SHKRUAN:ILIR HASHORVA/ New York/
29 Nëntori përfaqëson dy ngjarje të rëndësishme për Shqipërinë: largimin e ushtrive gjermane dhe ardhjen në pushtet të komunistëve. Lufta është e mbushur me mistere dhe me mospërputhje mendimesh të studiuesve të saj. Periudha 45-vjeçare e sundimit komunist është më e qartë, ndonëse edhe për atë mendimet janë në vartësi të përkatësisë politike të atij që e analizon.
Ndër pjesët më të rëndësishme dhe më delikate me të cilën duhet të merret cilido studiues serioz dhe i paanshëm i historisë së Shqipërisë gjatë kohës së sundimit komunist, duhet të jetë analiza e terrorit dhe krimit të atij regjimi.
Ndonëse të gjitha sistemet një partiake quhen diktatura, vetë diktaturat janë aq të ndryshme prej njëra tjetrës, sa është gabim të përmblidhen të gjitha më të njëjtin emër.
“Poshtë diktatura!” – shpërthyen kudo thirrje kur regjimi komunist po binte, në një kohë kur asnjë nuk i dinte përmasat e vërteta të krimit të atij regjimi.
Nja njëzetë vjet të shkuara, gazeta e ish-të përndjekurve politikë, “Liria”, nisi të botonte emrat e të vrarëve nga regjimi komunist shqiptar. Nga numri në numër i gazetës, liste e të vrarëve zmadhohej, derisa arriti në mijëra emra. Shumë vonë, ndofta duke shfrytëzuar edhe të dhënat e kësaj gazete, “Qendra Shqiptare e Rehabilitimit të Traumës dhe Torturës”, nxori këto të dhëna që mund të quhen gjysmë zyrtare, për krimin komunist në Shqipëri, nga viti 1944 deri në vitin 1990:
Të ekzekutuar politikë: 5037 burra dhe 450 gra, gjithsej 5487 njerëz
Të vdekur nga torturat në burgje: 988 burra dhe 7 gra, gjithsej 995 njerëz (nuk përfshihen të vrarët që u munduan të kalonin kufirin nga toka apo nga deti).
Të ekzekutuar politikë dhe të vdekur nga torturat nëpër burgje, gjithsej 6482 njerëz
Të burgosur politikë: 26788 burra dhe 736 gra, gjithsej 27524 njerëz
Shtetas të huaj të dënuar: 1215 burra dhe 38 gra
Të internuar dhe të dëbuar: 50 000 pleq, plaka, burra, gra e fëmijë
Shifra tronditëse, megjithatë lehtësisht të harrueshme, pasi siç ka thënë krimineli nazist Adolf Ajhman: “një mijë vrasje janë tragjedi, një milion janë statistikë”. Kështu, kur numri i vrasjeve kalon një prag, ata që shtohen pas atij pragu nuk të bëjnë më përshtypje. Aq më tepër, kur jeton gjatë në një diktaturë kriminale, sikur mësohesh me të dhe të duken edhe vrasjet prej saj si të natyrshme e të pashmangshme.
Megjithatë, do të mundohemi të na bëjnë përshtypje shifrat e larta të vrasjeve nëpërmjet krahasimeve. Krahasimet do t’i bëjmë midis vrasjeve të kryera gjatë kohës së komunizmit, të udhëhequr nga “udhëheqësi i dashur i partisë dhe popullit shqiptar, Shoku Enver”, me ato të kohës së monarkisë, të udhëhequr nga “satrapi Zog” si dhe me ato të disa vendeve diktatoriale perëndimore.
Fillimisht, duhet thënë se periudha e Zogut karakterizohet nga përpjekjet për krijimin dhe konsolidimin e shtetit shqiptar, shtetin e një populli të pamësuar me shtet e me rregulla, por të mësuar me fise e kryetarë fisesh, me bajraqe e bajraktarë. Kjo shpjegon disa kryengritje të armatosura me karakter lokal, fetar e separatist që ndodhën në atë kohë, vrasje me motive personale, që trumbetoheshin si politike si dhe atentate të vazhdueshme kundër kryetarit të shtetit,
Zogut.
Periudha e komunizmit ishte ndryshe. Ajo ishte një periudhë kur shteti ishte konsoliduar dhe kundërshtimi i vetëm kundër tij ishte ai me karakter politik, gati pa kryengritje të armatosura, ose vetëm me një. Po ashtu, gjatë kësaj periudhe nuk u shënua asnjë atentat kundër kryetarit të shtetit, Enver Hoxhës. Është e kuptueshme që në kushte të tilla, ndërsa në kohën e Zogut goditjet kundër kundërshtarëve të regjimit do të duhej të ishin të ashpra e të shumta, në kohën e komunizmit ato do të duhej të ishin fare të buta e fare të pakta. Mjerisht, ndodhi e kundërta.
Gjatë periudhës së Zogut, nuk del të jetë dhënë asnjë dënim me vdekje për luftëtarë të ndërgjegjes, domethënë për persona që kanë menduar ndryshe, për persona që i janë kundërvënë regjimit me mendimin e tyre, me fjalën e tyre, me shkrimet e tyre, pra për arsye thjesht politike. Dënime me vdekje janë dhënë ose për kriminelë ordinerë, dhe të tilla ka pasur shumë, ose për persona që janë ngritur me armë kundër shtetit.
Përveç kësaj, asnjë nuk di dhe nuk përmend ndonjë kriminel të asaj kohe që të ketë keqtrajtuar apo të ketë torturuar të burgosurit, apo të internuarit, ndërsa për kohën e komunizmit numërohen mbi 300 kriminelë nga ata që janë marrë sistematikisht me torturimin çnjerëzor të të arrestuarve, të burgosurve dhe të internuarve. Një numër prej tyre që kanë ushtruar torturat barbare kundër kundërshtarëve të regjimit, apo të atyre që janë konsideruar si kundërshtarë nga regjimi, jepen në librin e Fritz Radovanit, “Një monument nën dhe” si dhe në librin e Agim Mustës “Gjëmat e komunizmit në Shqipëri”.
Dënimet me vdekje të dhëna gjatë kohës së Ahmet Zogut, vitet 1925-1939
Hyrja e Zogut në Tiranë, viti 1924
Zogu hyri ushtarakisht në Tiranë në fund të dhjetorit të vitit 1924 dhe rrëzoi qeverinë e Fan Nolit. Sipas Eqrem Bej Vlorës: “Më 24 dhjetor 1924, me 5000 deri 6000 vullnetarë shqiptarë dhe me 130 mercenarë rusë të bardhë, pas disa përpjekjeve me trupat qeveritare…, Zogu futet në Tiranë. Marrja e kryeqytetit dhe periudha e mëvonshme e organizimit të administratës nuk u turbulluan nga asnjë akti i vetëm i vërtetë dhune. Askush nuk u vra, askush nuk u arrestua. Kapot e revolucionit të qershorit ia kishin mbathur, ndërsa bashkëfajtorët e klasës së dytë dhe të tretë që kishin mbetur, bashkëpunëtorë prej oportunizmit apo prej frikës, nuk duheshin përdorur si tabelë qitjeje për fajet e të tjerëve. Ky ishte një nga parimet e urta të Zogut”. Ndërsa biografi i Zogut, Jason Tomes, shkruan: “Amnistia e parë u bë në prill të vitit 1925 (domethënë 4 muaj pas përmbysjes së qeverisë së Fan Nolit). Me të iu dha falje gati të gjithëve, me përjashtim të figurave kryesore të emigruara. Disa, madje, e rifilluan karrierën e tyre politike si të bindur të Zogut”. Edhe Arben Puto, një historian antizogist dhe i ideologjizuar deri në palcë me ideologjinë komuniste, një nga ata që kërkojnë me bishtuk në dorë se mos gjejnë ndonjë cen a akuzë të re ndaj Zogut, në librin e tij “Shqipëria Politike 1912-1939”, nuk është në gjendje të japë qoftë edhe një emër të vetëm të ndonjë personi të vrarë me gjyq apo pa gjyq gjatë hyrjes së Zogut në Tiranë në dhjetor të vitit 1924.
Kryengritja e Dukagjinit, 20 nëntor – 5 dhjetor, viti 1926
Kryengritja e Dukagjinit ishte me karakter separatist dhe fetar. Frymëzuesit kryesorë politikë të lëvizjes ishin Hasan Prishtina e Mustafa Kruja, ndërsa organizatorë ushtarak ishin prifti dom Loro Caka dhe oficeri Ndok Gjeloshi. Dom Loro Caka, kishte dërguar në muajin shtator 1926 oficerin Spiro Kosova te kolegu i tij dom Aleksandër Dredhaj në Shkodër, me porosi që gjithë priftërinjtë e atij qarku, ndër të cilët gjendej edhe prifti deputet dom Gjon Gazulli, të mobilizoheshin për kryengritje të përgjithshme. Në kryengritje u përfshinë mbi 1000 malësorë. Luftimet qenë të ashpra. Nuk dihet me saktësi numri i atyre që u vranë gjatë saj. Zogu e shtypi kryengritjen. Ai burgosi rreth 700 veta dhe dënoi me afate të ndryshme burgimi 222 veta. Gjyqi Politik dënoi 30 udhëheqës të kryengritjes me vdekje, nga të cilët 15 veta në “mungesë”. Në përfundim, të dënuarit me vdekje u falën gati të gjithë dhe të dënuarve me burgime të ndryshme iu ul dënimi. U krye vetëm një ekzekutim me varje i priftit Gjon Gazulli, jo sepse ishte udhëheqësi kryesor i kryengritësve, por sepse ishte deputet i parlamentit shqiptar, pra një person që duhej të bënte luftë demokratike dhe jo luftë me armë.
Organizata e Vlorës, viti 1932
Në verën e vitit 1932, u krijua një grup antiqeveritar në Vlorë i cili financohej nga konsulli jugosllav në atë qytet, me qëllim organizimin e një grushti shteti. Grupi u kap dhe gjykata dha për 7 veta dënime me vdekje, 12 dënime me burgime të përjetshme dhe 15 dënime me 15 vjet burg. Të gjithë të dënuarit me vdekje u falën dhe pak më vonë u amnistuan të gjithë të tjerët.
Rebelimi i zonës veriore, 1-8 janar, viti 1935
Rebelimi u krye kundër qeverisë së Tiranës nga rreth 2000 veta, të udhëhequr nga Muharrem Bajraktari dhe Gjon Marka Gjoni. Në këtë kohë, Zogut i bëhet një atentat dhe largohet për në Durrës. Për shtypjen e rebelimit, Zogu ngarkoi Musa Jukën. Ky çoi 4 batalione në Kukës ku ishte qendra e kryengritjes. Pati një numër të vrarësh nga të dyja palët. Pas shtypjes së rebelimit, Muharrem Bajraktari u largua për në Jugosllavi. Nuk ka të dhëna për të dënuar me vdekje.
Kryengritja e Fierit, 14-15 gusht, viti 1935
Kryengritja e Fierit u drejtua nga një organizatë e fshehtë e krijuar në vitin 1934 në Tiranë. Në të bënin pjesë ish-oficerë, bejlerë që kishin konflikte me Zogun, tregtarë, nëpunës, komunistë etj. Në vitin 1935, organizata vendosi të niste kryengritjen. Plani ishte që ajo të shpërthente në Tiranë e pastaj të përhapej në pjesën tjetër të vendit, por ajo shpërtheu vetëm në Fier, prandaj mbeti në histori me emrin Kryengritja e Fierit. Organizatorët e kryengritjes ishin Musa Kraja, zëvendës rrethkomandant i xhandarmërisë së Fierit, Kostë Çekrezi, anëtar i organizatës së Vlorës, Riza Cerova (komunist i ardhur nga Bashkimi Sovjetik), Zenel Hekali (arsimtar), Hekuran Maneku, Mustafa Kaçaçi etj. Më 14 gusht, xhandarmëria e Fierit dhe fshatarë të zonave përreth shtinë në dorë Fierin. Po atë ditë xhandarët kryengritës vranë gjeneral Gilardin, Inspektorin e Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare, i cili po kalonte rastësisht në qytet. Mbi 200 kryengritës u nisen për të marrë Tiranën. Në Lushnjë ata u ndeshen me forcat qeveritarë dhe u shpartalluan. Në tërheqje e sipër një pjesë e tyre u vranë, ndërsa të tjerët u kapen.
Komunisti Riza Cerova pas disfatës, u tërhoq në male ku u plagos dhe vdiq.
Pas rebelimit u zhvillua gjyqi. U dënuan shpejt e shpejt dhe u pushkatuan të 11 xhandarët që kishin vrarë gjeneral Gilardin si dhe u dënuan me vdekje edhe 42 veta të tjerë. Të gjithë këta u falën me përjashtim të Hekuran Manekut i cili u pushkatua.
Kryengritja e Delvinës, 15-16 maj, viti 1937
Kryengritja e Delvinës ndodhi si pasojë e prishjes së marrëdhënieve të Et’hem Totos, ish-ministër i Brendshëm i Zogut, dhe Ahmet Zogut. Ethem Totoja dhe vëllai i tij Ismet Totoja bënë për vete xhandërmarinë dhe një pjesë të popullsisë. Në Gjirokastër, ata hapën burgun dhe së bashku me të burgosurit sulmuan Vlorën. Rrugës për në Vlorë, ata u ndeshën me forcat qeveritare, u thyen dhe u tërhoqën të shpartalluar. Gjatë përleshjes, Ethem Totoja u plagos dhe, për të mos u dorëzuar, vrau veten. Nga kryengritësit, 4 veta u dënuan me vdekje, 4 me burgim të përjetshëm dhe 140 me dënime më të vogla. Me vdekje u dënuan: Ismet Toto (me varje, pasi qe civil) dhe me pushkatim ushtarakët: kapiten Ismail Gjylbegu, nëntoger Xhelal Shtëpani, kapter Ramadan Braka.
Gjithsej, pas kryengritjeve të armatosura kundër qeverisë së Ahmet Zogut, del të jenë dënuar me vdekje dhe të jenë ekzekutuar 1 në kryengritjen e Dukagjinit, 12 në kryengritjen e Fierit dhe 4 në kryengritjen e Delvinës: gjithsej 17 veta. Le të shtojmë këtu edhe vrasjen gjatë kryengritjes së armatosur kundër qeverisë të Bajram Currit dhe bëhen 18 veta.
Le të shtojmë edhe vrasjet që i atribuohen Zogut: të Hasan Prishtinës, Avni Rustemit e Luigj Gurakuqit dhe bëhen 21 veta. Nuk ka të dhëna për dënime dhe ekzekutime të personave të tjerë si kundërshtarë politikë.
Në qoftë se ndonjë nga ata që kanë studiuar periudhën e Zogut di të ekzekutuar të tjerë për qëndrime politike antizogiste, është i lutur t’ia shtojë numrit prej 21 personash. Nga komunistët kryesorë të burgosur dhe të dënuar gjatë regjimit të Zogut nuk figuron asnjë i dënuar me vdekje: as Ali Këlmendi, as Qemal Stafa, as Zef Mala, as Vasil Shantoja, as Tuk Jakova, as Emin Duraku, asnjë.
Akuzat që i bëhen Zogut për vrasjen e disa personaliteteve të kohës si Avni Rustemi, Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina e ndonjë tjetri janë të pavërtetuara dhe nuk mund të pranohen nga asnjë historian serioz si fakte reale. Stërnipi i Hasan Prishtinës, Mehmet Prishtina, në një intervistë dhënë Zërit të Amerikës, në mars të vitit 2014, thotë:
“Për mua është fatkeqësi që Hasan Prishtina dhe Ahmet Zogu nuk kanë shkuar mirë. Ahmet Zogu akuzohet se ka vrarë Bajram Currin, Luigj Gurakuqin dhe Hasan Prishtinën. Por, nga fakti se Hasan Prishtina ishte i dënuar gjashtë herë me vdekje nga perandoria osmane, nga mbretëria serbo-kroate-sllovene, nga Esat Pashë Toptani dhe nga Ahmet Zogu dhe se Ibrahim Çelo i bëri atentat Hasan Prishtinës pas dy javëve qëndrim në Selanik si mysafir i tij dhe se në xhepin e tij u gjet një pasaportë serbe, të krijon shumë dyshime. Sot është koha e unitetit dhe duhet të kërkohen dokumente dhe akuzat të bëhen me fakte, sepse pa fakte s’mund të bëhen akuza”.
Ndërsa Halit Aga, nipi i Osman Balit, i njeriut më të afërt i Esat Pash Toptanit, i atij që thuhet se organizoi vrasjen e Avni Rustemit, shkruan se Ahmet Zogu iu lut për dy javë rresht gjyshit të tij, Osman Balit, që mos e nxiste atentatin kundër Avni Rustemit (Gazeta “Dielli”, 2 nëntor 2014). Nga antizogistët, pretendohet se Zogu organizoi vrasjen e Avni Rustemit, sepse Avni Rustemi i kishte vrarë dajën, Esat Pashën. Por, kur Zogu nuk vrau atentatorin e tij, Beqir Valterin, si do të vriste Avni Rustemin, për të marrë hak për dajën me të cilin edhe nuk shkonte mirë?!
Atentati kundër Zogut në Shqipëri, viti 1923
Më 24 shkurt të vitit 1923, kur Zogu po ngjiste shkallët e parlamentit shqiptar, Beqir Valteri, anëtar i “Bashkimit të Shqiptarëve të Rinj”, organizatë e krijuar prej Avni Rustemit, tentoi të vrasë Ahmet Zogun, duke qëlluar tri herë mbi të. Zogu u plagos, atentatori u kap. Ai foli për hollësitë e atentatit dhe implikoi në të Avni Rustemin. Beqir Valterit iu fal jeta nga Zogu dhe, më vonë, duke përfituar nga trazirat e vitit 1924, u arratis nga Shqipëria. Ai u kthye në vitin 1939. Në vitin 1945 u dënua me vdekje nga Gjyqi i Parë Special Komunist i Tiranës dhe u ekzekutua.
Atentati kundër Zogut në Vjenë, viti 1931
Si ekzekutor për kryerjen e atentatit të Vjenës, me pëlqimin e organizatorëve të tij, Hasan Prishtinës dhe Mustafa Krujës, u zgjodhën Ndok Gjeloshi dhe Azis Çami, dy ish oficerë të xhandarmërisë shqiptare.
Gjeloshi, pas kthimi të Zogut në pushtet në vitin 1925, u arratis në Jugosllavi dhe u bë anëtar i grupit të “Bashkimit Kombëtar”, një organizatë të mërguarish shqiptarë që kërkonte me çdo kusht rrëzimin e Zogut. Në nëntor të vitit 1926, së bashku me Dom Loro Cakën organizuan dhe udhëhoqën kryengritjen antizogiste të Dukagjinit.
Të dy atentatorët, nuk e goditën dot Zogun, por vranë adjutantin e tij, Llesh Topallaj. Atentatorët u kapën nga policia austriake, u nxorën në gjyq dhe u dënuan me burgim: me 7 vjet Ndok Gjeloshi dhe me 3 vjet Azis Çami.
Ndok Gjeloshi u kthye në Shqipëri pas pushtimit të saj nga Italia, mori pjesë në milicinë shqiptare dhe u bë major. Në pranverë të vitit 1943, në fundin e bulevardit kryesor të Tiranës, në rrugën pranë stacionit të trenit, atentatori antizogist Ndok Gjeloshi u vra nga një atentator tjetër, nga atentatori komunist Lym Keta.
Dënimet e dhëna gjatë kohës së Enver Hoxhës në raste të ngjashme
Hyrja e partizanëve komunistë në Tiranë tetor – nëntor 1944
Gati pas plot 20 vjetësh të hyrjes ushtarakisht të Zogut në Tiranë, gjatë së cilës nuk u vra asnjë person, në vitin 1944, partizanët e Enver Hoxhës u futën në Tiranë dhe thanë se e çliruan Tiranën. Sipas listave të përpiluara nga agjentët e famëkeqit Front Demokratik nëpër lagje, në periudhën 24 tetor-16 nëntor 1944, u arrestuan qindra dhe u pushkatuan pa gjyq nga partizanët komunistë, pa asnjë lloj faji, sipas Gogo Nushit, 60-100 persona. Kufomat e dymbëdhjetë vetave të pushkatuar në këtë kohë u gjetën në hotelin “Bristol”. Pas rënies së komunizmit, ashtu siç i qe vënë më parë një rruge në Tiranë emri “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, i takonte t’i vihej edhe një rruge tjetër emri “Dëshmorët e 24-16 Nëntorit”. Kjo nuk ndodhi dhe nuk ka gjasa të ndodhë.
Kryengritja e Postribës, shtator 1946
Kryengritja e Postribës në Shqipëri në vitin 1946, thuhet se është e para kryengritje e armatosur antikomuniste në kampin socialist. Kryengritësit sulmuan Shkodrën, me objektiv rrëzimin e regjimit komunist. Kryengritja dështoi dhe u shtyp shpejt e me egërsi.
Sipas të dhënave të ndryshme, pas kryengritjes, përveç atyre që u vranë gjatë saj, u vranë pa gjyq 18 – 64 burra, fëmijë e të afërm të kryengritësve, ndërsa u burgosën e u internuan mbi 1200 persona, u dogjën dhe u sekuestruan shumë shtëpi e pasuri.
Masakra e Mirditës, 1949
Me 18 gusht të vitit 1949, mbi 2000 mirditore, burra e gra, u dërguan me përdhune ne vendin ku u vra Bardhok Biba disa ditë më parë. Para turmës sollën 14 burra mirditorë, krejtësisht pa lidhje me vrasjen, qe do t’i bënin kurban, pa i gjykuar.
Mbas fjalës se Mehmet Shehut, nen kërcënimin se do t’i nxirrte ujë te zi Mirditës dhe lumi Fan do te skuqej nga gjaku i mirditoreve, u ekzekutuan të katërmbëdhjetë mirditorët.
Edhe mbas këtij ekzekutimi masiv, orgjia e vrasjeve vazhdoi me tërbim. Sipas Nikollë Mëlyshit, ne librin e tij “Ngjarje historike”, botuar ne Detroit ne SHBA më 1976, te pushkatuarit pa gjyq gjate këtij operacioni, numërohen ne 37 veta. U dënuan me burgime te renda 80 persona dhe u internuan ne kampin e Tepelenës, 100 familje.
Masakra për bombën në Legatën Sovjetike
Në vitin 1951, në Legatën Sovjetike në Tiranë, u hodhën dhe shpërthyen disa kallëpe dinamit të cilat shkaktuan disa dëme materiale. Po atë ditë, Mehmet Shehu propozoi të pushkatoheshin shpejt e shpejt 10-15 veta. Në të vërtetë u pushkatuan 22 persona që nuk kishin asnjë lidhje me ngjarjen, midis të cilëve edhe një grua, Sabiha Kasimati, si dhe u dënuan me burgime të ndryshme 80 veta. Të gjitha familjet e të pushkatuarve u internuan.
***
Në Shqipërinë fashiste të Musolinit, në Shqipërinë e kohës së luftës, në Shqipërinë e pushtuar nga fashistët italianë, kishte disa herë më pak të burgosur nga ç’kishte në Shqipërinë komuniste “të lirë e të pavarur” të Enver Hoxhës
Sipas një studimi shumë të rëndësishëm të historianit Femi Sufaj, të vitit 2012 në fakultetin e historisë për marrjen e doktoraturës me temë “Sistemi i ndëshkimeve në Shqipëri gjatë regjimit komunist”, të cilit historianët e tjerë nuk ia kanë vënë shumë veshin, dalin disa të dhëna shumë interesante. Në vitin 1936, në Shqipërinë e Ahmet Zogut, kishte gjithsej 1875 të burgosur, gati të gjithë për krime ordinere. Më pas, në vitin 1942, në një vit lufte, në Shqipërinë e pushtuar nga Italia, në Shqipërinë fashiste, në Shqipërinë ku zhvillohej luftë e armatosur, kishte 2081 të burgosur, ndërsa 10 vjet më pas, në Shqipërinë komuniste, në vitin 1951, domethënë mbas “çlirimit”, kishte 7168 të burgosur, prej të cilëve 3331 të burgosur politikë. Shqipëria e asaj kohe, e drejtuar nga shqiptarët, ishte shumë më keq, shumë më represive, se Shqipëria e kohës së luftës e pushtuar nga fashistët italianë. Kjo e bën Vedat Kokonën të thotë në librin e tij autobiografik “Endur në tisin e kohës”: “Vuajtjet e popullit shqiptar nën pushtimin shqiptar janë të pakrahasueshme me ato të pushtuesve të huaj. Ato do të mbeten të paharruara në analet e historisë”. Ndërsa Rahman Parllaku, ushtarak i lartë gjatë regjimit komunist dhe pastaj i persekutuar prej atij regjimi, thotë: “Në këtë 70-vjetor, kur gjykojmë Enverin, duhet të gjykojmë se çfarë i solli diktatura popullit shqiptar. Diktatura i solli krime popullit shqiptar, në vend të demokracisë që iu premtua; i solli varfërinë në vend të bollëkut të premtuar fill pas luftës. E filluan me triska dhe e mbaruan me tallona”. (Gazeta “Sot”, 28 shtator, 2014)
Dënimet me vdekje të dhëna nga diktatura të tjera
Le të krahasojmë tashti dënimet me vdekje dhe vrasjet në Shqipërinë komuniste gjatë kohës së paqes, me vrasjet në vendet e tjera diktatoriale po në kohë paqeje.
Diktatura fashiste në Italinë e Musolinit
Në vitin 1926 Musolini rivendosi dënimin me vdekje për krime politike. Për këtë qëllim, ai ngriti “Gjykatën Speciale”. Për periudhën nga viti 1926 deri në vitin 1940, domethënë për periudhën 14-vjeçare para fillimit të luftës, sipas Hamish Mcdonald (“Mussolini and Italian Facsism”) nga ajo gjykatë janë dhënë, a e dini sa?, vetëm 7 dënime me vdekje për krime politike!
Dënimet më të shpeshte që jepte “Gjyqi Special” fashist ishin arresti shtëpiak, apo internimi deri në pesë vjet.
Diktatura naziste në Gjermaninë e Hitlerit
Pas gjykimit të disa personave që akuzoheshin për djegien e Raihshtagut dhe gjetjen e të gjithëve të pafajshëm, me përjashtim të njërit, më 24 prill të vitit 1934, Hitleri vendosi të ngrinte gjyqin special, “Gjyqin e Popullit”, që do të merrej me shpejtësi me krimet politike. Parimi mbi të cilin do të mbështetej Gjyqi i popullit ishte: “E drejtë është ajo për të cilën ka nevojë populli”, e përkthyer shqip do të thotë “Në emër të popullit”.
“Gjyqi i Popullit” në Gjermaninë Hitlerit në vitin 1934 dha 4 vendime me vdekje, në vitin 1935 dha 9 vendime me vdekje, në vitin 1936 dha 10 vendime me vdekje, në vitin 1937 dha 28 vendime me vdekje dhe në vitin 1938 dhe dha 17 vendime me vdekje. Gjithsej, për 5 vjet të kohës së paqes, ai gjyq dha 68 dënime me vdekje për krime politike. Dihet se nazistët përdorën edhe lloje të tjera vrasjesh që nuk kishin nevojë për punë gjyqesh, por, sidoqoftë, shteti ndruhej të jepte zyrtarisht dënime me vdekje.
Diktatura fashiste në Spanjën e Frankos
Në Spanjën fashiste të Frankos, nga viti 1940 deri në vitin 1975, domethënë për 35 vjet, janë ekzekutuar 165 dënime me vdekje.
Diktatura fashiste në Portugalinë e Salazarit
Portugalia e kishte hequr dënimin me vdekje qysh në vitin 1852.
Në vitin 1933, në Portugali u vendos ajo që u quajt diktatura fashite e Salazarit e cila zgjati deri në vitin 1974, pra për 41 vjet. Gjatë gjithë kësaj periudhe nuk është dhënë asnjë dënim me vdekje për asnjë lloj krimi.
Diktatura raciste në Afrikën e Jugut
Regjimi racist i Afrikës së Jugut për bindje të ndryshme nga ato të qeverisë raciste, pra për krime thjesht politike, në një shtet, në atë kohë me rreth 20-30 milionë banorë, në rreth dyzet vjet të sundimit, që nga viti 1948 deri në vitin 1990, kur ai regjim ra, nuk ka vrarë asnjë person. Midis viteve 1961 dhe 1989, janë dënuar me vdekje dhe janë vrarë rreth 134 persona për krimin e rebelimit të armatosur kundër shtetit. Rreth 3500 dënime me vdekja janë dhënë për krimin ordiner të vrasjes, të përdhunimit, të rrëmbimit të personit, të grabitjes së armatosur, por jo për bindje politike të kundërta me ato të regjimit. Kur nuk u dënua me vdekje Mandela dhe bashkëpunëtorët e tij që kishin krijuar një ushtri antiqeveritare dhe kishin kryer sabotime të shumta, nuk mund të dënohej asnjë tjetër.
Diktatura fashiste në Kilin e Pinoçetit
Në Kilin e Pinoçetit, në periudhën 1973-1990, në një shtet me rreth 16 milionë banorë, u ekzekutuan rreth 3200 kundërshtarë të regjimit, por këto ekzekutime u kryen në ditët e para të grushtit të shtetit. Më pas nuk rezultojnë të dënuar me vdekje nga gjyqet e Kilit. Në 10-vjeçarin 1980-1990, në Kili u lejua liria politike.
Të gjitha të dhënat për dënimet me vdekje dhe ekzekutimet në diktaturat që përmendëm mund të verifikohen lehtësisht nëpërmjet internetit.
***
Nga krahasimet që bëmë del se numri i vrasjeve të kryera nga komunistë e Enver Hoxhës në Shqipërinë e quajtur Diktaturë e Proletariatit, ishin pakrahasimisht larg atyre që u kryen në kohën e Zogut dhe atyre që u kryen në vende perëndimore të quajtura diktatura, jo vetëm në shifra relative, por edhe në shifra absolute.
Në të vërtetë, të gjitha shtetet janë në njëfarë mënyre diktatura, sepse nuk ka shtet që të mos diktojë diçka nëpërmjet ligjeve. Por, diktim dhe diktaturë nuk do të thotë që shteti të vrasë ata që nuk janë në një mendje me të, ata që mendojnë ndryshe. Në qoftë se shteti vret ata, ai nuk është më thjesht një shtet diktatorial, por një shtet tiranik, një shtet terrorist, një shtet kriminal.
Shteti shqiptar në kohën e komunizmit, i cili vrau sa mundi nga ata që i mendonte si kundërshtarë, nga ata që mendonin ndryshe, ka qenë një shtet i tillë. Për këtë arsye, duke i dhënë përgjigje edhe pyetjes që shtruam në titull të këtij shkrimi, regjimi komunist shqiptar nuk mund të quhet thjesht diktatorial, por tiranik dhe kriminal dhe udhëheqësi i këtij regjimi nuk mund të quhet diktator, por tiran dhe kriminel.