2016-08-11

Rrëfimi tronditës, si ishin studentët shqiptarë të ’80-s

01libri
Nga Violeta Murati
Në Bulevardin Stalin nr. 57, rrëfimi i çiftit francez në Shqipërinë e viteve ’82-’89, si pedagogët e parë të huaj në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja. Tronditja nga jeta e shqiptarëve nën komunizëm; me urdhër nga lart studentët shmangnin takimet dhe bisedat me ta, ku përjetuan frikën dhe terrorin e diktaturës, varfërinë e zymtësinë e qyteteve; libri me këto kujtime sillet fshehtas në Tiranë, më ’91, ndërsa autorëve Tirana zyrtare ua ndaloi kthimin në Shqipëri, shkak: libri “Bulevardi Stalin nr.57” ishte negativ për imazhin e vendit në botë
Elisabeth dhe Jean Paul Champseix lidhjen me Shqipërinë e kishin vendosur përmes librave, dhe rasti për të jetuar në vitet ’80 nisi si emocion, por pësoi një shok me çfarë panë e gjetën në realitetin komunist. Ankthi, frika, terrori, heshtja i shoqëruan në ditën e parë që zbritën në Tiranë, në Bulevardin Stalin, ku jetuan dhe panë nga jashtë shqiptarët e përshkruan kronikat e zymta të jetës në Universitetin e Tiranës. Për herë të parë në Universitetin shqiptar po vinin dy pedagogë të huaj për të dhënë mësim, ndonëse në fakultetin e gjuhëve të huaja, për mësime frëngjishteje.
01libri
“Përshtypja e parë për Shqipërinë është ajo e një vendi të rrënuar nga lufta. Doganierët më kishin thënë se mund të gjeja karburant në Shkodër. Qyteti është i madh dhe përfaqëson karikaturën më dramatike të urbanizmit socialist. Pallate të mjera betoni, ngjeshur në rresht përgjatë një rruge të rrahur nga era. Në katet e para, dyqanet e varfra, ndriçuar ligsht me llamba të zbehta janë pothuajse bosh. Më duhet të shkoj në një hotel për të blerë “tollona”…”, shkruan çifti francez gjatë udhëtimit të mbërritjes. Rrëfimi i rrallë mbi shqiptarët e viteve ’80, ndonëse me doza ironie e humori, ndihet thellë çfarë përjetuan çifti francez, tragjizmi e fataliteti për njerëzit që përkoi me vetëvrasjen e Mehmet Shehut dhe vdekjen e Enver Hoxhës, e sidomos impresionuese janë rrëfimet për përvojën e tyre si pedagogë, si i shihnin studentët shqiptarë të atyre viteve, – kuptuan një jetë krejt të izoluar nga bota, të zhytur në varfëri ekonomike e varfëri intelektuale të imponuar nga regjimi – këto mbresa u hodhën menjëherë në librin me kujtime, nga qëndrimi në vitet ’82-’88, që vjen në shqip me përkthimin e Irena Rambit, botimet “Papirus”.
Ky libër ka qarkulluar në fakt qysh më ’91. Rambi është edhe një nga studentet e dy francezëve që është marrë me përkthimin e librit, e cila kujton se ky rrëfim ka mbërritur si libër, mbështjellë me gazetën “Zëri i Popullit” në vitin 1991. Ndërkohë që më ’89 çifti francez kishte lënë Shqipërinë. Përkthyesja thotë se në atë periudhë kalonte dorë më dorë, por nuk diskutohej haptazi. “Kur e lexova, e përpiva me kureshtjen për të ditur se ç’mendonin përnjimend profesorët e mi për vendin, për njerëzit, se cilat ishin ndjesitë dhe përshtypjet e tyre, por edhe me një farë dëshire paksa egoiste për ta gjetur aty veten, mes personazheve të shumtë që ata me shumë delikatesë i kishin përshkruar në mënyrë anonime për të mos i dëmtuar (përveç profesor Mehdi Agalliut, i cili ndërkohë ishte ndarë nga kjo botë)”. Pas daljes së librit, thuhet se autorëve iu ndalua kthimi në Shqipëri, pasi libri i tyre u konsiderua se ishte “negativ” për “imazhin” e Shqipërisë në botë!…Por, edhe me rastin e botimit të tanishëm, njoftohet se autorët kanë hequr disa kapituj me karakter historik dhe politik dhe kanë shtuar disa pjesë të shkruara në atë kohë lidhur me copëza jete, përvoja, anekdota, ngjarje… “Duke qenë se raportet private me shqiptarët ishin të pamundura, shpresonim se qytetarët e huaj do të organizoheshin për të mbijetuar dhe për të ndërtuar marrëdhënie pak a shumë normale, por jo, aspak, dhe kjo megjithëse të huajt janë fort të pakët në numër, sepse ka vetëm rreth pesëmbëdhjetë ambasada. Rast i vetëm në botë, as Bashkimi Sovjetik dhe as Shtetet e Bashkuara nuk janë të përfaqësuara”, shkruan çifti francez.
kopertina
Përkthyesja e ndan se dy intelektualët perëndimorë nuk ishin në Shqipëri si simpatizantë të regjimit, por “ profesorë të gjuhës dhe letërsisë frënge, të motivuar nga dëshira për të formuar mësuesit e ardhshëm të gjuhës frënge në Shqipëri”. Në fakt, në këto vite përmendet se në Shqipëri vinin shumë pak perëndimorë, për vizita dy-tre ditore, të cilët sapo ktheheshin në vendet e tyre shkruanin artikuj mjaft të thjeshtë. “Ata ose i mëshonin bunkerizimit ekstrem të Shqipërisë dhe çmendurisë së Hoxhës, pa kuptuar më në imtësi kompleksitetin e vendit, ata ose i këndonin lavde këtij vendi të mrekullueshëm komunist meqë ishin maoistë dhe simpatizantë të vendeve të lindjes komuniste”. Si duket, për çiftin francez qëndrimi në Shqipëri ishte pothuaj një rezistencë, të cilët i ka ndihmuar e shkruara, për të mos u larguar. Nga kujtimet e tyre mëson se pas përpjekjes për t’u integruar, për të hyrë në biseda, për të komunikuar, për të krijuar marrëdhënie të sinqerta …shkonin pothuaj bosh, ku ishin të detyruar të rronin të izoluar. Të gjithë kishin frikë të flisnin me ta. Akoma edhe më e vështirë ishte kjo me studentët të cilëve u jepnin mësim. Por nga ana tjetër, ish-studentja Rambi thotë se “në një këndvështrim më simbolik mund të themi se vetë prania e tyre brenda Universitetit ishte si një mundësi për ne studentët për të parë nga afër një botë ndryshe: të larmishme, me ngjyra dhe erëra…Analizat duhen kontekstualizuar dhe duhet përfytyruar se në ato vite komunikimi me të huajt shihej si diçka në mos e ndaluar, e dyshimtë, dhe kaq mjaftonte që të bëhej shkak për vëzhgim vigjilent nga ana e Partisë dhe e ‘virgjëreshave të kuqe’. Prandaj dhe shumë nga këto analiza bazohen jo te diskutimi me shqiptarët, i cili ishte i pakët dhe jo i sinqertë nga bashkëbiseduesit shqiptarë, por te vëzhgimi i mprehtë i shoqërisë shqiptare. Ndjenja e vetmisë dhe e së përkorës që i ka shoqëruar atëherë të dy francezët e shoqëron lexuesin gjatë gjithë leximit…” Më poshtë botojmë një fragment nga libri “Bulevardi Stalin Nr.57”, të Elisabeth dhe Jean Paul Champseix,  ku sillet kronika e studentëve shqiptarë në vitet ’80.
***
Goditja e parë
Kur mbërritëm ne në Shqipëri, më 1982, të ishe lektor i frëngjishtes, do të thoshte të luaje kokë a pil. Të gjithë përsërisnin të vërtetën e shtetit të pagabueshëm dhe të shenjtë. Enver Hoxha mbretëronte si të ishte Zoti vetë mbi tokë. Kishte shkruar vepra të shumta, të cilat ndryshe nga Bibla ose Kurani, nuk përmbanin as komente, as interpretime. Mbizotëronte “lufta kundër ndikimeve të huaja” dhe teoria e varfërimit absolut të “perëndimit të kalbur dhe të degjeneruar”. Kolegët tanë shqiptarë e kishin absolutisht të ndaluar të flisnin për Francën dhe natyrisht nuk duhet të tregonin në mësim asnjë pamje apo fotografi nga Franca.
Ne ishim dy të huajt e vetëm të pranuar në universitet sipas marrëveshjeve franko-shqiptare. Kishim më tepër përshtypjen se po kalonim përmes një pasqyre se sa përmes një perdeje të hekurt. Ditë për ditë, për disa orë rresht i afroheshim një realiteti, të cilin autoritetet dhe propaganda bënin çmos ta fshihnin dhe ta izolonin nga ne. E pyesnim veten se si vallë do të ishin studentët tanë. Me siguri duhet të kemi ëndërruar natën për gravurat që i tregonin shqiptarët me shikim vrastar, burrat me kokat qethur, gratë me një gërshet varur supesh, të gjithë me jataganë ngjeshur. Si do të ishin vallë pasardhësit e atyre shqiptarëve të tmerrshëm, të cilëve u trembeshin edhe elitat e ushtrisë turke? Si do të silleshim me ta pa i fyer dhe pa u ndrojtur nga e famshmja gjakmarrje! Vinim buzën në gaz me të gjitha këto hamendje, por nuk është se ndiheshim shumë të qetë…
T’i bësh memecët që të flasin
Ditën e parë të mësimit kur hymë në klasë, ndjemë një shtrëngim në grykë. Kur hynim në klasë, studentët ngriheshin në këmbë dhe prisnin urdhrin tonë për t’u ulur. Secili nga ne kishte dy grupe me nga 15 studentë. Vështrimi i tyre kureshtar dhe i shqetësuar na intrigonte. Prania e një shumice vajzash e korrigjoi disi përshtypjen e rrugës, e cila dukej se ishte terren i burrave. E kishim të gjithë Evropën në klasë: vajza të gjata flokëverdha sy bojëqielli ose të shkurtra brune mesdhetare, djem me fizionomi anglo-saksone me nofulla katrore, të tjerë me fytyrë zeshkane. Me të gjitha këto tipare, janë të mundshme të gjitha kombinimet. Fytyrat dhe gjendja e tyre shpesh dëshmonin se ushqeheshin keq. Më vonë do t’i mësonim vështirësitë e tyre. Në konvikt janë shpesh nga 6 vetë në një dhomë dhe nuk kanë ujë të ngrohtë. Në mensë hanë supë, kos dhe dy herë në javë gjellë me pak mish. Peshku është i rrallë, ëmbëlsira në fund, e panjohur.
Nuk kanë kurrë as fruta, as të ëmbla.
Megjithëse dimri në Tiranë nuk është i acartë, bën mjaft ftohtë. Fakulteti nuk kishte ngrohje kështu që nëpër klasa temperaturat nuk ngjiteshin nganjëherë më tepër se sa pesë apo gjashtë gradë. Studentët ngjisheshin njëri pranë tjetrit. Djemtë vishnin disa këmisha cip mbi cip, çka shihej te mëngët, përsipër mbanin ndonjë bluzë sintetike me mëngë të gjata. Disa nga vajzat i mbanin pardesytë veshur edhe në klasë.
Shumica syresh nuk kishin folur kurrë ndonjëherë me të huaj dhe ishin të shumtë ata që nuk kishin parë kurrë ndonjë të huaj nga afër. Ishin të emocionuar dhe kureshtarë. Ne ishim prova e prekshme se gjetiu ekzistonte një botë tjetër dhe prania jonë ishte diçka për t’u shënuar. Na shihnin nga koka te këmbët dhe vëzhgonin në detaj çdo mimikë tonën, çdo gjest si dhe çdo veshje. Paraqitja e secilit dhe disa pyetje, si fillim, duhet ta kishin thyer akullin, mirëpo ai dukej më i trashë se ç’e kishim menduar. Pyetjet tona: A keni ndonjë dëshirë të veçantë ose ndonjë propozim për vitin e ri shkollor? A keni ndonjë vështirësi të veçantë në gjuhën frënge? A doni të dini ndonjë gjë për Francën?… ndiqeshin nga një heshtje e rëndë si plumb. Më vonë i kuptuam gafat e fillimit sepse studentëve nuk u lejohej asnjë nismë, nuk e pranonin kurrë se mund të kishin të meta faqe botës dhe nuk u lejohej të bënin pyetje për Francën!
Po nuk e pate jetuar, është e pamundur ta përfytyrosh turbullimin dhe angështinë e mësuesit që rreket të bëjë të flasë një klasë dëshpërimisht të heshtur. Natyrisht, e dinim se përpara se të na i besonin, autoritetet i kishin përpunuar mirë. Më vonë do të merrnim vesh se na kishin paraqitur si spiunë që donin t’u nxirrnin informata dhe t’i shfrytëzonin ato në mënyrë dashakeqe. Mendohet lehtë gjendja mendore e studentëve të frikësuar se mos pa dashje do të lëshonin ndonjë gabim shtetëror… Duke mos ditur ç’të thoshin, më të kujdesshmit nemiteshin, kurse më guximtarët belbëzonin ca përgjigje të mjegullta. E vumë re menjëherë, se edhe kur guxonin të flisnin, shihnin me bisht të syrit njërin ose njërën nga shokët, duke na e bërë me dije kështu “sekretarin” e rinisë së klasës. Kur binte zilja, studentët dilnin të gjithë njëherazi, kurse ky rrinte në fund për t’u siguruar se askush nuk do të rrinte kokë më kokë me profesorin e huaj.
Fillimet ishin të vështira, madje rraskapitëse. Studionim copëza nga veprat letrare dhe donim me gjithë zemër që studentët të merrnin pjesë aktivisht, mirëpo orët e mësimit ritmoheshin nga heshtje të thella. Në fillim i bënim vetë edhe pyetjet edhe përgjigjet. Duke ndjekur metodën tonë pedagogjike me pjesëmarrjen e studentëve, me sa duket binim ndesh me traditën shqiptare. Të mësuar të kopjonin mësimet dhe t’i recitonin ato, nxënësit dëgjojnë fjalën e mësuesit dhe nuk marrin pjesë. Madje- madje, ne i bezdisnim, sepse metoda majeutike tregonte se profesori nuk është i vetmi zotërues i dijes dhe se me një rresht pyetje-përgjigjesh të ndërtuara mirë, mund të ndërtohej një arsyetim i saktë dhe të gjendej zgjidhja për diçka që në fillim studenti mendon se nuk e di.
Të huaj natën
Atmosfera që mbretëronte nëpër klasa nuk ish tjetër veçse pasqyrimi i turbullirave që po e shkundte shoqërinë në 1982, kohë kur qarkullonin vesh më vesh thashethemet për shuarjen e klanit Shehu. Mehmet Shehu, vullnetar i brigadave ndërkombëtare antifrankiste të 1936-ës, ishte një nga inkuizitorët e Partisë qysh në krijimin e saj. Komandant i regjimentit të hekurt që shporri trupat nazistë nga Tirana në 1944 dhe kryeministër, ai ishte pasardhësi i Enver Hoxhës. Me 18 dhjetor 1981, shqiptarët me tepër habi morën vesh se ky “kishte vrarë veten”. Spastrimet pas këtij akti ishin të pamëshirshme: e shoqja, drejtoreshë e kuadrove të shkollës së partisë “Vladimir Iliç Lenin” si dhe të bijtë u dërguan në internim. Ministri i Brendshëm (Feçor Shehu, nipi i Mehmet Shehut), ministrat e Mbrojtjes dhe të Shëndetit, si dhe një ish-komandant i shtatmadhorisë u ekzekutuan në shtatorin 1983. Nuk ishte trishtimi i shuarjes së familjes së heroit kombëtar që po i pikëllonte shqiptarët, jo! Mehmet Shehut i ishin tutur të gjithë sepse njihej për egërsinë e tij të skajshme. Vetë Hrushovi kishte shkruar në kujtimet e veta se Shehu mburrej se kishte vrarë me dorën e vet shumë të burgosur. Njëra nga nuset e djemve, i pezmatonte banorët e Tiranës me rrobat shumë të kushtueshme dhe që binin në sy. Çka i mundonte njerëzit ishte një zmbrapsje më tepër e nivelit të jetesës si dhe ashpërsimi i kontrollit policor. Të gjithë ishin të ndërgjegjshëm për krizën e rëndë që po kalonte regjimi.
Si për dreq, një tjetër çështje, akoma më enigmatike, kishte ndodhur fill para mbërritjes sonë aty duke e përkeqësuar gjendjen. Në shtator, disa refugjatë antikomunistë kishin zbarkuar në mënyrë të mistershme në një plazh të jugut. Ardhur me gomone, rreth 30 vetë, të organizuar si grup special me në krye Xhevdet Mustafën, u rrekën të hyjnë në rrethin e Vlorës për t’i nxitur banorët e zonës, të njohur për ndjenjat e tyre antikomuniste, që të ngrinin krye. Mirëpo u pikasën dhe pas pesë orë luftimesh, u asgjësuan. Pretendenti për fron, “mbreti” Leka (që jetonte në Afrikë të Jugut) e bëri më të besueshëm lajmin e këtij veprimi, mbi të cilin u tha se “kishte shprehur rezerva”.
Kontakte të ndaluara
Frika dhe mosbesimi, tashmë të mëdha, u rritën edhe më shumë. Në rrugë, as studentët dhe as kolegët nuk na “njihnin” më. Ose ndërronin trotuar, ose hynin nxitimthi në ndonjë dyqan, ose, kur ishte tepër vonë për këto veprime, kthenin kokën në krah të kundërt. Një ditë, në një rrugicë të vjetër tiranase, u ndeshëm ballë për ballë me një kolege që po shëtiste me fëmijët. Kjo nuk mundi të na shmangte. E përshëndetëm dhe po i lavdëronim fëmijët. Ajo mërmëriti diçka me një frëngjishte të përafërt, kontrolloi rreth e rrotull me ankthin se mos po e shihte dikush – për fat rrugica ishte bosh- dhe na tha një mirupafshim duke u larguar. Ecte me hapa të shpejtë; ndjemë më tepër trishtim se sa zemërim.
Një herë tjetër, duke u kthyer nga pushimet, patëm vendosur të shëtisim në Tiranë dhe pamë drejtuesin e katedrës së frëngjishtes jo larg parkut. Mbështetur te biçikleta ndalur anë trotuarit, po bisedonte me një mik. U drejtuam për nga ai. Sapo na pikasi, pa e përshëndetur bashkëfolësin, mori arratinë duke i dhënë biçikletës me sa i hanin këmbët. Të nesërmen, na kërkoi ndjesë për takimin “pak të shkurtër” të së djeshmes! Frika se mos i shihnin të shoqëruar me një të huaj ishte aq e madhe, sa edhe vetë sekretari politik i universitetit, i cili i bënte studentët të dridheshin kur kalonte korridoreve, nuk u përgjigjej përshëndetjeve tona në rrugë.
Një ditë tjetër, duke dalë nga pallati ynë, takohemi me një koleg me të shoqen. Atyre do u kishte ardhur për mbarë që të mos u kishim folur, mirëpo ne nuk e kemi atë refleks. Kolegu, i kapur ligsht buzëqesh me zor duke na shtrënguar dorën. E shoqja, e cila ndodhej disa hapa përpara nesh, kthehet me pahir. Shkëmbejmë disa fjalë dhe i shohim tek largohen.
Kolegëve u ishin dhënë porosi shumë të rrepta lidhur me ne. Njëra nga këto porosi që mes nesh e quanim “Coli me Lolin” ishte që të mos rrinin kurrë të bisedonin me ne vetëm për vetëm: profesorët mund të na flisnin, brenda mureve të fakultetit por me kusht që të ishin dy. Një ditë hymë në katedër dhe gjetëm një kolege vetëm. Duke harruar parimet vendëse, iu afruam për ta përshëndetur. Ajo u zmbraps si me sustë në një cep të katedrës dhe u zhyt në lexim, duke na injoruar krejt.
Në fillim të qëndrimit tonë, duke dashur ta njihnim pak më shumë jetën shqiptare, i pyetëm kolegët se ku ndodheshin kinematë. Ata ulnin kokën përdhe dhe heshtnin. Ka raste kur është vështirë ta fshehësh hallin që të zë. Shpjegimin e parë e morëm kur shkuam për herë të parë në kinema. Salla ishte e vjetër dhe publiku i padisiplinuar, çka nuk jepte një “imazh” shumë të mirë të Shqipërisë. Nga ana tjetër nuk duhet harruar që spiunllëku ishte aq i pranishëm në Shqipëri sa që vështirë të dihej ku niste sekreti shtetëror kur dikush fliste haptazi.
Shumë herë i patëm ftuar kolegët në shtëpi mirëpo ata gjenin gjithmonë një pretekst: një mbledhje, një gjyshe të sëmurë, foshnja që vuan nga dhëmbët, një kushëri nga rrethet që u vjen për vizitë… Të lodhur nga këto arsye të kota, ua paraqitëm haptazi kërkesën tonë autoriteteve dhe atëherë na thanë se kishte “disa probleme të vogla” sepse ne banonim në një pallat për të huaj. E kishin rreptësisht të ndaluar të na vinin në shtëpi. Për më tepër, kolegët kishin frikë nga mikrofonat e vendosur në apartamentin tonë dhe druheshin se policia mund t’i qortonte për gjërat që mund të thoshin aty. Atëherë kërkuam të na jepnin një apartament në një pallat me shqiptarë por kjo kërkesë ra në vesh të shurdhër. Kolegëve nuk u lejohej kurrsesi të na jepnin adresën e tyre sepse kushedi, si tuhafë, ne mund t’u shkonim për vizitë. Në gjashtë vjet, nuk na ftuan kurrë.
Të mjerët profesorë ishin të detyruar t’u bindeshin rregullave të sekretarit të partisë, një personi me fytyrë rrumbullake si karikaturë, profesor latinishteje me origjinë greke. Ai u kujtonte rregullisht kolegëve se si duhet të silleshin me ne. T’i rrije me turinj do të thoshte t’i jepje kredi në rolin e tij prej “të forti”. Atëherë zgjodhëm të bëjmë të kundërtën. Sa herë që e hasnim nëpër korridore, shprehnim kinse një kënaqësi shumë të madhe duke bërë gjeste të ekzagjeruara dhe duke iu afruar për ta përshëndetur. Shumë i bezdisur nga përzemërsia jonë e papritur, ky i pafat detyrohej të na përgjigjej si të mundte duke e përkulur trupin më dysh dhe duke ngritur grushtin pranë tëmthit si komunist që ishte.
Elizabeta e kishte më të vështirë të duronte mungesën e kontakteve njerëzore aq sa një herë shpërtheu në vaj kur kolegët që na shoqëronin për një vizitë zyrtare patën refuzuar të vinin për një kafe në hotel Tirana. Pjesë nga ditari i Elizabetës 1983-1984 :
“Situata bëhet akoma më e vështirë kur e sheh se kolegët dhe studentët janë të mirë. Kur atmosfera është psiko e ngurtë është më e lehtë: largohemi dhe me një shfryrje inati sikur lirohemi. Kur frustrimi është i plotë, lotët mund të ndihmojnë, por kur kontaktet janë aq të gjata dhe të pasura sa që mund të përfytyrosh se si mund të ishte sikur të afroheshe me njerëzit, kjo është e tmerrshme.” Nuk ia arrinim dot të largonim mosbesimin e të tjerëve dhe pas një farë kohe njeriu e ndien veten të poshtëruar në kërkim të kontakteve me të tjerët. Nuk na ngelej tjetër: ose ta injoronim këtë vend ose ta zbulonim me mjetet tona pa e ndryshuar veten.
Nën mbikëqyrje: Sigurimi heq perdet e dritares që t’i vëzhgonin edhe natën
“…Që të shëtisnim të qetë, patëm vendosur të dilnim mbrëmjeve për të famshmen xhiro. Vendosëm edhe ne të marrim pjesë në këtë traditë mesdhetare, pra në vajtje-ardhjen në bulevard nga ora 18 deri në 21. Mendonim se në muzg do të kalonim incognito. Në atë kohë, vajzat nuk merrnin pjesë në këtë shëtitje rituale, kështu që u gjendëm të dy kapur dorë më dorë, mes një turme tërësisht mashkullore. Kështu ramë edhe më tepër në sy, aq sa na u desh të largohemi tinëz duke u futur në një rrugicë, e cila na çoi në një lagje të humbur, nga ku me zor e gjetëm rrugën e kthimit…Vetmia na u shtua edhe më shumë nga ankthi se na përgjonin. Kur patëm mbërritur në pallat, intendenti i Universitetit i pati hequr të gjitha perdet sepse sipas tij ishin të palara. Mirëpo të gjitha dhomat, përveç asaj të gjumit – uf, kishte shpëtuar nderi – binin nga rruga. Pa perde ndiheshim edhe më të ekspozuar ndaj mbikëqyrjes së kureshtarëve dhe agjentëve të Sigurimit. Me gjithë kërkesat tona, “pastrimi” i perdeve zgjati mbi një muaj. Patëm vendosur të bëjmë humor me këtë gjë dhe enkas merrnim poza përpara dritareve. Kur i fiknim dritat e dhomave që shihnin nga rruga, e kishim për racion që të na binte telefoni dhe të dëgjonim nga ana tjetër të njëjtin zë që përsëriste: “Alo! Alo!”. Sigurimi donte të dinte se mos i bënim vizitë ndokujt në pallat.
Atë vit në Francë pati dalë filmi E.T dhe ne na dukej vetja pak si ai personazhi kryesor që kishte frikë nga të tjerët, ndërkohë që ishte ai që i tmerronte ata, dhe që përsëriste vazhdimisht: ‘shtëpia’, ‘shtëpia’…”
**************
kopertina

No comments:

Post a Comment

181 vjet nga lindja e Ismail Qemalit

                           Kërko brenda në imazh                         Nga Flori Bruqi  Teksa ngrinte flamurin e palosur të Skënderbeut pë...