Nga Agron TUFA.
Prolog.
Krahasuar me kulturat e tjera kombëtare të vendeve ish-komuniste, Shqipëria është i vetmi vend, që vijoi pandërprerje trashëgiminë e komunizmit, jo vetëm në elitat politike drejtuese, por edhe në dijet disiplinare të sistemit shkollor, në shkencë dhe kulturë. Për më tepër monopoli në këto fusha të dijes shkollore, që formon perceptimet mbi historinë dhe kulturën, vijon të jetë i monopolizuar nga po ato protagonistë, qarqe e segmente, që i kanë shërbyer me zell propagandës shtetërore të diktaturës. Mund të themi me trishtim, që edhe sot, pas 24 viteve nga rënia formale e sistemit komunist njëpartiak, Shqipëria paraqet shembullin e një shoqërie ende të pazhbunkerizuar. Trashëgimia e pacënuar e diktaturës me personazhet e saj gjakatarë vetëpërtërihet në lirinë tonë kallpe me riciklimin e tyre në karrierë në të gjitha sferat e pushtetit politik e shoqëror, sidomos në lëmitë e dijeve humanitare.
Kurrikulat shkollore, që marrin bekimin e Ministrisë së Arsimit, ushqejnë po ato përfytyrime dhe bindje glorifikuese, që mbrojnë gënjeshtrën dhe propagandën e versionit komunist e socrealist mbi historinë dhe letërsinë, dy shkenca bazë në formimin botëkuptimor të brezave shkollorë. Simbolika e paprekur komuniste e rrugëve, institucioneve dhe shesheve publike derdh energjinë negative në përditshmërinë e sotme, si të ishim një vazhdim natyral i kohës së diktaturës. Gjithçka shkon krahas e në sinkron me filmat artistikë e dokumentarë të propagandës së PPSH-së, me këngët nostalgjike të Festivaleve në RTSH, me përnderimin e këngëtarëve, piktorëve dhe aktorëve të këtij repertori, aq sa të duket, se këtë shoqëri e mundon një mall torturues për t’u kthyer në ato vitë “të arta” të “parajsës” komuniste.
Nga ana tjetër, miksterët mediatikë dhe angazhimi hipokrit i politikanëve ia kanë mbërritur të ngjallin një sentimentalizëm derdimen gjithëpopullor. Nëse i shtojmë kësaj tabloje dhe gërr-mërret memuaristike të ish-veglave të diktaturës, që rrjedhin si përrenj të pistë në media, dhe thirrjet recediviste në kalendarët e festave komuniste, dhe histeritë nostalgjike në “jubiletë e vampirëve”, dhe argumentimet diplomatike për kotësinë e hapjes së dosjeve, atëherë na përftohet i plotë, kuadëri i një marrëzie kolektive. Shqipëria në këto 24 vjet as nuk e hap dot, as nuk e kall në dhe kufomën e komunizmit. Kjo kufomë është e pranishme më fort në tekstet shkollore/universitare; ajo gjallon në currikulat e përvitshme shkollore që ushqejnë altertekstet.
Ndryshe nga kulturat e vendeve ish-komuniste, në Shqipëri nuk është bërë e as që ka ndërmend të bëhet dekomunistizimi i teksteve dhe currikulave, sikundër s’ka ndërmend të bëhet as dekomunistizimi i hapësirës publike nga simbolet e komunizmit. Fëmijën dhe adoleshentin shqiptar, në procesin e formimit të tyre botëkuptimor, i mbështjell e i shoqëron një re e trashë mashtrimi e falsifikimi në lidhje me periudhën gjysëmshekullore të diktaturës. Siç e thashë më lart, dy janë disiplinat humanitare ku është ruejtur e vepron trashëgimia e komunizmit: letërsia dhe historia.
Letërsia
Në currikulat shkollore që bekon Ministria e Arsimit, riciklohen çdo vit korifenjtë e dogmës socrealiste, të sheqerosur si “poetë të dhimbjes njerëzore”, “të ndjeshmërive humane”, “therës e shpotitës të veseve”, “lirikë të ndjerë të natyrës”, “urtakë e meditativë”, “lirikë të dashurisë për fisin, kombin, njeriun” etj., a thua se kemi të bëjmë me gjyshe e gjyshër sentimentale e zemërdhembshur, kur fare mirë e dimë, se sa e sa breza janë rritur më poezitë, poemat, romanet e tyre himnizuese për partinë, për vigjilencën, për luftën e klasave apo për dënimin e sabotatorëve.
Në programet e përfshira në tekstet shkollore nuk thuhet asgjë rreth këtyre autorëve për veprat e tyre para vitit 1990, a thua se ata janë bashkëmoshatarë të “Generation Pepsi-Kola”! Kësisoj, kurrikulat shtetërore i kanë amnistuar njëherë e mirë këta bashkëfajtorë të diktaturës, por përkundrazi, i bëjnë etalonin e modeleve edukative! Nga ana tjetër është e pamundur të gjesh në këta cirrikula zyrtare krijimtarinë artistike të atyre autorëve që partia e drejtësia komuniste i pushkatoi, i burgosi, i internoi dhe i dënoi me heshtje të përjetshme. Me përjashtim të Kasëm Trebeshinës, të gjithë shkrimtarët e persekutuar e me fat tragjik, që mund të shërbenin me jetën dhe me veprën e tyre si modele të edukimit etik, estetik e qytetar, nuk janë përfshirë asnjëherë në kurrikula.
Përfshirja e tyre ka qenë e mundur të bëhej edhe në suazën e një kapitulli të veçantë të kundërshtarëve dhe disidentëve të komunizmit. Por jo, urdhëri është dhënë: në Shqipëri nuk ka pasur e s’mund, madje, të kishte disidencë! Atëherë ku duhet ta çojmë krijimtarinë e Dom Lazër Shantojës, V. Prenushit, Qemal Draçinit, Arshi Pipës, Astrit Delvinës, Trifon Xhagjikës, Genc Lekës, Vilson Blloshmit, Havzi Nelës, Zef Zorbës, At Zef Pllumit, Fatos Lubonjës, Bashkim Shehut, Fatos Lubonjës etj? Por jo! Letërsia është ndër mundësitë, ndoshta të vetme e të shpejta për të ndërtuar një perceptim antropologjik e estetik në shumën e dijeve shkollore në mbarim të gjimnazit. Prandaj ky aset duhet të jetë nën kontroll të plotë të atyre që e kanë patur e vazhdojnë ta kenë monopolin e teksteve dhe kurrikulave si dje, ashtu dhe sot. Pra, le të vazhdojmë me një version të trëndafiltë të po atij socrealizmi, tashmë të amnistuar.
Historia e shqipërisë pas luftës së dytë botërore
Shkenca e Historisë, veçanërisht në ato vende me të kaluar diktatoriale si Shqipëria, kërkon prej nesh një ballafaqim të hapët, diskret, të gjithanshëm, ashtu si shumë ngjarje të kyçura në kasafortat e arkivave, për t’u shpalosur fizionomia e krimit komunist. E vërteta nuk mund të flasë e shqyer në copa, në fragmente, e segmentuar në artikuj shtypi e as në një kërkim të përciptë dokumentash, që na shmang nga zanafilla e thelbi i krimit.
Në tekstet e panumërta zyrtare, madje edhe në ato shkollore, komunizmi del si një ideologji e sistem që ka ardhë në Shqipëri “me përkrahjen dhe pjesëmarrjen e masave të gjera në një revolucion gjithëpopullor, tok me luftën Antifashiste NÇL”. Se si ka ardhur komunizmi në Shqipëri dhe a ka pasur “përkrahje gjithëpopullore”, këtë, ndër shumë burime, na e mundëson edhe libri më i ri studimor i historianit Uran Butka me titull “Kryengritjet e para kundërkomuniste në Shqipëri” ( ISKK, 2013), nën dritën e dokumentave të kohës në arkivat e shtetit. Dhe këtu gjendemi para dimensionit të një dukurie sociologjike, sociopolitike e socioideologjike në raport me faktografinë e shpërfillur të studiuesve dhe mësimdhënësve në kurrikulat shkollore/universitare.
Përgjithësisht në historinë politike të vendeve të kampit komunist të pas Luftës së Dytë Botërore “Revolucioni hungarez” i vitit 1956 përmendet si Lëvizja, Kryengritja apo Rebelimi i parë politik antikomunist. Shkenca jonë historiografike harron, apo bën sikur nuk e di, se 11 vjet para Revolucionit Hungarez në Shqipëri ka ekzistuar organizimi më i lartë i kundërshtimit i vendosjes me dhunë të diktaturës komuniste, në formën e kryengritjes së armatosur, si shkalla më ekstreme e kundërshtimit.
Këtë të vërtetë historike na e shpallin konkretisht dokumentat arkivore të vetë pushtetit komunist, në të cilat pasqyrohen kronologjikisht tre kryengritjeve të para antikomuniste. Dokumentat kanë qenë e vazhdojnë të jenë, por ne pyesim: si ka mundësi, që edhe pas rrëzimit të diktaturës së Enver Hoxhës, në liri të plotë artikulimi e ilustrimi, këto dokumenta arkivorë nuk janë shfrytëzuar nga historianët e linjës zyrtare? Pse janë shpërfillur me dashje këto fakte dokumentare? Pse nuk janë pasqyruar në curriculat bazë të alterteksteve shkollore kur bëhet fjalë për këtë përiudhë të Historisë së Shqipërisë në dhjetëvjeçarin e parë të diktaturës? Edhe nga të pranishmit në këtë auditor kuptohet se bëhet fjalë për 3 Kryengritjet e para kundërkomuniste, të njohura si “Kryengritja e Kelmendit dhe Malësisë së Madhe”, “Kryengritja e Postribës” dhe “Rebelimi i Zhapokikës” në Jug.
Nuk po flas për botime të specializuara institutesh apo akademish, që nuk ekzistojnë, por për një përcjellje neutrale të fakteve. Sot zhvillohet një diskurs historicist i padrejtë, në kushte të pandershme, ku nga njëra anë janë po ata zyrtarë që i kanë shërbyer shkencës historiografike komuniste e që vazhdojnë të kenë monopolin zyrtar mbi shkencën dhe tekstet shkollore të historisë dhe një krah tjetër më studiues kontestatorë, që me fakte e dokumunta arkivorë përgënjeshtrojnë përceptimin “rozë” të historisë së Shqipërisë nën diktuatirën komuniste. Të dyja palët përpiqen të delegjitimojnë njëra tjetrën: linja zyrtare që ka trashëguar monopolin mbi shkencën e historisë, pa bërë asnjë mea kulpa për kompromentimin e shkencës me propagandën e PPSH-së, ka krah e mbështetje institucionale Ministrinë e Arsimit dhe, faktikisht, ofron versionin e një “Harte memece të historisë” sonë, në kuptimin e manipulimit, heshtjes dhe shpërfilljes së këtyre kryengritjeve, sikundër dhe për qëndrimet dhe veprimtarinë antikomuniste të kundërshtarëve dhe disidentëve brenda sistemit.
Shembull: Tre kryengritjet kundërkomuniste në altertekstet shkollore
Në studimet historike të linjës zyrtare të paskomunizmit nuk gjendet asnjë literaturë rreth këtyre tre episodeve historike të kundërshtimit të diktaturës me kryengritje të armatosura. Duke hequr dorë nga analiza e shumë ngjarjeve historike të periudhës së komunizmit, po kufizohemi këtu vetëm me mënyrën se si janë pasqyruar në altertekstet shkollore tre kryengritjet e para kundërkomuniste.
Në kurrikulat shkollore të sistemit nëntëvjeçar dhe të gjimnazeve, vetëm këto tre vitet e fundit (2010-2013) përmenden sefte dy kryengritjet e para kundërkomuniste (e Zhapokikës jo), me një informacion koprrac dhe shpesh të pasaktë, por kryesorja, askund nuk trajtohen këto konfrontime me popullatën civile si “krime të Komunizmit”. Në tekstin “Historia” për klasën e nëntë (Albas 2010, ribotim 2011, 2012, 2013) me autorë Menduh Dërguti, Sonila Boçi dhe Ledia Dushku (tekst që përsëritet identikisht edhe në tekstin “Historia” 12, për gjimnazet me të njëjtën shtëpi botuese, të njëjtët vite botimi/ribotimi dhe me të njëjtët autorë, plus një autor tjetër, Ferid Duka) në kapitullin e njëjtë në të dyja tektet shkollore të 9 vjeçares e gjimnazit, në kapitullin “Qëndresa ndaj vendosjes së regjimit komunist”, citohet vetëm kaq: “Qëndresë ndaj vendosjes së regjimit komunist pati sidomos në Veri. Aty u krijuan dhe grupe të armatosura, të cilat i qëndruan me dhunë atij (d.m.th. komunizmit – nënvizimi A.T). Këto grupe organizuan revoltën e Koplikut (janar 1945) dhe Kryengritjen e Postribës (shtator 1946), të cilat u shtypën nga forcat qeveritare.Me dhjetra vetë u vranë, u burgosën dhe u pushkatuan pa gjyq ose me gjyqe formale”.
Të bën përshtypje trajtimi i vakët, formal, i minimizuar me togëfjalëshin “me dhjetra”, kur dokumentet e arkivave paraqesin vetë “me qindra” viktima. Luftën frontale të Kelmendit, Koplikut dhe Malësisë së Madhe që ka zgjatur 35 ditë me Ushtrinë Kombëtare autorët e tekstit e minimizojnë në “revoltë”, kur në fakt ajo ka zgjatur më shumë se episodi kulminant në luftën e Spanjës frankiste më 1936, veprimet luftarake të së cilës zgjatën vetëm 26 ditë.
Një informacion pak më të gjërë jep alterteksti për shkollat 9 vjeçare i autorëve Llambro Filo dhe Fatmira Mulliçi (Ideart 2012), por edhe këta autorë Kryengritjet e Klemendit dhe Postribës u quajnë “revolta”, a thua se kemi të bëjmë me Revoltën e të Burgosurve Politikë të Spaçit (21 maj 1973), e cila ndonëse shumë e denjë për çdo histori, në asnjë tekst nuk përmendet! Mungon në këtë tekt revolta e Zhapokikës.
Trajtimit minimizues të thatë e të pasaktë me dy rreshta i qëndrojnë dhe autorët e altertekstit të tretë të Historisë për klasat e e nënta (faqe 110) me autorë Petrika Thëngjilli, Fatmira Rama, Ajet Shahu dhe Etleva Nita (Pegi 2021). Këta autorë luftën dhe kryengritjen me pjesëmarrje prej 400- 500 malësorësh, si në Kelmend ashtu dhe në Postribë e quajnë thjesht një “rebelim episodik”. Të njëjtin informacion, të njëjtët autorë e përsërisin pa ndonjë ndryshim thelbësor edhe në altertekstin e gjimnazit për klasën 12 në faqen 155 (Pegi, 2011).1 Edhe në këtë tekst, si në të gjitha tekstet e tjera këto kryengritje dhe viktimat e konfrontimit civil nuk trajtohen si krime të Komunizmit.
Megjithatë, të gjitha këto tekste të përdorura nga autorë të ndryshëm altertekstesh për shkollat 9-vjeçare dhe gjimnazet e marrin lëndën në një zë të Fjalorit Enciklopedik shqiptar të hartuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë në vitin 2008. Në këtë fjalor është përmendur një zë me gjithsej 20 rradhë me emërtimin “Kryengritja e Koplikut (1945)” me autor Demir Dyrmishin2.
Edhe në këtë zë (artikull) të Enciklopedisë… së ASHSH, me të cilën linja zyrtare ka kapërcyer për herë të parë “ylberin” ideologjik të trashëgimisë komuniste, trajtimi i Kryengritjes është dhënë tepër thatë dhe në mënyrë mjaft të cunguar, çka krijon më shumë pyetje. Nuk mungojnë termat subjektivistë e të politizuar për kreun e udhëheqjes Llesh Marashin, në stilin komunist klasor, apriori deklasues, si “bashkëpunëtor i pushtuesit fashist”, kur në të vërtetë ai kurrë s’ka qenë i tillë, po përkundër, ka qenë një ndër luftëtarët antifashistë që ka udhëhequr “Luftën e Reçit” më 1943 3 .
Por ajo që të habit më shumë është se në këtë vepër plot pretendime shkencore të Akademisë, nuk gjendet kurrkund “Kryengritja e Postribës” e cila ka qenë një Kryengritje tipike me një strategji tejlokale, siç del nga dokumentat e arkivave, që synonte të përfshinte gjithë trevat e Veriut dhe Jugut dhe madje edhe të Kosovës në një koordinim të përbashkët, e cila duhet të fillonte gjithkund njëkohshëm me 9 shtator 1946. Sigurisht, as në këtë vepër “shkencore” të Akademisë rebelimi i Zhapokikës nuk ekziston.
Por gjendja më e mjerueshme paraqitetet në lëndën e Historisë Bashkëkohore në Fakultetin e Historisë të Universitetit të Tiranës, pasi nuk ka ende asnjë tekst të botuar që të mund të realizohen krahasimet apo kontestimet, meqenëse pedagogët i japin leksionet të printuara, pa iu referuar ndonjë teksti të shtypur. Interesimit tim për t’iu përgjigjur se çfarë dinë këto studentë të Fakultetit të Historisë mbi kryengritjet e larpërmendura, studentët iu përgjigjen me ngritje supesh, duke u shprehur se nuk kanë patur asnjë informacion rreth tyre gjatë leksioneve të zhvilluara për vitin akademik 2012-2013.
Për këtë obskurantizëm (në kuptimin latin të fjalës), meritën ekskluzive e kanë historianët tanë të partishëm gjatë kohës së komunizmit, e po aq të partishëm në periudhën postkomuniste. Pikërisht kundërshtimi i komunizmit me armë, që u bë në Shqipëri fill pas luftës, në mënyrën më koshiente duhet të kishte qenë një ndër temat qendrore, e madje më madhore të mësimdhënies dhe modelit edukativ, fill pas rënies së komunizmit shqiptar. Por dihet një zakon i vjetër: huqi del shumë kohë pas vdekjes. Ose akoma më keq, me pseudohistorianët tanë: nuk del fare!
- Historia 9, Albas 2013, fq 118 dhe Historia 12, Albas 2013, fq. 134.
- Për më gjerë shih “Fjalori Enciklopedik Shqiptar I, II, III, IV”, ASHSH, faqe 1369
- Shih Uran Butka “Kryengritjet e para kundërkomuniste”, ISKK, Tiranë 2013.
No comments:
Post a Comment