Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka pritur në kabinetin e tij, në një takim miqësorë, këngëtaren shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, e cila nesër në kryeqytet do të mbajë koncertin e parë në Kosovë.
Këngëtarja me nam botëror Dua Lipa, pas takimit me kryetarin e qytetit të saj të prejardhjes, tha se është e lumtur që nesër do të mbajë koncertin e parë në Kosovë, nga ku paratë e biletave do të dedikohen për bamirësi përmes fondacionit të themeluar nga vet ajo, ‘SannyHill’.
Dua ka falënderuar kryetarin Ahmeti për organizimin dhe pritjen, ndërsa është shprehur e emocionuar lidhur me audiencën që pret ta ketë nesër në koncert, pasi sipas saj, asnjë audiencë tjetër nuk është më e veçantë se ajo e vendlindjes.
Lipa: Jam shumë e lumtur që jam në Prishtinë
“Veç desha me thanë që jam shumë e gëzuar që jam në Prishtinë. Prej një kohe kur ka filluar ky muhabet... Edhe shumë po dua ta falënderoj kryetarin... Jam në atë gjendje që ende nuk po mundem me përshkrua, nuk po mundem me i gjet fjalët qysh me shpjegua që jam këtu. Shumë jam e gëzuar, mezi s’po pres, secila audiencë është ndryshe, veç kom prit një kohë shumë të gjatë dhe e kam paramenduar se qysh ka me qenë atë ditë. Mezi s’po pres”, tha hit këngëtarja Dua Lipa.
Në anën tjetër, i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se kanë mirëpritur ardhjen e Duas, e cila është rikthyer në qytetin e saj me një koncert dhuratë.
Ahmeti pret që mbrëmja e nesërme të jetë e mrekullueshme.
Ahmeti: Nesër në Gërmi mbahet koncerti i parë i Dua Lipas në Kosovë
“Si komunë jemi shumë të lumtur që Dua është kthyer në qytetin e vet, në Prishtinë, për një koncert. Siç tha, kur jemi takuar rastësisht në New York e kemi diskutuar, prej atëherë ja kemi bë ftesën që me ardh në Prishtinë. Dhe rastin e parë e ka pas që të vjen për koncertin nesër. Pra, nesër në Gërmi, në mbrëmje, do të jetë koncerti i Duas, për herë të parë në Prishtinë, dhe i dëshirojmë sukses në karrierë në përgjithësi, dhe do të jetë një mbrëmje e mrekullueshme nesër”, tha Ahmeti.
I pyetur se a do të ketë ndonjë organizim shtesë apo ndryshim për shkak të kohës me shi, Ahmeti ka thënë se nuk beson që shiu do të ndikojë që artdashësit të mos dalin në koncert.
Ndonëse nuk e di për numrin e biletave të shitura, Shpend Ahmeti tha se pritet pjesëmarrje e madhe.
Në koncertin e nesërm, Dua Lipa do të këndojë edhe këngë të albumit të ri, të cilat nuk janë dëgjuar më parë.
Shpend Ahmeti në konferencë me Dua Lipën
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka pritur në takim sot në kabinetin e tij këngëtaren kosovare me nam ndërkombëtar, Dua Lipa.
Ata po mbajnë konferencë për media, të cilën KosovaPress ua sjellë drejtpërdrejt.
Dua Lipa, do të mbajë nesër koncert në Prishtinë, në parkun e Gërmisë, ku paratë e biletave do të dedikohen për bamirësi.
Shpend Ahmeti priti Dua Lipën në kabinetin e tij
Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti priti dje në kabinetin e tij këngëtaren kosovare me nam ndërkombëtar, Dua Lipa.
Dua Lipa, dje, gjatë një paraqitje për media, pas aterrimit në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, ka treguar se është e lumtur që kthehet në Kosovë pas 4 vitesh.
Dua Lipa ka ardhur në Kosovë bashkë me bendin e saj për mbajtjen e koncertit i cili do të mbahet në parkun “Gërmia” në Prishtinë me datë 9 gusht 2016.
Paratë e biletave të koncertit të Dua Lipës do të dedikohen për bamirësi përmes fondacionit të themeluar nga vet ajo, SannyHill.
Takimi në mes Ahmetit dhe Dua Lipës zhvillohet në kabinetin e kryetarit në ora 10:00.