Dëshmia e Shukri Nelës, vëllait të poetit martir
Po përcjellim ekskluzivisht për Tirana oObserver, dëshmitë e Shukri Nelës: Si u nxorën nga kampi i Qafë-Barit fletoret me poezi të Havzi Nelës.
Shukri Nela (i vitlindjes 1939), i vëllai i Havzi Nelës, gjeti mundësinë dhe në shkurt të 1983-it, nxori 6 fletore me poezi të Havziut prej Kampit të Qafë-Barit. Ruajtja e fletoreve prej tij është një odise më vete. Ndërsa, ajo çka ruhet sot prej Martirit Havzi Nela, është pak, shumë pak, kur dihet se vriste trurin në mënyrë të pandalshme. Përveç humbjes fizike, kjo është pa dyshim një humbje tjetër e madhe. Kanë mbetur copëza rrëfimesh të bashkëvuajtësve të tij për të. Por kanë shpëtuar 6 fletore me poezi të viteve të burgut dhe një e vetme në kohën e internimit, një pjesë e letrave, ose letrat që çuditërisht kapërcyen ferrin. Janë mbledhë andej-këndej rreth 50 foto të tij, si dhe fotoja e fundit, realizuar në hetuesinë e Kukësit, do kohë para se ta ekzekutonin me varje me 10 Gusht 1988. Kanë humbur, ose të paktën nuk janë gjetur deri tani, shkrimet që kishte marrë me vete në Prizren në arratisjen e 67-s, siç ka humbur edhe romani Jeta e zezë, i shkruar në burgun e Burrelit, apo dhe një fletore me legjenda të përpunuara. Ndërsa, dosjet hetimore dhe gjyqësore janë gjithashtu një dëshmi tjetër ku mund të gjykojmë edhe mbi mendimet e tij rreth moralit të atij regjimi të jashtëkohshëm. / Petrit Palushi
Nga DËSHMIA E SHUKRI NELËS:
Mbas vitit 1967 jeta e Havzi Nelës kaloi prej dënimi në dënim. U arratis, e kapën dhe e dënuen, e kanë ridënue në Rrëshen në vitin 1975. Kur u lirue prej burgu, pa i mbushë dhjetë muej tamam e internuen në Arrën dhe ma nfund e ekzektuen me varje në vitin 1988
Ka qenë shkurt i vitit 1983, si fundi i shkurtit. Fundi i shkurtit. Ftohtë. Të përpinte i ftohti. Kam shkue me e takue në Qafë-Bari. Kam qenë bashkë me Hajdin Nelën, nji kushëri tonin. Në Qafë-Bari na thanë se Havziu ishte në Fushë-Arrës, në punë. Mbërritëm te do ndërtesa të rrethueme me tela me gjemba. U afruem aty dhe e pamë Havziun në anën tjetër, si nja dy metra afër telit me gjemba. I qeshi fytyra kur na pa. Sipas rregullave nji oficer na lejoi të futeshim në kampin e punës. U takuem me Havziun dhe mu duk ma i çeltë në fytyrë se herën e fundit kur e pata takue.
Pastaj, në prezencë të Havziut, në nji barakë oficeri më kontrolloi do rroba e ushqime që kisha marrë me ia dhanë atij; Hajdinit, oficeri i kishte thanë të rrinte jashtë. Pakëz më vonë, nuk e di si e qysh, por oficeri u menjanue pak dhe doli jashtë barakës. Havziu i kishte pasë do fletore nën fanellë, mbështjellë me beze. I nxori shpejt e shpejt dhe unë i futa në gji.
Më tha: Nuk i dihet frymës së njeriut. Këto fletore mos i mbaj me veti. Janë gjashtë copë. Me ti gjetë, ti dënohesh me njizet vjet, kurse unë në trikambësh. Ban vaki e të thotë dikush se a të ka lanë gja Havzi Nela, ti jetën tande fute në tokë, e mos kallzo! Ka dy javë që i mbaj fletoret me veti. Sot paska qenë orë e hajrit!.
Unë i premtova se do tia rueja si sytë e ballit. Ai u kënaq si me qenë tue u lirue prej burgu atë ditë. Mbas do kohe, erdhi oficeri, e pru Hajdinin te baraka dhe na tha: Keni kohë me ba muhabet jo ma shumë se nji orë, dhe doli.
Njana anë e barakës qe e hapun dhe hynte i ftohti. Koha prej nji ore kaloi shumë shpejt. Folëm e u shmallëm sa mund të shmallet njeriu për nji orë!
Mbasi u ndamë, kemi shkue në Shkodër dhe kemi bujtë në hotel. Unë fletoret i mbaja në gji. Erdha në shpi. Pa i kallëzue kujt se çfarë kisha marrë me veti. Bile as Hajdinit nuk i pata kallzue dhe i kam kallzue vetëm kur ra regjimi i mbrapshtë komunist.
Kam nisë me i lexue nji nga nji ato fletore, natën kur gjithë njerëzit e shpisë i merrte gjumi. Vajtim. Çfarë materiali! Me të futë të gjallë në tokë!
Te nji fletore kam gjetë kët shënim: I lutem atij që do të mund tia dorëzoj dhe që nuk di se kujt mund tia dorëzoj, të mi ruejë me shumë kujdes dhe asnjiherë të mos i mbajë pranë vetes. (Qafë-Bar, me 5 shkurt 1983). Kjo gja qe edhe njifarë amaneti për mue që më ranë në dorë fletoret.
Mbasi i kam lexue krejt fletoret, kam marre nji shishe të gjanë, i futa fletoret aty, mora nji tapë druni që të mos i hanin minjtë dhe ia vuna shishes. E hapa murin në dhomën ku flija dhe e futa shishen mbrenda në mur, e suvatova murin dhe sikur u lehtova pak. I tregova nanës, grues time dhe vllait, Asllanit. Kisha frikë se ndoshta vdisja unë, se jeta çfarë stë sjell, dhe të paktën ta dinin edhe këta të tre se ku ishte futë materiali i Havziut.
Kur shkova në Qafë-Bari me e marrë në dhjetor të 1986-s se i erdhi koha e lirimit (kam qenë me djalin, Agimin), sa u pamë, më tha:
- Nuk besoj se do shkojmë te shpija, sepse më lirojnë prej kësaj dere dhe më futin në nji derë tjetër.
- Hajt, more vlla, – i thashë, – ishalla ske me e pa ma derën e burgut!
U nisëm , bile hala pa mbërritë te shpija, më tha:
- O Shukri, a ma ke ruejtë materialin?
- Po, – i thashë.
- A i ke lexue vjershat?
- Po.
- A të pëlqyen?
- Fort. Po shumë e kishe vra mendjen, o vlla?
- O me e vra mendjen, o me vdekë! Po mkanë humbë edhe shumë materiale të tjera në burg. Skam mundë me i nxjerrë krejt përjashta burgut. Shpirti më digjet sidomos për nji roman që e kam shkrue në burg të Burrelit dhe që e kam pasë titullue Jeta e zezë. Të paktën, shyqyr që dola vetë i gjallë prej andej.
E kemi informue për shumë gjana.
Edhe kur doli prej burgu, nisi me u shprehë kudo, e kallëzonte pakënaqësinë e vet që kishte me regjimin. Bile, më kujtohet se nji shok i yni (Rexhep Ademi), i tha: Mundohu me e ndreqë jetën qysh të mundesh, por mos fol kaq haptë se ke me shkue dam. Dita nuk po i ngjan ditës.
Në nji rast më pat thënë: Do vijë dita e do hapen kufijtë, po ma ka ndje zemra se unë nuk do jem gjallë. Por, amanet krijimet e mia. I lutem Zotit me e gjetë atë njeriun në Prizren, Din Tërpunin, që ia kam lanë krijimet e mia në 67-n kur na kthyen mbrapsht. Por ajo që më ka prekë shumë asht se më ka humbë në burg të Burrelit edhe romani Jeta e zezë. Qyshdo me e vra mendjen, ato mendime që i kam hedhë aty nuk përsëriten.
Mbas do ditëve që u lirue ma pat kërkue materialin dhe e ka ruejtë në valixhe, te shpija e Asllanit. Nisi me punue në koperativë bujqësore. Dhjetë muaj ka ndejtë në katund se e internuan në Arrën. Valixhen më shumë e ka pasë në ruejtje Verja, vajza e Asllanit. Bile, edhe kur Havziu ka shkue në internim, Verja e ka pasë valixhen.
Në Arrën, në internim
Me 31 dhjetor të vitit 1987, unë me vllain, Asllanin, kemi shkue në Arrën, me kalue Natën e Vitit të Ri bashkë me Havziun. E dinim se nuk i jepte leje kush me ardhë në katund për Natën e Vitit të Ri, prandaj e morëm udhën e shkuem atje. Krejt punëtorët e sektorit ishin nëpër shpija të veta, se qe festë. Edhe drita skish pasë atë natë. Vetëm roja që ruente Havziun atë natë, me pushkë gjermane në krah, sillej afër barakës ku rrinte Havziu.
Folëm deri kah mesi natës, biseduam për çmos.