2016-08-11

Folk & ideologji: Si u shndërruan legjendat në këngë për partinë

Komunizmi e shndërroi këngën popullore në mjet propagande. Një model konkret se si veproi makineria e diktaturës edhe në këtë fushë të flokut, e ka dhënë studiuesi Agron Xhagolli, në rastin e “Javës së Albanologjisë” që po mbahet në Prishtinë. Folklori ka qenë tema ku etnografët janë fokusuar dhe pse në gjeneral të saj ishte tema “Kënga popullore si refleksion për jetën; teksti, tekstura dhe konteksti”
Komunizmi e shndërroi edhe këngën popullore në mjet të propagandës. Një forum mbi këtë ende nuk është bërë në këto 25 vite. Janë raste sporadike të shfaqjes së lëndës folklorike të trashëguar, në të cilën janë shënjuar çfarë është deformuar me urdhër nga lart. Produktet e etnosit shmangnin burimin për t’i shërbyer edhe në këtë rast kultit të udhëheqësit ose partisë. Një fakt i dëshmuar janë zëvendësimet e festive fetare dhe ato popullore me festat komuniste, vendime që buronin nga lart, gjatë revolucionit kulturor të ‘60-s. Megjithatë, një model konkret se si veproi makineria e diktaturës edhe në këtë fushë të folkut e ka dhënë një prej studiuesve më të njohur të etnografisë, Agron Xhagolli, në rastin e “Javës së Albanologjisë” që po mbahet në Prishtinë. Folklori ka qenë tema ku etnografët janë fokusuar dhe pse në gjeneral të saj ishte tema “Kënga popullore si refleksion për jetën; teksti, tekstura dhe konteksti”. Tërheq vëmendjen forumi mbi ndikimet e sistemeve të caktuara shoqërore, ku krijimtaria folklorike del se ka shërbyer edhe si kanal për realizimin e ideve diktatoriale të kohës.
Kjo çështje është analizuar dhe shqyrtuar nga studiuesi Agron Xhagolli, në kumtesën e tij me titull “Folklori si refleks i trysnive politike”. Ndërsa shembuj për këtë janë dhënë në studimin që ka bërë Vlorë Fetaj-Berisha, në kumtesën me titull “Reflektimi i kontekstit historik në krijimin e këngës popullore – ‘Kur ta kthyem oj Kosovë shpinën’”.
Sipas Xhagollit, sistemet shoqërore diktatoriale janë të interesuara për nxitjen dhe mbështetjen e atyre hapësirave apo drejtimeve që ndikojnë për lartësimin dhe glorifikimin e pushtetit. Një gjë e tillë është parë në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore, ku pikërisht edhe krijimtaria folklorike shërbeu si rrugë e realizimit të këtyre ideve.
“Sistemi politik që u vendos, që në fillimet e veta i dha një vlerësim dhe rëndësi të madhe krijimtarisë folklorike. Pra kjo u bë me një qëllim të caktuar, pasi përmes krijimeve folklorike që përbënin të quajturin folklor i ri, mendohej se do të mbetej e skalitur ndër shekuj ‘vepra’ e Partisë dhe e udhëheqësit të saj”, ka thënë Xhagolli, teksa ka shtuar se krejt puna për folklorin u orientua në krijimin e raporteve të baraspeshuara midis të së ashtuquajturës krijimtari tradicionale dhe të atij që quhej folklor i ri.
“Një term i sajuar, për të përfaqësuar atë krijimtari të quajtur folklorike, por që në thelb vetëm e tillë nuk ishte. Në këtë mënyrë, vlerat dhe funksionet që krijimet folklorike tradicionale kishin realizuar u shfrytëzuan për atë realitet që kishte të domosdoshme të gjitha hapësirat e mundshme të lartësimit dhe të ndikimit në popull”, ka thënë Xhagolli. Ky lloj politizimi që iu bë krijimtarisë folklorike, sipas tij solli edhe një situatë të vështirë për kërkimin folklorik.

muzeu001
“Kur ta kthyem oj Kosovë shpinën”, e kënduar nga Dervish Shaqa, dëshmon atë që Xhagolli ka trajtuar në kumtesën e tij, veçmas me vargun “Po ç’ke bo parti për neve. Hej o hej e as kurrkush se bon mi dheve”. Dervish Shaqa me këtë këngë, sipas Vlorë Fetaj-Berishës, përdor metaforë që lë të kuptohet për zhgënjimin që kishte përjetuar këngëtari kur kishte shkuar në Shqipëri, i cili kishte jetuar dy realitete kohore, atë të krajlit në Kosovë dhe atë të Enver Hoxhës në Shqipëri.
“Por sigurisht që fatin e Dervishit nuk e kishin pasur edhe të ikurit e tjerë nga Kosova. Mendojmë se gjithë favoret që kishte gëzuar Dervishi në Shqipëri ishin falë popullaritetit që gëzonte në Kosovë me të vetmin qëllim që të shërbenin si një shembull i mirë për atë se si i trajtonte shteti amë kosovarët”, ka thënë Fetaj-Berishaj. Një tjetër varg që e dëshmon këtë është edhe: “Veç parti të kesh gjithmonë. Hej e hej, dorën n’zemër e pushkën n’dorë”. Kjo këngë më pas është përpunuar dhe teksti i është ndryshuar. Përderisa këngën me tekst origjinal e interpreton vetëm Dervish Shaqa, në interpretimin e varianteve ekzistojnë shumë interpretues, si grup apo solokëngëtarë. “Kënga origjinale përshkruan në mënyrë autentike jetën në Shqipëri që nga periudha e Luftës së Parë Botërore e deri në përfundimin e diktaturës. Ndërsa variantet të cilat janë kënduar pas ndryshimit të sistemit komunist, duke parë se çka kishte ndodhur në Shqipëri, ka ndryshuar edhe teksti i këngës”, ka thënë Fetaj-Berishaj. Sipas saj, kjo dëshmon se kënga është reflektim i ndryshimeve historike, të cilat ndikojnë në krijimin e një kënge popullore. Mbi 100 studiues po marrin pjesë në edicionin e sivjetmë të “Javës së albanologjisë”. Deri në përfundim, të premten, do të mbahen edhe sesionet e etnologjisë që për temë ka trashëgiminë shpirtërore dhe ai i historisë në temën “Perandoria Habsburgase dhe raportet e saj me Ballkanin”.

No comments:

Post a Comment

181 vjet nga lindja e Ismail Qemalit

                           Kërko brenda në imazh                         Nga Flori Bruqi  Teksa ngrinte flamurin e palosur të Skënderbeut pë...