Nga Petrit Palushi
Me rastin e 80 vjetori i lindjes së Martirit Havzi Nela, i ndëshkuari politik prej pushtetarisë staliniste shqiptare, njeriu që u sakrifikua për dinjitetin njerëzor dhe, si i tillë, ai mbeti triumfi i moralit të njerëzishëm në një kohë të pamoralshme dhe vrasëse njëkohësisht; ndërkaq, ai paraqiti anën më fisnike dhe sfidoi kohën e vet.
Po të mos ndëshkohej me varje në Kukës, me 10 gusht 1988, ai do e shënonte këtë përvjetor, ndoshta duke përcjellë për miqtë e vet vargje të shkruara në zgafellat e ferrit.
Është i varuri i fundit politikisht në krejt vendet e Europës ish-komuniste.
F. Pessoa te “Libri i shqetësisë”, ve në dukje se “Çdo njeri që din me thanë ç’ka me thanë, asht, në mënyrën e vet, mbret i Romës”.
Po t’i avitemi sadopak nëntekstit të fjalës së Pessoa-s, do të thonim se në një farë forme, Havzi Nela u përpoq të kryente detyrën e vet. Ai nuk e nisi veprimtarinë e vet si hero, as u përpoq të shfaqej si i tillë. Në radhë të parë, u përpoq të ishte vetvetja, të ishte hero i vetvetes dhe përpjekja e tij e mundimshme, u bë e tillë të kallëzonte dritë sadopak edhe për të tjerët, t’u kallëzonte të tjerëve se rruga për kah liria qe e vështirë dhe kërkonte plot mund e sakrifica.
Duke qenë heroi i vetvetes, ai natyrisht që jepte nga vetvetja edhe për të tjerët.
Vdekja për liri nuk më tremb aspak
Si e duron robninë zemra e nji trimi?
Kështu shkroi në vitin e parafundit të jetës, i bindur se para tij tashmë qëndronin mundime të tjera, por dhe që dëshmonte njëkohësisht se s’kish ndryshuar kurgjë në qëndrimin e vet.
Kjo gjë ka të bëjë me kohezionin në qëndrimin e tij të palëkundshëm; ky kohezion gjithashtu e bën krejt natyrshëm veprën e tij të parefuzueshme, të qëndrueshme dhe pa dyshim, të admirueshme.
Fati i Havzi Nelës është fati i njeriut në diktaturë, është fati i njeriut të nëpërkëmbur deri në skajshmëri, por njëkohësisht është modeli i njeriut që reagoi vazhdimisht ndaj një bote të pajisur me çmos gjërash të rënda dhe tinzare.
H. Nela qe dritëpamës, sepse nuk kishte dëshirë të jetonte me sot me nesër. I pajisur me frymën e rebelit, qe njëkohësisht me atë dritëpamje, shumica e të cilëve rretherrotull tij nuk mundën ta rrokin. Ai mund të bënte një jetë relativisht të qetë, të përgjumtë, siç mund të bëhet jeta e kësillojtë në pellgun e vakët të nënshtrimit e të ecjes këmbadoras, por vizioni që kishte s’mund ta lejonte kurrsesi. Ai e kishte të qartë se herdokurdo, madje në një kohë t’afërt, ajo botë e mbrapshtë, do të merrte fund.
“Shtylla qëndrore e urrejtjes dhe e demaskimit tim qëndron Hoxha”, kështu shënonte në njërën prej fletoreve të vjershave në vitin 1983, në kamp-burgun e Qafë-Barit.
Kësisoj, rebelizmi i tij i vazhdueshëm ushqehej nga një vizion krejt i kthjellët.
Është folur shpesh për Havzi Nelën se edhe për dy vjet dhe s’e mbërriti lirinë, por pakkush mund ta merrte me mend n’atë gusht të përvëlimtë të 1988-s, ose më saktë, në ditën e këputjes së frymës së tij, se liria kish qenë aq pranë. Aq pranë për të tjerët, por jo për të. Kur flitet kësisoj, duket se çdo fjalë për të tani sikur është një lloj shfajësimi ose plotësimi për humbjen e tij, në radhë të parë për humbjen fizike të parakohshme pas një jete të stërmundimshme, por njëkohësisht edhe për një humbje tjetër: ai s’arriti ta shihte lirinë, atë gjë për të cilën kish sakrifikuar së tepërmi.
Edhe personazhet – vrasës në veprat e Shekspirit shpesh pendohen, kane lekundje ne ndergjegje, ndërsa ata që kryen krimin ndaj H. Nelës, vazhdojnë të jenë të qetë, krenarë, pa bërë nji herë “oh”, për atë që kryen. Historia është e ftohtë dhe e ka regjistruar këtë mos-pendesë të tyre si shenja më e dukshme e mos-reflektimit…
Banda shtetërore s’shfaqi asnjihere pendesë për mbytjen e heretikut, anti-konformistit Havzi Nela. Prej 1993-it, janë bërë publikë emrat e atyre që u përfshinë me firmat e tyre në përgatitjen e krimit të madh për ekzekutimin e H. Nelës. Që nga ish-presidenti Alia me shpuren e Presidiumit të Kuvendit popullor, kryegjyqtari Abdiu, gjyqtarë e prokurorë, etj. etj. Pra, këta njerëz që iu turrën lirisë me mjete mesjetare n’atë kohë, vazhduan ta shijojnë lirinë në mënyrën më perfekte në Demokraci…
Prandaj, dita e sotme është njëkohësisht edhe apel për mos-harresën.
Fjalët e fundit të Martirit Havzi Nela para ekzekutimit:“I keq kam qenë dhe ashtu po shkoj. Të këqijat e mia i mora me veti. Kërkoj që të afërmit e mi të trajtohen mirë, mos të merren nëpër kambë. Kam nëntëqind e dhjetë lekë dhe kërkoj që këto t’u jepen të afërmve të mi, nanës”
Shënim i H. Nelës në fund të vjershës “Tirani ynë”:
“Të gjitha këto që shkrova deri këtu, me vjet të tana kanë qëndrue në tru dhe duke i përsëritë me vetveten, me kokë nën jorgan, ose në vende ku isha ma i vetmuem, kam mundë me i ruejtë në kujtesë. Gati gjysma janë krijue me mend, pa përdorë laps dhe janë rimue me anë të gishtave. Këto janë sidomos ato që janë krijue në biruca të Rrëshenit, kur u arrestuesh për së dyti dhe disa të tjera në Burrel. Kuptohet vetiu se këto që janë krijue pa laps e pa fletore, çalojnë dhe nga ana metrike, lanie anën tjetër artistike.
Në këto ditë që mora guximin t’i hedh në letër, sigurisht jam nxitue dhe për ma tepër duke hedhë sytë sa majtas-djathtas se mos kam tërheqë vëmendjen e shokëve që i kam fare pranë. Në këtë punë jam nisë ma tepër t’i hedh si material bruto dhe nuk kam pasë parasysh as anën gjuhësore. Gjuhën letrare nuk e kam zbatue, herë tosknisht e ma shumë gegnisht; nuk kam pasë parasysh as anën ortografike dhe shenjat e pikësimit, etj. Shkurt, due që ta shpëtoj si material, se do të përpiqem, po munda me i nxjerrë jashtë, se u lodha së mbajtuni në mendje…
Poezi nga HAVZI NELA
NË QELIT’ E BURGUT
Në qelit’ e burgut pa ajër e pa dritë,
Fryma po më merret, m’janë terrue sytë.
Po dergjem i mjeri, mbahem, rroj me shpresë,
Jeta m’u randue, dëshirë nuk kam të vdes.
Mishnat po shkallmohen, kockat më kërcasin,
Barkun gjithmonë unshëm, policët bërtasin.
Pres t’afrohet ora, pres të hapet dera,
Pres t’më sjellin ngranjen si kafsha e mjerë.
Unshëm ulem ha, ma unshëm kur çohem,
Nuk qahem pse soset, skamjes s’i nënshtrohem;
I nënshtrohem ligjit, jetoj me rregulloren,
Dhe po t’jesh lypsar s’ke kujt t’ia shtrish dorën.
Dit’ e net i mbyllun si zogu n’kuvli,
Për shtrojë e mbulojë me tri batani!
Batani të vjetra, as njena as tjetra,
Gjith pluhun e llum, janë ma trashë se letra.
Kur vjen orë e gjumit, kur shtrihem me fjetë,
Mendja m’arratiset, shpërndahet si retë,
Po merr fushat, malet, ikë më le mue t’zinë
Fluturon e s’ndalet, s’e duron robninë.
Sa n’nji krah në tjetrin, ikë nata, kalon,
Mpi e fort ligshtue, polici më zgjon!
Lind nji ditë e re krejt si ditët e tjera,
Unë shpend i ngujuem, pres të hapet dera.
Ah, kjo derë e randë, kjo qeli kobare!
Ma cfilitën trupin, zemra s’ndihet fare;
Me durim përgjoj kur do t’ma hapin derën,
Po e pres lirinë si zogu pranverën!
FRYMA E HELSINKIT
Kështjella feudale tundet e lëkundet
Si nji varkë e thyeme mbi valët përkundet;
Tirani mizor me detin sot po mundet
Thellë, gjithnji ma thellë n’mes dallgëve po futet.
Fryma e Helsinkit u derdh porsi era
Na përkëdheli zemrat, çeli si pranvera;
Këtu në votrat tona futi gaz e shpresë
Na zgjoi afsh e vrull, ndoshta nuk do vdesë!
NË HETUESINË E RRËSHENIT (1975)
Hetuesi përballë H. Nelës.
Them “Hetuesi përballë H. Nelës”, sepse është H. Nela ai që dikton idetë e veta.
Hetuesi vetëm pyet dhe s’është në gjendje ta kundërshtojë n’asnjë rast. Nje hetues i zbehtë, anemik që parashoh se mund të ketë pasë marrje të shpeshtë fryme n’ato që thoshte H. Nela.
Proces – verbal
Në qytetin e Rrëshenit, me datën 3 korrik 1975
Unë, Shaban Dani, hetues në degën e P. mbrendshme, Mirditë, mora në pyetje të pandehurin Havzi Nela.
PYETJE: Na tregoni i pandehur Havzi se çfarë pikëpamjesh keni lidhur me sistemin socialist në vendin tonë?
PËRGJIGJE: Unë nuk jam në kundërshtim me sistemin socialist në Shqipëri, por unë kam disa mendime të mijat që i kultivoj e i ruaj e që ndoshta bijen në kundërshtim me këtë sistem. Unë kam për të thënë se, lidhur me fenë, ajo duhet të ishte lënë e lirë nga shteti për ta ushtruar populli, mos të merreshin masa kaq të forta që ajo të zhdukej, por partia të bënte propagandën e saj gradualisht.
Me një fjalë, unë jam njeri besimtar dhe besoj te feja.
Përsa i përket kolektivizimit të bujqësisë unë kam mendimin se është shpejtuar në zonën e malësisë, se atje është përdorur forca për t’i futur njerëzit në kolektivizim kur ata kanë kundërshtuar. Këtë e them se nuk ishte pregatitur ideologjikisht fshatari për ta kuptuar se çfarë është kolektivizimi dhe nuk kishte kushte ekonomike për t’u kolektivizuar, se vendi është i thyer, nuk mund të futet teknika moderne, fshatrat janë shumë të shpërndara e njerëzit humbasin kohë duke udhëtuar.
Përsa i përket rinisë, them ajo duhet të jetë më e lirë në drejtim të veshjes, të gustos së jetesës e mos t’i diktohet si të vishet e të qethet, por jam edhe me atë që të mos rrëshqasë nga tabani kombëtar i saj. Me kujtohet se në një rast pashë në një gazetë se në një uzinë, organizata e rinisë kritikonte një të ri për lënje të flokut të gjatë, më dukesh se nuk duhesh të ndërhyhesh deri atje për këtë çeshtje.
Përsa i përket standardit të jetesës, unë them se standard të mirë jetese kanë popujt e vendeve të Perëndimit si Amerika, Gjermania, Suedia, Franca e të tjera, këtë e them se njerëzit atje janë në gjendje të blejnë sende me vlerë të madhe si televizor, automobila e sende të tjera e bëjnë një jetë me të vërtetë luksoze e shëtisin nëpër vendet e tjera të botës. Po kështu, them se njerëzit në këto vende kanë liri të plotë, se atje edhe sikur të bëjnë demonstrata e kërkesa me karakter politik, ekonomik nuk i dënon njeri, ndërsa këtu është ndryshe. Gjithashtu atje njerëzit janë të lirë të shkojnë nga një vend në tjetrin pa ndonjë kufizim. Këtë e lidh edhe me atë se në Amerikë, një president zgjidhet me afat vetëm për 4 vjet, se atë mundet ta kritikojë cilido e nuk i thonë asnjë fjalë. Bile atë e nxorën edhe para gjyqit. Kësaj i thonë demokraci shumë e lartë për mendimin tim.
Të gjitha këto konkluzione e mendime unë i nxjerr nga studimet që kam bërë në literaturë që del në vendin tonë dhe në shtypin e përditshëm.
PYETJE: Na trego, i pandehuri Havzi Nela, se me cilët persona i ke biseduar këto pikëpamje tuajat në kampin e Spaçit?
PËRGJIGJE: Unë mundet t’i kem shprehur me ndonjë person në kamp këto mendime kur ka rënë rasti sepse nuk jam ruajtur për këtë punë, se për vete nuk i konsideroj agjitacion e propagandë për kundër pushteti, por personat konkretisht se me cilin mundet t’i kem biseduar nuk i mbaj mend. Unë kam qenë një person në kamp që kam gëzuar simpatinë e shumicës dërmuese e kam pasur muhabet të mirë me ta… Unë, mundet të kem bërë edhe biseda të tjera me të dënuar që tani nuk i mbaj mend, bile më kujtohet se ne diskutojshim shumë për daljen e Kushtetutës së re të Republikës Popullore të Shqipërisë që u tha në Kongresin e Gjashtë dhe unë isha shumë pesimist për këtë. E kam thënë se nuk ma merr mendja të dali dhe sidomos mbas tradhtisë së Beqir Ballukut
PYETJE: Çfarë ke biseduar për ekzistencën e pushtetit tonë popullor?
PËRGJIGJE: Unë nuk e kam biseduar me ndonjë person për ekzistencën a mosekzistencën e pushtetit popullor. Unë këto llafe që mund të kem biseduar për mendimet e mija siç e thashë nuk i konsideroj agjitacion e propagandë.
Unë, agjitacion e propagandë kundër pushtetit e konsideroj kur njeriu të ngrihet e t’u bëjë thirrje të tjerëve për përmbysjen e pushtetit. Unë kam dishruar e mundet të kem shprehur se ligjet e vendit tonë janë shumë të ashpra se të marrin jetën vetëm pse njeriu kalon kufirin dhe kam pasë shpresë se do të ketë ndryshime të ligjeve në favorin e të dënuarve; me rastin e 30 vjetorit të çlirimit kemi pritur se mos do të kishte edhe ndonjë falje…
9912/3-A, f.19-20
JETËSHKRIM I HAVZI NELËS
– U lind më 20 shkurt 1934.
– Kur qe vetëm nëntë vjeç i vdes baba; po në këtë moshë merr udhën e shtegtarit për arsye ekonomike dhe deri në vitin 1946 punoi si hyzmeqar nëpër disa shtëpi të Tiranës.
– 1943: Në revistën “Vatra Shqiptare”, botohet shkrimi “Po besa, qejf boll kam” (nënshkruar prej N. K.), ku portretizohet Havzi Kollovozi (Nela), asokohe fëmijë nëntë vjeçar, ku “me të ardhur në Tiranë vendosi të bëjë dy punë bashkë, të punojë dhe të vejë në shkollë”.
– 1946 deri më 6 tetor 1948: Ndjek shkollën në Kukës (nxënës konviktor me bursë shteti)
– Arratiset në Kosovë tek të afërm të vet, vazhdon shkollën dhe qëndron aty deri më 9 qershor të vitit 1949. Kthehet dhe punoi në bujqësi deri në vitin 1950.
– Shkon në shkollën pedagogjike Shkodër, por e ndërpret për arsye ekonomike.
– Punon arsimtar në Plan – Klos (Mat) deri në mars të vitit 1953; kërkon transferim, por e pushojnë nga puna. Kthehet në vendlindje dhe merret me bujqësi deri në nëntor 1953.
– 20 nëntor 1953 deri më 13 nëntor 1955: kryen shërbimin ushtarak.
– Janar 1956: mësues në Lojme.
– 1957: në Shishtavec, përgjegjës i sallës së leximit.
– Fundi i vitit 1958: shkon në gjimnazin e rezervave të arsimit (Tiranë), ku diplomohet në arsimin e mesëm; kthehet dhe punon mësues në shkollën 7-vjeçare Shishtavec dhe njëkohësisht vazhdon shkollën e lartë me korespondencë.
– 1963: transferohet nga Shishtaveci në Surroj; refuzon, e dërgojnë mësues në Krumë ku punon vetëm pesë muaj.
– 1963: mbas kthimit nga Kruma, mësues në Topojan deri në paraditen e 26 prillit 1967.
– 22 prill 1967: në Shishtavec reagon ndaj kërkesave të regjimit për prishjen e kishave dhe xhamive, futjen në kooperativë bujqësore dhe ndërrimin e veshjes (“…Populli asht i sëmurë, tri gjylpana menjiherë nuk e shërojnë, por e shkatërrojnë. Mungon edhe fjala e lirë dhe shtypi i lirë për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut… ”).
– 26 prill 1967: arratiset.
– 6 maj 1967: pala jugosllave e dorëzon në postën kufitare (Morin)
– 9 maj 1967: nis procesi hetimor.
– 22 maj 1967: dënohet me l5 vjet heqje lirie dhe konfiskim të pasurisë, ndërsa bashkëshortja e vet me 10 vjet heqje lirie.
– 8 gusht 1975: ridënohet me 8 vjet heqje lirie.
– Në harkun kohor: 1967- 1986, kalon nëpër kampburgje të ndryshme (Elbasan, Vlorë, Spaç, Rrëshen, Burrel, Ballsh, Qafë-Bari).
– shkurt 1983: i vëllai (Sh. Nela) nxjerr nga kampburgu i Qafë-Barit 6 fletore me poezi të H. Nelës.
– 19 dhjetor 1986: lirohet nga burgu.
– 12 tetor 1987: internohet në katundin Arrën.
– 1 janar 1988: i vëllai (Sh. Nela) merr në Arrën një fletore me poezi nga H. Nela.
– 13 qershor 1988: largohet nga internimi.
– 15 qershor, ora 5.00 e mëngjesit – në Brekijë, konfliktohet me shpurën ndjekëse; e arrestojnë.
– 15 qershor, ora 9 e paradites: e dorëzojnë në Degën e punëve të brendshme të Kukësit; po në këtë ditë nis procesi hetimor.
– 21 qershor: mbyllet procesi hetimor.
– 22 qershor, ora 10.00 e paradites: formulohet vendimi për dënimin kapital në Gjykatën e Kukësit (dënim i paracaktuar).
– 24 qershor: zhvillohet gjyqi dhe në orën 16.00 shpallet vendimi, ku dënohet me dënim kapital “me vdekje, me litar”.
– 25 qershor: bën ankim pranë Kolegjit penal të Gjykatës së lartë ku kërkonte drejtësinë që i takonte.
– 16 korrik: Këshilli penal i Gjykatës së Lartë lë në fuqi vendimin e Gjykatës së rrethit Kukës.
– Fillimgusht: Presidiumi i Kuvendit Popullor miraton vendimin për ekzekutimin e H. Nelës.
– 10 gusht, ora 03.30: H. Nela thotë fjalën e fundit.
– 10 gusht, ora 11 e paradites: trupi hiqet nga vendi i ekzekutimit dhe mbyllet në magazinën e policisë.
– 11 gusht, ora 0l mbasmesnate: trupi futet në tokë, në një gropë shtylle.