Në mbledhjen e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së, kryesuar nga Daut Haradinaj, kryetar, u diskutua lidhur me situatën e sigurisë në vend, me theks të veçantë për sulmin mbi ndërtesën e Kuvendit, që ndodhi më 4 gusht 2016 . Lidhur me këtë çështje i ftuar për raportim ishte drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni.
Me këtë rast, Maxhuni fillimisht ka vlerësuar se situata e sigurisë në vend është e qetë dhe stabile, duke vënë në pah angazhimet konkrete të Policisë së Kosovës dhe duke përmendur rezultatet që ajo ka pasur në luftën kundër qenieve njerëzore, krimeve, korrupsionit, si dhe në parandalimin e akteve terroriste.
“Kemi arritur që të parandalojmë edhe incidente të karakterit terrorist, ndërkaq suksese kemi shënuar në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore”, tha Maxhuni.
Duke u përgjigjur në pyetjet e anëtarëve të Komisionit, incidentin e sulmit në Kuvend, Maxhuni, e vlerësoi si një incident tejet serioz dhe siguroi se Policia do të ndërmarrë të gjitha masat për t’i nxjerrë akterët para drejtësisë. Ai sqaroi se lidhur me këtë çështje kanë intervistuar disa persona.
“Ju siguroj se Policia e Kosovës me të gjitha kapacitetet e saj do të bëjë çdo gjë që të shkojmë drejt zbardhjes së këtij rasti. Të gjitha njësitë relevante të policisë janë të kyçura dhe 24 orë po punohet për ndriçimin e këtij sulmi”, tha Maxhuni, duke shtuar se arma e cila është përdorur mbi ndërtesën e Kuvendit nuk është ‘zolë’. “Jemi në bashkëpunim me Prokurorinë e shtetit dhe këtë sulm e kemi cilësuar si akt me element terrorist, si dhe do të trajtohet si i tillë”, tha Maxhuni.
Ai është përgjigjur edhe në pyetjet e anëtarëve të Komisionit, lidhur me incidentin në festivalin e birrës në Prishtinë, Beer-Fest, duke sqaruar se ka pasur një konflikt verbal dhe gjuajtje me armë gazi. Për të dyja këto incidente, tha se nuk ka vend për panik.
Veç tjerash, Maxhuni është përgjigjur edhe ni pyetje për çështje tjera, si atë të sigurisë në trafik dhe për armëmbajtje pa leje, ndërkaq, u përmend edhe fakti se për çështjen e sigurisë është e domodoshme pajisja me kamera vëzhguese në kryeqytet dhe nëpër qendra tjera rajonale.