Ideja për këtë shkrim më lindi nga një
lajm i shkurtër, botuar disa ditë më parë në gazetën “The Boston Herald”. ku thuhej se Sasha, vajza
e vogël e presidentit Obama, 15 vjeçe, kishte nisur një punë sezonale tek
restoranti “Nancy’s”, në Martha’s Vineyard, një ishull i vogël në bregdetin e
Massachusettsit. Restoranti është i njohur për ushqime deti, të cilin familja
Obama e ka frekuentuar shpesh gjatë pushimeve të verës, duke ngrënë aty apo duke
e porositur ushqimin.
Lajmi ngjalli interesin e medias dhe
njoftimi u pa shumë shpejt në disa gazeta, me komentet përkatëse. Dikush
thoshte se e bën për të tërhequr vëmendjen, nga që normalisht nuk ia vlen kur mendon
se atë e ruajnë gjashtë agjentë policie. Një tjetër komentues shprehte respekt
për këtë veprim të saj, që pëlqen të punojë, ndonëse nuk i mungon asgjë, madje
ka dhe kuzhinier në dispozicion. Pas tetë vjetëve të luksit në Shtëpinë e Bardhë,
shtonte ai, ajo kërkon tani të njohë anë të tjera të jetës. Një i tretë shprehej
se do të që më mirë që dikush tjetër, ndonjë hallexhi i papunë, të punonte në vend
të saj, e kështu me radhë. Shkrimet shoqëroheshin me fotografi të Sashës,
veshur me një bluzë sportive e me kapelë basketbolli.
Unë nuk e di nga ç’motive është nisur
ajo, por më bëhet të besoj se, e shtyrë nga prindërit apo me iniciativën e vet,
e ka bërë thjesht për të njohur jetën e zakonshme si dhe për t’u edukuar me ndjenjën
e punës. Nuk e vlen të zgjatemi më tepër me punën e Sashës, por unë po i
shkruaj këto radhë nga që ky lajm më kujtoi dy episode të tjera, që më kanë
ngelur në mendje e që mbartin një mesazh me vlerë, lidhur me edukimin e fëmijve.
Pata lexuar para shumë viteve se si një
nga vajzat e artitit të madh Çarli Çaplin, kur qe me studime në Paris, për të
fituar para, iu bënte fotografi të tjerëve.
I ati kishte marrëdhënie të mira me
të, por i jepte aq të holla sa ajo të përballonte jetën si studente dhe
shpenzime të tjera të domosdoshme, paçka se ai tashmë qe milioner apo dhe më
shumë.
Ma merr mendja se këtë gjë e bënte jo se i dhimbseshin paratë, por donte
ta edukonte të bijën me vështirësitë e jetës, me mënyrën se si sigurohen të
ardhurat për ta përballuar atë, siç kishte bërë dhe ai në fillimet e veta, etj
etj. Të paktën ky ishte intërpretimi i bashkëkohësve, me të cilin unë bashkohem
plotësisht.
Episodin e dytë na e ka treguar
profesori i nderuar, përkthyesi i Dantes në shqip, i paharuari Pashko Gjeçi.
Kur qe me studime në Itali, kish goditur në një klasë me të birin e botuesit të
njohur italian, Mondadori.
“Ai nuk binte në sy për ndonjë jetë luksi, na tha
profesori, madje nuk e tepëroj po të them se ne jetonim më mirë se ai. I ati i
jepte aq pare sa i duheshin për të banuar e plotësuar kërkest më të domosdoshme
dhe asgjë më tepër. Kujtoj se vetëm për ditëlindje, i bleu një pallto.
Në
fillim ne, jo vetëm habiteshim por edhe sikur nuk e besonim që i biri i
Mondadorit të jetonte si ne, veç, më vonë, e kuptuam dhe u bindëm se ç’vlera
kishte veprimi i tij. Kur i biri u bë i pjekur, mbas të njëzet e pesave, ai i
dorëzoi krejt firmën, pra gjithë pasurinë, se tashmë nuk kishte rrezik jo vetëm
për shpërdorime por dhe ia dinte vlerën punës e pareve”.
Janë këto dy episode apo dhe të tjera
si këto, që më shtyjnë të besoj se dhe e bija e Obamës ka hyrë në punë për të
njëjat motive. E them këtë se kam parasysh prindërit e saj: jo thjesht se i ati
është president por se të dy kanë mbaruar Harvardin.
Gjatë këtyre viteve, kam
ndjekur jo vetëm veprimtaritë politke të Obamës, se tek e fundit ai ka një staf
drejtues dhe nuk i gjykon kollaj, tani për tani, aftësitë e tij, siç ka ndodhur
dhe me presidentët e tjerë, të cilëve, shpesh, ua faturojmë pa i merituar, si
arritjet dhe dështimet e tyre.
Por kam parasysh intervistat, bisedat direkte të
çiftit në fjalë. Kam lexuar dhe librat e Obamës dhe kam krijuar bindjen se ai
meriton respekt edhe për edukimin e fëmijve. Së pari me modelin që iu jep
vajzave ai dhe e shoqja.
Ajo krijoi një kopsht me zarzavate në oborrin e Shtëpisë
së Bardhë, gjë për të cilën shumë veta mblodhën buzët si me përçmim.
Por, ajo që
desha të theksoj, me këtë rast, kishte lidhje me hallet tona, që ka të bëjë me
pyetjen: a ndjekim përherë rrugët e drejta në edukimin e fëmijve, apo, dashje
pa dashje, bëjmë të kundërtën? Për këtë po tregoj shkurtimisht një tjetër
episod.
Para ca kohësh, tek po kthehesha në
shtëpi, vonë në darkë, takoj një të njohur timen. “Pse kaq vonë, keni qënë
turni i dytë?”, - e pyeta në vazhdim të bisedës që nisëm. “Jo, më tha, por bëj
dy punë…Më duhet të ndihmoj djemtë, se nuk iu dalin rrogat që marrin…”.
Unë
hapa sytë e mblodha buzët, i habitur, për të shprehur mosmiratimin tim, por ajo
e mori për të kundërtën, se po i shtonte vlerat vetes, si një nënë e përkushtuar
ndaj fëmijve, ndaj vazhdoi, pa më lënë mua të flas: “Jo vetëm që bëj dy punë,
por punoj dhe të shtunë e të diel… Ç’të bësh, halle-halle kjo dynja, duhen
ndihmuar fëmijët, sa të na punojë këmba e dora…” – përsëriti.
Pas kësaj unë nuk e mbajta dot veten
dhe iu ktheva: ”Më fal që po të them, se secili e di vetë se ku i pikon çatija
dhe nuk është mirë t’iu japësh mësim të tjerëve por, me që erdhi fjala dhe për
raportet miqësore që kemi, nuk mund të rri pa të thënë atë që mendoj. Nuk jam
dakord fare my ju!.
Në këtë moshë, ju duhet të punoni e të kujdeseni vetëm për
veten tuaj. Detyrën ndaj fëmijve e kryet deri sa i rritët e iu dhatë shkollë.
Mbas kësaj, i lini ata të ecin vetë, ndryshe ndikoni për keq në formimin e tyre
dhe në përballimin e mëtejshëm të halleve të jetës. Shijoeni, gëzojeni jetën,
për aq vite sa ju kanë ngelur! Ata do të bëhen si ju por ju nuk do të bëheni si
ata!”.
Ajo nuk foli dhe buzëqeshi si të
thoshte se ishte dakord me mua, por ja që kishte zgjedhur një rrugë tjetër. Punë
e saj.
Jeta e punët që kam bërë, më kanë dhënë
mundësinë të njoh shumë nëna, në Shqipëri e gjetkë; bashkëatdhetare, amerikane apo
të kombësive të tjera. E kemi diskutuar dhe temën e mësipërme. Përgjithësisht
amerkanët kanë qëndrim tjetër ndaj fëmijve, i futin në punë, madje dhe gjatë
shkollimit.
Me sa kam vënë re, dhe fëmijët kanë dëshirë që të nxjerrin vetë
ndonjë të ardhur, se kështu ndjehen më të pavarur e me të rritur, dukuri që e
kemi përjetuar dhe vetë. Qofsha i gabuar, por në Shqipëri kam konstatuar
kryesisht të kundërtën. Mbase tani ka ndryshuar gjendja dhe atje.
Ajo që më ka bërë
shumë përshtypje dhe mund ta pohoj me gojën plot është se fëmijët më të suksesëshëm
e më të edukuar kanë qënë ata që kanë pasur prindër e kryesisht nëna të rrepta
e kërkuese. Dhe e kundërta; të përkëdhelurit, të llastuarit mezi e kanë shtyrë
në shkollë e në jetë.
Nënat e tyre të gjora nuk e kuptonin se duke mos i
ngarkuar me punë të vegjëlit e tyre po i merrnin më qafë, po kultivonin tek ata
dembelizmin e parazitizmin, mallkimi më i madh për njeriun. Sidomos më janë
neveritur fëmijët e disa biznesmenëve e politikanëve, që i kanë mbushur kuletat
plot, me djersën e të tjerëve, dhe shesin tangërllëqe nëpër automjete luksoze,
duke ekspozuar bizhuterira të shtrenjta e duke bërë jetë nate, në përmasa që i
kalojnë shumë mundësitë e tyre.
Më e keqja është se shpesh herë, në sfond të
këtyre ekspozimeve shfaqen prindërit, duke u krekosur me pjellën e tyre, pa e
kuptuar se sa i kanë dëmtuar e po i dëmtojnë ata, deri duke i marrë edhe në
qafë, siç edhe ka ndodhur.