C, f. 3)

Largimi nga Ustika drejt Palermos

Imazhi i fundit ku historia mund të përputhet me kujtimet e Petro Markos është udhëtimi nga Ustika drejt Palermos me anije dhe prania e A. Gigante-s në të. Më pas rrugët e tyre ndahen

Aty nga muaji maj, pamë se gjermanët po iknin. Për ne ishte shenjë e mire, se frikën ua kishim. Një mëngjes erdhën dy vaporë për të na marrë. Me shpejtësi u dha urdhri që të zbrisnim në mol. Morëm ato tesha që na duheshin, dhe në rrëmujë, si një ushtri e dërrmuar në tërheqje, na zbritnim grupe-grupe dhe të palidhur na futnin në vapor. Unë kërkoja shokët: Ilon, Gaqon, Makbulen. Vançi ishte me mua. Në vapor isha me Nikolasin, Xhigandin, me familjen Çeki e të tjerë. Arritëm në Palermo e të gjithë u grumbulluam në një shesh. Na lidhën e na nisën për në Monreal në këmbë. Aty ndenjëm një javë. Na hipën në tren dhe u nisëm për në kontinent. Nuk gjente shoku-shokun. Aty më thane se i kishin parë shokët e mi (Ilon, Gaqon, Makbulen) të hipnin në trenin e parë. Duke udhëtuar drejt Mesinës, shikonim popullatën në rrëmujë, në panik. Kishim frikë se mos na mitralonin ose na bombardonin aeroplanët aleatë. Kapërcyem kanalin e Mesinës mbi ferrabot dhe treni drejtohej tani për në veri. Për ku? Asnjë nuk e dinte se ku na shpinin. Trena të tjerë plot me të burgosur dhe të internuar ishin nisur përpara trenit tone. Shikonim qytete. Kalonim tunele të shumta. Drejt veriut: Për ku? Pse nuk na lironin? Disa u hodhën nga dritaret dhe ikën? Mendova të hidhesha dhe unë. Po shokët? Pas disa ditësh arritëm në një kamp, në Alatri, Frosinone. Kampi quhej Frasketi. (Libri B f. 378)

III. Ndodhi të trilluara

Nuk mund të themi me siguri nëse bëhet fjalë për një moment konfuzioni apo zgjedhjeje të qëllimshme, për t’i dhënë më shumë rëndësi personazhit të Gigante-s, kur Marko shkrimtar pohon për Giganten se “edhe me Antonio Gramshin kishte qenë në një qeli. Pastaj e kishin internuar në Ventotene. Po, për dënim, e dërguan aty në Ustika. Unë e dëgjoja me shumë vëmendje. Më pëlqente toni i ëmbël i zërit të tij. Më vinte keq për të.. Tridhjetë e pesë vjeç ishte dhe dukej sikur i kishte kaluar të tetëdhjetat. Asnjë ndihmë s’i vinte. Në Ventotene ishte fare mire, se e mbante kolektivi i të dënuarve politikë. (Libri C, f. 312)

Faktet kokëforta dëshmojnë për të kundërtën. Gigante ka qenë i burgosur në Civitaveçhia dhe prej andejmi është transferuar në Ustikë.

Dëshmon Umberto Terracini: Io lo incontrai nel 1935 nella Casa Penale di Civitaveçhia… Il lungo carcere preventivo non aveva lasciato segni sul suo viso, e neanche nel suo spirito…. E per due anni, giorno per giorno, vivemmo assieme la nostra vita e le nostre attese, assieme agli altri che, come noi, avevano anteposto ad ogni altra cosa l’amore di libertà, che era una cosa sola con l’amore di paria. Io uscii nel 1937 dal Reclusorio di Civitaveçhia per passare alla deportazione di Ventotene. Ma Vincenzo Gigante vi restò ancora per alcuni anni, fino a quando, nella beffa consueta della liberazione ottenuta e del confino irrogato, non venne portato in catene nell’Isola di Ustica. (Libri A, f. 20)

Kjo nuk përjashton që Gigante dhe Gramshi të jenë njohur, por nuk mund të jenë takuar në burgun e Civitaveçhias. Ishin takuar në fillim vitet ’20 të shekullit të kaluar në Romë, ku Gigante ishte transferuar nga Brindisi dhe punonte si murator dhe bënte pjesë në sindikatat e ndërtimit. Ishin takuar me siguri edhe në Rusi, ku Gramshi ishte bërë si i shtëpisë dhe Gigante kishte frekuentuar “universitetin” e Leningradit që nga 1925. Nuk duhet harruar që Gigante bënte pjesë në Komitetin Qendror të Partisë Komuniste Italiane me Toliatin dhe drejtues të tjerë historikë dhe ishte përgjegjës i “zyrës teknike”, që në gjuhën e komunistëve të asaj kohe nënkuptonte zyrën që merrej me organizimin e jetës klandestinë, që gjente bazat e strehimit dhe merrej me sigurimin e jetës së anëtarëve dhe drejtuesve të partisë, gjetjen e pasaportave dhe letërnjoftimeve false, si dhe fondeve financiare.

Kur Gigante mbërrin në Civitaveçhia jemi në vitin 1934, Gramshi është i sëmurë rëndë dhe transferohet në klinikën e Formias. Të dy pra nuk kanë pasur mundësi të takohen, për më tepër që në partinë komuniste ndihej tanimë një çarje e thellë: nga njera anë “toliatistët”, ata që gjendeshin jashtë Italisë (Rusi, Francë, Zvicër, Belgjikë, shtabi qendror i partisë dhe të tjerët që vuanin në burgjet fashiste. Ndër këta të fundit edhe komunistë të orëve të para, nga Gramshi tek Terracini, që ndodheshin në burg që nga 1927, kur filluan të funksiononin gjyqet speciale. famëkeqe.

Situatat dhe ngjarjet e zhvilluara në kampin e Alatrit.

Çfarë ndodhi me Giganten e Markon pas largimit nga Ustika?

Disa muaj pas qëndrimit në Ustikë, vecanërisht pas zbarkimit anglo-amerikan në Sicili, të gjithë antifashistët që mbaheshin në Sicili u transferuan në gadishull. Gigante, për “rrezikshmërinë që paraqiste u transferua në Reniçi (Anghiari) në Toskanë, në një kamp përqendrimi ku mbaheshin partizanët sllavë të kapur në Jugoslavi nga pushtuesit nazifashistë. Me shumë gjasa, policia fashiste ka dashur të veçojë e të dërgojë në kampe të ndryshme komunistët që do të paraqesnin rrezikshmëri nëse do të vazhdohej të mbaheshin bashkë. Mund të jetë kjo një arsye që Gigante përfundon në Reniçi dhe Marko në kampin e Alatrit.

Në fakt dëshmia e Petro Markos antifashist për Antonio Gigante-n në kujtimet e tij (Libri B) mbyllet në transferimin në vapor nga Ustika në Palermo. Ai nuk e përmend më as kur mbërritën në Monreal të lidhur me zinxhirë e ku mbetën për më se një javë, as në hipjen në trenat që i shpinin drejt veriut e as në kampin ku i dërguan. Ndërkohë që disa shqiptarë së bashku me të burgosur të tjerë të Ustikës, gjithnjë sipas dëshmive të Markos, i dërguan në një kamp afër Arecos (në Toskanë)

“Asnjë nuk e dinte se ku na shpinin. Trena të tjerë plot me të burgosur dhe me të internuar ishin nisur para trenit tonë.” Shikonim qytete, kalonim tunele të shumta. Drejt Veriut: Për ku? Pse nuk na lironin Disa u hodhën nga dritaret dhe ikën. Mendova të hidhesha dhe unë. Po shokët? Pas disa ditësh arritëm në një kamp në Altri, Frozinone. Kampi quhej Frasketi. Ishte plot me të reja sllovene dhe kroate, motrat dhe të fejuarat e partizanëve. Ishin shumë. (Libri B, f. 379)

Prania dhe reagimi i Gigante-s më 25 korrik 1943 në kampin e Alatrit.

(Presenza e reazione di Gigante il 25 luglio 1943 nel campo di Frascati

Kështu që gjithçka që pasqyrohet në romanin Një natë e dy agime pas këtij momenti, lidhur me A. Gigante-n është një trillim i pastër artistik. Nuk përputhet historikisht prania e tij e njëkohshme me Markon në kampin e Alatrit. Ndoshta vërtet do të kishte ndodhur ashtu siç e përshkruan Marko shkrimtar reagimin e Gigante-s më 25 korrik 1943 kur merr vesh arrestimin e Musolinit.

Dhe, gjersa ne të shkëmbenim ndonjë pyetje për sa po na zinin veshët, dëgjuam përjashta:

-Mbaroi Musolini! Mbaroi Musolini! E arrestuan! E arrestuan!

Gjigantit i ranë syzet. Përplasi gavetën në mur dhe thirri si i çmendur:

-Finalmente!

Ne kujtuam se shkalloi. Nxori këmishën, e bëri copa-copa dhe ashtu pa syze – sa ndryshe dukej tani, si një gjigant i vërtetë i zgjidhur nga zinxhirët që gati po shembte edhe barakën tonë – u ngrit e na puthi të gjithëve me radhë, një herë e dy herë, e tri herë e pastaj ma kapi kokën mua, ma lagu me lotët që i rridhnin sikur të ishin grumbulluar prej shekujsh, e më thoshte gati pa frymë:

-Vëlla Andrea! Vëlla! Vërtet? Vërtet? Vërtet mbaroi kasapi i Italisë?

(Libri C, f. 497)

Të dhëna arkivore e dëshmi bashkëkohësish vërtetojnë praninë e Gigante-s të mbyllur në kampin e përqendrimit të Angiarit (Toskanë) më 25 korrik, datë kur Mbreti e detyroi qeverinë fashiste të dorëhiqej dhe urdhëroi arrestimin e Musolinit.

Largimi nga kampi i Alatrit.

Pas 8 shtatorit Antonio Gigante merr në dorë situatën në kampin e Angiarit dhe meqenëse nuk mund të drejtohej drejt Jugut të pushtuar nga gjermanët, u bashkohet grupit të partizanëve dhe niset drejt Dalmacisë, ku fillon një aktivitet të dendur në radhët partizane. I arrestuar përsëri dhe i sfilitur nga torturat mendohet të ketë vdekur në vjeshtë- dimrin 1944/45 në kampin e Risiera di San Saba.

Petro Marko në kujtimet e tij rrëfen se u largua në shtator nga kampi i Alatrit me dy shokë të tjerë për të përfunduar edhe ai në radhët e luftës partizane në Terni, në veri të Italisë. Tetori i vitit 1944 e gjen në Shqipëri.

Kjo është e vërteta, sa i takon Gigante-s; për çdo rast të cituar në romanin “Një natë e dy agime” (dhe këto nuk janë të pakta), pas largimit nga Ustika, Petro Marko i dorëzohet me shumë gjasa fantazisë.

Si një nga etërit e antifashizmit italian Gigante mbetet një njohje e rëndësishme për Petro Markon. Respekti për të dhe idealet e përbashkëta bëjnë që rrëfimi për Giganten të jetë i ndjerë dhe figura e tij të përshkruhet me shumë dhembshuri. E vërteta subjektive e fakteve që ai na jep si në rrëfimin autobiografik ashtu edhe në roman mund të na shërbejnë pjesërisht për të mbushur një boshllëk të dhënash që mungojnë lidhur me atë çka ndodhur me A. Gigante-n gjatë periudhës së qëndrimit në ishullin-burg të Ustikës.

Akademia e Shkencave “pret” shkrimtarin Kasem Trebeshinën


Kasem Trebeshina, Albanian writer


Shkrimtari Kasem Trebeshina që ndan jetën mes Turqisë dhe Shqipërisë mbush 90 vjet nga lindja. Ai është nga shkrimtarët e gjallë që ka mbetur në hije, e me plot mistere nga jeta e krijimtaria në diktaturë. Ndodhur mes dritëhijeve të kësaj jete, Trebeshina vazhdon të refuzojë e të qëndrojë kurrizkthyer ndaj gjithë polemikave të ndezura rreth tij, sidomos në këto 20 vite. Megjithatë, është situatë krejt tjetër me studiuesit shqiptarë, të cilët jo pak herë e kanë vënë në qendër të vëmendjes

Shkrimtari Kasem Trebeshina që ndan jetën mes Turqisë dhe Shqipërisë mbush 90 vjet nga lindja. Ai është nga shkrimtarët e gjallë që ka mbetur në hije, e me plot mistere nga jeta e krijimtaria në diktaturë. Sipas atyre që e përkrahin, kjo lidhet fillimisht me rebelimin e tij të hapur politik, e më pas me disidencën letrare. Ndodhur mes dritëhijeve të kësaj jete, Trebeshina vazhdon të refuzojë e të qëndrojë kurrizkthyer ndaj gjithë polemikave të ndezura rreth tij, sidomos në këto 20 vite. Megjithatë është krejt situatë tjetër me studiuesit shqiptar, të cilët jo pak herë e kanë vënë në qendër të vëmendjes, e zbardhur në shumë raste, me paanësi jetën, shkrimet e tij. E kësaj natyre pritet të jetë edhe takimi në 90 vjetorin e lindjes së Trebeshinës në Akademinë e Shkencave. “Një ditë me Trebeshinën”, mbledh në tryezë shkencore studiuesit, e njerëzit e letrave me referimin “Vendi që zë vepra letrare e Trebeshinës në letërsinë bashkëkohore”.

Tryeza që organizohet nga Qendra e Studimeve Letrare “Pjetër Budi” do të mbledhë bashkë të gjithë ata që kanë dhënë kontribut në njohjen dhe zbulimin e vlerave letrare të krijimtarisë së Kasëm Trebeshinës. Për të hedhur dritë mbi shenjat letrare të veprës së autorit, kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre 13 studiues nga Prishtina, Tetova, Tirana, Gjirokastra, Durrës, Vlora etj. Por ndërsa tryeza shkencore “Vendi që zë vepra letrare e Trebeshinës në letërsinë bashkëkohore ” që do të zhvillohet më datë 8 gusht është një përpjekje për të nxitur njohjen, leximin dhe vlerësimin e kësaj përvoje shkrimi nga më të veçantat e harkut të letërsisë bashkëkohore, ky autor i njohur shqiptar prej vitesh është lënë i harruar nga institucionet shtetërore, nga Ministria e Kulturës, që deri më tani nuk ka pasur vëmendje për të nderuar figurën e Trebeshinës. Për studiuesin Behar Gjoka, edhe kjo figurë është lënë në harresë si shumë të tjera.

“Kjo figurë është lënë në harresë nga Ministria e Kulturës, nuk ka pasur kohë të merret, ashtu si dhe shumë figura të tjera të letërsisë që janë lënë në harresë”, pohon studiuesi Gjoka, njëherësh dhe drejtor ekzekutiv i Qendrës së Studimeve Letrare “Pjetër Budi”. Edhe kjo veprimtari që i kushtohet veprës së Kasëm Trebeshinës, zhvillohet vetëm si një iniciativë private pa mbështetje nga Ministria e Kulturës. Por kur flasim mbi veprën e Trebeshinës, studiuesi Gjoka vlerëson krijimtarinë e tij atë që ai përcolli. “Fatin e njeriut nën diktaturë dhe në pushtetin e dhunës, modeli surrealist që buron dhe i kundërvihet realizmit socialist, në prozë, poezi dhe dramaturgji, goditje e hapur dhe e pandërprerë e ideologjisë moniste, e letërsisë zyrtare të realizmit socialist ishin paralajmërim për një sistem tjetër. Në romanin epope, “Kënga Shqiptare”, Luftën e Dytë, përveçse çlirimtare, e paraqet edhe si luftë civile në mes komunistëve dhe ballistëve, duke qenë se ka qenë partizan”, pohon studiuesi Behar Gjoka mbi atë se çfarë përcillte Kasëm Trebeshina në veprën e tij për lexuesit.

Kasëm Trebeshina filloi studimet në Shkollën Normale të Elbasanit, por i ndërpreu më 1942, kur u aktivizua në Luftën Nacionalçlirimtare. Trebeshina ndërpreu edhe studimet e larta në Institutin e Teatrit “Ostrovski” të Leningradit dhe iu kushtua tërësisht krijimtarisë letrare. Në vitin 1961 arrin të botojë poemën “Artani dhe Min’ja ose hijet e fundit të maleve” dhe një përkthim pa emër të Garsia Lorkës. Veprat e Trebeshinës kanë nisur të botohen në fillim të viteve ’90 fillimisht (dhe më pas) në Prishtinë. “Stina e stinëve” 1991, “Mekami, melodi turke” 1994, “Historia e atyre që s’janë” dramë 1995, “Tregtari i skeleteve” 2006, “Këngë për Kosovën” 2007, “Shtigjet e shekujve” 2007. Dhe në Tiranë “Legjenda e asaj që iku” (ribotim i Stina e stinëve) 1992, “Koha tani, vendi këtu” 1992, “Çezari niset për në luftë” 1993, “Rruga e Golgotës” 1993, “Lirika dhe satirë” 1994, “Hijet e shekujve” 1996, “Ëndrra dhe hije” drama 1996, etj. Megjithatë një pjesë e veprës së Kasëm Trebeshinës është ende në dorëshkrim si vëllime me poezi, pjesë teatrore, romane e vëllime me tregime. Pjesëmarrës aktiv në Luftën Nacionalçlirimtare që në moshë fare të re, ai nuk u pajtua me politikën moniste të numrit një të partisë ku bënte pjesë, e kundërshtoi atë në mënyrë të drejtpërdrejtë, veçanërisht, për orientimin që po i jepte letërsisë dhe arteve. Për këtë qëndrim u burgos dhe veprat i mbetën në dorëshkrim. Letra e tij “Promemorje” për Enver Hoxhën, shkruar më 5 tetor 1953, ndonëse denoncon vendosjen e pushtetit “njëdorësh” në Shqipërinë e pasluftës së Dytë Botërore dhe instalimin e metodës së realizmit socialist të cilën vetë Trebeshina e identifikon me një censurë nga më të çuditshmet, ende nuk është publikuar në versionin e saj origjinal gjë që shpesh e ka kthyer këtë figurë në qendër të polemikave mbi disidencën.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...