Homazh për njeriun, homazh për poetin; duke kërkuar jetën e humbur në krijimtarinë poetike të Havzi Nelës
Agim SpahiuPo përcjellim shkrimin e poetit të njohur Agim Spahiu (1952-1993), për krijimtarinë poetike të Martirit Havzi Nela. Materiali është transmetuar fillimisht në Radio Kukësi, më 8 gusht 1993, pikërisht në prag të 5-vjetorit të mbytjes tragjike të Martirit Nela. Agim Spahiu, në Kukësin e Vjetër, në vitin 1967, ndiqte gjyqin obskurantist ndaj Havzi Nelës, ndërsa 21 vjet më vonë, me 10 gusht 1988 do ta shihte trupin e pajetë Martirit tek lëkundej në trikëmbësh, në Kukësin tjetër të rindërtuar për shkak të përmbytjes së Kukësit të Vjetër, mu tek Agjencia e automjeteve, ku siç shprehej Spahiu “banorët e këtij qyteti të largët, larg botës dhe njerëzimit, mbledhur në këtë ishull fatkeq, panë me sytë e tyre kërcënimin komunist në fundshekullin e njëzetë.” Janë dy përjetime të vrazhda të poetit Agim Spahiu. Por ai në këtë shkrim shpalon gjithashtu poezinë e Martirit Havzi Nela, me dhimbje dhe dashuri të madhe njëkohësisht. Siç mund të shkruajnë vetëm poetët e ndjeshmërisë së lartë./ PETRIT PALUSHI

HAVZI NELA, KËNGËTAR I LIRISË
Agim Spahiu
Havzi Nela, 1963Në fund të viteve gjashtëdhjetë, kur isha ende fëmijë, me vlagën e vargjeve të para poetike, ndodhi tronditja e madhe brenda qenies sime. U përpiva nëpër këmbët e njerëzve që vërshonin në sallën e shfaqjeve të shtëpisë së kulturës në Kukës të Vjetër për të parë atë gjë të pazakontë që po ndodhte në qytetin tonë, për të provuar tronditjen e madhe. Para meje, para të gjithëve në sallë, nuk luhej në skenë dhe në prapaskenë. S’ishte një numër estrade a një dramë, por po luhej tragjedia e njeriut me bindje të caktuara, e njeriut që kishte guxuar të kundërshtonte hapur regjimin komunist. Po luhej tragjedia e njeriut të pambrojtur nga askush, por që, tek gjithkush, mbillte farën e revoltës, të mundësisë për ndryshimin në jetën sociale. Një njeri i vendosur, trupvogël e hallkeq, me fjalë të qartë e të mprehtë si thikë, elokuent, i saktë, i urtë e i guximshëm, me mendime të reja e të dridhshme, i panënshtruar, mbrojtës gjer në fund i së vërtetës që kishte shpallur Havzi Nela.

Kështu më shoqëroi portreti i trimit, i mësuesit, i fisnikut që u ngrit në mbrojtje të dinjitetit të njeriut, më shoqëroi gjatë, gjatë… njëzet e një vjet, gjer në fillimgushtin e vitit 1988, kur banorët e këtij qyteti të largët, larg botës dhe njerëzimit, mbledhur në këtë ishull fatkeq, panë me sytë e tyre kërcënimin komunist në fundshekullin e njëzetë. Ishte një ditë e nxehtë, një ditë përvëluese dhe njerëzit kalonin vazhdimisht nga Agjencia e Automjeteve për të parë të varurin e ekspozuar. I varur, se mendonte ndryshe, i varur se guxoi t’i mbante lart bindjet e tij, i varur për disidencën e shpallur, i varur pse shihte mundësinë e çlirimit të shpirtit njerëzor. Ashtu, me kokën mënjanë, në gojën e litarit, i paprishur, i papërçudnuar, falë karakterit të tij të fuqishëm, trupi i tij i ftohtë tronditi gjer në mosekzistencë themelet e sistemit të kalbur. Mungonin vetëm gozhdët që ai të largohej si Krishti me mëkatet e njerëzimit në shpinë. Por, ç’mëkate po merrte ai? Nëse quhet mëkat kundërshtimi, nëse quhet mëkat mos’heshtja, disidenca e shpallur nëse quhet mëkat? Nëse quhet zgjimi i shpirtit njerëzor mëkat, le të ishin këto mëkatet e tij dhe mëkatet tona!

Shpirti i tij ishte fole e guximit.
Jo rastësisht në hyrje të këtij homazhi për njeriun dhe poetin Havzi Nela, theksova dy vargje të tij, vargje të cilat i prekim dhe i ndiejmë me kaq vonesë, vargje të cilat i bëjnë të pranishëm hapat e tij, zërin e tij, pavdekësinë e tij.
Po jeta, ku mbeti?
Nga ligjërimi i vitit 1967 në sallën e gjyqit e gjer në fillimgushtin e akullt të vitit 1988, në këtë hark humneror 21-vjeçar shtrihet mundi, përpjekja, tejjetesa, klithma, ajri i pakët e koromania e hidhët, loti dhe brenga, guximi, përpëlitja e njeriut që kundërshtoi hapur, shpresa e mësuesit se do t’i hapë prapë dyert e shkollës, fantazia e intelektualit që do ta publikojë nesër të vërtetën.
Ku mbeti jeta? Kush mund ta prekë? Ta hetojë? Ta bëjë publike? Mos vallë u zhduk si fryma e Havziut?
Ndoshta askush tjetër më mirë se poetët nuk mund të arrijnë të dokumentojnë jetën personale e shoqërore, por dokumentet e tyre janë disi të veçanta. Ato, s’mund të jenë shifra, procesverbale, por janë klithma shpirtërore që derdhen përmes vargjeve dhe ata që dijnë t’i lexojnë, prekin jetën, prekin klithmat personale dhe shoqërore të njeriut.
Kam përpara 7 fletore të Havzi Nelës, mbushur me shkrimin e kujdesshëm. Janë shkruar në kohë të ndryshme, në vende të ndryshme. Shumica prej poezive, siç shkruan poeti, janë mbajtur vite të tëra në kokë, pa u derdhur në letër…
Unë nuk marr përsipër në këtë homazh të shpalos jetën dhe veprimtarinë letrare të Havzi Nelës; ajo është e thellë dhe e gjërë dhe i fton të gjithë të japin kontributin e tyre më shumë për të nderuar vetveten se jetën që u fik e u ndrit për të gjithë.

Duke bërë publike disa arritje poetike, dua të sjell tek ju zërin e jetës që s’ka humbur, zërin e jetës që luftoi për të gjithë ne, në një kohë dramash e tragjedish makabre, mbjellë nga sistemi komunist. Arritjet më të spikatura në krijimtarinë poetike të Havzi Nelës, ofrojnë mundësinë e një poeti potencial, që diktatura ia preu ligjërimin. Poezia e tij është e drejtpërdrejtë, piskamë e një shpirti të ndrymë, që kërkon lirinë për të gjithë. Ajo ushton si një thirrje e papërsëritshme nga një gjoks i lodhur, por i pamposhtur.
Në poezinë “Eni të vajtojmë Shqipninë”, që mban shënimin: “Burrel, shkurt 1977” Havzi Nela duke thelluar arritjet më të mira të poezisë shqipe, sidomos ato të traditës, fqinjëron me “O moj Shqypni” të Pashko Vasës. Duke ndjerë dhe prekur Shqipërinë si një zonjë të rrëzueme, përmes personifikimit të njohur, ai do të operojë në detaje të kohës, me shtypjen e kohës, me përçudnimin fiziko-moral të kohës dhe me shpirtin e vet…
Për Havzi Nelën, e keqja është e humnershme, e prekshme dhe katastrofale.
Por, a e shohin vallë shqiptarët? A e prekin? A e ndiejnë? Ky dyshim e lodh poetin, ndaj është i detyruar t’u drejtohet më drejtpërdrejt, me një thirrje të hapur, për të prekur të keqen:
O Zot, çka apo heqim, çfarë na shohin sytë!
S’na gëzohet mbramja, as kur zbardhen dritë.
S’ka pse na tremb burgu, plumbi, as litari,
Kur na shkel me kambë, na zhagmit zuzari.
Jo, or jo, nuk durohen sarhoshët e marrë,
Banditët e vendit t’i shporrim sa ma parë!
Selin’ e përgjakun ta bajmë rrafsh me tokë,
Ngrehuni, o vllazën, ngrehuni, o shokë!
Dhe pas kësaj thirrjeje me shpresë, shkatërrim-ndërtimi, një moment dëshpërimi në poezinë “Le t’i mbylli sytë” (Burrel, 1977).
Mundësia për të shkatërruar dhe rindërtuar shqiptarët e rënë në zi, në heshtje, i duket e largët poetit, megjithëse jo e pashpresë, por i bindur se shpirtin e tij tash për tash e dëgjon veç vetvetja. Mblidhet në dinjitetin e burrit kryengritës dhe si akrepi që e ha vetveten kur e rrethojnë flakët, prapë kundërshton, kundërshton, kundërshton:
Ma mirë nga kjo botë të ndahem
Ma mirë krymbat le t’më hanë
Ma mirë gur e dhé të bahem
Kur i ligu nis më shan!
Ma mirë plis, lëndin’ a fush’
Ma mirë bar, kullotë bagëtie,
Ma mirë mos me m’njohë kërkush
Kur zuzarin kam mbi krye!
Ma mirë bota le të thonë:
“Vdiq i mjeri, shkoi me nder!”
Se i rrëzuem përgjithmonë,
Me më shkelë nji derr-beterr!
I gatuar me shpirtin e kundërshtimit ndaj së keqes shoqërore, me vizionin e qartë të së ardhmes botërore, shpirti i poetit, si vigan i ndrymë, pëlcet për gjendjen e mjerë të vendit tonë. Ky krahasim, mes botës pa kufi e Shqipërisë me klon e baltë, e bën të derdhet në poezinë “Shekulli njizet” (Rrëshen, 1975), ku në gjysmën e dytë të poezisë, mbizotëron sarkazma therëse për shkaktarët e gjendjes së popullit shqiptar:

Bota kufijtë po i sheshon
Kombet po ecin si dorë për dore
Ne tonin e kemi në tela, me klon,
I kemi mbyllur dyer e dritare!
Kombet po mësojnë nga njeni-tjetri
Qytetnimi ngjitet nalt e ma nalt;
Ne, të ndrydhun, presim ç’do t’na thot mjeshtri,
Në kohën moderne mbetëm në baltë!
Është me vend të ofrojmë një paragraf në prozë të poetit për krijimtarinë e tij. Edhe këto pak rreshta hedhin dritë mbi jetën e humnershme, të humbur, për sytë tanë:
Të gjitha këto që shkrova deri këtu, me vjet të tana kanë qëndrue në tru dhe duke i përsërit me vetveten, me kokë nën jorgan, ose në vende ku isha ma i vetmuem, kam mund me i ruejt në kujtesë. Gati gjysma janë krijue me mend, pa përdorë laps dhe janë rimue me anë të gishtave. Këto janë sidomos ato që janë krijue në biruca të Rrëshenit, kur u arrestuesh për së dyti dhe disa të tjera në Burrel.
Kuptohet vetiu se këto që janë krijue pa laps e pa fletore, çalojnë dhe nga ana metrike…

Veç këtij shënimi, herë-herë në fund të poezive, autori shënon: Në mendje, pa laps…
I bindur se këto vargje janë copat e shpirtit, janë vetë jeta e tij, autori lë amanet: “Lutemi atij që do t’ia dorëzoj dhe që nuk e di se kujt mund t’ia dorëzoj, të m’i ruajë me shumë kujdes dhe të mos i mbajë pranë vetes!”. “Të m’i ruajë me shumë kujdes”- thotë poeti, duke e ndjerë regëtimin e zemrës për çka po dorëzonte në duar të pasigurta. Ishte jeta që do të mbushej nga këto vargje, ishte jeta që do t’i thërriste së nesërmes me zërin piskatës të Havzi Nelës. E, në këtë kuptim, poezia e tij është një dialog sfilitës me të nesërmen që ai besoi se do të vinte shpejt në tokën e shqipeve.
Është një dialog sfilitës me nënën, me burgun, birucën, me terrin e ferrin, për të fituar gjithmonë ai, njeriu kryengritës, burri që zhveshi shpatën pa iu trembur syri.
“Po, o nanë, po”, që mban datën: Burrel, 1975 dhe shënimin: Në Birucë, pa laps e letër, është nga ato krijime që hedh dritë në fëmijërinë e poetit, të jetimit të rritur në dyert e botës:
Pusho, mos qaj, o nan’ e mjerë!
Ti me mue s’je kënaqun kurrë
N’merak e mall ke qenë përherë
Qysh i vogël dhe sot burrë!
Qysh nandë vjeç m’ke nxjerrë prej shtëpie
Jetim, pa baba, bukën m’e nxjerrë
M’shkule nga prehni prej vorfënie
Vetë jam rritun, derë më derë!
Tri ditë bashkë s’i bamë në votër
Shtëpia jonë nuk qeshi kurrë
Kurrë s’u ulëm në nji sofër,
Kurrë, o nana ime, kurrë!
Liria e munguar është lejtmotivi i Havzi Nelës. Atë do ta gjejmë në poemthin për vendlindjen, “I këndoj vendlindje sime”, në poezinë “Nuse më dhanë robninë”, e në shumë krijime të tjera, e sidomos në poezinë testament “Kur të vdes”:
Thoni: “Desh, kërkoi lirinë,
Si skifter në fluturim,
Provoi prangat, t’errtë qelinë,
Për të mjerët lëshoi kushtrim”.
Dashuria për Kosovën martire është e shprehur në një poemë disi rapsodike, ku poeti u drejtohet figurave historike, si Hasan Prishtina, Isa Begu, Idriz Seferi, Shotë dhe Azem Galica. Pikëllimi i tij për Kosovën do të shprehet në thirrjen e dëshpëruar:

Oh, të vranë Kosovë, në kasafortë të ndrynë,
Të shqyen korbat, në helm të mpinë,
Të skuqën me gjak, ta mbytën lirinë,
Lulen më të bukur, ku e ke sot rininë?
Jo rastësisht, poezinë më të bukur a më mirë, testamentin poetik të Havzi Nelës, e lashë për në fund të këtij vizatimi, që kërkon jetën e paprekur nga ne, në dy skajet e saj më të largëta: 1967-1988. Ndoshta, pikërisht këtu, në këtë testament poetik, tek poezia “Kur të vdes”, është shtrënguar gjithë filozofia e jetës së martirit. Jeta këtu lëviz me të tria përmasat: e shkuar, e sotme dhe e ardhme. E nëpër këtë vizion të qartë, megjithëse vdekja është e pranishme, jeta mbushet me lëngun e vet të përtëritjes:
Kur të mësoni se kam vdekë
Kur të thoni: “Ndjesë pastë!”
A e dini se çfarë kam hjekë,
Unë, poeti zemërzjarrtë?
I bindur se kreu një mision fisnik ndaj njerëzimit shqiptar, në vargjet pasardhëse bën një bilanc të qëndresës së tij, të luftës kundër mizorit e tiranit, kundër territ e tmerrit:
Thoni: “Dritën ai kërkoi,
E vet dritë nuk pa me sy”,
Thoni: “Për njerëzinë këndoi
E për vete mbajti zi!”
Thoni se e qorroi terri,
Thoni: “Dielli nuk e ngrohu”,
Thoni se e trishtoi tmerri,
Ai të shtypunit i tha: “Çohu!”.
Kur të vijë, të çelë pranvera,
Kur bilbili nisë me këndue,
Mbi vorr tim me gur’ e ferra
Nji tufë lule me ma lëshue.
A s’është kjo jeta e tij që ne nuk e prekëm për 21 vjet?
A s’është kjo llava e vullkanit njerëzor që vjen tek ne më e prekshme se gjithë jetët tona bashkë? Dhe të mos harrojmë se mësuesi, intelektuali, poeti Havzi Nela u nda prej nesh në mënyrën më mizore vetëm dy vjet para se era e re e lirisë njerëzore të frynte në gjithë Evropën e Lindjes… Dhe ne me lirinë e dëshiruar, së cilës i priu Havziu, të flasim pa frikë gjithçka ëndërrojmë e mendojmë, gjithçka dëshirojmë.
Dy vjet para se të jepte shpirtin diktatura komuniste, e prirë gjatë gjithë ekzistencës së vet të shkatërrojë inteligjencën shqiptare, masakroi njeriun liridashës, poetin, disidentin trim të Kukësit, Havzi Nelën, duke vënë kështu edhe një herë lakun në fytin e kulturës shqiptare.
Havzi Nela nuk është vetëm më i Kollovozit e i Kukësit, ai është martiri i Shqipërisë, këngëtar i lirisë, piskamë mbi diktaturë…