Një molekulë e re kundër kancerit të kockës.



Një grup shkencëtarësh në Australi thotë se ka bërë një zbulim në mënyrën e trajtimit të kancerit në kockë. Shkencëtarët në laboratorin e spitalit Saint Vincent në Melburn kanë zbuluar një armë të re në luftën kundër kancerit të kockës. Kirurgu ortoped Piter Çong shpjegon se kanceri i kockës apo osteo-sarkoma prek kryesisht njerëzit në moshë të re, periudhë kur kocka rritet e formohet. Ky lloj kanceri shfaqet kur qelizat që kanë arritur fazën e plotë të zhvillimit nuk u përgjigjen sinjaleve për të mos u rritur më. Kështu ato vazhdojnë të rriten dhe kjo shkakton kancer. Osteo-sarkoma, nga një pikë e vogël shpesh përhapet në mbarë kockën e pastaj kalon në muskuj. Por kur ky kancer godet një shtresë të hollë kërci, ai duket se ndalet. Doktor Çang thotë se gjatë kërkimeve ata zbuluan që kërci përmbante një molekulë që frenon përhapjen e qelizave kanceroze. Ai thotë se studimet tek kafshët në laborator tregojnë se ky zbulim i ri mund të krijojë mundësi për një trajtim të efektshëm të sëmundjes. Në fakt ky lloj trajtimi ka ndryshuar jetën e të paktën të sëmuri. Mark Naper kishte një gungë në gjurin e tij që kur u diagnostikua doli se ishte osteo-sarkomë, kancer në kockë. Pas 6 muajsh trajtimi me kimoterapi dhe operacion, ky pacient tashmë është rimëkëmbur. Ai thotë se e ndjen vetem mirë dhe është kthyer në jetën normale. Gjatë viteve të fundit, cilësia e jetës së pacientëve me oeste-sarkomë është përmirësuar dukshëm, por në 25 përqind të rasteve, pacientët me këtë sëmundje vazhdojnë të mos reagojnë ndaj metodave të deritanishme të trajtimit. Shkencëtarët besojnë se zbulimi i ri i mjekëve australianë do të ndryshojë për të mirë jetën e të sëmurëve me këtë lloj kanceri.
Metodë e re kirurgjike
Kohët e fundit, Maria Viruet iu nënshtrua një operacioni për heqjen e tëmthit. Mjekët e operuan atë nëpërmjet vrimës së kërthizës. Mjeku Paul Kurçillo thotë se kjo metodë e re operimi nuk sjell asnjë rrezik, nuk shkakton asnjë dhimbje, pasi kirirgu nuk përdor asnjë lloj bisturie. Pas hapjes së kërthizës, kirurgu përdor një lloj instrumenti që mund të lëvizë si një dorë kirurgu, duke eleminuar kështu përdorimin e mjeteve laparoskopike pak të manovrueshme. Mjekët po e përdorin metodën e operimit nëpërmjet kërthizës për heqjen e tëmthit, riparimin e gjendrave të dhjamit, histerektomi dhe ndërhyrje në shtyllën kurrizore.
Studime për trajtimin e traumave në tru
Shkencëtarë amerikanë të laboratorëve të mbrojtjes dhe të sektorit privat po bashkëpunojnë për të krijuar mjete më të mira mbrojtëse për civilë e ushtarë.
Këtë lojtar futbolli janë pjesmarrës në një studim. Helmetat e tyre janë pajisur me ndjesorë të posaçëm që vëshgojnë dhe regjistrojnë efektet e goditjeve. Doktor Tom Guduin pranë kolegjit të Virxhinias thotë se ndjesorët për rreth helmetës regjistrojnë forcën e goditjes dhe drejtimin që shpërndahet ajo. Në këtë mënyrë ekspertët mund të shohin se cila pjesë e trurit preket më shumë nga goditjet.
Në studim marrin pjesë edhe ekspertë të Pentagonit. Shefi i shttabit të ushtrisë, Xhorxh Kejsi thotë se tani po kryhen eksperimente me helmetat e pajisura me ndjesorë të vendosura në kokën e mostrave në laborator. Ekspertët masin tronditjen e shkaktuar në kokën, pastaj të dhënat e regjistruara kalohen në kompjuter për të parë efektet e goditjeve në tru.
Helmeta me ndjesorë vazhdojnë të perfeksionohen dhe është planifikuar që ato të fillojnë të përdoren këtë vit në Irak e Afganistan. Kjo pllakë është një tjetër pajisje për të matur drejtpeshimin, që njeriu shpesh humbet kur goditet në kokë. Neurologu Tomas DeGravo e përdor këtë pajisje për të matur përpjestimin e përhapjes së goditjes në tru.
Kudo që ndodh lëndimi, në fushëbetejë a në fushën e sportit, këto pajisje do t’i lejojnë mjekët të përcaktojnë me shpejtësi mënyrën më të mirë të trajtimit për viktimat e traumës.
Testosteronet në formë tabletash, të paefektëshme
Një studim tregon se marrja e testosteroneve nuk i ndihmon burrat e moshuar për t’u bërë më të fortë e më të shkathët. Në Shtetet e Bashkuara, qindra mijëra të moshuar marrin testosteron në formë tabletash duke shpresuar për forcimin e muskujve e të kockave dhe për një jetë cilësore.
Ndërsa burrat moshohen, niveli i hormonit testosteron në gjak pakësohet. Shkencëtarët pranë qëndrës mjekësore të universitetit Utrecht në Holandë, kryen kohët e fundit një studim për të parë nëse marrja e këtij hormoni në formë tabletash mund t’i ndihmojë ata në përmirësimin e gjendjes fizike.
Mjekja Mariel Emelot Vonk thotë se qëllimi i studimit ishte për të parë nëse testosteroni ndihmon për parandalimin e shenjave të plakjes. Në studim u përfshinë 207 burra të moshës 60-80 vjeçare të cilëve iu dhanë testosteron në formë tabletash për 6 muaj. Mjekja Ivone van der Shoun, një prej autoreve të studimit thotë se shpresohej që testosteroni do të ndihmonte në uljen e shtresave të dhjamit në bark. Por gjatë studimit nuk u vu re një pakësim i tillë. Shkencëtarët panë se niveli i kolesterinës së mirë u pakësua tek burrat që merrnin testosteron. Në përgjithësi, studimi tregoi se marrja e testosteronit në formë tabletash nuk sillte ndonjë të mirë për shëndetin, prandaj shkencëtarët dolën me rekomandimin që ai të mos përdoret. Mjekja Emelot Vonk thotë se ka plot mënyra që burrat e moshuar mund të përdorin për të shftuar fuqinë, përmirësuar funksionin mendor e mposhtur plogështinë. Këto mënyra janë ushtrimet fizike e ushqimet e shëndetshme.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)