2016-08-10

Pajtimi Rusi/Turqi: A do bëhet kurban Maqedonia?


Fitim Dika
Shkruan:Fitim Dika 

Në 9 gusht 2016 u takuan për herë të parë presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan dhe kolegu i tij rus, Vladimir Putin. 

Takimi vjen në një kohë kur Turqia vazhdimisht ka kritikuar me tone të ashpra Berlinin, Vjenën dhe Brukselin dhe në kohën kur sankcionet perëndimore kundër Rusisë u zgjatën për gjashtë muaj tjerë për shkak të politikave në Ukrainën Lindore dhe aneksimin e Krimesë. Pas dështimit të Grushtit të shtetit në Turqi, 15 korrik, kjo e fundit është ndjerë e tradhtuar nga perëndimi që e akuzon për mbështetje të puçistëve në mënyrë të tërthortë duke strehuar imamin Fetullah Gylen. Perëndimi në anën tjetër gjithashtu ka ashpërsuar tonet ndaj Ankarasë dhe Moskës sa i takon lirisë së mediave, rrezikut të demokracisë, ku si fajtorë kryesorë janë dy presidentët e lartëpërmendur.
Maqedonia mund të bëhet kurban i Fuqive të Mëdha
Zhvillimet e fundit në arenën ndërkombëtare prekin në dy raste direkt gjendjen e Maqedonisë. Sëpari sa i takon marrëveshjes BE/Turqi rreth refugjatëve dhe përmirësimi i marrëdhënieve ruse-turko që do i jepte dritë jeshile ndërtimit të gazsjellësit ‘Turkish Stream’.
Kriza e refugjatëve mund të destabilizojë Ballkanin
BE është e lodhur nga refugjatët dhe nuk dëshiron më strehimin e tyre. I vetmi vend që pranoi numrin më të madh të tyre ishte Gjermania, ndërsa kur ishte koha për ti shpërndarë proporcionalisht azilkërkuesit sipas “Regullores së Dablinit” atë e refuzuan shumë shtete anëtare të BE, duke e shpallur automatikisht zhvleftësimin e saj. Megjithatë Gjermania e vetme, e ndihmuar pjesërisht nga Suedia, Franca dhe Austria e vijuan politikën e pranim strehimit të refugjatëve sipas politikës së famshme të kancelares Angela Merkel: Wir schaffen das (Do ia dalim). Por kjo rriti popullaritetin e fraksioneve ekstremiste të djathta ku kandidati Hofer në Austri mori rreth 50 përqind të votave dhe tani me zgjedhjet e reja presidenciale ka mundësi fitimi, populistët e AfD në Gjermani po marrin terren gjithmonë e më tepër te të rinjtë me politikat e saj anti-emigruese, kundër refugjatëve dhe shpesh anti-Islame.
Këmbëngulja e Angela Merkel (CDU) për të vijuar strehimin e refugjatëve përkundër që edhe partia në koalicion CSU e Horst Seehofer i kishte kundërshtuar disa herë politikat e strehimit të refugjatëve duke i dhënë edhe ultimatume partisë së kancelares, përfundoi me mbylljen e korridorit ballkanik të mbështetur nga Austria, por edhe Marrëveshje Turqi/BE, ku BE do financonte Turqinë, ndërsa kjo e fundit duhet ti strehonte gjithë refugjatët dhe të mos lejonte largimin e tyre drejt perëndimit, duke i mbrojtur kufijtë e Shengenit.
Në këmbim të detyrave të shtëpisë dhënë nga BE për Turqinë, banorët e kësaj të fundit do fitonin liberalizimin e vizave. Por marrëveshja në fjalë nuk po gjen mbështetje dhe kjo si katalizator ka Grushtin e shtetit që arsyet i përmendëm më lartë. Turqia kërkon dënimin me vdekje, ndërsa Austria, Danimarka dhe një sërë shtetesh tjera kërkojnë pezullimin e bisedimeve BE/Turqi. Kjo do sjelltë automatikisht zhvleftësimin e Marrëveshjes rreth refugjatëve dhe më së shumti do prekte Ballkanin, pasi BE do mbyllte kufijtë për ta dhe nuk do i strehonte. Në këto kushte mund të kujtojmë citatin e Angela Merkel se “mbyllja e kufijve për refugjatët mund të shkaktonte një konflikt të ri në Ballkan”. Ky citat, qoftë i gabuar, do jetësohej nëse Turqia do lejonte shpërnguljen dhe arratisjen e refugjatëve drejt korridorit ballkanik.

Turkish Stream dhe politika pro-ruse e Gruevskit
Mediat e huaja si Der Standard kanë kohë që shkruajnë se një ndër konfliktet e krizës së gjatë në Maqedoni është konflikti mes Fuqive të Mëdha. Nikolla Gruevski dhe partia e tij konzervative VMRO-DPMNE mbështetet de fakto nga Rusia, ndërsa Zoran Zaev dhe partia e tyre e majtë SDSM, mbështetet nga SHBA e BE. Mediat maqedonase të afërta me qeverinë e kanë akuzuar shpesh ambasadorin amerikan J. Baily, ndërsa afërmendsh ambasada ruse ka përkrahur protestat qeveritare dhe ka folur kundër demonstruesve opozitarë, sipas së cilës janë të kontrolluar nga “forcat e jashtme” (kupto: perëndimi).
Pse Rusia dhe Perëndimi kanë interesa gjeostrategjike për Maqedoninë?
Natyrisht që Maqedonia është kryqëzimi i rrugëve ballkanike dhe kjo e fundit ura-lidhëse mes Lindjes dhe Perëndimit. Për të kuptuar më së miri këtë faktor, mund ti hedhim një sy projektit të gazsjellësit rus të quajtur ‘Turkish Stream’. Ajo është si alternativë e “Trans Adriatik” që gazi i Azerbejxhanit do furnizonte Evropën përmes Turqisë/Greqisë/Shqipërisë dhe do pavarësonte nga varësia ruse. Në pamundësi që Rusia të krijojë gazsjellësin ‘South Stream’, pasi Bullgaria nën presionin e BE-së nuk mund ta lejonte një gjë të tillë, Rusia ka menduar projektin tjetër ‘Turkish Stream’. Kjo e fundit krahas turizmit dhe centralit bërthamor të ndërtuar nga rusët në Turqi ishte pjesa kryesore e takimit Putin/Erdogan. "Pika më e rëndësishme e takimit ishte Turkish Stream," tha Putini në konferencën e 9 gushtit.

Turkish Stream do nisë nga Rusia, në provincën evropiane turke, do kalojë më pas drejt Greqisë, që për halle ekonomike është e gatshme të bashkëpunojë më Rusinë me një projekt fitimprurës, dhe prej këtu gazsjellësi duhet të vijojë drejt Italisë ose përmes Maqedonisë. Për nga Italia është vështirë të konceptohet pasi ajo do jetë nën presionin e Brukselit për ta evituar, por njëkohësisht do kushtonte mjaft rruga nga Korfuzi grek drejt Italisë, ndërsa Shqipëria pro-amerikane nuk do lejonte (hëpërhë) projektet në favor të Rusisë. Si mundësi më e favorshme shihet Maqedonia e Gruevskit, që e ka “nder të quhet mik i Putinit.” Kjo analizë mbështetet edhe nga e majta austraike Der Standard, që Maqedonia e Gruevskit nën hallin e dështimeve euro-atlantike mund të lidhet me Rusinë. Maqedonia nuk ka bërë hapa para as kundrejt integrimeve në BE dhe as nuk është anëtare e NATO.
Kryeopozitari Zoran Zaev e ka kundërshtuar projektin Turkish Stream, që të kalojë përmes Maqedonisë, që tani edhe më mirë mund të kuptohen konfliktet Lindje/Perëndim në Maqedoni.
Turqia dhe Rusia përmirësuan marrëdhëniet, pavarësisht se ata mund edhe të prishen në të ardhmen. Megjithatë në rast se marrëveshjet e tyre do respektohen, atëherë politika në Maqedoni duhet të sqarojë rrugën e saj pro-perëndimore dhe pro-ruse, përpara se të bëhet tepër vonë. Në këtë mes faktori politik shqiptar nuk duhet të jetë i fjetur dhe as të bëjë kurban popullin e vet, për shkak të politikave interne maqedonase ose të jashtme.

Një ridefinim dhe një sqarim i partive politike shqiptare në këto momente është detyrim, me shpresën që do jenë bashkë në interes të rajonit dhe politikave inkurajuese.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...