Programet antishqiptare në shek. XIX dhe në fillim të shek. XX


9/20/14

EKSLUZIVE NË" FLORIPRESS": GJNOCIDI SERB NDAJ SHQIPTARËVE


Programet antishqiptare në shek. XIX dhe në fillim të shek. XX

Shteti serb dhe politika ekspansioniste e tij 

Shkruan: MA. Sc. Nexhmedin Z. Bardhi

1. 1. Programet antishqiptare në shek. XIX dhe në fillim të shek. XX

Historia e formimit, zgjerimit, zhvillimit, veçanërisht e krijimit të identiteteve kombëtare të popujve ortodoksë të Ballkanit, është histori e llahtarshme antishqiptare, është histori e asimilimit, deportimit, pushtimit e, mbi të gjitha, e gjenocidit kundër një populli të pafajshëm dhe human, një populli me vazhdimësi antike, mesjetare, moderne, një populli i cili kurrë nuk ka bërë plane dhe programe për pushtim territoresh të huaja dhe plane për zhdukje nga faqja e dheut e popujve joshqiptarë.
Bazuar në zhvillimet dhe realizimet e këtyre qëllimeve djallëzore që mendja normale e njeriut nuk mund ta imagjinojë, pushtuesit ortodoks të Ballkanit, padyshim që patën përkrahje nga disa vende të Evropës. Andaj, duke u bazuar në dokumentet historike të kohës ky është një realitet fatkeq. Pati edhe vende që në mënyrë të vazhdueshme i përkrahen aspiratat e popullit shqiptar dhe i denoncuan krimet monstruoze ndaj popullit shqiptar të shkaktuar nga regjimet e shteteve ortodokse të Ballkanit, veçanërisht nga serbët, malazezët dhe grekët.
Duhet cekur se të gjitha regjimet nëpër të cilat kaloi Serbia patën një vazhdësi vrazhdësie e gjenocidi ndaj shqiptarëve.
Shtruarja e çështjes shqiptare dhe mundësia që kjo çështje sado pak të gjente përkrahje në arenën ndërkombëtare, vuri në veprim të plotë makineritë propagandistike të fqinjëve të shqiptarëve. Politikanë, shkrimtarë, shkencëtarë e të tjerë u vunë në shërbim të ditës dhe të “interesit kombëtar” të tyre. Mobilizimi i intelektualëve serb në shkrimet e tyre pati për qëllim “të mbështetjes së të drejtës historike, kulturore” të bazuar në statistika jo reale, false, ku shqiptarët i paraqitnin, madje edhe “si ish-serbë të konvertuar në myslimanë”.
Kjo makineri propagandistike kishte si qëllim që synimet ekspansioniste dhe hegjemoniste ti kamuflojë edhe me misionin “civilizues”. Duke pasur parasysh angazhimin e pareshtur të makinerisë propagandistike serbe, ata ia arritën që përveç planit ushtarak ta përgatisnin edhe në një mobilizim shpirtëror të shtresave shoqërore në momentin vendimtar, siç ishte rasti në kryengritjen e Timokut 1883, me ç’rast këndonin këngë të cilat bënin apel për t’i luftuar “skipetarët”.
Të gjitha këto zhvillime, të cilat ndodhën në Ballkan nuk ishin të rastësishme, por ishin të përgatitura mirë. Zbatimi i këtyre planeve-projekteve kishte qëllim gjenocidin ndaj popujve e tjerë joserbë.
Elaboratet serbe parashihnin gjenocidin në të ardhmen nëpërmjet regjimeve: “Naçertania” e Ilija Garashaninit, “Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha” i Vlladan Gjorgjeviqit, “Klubi Kulturor serb” i Vasa Qubrilloviqit, ”Libri i Kaltër” i Dobrica Qosiqit, programi Jovan Cvijiqit etj.

1. 2. Naçertania e Ilija Garashaninit

Ilija Garashanini, politikan serb, themelues i idesë për Serbinë e Madhe ka lindur në janar të vitit 1816 në Kragujevc. Në ushtrinë e rregullt serbe kishte gradën e kolonelit. Nga viti 1842 ishte zëvendësministër i Punëve të Brendshme, kurse një vit më vonë edhe ministër i Punëve të Brendshme, ndërsa ministër i Punëve të Jashtme emërohet në vitin 1858.
Me dëshirën e Mbretit Mihail u bë kryetar i Këshillit Mbretëror për herë të tretë, pozitë, të cilën e ushtroi për gjashtë vite.
Llogaritet si themeluesi i administratës shtetërore dhe si mbrojtës i kushtetutshmërisë dhe pushtetit.
Si ministër i Punëve të Jashtme ka miratuar ligjin për Asamblenë Kombëtare. Puna e tij më e “famshme” është projekti për caktimin e bazave të politikës serbomadhe të bashkimit. Këto pikëpamje ai i paraqiti në mënyrë të sistematizuar në dokumentin sekret, të cilin e quajti “Naçertanie” (1844) që do të thotë “Projekt-Plan”.
Propozimin për këtë “Naçertanie” ia ka dhënë pansllavisti çek Frantishek A. Zach (1807-1892), i lindur në Berno të Moravisë që në atë kohë ishte pjesë e Perandorisë Austriake.
Zach ishte ithtar i flaktë i marrëdhënieve të gjithëmbarshme ndërmjet popujve sllavë.
Garashanini, duke pritur në mënyrë të sigurt shkatërrimin e Perandorisë Osmane– Politikës së Jashtme dhe Kombëtare të Principatës Serbe e caktoi si objektiv “rilindjen e Perandorisë Serbe”, duke theksuar se “ajo nuk kufizohet në kufijtë e saj të sotëm, por synon t’i përqafojë të gjithë popujt serbë që e rrethojnë”.
“Në saje të së drejtës së shenjtë historike”, i caktoi Serbisë mision që “duke hequr nga kështjella e shtetit turk nga një gur”, ta rimëkëmbë dhe ta ndërtojë shtetin e Dushanit. Me këtë rast, veprimin e Serbisë e përqendroi në tokat e sllavëve të Jugut që ishin nën Perandorinë Osmane (në radhë të parë në Bosnjë dhe Hercegovinë, që trajtohej si territor serb e pastaj edhe në Mal të Zi).
Sipas “Naçertanie”-s së Garashaninit, pjesë e shtetit të madh serb do të ishte edhe Shqipëria Veriore.

 Shteti serb dhe politika ekspansioniste e tij 


Programit të vet Garashanini ia dha konceptin kombëtar serbomadh. Për ta realizuar programin, Garashanini parashikoi organizimin e shërbimit informativ dhe të një sistemi të zhvilluar propagandistik (dërgimin e agjentëve, shkollimin e të rinjve të atyre vendeve në Serbi, pranimin e tyre në shërbimin shtetëror serb për të fituar përvojë të nevojshme, edukimin e tyre në frymën e politikës së përcaktuar, botimin në Serbi të librave fetarë, historikë dhe të librave të tjerë, mbështetjen e peshkopit të Malit të Zi, themelimin e gazetave në viset matanë Savës etj). Më vonë ndërmori edhe organizimin e shoqërive sekrete në zonën turistike dhe të qendrave propagandistike si, p.sh., në Dubrovnik, në kuadër të një aksioni të gjerë në vendet fqinje. Naçertanie u hartua në kohën kur pjesa më e madhe e personaliteteve të shquara të Serbisë nuk kishte besim ndaj të huajve, madje edhe kur këta ishin serbë të Monarkisë Habsburge. Një prej qëllimeve të planit të ri kombëtar të Serbisë - sipas Zach - ishte shembja e “murit kinez” me të cilin Serbia rrethohej nga fqinjët e vet. Ndonëse Garashanini e kishte pranuar konceptin e ri të kombësisë gjuhësore serbe, me çka i hodhi poshtë pikëpamjet e tradicionalistëve ortodoksë, ai megjithatë, nuk e pranoi idenë e elitës kroate të reciprocitetit midis sllavëve të jugut, të cilin Zach po ashtu e theksonte si objektiv. Derisa Zach e mbështeste idenë që Serbia e Madhe të jetë në harmoni me botën e gjerë të sllavëve, prirjet e Garashaninit kanë qenë vetëm serbe. Prandaj, ai u largua nga çdo koncept që ndërlidhej për së tepërmi me gjuhën në memorandumin e Zach, në të gjitha ato pika në të cilat ky memorandum e zvogëlonte epërsinë e Serbisë. Zach, në dokumentin e vet shpesh shkruan: “shteti i sllavëve të jugut” ose “sllavët e jugut”, ndërsa Garashanini këtë rregullisht e shndërronte në shprehjet “shteti serb” dhe “serbët”.
Edhe më i rëndësishëm është fakti se Garashanini, nga versioni i programit të vet i kishte hequr dy fragmente të gjata në të cilat Zach fliste për nevojën e bashkëpunimit të Serbisë me lëvizjen ilire në Kroaci, si dhe me çekët. Me këta të fundit, për shkaqet praktike.
Zach ishte i bindur - e Garashanini pajtohej me këtë - se Perandoria Otomane do ta humbte tërësisht pushtetin në Ballkan. Çështja e trashëgimisë së kësaj perandorie, sipas tyre, do të mund të zgjidhej vetëm në dy mënyra: ose Habsburgët dhe Rusia do të mund të zgjeroheshin në llogari të Portës së Lartë, duke e ndarë Ballkanin ndër vete, gjë që do të ngjallte reagimin e Britanisë dhe të Francës; - ose, fuqia e re - Serbia - do të fitonte atë që Perandoria Osmane do të humbte në gadishull.
Zgjerimi i Serbisë do të ngjallte armiqësinë e Habsburgëve. Shteti i madh serb do të paraqiste rrezik për interesat e Austrisë, për arsye se sllavët e jugut - shtetas të saj - do t’i dilnin nga dora. Por, Garashanini mendonte se Serbia nuk duhet t’i përkeqësojë marrëdhëniet me Vjenën. Megjithatë, propaganda garashaniniste vepronte edhe në viset e sllavëve të jugut që ishin nën pushtetin e Habsburgëve, d. m. th. në viset kroate. Aty zhvillohej edhe aktiviteti i agjencisë informative që e kishte krijuar vetë Garashanini. Kjo propagandë ndërmerrej për të nxitur ndjenjat kombëtare serbe ndër serbët “gjuhësorë” joortodoksë – d. m. th. ndër kroatë. Garashanini nuk dëshironte që efektet e veprimit serb në Kroaci të arrihen në dëm të Habsburgëve. Ai këtë goditje e shtyri për shkaqe praktike, kështu që synimet e Serbisë i orientoi drejt trashëgimisë otomane, sidomos në Bosnjë dhe Hercegovinë, ku shihte vetëm popullsi serbe.
Edhe Zach edhe Garashanini frikësoheshin nga pavarësia e mundshme e rajoneve të tjera të sllavëve të jugut, posaçërisht nga pavarësia e Bosnjës. Boshnjakëve duhej bërë me dije se - po që se nuk do të pajtoheshin me shtetin e bashkuar në udhëheqjen e Serbisë - “si rrjedhojë, do të pasonte copëtimi i Bosnjës në principata të vogla të udhëhequra nga familjet sunduese të cilat do të pranonin ndërhyrjen e huaj”.
Vetëm dinastia monarkiste serbe do të mund t’i bashkonte serbët (sllavët e jugut), e kjo nënkupton se në një moment të caktuar, në mënyrë të pashmangshme do të rrezikonte dinastinë dhe pavarësinë e Malit të Zi. Qëllimi i ideologjisë të shprehur në Naçertanie ishte që Serbia, duke i asimiluar vëllezërit për nga gjuha, të zgjerohej vetë. Ekzistimi i interesave të sllavëve të jugut, jashtë serbëve, apo më saktë, jashtë shtetit serb, nuk merrej parasysh fare. Ngritja e nacionalizmit serb të bazuar në gjuhë, me vulën e pakontestueshme të një ideologjie kombëtare integrale filloi t’i shqetësojë sidomos kroatët.
Platforma e Naçertanies, me synimet e saj pushtuese në Ballkan, nënkuptonte edhe shtrirjen në territoret shqiptare.
Naçertania e Garashaninit nuk përfillte kurrfarë parimi të kombësisë. Në të propagandohej kryesisht ideja e shtetit të madh serb dhe “e drejta shtetërore historike”. Ideologët serbë, që nga Garashanini e këndej, popullin serbë do ta quajnë “popull hyjnor” dhe “popull historik”, ku sipas tyre: boshnjakët janë serbë të fesë islame, d.m.th. serbë të muslimanizuar; gjuha që flasin ata është serbishtja; malazeztë janë serbë, si për nga gjuha, ashtu edhe për nga feja; Maqedonia është “Serbi Jugore”; kroatët ndërkaq, janë serbë të fesë katolike dhe gjuha që flasin ata është serbishtja. Sipas Ilija Garashaninit, Vuk Karaxhiqit, Jovan Cvijiqit (1865-1927), Vlladan Gjorgjeviqit (1844-1930), radikalit Stojan Protiq (1857-1923), Sllobodan Jovanoviqit(1869-1958), Vaso Çubrilloviqit, Dobrica Qosiqit: e kujt është gjuha, i atij është territori;e kujt është feja, i atij është territori. Sipas ideologëve serbë, boshnjakët (myslimanë), malazeztë, kroatët dhe popullata e “Serbisë Jugore” (d. m. th. sllavo-maqedonasit) nuk janë veçse serbë. Pas shembjes së Perandorisë Osmane, pseudoshkenca serbe shqiptarët do t’i konsiderojë si “mbetje turke” në Ballkan. Krahas synimeve për të bashkuar rreth shtetit serb territoret e banuara nga sllavët e jugut, Naçertania parashikonte edhe aneksimin e territoreve shqiptare të Vilajetit të Kosovës si dhe të pjesëve veriore dhe qendrore të Shqipërisë.
Naçertania u realizua në një pjesë të konsiderueshme gjatë Luftës së Parë Ballkanike (1912) kur Serbia, në bazë të vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1912-13) aneksoi Kosovën dhe trevat e tjera lindore të Shqipërisë, që sot ndodhen në pjesën veri-perëndimore të Maqedonisë, duke vendosur në to një pushtet të egër dhune dhe duke ndjekur një politikë shkombëtarizuese dhe gjenocidale.
Më 1852 Garashanini u bë kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme. Gjatë kësaj kohe e vazhdoi politikën pro Francës. Programi i Garashaninit ishte në themel të politikës së jashtme të Serbisë, që nga vitit 1849 e deri në fund të Luftës së Parë Botërore. Por, autori i elaboratit Shpërngulja e shqiptarëve, 1937 –Vasa Çubriloviq thotë se “synimet e elitave politike dhe intelektuale serbe, të frymëzuara nga Naçertania, nuk shtriheshin vetëm deri më 1918 por deri në vitin 1941”.
Ideologët serbë, Serbinë e shohin si Piemont që nga viti 1804 e deri në vitin 1914. Në të vërtetë, kjo ide do të shtrihet përgjatë tërë shekullit XX, e sidomos në vitin 1918 kur Nikolla Pashiqi (1845-1926) e themeloi Jugosllavinë (Mbretërinë e Serbëve, të Kroatëve dhe të Sllovenëve), më pas në kohën karagjorgjeviqëve (midis dy luftërave botërore).
Edhe pas Luftës së Dytë Botërore, në kohën e Aleksandër Rankoviqit(1909-1983) dhe pas saj, qarqe të caktuara nacionaliste serbe në krye me akademikun Dobrica Qosiq (1921-2014), kurrë nuk hoqën dorë nga idetë garashaniniste.
Federalizimin e Jugosllavisë, e sidomos Kushtetutën e vitit 1974, serbët e konsideronin si politikë dhe si strategji antiserbe, ndaj në vitet ’80 të shekullit XX, akademikët serbë hartuan një program kombëtar që njihet si Memorandumi i Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve (SANU), të publikuar në janar të vitit 1986, si një libër anonim.
Elita intelektuale, elita politike, qarqet ushtarake si dhe qarqet klerikale – serbe, në fund të viteve ’80 të shekullit XX dhe në fillim të viteve ’90 iu rrekën punës për ta rimëkëmbur Jugosllavinë unitariste, centraliste dhe etatiste me dominimin serb. Zbatues i kësaj ideologjie ishte zjarrvënësi i Ballkanit S. Millosheviqi.
Mirëpo, disa akademikë serbë, bashkë me një pjesë të elitës politike, intelektuale dhe ushtarake duke përfshirë edhe tërë klerin ultranacionalist serb, ende nuk kanë hequr dorë nga garashaninizmi.

1. 3. Programi i Vlladan Gjorgjeviqit

Vlladan Gjorgjeviq u lind më 21 nëntor 1844 në Beograd. Specializimin në kirurgji e ka përfunduar në Vjenë (1869 - 1871 ). Është njëri prej themeluesve kryesorë të Kryqit të Kuq të Serbisë ( 1876 ). Ai themeloi dhe ishte kreu i parë i Spitalit Ushtarak në Nish më 1878. Shefi i Kirurgjisë Civile të Serbisë në vitin 1879 dhe 1881. Gjorgjeviq ishte kryetar i komunës së Beogradit 1884 - 1888, dhe ministër i Arsimit dhe ekonomisë në vitin 1888, në Qeverinë e Nikolas Hristić. Pastaj, ai filloi të punojë si një anëtar i diplomacisë serbe në Athinë në vitin 1891. Ai u zgjodh anëtar i Akademisë Mbretërore Serbe 23 janar 1888. Kryetar i Qeverisë dhe ministër i të Punëve të Jashtme në vitet 1897-1900. Qeveria e tij ka punuar në përparimin ekonomik të Serbisë dhe forcimin e ushtrisë së saj. Ai dha dorëheqjen pas shpalljes së martesës së Mbretit Aleksandar. Vlladan Gjorgjeviq vdiq në fund të gushtit 1930.
Pra, Vladan Gjorgjeviqish kryeministër serb në periudhën 1897-1900, veç angazhimeve të tjera që i ka pasur si qeveritar, pat gjetur kohë që t’i kushtojë kujdes edhe çështjes shqiptare. Jo se ka pasur ndonjë simpati ndaj këtij kombi të lashtë ballkanas, përkundrazi, duke pasur një urrejte të pa parë, është orvatur që në çfarëdo mënyre t’u tregojë qarqeve shkencore e politike të vendit të tij dhe, posaçërisht, Fuqive të Mëdha të asaj kohe, t’ ua bëjë me dije se kush janë shqiptarët që jetojnë në Ballkan (me një pjesë në trevat e okupuara sllave). Për ta mbrojtur qëllimin e vet, ai pikërisht në kohën kur duhej Shqipëria të pranohej si shtet (1912) nga Fuqitë e Mëdha, ka shkruar librin me titull: “Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha” që, pos në gjuhën serbe, e botoi edhe në atë gjermane e frënge. Këtë e bëri me qëllim që përmbajtja e këtij libri, të jetë sa më afër politikës evropiane.



Fuqitë e Mëdha krijuan botëkuptime negative për Shqipërinë 

Në këtë libër autori Gjorgjeviq, duke u orvatur t’i mbulojë planet e veta grabitqare ndaj territoreve shqiptare, njollos haptazi historinë e kombit shqiptar.



Në përpilimin e këtij libri citon në tërësi autorë sllavë që kanë pasur qëndrim tërësisht antishqiptar. Pastaj citon edhe autorë të huaj, duke treguar se kinse edhe ata po e tregojnë “të vërtetën” mbi shqiptarët.
Duke kërkuar që Fuqitë e Mëdha të mos e pranojnë Shqipërinë si shtet të pavarur, është munduar që në mënyrë më ç’njerëzore të shkruajë për cilësitë e shqiptarëve. Dhe duke krijuar botëkuptime negative, Fuqitë e Mëdha, sipas tij, nuk do ta pranonin Shqipërinë si shtet dhe të kërkonin që populli shqiptar të udhëhiqej nga ndonjë komb tjetër. Sa ia arriti qëllimit të tij, tregon vetë historia. Në vazhdim do të tregojmë disa nga “faktet” që ai i paraqet në librin e vet mbi cilësitë e shqiptarëve.
Shqiptarët, sipas tij, nuk kanë kurrfarë ndërgjegje kombëtare; ata nuk përfaqësojnë komb ngase nuk i posedojnë cilësitë e një kombi. Pastaj ai bën tentim që edhe “shkencërisht” të bëjë njëfarë ndarje antropologjike në mes të shqiptarëve të veriut dhe të jugut. Për të parët thotë se janë brakicefalë (kokëshkurtër), kurse ata të dytët qenkan doliqefalë (kokëgjatë). Sa i përket gjuhës, ai vetë bën pyetje: Vallë kanë shqiptarët gjuhë kombëtare të veçantë (ndoshta vallë, mendon se mund ta kenë të huazuar-kush e di?!)? Jo. Përgjigjen e jep vetë, por negative. Gjorgjeviq thotë se në shqipen ka pesë dialekte të ndryshme që dallohen ndërmjet tyre! Prej tyre dy janë kryesorë dhe më të përhapur: gegërishtja në veri dhe toskërishtja në jug. Që të dy këto dialekte nuk paskan lidhje njëri-tjetrin. Nëse ai i jugut shkon në veri duhet të ketë përkthyes se nuk e kupton atë të veriut. Pastaj, shkon akoma më tutje, ku thotë: “Shqipja e sodëshme asht nji lamsh gjuhësh të përzieme nga ma të ndryshmet. Kjo çorbë gjuhnash mund të krahasohet ndofta ma tepër me jevgenishten” (një urrejtje patologjike e paskrupullt!). Për alfabetin shqip thotë se shqiptarët kanë marrë një alfabet të huaj që të mund të shkruajnë. Këtë ata e kanë bërë më 1908 në Kongresin e Manastirit.
Nga kjo vjen në përfundim “ky njohës i mirë i shqiptarëve”, se kur s’ka shkronja, nuk mund të bëhet fjalë as për shkrime. Prandaj, nuk mund të jetë as çudi që shqiptarët të jenë i vetmi komb (edhe pse shqiptarët nuk i pranon si komb, prapë e përdor nocionin komb!) në Evropë pa kurrfarë letërsie? Nga këto disa të dhëna që i përmendëm më lart, shihet se ai me këmbëngulje është munduar t’i tregojë botës, posaçërisht Fuqive të Mëdha të asaj kohe, të cilat duhej të vendosnin për fatin e Shqipërisë, që shqiptarët akoma nuk janë formuar si komb dhe se nuk kanë aftësi për të mbajtur një shtet më vete. Prandaj, thotë ai, se ata në fillim duhet t’i udhëheqë një komb i njohur dhe përparimtar, dhe ai është kombi serb! Përkthyesi i këtij libri, me përmbajtje antishqiptare, Mustafa Kruja, në parathënien e librit shkruan disa fjalë që janë mjaft me rëndësi për lexuesin shqiptar. Ja se çfarë thotë: “Shqiptarët po ta këndojnë me kujdes qi meriton, do të mësojnë shumë sende të dobishme prej këtij libri”. “Opinioni publik përkrah veprën politike të qeverisë së tij qi përpiqet me nxjerrë frytin ma të madh prej fitimit t’ armëve…nji ish-kryeministër ven në dispozitë të kombit të vet pendën e tij të zjarrët e ma të pa skrupull se armët qi bajnë namin në fushat e Kosovës e të Maqedonisë… dhe një Naltësi Mbretërore i shoqnohet ati në ndihmën të qeveritarë vet qi janë kapërthye në luftë diplomatike kundra krijimit të një shteti shqiptar”. Duke iu drejtuar lexuesit shqiptar, për opinionin e armikut thotë: “S’ka dyshim se si për njeriun me vete ashtu edhe për nji popull qi dëshiron me di tun e me qortue të metat e veta,opinioni i anmiqve asht tepër i dobishëm”.
Pastaj si përfundim përkthyesi Mustafa Kruja, duke këshilluar, thotë: “Anmiku detyrën e vet e ka krye. Ndashti asht detyra e jonë me përfitue dhe prej nji vepre të këtillë: me qortue gabimet, me ndreqën të metat e me u lame para botës nga shpifjet”.
Siç shihet, autorët serbë, duke qenë kryekëput antishqiptarë, konform programeve të paracaktuara, vazhdimisht u munduan t’i impononin qëndrimet e tyre pa asnjë bazë faktike.
1.4. Programi i Jovan Cvijiqit
Jovan Cvijiq (1865-1927) ishte një shkencëtar i njohur serb, themelues i Shoqërisë së Gjeografëve të Serbisë, rektor i Akademisë serbe në kohën e Mbretërisë. Fliste gjermanisht, anglisht dhe frëngjisht. Doktoraturën e përfundoi në Vjenë më 1893. Pas kthimit nga Vjena ishte profesor dhe udhëheqës shumë aktiv në organizimin dhe ngritjen e edukimit dhe arritjeve në fushën e shkencës. Përkundër që ishte një intelektual dhe njohës i mirë i rrjedhave dhe ngjarjeve, ai sikurse edhe të tjerët në Serbi sa iu përket raporteve me shqiptarët mendimet e tyre ishin të harmonizuara shumë mirë, ku shpifjet e këtij autori mund të shihen në shumë vepra të shkruara. Në veprën e tij: “Gadishulli Ballkanik dhe vendet e sllavëve të jugut”, kur bën fjalë për dekadencën e blegtorisë pas luftërave ballkanike, veç të tjerave, si shkaktarë i quan edhe shqiptarët. Kah fillimi i shek. të XIX, thotë Cvijiqi, blegtorët serbë (thotë serbë sepse maqedonët nuk i pranon si komb) kanë qenë shumë të rrezikuar nga imigrimet e shqiptarëve prej Shqipërisë në vendet e Maqedonisë Jugperëndimore. Shqiptarët, sipas tij, duke depërtuar në vendet që nuk kanë qenë asnjëherë të tyre, paskan bërë plaçkitje dhe përdhunime të mëdha në popullatën sllave dhe blegtorëve ua paskan grabitur dhentë. Pra, sipas këtij autori serb, një ndër faktorët për shkuarjen në dekandencë të blegtorisë te popullata joshqiptare, paskan qenë shqiptarët!? Ai më tutje thotë se shqiptarët paskan formuar çeta grabitqare të cilat, sipas tij, kanë pasur për detyrë t’i takojnë blegtorët vendës dhe t’ua marrin dhentë. Me këto akte të tyre ç’njerëzore ata i kanë penguar lëvizjet e blegtorëve. Pikërisht për qëndrimet e këtilla të shqiptarëve, thotë Cvijiqi, sllavët popullatën e vërtetë shqiptare (nuk thotë se cila është popullatë e vërtetë shqiptare) e kanë quajtur armikun më të madh të tyre. Në vazhdim thotë: “Sllavët i konsiderojnë shqiptarët e vërtetë si armiqtë më të mëdhenj”. Domethënë vetëm shqiptarët e vërtetë qenkan armiqtë e sllavëve (ndoshta vallë për shqiptarë të vërtetë i mendon ata për të cilët thotë se formonin çeta grabitqare për t’i plaçkitur blegtorët, ose për ata që e përzinin popullatën sllave nga tokat e tyre bujqësore për t’u bërë vetë pronarë, ose ata që paskan bërë zullume nëpër fshatrat sllave…?). Sipas qëndrimeve të këtilla të Cvijiqit, po del se shqiptarët paskan cilësi më ç’njerëzore që nuk i paska asnjë komb tjetër në Ballkan! Mirëpo, të shtojmë edhe atë. Cvijiqi si studiues i madh në fushën shkencore, ishte dashur të konstatojë, se prej ku ky dallim kaq i madh ndërmjet cilësive të shqiptarëve e atyre të sllavëve, kur dihet fakti se ata për një kohë shumë të gjatë jetojnë në fqinjësi.

Gjeostrategjia e re në Ballkan si pasojë e luftërave ballkanike

2.1. Dhënia e alarmit për rrezikun nga copëtimi i tokave shqiptare
Për ta alarmuar popullin shqiptar dhe të gjitha kancelaritë e Evropës, për rrezikun që po u kanosej tokave etnike shqiptare, më 14 tetor 1912 në Shkup (në shtëpinë e atdhetarit Sali Gjuka), Komiteti “Shpëtimi”, i cili në popull njihej edhe si “Komiteti i Shpëtimit Kombëtar” dhe organizata “Shoqëria e Zezë për Shpëtim”, mbajtën një mbledhje të jashtëzakonshme. Në këtë mbledhje, të kryesuar nga Nexhip Draga, morën pjesë: Mithat Frashëri, Sali Gjuka, Nexhip Draga, Bedri Pejani etj, pasi u konkludua se “Turqia po i numëronte ditët e fundit në Ballkan...” u morën këto vendime: Me ia drejtue një proklamacion Fuqive të Mëdha; Me formue një delegacion për mi shkëputë Malet e Shkodrës prej lidhnisë që patën ba me Malin e Zi (Malësia e Shkodrës ishte lidhur me Malin e Zi për luftë të përbashkët kundër forcave osmane në Shkodër); Ky delegacion ka me pas edhe një kompetencë të plotë për t´u marrë vesh me krahinat e tjera të Shqipnisë për të shpëtuar atë prej rrezikut të copëtimit. Në zbatim të këtyre vendimeve, më 16 tetor 1912 në Shkup konsullatës austro-hungareze dhe gjermane iu dorëzua një proklamatë, ku thuhet: ”... Serbia, Bullgaria, Greqia dhe Mali i Zi kanë shpallur luftë me qëllim zgjerimi tokësor ose për përhapjen e ndikimit politik, prandaj edhe ne shqiptarët po i rrokim armët për të mbrojtur tokën tonë. Përveç kësaj vemë në dijeni Fuqitë e Mëdha se nuk do të njohim emërtime të tilla si “Stara Serbija” (“Serbia e vjetër”dhe “Epir”, ose forma politike dhe administrative të posaçme lidhur me disa pjesë përbërëse të atdheut tonë”. Ndërkohë edhe përfaqësuesve diplomatik rus, francez, anglez dhe atyre italianë u është dorëzuar një proklamatë me vulë të”Shoqërisë së Zezë për Shpëtim”, në të cilën thuhet: “Shqipnia i ka rrokur armët jo për me forcue dominacionin e Turqisë në Ballkan, por për me i dalë zot tanësisë tokësore e lirisë së Shqipnisë. Pra, qysh prej sodit po ju deklarojmë se sido që të jetë fati i armëve, shqiptarët nuk kanë me pranue për katër vilajete veç se një formë politike e një formë sundimi, dmth një formë të vetme qeverisjeje”. Pas këtyre aktiviteteve, më 18 tetor 1912, në depërtim e sipër të forcave serbe në Përpallac e Merdar kanë hasur në rezistencën shqiptare. Anëtarët e delegacionit të zgjedhur në mbledhjen e Shkupit: Mithat Frashëri, Sali Gjuka, Rexhep Mitrovica, Bedri Pejani, e lanë Shkupin dhe duke shkuar nëpër Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Has, Tejdrin, Guci, Plavë, Kurbin, Mirditë, Durrës, Tiranë, në Elbasan e gjetiu, i dhanë frymë idesë për thirrjen e një Kuvendi Gjithëshqiptar. Madje në Pejë, Gjakovë, Has, Guci, Plavë... kishin marrë nënshkrime nga paria, duke i autorizuar që të vendosnin për të mirën e Shqipërisë në emër të Kosovës. Këtij delegacioni prej katër vjetësh, në Durrës iu bashkua Dom Nikollë Kaçorri, në Krujë-Mustafë Asimi (Kruja), në Tiranë Abdi bej Toptani e Syreja Vlora. Këta tetë(8)atdhetarë tashti përbënin Komitetin e Përkohshëm të Shqipërisë, për përgaditjen e Kuvendit për Shpalljen e Pavarësisë, para se të shkilej Shqipëria nga forcat e Aleancës Ballkanike. Për këtë qëllim Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi do të udhëtojnë në shtetet perëndimore duke u takuar me personalitetet kyçe të politikës ku edhe mori përkrahjen për rrugëtimin e tij drejt qëllimit final. Kuvendi do të mbahet më 28 nëntor 1912 në qytetin e Vlorës.



Formimi i një koalicioni të shteteve ballkanike 

Luftërat ballkanike dhe diplomacia e Fuqive të Mëdha 


Në tablonë e përgjithshme ndërkombëtare, domethënia më e madhe e luftës së Tripolitanisë ishte shtytja që u dha ajo shteteve të Ballkanit. Të gjitha shtetet ballkanike, me përjashtim të Rumanisë, kishin në kufi Perandorinë Otomane dhe të gjitha ishin të etura të merrnin toka pranë këtyre kufijve. Serbia dhe Mali i Zi donin sanxhakun e Novi Pazarit, këtë pykë territori ndërmjet tyre. Mali i Zi dhe Greqia dëshironin Shqipërinë, Bullgaria, Serbia dhe Greqia të gjitha kishin projektet e tyre për rajonin e madh e të papërcaktuar mirë të njohur si Maqedoni. Bullgaria synonte territoret otomane në jug dhe lindje të cilat do t’i lejonin një dalje në detin Egje, dhe një kontroll të mundshëm në vetë Stambollin. Rusët për një kohë të gjatë patën kërkuar të formonin një koalicion të shteteve ballkanike e që synonin ta realizonin ndikimin e tyre kundrejt Perandorisë Otomane, mirëpo rivalitetet në mes të shteteve ballkanike e patën vështirësuar realizimin e qëllimit, por ja që sulmi italian mbi Tripolitaninë arriti atë çka nuk kishte arritur për një kohë të gjatë diplomacia ruse. Në ndërkohë, një pjesë e madhe e ushtrisë otomane ndodhej në Afrikën e Veriut, shtetet e Ballkanit panë një mundësi të favorshme për t’i realizuar ambiciet e tyre në kurriz të Perandorisë Otomane.
Të inkurajuar prej agjentëve dhe diplomatëve rusë të gjitha shtetet e Ballkanit, përjashto Rumaninë, hynë në bisedime, të cilat rezultuan me formimin e koalicionit antiosman. Hallka e parë në këtë koalicion ishte një marrëveshje për aleancë ndërmjet Bullgarisë dhe Serbisë, e nënshkruar më 13 mars 1912. Këtij koalicioni shumë iu gëzua ministri i Jashtëm rus Sazonov kur dëgjoi për aleancën. E pretenduar si një aleancë mbrojtëse, marrëveshja serbo-bullgare ishte asgjë më pak sesa një pakt për luftë kundër Portës së Lartë me kushte të detajuara, ku Serbia do t’i merrte të gjitha territoret në veri dhe në perëndim të maleve të Sharrit, që do të thotë Sanxhakun e Novi Pazarit dhe pjesën veri-perëndimore të Maqedonisë, ndërsa pjesa e Bullgarisë do të ishte territori në lindje të Maleve të Rodopit dhe lumit Struma, kurse territori ndërmjet këtyre zonave do t’i lihej arbitrimit të carit rus. Pos territoreve të caktuara për arbitrim, marrëveshja serbo-bullgare linte të hapur shumë çështje të tjera territoriale. Ajo nuk përmendte në mënyrë të veçantë të ardhmen e Shqipërisë dhe të bregut të Adriatikut, të territoreve në lindje të Bullgarisë, përfshirë Stambollin, madje edhe dispozitat e saj të detajuara ishin kaq të mjegullta, saqë linin shumë vend për interpretim.
Më 28 maj 1912 aleanca serbo-bullgare u zgjerua në një aleancë ndërmjet Bullgarisë dhe Greqisë, e cila përsëri parashikonte veprim të përbashkët kundër Perandorisë Osmane, por nuk përfshinte kushtet territoriale të veçanta. Kjo u pasua nga marrëveshjet gojore ndërmjet Greqisë - Serbisë,Greqisë - Malit të Zi dhe Bullgarisë - Malit të Zi. Këto aleanca dhe marrëveshje gojore u përforcuan nga një varg konventash ushtarake, kështu që nga fundi i verës 1912 të gjitha shtetet ballkanike u bashkuan në një koalicion për ta luftuar Perandorinë Otomane në Evropë. Ndryshe nga Sazanovi, i cili në dukje qe kapur pas trillimit se aleancat ballkanike ishin masa mbrojtëse të drejtuara kundër Gjermanisë dhe Austrisë, kryeministri francez Puankare deklaroi menjëherë se: “Kjo është një marrëveshje për luftë”, kur i treguan tekstin e marrëveshjes serbo-bullgare, derisa ishte në një vizitë në San Peterburg në mesin e gushtit 1912. Po tepër larg përpjekjes për t’i bindur rusët të frenonin miqtë e tyre të Ballkanit ai e siguroi Sazanovin se, nëse ata do të përfshiheshin në një konflikt me Austrinë dhe Gjermaninë, Franca do t’i përmbushte detyrimet e saj traktatuale ndaj Rusisë. Më tej ai shprehu besimin se Britania do t’i mbështeste partnerët e saj të Antantës dhe i kërkoi me urgjencë Rusisë të përfundonte një marrëveshje detare me Londrën. Më 14 gusht 1912 Bullgaria i vuri zjarrin fitilit për ta ndezur luftën kundër Perandorisë Osmane; iu drejtua Stambollit me një ultimatum, duke kërkuar autonomi për Maqedoninë. Në të njëjtën ditë austriakët, të frikësuar nga pasojat për vetë Perandorinë Otomane nga shtetet nacionale të Ballkanit, bënë një thirrje për bashkëveprimin e Fuqive të Mëdha për t’i detyruar qeveritë e Ballkanit dhe për ta bindur Stambollin që ajo të kryente reforma në Maqedoni, duke eliminuar kështu çdo lloj preteksti për ndërhyrje të huaj atje.
Rusia ra dakord të pranojë një mandat të fuqive evropiane për të vepruar së bashku me Austrinë kinse për ta ruajtur paqen dhe status quon në Ballkan. Mirëpo më 8 tetor, pikërisht ditën kur ata morën notën austro-ruse, e cila paralajmëronte ta ruanin paqen dhe të respektonin status quon, Mali i Zi i deklaroi luftë Perandorisë Osmane. Ashtu vepruan edhe Bullgaria, Greqia dhe Serbia më 17-18 tetor 1912. Osmanët u ngutën të bënin paqe me Italinë (Marrëveshja e Luzanës e 18 tetorit), por shkëputja prej Afrikës së Veriut nuk u shërbeu për ndonjë gjë, sepse ushtritë e Ballkanit triumfuan në çdo front. Nga fundi i tetorit bullgarët kishin pushtuar Thrakën dhe përgatiteshin të lëviznin në drejtim të Stambollit, ndërsa serbët përparonin kah Adriatiku, kurse grekët kishin fituar Thesalinë dhe shumë pjesë nga Maqedonia Jugore, përfshirë edhe portin e rëndësishëm të Selanikut në Egje.
Shpejtësia dhe vendosmëria e fitoreve të katër shteteve ballkanike i kapi në befasi fuqitë evropiane, por tashmë gjithçka ishte e qartë. Porta e Lartë, i sëmuri i Bosforit, tashmë kishte mbaruar, së paku në Evropë dhe se status quoja e paraluftës në Ballkan nuk mund të rivendosej më. Mbetej problemi se si të veprohej lidhur me trashëgiminë otomane dhe synimet rivalizuese të shteteve fituese ballkanike, duke mbrojtur interesat e tyre megalomane.
Shqetësimi i Rusisë ishte që bullgarët mund ta pushtonin Stambollin dhe Sazanovi ishte i detyruar t’i paralajmëronte ata se Rusia do të ndërhynte për ta parandaluar marrjen nga ana e tyre të kryeqytetit otoman. Aq të alarmuar ishin rusët, saqë filluan përgatitjet për luftë kundër Bullgarisë dhe nisën t’i afroheshin Rumanisë (qysh prej vitit 1883 aleate e Austrisë dhe e Gjermanisë) për të siguruar të drejta transit përmes territoreve rumune. Francezët e vlerësuan shqetësimin e Rusisë rreth Stambollit, po ashtu si edhe britanikët. Ata kishin frikë se vetë rusët mund ta pushtonin qytetin. Për pasojë, Puankareja, me mbështetjen e britanikëve, propozoi që fuqitë të ndërmjetësonin në mes të Bullgarisë dhe Perandorisë Osmane, për të siguruar që kryeqyteti otoman të mbetej në dorë të osmanëve.
Shqetësim tjetër kryesor i Puankaresë ishte se Austria, me mbështetjen e Gjermanisë, mund të përfitonte nga kriza ballkanike për t’i larë llogaritë me Serbinë dhe ai u bëri presion rusëve që kësaj radhe ata duhet ta mbështesnin Serbinë deri në fund. Sikundër në rastin e vizitës së tij në San Peterburg në gushtin e 1912-s, po në mënyrë edhe më të theksuar ai i siguroi rusët se ata mund të kishin besim te mbështetja franceze. “Nëse hyn Rusia në luftë, - tha ai, - edhe Franca do të hyjë, sepse ne dimë se Gjermania në këtë çështje është mbrapa Austrisë. “Duke ndier se lufta mund të ishte e afërt, Puankareja nisi bisedimet me britanikët, të cilët çuan në një shkëmbim notash në fundin e nëntorit 1912 ndërmjet Grejit, sekretarit britanik për Politikën e Jashtme dhe Pol Kambonit, ambasadorit francez në Londër. Në to parashikohej se, nëse kërcënohej paqja e përgjithshme, Britania dhe Franca do të ndërmerrnin hapa të menjëhershëm për të vendosur për masat e përbashkëta për ta zgjidhur krizën. Qeveria britanike e pasoi këtë shkëmbim notash me një paralajmërim të ashpër ndaj gjermanëve në fillim të dhjetorit se, nëse një sulm austriak mbi Serbinë çonte në një luftë të përgjithshme evropiane, Britania zor se mund të mbetej një spektatore e heshtur. Britania nuk do ta lejonte disfatën e Francës dhe prishjen e balancës së fuqive, e cila do ta linte gjithë Evropën nën kontrollin e një shteti të vetëm. I tërbuar prej këtij paralajmërimi, kajzeri gjerman mblodhi shpejt një konferencë të këshilltarëve të tij kryesorë të ushtrisë dhe flotës më 8 dhjetor 1912 dhe shpalli se përballë qëndrimit britanik, Gjermania duhet t’u deklaronte luftë menjëherë Francës dhe Rusisë. Mirëpo Tirpici kundërshtoi, duke thënë se flota nuk do të ishte gati për luftë edhe për tetëmbëdhjetë muaj të tjerë (pas kësaj ai e zgjati kohën dy vjet), por Moltke, kreu i Shtabit të përgjithshëm të ushtrisë, mbështeti thirrjen e kajzerit për veprim. Ai besonte se një luftë ishte e pashmangshme dhe kërkoi që ajo të nisej “sa më shpejt të ishte e mundur”. Ai ishte i alarmuar prej rritjes së vazhdueshme dhe në shkallë të gjerë të forcës së ushtrisë ruse, e cila, nëse nuk mbahej nën kontroll, mund t’i nxirrte jashtë loje të gjitha premisat mbi të cilat ishte bazuar plani ushtarak i Gjermanisë. Kjo konferencë e 8 dhjetorit ka qenë parë si një dëshmi bindëse e vendosmërisë gjermane për të nisur një luftë, por asgjë nuk doli nga konferenca. Betmani, kancelari gjerman, as nuk ishte informuar për këtë. Vetëm një javë më pas ushtria gjermane nuk bëri përgatitje për luftë dhe qeveria gjermane dhe austriake nuk bënë asgjë për ta bashkërenditur politikën e tyre apo planet ushtarake. Admirali fon Myler, shefi i kabinetit detar, shënimet e të cilit janë një burim kryesor për atë që ngjau në konferencë, arriti në përfundimin se “rezultati ishte zero me xhufkë”. Konrad fon Honcendorf, i cili u rivendos si shefi i Shtabit të Përgjithshëm Austriak më 12 dhjetor, edhe një herë doli në mbrojtje të luftës kundër Serbisë. Sërish u zmbraps me vendosmëri prej perandorit Franc Jozef, i cili në këtë çështje kishte mbështetjen e arkidukës Franc Ferdinand, trashëgimtarit të fronit, ministrit të Jashtëm Berhtold dhe të hungarezëve.
Austria jo vetëm që u përmbajt nga ndërhyrja kundër Serbisë, por nuk lëvizi kur Serbia dhe Mali i Zi e pushtuan Sanxhakun e Novi Pazarit, prej nga u rrit mjaft mundësia e një bashkimi të mirëfilltë ndërmjet këtyre dy shteteve sllave të jugut, së cilës austriakët gjithmonë i druheshin. Në fakt, austriakët në këtë kohë patën një qëndrim të vendosur vetëm për një çështje në Ballkan. Ata kërkonin që ish-territori osman midis maleve shqiptare dhe Detit Adriatik, të cilin e kishin pushtuar grekët, serbët dhe malaziasit gjatë luftës, të bëhej një shtet i pavarur kombëtar shqiptar, si një kundërpeshë ndaj sllavëve të jugut dhe për t’ua mohuar atyre këtë zgjerim të mëtejshëm territorial. Më të prekurit nga ky propozim ndiheshin serbët, të cilët synonin qe në Shqipërinë e Mesme t’u jepej një dalje e pavarur, tepër e lakmuar për det. Në fund austriakët siguruan pëlqimin e fuqive për të ngritur një Shqipëri të pavarur, por me çmimin e krizave të tjera ndërkombëtare.


Serbia angazhoi 286 mijë forca operative 


Lufta e parë ballkanike, pushtimi dhe copëtimi i tokave shqiptare 



Shtetet ortodokse të Aleancës Ballkanike, sipas një marrëveshjeje të fshehtë, në tetor 1912 nisën operacionet pushtuese ndaj tokave shqiptare. Luftën i pari e nisi Mali i Zi, më 8 tetor 1912 dhe angazhoi 34 mijë ushtarë të komanduar nga mbreti Nikolla I. Efektivat ushtarake të tij përbëheshin prej katër divizioneve me 11 brigada këmbësorie (52 batalione) dhe 322 çeta territoriale. Kjo ushtri për pushtimin e Shqipërisë u nda në tri grupime: Grupimi Veri-Lindje u komandua nga gjenerali Janko Vukotiç dhe kishte për detyrë të marshonte mbi pjesën perëndimore të Sanxhakut, të kryente veprime luftarake, sidomos në zonën e Novi Pazarit, pastaj të marshonte në drejtim të Pejës e Gjakovës. Repartet e këtyre njësive do t’i pushtonin edhe Plavën e Gucinë; Grupimi i Qendrës u komandua nga princi Danillo, i përbërë nga divizioni i dytë dhe i tretë me 6 brigada këmbësorie dhe veprimi ushtarak pushtues ishte drejtimi Tuz-Koplik-Shkodër; kurse Grupimi i Jugut, ose i Bregdetit, përbëhej nga divizioni i parë, që kishte 3 brigada këmbësorie me 11 mijë ushtarë dhe misioni i tij ishte pushtimi i portës së Shëngjinit, të Lezhës dhe të Shkodrës.
Pas disa ditësh, pikërisht më 17 tetor, edhe Serbia marshoi në drejtim të Kosovës dhe Maqedonisë, ndërsa përkrah saj më 17 tetor Bullgaria angazhoi një divizion prej rreth 40 mijë ushtarësh në drejtim të Maqedonisë, duke synuar Kumanovën, Shkupin e Luginën e Vardarit. Ndërkaq, një ditë më vonë, më 18 tetor, Greqia me një forcë mobilizuese prej 115 mijë vetash sulmon Shqipërinë jugore për ta pushtuar Çamërinë. Në operacionet për pushtimin e Kosovës, Serbia angazhoi 286 mijë forca operative me 550 armë artilerike. Kjo forcë operative ishte e strukturuar në katër armata. Armata e parë që numëronte 126 mijë forca komandohej nga princi trashëgimtar Aleksandër Karagjorgjeviq, me qendër në Vranjë dhe kjo armatë kishte 6 njësi të mëdha që udhëhiqeshin nga shefi i shtabit Petar Bojoviqi. Në kuadër të kësaj armate ishin: Divizioni I i Moravës, Divizioni II i Timokut, Divizioni I dhe II i Drinës etj.
Në Armatën e parë ishin këto efektiva: 76 batalione, 30 eskadrone, 40 batari etj. Armata e dytë numëronte 75 mijë forca dhe komandohej nga gjenerali Stepan Stefanoviq. Qendra e kësaj armate e kishte zgjedhur vendkomandimin në Qystendil. Në efektivat e saj ishin: 40 batalione, 5 eskadrone dhe 24 bateri; Armata e tretë përbëhej prej 63 mijë forcash, të komanduar nga gjenerali Bozhidar Jankoviq (udhëheqës i organizatës çetnike serbe “Mbrojtja popullore”) dhe nga shefi i shtabit koloneli Dushan Peshiq. Kjo armatë vendkomandimin e kishte në Kurshumli. Efektivat e kësaj armate ishin: 44 batalione, 9 eskadrone dhe 25 bateri. Përveç këtyre forcave, vepronin edhe repartet ushtarake të Ibrit e Javorit dhe ato të Malit të Zi që, në fakt, përbënin armatën e katërt, me një efektivë prej 35 mijë forcash, me komandant-gjeneralin Mihajlo Zhivkoviq. Ky grupim ushtarak vend komandën e kishte në Rashkë. Në këtë armatë përfshiheshin: 16 bateri dhe 2 eskadrone me 8 bateri të divizionit “Shumadia” me 23 mijë veta dhe brigada “Javori” e komanduar nga kolonel M. Angjellkoviq, që përbëhej nga 8 bateri, 1 eskadron dhe 3 bateri me gjithsej 12 mijë ushtarë. Komandant i përgjithshëm i ushtrisë serbe ishte vetë mbreti Petar Karagjorgjeviqi, ndërsa shef i Shtatmadhorisë gjenerali Radomir Putnik.
Gjenerali famëkeq Bozhidar Jankoviq, komandant i Armatës së III serbe dhe udhëheqës i organizatës çetnike serbe “Mbrojtja popullore”. Armata I dhe II serbe, me urdhër të shefit të shtatmadhorisë, gjeneralit Radomir Putnik, ndërmori mësymjen në drejtimin: Vranjë-Kumanovë-Manastir-Elbasan (për ta kapur luginën e Shkumbinit), si dhe në drejtimin: Nish-Manastir-Selanik, të ndihmuar nga një divizion bullgar, që operonte në kuadër të armatës së II serbe. Ndërkohë, Armata e III kaloi në mësymje në drejtimin Kurshumli-Prishtinë-Prizren-Orosh (Mirditë)-Durrës, ndërsa grupimi i IV në drejtimet Rashkë-Sanxhak-Mitrovicë-Pejë dhe Javor-Selenicë-Prijepojë. Objektivi i afërt i armatës së tretë dhe grupimit të katërt ishte kapja e luginës së Drinit, ndërsa objektivi i largët ishte lugina e Shkumbinit dhe dalja në detin Adriatik. E tërë kjo strategji e koncentrimit ushtarak ishte përcjell me ndihmë logjistike dhe mjekësore nga Rusia dhe Franca si dhe prej disa shteteve të tjera evropiane. Sipas planeve strategjike, forcat serbe në drejtim të Kosovës operuan në dy etapa. Etapa e parë e ndarë në dy faza përfshiu operacionet për pushtimin e Rrafshit të Kosovës dhe më pas Rrafshin e Dukagjinit deri në Luginën e Drinit 2. Ndërkaq etapa e dytë nis me mësymjen e forcave serbe në drejtim të Lumës për të dalë në Adriatik. Përballë ushtrisë pushtuese serbe u gjendën forcat kryengritëse shqiptare dhe disa efektiva të vogla osmane. Kryengritësit shqiptarë ishin dislokuar në këto pozicione: Në veriperëndim të Shqipërisë në gjerësinë frontale të qëndresës: derdhja e lumit Bunë - Hot - Kelmend, forcat shqiptare drejtoheshin nga Ded Gjo Luli. Në veri, në drejtimet kryesore: Pejë-Beranë-Bjellopojë, me thellësi mbrojtjeje nga Berana deri në Gjakovë dhe në gjerësi frontale të mbrojtjes: Guci-Beranë-Plavë, forcat e qëndresës shqiptare udhëhiqeshin nga Bajram Curri, ndërsa në vijim - drejtimin e Sanxhakut, Pazarit të Ri, me thellësi mbrojtjeje nga Sjenica deri në Mitrovicë dhe me gjerësi frontale: Selenicë-Jeni Pazar e mbulonte Isa Boletini. Në verilindje, drejtimet Llap-Gollak me thellësi nga Merdari në Prishtinë dhe me gjerësi frontale: Permalinë-Bujanoc i mbronin forcat shqiptare në krye me Idriz Seferin. Në Lindje, nga Presheva deri në thellësi të Shkupit me gjerësi frontale: Bujanoc - Qystendil, flamurin e qëndresës e mbanin Hasan Prishtina, Mehmet Deralla i Tetovës dhe Elez Isufi i Dibrës; 5. Ndërkaq, në kuadrin e një mbrojtjeje të shkallëzuar brenda territorit, ngrihej grupimi luftarak që mbulonte hapësirën e bashkimit të Drinit të Bardhë e të Zi (Lumë). Këto forca vullnetare udhëhiqeshin nga patriotët Ramadan Zaskoci, Islam Spahija e shumë të tjerë. Më 14 tetor 1912 forcat e Armatës III serbe ishin koncentruar në këto zona: Zona e Toplicës përfshinte Divizionin e Shumadisë në sipërfaqen Kurshumli - Bajë e Kurshumlisë; Divizioni i dytë i Moravës ishte i stacionuar në terrenin Merdar - Raqë; Divizioni 2 dhe 3 i artilerisë ishin të koncentruar në zonën: Kurshumli - Bllacë. Në këtë territor ishin përqendruar edhe një bateri e rëndë topash dhe bateria 3 e të ashtuquajturave “haubica” që kishin mundësi të gjuajnë me frekuenca të gjata. Ndërkaq, në zonën e Medvegjës ishin koncentruar: Brigada e parë e Moravës dhe Divizioni i dytë i Drinës në territorin Ratkocer-Merkonjë-Medvegjë; brigada e parë e Moravës ishte koncentruar në terrenin Dukat-Maja e Topallës-Tullar, ndërsa divizioni i parë malor dhe bateria e 4-t e haubicave ishte e koncentruar në sipërfaqen Medvegjë - Lebanë. Nga grupi i Toplicës ishin koncentruar këto forca serbe: Divizioni i Shumadisë nëpër Lumin e Bajës deri në Perpalac, me qëllim të depërtimit kah Podujeva dhe Prishtina. Regjimenti 11 (batalioni 1 dhe 2 me baterinë e 6 fushore) ishin përqendruar në shkrepat e Dabishecit; Regjimenti 12 ishte vendosur në nyjën strategjike Perpallac (batalioni 1 dhe 2) në Shushnjakë dhe Erëlishtë deri te Kërtoku (batalionet 3 dhe 4 me bateritë 4 dhe 5 fushore)duke marrë pozicione vrojtuese në lidhje me njësitë ushtarake në Dabinoc. Të gjitha këto forca vetëm e pritnin urdhrin për të sulmuar forcat kufitare shqiptare dhe për të depërtuar brenda në Kosovë. Beteja e parë e përgjakshme në mes forcave të armatosura shqiptare në mbrojtje dhe forcave serbe u zhvillua nga 14/15 tetor 1912, në zonën kufitare të Merdarës për t’u shtrirë më pastaj në të gjitha hapësirat frontale. Në të vërtet, në territorin e Merdarit, sipas të dhënave serbe, aradhat çetnike pa lejen e Komandantit të Armatës III dhe Divizionit II të Moravës i sulmuan forcat kufitare shqiptare, mirëpo në këto luftime forcat shqiptare dolën fitues. Ndërkohë, komanda serbe mori masa mobilizuese, por megjithatë, një krahë të ushtrisë e përfshiu paniku dhe u larguan nga fronti. Deri më 18 tetor, me urdhër të komandës serbe, me qëllim të shkaktimit të konflikteve të vogla, krijimit të frikës në popull dhe depërtimit sa më lehtë në Kosovë, në brendësi të Kosovës (fshehtas) u futën katër aradha çetnike, si:
1. Aradha Çetnike e Llapit, nën komandën e kapiten Vojisllav Tankosiqit,
2. Aradha Çetnike e Lisicës, nën komandën e kapiten D. Sekuliqit,
3. Aradha Çetnike e Llukovës, nën komandën e kapiten P. Bllazhariqit dhe
4. Aradha Çetnike e Gjilanit nën komandën e kapiten B. Simiqit.
Dhe, më 18 tetor në të gjitha vijat e frontit u përhap zjarri i luftës. Gjatë këtyre luftimeve të përgjakshme, ushtria pushtuese serbe pësoi humbje të mëdha, ku pati 1400 të vrarë e të plagosur. Pas disa ditë luftimesh të përgjakshme, forcat e qëndresës shqiptare nën presionin shkatrrimtar të zjarrit artilerik të trupave pushtuese serbe, u tërhoqën në drejtim të Podujevës. Në afërsi të Podujevës (te Merçezi) divizioni i Shumadisë - hasi në rezistencë të forcave shqiptare, mirëpo për shkak të epërsisë ushtarake dhe artilerisë së rëndë, këto forca detyrohen sërish të tërhiqen. Gjatë këtij operacioni, forcat serbe duke e përdorur tërë artilerinë e rëndë, dogjën e rrafshuan me tokë shumë fshatra të Llapit.Përkundër rezistencës shqiptare, natën e 20/21 tetorit 1912 ushtria serbe e pushtoi Podujevën dhe menjëherë vendoset regjimi ushtarako-policor në tërë regjionin e Llapit. Komandanti i Armatës së tretë serbe gjenerali Bozhidar Jankoviq me qëllim të depërtimit sa më të lehtë në drejtim të Prishtinës dhe gjetiu, lëshoi një proklamatë të shkruar me germa çirilike në gjuhën shqipe të titulluar: “Te Tona Fiseve n’Shqipni, or vllazni”, në të cilën i ftonte shqiptarët që të mos i bëjnë rezistencë ushtrisë serbe, sepse ajo kishte ardhur si “mike e shqiptarëve” për “të përzënë ushtrinë turke nga Ballkani”! Në fund të proklamatës porositen shqiptarët, që nëse do të shtinin në ushtrinë serbe “pushken kemi me qit m qato, qi qetë në ne, elle na lasht Zoti, shkrum kemi me e bo qat shpi, e katundin, qi na kthen pushk n,e qato qi na pret vllaznisht, kemi me perqaf vllaznisht, sikur vllau vllaun, se po bim nji dor: Bes n e Zotit, dretën e njerzin, e në qetrën po bajim arm e zjarm”.

Ushtria serbe shfarosi Ferizajn dhe Kaçanikun 


Ushtria serbe vrau e masakroi pa mëshirë rreth dy mijë shqiptarë 

Gjatë kësaj faze bie në sy tërheqja dhe shmangia e efektivave osmane nga ballafaqimet e armatosura me ushtrinë serbe. Kjo tërheqje pa qëndresë, sidomos e reparteve të Baftjar Pashës nga Mitrovica nëpër Drenicë për në Gostivar dhe e 12 reparteve të divizionit 21 të Xhavit Pashës nga Sanxhaku, nëpër Has e Lumë për në Dibër, dëshmojnë qartë për arritjen e një marrëveshjeje serbo-osmane: që këto forca të tërhiqen pa gjakderdhje nga tokat shqiptare.
Më 22 tetor 1912 Divizioni i Shumadisë dhe ai i Moravës të armatës III e sulmuan Prishtinën dhe pas një lufte të përgjakshme në grykën e Teneshdollit, për mungesë municionesh Prishtina ra në duar të tyre. Menjëherë pas hyrjes së ushtrisë serbe në Prishtinë, filloi aksioni për çarmatimin e shqiptarëve nga kufiri deri në Prishtinë. Më 24 tetor, pa u ndalur fare, ushtria serbe nis një operacion me përmasa shfarosëse në drejtim të Ferizajt dhe Kaçanikut. Pas luftimeve të përgjakshme, forcat serbe me përdorimin e gjithë arsenalit të artilerisë së rëndë, më 25 tetor futen në Ferizaj, ndërsa një ditë më vonë marrin nën kontroll edhe Kaçanikun. Krahas këtyre operacioneve (të armatës së III), në krahun lindor operonin 126 mijë trupa të armatës së parë. Këto forca gjatë marshimit në drejtim të Shkupit, hasën në rezistencë të forcave kryengritëse shqiptare dhe nga 22-24 tetori 1912 në Kumanovë u zhvillua beteja më e madhe deri atëkohë.
Beteja e Kumanovës u zhvillua midis malit Kozjak në lindje, Malit të Zi të Shkupit në perëndim, midis lumenjve Pqinje dhe Lumit të Madh në jug, si dhe në veri të fshatrave Llojan, Karabiqan, Nikulan dhe Strezovc. Në Betejën e Kumanovës, e cila mendohet se ishte vendimtare për fatin e luftës së vitit 1912, armata serbe pati 21 oficerë dhe 702 ushtarë të vrarë. Qëndresa heroike e forcave shqiptare që drejtoheshin nga Hasan Prishtina, gjeneral Mehmet Deralla, Elez Isufi dhe Idriz Seferi, në sajë të forcave serbe shumëfish më të mëdha dhe përdorimit të armëve artilerike, u thye më 24 tetor. Ato ditë të gjitha fshatrat shqiptare mbetën të boshatisura dhe afër 150 mijë të ikur u përqendruan në Shkup. Pas betejës së Kumanovës dhe pushtimit të qytetit, më 30 tetor 1912 ushtria serbe pushton pa luftë edhe Shkupin. Gjatë rrugëtimit për në Shkup ushtria serbe vrau e masakroi pa mëshirë rreth 2 mijë shqiptarë. Ato ditë, pas rënies së Shkupit, ushtria serbe i kap të gjallë 13 krerë të Kryengritjes Kombëtare Shqiptare si:
Hasan Prishtinën (ai u kap në rrethinën e Shkupit derisa po bënte përpjekje mbinjerëzore të rezistencës dhe me tërë qenien përpiqej ta pengonte tërheqjen dhe shpërnguljen e popullit shqiptar nga frika e barbarisë serbe); Nexhip Dragën nga Mitrovica; Seid Efendin nga Shkupi; Shaban Pashën nga Prishtina; Qemajl Beun nga Shkupi; Hurshid Omerin nga Prishtina; Rushit Beun nga Dobratini i Prishtinës; Muharrem Efendin nga Prishtina; Xhemajl beun nga Prishtina; Jashar Pashën nga Peja; Ibrahim bej Kokola nga Prishtina; Idriz Seferin nga Gjilani; Kasum Seferin nga Gjilani; Mustafë Muhsinin nga Stambolli, profesor i Gjimnazit në Shkup. Të arrestuarit internohen dhe izolohen në Kështjellën e Beogradit.
Duke qenë në burg, komandanti i armatës së III (Bozhidar Jankoviq), me qëllim të "qetësimit" të gjendjes në Kosovën e pushtuar, kërkoi ekzekutimin e këtyre prijësve, ndërsa qeveria serbe, për shkak të famës që kishin ata në popull, iu shmang një veprimi të këtillë. Pas qëndrimit disamuajsh, më 16 maj 1913 ata do të lirohen nga burgu me kusht "se do të bëhen qytetarë lojalë të mbretërisë së Serbisë". Në ngjarjet e mëvonshme, ndonëse emrat e disave nga të liruarit nuk do të përmenden kurrënjëherë (ndoshta për shkak të lojalitetit ndaj pushtuesve), të tjerët në krye me atdhetarin Hasan Prishtina do t'i bashkëngjiten qëndresës shqiptare deri në vdekje. Me betejën e Kumanovës, gjegjësisht me pushtimin e Shkupit dhe përgjithësisht të Rrafshit të Kosovës, përfundon faza e parë e luftërave pushtuese serbe në Kosovë dhe fillon faza e dytë (etapës së parë) për pushtimin e Rrafshit të Dukagjinit.

Luftërat e përgjakshme në Rrafshin e Dukagjinit

Operacionet pushtuese të ushtrisë serbo-malazeze në drejtim të Rrafshit të Dukagjinit filluan më 30 tetor 1912, kur shërbimi i zbulimit të armatës së III njoftoi komandën supreme të saj "se prijësit shqiptarë po thërrisnin nën armë lumjanët dhe fiset përqark" në Dukagjin. Në operacionet mësymëse drejt Prizrenit dhe Gjakovës u angazhuan divizionet "Shumadia 1" dhe "Drina 2", ndërsa Brigada "Morava" operonte drejt Tetovës, në krahun e majtë të këtyre dy divizioneve. Përleshjet e para me forcat e qëndresës shqiptare nisën në rrethinat e Ferizajt, në fshatin Skullupovë dhe në Hanin e Zborcit për të vazhduar më pas në Shtime e në Duhël-Grykë të Carralevës.
Në pozicionet: Gryka e Carralevës - Qafa e Duhlës - Llapushë, që nga 21 tetori ishin rreshtuar forcat shqiptare të ardhura nga Luma, bajraku i Përdrinit e të Astrazupit. Në krye të këtyre forcave ishin: Ramadan Zaskoci, Sali Spahija, Qazim Lika, Ahmet Qehaja, Cen Daci, Ramadan Çejku - nga Luma; Abaz Bajraktari nga Ostrozupi; Rexhë Bardhi e Ramadan Shabani nga Kijeva, Hasan Hyseni, Dostan Kabashi nga Suhareka, Rexhë Ali Mehmeti nga Hasi e shumë të tjerë. Njëkohësisht me këto beteja të përgjakshme, në pjesën veriperëndimore dhe verilindore të Kosovës, (në drejtim të Rrafshit të Dukagjinit), pasi e kishin pushtuar Beranën (Ivangradin), Plavën, Gucinë, Jeni Pazarin, Rozhajën, Javorin, ia mësynë forcat e grupimit lindor-malazez dhe ato të grupimit të katërt serb (njësia e Ibrit). Forcat serbo-malazeze, pas thyerjes së qëndresës shqiptare në rrethinat malore të Pejës, më 30 tetor u futën në këtë qytet pa luftë. Në të vërtetë, qyteti i Pejës iu dorëzua forcave pushtuese, nga paria bashibozuke e prirë nga Sefedin Mahmut Begolli, pasi nënshkroi aktin e tradhtisë një ditë përpara (29 tetor) në Qafë të Paklenit - me gjeneralin e grupimit lindor malazez Janko Vukotiqin. Për këtë shërbim, me rastin e formimit të administratës "krahinore" në Pejë (më 3 nëntor 1912), Sefedin M. Begolli do të emërohet kryetar i gjykatës. Në operacionet pushtuese, drejt Deçanit e Gjakovës, gjatë datës 1-3 nëntor 1912, forcat serbo-malazeze, në malet e Junikut dhe te "Kërrshi i Mergegës" u përballën me forcat shqiptare të udhëhequra nga Bajram Curri, Bajram Daklani etj. Mirëpo, për shkak të epërsisë numerike dhe përdorimit të artilerisë së rëndë, forcat e qëndresës shqiptare tërhiqen në vijën strategjike përgjatë Qafës së Morinës. Ndërmjet 5/6 nëntorit 1912, trupat serbe dhe malazeze pushtuan Gjakovën dhe pas një grindjeje ndërmjet tyre, këtë qytet e ndanë në dy pjesë, sipas përroit të Taphanës (lumit Krena) që kalon mes përmes qytetit. Kjo grindje në mes të ushtrisë serbe e malazeze u bë se kush do ta zotëronte Gjakovën. Gjakova ndoshta ishte i vetmi qytet që në atëkohë u nda nga forcat aleate, të cilat i pushtonin bashkërisht tokat shqiptare. Forcat e grupimit të gjeneral J. Vukotiçit nga 20 nëntori do t’i shkojnë në ndihmë Grupimit të Qendrës, me rreth 5 500 trupa në përforcim të rrethimit të Shkodrës.
Derisa zhvilloheshin luftime të përgjakshme për mbrojtjen e Gjakovës, Divizionet "Shumadia 1" dhe "Drina 2", duke e përdorur tërë arsenalin e armatimit të rëndë ndaj fshatrave shqiptare në Shtime e Grykë të Carralevës, synonin pushtimin e Prizrenit. Më 25 tetor 1912, ndonëse në Grykë të Carralevës ishin fortifikuar rreth 3-4 mijë kryengritës shqiptarë, në një përleshje triumfuan mbi forcat serbe, të cilat u detyruan të tërhiqen përkohësisht. Ndërkaq, në sulmin e dytë ajo arriti t’i thyejë forcat shqiptare. Pas thyerjes së qëndresës në Carralevë e në Qafë të Duhlës, forcat shqiptare tërhiqen drejt jugut, për t’u përqendruar në zonat malore të Pashtrikut, Koretnikut, Gjallicës (Pikllimës) e të Sharrit. Në mëngjesin e 3 nëntorit 1912 ushtria serbe hyri në Prizren pa hasur në rezistencë nga shqiptarët, duke marshuar nëpër qytet, me qëllim të demonstrimit të forcës para popullsisë së paarmatosur shqiptare. Vetëm ditën e parë ushtria serbe rrugëve të qytetit dhe nëpër shtëpitë e tyre vrau rreth 400 shqiptarë të pafajshëm. Më 5 nëntor në Prizren u vendos edhe komanda e armatës së III serbe në krye me komandantin famëkeq, gjeneralin Bozhidar Jankoviq. Forcat e ushtrisë serbe (armata III dhe grupimi i katërt) dhe forcat e grupimit lindor malazeze, pas tri jave luftimesh të përgjakshme, të shoqëruara me vrasje e masakrime të shumta në gra, pleq e fëmijë dhe shkatërrime e djegie të qindra fshatrave shqiptare, arriti ta pushtojë Kosovën. Forcat pushtuese serbe në javën e parë të nëntorit 1912 qenë pozicionuar në gjerësinë frontale: "nga rrëza e qytetit të Shkodrës - Plavës e Gucisë - Rrëzë Qafës së Morinës në Malësi të Gjakovës - rrëzë Qafës së Prushit në Has - rrëzë Qafës së Zhurit në Lumë dhe rrëzë Gurit të Zi (Sharr) - Tetovë. Ndërkaq, në gjerësinë e ngushtë frontale në drejtim të Lumës, dy divizionet e eskalionit të parë (Shumadia-1 dhe Drina-2) të armatës së III, shtriheshin në vijën, Gjakovë - Ura e Fshejtë - Planejë - Kobajë - Leskovec - Guri i Zi në Sharr (pjerrësia perëndimore). Këtu mbyllet faza e dytë e etapës së parë të luftimeve pushtuese dhe nis përgatitja e etapës së dytë të operacioneve serbe për pushtimin e Lumës dhe daljen e saj në Detin Adriatik, synim ky i kamotshëm i saj.



Çetnikët masakruan shqiptarët në Kosovë 


Veprimet e grupeve çetnike serbe në Kosovë gjatë luftës së parë ballkanike 


Grupet çetnike-komite serbe në mënyrë të organizuar edhe para luftës së parë ballkanike që depërtonin në territorin e Turqisë së atëhershme ishin të organizuara nga ana e qeverisë dhe ushtrisë serbe. Duke e parë se pushteti osman së shpejti do të përfundojë në këto treva, këto grupe u bënë instrumente ekskluzivi të politikës nacionaliste të qeverisë serbe, e cila lëvizje kishte kohë që e kishte humbur karakterin e vet nacionalçlirimtar dhe shndërrohet në fuqi për fitime të serbomëdhenjve në të ashtuquajturat vise jugore, si në Sanxhak dhe në Kosovë. Kjo lëvizje ishte nën komandën supreme të ushtrisë serbe, njëkohësisht nën kontrollin e plotë të Qeverisë së Serbisë. Posa filloi lufta e parë ballkanike vetëm në vijën kufitare me Turqinë, në fronin ku i kishte pozitat Armata e III serbe nga Medvegja - Përpellac - Kopaonik, vepruan aradhja çetnike e Llapit, e Lisicës dhe e Gjilanit. Që nga dita e parë e luftës këtyre çetave - aradheve çetnike në sektorin kufitar - iu bashkuan shumë vullnetarë të kombësisë serbe, prej 10 deri 100 njerëz. Disa njësi çetnike që vepronin në prapavijë të ushtrisë osmane shumë shpejt u shndërruan në aradhe të mëdha të ushtrisë serbe, ku numri i tyre arrinte deri në 400 veta, e që në shumë raste kishin edhe artileri malore. Se numri i tyre rritej shpejt na tregon fakti se edhe në Maqedoni në fillim të luftës kemi 34 aradhe vullnetare. Duhet cekur se një aktivitet të shtuar të këtyre njësiteve e hasim veçanërisht me depërtimin e ushtrisë serbe në Kosovë dhe Maqedoni. Numerikisht shtoheshin edhe duke iu bashkangjitur njësive rezervë të rendit të dytë dhe të tretë. Ndihmonin ushtrinë serbe në vendosjen e pushtetit në ato vende ku i merrte ushtria, si në formimin e organeve të pushtetit civil dhe ushtarak, në roje të institucioneve të ndryshme ushtarake dhe civile, viheshin në poste të ndryshme, merrnin pjesë aktivisht në luftë dhe në vendosjen e ruajtjen e rendit dhe të qetësisë nëpërmjet formave të ndryshme si me formimin e policisë nëpër qytete e fshatra, me rregullimin e vijave të komunikacionit dhe mbrojtjen e tyre dhe shumë veprimtari të tjera sipas nevojës. Bazuar në rezultatet e arritura, del se një organizim i tillë ishte i frytshëm si në vijën kufitare ashtu edhe në luftërat në brendësi, jo vetëm për t’i marrë pikat strategjike dhe qytetet, por ishte në çdo vend tjetër. Popullsia vendëse i bashkohej në mënyrë masive numrit të vullnetarëve aty ku depërtonte ushtria serbe. Këto forca vepronin në ndjekje të njësive të vogla armike dhe forcave të tjera që iu kundërvunë ushtria serbe, kurse një përparësi ishte se njësitë vullnetare vendëse e njihnin terrenin. Këto njësi morën pjesë në spastrimin e terrenit në luginën e Llapit, në grykën e Teneshdollit, në terrenin e burimit të lumit Llap, në Kopaonik, në terrenin e Shalës, të Ibrit, pastaj morën pjesë bashkë me ushtri në marrjen e Mitrovicës e të Vushtrrisë, po këto njësi u përdorën edhe në Drenicë në drejtim të Llaushës, Deviqit etj.
Një pjesë nga aradhja çetnike për ndjekjen e njësive të vogla osmane dhe spastrimit të terrenit u përdorën në vijën Dibër - Tetovë, në rrethin e Gorës, të Prizrenit e deri në kufirin me Malin e Zi - pra në Gjakovë. Bazuar në kontributin e dhënë për ushtrinë serbe, këto njësi u bënë të domosdoshme për këtë gjeneral shtabi i ushtrisë së Serbisë. Pas luftës së parë ballkanike njësitë vullnetare jo që nuk i liroi, por nga ato filloi të formojë edhe njësi të rregullta vullnetare. Tani del ideja e formimit të njësive “Vullnetare” pas luftës së parë ballkanike nga radhët e të gjitha kombësive në territoret e fituara e që si synim ishte të përdoreshin në rast të luftës eventuale me Bullgarinë. Kjo u zyrtarizua me një urdhëresë zyrtare të komandës supreme nr. 6113 të muajit maj 1913, ku i caktuan edhe vendet si në vijim: Batalionin e Parë në “Sveti Nikolla” - Maqedoni, të dytin në Prishtinë, të tretin në Gjevgjeli dhe të katërtin në Negotin të Vardarit - Maqedoni. Një vëmendje të veçantë i kushtohej që në këto batalione të inkuadroheshin serbët, shqiptarët, turqit nga Kosova dhe Maqedonia. Si kusht për të qenë i mobilizuar duhet të ishte i shëndosh fizikisht dhe psikikisht, me një përparësi për personat që kishin kryer shërbimin ushtarak, mandej lejohej që edhe ish-oficerët e ushtrisë osmane mund të pranoheshin nëse kishin dëshirë për këtë. Të gjithë ata që hynin në radhën e kësaj ushtrie kishin beneficione varësisht nga posti që bartnin duke filluar edhe me veshje, pagesë mujore, njëherësh ishin nën mbrojtjen e ligjeve ushtarake të ushtrisë serbe. Sa i përket anëtarësimit në këto njësi të shqiptarëve, ata kryesisht u mobilizuan me dhunë, u futën në Batalionin II, i cili përkohësisht e kishte selinë në Prishtinë. Në këtë batalion parashihej të inkuadroheshin njerëzit e mobilizuar nga qarku i Prizrenit, Prishtinës, Novi Pazarit dhe Plevlës. Komanda serbe u mobilizua plotësisht që shqiptarët të jenë të përfshirë në njësitet e saj, duke insistuar që nga çdo shtëpi të kishte vullnetarë, duke iu premtuar madje edhe një prijës fetar në çdo batalion për t’i kryer ritualet e tyre. Ky insistim vjen si rezultat që shqiptarët mos të mobilizoheshin kundër tyre, respektivisht këta ushtarë “vullnetarë shqiptarë” do të ishin si pengë në rast të ndonjë mobilizimi, pastaj të gjithë këta të mobilizuar do të përdoreshin në luftë kundër Bullgarisë. Mirëpo, shqiptarët pritnin që organet ushtarake t’i armatosnin dhe posa të fillonte lufta, të kalonin në anën e të fortit. Nga këto deklarata kemi shqetësime në mesin e ushtarëve, por edhe të udhëheqësve të tyre, ku si rezultat kemi urdhrin e komandës supreme për shpërndarjen e këtyre njësive, ku u cilësuan si shumë të dëmshme, veçanërisht në kohën e luftës.
Lufta e parë ballkanike përfundoi me Traktatin e Londrës të 30 majit 1913, i cili i detyroi osmanët t’i dorëzonin të gjitha territoret në Evropë, me përjashtim të një rripi të ngushtë përqark Stambollit dhe të hiqnin dorë nga të gjitha pretendimet për Kretën. Rregullimi përfundimtar i Shqipërisë dhe i ishujve të Egjeut, shumica e tyre të pushtuara nga Greqia gjatë luftës, u la për një vendim të mëvonshëm të Fuqive të Mëdha. Sidoqoftë, shumë kohë përpara Traktatit të Londrës ishte e qartë se paqja me Portën e Lartë nuk do të sillte paqe për Ballkanin dhe ishte e sigurt se në atë rajon do të zhvilloheshin kriza të reja për ndarjen e plaçkës. Një problem i këtij lloji ishte Shqipëria, ku të tri shtetet ballkanike që kishin pushtuar territore shqiptare nuk pranuan t’i njihnin kufijtë e projektuar nga Fuqitë e Mëdha për një shtet të pavarur shqiptar. Vetëm pasi Austria kërcënoi me luftë më 1913, malaziasit hoqën dorë nga synimet e tyre për Shkodrën, në Shqipërinë veriore dhe serbët zbrazën qytetin-port të Durrësit. Sidoqoftë, në jug grekët mbajtën me kokëfortësi ato territore që i kishin pushtuar gjatë luftës dhe, ashtu sikundër do të shohim, ia arritën ta ruajnë pjesën më të madhe të tyre. Një problem edhe më serioz ishte zhgënjimi i Bullgarisë në procesin e ndarjes së plaçkës. Bullgarët kishin pasur peshën kryesore në luftimet kundër forcave osmane që vepronin jashtë Stambollit, por shpresat e tyre për ta vendosur kontrollin mbi kryeqytetin osman u bllokuan me vendosmëri nga Rusia. Në Maqedoni ata u ndjenë më të mashtruar nga aleatët e paradokohshëm, Serbia dhe Greqia. Grekët, që pushtuan qytetin-port, Selanikun, pikërisht disa orë përpara se të arrinte ushtria bullgare, jo vetëm se e mbajtën këtë pre, po morën edhe një rrip të gjatë toke në bregun e Egjeut deri në lindje të qytetit. Ndërkohë, serbët kishin marrë pjesën më të madhe të Maqedonisë, e cila ishte caktuar për Bullgarinë në marrëveshjen e tyre të 13 marsit 1912, ashtu si dhe rajonin e caktuar për t’u arbitruar nga cari, të cilin ata e kërkonin si kompensim për heqjen e Shqipërisë dhe të bregdetit Adriatik. Sikur të mos mjaftonin këto poshtërime, rusët tashmë po shtynin bullgarët t’i jepnin kompensime territoriale Rumanisë, e cila as që kish marrë pjesë në luftë kundër osmanëve. Kjo lëvizje ruse në emër të Rumanisë erdhi nga përpjekjet e saj për të siguruar të drejta transiti përmes Rumanisë, për të ndalur një marrje të Stambollit nga Bullgaria.
Çminimi i rumunëve ishte fortesa kufitare bullgare e Silistrisë dhe territorin danubian përreth saj dhe ata u kërkuan rusëve ta mbanin premtimin e tyre, megjithëse veprimi ushtarak kundër Bullgarisë nuk kishte qenë i nevojshëm. Më 7 maj 1913, nën mbikëqyrjen ruse, u mbajt një konferencë ndërkombëtare në San Peterburg, që ia dha Rumanisë qytetin e Silistrisë, megjithëse pa fortifikimet, një kompensim të cilën rumunët në këtë kohë e quanin krejt të pamjaftueshëm dhe bullgarët e quanin të padrejtë. Për një mbrojtje të ndërsjellët kundër një Bullgarie hakmarrëse dhe për t’i ruajtur fitimet territoriale të kohës së luftës, Greqia dhe Serbia përfunduan një aleancë me njëra-tjetrën më 1 qershor 1913, një ditë pas nënshkrimit të Traktatit të Londrës, duke i dhënë fund luftës së parë ballkanike. Aleanca e tyre, një pakt mbrojtës, ishte në të njëjtën kohë një përvijim i synimeve territoriale. Në Maqedoni, ashtu si në Shqipëri, ato do t’i zbatonin “parimet e pushtimit efektiv”, që nënkuptonte se ato kishin qëllim ta mbanin shumicën e Maqedonisë dhe thjesht t’i injoronin qëllimet e Fuqive të Mëdha për ta krijuar Shqipërinë si një shtet të pavarur. Përveç përfundimit të aleancës ndërmjet njëra-tjetrës, Greqia dhe Serbia kërkuan për aleatë të tjerë në rast ngatërresash me Bullgarinë. Ata morën garanci për mbështetje të veçantë nga Mali i Zi.


Lufta e dytë ballkanike 


Shqiptarët u dëmtuan në luftërat ballkanike 


Bullgarët nuk i fshehën pakënaqësitë e tyre nga rezultatet e luftës së parë ballkanike lidhur me ambiciet e tyre territoriale. Nga paqja e Londrës e deri në sulmin e Bullgarisë kundër Serbisë dhe Greqisë kaloi saktësisht një muaj. Logjika e një zgjidhjeje ushtarake kishte marrë mbizotërim, në një fazë në të cilën antagonizmat ndërmjet fuqive dukej se ishin pezull. Bullgarët dëshironin që në këto rrethana të kishte një ndërhyrje diplomatike ruse në emër të tyre, për t’i detyruar aleatët e deridjeshëm të ishin të pajtimit për një ndërmjetësim. Përkundër rolit të Rusisë në shtrëngimin e Bullgarisë për t’i dhënë kompensime Rumanisë, bullgarët besonin se në këtë situatë Rusia do ta mbante anën e tyre, duke pasur parasysh rolin rus në krijimin e Aleancës serbo-bullgare të 13 marsit 1912, përfshirë edhe ujditë territoriale. Me qëllim për t’i imponuar Rusisë arbitrazhin, gjenerali i ushtrisë bullgare, Savov, me urdhër të mbretit të tij, ndërmori një sulm të papritur mbi forcat pushtuese greke dhe serbe në Maqedoni më 29 dhe 30 qershor 1913 dhe me këtë filloi lufta e dytë ballkanike. Savovi i vuri në dijeni gjeneralët e tij se sulmi pati qëllim të trefishtë. Ta detyrojë Rusinë me kërcënimin e shpalljes së luftës kundër Greqisë dhe Serbisë të rregullojë një marrëveshje të menjëhershme, t’i detyrojë aleatët tanë për një sjellje pajtuese dhe i lëshojnë territoret e pushtuara prej nesh, por të mbajtura prej tyre, derisa ndërhyrja do ta ndalojë veprimin e mëtejshëm ushtarak.
Sulmi i Bullgarisë ndodhi si pasojë e një vetëbesimi të tepruar të bazuar në zhvillimet, si dhe pozicionimi i Rusisë, ku në bazë të sinjaleve që dha tregoi se nuk do të përkraheshin nga ajo. Simpatia që ndienin rusët për bullgarët u errësua nga ambiciet bullgare ndaj Stambollit dhe Ngushticave, kështu që rusët jo që nuk u rreshtuan me bullgarët, por ata mbështetën përpjekjet greke dhe serbe, për ta përfshirë edhe Rumaninë në koalicionin e tyre antibullgar. Sa i përket Serbisë dhe Greqisë, sulmi ishte i mirëpritur, sepse bullgarët morën njollën e agresorit dhe për këtë ata më 5 e 6 korrik i shpallën luftë Bullgarisë, për t’u pasuar edhe nga Rumania më 10 korrik dhe Porta e Lartë dy ditë më vonë. Bazuar në zhvillimet, bullgarët u mundën shpejt, ku u detyruan pas shtatë dite t’i bëjnë thirrje Rusisë të rregullonte një armëpushim me kundërshtarët e tyre ballkanas dhe pas rifitimit nga Porta e Lartë të Adrianopojës, ata gjithashtu bënë thirrje për një armëpushim me Perandorinë Osmane. Në rrethanat e krijuara i vetmi vend që mund të pritej të ndërhynte në anën e Bullgarisë qoftë në domenin diplomatik, por edhe atë ushtarak ishte Austria për t’i zvogëluar pretendimet e Serbisë. Bisedimet e paqes ndërmjet Bullgarisë dhe armiqve të saj ballkanik, pjesën më të madhe u zhvilluan në Bukuresht - Rumani. Me marrëveshjen e Bukureshtit të nënshkruar më 10 gusht 1913, bullgarët i dhanë Rumanisë një pjesë të madhe territoresh ndërmjet Danubit dhe Detit të Zi dhe pjesën më të madhe të asaj që kishin marrë nga Maqedonia ia dhanë Serbisë dhe Greqisë, territoret e së cilës përgjatë bregdetit të Egjeut u zgjeruan duke përfshirë Kavallen, këtë qytet port të rëndësishëm. Gjashtë javë më vonë bullgarët bënë paqe me Portën e Lartë që për rusët ishte shumë shqetësuese. Në marrëveshjen e arritur në Stamboll më 29 shtator osmanët rifituan qytetin e Adrianopojës dhe kufiri i tyre me Bullgarinë u vendos në perëndim të qytetit, përgjatë një vije që zgjatej gati drejtpërdrejt në veri të grykës së lumit Marica. Padyshim në vlugun e zhvillimeve, del në pah se çështja e kufijve të Ballkanit përbën një objekt reflektimi. Meqë ishin përcaktuar në bazë të madhështisë së disa vendeve ballkanike, ato ndanë territore të tëra me përbërje etnike homogjene, ku padyshim se problemi i kufijve do të prekej përsëri dhe nuk do të ishte e mundur të arrihej një paqe në gadishull. Duke parë zhvillimet dhe impenjimet e Fuqive të Mëdha në luftën e parë ballkanike në kontekst me shqiptarët kemi parasysh favoret dhe pasojat që la prapa vetes konflikti në planin politik, kombëtar, ekonomik e territorial. Vetë fillimi i luftës i bëri të qarta synimet dhe interesat e secilit nga aktorët e saj. Aleatët ballkanikë ishin akorduar me aleancën ndërmjet tyre, synonin mposhtjen e osmanëve, pushtimin dhe ndarjen e territoreve ballkanike që mbaheshin nga këta të fundit. Perandoria Osmane, nga ana e saj, pas goditjeve që mori nga kryengritësit shqiptarë, ndihej e dobësuar dhe jo e gatshme të konfrontohej me një aleancë të tërë. Në këtë situatë të krijuar, shqiptarët e kishin vështirë të pozicionoheshin kur asnjëra palë nuk ishte e gatshme t’i përmbushte aspiratat e tyre nacionale. Pra, ishte shumë e vështirë për shqiptarët të merrnin pozicion të qartë karshi luftës. Lëvizja e rezistencës që u tentua të krijohej për ta penguar pushtimin e tokave të tyre nga ushtritë ballkanike arriti vetëm suksese të pjesshme. Të gjitha këto zhvillime luftarake merrnin rrjedhën e dëshiruar për aleatët ballkanikë, Perandoria Osmane po tërhiqej me shpejtësi dhe pa një rezistencë të theksuar, kurse qëndresa shqiptare nuk arrinte të përmbushte vakuumin e krijuar, pra ta ndalë marshimin e ushtrive ballkanike në tokat e saj. Aleatët ballkanikë tyre nuk po zgjidhnin caqet dhe mjetet në funksion të përmbushjes së qëllimeve të tyre. Me tërë forcën dhe brutalitetin e tyre ata po goditnin dhe më të pafuqishmit civilët duarthatë, që nuk mund ta pengonin marshimin e tyre. Që në muajin e parë të luftës tokat shqiptare u bënë arenë e luftimeve dhe masakrave të përgjakshme. Synimi i qeverive të aleatëve ishte që me të gjitha mjetet e mundshme, pra duke përdorur edhe taktikën e tokës së djegur, t’u bëhej me dije shqiptarëve se ata duhej të largoheshin nga vatrat e tyre ose të pranonin realitetin e ri, që nënkupton heqjen dorë nga çdo ndjenjë nacionale, mbase konvertoheshin e asimiloheshim për të mbijetuar fizikisht. Janë disa dhjetëra burime të kohës që në mënyrë shumë të detajuar e përshkruajnë aktualitetin historik të atyre ditëve në Shqipëri, që për Rusinë nuk paraqiste ndonjë problem. “Shumë shqiptarë luftuan në radhët e ushtrive osmane, të tjerët rezistuan kundër invaduesve grekë, malazezë dhe serbë. Fushata pushtuese e këtyre të fundit la prapa vetes numër të pa llogaritur të viktimave civile dhe shkatërrime në të gjitha krahinat e vendit. Pa dyshim, veriu dhe jugu, krahinat me luftimet më intensive dhe regjione të pushtuara nga invaduesit përjetuan ndryshime, përkatësisht humbje të mëdha demografike”. Duke pasur parasysh dramën shqiptare të viteve 1912-1913, me tërë kompleksitetin dhe dimensionet e saja tragjike, atëherë konkludojmë se Lufta e parë ballkanike la pas vetes relacionet ndëretnike në Ballkan, veçanërisht marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe fqinjëve. Pikërisht në këtë konsiston edhe esenca e kësaj lufte. Periudha e gjatë e kryengritjeve shqiptare antixhonturke të viteve 1910-1911, është njohur kohë e marrëdhënieve miqësore mes shqiptarëve dhe Malit të Zi, ky i fundit ishte bërë strehë e kryengritësve dhe familjeve të tyre për muaj me radhë. Gjatë rrjedhës së Kryengritjes së Përgjithshme të vitit 1912, shtetet ballkanike sado që nuk e preferonin zgjidhjen e të ashtuquajturës Çështje Lindore në favor të shqiptarëve nuk ndërhynte direkt kundër kryengritjes në fjalë. Liderët e Kryengritjes së Përgjithshme shqiptare, në rrethana kur kryengritja ndodhej në kulmin e suksesit të saj, për asnjë moment më asgjë nuk i provokuan serbët dhe malazezët lokalë,përkundrazi disa nga këta krerë si Isa Boletini ishin angazhuar hapur në mbrojtjen e të drejtave të tyre nacionale, në të vërtetë kishin premtuar në rast të fitores eventuale të autonomisë shqiptare, serbëve dhe të tjerëve do tu garantohej siguria në pronat e tyre. Nga të gjitha këto zhvillime ne konstatojmë së Lufta e parë ballkanike, ndonëse shënon fundin e sundimit pesëshekullor osman në Ballkan, çlirimin e popujve të nënshtruar, krijimin për herë të parë të shtetit të pavarur shqiptarë,megjithatë shikuar nga aspekti i konsekuencave afatgjata që la prapa vetes, shënon fillimin e një periudhe të krizës në marrëdhëniet ndërmjet shteteve dhe popujve të Ballkanit. U goditën veçanërisht marrëdhëniet e shteteve ballkanike me popullin shqiptarë. Lufta e parë ballkanike është pikënisje në historinë e luftërave që do të pasojnë, e cila hapi hendekun e madh ndërmjet shqiptarëve dhe vendeve fqinje, kurse Lufta e dytë ballkanike e thelloi edhe më tepër këtë hendek për t’i futur ndërmjet vetes aleatët ballkanikë, kurse Lufta e parë botërore që do të pasojë do t’i shkatërrojë për një moment të gjitha urat e rëndësishme të bashkëpunimit ndërmjet popujve të Evropës dhe më gjerë. Ne, duke jetuar në rajonin me tension ndërkombëtar, kuptohet vetvetiu se popullsia e Ballkanit u gjend vazhdimisht nën ndikimin e interesave të fuqive të jashtme. Andaj, për njohësit e historisë së këtij rajoni nuk është e vështirë për ta identifikuar rolin e Fuqive të Mëdha në të gjitha ngjarjet dhe kthesat historike. Luftërat ballkanike çuan në një acarim të mëtejshëm të kontradiktave midis popujve, duke shpejtuar kështu fillimin e Luftës së Parë Botërore. Dhe, megjithëse ato (luftërat ballkanike) shiheshin si shkak i përshpejtimit të Luftës së Parë Botërore, unë pajtohem me thënien: “Megjithëse së paku teknikisht është e padiskutueshme se fuçia për shkëndinë e barutit për Luftën e Parë Botërore erdhi nga Ballkani, shumë të rrallë janë ata historianë, që do të pretendonin se aty qëndronte shkaku”.



Kosova pjesa më vitale e Shqipërisë etnike 


Pjesa e mbetur jashtë Shqipërisë, periudha më e kobshme e shqiptarëve 


Pra, faktori më i rëndësishëm, ashtu siç u vërejt edhe në luftërat e fundit në Ballkan, ishte nacionalizmi agresiv, një nacionalizëm me nuanca të prirjeve fisnore, duke e parë kundërshtarin politiko-ushtarak si një armik të frikshëm e të pandreqshëm”. Shpesh çdo arsyetim me qeveritë përkatëse ndeshet në një mur të shurdhët. “Megalomania e idealit kombëtar” nuk linte shteg as për arsyetim e as për kompromise. Sidoqoftë, në të dyja luftërat luftimet ishin tejet të përgjakshme. Dhe sado e lavdishme të paraqitet kjo luftë, lufta e Perandorisë Osmane dhe e aleatëve nuk është gjë tjetër, veçse një kapitull i mbyllur i mbushur me tmerr. Si histori lufte, pasojat dhe rezultatet morale janë të tmerrshme. “Kombet që kishin qenë në aleancë dhe që i ishin drejtuar zotit t’i çlironte, papritmas filluan ta urrenin njëri-tjetrin për vdekje. Urrejtja dhe mëria kombëtare, dyshimi i ndërsjellë mjaftonin për ta filluar dhe për ta çuar më tej luftën më brutale dhe më të kotë të kohës”. Ata që luftuan krah për krah në Adrianopojë tani janë gati të vrasin dhe ta torturojnë njëri-tjetrin.
Koha e luftërave ballkanike përbën periudhë të shkurtër kohore, por shumë të ngjeshur me ngjarje të rëndësisë historike, por edhe tragjike për çështjen kombëtare shqiptare. Është heroike se shpallet pavarësia e Shqipërisë si ngjarje më e madhe në historinë e kombit shqiptar. Ajo njëherësh është tragjike se nga kjo kohë fillon shkelja flagrante e të drejtat njerëzore e kombëtare për më tepër se gjysmën e popullit në trevat e shumta që mbetën jashtë shtetit të shpallur në Vlorë. Për pjesën e mbetur jashtë Shqipërisë është periudha më e kobshme, reflektimi i së cilës përfshiu gjenerata të tëra, të cilat mbetën nën robërinë serbomadhe dhe megalomaninë greke. Kështu, në këtë pjesë të Shqipërisë ushtarët dhe paramilitarët serbo-malazezë, kryen krime, që Evropa nuk i kishte parë e dëgjuar që prej kohës së depërtimit të hunëve, vandalëve, avarëve dhe Xhingis Kanit. As mizoritë më të tmerrshme nuk ia dolën ta zhbëjnë këtë racë të fortë. Meqë “Kosova, kjo tokë shqiptare, u dënua prej Fuqive të Mëdha të mbajë në kurriz, një zgjedhë të re shumë më gjakpirëse sesa e përparshmja, zgjedhën militariste megalo-serbe”. Bazuar në zhvillimet dhe gjenocidin e ushtruar ndaj shqiptarëve nga serbo-malazezët, fitohet përshtypja: “Populli shqiptar i Kosovës ishte populli më i guximshëm në botë”. Me ndihmën e Rusisë, Serbia dhe Mali i Zi i krijuan kufijtë kolonialë me krime të papara mbi shqiptarët. Ajo ishte plaga më e rëndë që edhe sot e kësaj dite kullon trishtueshëm. Njëri ndër anëtarët më aktivë të Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës do të nënvizonte “Kosova është pjesa më vitale e Shqipërisë etnike. Serbia gjatë dy shekujve të fundit nuk ka lënë gur pa lëvizur, vetëm e vetëm për t’i shfarosë shqiptarët e Kosovës”. Me të drejtë konkludohet se nuk ka popull në Evropë që ka pësuar kaq shumë vuajtje, por që ka luftuar aq shumë për lirinë dhe të drejtat kombëtare dhe që është tradhtuar dhe masakruar aq rëndë sa populli shqiptar i Kosovës dhe ai i territoreve të tjera rreth saj.
Shqyrtimi i materialeve e fakteve të shumta na bindin se disa nga shkaqet kryesore të rënies së shpejtë të territoreve nën robërinë e shteteve fqinjë ishin: Populli shqiptar, i vetmuar dhe pa asnjë ndihmë, ishte i dërmuar rëndë në luftëra me një shtet të madh prej dhjetëra milionësh banorë dhe për shkak të urrejtjes shekullore të grumbulluar ndaj osmanëve nuk mund të shmangej ajo mëri menjëherë në një periudhë një apo dy mujore, që mund të mundësonte një bllok shqiptaro-osman që, gjithsesi, në atë kohë do të ishte vetëvrasje për shqiptarët.
Pushtimi otoman pesëshekullor kishte konservuar barbarisht konservatorizmin mesjetar, ruralizmin e shoqërisë shqiptare, mbajtje në frenim të çdo prirje për ringritje kulturore dhe civilizuese të shoqërisë në tërësi. Fuqitë e Mëdha në këtë mënyrë, në vend që t’i hapnin poret jetësore një kombi në rrugën e tij për ripërtritje qytetare dhe evropiane, e cunguan atë territorialisht, i këputën arteriet kryesore dhe ushqyen faktorët që bëjnë lehtësisht të manipulueshëm dhe të kontrollueshëm një popull të penguar historikisht në rrugën e tij të zhvillimit. Pastaj, sulmi i menjëhershëm nga të gjitha drejtimet e territorit shqiptar nga të katër ushtritë, të katër shteteve ballkanike, ishte i pamundur të përballohej nga luftëtarët shqiptarë. Shqiptarët nuk e kishin ende shtetin e tyre, çka e vështirësonte jo vetëm organizimin dhe mbështetjen e duhur të luftëtarëve që, megjithatë, si atdhetarë të devotshëm, bënë luftë heroike dhe qëndresë të admirueshme kundër ushtrive të aleancës në të gjitha drejtimet e depërtimit të tyre. Mirëpo lakmia dhe vendosmëria e tyre “për t’i çliruar” bashkëkombësit e vet, në të vërtetë etja për pushtime të territoreve të huaja. Dhe siç vënë në dukje disa studiues, pas krijimit të shteteve të reja ata ishin pa përvojë luftarake. Shumica e popullsisë ishin fshatarë inaktivë, indiferentë dhe të paarmatosur për luftë. “Luftëtarët e vërtetë ndër popujt e Ballkanit kishin qenë shqiptarët. Bullgarët e serbët arritën të krijonin një traditë luftarake duke u nisur nga hiçi, falë drejtimit me sukses të burimeve ekonomike e arsimore në dobi të ushtrisë në periudhën para dhe gjatë luftës serbo-bullgare dhe luftërave ballkanike”.
Në krahasim me periudhën para luftërave ballkanike, ndryshimet territoriale dhe demografike, pas Paqes së Bukureshtit, më 9 gusht 1913, të shprehura në % ishin: Bullgaria fitoi 29 % territor dhe 3 % popullsi më shumë, Greqia 68 % territor dhe 67 % popullsi më shumë, Mali i Zi 62 % territor dhe 100 % popullsi më shumë, Serbia 82 % më shumë territor dhe 55 % më shumë popullsi. Dhe sipas “Obzor”, 24. XII. 1913, Zagreb: “Serbia nga luftërat ballkanike zmadhohet gati dyfish në pikëpamje territoriale. Ajo i afrohet Detit Egje dhe Detit Adriatik, fiton krahina të pëlleshme, kufij të përbashkët me Malin e Zi, sigurim të lirë të transportit në Selanik etj”. Para luftërave ballkanike kishte 48.803 km katrorë dhe 2.911.701 banorë (diku rreth 2.700.000 banorë), kurse pas luftërave ballkanike 87.358 km katrorë me 4.393.315 banorë. Po kështu, sipas gjeneralarmate Janos Bitos, ushtria greke çliroi dhe mori territore në Maqedoni, Epir dhe ishujt në veri dhe në lindje të detit Egje. Pas bashkimit të Kretës Greqisë, u rrit edhe statusi strategjik i Greqisë në Mesdhe. Pjesa më e madhe e popullit shqiptar gjatë luftërave ballkanike pësoi zhgënjime të hidhura. Ndërkohë, nga luftërat ballkanike u rihap çështja shqiptare, ndërsa patriotët me Ismail Qemalin në krye dolën në ballë të zhvillimeve më 28 nëntor 1912 me shpalljen e Pavarësisë në Vlorë. Edhe pse atdhetarët u përpoqën që të mos bien nën kthetrat e “lojërave diplomatike”, gjatë luftërave ballkanike populli shqiptar u gjend në një situatë të rrezikshme të kombinimit të lojërave politike. Kështu, dallimet midis projekt-hartave të propozuara lidhur me kufijtë e Shqipërisë ishin të mëdha, sidomos ndërmjet Qeverisë së Vlorës dhe të Aleancës Ballkanike. Pastaj, dallime të mëdha kishte dhe ndërmjet propozimit të Austro-Hungarisë nga njëra anë dhe të Aleancës Ballkanike e Rusisë nga ana tjetër. Ndërkaq, përfaqësuesit e Qeverisë së Vlorës deklaronin në Forein Offise: “Qëllimi i këtyre rregullimeve territoriale, që po bëhet tani, duhet të ishte vendosja e një paqeje të qëndrueshme, mirëpo mënyra se si po zgjidhej çështja shqiptare nuk mund të siguronte asnjë lloj paqeje… dhe se e gjithë kjo nuk mund të përfundonte, veçse me një armiqësi të vazhdueshme”.
Zgjidhjet e gabuara për Shqipërinë e pas luftërave ballkanike krijuan pasoja tragjike që u ndjenë në copëtimin e mundshëm të integrimeve sociale, kulturore, ekonomike, arsimore, të komunikimeve dhe të raporteve me fqinjët dhe me botën të ndërtuara me shekuj: reduktimi i kapaciteteve shpirtërore e materiale të këtij populli; izolimi dhe zvogëlimi i peshës së përgjithshme të shtetit shqiptar në Ballkan; kufirin më të pakalueshëm në Evropë midis dy pjesëve të një populli e me tragjedi të panumërta familjare; zëvendësimin e një robërie (Perandorisë Osmane) me një tjetër për më se gjysmën e popullit; gangrenizimin e një raporti tipik kolonial në mes të Evropës; destabilizimin permanent politik e ushtarak të rajonit. Pasojat e drejtpërdrejta të këtyre padrejtësive, natyrisht nuk të çonin tjetër, veçse në varfërim ekonomik i rajoneve të tëra malore shqiptare si rezultat i ndërprerjeve të marrëdhënieve tradicionale, ruajtja e konservatorizmit gjysmë-mesjetar edhe më tej në epokën moderne, mbajtja konstante e pasigurisë së brendshme politike në shtetin e ri shqiptar, dobësimi i mëtejshëm i vlerave kulturore evropiane brenda kombit shqiptar,para ishte një Ballkan Perëndimor i destabilizuar për një kohë të gjatë. Dihet se trajtimi i problemit të kufirit shqiptar nuk u mbështet në konsiderata etnografike, historike, ekonomike etj, por u bë nga Fuqitë e Mëdha nën prizmin e ruajtjes së “ekuilibrave të paqes” në rajon e më gjerë apo më saktë në mosprishjen e “Koncertit Evropian”. Në këtë këndvështrim diplomacia e Fuqive të Mëdha kinse kërkonte të shmangte, “Luftën e Madhe, gjë që nuk u shmangë dot.
Kjo tragjedi me trevat shqiptare ndodhte kur dërgoheshin raporte historiko- etnografike e memorandume jo vetëm nga përfaqësues elitar nga kombi shqiptar si Konica etj, por edhe nga personalitete të paanshme botërore, të cilët argumentonin historikisht përbërjen kompakte etnike dhe origjinën historike të pandërprerë të popullit shqiptar. Kështu, në memorandumin e dërguar nga misionari amerikan Telford Erikson, i cili pasi argumenton me fakte dhe dokumente historike lashtësinë iliro-arbërore të shqiptarëve, pyet se “si mund të ndahet në mes kjo tokë antike dhe ky popull antik në mes aleatëve si një plaçkë lufte? Më pas ai vazhdon:“Ne zotërinj kemi pas mësuar se drejtësia duhet të jetë guri themeltar i çdo rendi jetëgjatë në shoqërinë njerëzore”. Rezistenca shqiptare vazhdoi gjatë viteve 1912-1913. Por qëndresa më e organizuar kundër pushtuesve serbë qe Kryengitja e shtatorit 1913, ndaj së cilës u morën masa të rrepta represive. Ajo ishte si rezultat i qasjes ndaj problemit në fjalë nga ana e katër shteteve të Ballkanit dhe diplomacisë së Fuqive të Mëdha, meqë ishte një frymë dhe atmosferë e nderë që mbretëronte para një kataklizmi të madh botëror, të cilën po e përgatisnin vetë ata.
Pas një viti të traktateve, konventave dhe aleancave dhe pas dy luftërave, Siujdhesa Ballkanike arrin në krizat evropiane tashmë të dukshme shumë më të fraksionizuara: “Ndarjet” vijnë së jashtë në përgatitjen e konfliktit botëror që do ta shoh Greqinë, Serbinë, Malin e Zi dhe Rumaninë në krahë të Antantës, ndërsa Bullgaria dhe Turqia zgjodhën aleancën me Gjermaninë dhe Austro-Hungarinë, me qëllim për të fituar territoret e humbura në luftërat ballkanike.


Fshatrat shkatërroheshin 


Konferenca e Ambasadorëve në Londër dhe vendimet e saj lidhur me të ardhmen e Shqipërisë 

Le ta shohim mënyrën e përgjithshme se si u zhvillua lufta ashtu si e pa Fondacioni Kornegier më 1913. Veçoria e luftërave ballkanike, thuhet në raportin e vitit 1913, është se “lufta nuk bëhet vetëm midis ushtrive, por midis vetë kombeve. Prandaj këto luftëra janë kaq të ashpra, ku ato mbyllen me aq shumë humbje në njerëz dhe përfundojnë në zhdukjen e popullsisë dhe shkatërrimin e zonave të tëra”. Qëllimi i konfliktit të armatosur, vijon raporti, ishte: “zhdukja tërësisht e një popullsie të huaj”. Fshatrat shkatërroheshin, gratë e identitetit kombëtar “armik” dhunoheshin e shpesh vriteshin, robërit vriteshin, ose mbylleshin në ngrehina të vjetra ku vdisnin nga uria apo të ftohtit, tregohej një zemërligësi e madhe ndaj të mundurve etj. “Kjo e tejkalonte masën e mospërfilljes së thjeshtë për t’u futur në mbretërinë e mizorive të qëllimshme dhe të neveritshme”.
Masakrat, aktet e pabesueshme të dhunës, sidomos ndaj shqiptarëve, janë makabre. Mjafton t’i referohemi shtypit të kohës, ku pasqyrohen mizoritë serbe kundër shqiptarëve në vitin 1913. Si p.sh. në gazetën “Radniçke Novine”, Beograd, tetor 1913, gazetën “Daily Telegraph”, gazetën e Zagrebit “Hrvatska Novosti”. Pastaj një tablo të gjendjes së rëndë në tokat e pushtuara shqiptare na jep socialdemokrati serb Dimitrije Tucoviq në librin e tij “Serbia dhe Shqipëria”. Nga kronikat e shtypit të huaj, del se përmasat e shfarosjes fizike të shqiptarëve nga Serbia janë të trishtueshme. Krimet kryheshin nga ushtria dhe banda të armatosura, nën urdhrin e komandantëve ushtarakë. Pas Konferencës së Londrës u bë një kthesë në mesin e shteteve të Ballkanit. Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor të vitit 1912 dhe njohja e saj nga Fuqitë e Mëdha, ishte një akt me rëndësi në historinë e popullit shqiptar. Mirëpo këtë akt të pavarësisë shtetet ortodokse të Ballkanit e pritën me pezëm të madh. Veçanërisht reagoi ashpër Qeveria e Nikolla Pashiqit, duke thënë se marrja e këtij vendimi ishte një hap i nxituar, meqë preket “interesi ekonomik e politik” i shtetit serb dhe rruga e saj drejt Adriatikut. Kundër këtij akti madhor të shqiptarëve më i zëshmi ishte vetë kryetari i qeverisë serbe, Nikolla Pashiqi dhe klika e tij. Në ato rrethana, diplomacia serbe e urdhëruar nga kryetari i saj, protestoi hapur nëpër kuluaret e diplomacive evropiane, “se shteti shqiptar fare nuk duhet të ekzistojë, ndërsa territoret e tij duhet të ndahen patjetër në mes të Serbisë dhe Greqisë”. Sipas tyre, vetëm kështu Ballkani do të kishte paqe dhe njëherazi do të ndërpriteshin pretendimet hegjemoniste të Italisë dhe të Austro-Hungarisë. Marrëdhëniet shqiptaro-serbe u ashpërsuan edhe më tepër, kur Serbia pa të drejtë u bëri presion Fuqive të Mëdha, përmes Rusisë, që t’i detyronte ta shfuqizonin vendimin e 17 dhjetorit 1912, pasi u bë me dije se Shqipëria në Konferencën e Londrës do të njihej si shtet në të ardhmen.
Me rastin e njohjes së Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha, kryetari i Qeverisë së Përkohshme, Ismail Qemali, do t’i shprehë falënderime delegacionit shqiptar në Londër, në krye me Rasih Dinon. “Urime për liri e pavarësi të Shqipërisë!”. Në ato rrethana të ndërlikuara midis Fuqive të Mëdha, Austro-Hungaria propozoi projektin e vet për Shqipërinë, ku vija e kufirit kalonte nga gryka e Bunës, gjatë vijës së atëhershme të kufirit të Malit të Zi deri afër Rrzhanicës, prej këtej në gjysmë rrethi duke kaluar nga Jugu i Gucisë dhe Plavës, drejtohej në Pejë, Gjakovë e Prizren që duhej përfshirë brenda Shqipërisë. Nga Prizreni, vija kalonte në jug dhe arrinte në malet midis Liqenit të Ohrit dhe Liqenit të Prespës, duke përfshirë qytetet e Dibrës dhe Ohrit, brenda Shqipërisë. Prej këtej kufiri zbriste në jug, duke përfshirë Korçën e Janinën, pastaj gjatë rrjedhës së Lumit Kalamas, dilte në Detin Jon. Rusia e kundërshtoi atë projekt të Austro-Hungarisë dhe propozoi projekt të ri, që Shqipërinë e zvogëlonte në minimum. Fuqitë e Mëdha ranë më në fund në ujdi, më 22 mars të vitit 1913, për ndarjen e Shqipërisë në dy pjesë, atë të lirë dhe të robëruar.
Në qoftë se gjatë bisedimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër u arrit krijimi i një shteti gjysmak shqiptar, kjo ishte në radhë të parë merita e ministrit të Jashtëm, kontit Berthold. Kundërshtimin më të madh kundër një Shqipërie të Pavarur e bëri Franca dhe Rusia, të cilat përpiqeshin të përfitonin sa më shumë në dobi të klientëve të tyre, Greqisë dhe Serbisë, toka të gjëra me popullsi thjesht shqiptare dhe ngulën këmbë për këtë deri në fund të Konferencës. Austro-Hungaria nuk ishte në gjendje t’i ruajë kufijtë etnikë. Në fund, diplomacia ruse dhe ajo franceze arritën t’i shkëpusin Shqipërisë krahinat më të pasura, Kosovën dhe trevat e tjera lindore, deri në Manastir, me afër 1 milion shqiptarë që iu dhanë Serbisë.
Isa Boletini, në takimet që ka pasur me diplomatët e huaj në Angli dhe në vende të tjera të Evropës, ka deklaruar: “Nuk po mundem me marr me mend se si Evropa po ia jep Serbisë, Greqisë dhe Malit të Zi një milion shqiptarë”. Më 22 mars të vitit 1913 Konferenca e Ambasadorëve vendosi përfundimisht që Shkodra me rrethinën e saj t’i mbetej Shqipërisë, ndërsa Rrafshi i Dukagjinit, Kosova dhe pjesët e tjera të trevave lindore, ku binin pjesë Manastiri, Shkupi Kumanova e Presheva Tetova, Gostivari, Kërçova, Struga t’i mbeteshin Serbisë dhe Malit të Zi. Pas këtij vendimi pjesëmarrësit e Konferencës kërkuan nga Mali i Zi dhe Serbia ta lëshonin Shkodrën. Mirëpo, Esat Pasha nënshkroi tradhtisht marrëveshjen e kapitullimit më 22 prill 1913. Me ushtrinë e tij turko-shqiptare dhe armatim ai u largua nga qyteti një muaj pas vendimit të Konferencës për copëtimin e Shqipërisë Etnike. Pra, pas shtatë muaj qëndrese dhe mbrojtje të suksesshme, ushtria malazeze e mori Shkodrën. Por, pushtimi malazez nuk pati jetë të gjatë, pasi Konferenca urdhëroi Kral Nikollën ta lëshojë Shkodrën, të cilën e bëri më 4 maj, kurse në qytet hynë forcat ndërkombëtare.
Administrimi i qytetit kaloi në duar të një Komisioni Ushtarak Ndërkombëtar i kryesuar nga Sesil Burnej. Ky komision nuk lejoi të ngrihej në Shkodër flamuri kombëtar, si dhe nuk e njohu për këtë Qeverinë Provizore të Ismail Qemalit. Komisioni vendosi brenda në qytet marrëdhënie koloniale. Në bazë të gjitha normave ndërkombëtare, kjo ishte tërësisht një padrejtësi e madhe kundër vullnetit të shprehur nga vetë populli shqiptar në Kuvendin e Vlorës. Pra, me këtë vendim arbitrar, ku mbi 55% e tokës shqiptare ndahej ndërmjet Serbisë, Greqisë dhe Malit të Zi, ishte një padrejtësi e madhe që iu bë popullit shqiptar, i cili kufizohet nga të gjitha anët me popullin e vet, që nuk i është bërë asnjë shteti tjetër. Një popull kaq liridashës, që ka luftuar pandërprerë për lirinë e vet dhe të fqinjëve të tij që nga koha e Skënderbeut e deri më sot, tani po copëtohej për interesa të shteteve të Ballkanit. Këtë ndarje politike e përshkruan më së miri Edit Durham, e cila thotë: “Përpjekjet e përbashkëta të Francës dhe të Rusisë e kishin ndarë Shqipërinë gati përgjysmë dhe i kishin caktuar kufijtë në mënyrën më mizore”. Në këtë mënyrë për të kënaqur aspiratat e shteteve sllavo-ortodokse të Ballkanit, padrejtësisht nga trungu i saj u ndanë qytete dhe krahina të tëra shqiptare, si: Dibra, Peja, Gjakova, Prishtina,Mitrovica, Ferizaji, Gjilani, Presheva, Bujanovci, Kaçaniku, Shkupi, Kumanova, Manastiri, Struga,Ohri, Dibra, Kërçova, Tetova, Gostivari,Çamëria etj. Pra, 22 marsi i vitit 1913 është datë e vendimit të turpshëm dhe arbitrar i Fuqive të Mëdha, për copëtimin e Shqipërisë Etnike në dy pjesë. Ky është një vendim i një kronike të zezë në historinë e popullit shqiptar. Kjo datë është pikënisje e të gjitha protestave dhe luftërave të pandërprera të shqiptarëve. Nga kjo datë, më shumë se gjysma e territorit shqiptar hyri nën sundimin e shteteve të Ballkanit: Serbisë, Malit të Zi, Bullgarisë dhe Greqisë. Me copëtimin e katër vilajeteve shqiptare përfituan: Serbia dhe Mali i Zi 62 500 km2, Bullgaria 55 000 km2, ndërsa Greqia 30 000 km2. Me këtë “zgjidhje” nuk ishin vetëm shqiptarët që nuk u pajtuan, por edhe shtetet fqinje si Mali i Zi dhe Serbia të cilat kërkonin, i pari edhe më tej synonte Shkodrën, kurse Serbia daljen në detin Adriatik, kërkesa këto që tregonin synimet tejet ekstreme e ekspansioniste të tyre.
Kundër këtij vendimi të Fuqive të Mëdha pos tjerëve protestoi Isa Boletini. Në takimin që pati me diplomatin e njohur anglez, Eduard Grei, në Londër, i thotë: “Shqiptarët kurrë nuk do t’i njohin këta kufij artificialë që i ka caktuar Evropa, me diktatin e Rusisë”. Kjo ishte vetëm fillimi i luftërave të pandërprera të kësaj pjese të popullit të robëruar shqiptar, për çlirim nacional dhe bashkim kombëtar, deri në zgjidhjen e drejtë të kësaj çështjeje. Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, edhe pse shënoi një ngjarje me rëndësi të madhe historike për tërë kombin shqiptar kudo që ndodhej, ajo e gjeti popullsinë e nënshtruar nën sundimin serbo–sllav me një revoltë të pa përshkruar. Ky vendim i miratuar më 22 mars nga Fuqitë e Mëdha që shkëpuste territore të tëra nga Shqipëria Etnike, i kthente shqiptarët pesëdhjetë vjet prapa në luftën e filluar nga Lidhja e Parë e Prizrenit. Me këtë vendim arbitrar të Londrës riktheheshin vendimet e marra më 3 mars 1878 në Paqen e Shën-Stefanit, ku trevat Lindore dhe një pjesë e qyteteve të Kosovës nga Shkupi, Tetova e deri në Elbasan iu dhanë Bullgarisë së Madhe. Për këtë arsye shqiptarët e Dibrës dhe Tetovës reaguan ashpër kudër këtij vendimi të marrë në Shën Stefan. Krerët e këtyre trevave u dërguan memorandume Fuqive të Mëdha në Stamboll, ku kërkonin që të mos prekej Shqipëria Lindore, sepse ata kurrë nuk do të pranonin të hynin nën sundimin bullgarë. Populli shqiptar i këtyre trevave, këtë memorandum të nënshkruar nga 459 atdhetarë ua dërgoi të gjithë ambasadorëve të Fuqive të Mëdha të akredituar në Stamboll.


Reagimet shqiptare pas ndarjes 


Kryengritja shqiptare e vitit 1912 pati jehonë të madhe 


Me vendimet e 22 marsit, trevat e Shqipërisë veri-lindore si pjesë përbërëse e Shqipërisë Etnike ndaheshin nga trungu i saj dhe hynin nën sundimin e ri të pushtuesit serb. Kundër këtij vendimi të padrejtë të Fuqive të Mëdha u protestua ashpër në të gjitha trevat shqiptare: të Çamërisë, të Dibrës, të Kosovës, të Hotit, të Grudës, të Anamalit dhe të krahinave të tjera që deri në këtë kohë bënin pjesë në hartën e katër vilajeteve të Shqipërisë Etnike. Pra, shqiptarët protestuan kudo dhe dërguan memorandume, protesta e letra, Fuqive të Mëdha për revidimin e vendimit të 22 marsit dhe zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare.
Në letrën protestuese, të nënshkruar nga Mehmet pashë Derralla, Isa Boletini dhe Qerim Begolli, dërguar Fuqive të Mëdha, thuhej: “Ne nuk kundërshtuam marshimin e aleatëve dhe armatave të tyre për ta larguar robëruesin e përbashkët. Por, nuk mund të jemi dakord që një popullsi prej një milion shqiptarësh myslimanë e katolikë të bie nën sundimin e ri serb, përqindja e të cilit në këto territore shqiptare nuk arrin mbi 5 %. Këtë mund ta verifikoni me dërgimin e një komisioni të lartë evropian”.
Një memorandum tjetër në emër të trevave verilindore drejtuar Bertholdit më 25 janar 1913, nga një grup atdhetarësh nga Italia, kërkohej: të na njihet e drejta jonë e shenjtë, duke përfshirë në shtetin tonë të gjitha ato vise të cilat për arsye etnike, gjeografike dhe historike janë tërësisht shqiptare, të cilat pjesë shumë të rëndësishme të vendit tonë janë: Shkodra, Ipeku, Gjakova, Prizreni, Shkupi, Tetova, Prishtina, Dibra, Manastiri, Ohri dhe Janina, për të cilat kanë pretendime të pabazuara shtetet ballkanike, sepse këto territore janë të njohura si tërësisht shqiptare më 1880 nga Lordi Ficmoris, Goshen, Granvill. Vetëm kështu do të arrihet ekuilibri evropian dhe paqja e qëndrueshme, përndryshe, duke na shkëputur vetëm njërin nga këto vise, nuk do të ketë tjetër veçse çrregullime të përhershme dhe gjakderdhje.
Po ashtu, një memorandum tjetër i paraqiti Konferencës dhe “Forein Ofisit”, delegacioni i Qeverisë së Përkohshme Shqiptare në Londër, në krye me Rasih Dinon, Mehmet Koncën dhe Filip Nogën, ku paraqitej një statistikë e popullsisë së qyteteve të vilajetit të Kosovës si: Mitrovica, Vuçitërna, Prishtina, Presheva, Gjilani, Kumanova, ku vërtetohej se popullsia e këtyre qyteteve mbi 80 % janë shqiptarë.
Edhe pse kryengritja shqiptare në vitin 1912 patë jehonë të madhe jo vetëm për njohjen e të drejtave të shqiptarëve në Ballkan, shqiptarët u tërhoqën nga Shkupi, shpresuan se do të plotësoheshin kërkesat e shqiptarëve për autonomi, duke marrë premtime nga Perandoria Osmane. Ata me këto “premtime” dhe me besim e entuziazëm treguan një kulturë të lartë politike dhe një tolerancë shembullore, duke zbatuar urdhrat e komandantëve të tyre e lëshuan Shkupin, shkuan nëpër shtëpitë e veta, “të bindur në fitoren e autonomisë, ku përfshiheshin 14 pikat e kërkesave të tyre”. Me ato suksese, ata vazhduan të qeverisnin në tërë qytetet e Vilajetit të Kosovës: në Kumanovë, Preshevë, Tetovë, Gostivar, Dibër, Kaçanik, Ferizaj, Prishtinë, Prizren, Mitrovicë e deri në Novi Pazar etj.
Shqiptarët shpresonin në drejtësinë e vendimeve që do të merrnin Fuqitë e Mëdha: “se do të vendosin drejt për zgjidhjen e autonomisë shqiptare dhe të popujve të vegjël në fillim të shekullit XX”. Me mbarimin e Luftës së Parë Ballkanike, Fuqitë e Mëdha heshtën përpara kërkesave, memorandumeve dhe protestave të shqiptarëve. Ata vendosën kundër fakteve historike dhe nuk morën parasysh luftën katërvjeçare për pavarësi të popullit shqiptar. Fuqitë e Mëdha, në vend të përkrahjes, vepruan kundër interesave të popullit shqiptar dhe luftës së drejtë të tij. Konferenca e Londrës, në vend që të gjykonte drejt, ajo vendosi që territorin e Shqipërisë etnike më 22 mars ta ndante në dy pjesë: një pjesë të ishte e lirë dhe më shumë se gjysma e robëruar nga serbo-malazezët. Territoret nga Liqeni i Ohrit deri në Novi Pazar, territore të banuara me shumicë shqiptare, ku bënin pjesë 18 qytete shqiptare të Vilajetit të Kosovës dhe trevave të tjera lindore, ku bënin pjesë: Manastiri, Ohri, Struga, Kërçova, Gostivari, krahina e Rekës deri në Dibër iu dhanë Malit të Zi dhe Serbisë.
Në të njëjtën kohë delegacioni shqiptar, i kryesuar nga Ismail Qemali, Isa Boletini, Luigj Gurakuqi dhe Dhimitër Berati, shkoi të protestonte në qendrat diplomatike të Evropës, duke kundërshtuar ashpër këtë padrejtësi meqë cungohej territori i Shqipërisë Etnike, nga vendimi që kishin marrë Fuqitë e Mëdha. Anëtari i këtij delegacioni, Isa Boletini, në intervistën e tij të parë që e bëri më 10 prill 1913 në Vjenë, në një pritje në Ministrinë e Luftës, iu bë kjo pyetje: “Nga cili vend do të kishit dashur një mbret të ardhshëm të Shqipërisë? Isa Boletini iu përgjigj: ‘Së pari një princ anglez e pastaj gjerman’. Nga fillimi i muajit maj delegacioni shqiptar arriti në Londër. Në intervistën që i dha Isa Boletini gazetës “Dejli telegraf”, pasi foli gjatë për luftën 30-vjeçare dhe sakrificat që kishte bërë populli shqiptar për pavarësi, në fund tha: “Prandaj kam ardhur në Londër të protestoj, si përfaqësues i Kosovës dhe si delegat i Qeverisë së Vlorës, që ta kërkoj të drejtën nga Evropa”. I pyetur se a do t’i pranonte kufijtë që i ka caktuar Konferenca e Ambasadorëve, ai u përgjigj: “Unë kurrë nuk do t’i pranoj ata kufij që i ka caktuar Evropa dhe derisa të jem gjallë do të luftoj kundër serbëve, malazezëve, grekëve dhe kundër të gjithë armiqve të Shqipërisë”. Kjo deklaratë e tij u botua edhe në faqen e parë të gazetës serbe “Politika”.
Nga fundi i majit delegacioni shqiptar u largua i pakënaqur nga Londra dhe u kthye në Vlorë. Krerët e Lëvizjes Shqiptare kurrsesi nuk mund ta pranonin copëtimin e Shqipërisë dhe marrjen e vilajetit të Kosovës nga sunduesit serbë. Dëshpërimi dhe pakënaqësia e udhëheqësve shqiptarë të Vilajetit të Kosovës vazhdonte pandërprerë, edhe pse disa prej krerëve kosovarë zunë poste të larta në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës. Ata nuk hoqën dorë kurrë nga Pavarësia e Kosovës dhe trojeve të tjera lindore si pjesë përbërëse e Shqipërisë Etnike. Në ato rrethana të vështira ministri i parë i Luftës, Mehmet Pashë Tetova, Isa Boletini dhe Ajdin Draga, i dërguan për herë të dytë telegram protestues qeverive të gjashtë Fuqive të Mëdha të Evropës, ku kërkonin “rishikimin e kufijve të Shqipërisë Etnike”. Delegacioni shqiptar u bind se edhe Austro-Hungaria nuk donte të prishej me Rusinë dhe me Anglinë për çështjen shqiptare, pasi edhe vetë Bertholdi deklaroi: “Kërkesat e shqiptarëve janë të drejta, por ne nuk mund t’i sigurojmë kufijtë se këto na shpien kah lufta me Rusinë, pasi edhe Franca mbante haptazi anën e Rusisë dhe ishte kundër zgjidhjes së drejtë të çështjes shqiptare”. Ata mbronin synimet dhe aspiratat serbe kundër Shqipërisë.
Në këto rrethana tejet të vështira për ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë, është me rëndësi të vihet në dukje se Austro-Hungaria dhe Italia, për realizimin e aspiratave të tyre politike, bënë marrëveshje të fshehtë për zgjidhjen e çështjes shqiptare. Në marrëveshjen e tyre të 8 majit të vitit 1913, dalin në shesh qëllimet e diplomacisë sekrete dhe projekti i Fuqive të Mëdha, të parashtruara në Konferencën e Londrës për ndarjen e Shqipërisë. Ky është një shembull tipik i diplomacisë sekrete evropiane. Sipas kësaj marrëveshjeje sekrete, në këtë projekt ishte parashikuar që në pjesën veriore të Shqipërisë të vendosej Austria deri në Lumin Shkumbin, ndërsa në jug të vendosej pushteti italian. Ky projekt i ashtuquajtur “sekret”, de facto ishte një kopje e marrëveshjes serbo-greke e nënshkruar gjatë Aleancës Ballkanike ndërmjet Greqisë dhe Serbisë.
Për fatin e shqiptarëve dhe të luftës së tyre të drejtë e të pandërprerë, këto projekte hegjemoniste nuk u realizuan kurrë. Kjo është një dëshmi vetëm për “sinqeritetin” e diplomacive të Fuqive të Mëdha, për “zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare në kufijtë e saj etnikë dhe bashkimin e katër vilajeteve”. Me çështjen e kufijve të Shqipërisë u bë tregti e hapur ndërmjet Fuqive të Mëdha, duke ia lënë Shkodrën Shqipërisë, ndërsa Serbisë iu fal tërë Vilajeti i Kosovës, me Tetovë e Gostivar, deri në Dibër. Qëllimi kryesor i kësaj marrëveshjeje ishte që, me anë të vargmaleve të larta, të ndahej populli shqiptar me kufij në mes tyre, që sa më parë të shpërngulej dhe të asimilohej nga pushteti i egër serbo-malazez. Ndaj vendimit të 22 marsit, kur Shqipëria u nda në dy pjesë nga Fuqitë e Mëdha, populli shqiptar protestoi ashpër. Protestuan shoqatat dhe kolonitë shqiptare kudo që ishin. Kundër këtij vendimi arbitrar protestoi edhe delegacioni shqiptar me M. Konicën dhe F. Nogën, që ndodheshin në Londër. Që në fillimet e Konferencës ata u paraqitën në Forein Offis dhe deklaruan se çështja e Shqipërisë po vendosej pa kurrfarë kujdesi për vetë shqiptarët. Pakënaqësinë e popullit shqiptar e shpreh më së miri edhe patrioti i shquar Dervish Hima në letrën që i dërgon Ibrahim Temos, ku i thoshte se ishte shumë i trishtuar nga ky vendim arbitrar që kishin marrë Fuqitë e Mëdha kundër vendit tonë dhe e quante konferencën “gjyq politik evropian”. Këtë padrejtësi më së miri e përshkruan mikesha e madhe e popullit shqiptar, miss Edith Durham, e cila thotë: “Kjo ishte një kurdisje e shteteve fqinje përmes Fuqive të Mëdha, në krye me Rusinë. Një lojë më e ndyrë e tradhtisë kurrë nuk është lozur, përderisa Kosova dhe trojet e tjera lindore u morën me tradhti”.
Konferenca e Ambasadorëve i vazhdoi punimet e saj mbi statutin e organizimit të Shqipërisë dhe kufirit jugor të saj. Më 15 qershor 1913 Austro-Hungaria dhe Italia paraqitën përsëri një propozim mbi organizimin e Shqipërisë. Vetëm pas shumë diskutimesh, gjatë të cilave Franca dhe Rusia bënë në vazhdimësi kundërshtime, fuqitë ranë në ujdi, ku Shqipëria më 29 korrik 1913 u shpallë principatë pa asnjë lidhje me Turqinë, ku një Komision Internacional Kontrolli i përbërë prej delegatëve të gjashtë Fuqive të Mëdha do ta mbikëqyrte administratën dhe financat e Shqipërisë dhe princi do të caktohej brenda gjashtë muajve. Pra, Shqipëria më në fund mori formën e Protektoratit, e cila ishte në kundërshtim me kërkesat e popullit shqiptar që ishte në kundërshtim të plotë me sovranitetin e saj.


Ndarja administrative e Kosovës 


Aneksimi i Kosovës nga pushtuesit serbo-malazezë 


Kjo konferencë, krahas vendimit fisnik e pragmatik që shqiptarëve t’u njihet e drejta për shtetin e tyre të pavarur (29 korrik 1913), ka bërë një padrejtësi shumë të madhe, duke lënë jashtë Shqipërisë gjysmën e shqiptarëve dhe trojeve të tyre. Kjo njohje gjysmake e një pjese të Shqipërisë, ishte një akt më i ulët sesa ajo e Kuvendit Kombëtar, të cilën e shpalli Ismail Qemali më 28 nëntor në Vlorë, prandaj kjo njohje e Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha nuk i kënaqi aspiratat e popullit shqiptar si shtet neutral nën patronazhin e Fuqive të Mëdha.
Qeveria e Përkohshme në krye me Ismail Qemalin, kurrë nuk ra dakord me ndërhyrjen e Fuqive të Mëdha në punët e brendshme të vendit, që cenonin hapur pavarësinë dhe sovranitetin e Shqipërisë. Kjo qeveri atdhetare kurrë nuk u pajtua as me gjymtimin territorial të Shqipërisë Etnike.
Ismail Qemali shpresonte se një ditë do të vijnë rrethana më të favorshme për rikthimin e Shqipërisë në kufijtë e saj etnikë, pasi ky popull kreshnik ka luftuar pandërprerë midis Ballkanit, nga periudha heroike e Skënderbeut e deri më sot për çlirim nacional e bashkim kombëtar: “Një gjuhë, një komb, një shtet”.
Qeveria e Vlorës u drejtua për 14 muaj në kushte mjaft të vështira politike-ekonomike. Përcaktoi qysh në lindje të Shqipërisë, një politikë të jashtme të paqes, neutralitetit dhe ekuilibrave në Ballkan, hodhi themelet e arsimit shqiptar, u bë shprehësja e aspiratave të thella të popullit tonë për zhvillime evropiane perëndimore”.
Vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër 1912-1913, të cilat i detyruan shqiptarët që të jetojnë të ndarë, duke lënë një pjesë të tyre jashtë Shqipërisë dhe nën regjimet ultra-nacionaliste të Serbisë, Malit të Zi dhe të Greqisë ishin rezultat i diplomacisë ruse me politikat e këtyre shteteve. Në këtë skemë antishqiptare u ndërthur edhe interesi i Francës së atëhershme e cila te sllavët shihte aleatët e saj natyrorë, kundër Gjermanisë së bashkuar të fuqizuar dhe ekspansioniste.
Austro-Hungaria insistoi në Konferencën e Ambasadorëve edhe për një garanci në mbrojtjen dhe lirinë kulturore të shqiptarëve të ngelur nën sundimin e shteteve Ballkanike. Këto propozime ajo ia paraqiti Londrës me anë të ambasadorit të saj, kontit Mensdorf. Propozimet kërkonin një barazi të plotë ligjore dhe kulturore, sepse kishin frikë dhe me të drejtë, meqë pushtuesit do të përdorin metoda shkombëtarizimi. Mjerisht këto propozime të Austro-Hungarisë nuk kaluan, pasi diplomacia ruse ishte kundër atyre.
Konti Berhtold, pa dyshim, ishte një nga protagonistët më të interesuar për krijimin e një Shqipërie të lirë. Ky për këtë pikësynim të punës së tij të zorshme dhe këmbëngulëse pati për kundërshtar politikën pan-sllaviste. Ai te Shqipëria dhe populli shqiptar shihte një shtet që mund të jetonte dhe i vinte keq kur luftohej në Londër për çështjen shqiptare, që nuk kishte një qeveri qendrore dhe unike të Shqipërisë. Derisa vazhdonin bisedimet në Londër, në Shqipëri deri në vitin 1913 u formuan katër qeveri: Qeveria provizore e Vlorës nën Ismail Qemalin, e dyta; Qeveria e Shqipërisë së Mesme me seli në Durrës, e udhëhequr nga Esad Pashë Toptani, i cili ishte kundërshtar i fortë politik i Qeverisë së Vlorës dhe mercenar i njohur i Serbisë. Qeveria e tretë, ajo e Ded Cokut në Lezhë dhe e katërta, ishte Qeveria e Prenk Bib Dodës, e shpallur në Mirditë. Vendi paraqiste një tablo të vajtueshme të përçarjeve e ndasive politike. Në këto rrethana të brendshme në Shqipëri, fare nuk e favorizonin pozicionin e ministrit të Jashtëm Berhtold, për të mbrojtur integritetin e plotë të Shqipërisë. Ai luftoi vetë me forcat e veta kundër të gjithëve në këtë Konferencë e cila zgjati mbi gjashtë muaj, ku donin ta shlyenin Shqipërinë nga harta e Ballkanit. Prandaj, sot pas njëqind vjetësh ndajmë mendimin se ishte një sukses i madh i diplomacisë austro-hungareze për arsye se u arrit krijimi i një Shqipërie të Pavarur dhe Autonome edhe pse gjysmake. Fajin duhet kërkuar edhe te vet shqiptarët, pasi në ato çaste nuk shikonin bashkimin dhe mbrojtjen e vendit nga shtetet sllave, por vraponin të përfitonin në dëm të popullit për interesa të veta personale.
Prandaj, sot nga ajo distancë kohore i japim mirënjohje politikës së Austro-Hungarisë në krye me diplomatin Berthold. Edhe pse ky luftoi me të gjitha forcat për të mirën e Shqipërisë dhe të popullit shqiptar në fund nuk mundi t’i kapërcente kundërshtimet e Rusisë dhe Francës për t’i mbrojtur kufijtë etnikë të shpallur në Kuvendin Kombëtar të Vlorës. Prandaj, në ato rrethana të reja midis Ballkanit duhej bërë urgjentisht një bashkim midis shqiptarëve, ku aktuale ishte çështja e zgjedhjes së Mbretit për të formuar një qeveri qendrore unike. Shtetet ballkanike, të ndihmuara nga Rusia dhe Franca, ishin shkaktarë kryesorë që penguan popullin shqiptar të kurorëzonte me sukses të plotë luftën katërvjeçare, për ruajtjen e tërësisë territoriale, ku iu shkëputën këto treva nga trungu i mëmëdheut. Sunduesit e rinj mbi trevat shqiptare që u vendosën si rezultat i vendimeve të Konferencës së Londrës, filluan menjëherë aplikimin e një politike të egër shtypëse për kolonizimin dhe serbizimin e këtyre tokave. Politika e egër serbe i trajtoi shqiptarët si element i huaj në krahinat e aneksuara, edhe pse ajo e dinte se këto territore denbabaden janë të tyre dhe i kanë poseduar shqiptarët para se ata të vendoseshin në Ballkan. Ajo përdori kundër shqiptarëve metodat më barbare të dhunës e të terrorit. Kjo politikë pan-sllaviste serbe çoi në shtimin e urrejtjes së të gjithë popullatës kundër sunduesit të ri. Populli shqiptar dhe krerët e saj ishin të vendosur të luftonin deri në fund kundër regjimit të egër të pushtuesve serbë. Pra, në këto rrethana filloi një fazë e re e luftës kundër sunduesve të rinj, lufta për çlirim kombëtar dhe bashkim me shtetin amë, luftë kjo që vazhdon sot e kësaj dite. Shqiptarët e trevave lindore kurrë nuk u pajtuan me këtë vendim arbitrar, prandaj në vitin 1919 i dërgojnë një Memorandum kryetarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Vilson, që të korrigjojë këtë padrejtësi të bërë kundrejt popullit shqiptar dhe Shqipërisë Etnike të ndarë në dy pjesë, më 22 mars 1913.
Memorandumi drejtuar kryetarit Vilson fillon me fjalët e Ptolomeut ku përmend i pari shqiptarët në këto territore që janë raca më e vjetër që ndodhen në Evropë. Pra vendimi arbitrar më 22 mars 1913 ku gjysma e Shqipërisë kishte ngelur e robëruar nën sundimin greko-serbo-malazez. Para luftërave ballkanike, Perandoria Osmane në pjesën evropiane në pikëpamje territoriale ishte e ndarë në 6 vilajete: i Edrenës, i Selanikut, i Shkodrës, i Manastirit, i Janinës dhe Vilajeti i Kosovës. Lufta e Parë Ballkanike e cila shpërtheu më 8-17 dhe 18 tetor 1912 nga qarqet sunduese ballkanike filloi me parullën për “çlirimin e vëllezërve të krishterë” dhe për realizimin e idealeve kombëtare, të bazuara kinse në të drejtën tradicionale të së drejtës historike shtetërore. Këto parulla të qarqeve megalomane ballkanike, me bazën e tyre në historicizëm ndikuan në disponimin e masave për luftë kundër Perandorisë Osmane. Sa i përket Serbisë, parulla më e fortë e bazuar, pra në historicizëm të mistifikuar ishte hakmarrje Kosovës-që kishte rrënjë kinse në “Betejën e Kosovës”, e ngritur në legjendë e mit në shekullin XIX për qëllime pushtuese – zgjerim territorial, duke u mbështetur në perandorinë Dushanit. Serbia duke u mbështetur në të “drejtat historike”, si shtet kontinental, qëllim kryesor kishte zgjerimin e territoreve të veta, për të dalë në det. Këtë propagandë e zhvilloi jo vetëm në Serbi, por edhe në Kosovë, në Maqedoni e vende të tjera duke premtuar, si thotë vetë Petri I Karagjorgjeviqi në proklamatën e lëshuar në kohën e mobilizimit për Luftën e Parë Ballkanike se “ushtria ime në ‘Serbinë e Vjetër’ do të hasë pos të krishterëve në serbë e myslimanë, që na janë po ashtu të dashur, e me ta edhe në shqiptar, të krishterë e muhamedanë… Ne të gjithëve u çojmë lirinë, vëllazërimin dhe barazinë në çdo gjë me serbët”.
Por kjo ishte vetëm një frazë boshe, gënjeshtër e kulluar, që i servoheshin jo njëherë që nga shpërngulja e shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit më 1877 e deri në luftën e fundit shqiptaro-serbe 1997-1999. Me hyrjen e ushtrisë pushtuese serbe në Kosovë, filloi dhe formimi i organeve shtetërore e administrative në ndërtesat ekzistuese. Këto organe shtetërore vendosën pushtetin duke e mbajtur një kohë të gjatë.
Komanda supreme e ushtrisë serbe vendosi edhe organet civile të pushtetit, sipas ndarjes administrative. Në këto territore formoi edhe inspektorate të veçanta nergut për këto territore të cilat mbesin në kompetenca të ministrive gjegjëse. Në janar të vitit 1913 formohen të quajtur si organ, referentët gjyqësorë, të cilët ishin pranë Komandës Supreme të Armatës III me seli në Shkup. Po ashtu, në atë kohë formohen edhe reparte policore, të cilat ishin nën komandën e ushtrisë. Pra, në Kosovë dhe Maqedoni, të gjitha organet e pushtetit civil i vendosën organet ushtarake dhe ishin nën komandën e ushtrisë. Ku lirisht mund të thuhet se vetëm formën e kishin si organe civile, në realitet ato ishin ushtarake. Në Kosovë ishte vendosur regjimi ushtarak. Në zënkat për pushtet, në mes të organeve civile dhe ushtarake ngatërrohen mes vete edhe partitë politike, sidomos rreth territoreve të Kosovës dhe të Maqedonisë se çfarë tretmani politik duhej dhënë këtyre trevave. Partitë politike më të forta, si ajo Radikale, në krye me Nikolla Pashiqin, e cila kishte qenë në pushtet gjatë luftërave ballkanike propozoi që në pikëpamje të sundimit këto vende të trajtohen si në tërë mbretërinë serbe, që do të thotë të aplikohej kushtetuta e Serbisë me regjim parlamentar. Ana kundërshtare, Partia Nacionale ishte për sundim me regjim ushtarak – diktaturë ushtarake, për çka angazhoheshin edhe organet ushtarake. Partia Radikale ishte për regjim parlamentar edhe në këto vende, jo pse ajo ishte dashamirëse e këtyre popujve dhe se gjoja ishte për barazimin e tyre, por për shkak se i kanosej rreziku nga militarizimi i përgjithshëm i pushtetit, e me atë edhe ajo vetë do ta humbte pushtetin. Duke u nisur nga këto fakte, Stojan Protiqi, ministër i Punëve të Brendshme, duke i paraqitur Kuvendit shtetëror ligjin mbi bashkëngjitjen dhe sundimin e këtyre viseve Mbretërisë së Serbisë dhe sundimit të saj.



Pashiqi donte të sundonte me ligje të posaçme 


Dekretligji mbi sundimin dhe rregullimin në krahinat e çliruara 

Sipas propozimit të Qeverisë së Beogradit në Kosovë, në Sanxhak dhe në Maqedoni nuk u aplikua e tërë Kushtetuta e Serbisë, por vetëm një pjesë e saj. Popujt e vendeve të përmendura nuk fituan të drejta politike, si të drejtën aktive dhe pasive zgjedhëse, të drejtën në identitetin kombëtar, gjuhën, shkollimin etj. Se në çfarë forme dhe baze është sunduar në këto anë, shihet edhe nga “Dekretligji mbi sundimin dhe rregullimin në krahinat e çliruara” të 18. VIII. 1913, i cili u bazua në ligjin e 12. XII. 1885, “mbi kapjen dhe likuidimin e hajdutëve”, në bazë të cilit dekretligj parashiheshin dënime prej 6 muajve deri 20 vjet burgim, por edhe pushkatim. Ky nen zbatohej kur tuboheshin, madje vetëm 5 veta në një vend (në mbrëmje), kur bëhej propagandë kundër shtetit ose formoheshin çetat për t’iu kundërvënë pushtetit okupues e për delikte të tjera. Në bazë të këtij ligji organet ushtarake kishin të drejtën ta vrasin pa vendim gjyqi.
Me dekretligjin mbi rregullimin e “krahinave të çliruara”, si religjion shtetëror proklamohet religjioni ortodoks i lindjes me kishën autoqefale serbe, me prapashtesë se të gjithë qytetarët janë të “barabartë” para ligjeve dhe pushtetit “po të jenë ata të krishterë, myslimanë apo çfarëdo konfensioni tjetër të pranuar me ligje”, duke shtuar se u garantohet kryerja e ceremonive fetare, ngase edhe me ligj cekej, se janë të garantuar vetëm ato konfesione që përmenden në ligj, e në të garantohej vetëm feja ortodokse e lindjes, e cila ishte e privilegjuar si fe shtetërore. Territoret e okupuara nga ushtria serbe në vjeshtë të vitit 1912 filluan të administrohen në bazë të një urdhërese ushtarake, që në realitet ishte pushtet i regjimit ushtarak, për Kosovë dhe në Maqedoni. Këtë formë të qeverisjes e aprovoi vetë mbreti Petri I, kur më 27 dhjetor 1912, me proklamatën e “Dekretligjit mbi rregullimin e viseve të çliruara”, me të cilin u vendos pushteti ushtarak, në krye të të cilit ishte Komanda Supreme e Armatës së Tretë serbe me seli në Shkup. Sipas këtij dekretligji, nëpunësit me propozimin e ministrave dhe të resorëve të tyre emëroheshin në postet e ndryshme, por të vërtetuara nga Komanda Supreme e Ushtrisë. Territori i Kosovës u nda në këto qarqe: të Prishtinës, Prizrenit, Novi Pazarit, Kumanovës dhe Shkupit. Kjo ndarje zgjati deri në nëntor të vitit 1913, kur me akt të posaçëm të MPB-së u formua qarku i Zveçanit me qendër në Mitrovicë, në të cilin bënin pjesë këto rrethe: i Mitrovicës, i Vuçitërnës dhe i Drenicës. Aktet e para për rregullimin administrative dhe territorial të këtyre vendeve u shpallën me 14/27. XII. 1912 me Dekretligjin mbi sundimin e përkohshëm të vendeve të okupuara në Luftën e Parë Ballkanike, i cili hyri në fuqi menjëherë pas nënshkrimit të mbretit Petri Karagjorgjeviq.
Me dekretin e përmendur u abroguan të gjitha organet e mëparshme, me përjashtim të qendrave administrative, që mbetën po ato, ndonëse i gjithë aparati u ndërrua dhe u vendosën organe të tjera të pushtetit. Këto ndërrime duhej të vlenin vetëm në momentin e parë të vendosjes së pushtetit, ngase pas kësaj kohe këto ndërrime do të mund të bëheshin vetëm me lejen e ministrisë së Punëve të Brendshme, ndërsa ndarjen komunale e caktonte pushteti i rrethit. Madhësia territoriale e komunës varej nga pozita e saj gjeopolitike, madhësia e fshatrave që bënin pjesë në të, nga përbërja e popullsisë dhe nga qëndrimi i saj ndaj organeve të pushtetit. Në atë kohë copëtimi ishte shumë i madh, territoret e komunave ishin shumë të vogla, me qëllim që prania e organeve të pushtetit të ishte sa më e madhe, për shkak të rezistencës së popullit. Çështja e copëtimit të territoreve komunale ishte më e theksuar në viset kufitare. Pushtetin komunal e përbënin kryetari, nga një kryeplak prej secilit fshat që bënte pjesë në atë komunë, një ose më tepër notarë sipas nevojës dhe nga një numër i mjaftueshëm i njerëzve të armatosur. Zgjedhjen e organeve të pushtetit komunal ligjin në fjalë e parashihnin ta bënin organet e pushtetit të rrethit. Të gjithë funksionarët komunal emëroheshin njerëz më të aftë të atij territori, por kishte mundësi që të emëroheshin njerëz të aftë edhe nga territoret e tjera, me kusht që të bëheshin banorë të përhershëm të asaj komune. Këta njerëz duhej të ishin të sigurt, të besueshëm të pushtetit. Kryetarit të komunës i lihej në kompetencë pranimi dhe lëshimi i shërbëtorëve komunal dhe i njerëzve të armatosur, sipas rezultateve të punës së tyre. Largimin e njerëzve të armatosur nga detyra mund ta bënin edhe organet e pushtetit të rrethit nëse vërenin se ata nuk i kryenin si duhet detyrat. Pushteti komunal në kompetencat e tij kishte, përveç pushtetit administrativë dhe policor, edhe atë gjyqësor.
Kryetari i komunës ishte njëkohësisht edhe gjyqtarë. Në kompetencat e tij ishte të zgjidhte kontestet gjyqësore të qytetarëve për pasurinë e tundshme dhe të patundshme me vlerë prej 20 deri 50 dinarë. Kryepleqtë e fshatrave ishin të autorizuar t’i gjykonin gjërat me vlerë deri në 20 dinarë. Në çdo komunë, qoftë fshatare, qoftë në qytet, ekzistonte edhe gjykata komunale, në kompetencën e të cilës ishin ato lëndë gjyqësore, vlera materiale e të cilave kalonte shumën e përmendur më parë e të dënonte më tepër se 10 ditë burg. E drejta e tij ishte edhe për delikte dhe dënime më të rënda. Këto gjykata vepronin më tepër në zgjidhjen e kontesteve të tokës-pronësisë, të fuqizimit të mëtejshëm të marrëdhënieve feudale, shitblerjes, zgjidhjen dhe vendosjen e ankesave kundër kryepleqve nga ana e qytetarëve.
Të ardhurat personale për komuna i caktonin organet e pushtetit të rrethit, por edhe për këtë, më parë, ishte i nevojshëm mendimi i Këshillit të Komunës. Për lartësinë e të ardhurave organet komunale dhe ato të rrethit ishin të obliguara të merrnin pëlqimin e organeve më të larta. Financimi i komunës nuk bëhej vetëm nga buxheti që caktohej nga organet më të larta, por burim të financimit kishin edhe të ardhurat nga pasuria komunale dhe nga tatimi i veçantë komunal. Buxhetin për komuna fshatare e caktonte perfekti i qarkut, kurse për komuna të qytetit, në të cilat ndodhej selia e qarkut, e caktonte ministria e Punëve të Brendshme. Nga këto burime financiare, financohej edhe ushtria që ndodhej nëpër komuna. Këshilli komunal, sipas këtij dekretligji, përbëhej nga përfaqësuesit e banorëve të komunës, që zgjedhej në mbledhjet komunale. Këshillin komunal e zgjedhte pushteti i rrethit. Numri i këshilltarëve komunalë varej nga numri i banorëve. Kështu, komuna që kishte mbi 100 shtëpi, këshillin komunal të saj e përbënin 10 këshilltarë, ndërsa ajo që kishte deri 200 shtëpi, këshilli përbëhej prej 15 sish, ndërsa mbi 200 e përbënin 20. Sipas këtyre normave ligjore, përpjesëtimisht me numrin e shtëpive ishin përfaqësuar edhe në këshillin komunal. Shërbimi i tyre ishte pa pagesë për një vit, çdo vit zgjedheshin këshilltarë të rinj. Me këtë dekretligj caktohej funksioni dhe roli i rretheve si njësi administrative-territoriale dhe politike. Çdo komunë duhej t’i takonte një rrethi. Në krye të rrethit ndodhej nënprefekti i rrethit, i cili në emër të rrethit kryente pushtetin administrative dhe policor, të cilin e emëronte Drejtorati Suprem me propozimin e ministrisë së Punëve të Brendshme. Detyra të tjera të nënprefektit të rrethit ishin udhëheqja me pasurinë shtetërore, zgjidhja e konflikteve ndërmjet qytetarëve për pasurinë e patundshme dhe çështje të tjera publike, gjyqësore dhe policore. Territori më i madh se rrethi ishte qarku, i cili, po ashtu, përfaqësonte qeverinë shtetërore. Në krye të këtij pushteti qëndronte prefekti i qarkut. Të gjitha njësitë administrative më të vogla se ky ishin nën sundimin e tij. Ky organ shtetëror, sipas nevojës, mund të bënte ndërrimin e njerëzve në poste të ndryshme politike, administrative, policore dhe gjyqësore në qark. Kishte të drejtë, por edhe obligim ligjor, të vendoste për të gjitha ato gjëra që ishin vendosur nga organet e rretheve ose nga komuna. Vendimi i këtij organi ishte meritor. Në kohë lufte prefekti i qarkut ishte i obliguar të bënte rekrutimin e të gjithë njerëzve të aftë për luftë. Të gjithë nëpunësit dhe punëtorët e organeve administrative, gjyqësore e policore ishin të obliguar ushtarakë ( në kohë lufte) të shërbenin në ushtri, pa marrë parasysh moshën e tyre. Mosnënshtrimin e popullsisë shqiptare të Kosovës para organeve ushtarake, Nikolla Pashiqi e shpjegonte dhe e arsyetonte me faktin se “mentaliteti i tyre ka ndërruar nga sundimi shekullor turk”, kurse popullsia shqiptare nuk i përmbushte detyrimet e veta ndaj shtetit, “ngase qeveria turke i favorizonte, por edhe pse në të mbretëron gjendja anarkike. Për këtë shkak, ky popull duhet të sundohet me norma - ligje të dorës së fortë të pushtetit, në mënyrë që të mësohet t’u nënshtrohet normave shtetërore dhe të përmbush detyrimet e veta”. Pashiqi konsideronte se këto treva duhej të sundoheshin me ligje të posaçme, së paku një dekadë, duke menduar se brenda kësaj kohe shqiptarët ose do të pacifizoheshin ose qeveria do të arrinte që me masa të ndryshme t’i largonte nga Kosova. Se politika e Pashiqit dhe qëllimet e tij tashmë ishin të parealizueshme filluan të binden edhe organet e tjera menjëherë pasi hynë si pushtues në Kosovë. Rezistenca e popullit ishte e llojllojshme dhe masive. Që në fillim ushtria hasi në rezistencë të armatosur, të grupeve të organizuara. Popullsia u tërhoq nëpër vendstrehime të ndryshme, nëpër male kryesisht. Me vete mori bagëtinë, gjërat ushqimore dhe krejt ç’pati mundësi, duke i ikur kështu ndeshjes me ushtrinë. Këto grupe njerëzish me familje qëndruan nëpër male deri në vjeshtë të vonë dhe deri sa ushtria i gjurmonte nëpër male dhe i detyronte të ktheheshin. Ç’është e vërtet një përqindje, familje të tëra morën arratinë, duke iu frikësuar reprezaljeve të ushtrisë dhe grupeve plaçkitëse. Raste vrasjesh dhe plaçkitjesh të pasurisë kishte shumë. Prandaj edhe frika e popullsisë ishte e arsyeshme, kurse rezistenca e armatosur dhe e organizuar kishte karakter politik. Prandaj, rezistenca e grupeve të organizuara nuk duhet konsideruar si e rastit apo se këto grupe në fillim kishin qëllime të tjera. Shtimi i këtyre grupeve dhe i njerëzve në to u bë edhe për shkaqe të ndryshme, por qëllimi i rezistencës ishte i njëjtë.


Kosova nën pushtetin ushtarak 


Serbia gënjeu se popullit të Kosovës dhe të Maqedonisë do t’i jepen të drejtat

Këtu bëjnë përjashtim vrasësit, hajnat etj. Rezistenca kundër regjimit ushtarako-policor sa vinte e merrte përmasa më të gjëra. Duke e parë këtë qeveria serbe dhe duke u frikësuar se çështja shqiptare po kalonte kufijtë e Ballkanit dhe po bëhej çështje ndërkombëtare, filloi të ndërronte disa gjëra në politikën e vet ndaj shqiptarëve.
Vazhdimësia e rezistencës dëshmohet më së miri me kryengritjen e vitit 1913. Lufta e Dytë Ballkanike dhe situatat e përgjithshme politike ndërkombëtare ndikuan në Qeverinë e Mbretërisë së Serbisë që në vjeshtë të vitit 1913 dhe në fillim të vitit 1914, të bëjë disa korrigjime të akteve normative, me të cilat sundohej në Kosovë dhe në Maqedoni. Në fillim të vitit 1914 u bënë disa ndërrime të Dekretligjit mbi sigurinë publike, u morën disa masa fillestare gjoja për zgjidhjen e çështjes agrare. Në atë kohë u formuan disa komisione shtetërore si Inspektorati Ekonomik për Kosovë e Maqedoni si dhe komisionet e tjera, që kishin për detyrë të merreshin me studimin e disa çështjeve në terren. Këto u bënë për arsye të ndryshme, por ndër më të rëndësishmet ishin qetësimi i shqiptarëve, ngase situata e përgjithshme ndërkombëtare nuk ishte e mirë. Mirëpo nëpërmjet këtyre komisioneve duhej të zbulohej disponimi, gjendja ekonomike e shqiptarëve, po ashtu edhe qëndrimi i tyre ndaj Serbisë.
Në anën tjetër, bëheshin përpjekje që me premtime të përfitohen disa krerë të parësisë së shqiptarëve. Në këtë ndikuan kushtet e atilla të përgjithshme politike si brenda, ashtu edhe jashtë, posaçërisht lufta me Austro-Hungarinë, e cila pritej të shpërthejë. Me këtë dëshirohej që marrëdhëniet e brendshme politike të stabilizohen, të zbutej situata në Kosovë e në Maqedoni, në mënyrë që ushtarët e ardhshëm nga këto vende t’i shërbenin me besnikëri. Këto shkaqe e detyruan qeverinë serbe të deklarohej dhe të lëshonte një proklamatë në dhjetor të vitit 1914 me anë të së cilës i shpallte të barabartë, se kinse popujt e Kosovës dhe të Maqedonisë do t’i gëzojnë të gjitha të drejtat sikurse ata të territorit të Serbisë së para vitit 1912, se gjoja të gjitha ligjet që aplikohen në Serbi do të vlejnë edhe në këto territore me të gjitha të drejtat qytetare.
Deklaratat dhe proklamatat mbetën boshe, sepse gjendja nuk u përmirësua fare, përkundrazi, ajo vetëm sa u keqësua deri në Luftën e Parë Botërore. Në bazë të Dekretligjit mbi rregullimin e “krahinave të çliruara”, me të cilin parashihej edhe rregullimi administrativ në të gjitha instancat, politiko-administrative, për një kohë në Kosovë ngeli ndarja e trashëguar. Me vendosjen e organeve të para sipas nevojave është bërë rigrupimi i fshatrave apo komunave. Së pari filloi të bëhej riorganizimi-grupimi i disa komunave fshatare në një komunë apo ndarje territoriale të një komune në disa sosh, po edhe formimi i komunave të reja, në ato vende ku çmohej se territori saj ka qenë tepër i madh.
Kufijtë komunalë i caktonte pushteti i rrethit, ndërrimi i tyre mund të bëhej vetëm me lejen e ministrit të Punëve të Brendshme. Këto komuna për kah territori ishin të vogla me qëllim të pranisë sa më të madhe të organeve shtetërore në çdo vend-fshat, për shkak të funksionimit sa më efikas në këto vende të ndjeshme në pikëpamje politike. Kryetarët e komunave, kryepleqtë dhe notarët i emëronte rrethi - organet e rrethit me iniciativën e nënprefektit të rrethit, po në këtë mënyrë edhe mund të ndërroheshin në çdo moment dhe rast, pa marrë parasysh arsyen. Për këto funksione gjithmonë janë zgjedhur njerëz të sigurt, të orientuar politikisht sipas interesave të pushtetit. Është dashur të jenë banorë të rajonit të komunës gjegjëse. Por, kanë mundur të zgjidhen edhe nga territoret e tjera, me kusht që të bëheshin banorë të asaj komune në të cilën zgjidheshin. Kompetencë e organeve komunale në bazë të neneve 6-10 të dekretligjit të përmendur ishte udhëheqja me të gjitha punët dhe pasurinë komunale. Ekzistonin organet udhëheqëse civile dhe policore, të cilat kryenin të gjitha punët administrative-politike e policore. Gjithashtu kishin funksionin gjyqësor me të cilin kishte të drejtë gjykimi të kontesteve qytetare kur kishin vlerë prej 20-50 dinarë, kurse vetë kryepleqtë kishin të drejtë të gjykojnë konteste, vlera materiale e të cilave arrinte deri 20 dinarë.
Kryetari i komunës gjykonte të gjitha rastet sipas kodit penal të përfshira në pikën III. Në pikëpamje të ndarjes të së drejtës pushteti komunal ishte i kufizuar, ngase kishte të drejtë të gjykojë për veprat pesha e të cilave ishte më e lehtë kurse dënimi më i rëndë mund ti jepej deri 10 ditë burg apo të holla deri 100 dinarë gjobë. Në kompetencë të gjyqit komunal nuk ishte të gjykojë për pasurinë e patundshme, në këtë rast përjashtim bënte pasuria shtetërore, kur ish në pyetje uzurpimi i pasurisë shtetërore. Kjo çështje ishte lënë me qëllim në kompetence të gjyqeve komunale, të cilave u ishte dhënë për detyrë të hulumtojnë dhe regjistrojnë pasuritë shtetërore në kohën e pushtetit osman. Tretmanin e pasurisë shtetërore e morën edhe ato prona, pronarët e të cilave u tërhoqën bashkë me ushtrinë otomane, qoftë të nëpunësve apo të personave privat. Këto organe janë udhëhequr edhe nga parimi se organet osmane, në shumë raste, qytetarëve nuk u kanë lëshuar fletët poseduese, apo tapitë për pasurinë e blerë, prandaj, duke gjurmuar këto raste, organet e pushtetit ua morën qytetarëve atë pasuri dhe e shpallën pronë shtetërore. Me këtë jo vetëm që u bëhej shantazh qytetarëve, por ky ishte presion direkt për shpërngulje nga vendi i vet dhe emigrimi në ndonjë shtet tjetër, e në këtë kohë shpërngulja kishte marrë hov të madh. Shpërngulja bëhej kryesisht në Turqi, por shpërngulje kishte edhe për shtetin e posa formuar shqiptar. Në çfarë bazash gjykohej në atë kohë në Kosovë ishte e rregulluar në nenin 8 të Dekretligjit të përmendur, në të cilin parashihej që kryetari i komunës dhe kryepleqtë të gjykojnë sipas “ndërgjegjes dhe drejtësisë”, duke u mbështetur në Dekretin policor të Serbisë të 18. V. 1850 dhe në Kodin Penal të 29. III. 1860 të Serbisë, e jo në Kushtetutën e Serbisë të vitit 1903 e cila ishte në fuqi për Serbinë, sepse për Kosovë, Sanxhak dhe Maqedoni, me masa të caktuara me anën e presioneve të ndryshme shpejtohej shpërngulja e elementit jo-sllav, me qëllim të ndryshohej përbërja etnike, prandaj sundohej me ligje të veçanta.
Tatimi caktohej, po ashtu në bazë të “gjendjes ekonomike” të secilës familje. Për këtë ishte i ngarkuar këshilli i posaçëm tatimor, të cilin e përbënin kryeshefi i resorit për tatime, kryetari dhe notari i komunës ( kurse në komuna nëpër qytete në këtë këshill bënin pjesë edhe 3 qytetarë, të cilët i caktonte këshilli komunal). Këtij këshilli për caktimin e tatimit të pasurisë ishte lënë ta caktojë “në shpirt dhe ndërgjegjen e tyre”. Pra “norma ligjore” lejonte që “në shpirt” të caktohej tatimi. Mendojmë se kjo nuk do koment. Por, kjo çështje do të ishte e keqe e vogël, sikur në të tjerat lëmi të jetës politiko-shoqërore të sundohej në bazë të ligjeve të cilat vlenin për Serbinë. Rrogat për bartësit e funksioneve në komuna fshatare dhe në qytete të vogla, sipas këtij Dekretligji, i caktonte organi i pushtetit të rrethit, duke marrë vendimin paraprak të këshillit komunal. Kuptohet bëhej në bazë të normave të përgjithshme lartësinë e të cilave e caktonin organet e pushtetit me të lartë, në këtë rast të rrethit, të cilat kishin të drejtë t’ua rrisin ose zvogëlojnë. Harxhimet e organeve komunale mbuloheshin nga një pjesë e veçantë e tatimit dhe nga të ardhurat e tjera në Komunë, të cilat i mblidhnin nga notarët e komunës përkatëse.
Komuna gjithashtu kishte edhe buxhetin e vet, shumën e të cilit ia caktonte nënprefekti i qarkut. Për komunat, selia e të cilave ishte nëpër fshatra, kurse për komuna selia e të cilave ishte nëpër qytete ku gjendej selia e qarkut, buxhetin e caktonte ministri i Punëve të Brendshme. Nga Dekretligji i cili ishte bërë nergut për këto anë del se harxhimet dhe nevojat ushtarake plotësoheshin nga popullsia e komunës gjegjëse, me urdhrin e organeve ushtarake dhe me lejimin e Ministrisë dhe të Komandës Supreme. Komuna kishte edhe organet e tjera, si këshillin komunal që zgjidhej çdo vit e organe të tjera. Njësi më të mëdha administrative se komuna ishte rrethi, kurse me e madhe se rrethi ishte qarku. Në territorin e Kosovës u formuan tri qarqe:i Prishtinës, i Prizrenit dhe i Novi Pazarit, në të cilin gjendej edhe Mitrovica me një pjesë të madhe të territorit të saj, deri në gjysmën e dytë të vitit 1913, kur u formua qarku i Zveçanit, me ç’rast qarkut të Prishtinës i bashkëngjitet rrethi i Vushtrrisë. Qarqet si njësi administrative – territoriale ishin njësitë më të mëdha në shtet, të përbëra, prej disa rretheve, e rrethet prej komunave. Numri i rretheve në një qark varej prej faktorëve gjeopolitik dhe strategjik të një rajoni ku formohej, por edhe nga baza ushtarako-politike. Për kufijtë emrin dhe qendrën administrative të qarkut vendosnin Komanda Supreme e ushtrisë dhe ministria e Punëve të Brendshme. Në krye të së cilit qark emëroheshin naçallnikët (prefektët) e qarkut, sekretarët, notarët, arkatarët, e personeli tjetër administrativë dhe shërbyes. Emërimin e naçallnikëve, të sekretarëve dhe të notarëve e bënte vetë mbreti, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme. Arkatarët i emëronte ministri i Financave kurse kategoritë më të ulta të aparatit administrativë dhe shërbyes i emëronte vetë naçallniku (kryeshefi)i qarkut. Qarku në suazat e veta sunduese ishte organ administrativo-policor, të cilin e ushtronte nëpërmes të pushtetit të rretheve dhe të komunave, ishte edhe organ mbikëqyrës, udhëheqës, korrigjues e sipas nevojës kishte të drejtë të bëjë ndërrimin e organeve në rrethe dhe komuna. Po ashtu vendoste mbi vendimet gjyqësore prej atij të gjyqeve komunale e deri te gjyqet e qarqeve, si lidhur me ankesat e qytetarëve ashtu edhe të organeve. Ky organ kishte buxhetin e vet financiar, të cilin ia lejonte ministri i Punëve të Brendshme. Të ardhura gjithashtu krijonte jo vetëm nga ekonomia e qarkut, por edhe nëpërmes të tatimit të veçantë, të cilin e paguanin qytetarët. Organet profesionale në qark u nënshtroheshin ministrive gjegjëse të shtetit, të cilat bënin kontrollimin e tyre. Kjo vlente vetëm për viset e aneksuara. Të gjithë nëpunësit ishin të obliguar ushtarak. Në rast lufte ishin në dispozicion të organeve ushtarake dhe u nënshtroheshin komandave ushtarake, me çka edhe një herë vërtetohet se në atë kohë në Kosovë ishte vendosur pushteti ushtarak. Organizmi i organeve shtetërore fillon me operacionet ushtarake dhe me depërtimin në Kosovë e në Maqedoni dhe në treva të tjera. Shtabi i Komandës Supreme të ushtrisë serbe në Shkup dha urdhër më 8. XI. 1912(apo sipas kalendarit të vjetër më 25. X. 1912) të formohen organet komunale dhe të rretheve të këtyre qarqeve :Kumanovë, Shkup, Prishtinë, Prizren dhe Novi Pazar.


Formimi i Qarkut të Prishtinës 


Komanda Supreme kërkonte tërheqjen e trupave nga Shqipëria 





Sipas “Srpske Novine”, nr. 228 të datës 19. X. 1912 (kalendari i vjetër), formohet edhe Rrethi i Llapit me qendër në Podujevë. Pas një kohe të shkurtër formohet Qarku i Prishtinës, në krye të të cilit emërohet prefekt Todos Stankoviqi. Nën Qarkun e Prishtinës ishin këto rrethe: i Prishtinës, i Vushtrrisë, i Gjilanit, i Ferizajt dhe i Llapit. Mitrovica ishte nën Qarkun e Novi Pazarit deri në dhjetor të vitit 1913, kur formohet Qarku i Zveçanit. Sipas raportit të naçallnikut (kryeshefit) të Qarkut të Prishtinës të datës 8. V. 1913, dërguar Komandës Supreme, inspektoratit të policisë së rretheve të përmendura, Qarku i Prishtinës administrativisht ishte i ndarë në rrethin e Prishtinës me 15 komuna, në kuadër të të cilave bënin pjesë 131 fshatra, rrethi i Vushtrrisë kishte 15 komuna me 48 fshatra, rrethi i Ferizajt 10 Komuna, me 70 fshatra, rrethi i Gjilanit 17 komuna, me 194 fshatra, dhe rrethi i Llapit i ndarë 12 komuna, me 83 fshatra. Këtu bënte pjesë edhe komuna e Prishtinës, ngase si qendër administrative e qarkut e kishte një status më të lartë në krahasim me komunat nëpër fshatra.
Qarku i Prizrenit, sipas raportit të Shtabit Suprem të Komandës së Armatës së Tretë serbe të datës 8. XII. 1912, ishte i ndarë në këto rrethe: i Prizrenit, i Podgorës (Therandë), i Podrimes (Rahovec), i Gorës (fshati Vranishtë), i Pashtrikut (fshati Lubizhdë), i Krasniqes ( Vas Pas), i Lumës (fshati Bicaj), dhe i Gjakovës. Naçallnik (kryeshefi) i qarkut në fillim qe emruar Sreten V. Kojiqi, i cili e pat zëvendësuar një major të kavalerisë së ushtrisë serbe, i cili këtë post e pat mbajtur një kohë të shkurtër. Këtë ndarje duhet kuptuar si provizore, pa pushtet të forcuar i cili ishte tërësisht në duart e ushtrisë, pa kufi të caktuar shtetëror, sepse ushtria në këtë kohë ishte në avantazh dhe gjendej edhe ne territoret e Shqipërisë së 1913-s. Kështu, Komanda Supreme e ushtrisë serbe “krahina serbe” i pat proklamuar edhe Tiranën, Elbasanin, Durrësin dhe Lezhën, të cilat vende i shpalli si “qarku i Durrësit” me rrethet të cilat i përmendëm. Pothuaj deri në Luftën e Parë Botërore kufijtë e saktë administrativë sa i përket kufijve me Shqipërinë nuk janë të saktë, nëse i analizojmë dokumentet qoftë të Komandës Supreme apo të naçallnikëve (kryeshefave) të qarqeve dhe të rretheve. Dihet se Konferenca e Londrës më 1913 përcaktoi kufijtë me Shqipërinë. Ai që ka pasur rastin t’i ketë dokumentet e provenienecave të ndryshme të kësaj qeverie i ka të qarta qëllimet e saj, e cila para opinionit ndërkombëtar i pranon kufijtë e caktuar në Konferencën e Londrës, por faktikisht organet e veta si ato administrative, ushtarake i mbante në territoret brenda kufijve të caktuar, si në Lumë e vende të tjera. Kështu, nga një dokument i naçallnikut (kryeshefit) të qarkut të Prizrenit, me 28. IV. 1913, del se ky qark ishte i ndarë në 7 rrethe : i Metohisë (Gjyrgjevik), i Podrimes (Rahovec), i Podgorës (Therandë), i SHarrit (Prizren). i Gorës (Vranishtë), i Lumës (Bicaj) dhe i Gjakovës. Duhet cekur edhe një herë se Gjakova deri në dhjetor 1913, ishte e ndarë në mes të Serbisë dhe Malit të Zi. Kjo ndarje, ishte po ashtu e përkohshme, bile edhe e papranueshme nga vetë naçallniku (kryeshefi)i qarkut te Prizrenit, i cili në shkresën e tij të 24. I. 1914, nr. 1318, dërguar Komandës Supreme të ushtrisë serbe, ishte kundër një ndarje të tillë për shkak se territoret ishin shumë të mëdha, por edhe për vendet e caktuara për qendra të rretheve. Pas arsyetimeve që sipas tij ishin çështje qenësore, që të mund të sundojë në qarkun që i ishte caktuar, naçallniku (kryeshefi) Gjoka Matiq, i propozonte Komandës Supreme e ajo të ndikojë në ministrinë e Punëve të Brendshme që qarku i Prizrenit të ndahet në këtë mënyrë :
1. Rrethi i Prizrenit (Sharrit) me qendër në Prizren,
2. Rrethi i Gjakovës,
3. Rrethi i Gorës, me qendër në Vranishtë,
4. Rrethi i Drinit, me qendër në Vaspas,
5. Rrethii Metohisë me qendër në Istog (Burim) apo në Dersnik ose Gjurakoc, ndërsa qendra në këtë kohë ishte zyrtarisht në Gjurgjevik.
6. Rrethi i Podgorës me qendër në Suharekë (Therandë)
7. Rrethi i Podrimës, me qendër në Rahavec dhe
8. Rrethi i Lumës me qendër në Bicaj
Në këtë shkresë Naçallniku (kryeshefi) propozon që tani të formohen 3 rrethe : i Podgorës, i Podrimës dhe i Lumës. Në realitet, sipas dokumenteve të cekura këto tri rrethet kanë ekzistuar edhe më parë, por vetëm në funksionin ushtarak, derisa tani propozon që të formohen edhe rrethe administrative dhe ministria e Punëve të Brendshme të caktojë naçallnikët (kryeshefat)për këto 3 rrethe. Këtë propozim thotë se e bën edhe në frymën e nenit 47 të Dekretligjit mbi rregullimin e viseve te reja. Se sa janë këto ndarje stabile, sa janë të qëndrueshëm këta kufij, mendojmë se është me interes cekët edhe një dokument që flet për këtë çështje. Naçallniku (kryeshefi)i qarkut të Prizrenit, më 12. VI. 1913, kërkonte shpjegim nga inspektori i policisë së si të veprojë me personelin e rrethit të Drinit, me qendër në Vaspas, pasi që naçallniku (kryeshefi) i shtabit të trupave ushtarake të Kosovës i kishte lajmëruar se ka urdhër nga Komanda Supreme për tërheqjen e trupave nga këto territore të Shqipërisë : Petkë, Vaspas, Golaj dhe ato t’i vendos në vijën e cila tani për tani llogaritet si kufi me Shqipërinë. Kjo vijë fillonte nga Mirdita, Maja Meze, pika 1427 në kotën 916, 496, e del në Urë të Vezirit, prej aty shkon Bistricës së Hasit mbi Krumë, mbi Pashtrik përreth fshatrave: Kishajt, Kushnin, Gërrçinë, Qafa e Prushit e Përreth fshatrave: Morinë, Molliq, Batushë e Junikë të cilat fshatra mbesin në territorin e Serbisë deri në kufi me Malin e Zi. Për këtë shkak naçallniku (kryeshefi) i qarkut të Prizrenit bënë edhe propozime për rregullimin e këtyre territoreve në mënyrë tjetër. Po ashtu pyet se çka të bëjë me personelin administrative dhe policor të rrethit të Drinit. Pra, ndarjet e kësaj kohe nuk mund t’iu marrim si të qëndrueshme për shkak të rrethanave politiko-shoqërore dhe se aparati administrativë ishte provizor, sepse tërë pushteti praktikisht ishte ushtarak. Çështja e rregullimit administrative dhe territorial nuk është stabile dhe e vendosur të paktën deri me caktimin definitiv të kufijve me Shqipërinë, por edhe të marrëveshjes në mes të Serbisë dhe Malit të Zi, për ndarjen e territoreve në Kosovë. Ndarja në territore të imta administrativë ishte e kushtëzuar me rezistencën e armatosur të popullsisë shqiptare, prandaj edhe prania e ushtrisë për pushtetin e Serbisë ishte e obligueshme, që të mund ta vendoste sidokudo regjimin. Lidhur me këtë në një raport të naçallnikut (kryeshefit) të qarkut të Prizrenit të datës 10. IV. 1913 thuhet se e gjithë popullsia e komunave kufitare të rrethit të Sharrit ishte arratisur, se në Komunën e Xhumajës, të cilën e përbënin tri fshatra, që të tri fshatrat u kallën në tërësi. Territori i Kaçanikut, si rreth ishte i përfshirë në qarkun e Shkupit. Në janar të vitit 1913 në rrethin e Kaçanikut, bënin pjesë 4 komuna: e Kaçanikut, e Kaçanikut të Vjetër, e Sllatinës dhe Hani i Elezit, kurse gjithë rrethi i Kaçanikut kishte 1230 familje. Ndër ndërrimet territoriale-administrative deri në Luftën e Parë Botërore është edhe formimi i qarkut të Zveçanit që u bë me rastin e vendosjes së kufijve në mes të Serbisë dhe Malit të Zi, në dhjetor të vitit 1913. Kjo ndarje ishte në mes të territorit të Sanxhakut dhe të Kosovës, dhe u bë me rastin e shpalljes së Dekretligjit të ri për ndarjen territoriale të datës 31. VIII. 1913 me të cilin selia e qarkut që gjer tani gjendej në Plevle u ndërrua dhe kaloi në Prijepole. Qarku i Novi Pazarit u abrogua, e me këtë rast u formua ai i Zveçanit me qendër në Mitrovicë. Në kuadër të tij ishin tri rrethe: i Mitrovicës, i Vushtrrisë dhe i Drenicës. Në vitin 1913, krahas të gjitha këtyre akteve normative dhe urdhëresave nga provenienca të ndryshme për ndarjet territoriale dhe për rregullimin administrativë, organeve ushtarake për të njohur jo vetëm territorin, por edhe fshatrat dhe popullsinë, mandej përbërjen etnike, sociale e të gjinisë u ishte e nevojshme të bëjnë regjistrimin e popullsisë. Prandaj, që në fillim të muajit prill 1913, bëhet regjistrimi i popullsisë sipas rretheve. Nga territori i Kosovës në qarqet e përmendura nuk është përfshirë edhe rrethi i Kaçanikut, i cili bënte pjesë në qarkun e Shkupit e që kishte 4 komuna, 27 fshatra me gjithsej 1179 shtëpi, kurse përbërja e popullsisë sipas këtij regjistrimi ishte 4193 meshkuj dhe 4161 femra që bënin 8354 banorë. Në këtë regjistrim janë paraqitur të gjitha territoret që mbante ushtria serbe në kohën e regjistrimit i cili u bë me 4 prill 1913, por ne i paraqitem vetëm rrethet dhe territoret e Kosovës që në atë kohë ishin nën Mbretërinë e Serbisë. Mirëpo, në këtë regjistrim ishin të përfshira edhe këto qarqe me rrethet: Qarku i Novi Pazarit me rrethet e: Novi Pazarit, Sjenicës dhe Mitrovicës. Pastaj Qarku i Prishtinës me rrethet e: Prishtinës, Vushtrrisë, Gjilanit, Llapit - Podujevë dhe rrethi i Ferizajit;. Qarku i Prizrenit me rrethet si: Prizrenit, Gjakovës, Gorës-Vranisht, Drinit-Vaspas, Metohisë-Istog (Burim), Podrimës-Rahavec, Lumës-Bicaj, Podgorës-Suharekë (Therandë); Qarku i Tetovës ishte i ndarë në 4 rrethe, 59 komuna me 300 fshatra, që sipas përkatësisë kombëtare të njehsuara në shtëpi-familje, ishin kështu: 8637 familje, serbe, 1416 bullgare, 4850 turke, 9444 shtëpi shqiptare, gjithsejtë 24. 347 kurse popullsi e gjithëmbarshme 157. 248. Qarku i Shkupit ishte i ndarë në tri rrethe me 61 komuna, 249 fshatra, me numër të përgjithshëm të shtëpive 26. 948 dhe numër të përgjithshëm të popullsisë 153. 293 banorë. Qarku i Kumanovës ishte i ndarë në 5 rrethe, 60 komuna, 409 fshatra dhe atë me kombësi serbe 9. 131 shtëpi, bullgare 8. 067, turke 3. 811, shqiptare 4. 520, të tjera 935 me gjithsejtë 166. 939 banorë. Qarku i Kavadarit ishte i ndarë në 3 rrethe, 52 komuna, 227 fshatra ku sipas përkatësisë kombëtare kishte serbë 4. 789 familje, bullgare 2. 878 familje, turke 11. 095, 1. 347 të tjerë, me numër të përgjithshëm të banorëve 97. 763. Qarku i Dibrës ishte i ndarë në tri rrethe (ku është llogaritur edhe ai i Peshkopisë në Shqipëri) me 35 komuna, 202 fshatra, 4. 042 shtëpi serbe, 3. 454 turke, 8. 486 shqiptare me gjithsejtë 15. 982 shtëpi e numër të përgjithshëm të banorëve 82. 476. Qarku i Manastirit ishte i ndarë në 6 rrethe, 116 komuna, 584 fshatra në të cilat jetonin 345. 479 banorë. Qarku i Plevlës ishte i ndarë në 3 rrethe, 27 komuna, 122 fshatra, numri i shtëpive ishte 4. 448 serbe, 4. 678 turke gjithsejtë kishte 9. 166 shtëpi kurse numri i banoreve 62. 601. Qarku i Novi Pazarit ishte i ndarë në tri rrethe (këtu bënte pjesë edhe rrethi i Mitrovicës), kishte 54 komuna, 571 fshatra, që kishte 133. 401 banorë. Megjithatë duhet theksuar se regjistrimi i numrit të banorëve nuk është aspak i përafërt me realitetin. Numri i popullit shqiptar zvogëlohet skajshmërisht, kurse ai serb fryhet së tepërmi.


Organet gjyqësore dhe proceset gjyqësore në Kosovë 


Ligji mbi Kolonizimin parashihte shpërnguljet e shqiptarëve 


Në aktin përcjellës për këtë regjistrim, lëshuar po atë ditë nga ana e shtabit të Komandës Supreme - resori policor, nën nr. 1583 jepen edhe disa të dhëna. Ushtria serbe ishte prezente jo vetëm në vendet që u përmendën në regjistrim, por edhe në qarkun e Elbasanit, të Tiranës, të Durrësit dhe të Lezhës. Aty thuhet se “ pushteti ynë nuk është vendosur në qarkun e paraparë bregdetarë, porse kjo pjesë e okupuar mbetet nënë qeverisjen e komandantëve ushtarakë”. Po ashtu “pushteti ynë nuk është vendosur në rrethin e paraparë të Matit, qarkun e Dibrës, për shkak se ajo pjesë ishte pjesë e Sanxhakut të Dibrës ende nuk është nënshtruar plotësisht nga ana e ushtrisë sonë”. Në këtë dokument pastaj flitet, për nevojën e zgjerimit të kufijve në liqenin e Ohrit, ku porositet se për shkak të çështjeve ekonomike, strategjike e të tjera, kufijtë e Mbretërisë serbe duhet të përfshijnë edhe një rrip toke mbas liqenit në fjalë e të tjera. Po ashtu për gjëra të njëjta kufitare flitet edhe lidhur me kufirin me Greqinë dhe Bullgarinë. Në të njëjtin dokument shkruhet edhe për funksionimin e organeve shtetërore dhe qëndrimin e popullsisë ndaj organeve ushtarake e civile të pushtetit të ri. Për shumë qarqe dhe rrethe jashtë Kosovës paraqitet gjendja “normale”, thuhej se “populli është i qetë”, u bindet urdhrave të pushtetit ushtarak dhe civil. Kurse në “qarqet e Prishtinës, të Prizrenit dhe në qarkun e Shkupit e të Novi Pazarit është një numër shqiptarësh të cilët i kanë lëshuar shtëpitë dhe fshihen nëpër male e kasolle. Këta përgjithësisht janë shqiptarë, të cilët më parë kinse kanë bërë “vepra penale” dhe tani frikohen që të mos vriten, por ka edhe të atillë, të cilët kanë dalë në mal thjeshtë nga frika deri sa të vazhdojë gjendja e luftës që të mos i gjejë gjë “. Kur bëhet fjalë për rregullimin dhe funksionimin e pushtetit thuhet se është rregulluar sipas sistemit komunal në Serbi për çështjen e regjistrimit të popullsisë, thuhej se është bërë shtëpi për shtëpi dhe se mund të konsiderohet si “mjaft e saktë”. Duke cekur, megjithatë, se përbërja e popullsisë bile sa i përket asaj të Kosovës sipas mendimit tonë ka mjaft lajthime. Si shembull po përmendim dy qytete, atë të Prishtinës dhe të Vushtrrisë. Në këto dy qytete janë bërë gabime sepse në rubrikën e përkatësisë kombëtare në Prishtinë nuk ka asnjë shqiptar, kurse në Vushtrri të kombësisë turke, që nuk i përgjigjët aspak realitetit të kohës as për njërin e as për tjetrin qytet. Po kështu në atë kohë u bë edhe regjistrimi i meshkujve të moshës 20-25 vjeçare që kishin për qëllim mobilizimin e tyre në radhën ushtarake, për t’u parë potenciali ushtarak në rast mobilizimi, po edhe që të shihet numri i meshkujve, që mund ti kundërviheshin regjimit. Si duket për këtë shkak regjistrimi u bë sipas moshës për secilin vit prej 20 deri 25 vjeçare, pastaj sipas përkatësisë kombëtare dhe religjioze. Përveç ligjeve të përmendura për këto territore janë nxjerrë edhe ca të tjerë të cilat i aprovonte këshilli ministror si p. sh Ligji mbi Kolonizimin, shpërnguljet e të tjera. Për aplikimin e tyre kujdeseshin organet ushtarake qoftë drejtpërsëdrejti apo nëpërmes organeve policore që në këtë kohë ishin po ashtu organ ushtarak. Organet gjyqësore dhe proceset gjyqësore në Kosovë, në periudhën në fjalë po ashtu ishin me karakter ushtarako-policor. Tërë sistemi gjyqësor kaloi nëpër faza të ndryshme që ishin edhe kundër marrëdhënieve të përgjithshme ekonomiko-shoqërore të kohës dhe të gjendjes në të cilën ndodhej populli i Kosovës në tërësi. Para se të formoheshin gjyqet më 1912, 1913 dhe 1914 veprimtarinë gjyqësore e kryenin organet ushtarake. Në Kosovë në pjesën nën Serbi, ekzistonin dy qendra të qarqeve ushtarake të dislokuara në Mitrovicë dhe në Prizren. Edhe pas aplikimit të disa dekretligjeve mbi rregullimin e organeve juridike, në Kosovë gjyqet funksiononin deri në fund të vitit 1915 si pjesë përbërëse e pushtetit ushtarako-policor. Serbia me këto norma veproi me parullën “për përmirësimin e padrejtësisë historike” për ta përmirësuar sepse organet juridike të Perandorisë Osmane konsideronin organe pushtuese serbe “se në fortesën e rrënuar të sistemit feudal anarkik të Turqisë, i cili vështronte qetas komitët dhe kaçakët (çlirimtarët), duhej sa më shpejt të vihen themelet e “demokracisë dhe të sigurisë juridike”. Pra, edhe lëvizjet e armatosura të popullit shqiptarë në luftë kundër regjimit osman dhe regjimeve të tjera antipopullore, regjimi reaksionar serbomadh i paraqiste si antipopullore dhe mbillte urrejtje në mes të popujve. Këtë e bënte edhe për të nxitur pakicën serbe kundër shqiptarëve, të cilët në të vërtetë, këtë regjim nuk e pranuan për të vetin dhe që nga fillimi iu kundërvënë me armë në dorë, duke e luftuar edhe nëpërmes të lëvizjes kaçake (çlirimtare) e cila nuk ishte asgjë tjetër, por vazhdim i luftës të cilën populli e bëri kundër regjimit osman. Gjyqet e para filluan të formohen në etapa, në varësi prej depërtimit të ushtrisë. Organet e para gjyqësore ishin të përkohshme dhe lëvizëse që i përbënin njerëzit në uniformë ushtarake apo policore.
Sipas ca shënimeve të kohës menjëherë në fushëbetejë, shumica e gjykatësve në uniformë ushtarake, sipas urdhrave të Komandës Supreme të ushtrisë dhe të Ministrisë së Drejtësisë nxitonin nga fronti i luftës të formojnë gjyqet në Kosovë dhe në Maqedoni. Këto gjyqe dhe gjyqtarë shkonin prej një vendi në tjetër vend, sipas nevojës dhe kryenin funksionin gjyqësor, derisa mbaronin operacionet ushtarake. Nga fundi i vitit 1912 dhe në fillim të vitit 1913 filluan të formohen gjyqet dhe organet gjyqësore prej instancave të qarkut, të rrethit dhe ato komunale. Këto gjyqe konsideroheshin të rregullta me njerëz të “përshtatshëm”. Kjo veprimtari vazhdoi me avazin e vjetër edhe në fillim të vitit 1914 me dekretligjin mbi rregullimin e gjyqeve dhe proceseve gjyqësore për këto vende, të publikuara me 2 mars 1914, hovin e këtyre gjyqeve dhe të nxjerrjes së dekretligjeve të reja e ndërpreu Lufta e Parë Botërore. Për territoret që i pushtoi Serbia me luftën ballkanike përveç gjyqeve që i cekëm më lartë në vitin 1914 formohet edhe Gjyqi i Madh, me qendër në Shkup, që ishte instancë më e lartë gjyqësore në territoret e përmendura. Ky gjyq kishte rangun e Gjyqit të Apelacionit dhe të Kasacionit në Beograd. Kuptohet Gjyqi i Madh i Shkupit u themelua me qëllim të caktuar dhe për territor të caktuara. Nga gjyqet e qarkut në Kosovë në atë kohë vepronin tri gjyqe të qarkut, në tri qarqet ushtarake, si ishte e ndarë pjesa e Kosovës që gjendej nën Serbinë e këto ishin në Prishtinë, në Mitrovicë dhe në Prizren. Rajonet e Kosovës që territorialisht u ishin ndarë qarqeve të tjera jashtë Kosovës, ishin nën kompetencat juridike të atyre gjyqeve të qarqeve nga të cilat edhe sundoheshin. Në atë kohë bihen edhe ligje për ndërrimin e emrave të vendbanimeve në këto territore. Kështu, më 16. I. 1914 Këshilli Ministror i Serbisë paraqet propozimin për ndërrimin e emrave të vendbanimeve në vendet që u okupuan me Luftën e Parë Ballkanike, duke u mbështetur në ligjin e datës 16. VI. 1866. Këtë vendim e aprovon edhe mbreti Petri I Karagjorgjeviq. Po ashtu, në bazë të këtij ligji u merret edhe rangu i qytezave apo i qyteteve në Kosovë, të cilat këtë rend shoqëror e kishin që nga periudha osmane. Sipas një dokumenti të Shtabit Suprem të ushtrisë serbe nr. 6784, të shkurtit 1912 statusin e qytetit e kishte edhe fshati Brod në komunën e Prizrenit, pastaj Vushtrria, Gjilani, Janjeva, Kaçaniku, Mitrovica, Rahaveci, Prizreni, Presheva, Prishtina, Ferizaji dhe Gjakova. Dekretligji i datës 2. III. 1914, pësoi ndryshime më 20. VI. 1914. Në këtë rast formohen gjyqet fetare të myftinjve për myslimanët, funksionimi i të cilave ishte në gjykimin e lëndëve dhe të proceseve gjyqësore nga lëmi i së drejtës së sheriatit, për popullsinë myslimane. Domeni i këtyre gjyqeve apo lëndët për të cilat këto gjyqe e ndanin të drejtën, ishin vetëm ato lidhur me çështjet familjare të myslimanëve, si kurorëzimi dhe shkurorëzimi i bashkëshortëve, çështja e trashëgimisë pas vdekjes së njërit nga bashkëshortët. Të gjitha proceset gjyqësore i përkasin kodit penal, civil dhe ishin në kompetencë të gjyqeve shtetërore. Të gjitha këto dhe dekretligje e rregullore të tjera aplikohen vetëm deri në Luftën e Parë Botërore, kurse disa prej tyre aplikohen edhe më vonë në vitin 1921. Sipas disa shënimeve Mbretëria e Malit të Zi me Luftën e Parë Ballkanike, në territoret e pushtuara fitoi 240. 000 banorë, prej të cilëve 180. 000 ishin shqiptarë.
Me depërtimin e ushtrisë malazeze në Dukagjin filluan të vendosen organet administrative e ushtarake nëpër ato institucione shtetërore të cilat kishin funksionuar edhe në kohën e sundimit osman. Këto institucione ishin thjesht ushtarako-policore edhe pse në to qenë inkorporuar edhe vendas të cilët që në fillim pranuan pushtetin malazez, shumica prej të cilëve kishin qenë në pushtet edhe në kohën e sundimit osman, kryesisht bejlerë, të cilët kishin influencë në popull, kurse qeveria e Malit të Zi kishte besim në ta. Me Konferencën e Londrës dhe me caktimin e kufijve të shtetit të formuar shqiptarë, pastaj me caktimin e kufijve në mes të Serbisë dhe Malit të Zi në territorin e Kosovës, qysh në vjeshtë të vitit 1912, qeveria e Malit të Zi filloi të bëjë ndarjen territoriale dhe rregullimin administrativë ashtu siç ishte e rregulluar kjo çështje edhe në territorin e Mbretërisë së Malit të Zi. Kështu territoret e fituara u ndanë në krahina, kapedanie dhe komuna. Qeveria e Malit të Zi me dekret të posaçëm territoret e okupuara i ndan në krahina administrative në këtë mënyrë: Plevla, Bejllopolja, Berana (Ivangradi) dhe Peja.

Kolonizimi i Kosovës gjatë viteve 1912-1915 


Format e shtypjes dhe gjenocidit serb në Anamoravë 1912-1915

Secila krahinë administrative ndahej në 10 kapetanie, kurse secila kapetanie ndahej në 5 komuna administrative. Kryetarët e këtyre njësive administrative, duke filluar prej më të lartave e deri në komuna, i caktonte Ministria e Punëve të Brendshme me dekrete të posaçme. Pjesa e Kosovës kishte një qendër administrative në Pejë dhe paraqitet një territor administrativ. Mirëpo, kështu paraqiten ca ndryshime në krahasim me atë se si ishte paraparë me dekretin e cekur për ndarjen e të gjitha territoreve.
Territori i qendrës administrative sipas dokumenteve ekzistuese ishte i ndarë në këto kapetani: e Pejës, e Gjakovës dhe e Istogut (Burimit), pothuajse është e pamundur të caktohet se nga sa komuna ka pasur secila nga kapetanitë e cekura, deri më 1915. Vendosja e pushtetit bëhet qysh gjatë luftimeve, menjëherë pasi të pushtohej ndonjë fshat apo qytet nga ana e ushtrisë malazeze. Njerëzit të cilët emëroheshin nëpër këto vende të ndryshme nëpër komuna të shumtën ishin vendas, por organet e tjera, si të mbajtjes së rendit e të qetësisë etj. ishin nga radhët e ushtrisë malazeze. Sesa ishin këto organe stabile dhe sa qëndronte në një pozitë njeriu i caktuar, varej shumë prej situatës politike në atë regjion apo edhe më ngushtë, kryekëput prej lojalitetit të popullsisë. Është e njohur se populli shqiptar në atë kohë ishte i tëri në lëvizje, prandaj rendi dhe qetësia varej prej prezencës numerike të organeve të policisë së formuar nga radhët e ushtrisë. Rendi dhe qetësia mbahej me forcë. Organet në fjalë edhe pse në letër emërohen së pari në Pejë, pastaj në Gjakovë e në Deçan, kurse nëpër fshatra ato edhe pse kanë ekzistuar, për funksionimin e tyre nuk mund të thuhet se kanë mundur ta kryejnë funksionin e tyre. Kryerja e tij është varur vetëm nga prania e policisë dhe e ushtrisë. Kështu, vetëm në Pejë përveç udhëheqësve të policisë u caktuan 100 policë nga radhët e ushtrisë së rregullt dhe pakica vendase serbe, duke lënë në dispozicion edhe 300 ushtarë. Mirëpo, për shkak të rezistencës nga ana e popullit shqiptar menjëherë në muajin nëntor të vitit 1912 naçallniku (kryeshefi)i Krahinës së Pejës, kërkon nga komandanti i Aradhës së Lindjes që për shkak të vëllimit të punëve t’i shtohet numri i njerëzve për të mbajtur rendin dhe qetësinë. Kërkonte që në mënyrë urgjente të vinte nga Andrijevica në Pejë njëfarë Jovanoviqi.
Organet qeveritare malazeze lidhur me formimin e komunave porositnin që ato të formohen në ato vende ku qarkullimi i popullsisë është më i madh, ku ka pakicë serbe të përfshinë në çdo komunë 400 e maksimum 600 shtëpi. Komunat emërtoheshin sipas vendbanimit në të cilin formoheshin. Organet më të larta të komunës i përbënin kryetari, sekretari, tre këshilltarë dhe tre ndihmës të këshilltarëve. Ky organ shtetëror përveç detyrave politiko-administrative të pushtetit, kryente edhe funksionin gjyqësor. Pas formimit të komunave politike, formohen kapetanitë si organ më i lartë në kuadrin e të cilave hynin 4 e më së tepërmi 6 komuna politike. Kapetanitë ishin organ më i lartë se komunat dhe ishin organ i ministrisë së Punëve të Brendshme para së cilës përgjigjeshin për punën e vet. Organet e përmendura politiko-administrative, kohë pas kohe pësojnë ndryshime e posaçërisht kah fundi i vitit 1913, kur shpallet aneksimi i këtyre vendeve nga ana e mbretërisë së Malit të Zi. Me këtë rast formohen edhe organet e tjera pranë komunave dhe qeverive krahinore (në Pejë), formohen shërbime të reja, ndër to edhe çetat vullnetare çetnike, kryesisht të pakicës serbe dhe malazeze për ndjekjen dhe likuidimin e kaçakëve(çlirimtarëve). Çetat për ndjekjen dhe likuidimin e kaçakëve një kohë marrin aq hov të madh sa që nuk ishin nën kontrollin e pushtetit, as atij ushtarak e as policor. Këtu, në të vërtetë, kishte edhe mosmarrëveshje të mëdha në mes të këtyre organeve kriminale çetnike.
Naçallniku (kryeshefi) i krahinës së Pejës kërkon nga ministri i Punëve të Brendshme që këtyre keqpërdorimeve nga ana e çetave të përmendura t’ua ndalë hovin, apo në të kundërtën ta ndërrojnë nga pozita e naçallnikut (kryeshefit), sepse një gjë e tillë as vetë nuk mund ta durojë. Pra, nga vetë dokumentacioni shihet se situata politike dhe e rendit shoqëror, nuk ishte as në duart e udhëheqësve më të lartë krahinorë, por mbretëronte një anarki nga e cila vuante populli, kurse përfitime kishin elementët e ndryshme plaçkitëse. Kjo krijonte pakënaqësi dhe rriste revoltin e popullit shqiptar. Morava e Epërme në aspektin gjeografike bënë pjesë në kuadër të Anamoravës, e cila gjendet në jug-lindje të Kosovës dhe territori i saj shtrihet në shpatet veriore të Karadakut të Shkupit në drejtimin veri-veriperëndim. Ajo përfshinë edhe luginën e Moravës së Epërme dhe një pjesë të Zhegocit jugor. Ky territor kufizohet në veri-lindje me Komunën e Gjilanit, në perëndim me Komunën e Ferizajt, në jugperëndim me Komunën e Kaçanikut dhe krejtësisht në juglindje me Maqedoninë.
Morava e Epërme, ku shtrihet territori i Komunës së Vitisë ka lidhje më të mirë natyrore me luginën e Moravës- Gjilanit dhe Bujanocin, kurse në perëndim nëpër luginën e Glibushës me Ferizajn dhe me tutje me Kosovën. Në jug të fshatit Tërstenik ngritën shpatet e Karadakut të Shkupit, nëpër të cilat është mjaftë e fortë lidhja me Grykën e Kaçanikut.
Vendbanimet e lokalitetet të Vitisë datojnë që nga periudhat e hershme historike. Dëshmi për këtë janë gërmadhat e shumta që gjenden në lokalitete të ndryshme të kësaj komune. Programi i kolonizimit ishte një dukuri komplekse, që kishte qëllime të ndryshme: pikësynim i përgjithshëm dhe afatgjatë i tij ishte, ndërrimi i strukturës kombëtare të popullatës në Kosovë. Pushteti serbë përherë përgatitej për pushtim të Kosovës dhe të trevave të tjera shqiptare. Përkitazi me këtë, në vitin 1911 e kishte urdhëruar konsullatën e vet në Prishtinë dhe doganat në Rashkë dhe në Javor që të bënin regjistrimin e popullatës serbe, aty këtu edhe të ndonjë vendbanimi shqiptar. Në regjistrimin e popullsisë në terren ishin angazhuar mësuesit dhe priftërinjtë. Aksioni i regjistrimit ishte kryer në 230 fshatra. Përveç tjerash, këto shënime për numrin e banorëve serbë dhe të tjerë, shërbente në shfrytëzimin e tyre në luftën e ardhshme. Në tetor të vitit 1912 shtetet fqinje të mbështetur nga disa Fuqi të Mëdha lidhën aleancën në mes tyre dhe i realizuan aspiratat e kahershme për pushtimin e tokave shqiptare. Armata serbe dhe malazeze kishte angazhuar elitat ushtarake më të mëdha për pushtimin e tokave. Këto pushtime u justifikuan në Konferencën e ambasadorëve të mbajtur në Londër në vitin 1913, ku jashtë shtetit shqiptarë të shpallur më 28 Nëntor 1912, mbetën pjesa dërrmuese e tokave shqiptare, si Kosova, Kosova Lindore, Maqedonia e sotme Veri-Perëndimore, pjesë të Malit të Zi, Çamëria etj. Shteti shqiptarë në mynyrë drastike u cungua.
Nga të dhënat kadastrale të administratës osmane dëshmohet se trevat shqiptare që nga Mesjeta e vonshme e deri më 1912 kishin një sipërfaqe prej 115. 000 kilometra katrorë. Edhe në shekullin e XIX kishte 115. 000 km2dhe në shekullin XX nga 90. 270 km² (Vilajeti i Kosovës më 32. 900 km², Vilajeti i Shkodrës me 10. 270 km², Vilajeti i Manastirit më 28. 500 km² dhe Vilajeti i Janinës me 17. 900 km²) u përfshinë vetëm 28. 748 km² apo 32, 24% të tërësisë etnike të tokave shqiptare, tregon qartë për padrejtësinë që i bëhej kombit shqiptarë qysh atëherë. Njëherit, në saje të okupimit të tokave shqiptare, shtetet fqinje i rritën territoret e tyre në këto përmasa: Serbia zgjeroi territorin e vet për 82% dhe popullsinë për 55%, Mali i Zi territorin për 62% dhe popullsinë për 100%, Bullgaria territorin për 29% dhe popullsinë për 3%, ndërsa Greqia territorin për 68% dhe numrin e banorëve për 67%. Prandaj, me pushtimin e 67, 79% të territorit shqiptar, u bë zgjerimi i territoreve të shteteve ortodokse të Ballkanit dhe zvogëlimi katastrofal i territorit të shtetit shqiptar. Ndërsa, në aspektin demografik, serbët në Kosovë deri në vitin 1912 përbënin vetëm 5-6% të popullsisë së përgjithshme. Menjëherë pas pushtimit të tokave shqiptare nga Serbia dhe Mali i Zi filloi dhuna dhe terrori në popullatën shqiptare me qëllim të serbizimit të Kosovës dhe pjesëve tjera të banuar me popullatë shqiptare, siç ishin Maqedonia e sotme Veri- Perëndimore, pjesë të Malit të Zi etj. Ajo iu nënshtruan spastrimit etnik dhe kolonizimit. Për këto qëllime institucionet politike serbo-malazeze shfrytëzuan përvojën e mëparshme, ushtruan terror e dhunë të pashembullt. Njësitë e ushtrisë, të policisë dhe “Mbrojtja popullore” bënin gara kush do të likuidonte më shumë shqiptarë, kush do të rrënonte shtëpitë e tyre, do të plaçkiste ose t‟i kthente ata përdhunisht në fenë ortodokse sllave. Dhuna e terrori u kthyen në metoda të preferuara për të frikësuar dhe detyruar shqiptarët të shpërnguleshin ose të zhvendoseshin në vende të tjera. Elementi shqiptar kompakt ishte një problem për ta dhe ishte popullsi më e vjetër se ajo serbe, së paku dy milenium vjetësh dhe kishin për qëllim që në vend të tyre të vendosin elementin sllavë, kryesisht serb e malazez. Për këtë qëllim u përdor edhe politika agrare dhe ajo e kolonizimit të tokave shqiptare në Mbretërinë jugosllave. E tërë kjo u reflektua në shpërnguljen masive të popullatës shqiptare nga atdheu i tyre, grabitjen e pronave të shqiptarëve, djegien e fshatrave të tyre dhe me kolonizimin me ardhacakë serbo-malazezë. Përkitazi me këtë duhet theksuar disa dëshmi të kohës për dhunën e terrorin ndaj popullatës shqiptare dhe kolonizimin e Kosovës. Oficerët serbë shpallnin se “paqja efektive në Shqipëri mund të arrihet vetëm duke i shfarosur krejtësisht shqiptarët”.
Urdhri suprem i Beogradit ishte i prerë: “Duhet mësuar ai popull i egër për të jetuar në një shtet modern”. Pastaj, në gazetat serbe shkruante: “Duhet të vdesin disa gjenerata të shqiptarëve që të harrohet çfarë bënë serbët ndaj tyre”. Ata kanë thyer dyert e shtëpive dhe kanë masakruar këdo që gjenin brenda, pa pyetur në ishte i ri apo plak, burrë a grua.


Kolonizimi synonte të vihej një baraspeshë etnike 


Kolonizimin e ndërpreu shpërthimi i Luftës së Parë Botërore


Pas mbarimit të Luftës së Parë Ballkanike, çlirimin nga robëria otomane pjesa e popullatës shqiptare e përjetoi si okupim nga pushteti serbo-malazez. Me gjithë premtimet e qeverisë serbe në vigjiljen e luftës kundër Perandorisë Osmane, se populli aleat shqiptar në Kosovë do të gëzojë të drejta të gjera, ai iu nënshtrua një terrori të paparë. Vrasjet e masakrat, dhunimet, djegiet e shtëpive etj. ishin këto pamje të viteve pas luftërave ballkanike, por edhe më vonë. Të tilla pamje trishtuese pati në të gjitha vendet e pushtuara shqiptare. Edhe në trevën e Anamoravës, po ashtu. Për këto ngjarje tragjike informoi shtypi evropian i kohës. Publicisti Leo Freundlich në organin "Albanische Korrespondenz" jepte kronika të përgjakshme, një pjesë të të cilave i mblodhi dhe i botoi në Vjenë më 1913, me titull "Golgota shqiptare". Me këto shkrime "Freundlich e quante të nevojshme që në emër të humanizmit, qytetërimit dhe të popullit fatkeq shqiptar t'u drejtohej qeverive të fuqive të mëdha dhe mbarë opinionit evropian për ndihmë dhe mirëkuptim". Mirëpo shumicës së këtyre qeverive sikur nuk u bënin përshtypje informatat për krimet e ushtrisë çetnike serbe në fshatrat Terstenik, Komogllavë, Vërban, Lubishtë, Gjylekar, Tërpezë, Brest, Korbliq, Shashare, Letnicë, Goshicë, Kabash, Mogillë etj., në të cilat, sipas shkrimeve të këtij publicisti, thuhej se në 29 fshatra të Karadakut janë djegur 280 ekonomi të shqiptarëve myslimanë, kurse vetëm në fshatrat e përmendura të Moravës së Epërme u therën në mënyrë mizore 238 burra. Vetëm në Vërban, "në vitet 1912-13 ushtria serbe i vrau mbi 20 vërbanas". Për shkak të kësaj shtypjeje të egër dhe krimeve që bënte ky pushtet mizor mbi popullatën shqiptare, një numër i njerëzve shpërngulen në Turqi dhe në territorin e Shqipërisë së çliruar. Në shtëpitë dhe tokat e të shpërngulurve vendosej elementi sllav. Ky ishte edhe fillimi i kolonizimit të trevave shqiptare, "... që pikësynonte qysh moti zhdukjen e farës së pasardhësve të ilirëve".
Punët rreth kolonizimit përkohësisht i ndërpreu shpërthimi i Luftës së Parë Botërore, për t’i vazhduar menjëherë pas përfundimit të saj, kur tokat shqiptare u ripushtuan nga i njëjti pushtues. Megjithatë, forma ligjore iu dha me Dekretligjin mbi kolonizimin e viseve jugore të 24. X. 1920 dhe të tjera dispozita. Ky proces zgjati deri në vitin 1938. Regjimi sundues serbomadh ".. . me rastin e zbatimit të kolonizimit, nuk i përfilli interesat e popullatës vendëse, para së gjithash të shqiptarëve, të cilët përbënin shumicën e popullsisë". Në të vërtetë, me kolonizimin synohej të vihej një baraspeshë etnike që të sundoheshin më lehtë vendet e pushtuara. Për t'ia arritur këtij qëllimi, fshatarëve ua merrnin (uzurponin) tokat, të cilat i kishin shfrytëzuar shekuj me radhë, madje edhe tokat të cilat i kishin me tapi, duke ua dhënë pastaj kolonialistëve arat e bukës, livadhet e meratë. E shqiptari gjithmonë ka qenë i lidhur ngushtë me tokën si burim i gjallimit dhe i forcës për të qëndruar dhe mbijetuar. "Fshehtësia më e madhe e qëndrimit ende në këmbë të popullit shqiptar, me gjithë tragjeditë historike që jetoi edhe me gjithë gjakun e njomë që ka derdhur ndërmjet vargjeve të shekujve, mund të shpjegohet vetëm e vetëm me lidhjet shpirtërore që ka me tokën, e sidomos me ndjesinë e racës për arat e vatrat e veta". Pas fillimit të operacioneve luftarake të Luftës së Parë Ballkanike, “Komiteti i Shpëtimit”, i formuar në Shkup më 14 tetor 1912, nën udhëheqjen e Hasan Prishtinës, kishte lëshuar kushtrimin për luftë të armatosur, kundër pushtuesve serbë dhe aleatëve të tyre, jo për ta mbrojtur pushtetin osman, por për të ruajtur trojet e tyre. Sipas dokumenteve historike, kushtrimit iu përgjigjën shqiptarët patriotë në trevat e Shqipërisë, në përgjithësi, e të Kosovës e Anamoravës, në veçanti, në luftimet në Merdarë, Podujevë, Mitrovicë e Prishtinë, Ferizaj, Kumanovë e Shkup, Tetovë, Dibër, Dukagjin, Lumë etj. Këtë obligim kombëtar e mori paria vendore me vullnetarët shqiptarë, si dhe një pjesë e ushtrisë osmane, pavarësisht se ato u mobilizuan me vonesë dhe pjesërisht. Sipas të dhënave dokumentare të shkruara, e sidomos ato nga kujtesa popullore historike, ndër propaganduesit dhe organizatorët për mobilizimin e forcave vullnetare shqiptare kundër pushtuesve serbë, në fshatrat e Moravës së Epërme e më gjerë u dalluan në radhë të parë mësuesit, hoxhallarët dhe nëpunësit patriot, me ndikim dhe autoritet të madh tek masat fshatare. Duke iu përgjigjur kushtrimit të “Komitetit të Shpëtimit “ shqiptar të Shkupit, në krye me Hasan Prishtinën, u angazhuan në radhë të parë mësimdhënësit, klerikët dhe intelektualët shqiptarë. Evidentimi i vullnetarëve, shpërndarja e armëve dhe municioni u bë kryesisht pranë xhamive në: Pozheran, Gërmovë, Sllatinë, Smirë dhe Lubishtë. Për shpërndarjen e armëve në Pozheran, ishin të angazhuar : Mulla Emin Aliu nga Zhitia, Emin Beu dhe Ahmet Agë Efendiu nga Sllatina e Epërme, qatip (sekretar) ishte : Mulla Hajdini i Terstenikut, ndihmës të tyre ishin : Mulla Syla i Tërpezës, Mulla Ibrahim Kurteshi dhe Mulla Maliqi i Pozheranit dhe Mulla Agushi. Në Lubishtë këtë detyrë e kreu Zejnë Selmani me imamin e xhamisë së fshatit Mulla Arifin nga Tërrnoci, në Budrikë të Epërme Tahir Aga me Hasan Efendiun, në Komogllavë Ramadan Efendiu, në Mirosalë Latif Efendiu, në Gërmovë Mulla Rama, Fetah Aga i Goshicës dhe Sahit Gorani, në fshatin Gjylekreshtë, Mulla Ramë Toplana, Ilaz Efendiu dhe Shabi Kajolli, në Komogllavë printe Ramadan Efendiu, në Mirsosalë Latif Efendiu, në Sllakoc Mehmet Bajraliu dhe Hasan Efendiu. Në saje të tyre, nëpër oda dhe në xhami, numër i konsideruar i burrave të moshës mesatare 25-70 vjeç u paraqiten në njësitë mobilizuese vullnetare, numri i të cilëve ishte mbi 1500 veta.
Me rastin e marrjes së armëve vullnetarët shqiptarë deklaroheshin dhe evidentoheshin, ”se do të shkojnë për luftë kundër armikut serb. ” Për ta ishin siguruar edhe armatim, kryesisht pushkë të marra nga depot ushtarake osmane, me regjistra në prani të “miftarëve” ( kryepleqve të çdo fshati, një oficeri të ushtrisë osmane –çaushit si dhe udhëheqësit të grupit vullnetar). Forcat vullnetare shqiptare, nga Anamorava dhe Karadaku i Gjilanit, morën pjesë së bashku me ushtrinë osmane, në përleshjet me ushtrinë serbe në Bujanoc, Preshevë, Kumanovë, Ferizaj, Bibaj, Sojevë, Terstenik, Begracë, Stagovë etj. Për pushtimin e tokave shqiptare në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri, ishin angazhuar armata e tretë dhe ajo e parë serbe. Në viset e Kosovës-Anamoravës kundër forcave të Armatës së Tretë, të udhëhequra nga Gjenerali Bozho Jankoviq, dhe Armatës së Parë, të udhëhequra nga gjenerali Zhivojin Mishq, luftuan forcat vullnetare shqiptare, së bashku me ushtrinë osmane nën udhëheqjen e Mehmet Pashë Derallës nga Tetova, Idriz Seferit, Shaban Pashës nga Familja Miftiaj-Gjinollët e Sllatinës së Epërme, Sali Agës nga Gjilani, Bislim Hogoshtit etj. Armata e Parëserbe sulmoi më 19 tetor 1912 në verilindje të Kosovës, nga fshati Sfircë, Velegllavë drejt Bujanocit, Preshevës e Kumanovës dhe Shkupit, për të vazhduar drejt Manastirit e tutje në Shqipëri. Forcat vullnetare shqiptare dhe ato ushtarake osmane në territorin e Anamoravës dhe Ferizajt gjithsej kishin 15-16 mijë veta me 18 topa, kurse forcat serbe ishin disa herë më shumë. Në fshatrat e Moravës së Epërme, krahas Idriz Seferit, Mehmet Pashë Derallës nga Tetova, Shaban Pashës-Gjinollit-Miftiajve, Sali Agës nga Gjilani etj, sigurisht se pati asi që heshtën.
Më 23 tetor 1912 njësitë vullnetare dhe ato ushtarake shqiptare-osmane, po i veçojmë ato të Anamoravës, tubohen nën udhëheqjen e Mehmet Pashë Derallës, nga Tetova, Hamit Tronit nga fshati Kovaçec të Kaçanikut, Ahmet Agës nga Sllatina, Ramë Avdylit, Hamdi Kurteshit, Islam Pirës nga Pozherani, Sali Kupinën, Mulla Sylës nga Tërpeza, Mulla Emin Alisë nga Zhitia, Isuf Demës nga Mirosala, Zejnë Selmanit nga Lubishta, Adem Çelit dhe Bajram Çaushit nga Begunca, Fetah Agës nga Goshica, tubohen në vijën e frontit:Sojevë-Bibaj-Komogllavë-Tërstenik – Sllatinë – Sodovinë – Goshicë – Vërban – Stagovë-Trenaj etj, por edhe ato të rrethinës sëFerizajt, Kaçanikut etj. Sipas të dhënave, në radhë të parë nga kujtesa historike, disa krerë të parisë shqiptare në Anamoravë, u kishin besuar deklaratave të Kral Petrit, gjeneralit serb Bozhidar Jankoviq etj, se : “po vijnë me na çlirue nga zullumi i osmanlive nëse ne nuk ua kthejmë pushkën”, por në fund panë se ishin tradhtuar. Luftime të përgjakshme mes ushtrisë serbe të Armatës së Tretë dhe forcave shqiptare u zhvilluan me 24-25 tetor 1912, në rrethinën e Ferizajt, Kaçanikut dhe fshatrat e Anamoravës së Epërme në fshatrat Bibaj, Sojevë, Komogllavë, Tërstenik, Begracë, Stagovë drejt Kaçanikut dhe Vërban, Goshicë, Smirë, Kabash, Lubishtë, si dhe me ato të Armatës së Parë, të cilat depërtonin në viset e Karadakut drejt Kumanovës, Shkupit e Manastirit. Sipas të dhënave historike, në drejtim të Grykës së Kaçanikut-Ferizajt apo të Karadakut, Kumanovës e Shkupit, nga fshatrat mirë, Lubishtë, Skifteraj, Remnik, shumë vullnetarë kanë marrë pjesë në Betejën e Kumanovës duke vazhduar deri në Manastir. Nga fshati Smirë në shtëpi janë kthyer 23 të gjallë. Sipas burimeve ushtarake serbe: “Kolona e djathtë e Armatës së Tretë Serbe nga përbërja:Divizioni IIi Moravës, eskadroni i kalorësisë, ka filluar lëvizjen për vazhdimin e pushtimeve të mëtejme të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare më 24 tetor 1912. Këtë ditë filloi marshimi në drejtim Lipjan – Ferizaj – Kaçanik-Shkup. Të njëjtën ditë, një pjesë e kalorësisë ka hyrë në Ferizaj, ku në disa shtëpi ishin ngritur flamujt e bardhë, si shenja të dorëzimit. Mirëpo rreth orës 15 popullata shqiptare ka hapur zjarr nga shtëpitë, ndërsa forcat osmane kanë filluar sulmin në eskadronin serb të pararojës në veri të Ferizajt. Aty priten me hapjen e zjarrit nga ana e forcave shqiptaro-osmane, të cilat kishin zënë pozicione në vijën: kazerma ushtarake osmane – vija veriore e Ferizajt-fshati Bibaj –Sojevë-Komogllavë – Terstenik”.

Shpërngulja filloi nga tërheqja e ushtrisë osmane 

Shpërngulja e shqiptarëve nga Anamorava

Më 23-24 tetor 1912 derisa po zhvillohej Beteja e Kumanovës, Armata e Tretë serbe, nën udhëheqjen e gjeneral Bozho Jankoviqin, pandërprerë zhvilloi luftime të përgjakshme me forcat shqiptaro-osmane në territorin e Anamoravës, Ferizajt deri te Kaçaniku drejt Shkupit. Ana e djathtë e kësaj armate më 24 tetor, Divizioni i Moravës i ushtrisë serbe, u sulmua nga forcat e ushtrisë osmane, të cilat krijuan një vijë mbrojtëse nga “Kazerma e ushtrisë osmane në Ferizaj deri te fshati Varosh - Sojevë-Terstenik - Komogllavë - Goshicë - Vërban - Begracë –Stagovë-Kaçanik, ku u zhvillua një betejë e ashpër. Rreth orës 14 ushtria serbe filloi një sulm të furishëm ndaj forcave mbojtëse shqiptare-osmane te Sojeva, në të cilën luftë u vranë një numër i konsideruar i vullnetarëve shqiptarë dhe ushtarëve osmanë, por humbje pati edhe në anën serbe. Në luftimet të cilat u zhvilluan në vijën e frontit nga fshatrat e Moravës së Poshtme e të Epërme, rrethina Ferizajt, Kaçanikut:Sojevë-Bibaj-Trestenik Stagovë -Trenaj-Kaçanik 24-25 tetor 1912, morën pjesë mbi 4000-5000 vullnetarë shqiptarë nga fshatrat: Sojevë, Bibaj, Komogllavë, Terstenik, Pozheran, Tërpezë, Ballancë, Zhiti, Sllatinë, Vërban, Gërmovë, Muhaxher, Ramjan, Zllatar, Mirosalë, Sllakoc, Kishnapole, Gadish, Gjylekreshtë, Remnik, Smirë, Kabash, Lubishtë, Beguncë, Sodovinë, Vërban, Goshicë, Mogillë-Trenaj, Begracë, Stagovë, Kaçanik i Vjetër, Doganaj etj. Pozicionet i mbronin mbetjet e aradhës shqiptaro-osmane të Prishtinës, një batalion luftarak, një batalion e gjysmës të njësitit 58, çeta 49 e mitralozave dhe me 8. 000-10. 000 shqiptarë (vullnetarë). Sipas kujtimeve nga të moshuarit, këto forca ishin nën komandën e Mehmet Pashë Derallës dhe parisë shqiptare të Anamoravës, të cilët pjesërisht kishin marrë pjesë në luftimet e mëhershme, por edhe pjesa e mbledhur nga viset e ndryshme të Kosovës. Mes vullnetarëve të Moravës ishin edhe rreth 30 luftëtarë nga Komogllavë-Begracë- fshati Tërpezë në krye me Sali Kupinën, Emin Misin-Çuqën, Arif dhe Sahit Aliun, Hasan Pajazitin, Agush Azemin, Isuf Hajdarin, por aty nuk mungoi as Mulla Syla, i cili ishte ndër propaganduesit e organizatorët e forcave vullnetare kundër pushtuesve serbë. Rreth orës 14 të 25 tetorit filloi sulmi i përgjithshëm serb në vijën veri-juglindje të Ferizajt :Bibaj-Sojevë-Tërstenik-Komogllavë-Begracë-Stagovë-Duraj-Kaçanik në vijën jug-perëndim të Ferizajt, fshatrat Varosh-Nikadin-Greme-Jezerc-Llanishtë-Budakovë. Kolona e katërt e ushtrisë serbe, vazhdoi depërtimin në rrëzën e Malit të Jezercit. Me një luftë frontale, prej një largësie të afërt, gati fytafyt, luftëtarët shqiptaro-osmanë, në saje të forcave më të mëdha serbe, të pajisura më mirë me armatim, sidomos me artileri, arritën të thyenin rezistencën e fortë mbrojtëse shqiptare-osmane, duke i detyruar të tërhiqeshin ngadalë drejt juglindjes të fshatrave të Anamoravës dhe atyre në jugperëndim të fshatrave: Stagovë - Begracë-Gërlic-Shtrazë-Duraj drejt Kaçanikut dhe Shkupit. Nga raportet e Divizionit të Moravës, thirrja e Dytë, ushtria serbe në këto luftime pati 25 të vrarë dhe 60 të plagosur afër Ferizajt dhe Shtimes. Kurse pala tjetër shqiptaro-osmane pati rreth 600 të vrarë dhe të plagosur. Në mesin e vullnetarëve shqiptarë në luftë me forcat e ushtrisë pushtuese serbe në Sojevë - Terstenik-Komogllavë ranë heroikisht shumë luftëtarë, si :Mulla Ibrahim Kurteshi nga Pozherani, Balë Hamit Zuka me të vëllanë Xukën nga Smira, u vranë te zabeli i Abdyl Kërstiqit të Komogllavës, ndërsa Shaban Selmani i Smirës është vrarë në Betejën e Kumanovës në fshatin Negoriq, Hysen Ramadan Troni nga Kaçaniku, nga fshati Goshicë u vranë 6 meshkuj. Mes të plagosurve ishte edhe Mulla Arifi i Smirës, Mulla Hajdini i Terstenikut nga lagjja Jashari, Sherif Sherifi lagjja Hoxhaj etj. Sali Aga nga Gjilani ra në fshatin Llapardicë afër Bujanocit. Sipas të dhënave të mbledhura nga kujtesa popullore, por shumica dëshmohen edhe nga dokumentet e tjera historike, në shenjë hakmarrjeje, ushtria serbe për rezistencë, e do ti përmendim disa nga rastet më të rënda të gjenocidit ndaj popullatës shqiptare në Anamoravë, pra në Moravën e Epërme, kudo që kaloi ushtria serbe. Në Sojevë pushkatoi 22 veta, kryesisht nga familja Rexhë e Balë Hazirit. Në fshatin Terstenik u masakruan 57 meshkuj, në Smirë rreth 60 veta, në Verban 24, në Goshicë 24, Lubishtë mbi 90 veta, në Kabash 63 veta, në Tërpezë 17 veta, në Zhiti shtatë veta, në Skifteraj (ish-Gjylekreshtë) 14 veta etj. Fshati Trenaj u shua përgjithmonë nga njësitë komito-çetnike, që aty arritën nga fshati Goshicë. Popullata e mbetur e këtij fshati u shpërngulën, pjesa më e madhe e tyre u vendosën në fshatin Mogillë, komuna e Vitisë. Sipas të dhënave të kohës, masakrën e bëri njësiti i serbëve vendës të Goshicës. Ata i lidhën meshkujt: 1. Hysen Emin dhe 2. Qerim, 3. Hamit, 5. Miftar, 6. Rexhep, 7. Hasan, 8. Ramadan, 9. Isuf dhe 10. Bajram Trenën. Emrat e tre të tjerëve nuk mbahen mend. Të lidhur i dërguan në pyll mbi fshat dhe i pushkatuan. Më 26 tetor 1912 forcat pushtuese serbe të Divizionit II të Moravës, kolona e djathtë, marshuan drejt Kaçanikut nëpër fshatrat:Duraj-Stagovë-Gërlicë e Epërme-Shtrazë-Glloboçicë-Kaçanik-Drenogllavë, për të vazhduar drejt Shkupit dhe Tetovës. Gjatë këtij marshimi ushtrisë serbe iu bë një rezistencë e fuqishme nga popullsia e fshatrave shqiptare të këtyre anëve, ndaj të cilëve serbët ushtruan dhunë gjenocidale, rrënime ndaj popullatës civile pa përjashtim, fëmijë, gra e pleq. Po kështu ndodhi edhe me fshatrat e tjera shqiptare ngado që kaloi ushtria serbe. Forcat pushtuese serbe korrën fitore ndaj forcave vullnetare shqiptare dhe ushtrisë osmane, te Beteja e Kumanovës, më 23 - 24 tetor 1912. Pas kësaj beteje, ushtria serbe pushtoi Shkupin, Tetovën, Ohrin, Tiranën, Krujën, Lezhën dhe del në bregdetin Adriatik. Udhëheqësit shqiptarë, në krye me Hasan Prishtinën, edhe pas Betejës së Kumanovës, vazhduan rezistencën e armatosur kundër forcave pushtuese serbe. Qendra e shtabit të tyre ishte tërhequr në fshatin Brezë në Malësinë e Karadakut të Shkupit. I informuar për këtë, Komandanti i Armatës së Parë serbe, gjenerali Zhivojin Mishiq, urdhëroi të merreshin masa të ashpra ndaj kryengritësve shqiptarë, udhëheqësve të tyre dhe të bëhej çarmatimi i popullsisë. Posaçërisht kërkoi që udhëheqësit e lëvizjes të ziheshin dhe të silleshin në Shkup. Me këtë rast u arrestuan: Nexhip Draga, Hasan Prishtina, Sahit Hoxha, Shaban Myftiaj (Sllatina e Moravës), Xhemajl beu Nga Prishtina, Nurshit beu Nga Prishtina, Rushit beu Nga Prishtina, Muharrem Efendiu- Prishtina, Qemal beu Nga Shkupi, Jashar Pasha Nga Peja, Ibrahim beu, Nga Prishtina, Idriz Seferi Kasum Seferi Misin Beu. Sipas të gjitha gjasave, këta udhëheqës shqiptarë, u sollën në Kalemegdan, pushtetarët serbë filluan propagandën midis të internuarve për lirimin e tyre, kjo mund të shihet edhe nga kërkesa e 12 të internuarve të datës 24 nëntor(7 dhjetor) 1912 drejtuar Nikolla Pashiqit, të cilën organeve të burgut ua dorëzuan Hasan Prishtina, Shaban Pasha dhe Seit Hoxha në emër, të drejtësisë dhe të njerëzisë. Vetëm 3 ditë më vonë, Hasan Prishtinën, Nexhip Dragën dhe Seit Hoxhën i vendosën në vetmi, ”Si personalitete më të rrezikshme. ” Hasan Prishtina me të internuarit e tjerë në Kështjellën Kalemegdan, u mbajtën deri më 10(23 prill) 1913, kur kryeministri serb Nikolla Pashiq, i urdhëronte ministrit të Luftës që t’i lironte shqiptarët e internuar dhe ta informonte qeverinë malazeze për lirimin e tyre, duke vënë në pah se Hasani me shokë do të ndikojnë në “qetësimin” e masës shqiptare. Gjatë këtyre ekspeditave pushtuese të tokave shqiptare në territoret e Shqipërisë së 1913-s, humbën me mijëra ushtarë vullnetarë shqiptaro-osman, por edhe serbë humbën mbi 3. 600 ushtarë dhe patën mijëra të plagosur.
Shpërngulja filloi qysh nga tërheqja e ushtrisë osmane. Kjo bëhej për shumë arsye, arsyeja e parë ishte frika se ushtria serbe malazeze do bënte reprezalje mbi popullsinë shqiptare. Kjo bëri që një numër i madh i popullsisë të linte vatrat e tyre dhe të tërhiqej në male me familjet e tyre deri në dimrin e vonë të 1912, por edhe në fillim të 1913. Presionet e ndryshme të organeve ushtarako-policore ndaj popullsisë josllave ishin të formave të ndryshme, kështu në mungesë të sigurisë për jetë një pjesë e popullsisë shqiptare vendosi të shpërngulej për Turqi, ku kjo u shkonte për shtati politikës afatgjate të pushtuesit e shpërngulja jo që pengohej por favorizohej. Shpërngulja ishte e paraparë edhe me dokumentin e marrëveshjes së paqes të arritur mes Turqisë dhe Serbisë, ku në nenin 4 shkruante, shpërngulja e elementit mysliman-turk në Turqi. Në një shkrim të gazetës “Politika” të datës 09. XII. 1914 në mes tjerash shkruante se në atë marrëveshje ishte e paraparë që popullsia e konfesionit mysliman të ketë të drejtë të plotë të shpërnguljes deri në vitin 1915 dhe është liruar nga shërbimi ushtarak në ushtrinë serbe, gëzon ca beneficione, si në pagimin e tatimeve të ndryshme. Këto të dhëna vërtetohen edhe në urdhrin e ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dërguar të gjithë naçallnikëve (kryeshefave)të qarqeve në Maqedoni, në Kosovë dhe në Sanxhak numër 11434, të 26. V. 1914, me ç’rast jepeshin udhëzime duke cekur se varej se a dëshirojnë të shpërngulen apo jo, brenda afatit prej 3 vjetëve pas nënshkrimit të marrëveshjes. Kështu të gjithë ata që dëshironin të shpërngulen duhet tu paraqiteshin me shkrim organeve lokale, apo rrethit të pushtetit. Kjo marrëveshje serbo-osmane vlente për të gjitha territoret e Serbisë. Organet policore serbe ishin të detyruara që secilën deklaratë të çdo personi në emër të vet apo të familjes, ta pranojnë, ta protokollojnë në librat zyrtarë, si dhe në regjistër të veçantë, për të ditur se cilët persona janë shpërngulur për Turqi me të gjitha të dhënat personale, vendin dhe të vërtetohen nga ato organe. Masovitetin e shpërnguljes e hasim edhe në shtypin turk të kohës, ku gazeta “Zhen Turk “ e datës 28. II. dhe 13. III. 1914 shkruante se myslimanët nga Sanxhaku ikin me të madhe për Turqi nga zullumet e papara të organeve të pushtetit. Këtë të dhënë e kishte dërguar i ngarkuari me punë i Serbisë në Sofije. Ku kemi reagimin e ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë dhe vetë Nikolla Pashiqit, ku i vunë detyrë të ngarkuarit me punë të Serbisë në Stamboll që të demantojnë këto lajme.

Serbia ishte e njohur për dinakëri 


Gjenocidi serb dhe masakrat në Anamoravë 

Presionet për ta detyruar popullsinë drejt shpërnguljes vazhdonin në të gjitha territoret. Me të gjitha format dhe mjetet, edhe trevat shqiptare të Anamoravës iu ekspozuan këtyre presioneve të cilat, në të shumtën e rasteve, rezultonin me shpërngulje. Në secilin fshat dhe në çdo rast individual presionet dhe reprezaljet ishin permanente. Dinakëria serbe për ta pasur arsyetimin kundrejt opinionit të jashtëm aplikonte formën ku çdo person, familje që dëshironte të shpërngulej, duhej ta paraqiste kërkesën me shkrim. Ja siç e paraqet edhe rastin konkret për disa kërkesa me shkrim të disa fshatarëve të Anamoravës - Vitisë, më 08. III. 1914, ku banorët e fshatit Binçë, Ramë Hyseni dhe Brahim Hasani, në kërkesën e tyre shprehen: “Jemi të dëshirës që të gjithë tokën t’ia lëmë shtetit serb, e që shteti serb me harxhime të tyre të na dërgojë në Selanik-deri në kufirin turk”, kërkesës iu përgjigj ministria e Punëve të Brendshme pas 5 ditësh më 13. III. 1914, kuptohet me një përgjigjeje pozitive pro shpërnguljes.
Të njëjtën ditë me datën 8. III. 1914 me lutje identike i drejtohen Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë 31familje nga fshati Buzovik i Moravës së Epërme, të cilët përveç elementeve të cekura të tokës, e të tjera theksojnë edhe anëtarët e familjes së tyre me të cilët do të shpërngulen, dhe nga lista që u paraqit del se 31 familje me 226 anëtarë ishin të evidentuara të gjithë. Ahmet Ferizi , Kadri Baftiu, Ajet Ferizi, Sali Zeqiri, Ahmet Haziri, Ramë Sallahu, Hazir Kadriu, Nezir Kadriu, Zenel Rexhepi, Shaban Latifi, Bahtir Hyseni, Zeqir Jashari, Januz Jashari, Zenel Jashari, Brahim Murati, Behlul Brahimi, Fetah Mehmeti, Rexhep Hyseni, Shaban Hyseni, Abaz Ibrahimi, AbdullaBajrami, Rrahim Fetahu, Miftar Ibrahimi, Behlul Llazana Murat Hyseni, Xhemajl Elezi, Bajram Latifi, Habib Sadria, Azem Abdyli, Abdulla Hasani. Në total, ishin 31 familje. Edhe këta morën përgjigjen pozitive nga organet e shtetit serb pro shpërnguljes edhe atë me datën 13. III. 1914.
Kërkesë të njëjtë kishin bërë edhe katër familje të Anamoravës respektivisht të fshatit Budrikë të cilët kërkesën e kishin bërë më 7. III. 1914. Këta ishin Sali Salihu, Sylejman Mustafa, Behlul Brahimi dhe Rexhep Ajeti edhe lutjet e tyre u shqyrtuan me datën 13. III. 1914 që të gjithëve ju lejua shpërngulja por pa ndihmën e shtetit serb. Kundër shpërnguljes së dhunshme kishte edhe reagime nga gazetat turke p.sh. gazeta “Turk Sedasi” në disa numra kishte botuar artikuj të ndryshëm kundër regjimit serb edhe kundër shpërnguljes. Padyshim që kishte rezistencë të popullsisë shqiptare kundër persekutimeve dhe shpërnguljes, por para një makinerie shtetërore ushtarako- policore, ishte shumë e vështirë qëndresa.
Me fillimin dhe gjatë luftës ballkanike, Shqipëria ishte pothuaj e shkretuar ku ushtria serbe, në emër të luftës kundër Perandorisë Osmane, ndërmorën një sërë operacionesh të cilat i shoqëruan me masakra masive kundër një popullsie krejtësisht të paarmatosur dhe sipas shtypit evropian humbën jetën 250 mijë shqiptarë. Njëra ndër veprat që hedh dritë mbi gjenocidin dhe shpërnguljet masive të shqiptarëve është edhe libri historik i Leo Freundlich "Golgota shqiptare", ku ndër të tjera shkruan: "Me qindra e mijëra kufoma të masakruara notonin në rrjedhat e lumenjve. Ata që mundin t'i shpëtonin sëmundjeve, urisë, plumbave të pushkëve të këmbësorisë dhe gjyleve të artilerisë serbe, grumbulloheshin në vende të caktuara dhe u jepej nga një plumb kokës. Më zi e pësonin ato që fshiheshin në shtëpitë e tyre. Pas kontrolleve të imta që bëheshin për plaçkitje dhe florinj, gjendeshin lehtë dhe thereshin si berrat. Torturat më të mëdha i pësonin gratë shqiptare, të cilat përdhunoheshin, lidheshin më pas, bëheshin kapicë, mbuloheshin me kashtë dhe digjeshin të gjalla. Në rast se ata ishin shtatzëna, ju çahej barku me bajonetë dhe pasi u nxirrej fëmija nga barku e vendosnin në majë të bajonetës apo të hunjve.
Pas masakrimit serbët pinin verë, këndonin dhe hidhnin valle. Kishte raste që ata gjatë therjes mblidhnin gjakun në kupa dhe e hapnin gostinë me të". Shkrimtari dhe publicisti hebre Leo Freundlch me banim në Vjenë, është njëri ndër intelektualët e pakët që mbajti koleksionin e të gjitha gazetave të mëdha të kohës që tregonin mbi shfarosjen e së paku një gjysmë milioni shqiptarëve nga serbët në vitet 1912-1913. I revoltuar ai ngriti zërin e tij kundër asaj që ai e quajti "Golgota Shqiptare", e që u shoqërua nga masakra të atij lloji që nuk i kishte njohur Bota më parë. "Unë e dënoj dhunën që ushtrohet padrejtësisht ndaj çdo populli. Ai që nuk bën kështu sot, të mos çuditet nëse nesër edhe ai vetë do të bëhet viktimë e një Golgote tjetër" – thotë shkrimtari hebre.
Rrëfimet tronditëse të Leon Trockit raportimet për luftën të Leon Trockit, janë rrëfime realiste, të tmerrshme dhe të llahtarshme, të cilat përshkruajnë vrasjet mizore masakrimet dhe shfarosjen e shqiptarëve gjatë luftërave ballkanike 1912-1913. Leon Trocki ( 1879–1940) teoricien i marksizmit dhe revolucionar, ka qenë i dërguar në Ballkan me qëllim për të raportuar për gazetën me orientim të majtë më të popullarizuar në Rusinë Jugore “Mendimi i Kijevës”. Raportimet e tij nga vendi i luftimeve janë botuar në fletushkat e veprave të zgjedhura, të papërfunduara, në gjuhën ruse, mes viteve 1923–1927. Raportimet e tij për Ballkanin dhe luftërat ballkanike janë përkthyer në gjuhën angleze në vitin 1980 dhe janë ribotuar mes viteve 1991–1993, në kohën e ripërsëritjes së luftërave ballkanike (në Kroaci e Bosnje). Në vazhdim, kemi përjetimet e tij nga veprimet e shteteve ballkanike kundër popullatës shqiptare në vitet 1912-1913 dhe për heshtjen e shtypit rus lidhur me krimet të cilat i kanë kryer aleatët e tyre në Ballkan.
“Kam pasur rastin, për fat apo fatkeqësi ta vizitoj Shkupin, disa ditë pas Betejës së Kumanovës. Qysh në fillim isha i irituar nga autoritetet e Beogradit lidhur me lejen për qarkullim. Nga pengesat që m’i ka bërë Ministria e Luftës, kam filluar të mendoj se njerëzit, të cilët e udhëhiqnin luftën nuk e kishin ndërgjegjen e pastër dhe që atje poshtë, ata po kryenin veprime krejt ndryshe nga sa paraqitej në shtypin zyrtar. Kjo përshtypje ose parandjenjë më është përforcuar me rastin e takimit me një oficer, i cili kishte qëndruar në Shkup me ushtarët të Shtabit të Përgjithshëm.
Ky oficer, të cilin e kam njohur për një kohë të gjatë, ishte njeri i ndershëm. Mirëpo, sapo ai e mori vesh se unë po shkoja për në Shkup, meqë realisht edhe e kisha marrë lejen për të shkuar atje, ai me një qëndrim të hapur armiqësor më tha se nuk duhet të shkoja atje dhe që Beogradi sipas tij nuk e kuptonte se çka po bënte kur i lejonte “të huajt” të shkonin në Shkup. Në Vrajë në kufirin me Serbinë, kur e kuptoi se nuk do ta ndërroja vendimin, oficeri serb e ndërroi zërin dhe filloi të më përgatitë për pamjet që do t’ i shikoja kur të arrija në Shkup. “Këto janë gjëra të pakëndshme, por fatkeqësisht janë të paevitueshme”. Krejt kjo më duhet të pranoj se më bënte edhe më shumë të dyshoja. Kjo do të thotë se veprat e liga, për të cilat ishte dëgjuar deri në Beograd, nuk ishin të rastësishme, nuk ishin raste të veçanta e të izoluara, përderisa një oficer i trajtonte si “nevoja të shtetit”.
Dikush duhej të kishte të dhëna për këto. Kush? Ushtria? Apo Qeveria? Përgjigjen në këto pyetje e mësova sapo arrita në Shkup. Trishtimi filloi sapo e kaluam kufirin. Në orën 5 pas dite jemi afruar te Kumanova. Dielli po perëndonte dhe terri tashmë ishte lëshuar. Sa më shumë që errësohej aq më tepër shiheshin flakët e zjarrit që shkonin përpjetë. Po digjej gjithçka përreth nesh. Të gjitha fshatrat shqiptare, të afërta dhe të largëta, ishin kthyer në shtylla zjarri, deri te hekurudha. Ishte ky një shembull i një lufte të tmerrshme shkatërruese, që kam parë në zonat e luftimeve. Shkupi ishte kthyer në një kamp të rëndomtë ushtarak.
Popullata, sidomos myslimanët (shqiptarët) fshiheshin nëpër rrugë për të mos u parë nga ushtarët serbë. Në mesin e masës së ushtarëve dallohen edhe fshatarët serbë, të cilët kanë ardhur këtu nga vende të ndryshme të Serbisë. Duke rrëfyer se kanë ardhur për të gjetur bijtë dhe vëllezërit e tyre, ata kalojnë nëpër Kosovë duke plaçkitur. Kam biseduar me tre prej këtyre “torbarëve”. Më i riu prej tyre, një burrë i shkurtë i sojit të “trimave” lavdërohet sesi me pushkën e tij ka vrarë dy shqiptarë, por dy të tjerë i kishin ikur. Bashkë udhëtarët e tij, fshatarë të moshuar e vërtetonin rrëfimin e tij.
“Një gjë nuk është e mirë” ankohen ata. “Nuk kemi para me vete. Këtu mund të marrësh sa të duash qe dhe kuaj. Paga e ushtarit është dy dinarë (75 kopejkë). Ushtari shkon në fshatin e parë të shqiptarëve dhe e merr kalin e parë të cilin e gjen. Përmes ushtarëve mund të marrësh një pendë qe për 20 dinarë. Serbët nga rrethina e Vrajës, në mënyrë masive janë nisur drejt fshatrave shqiptare me qëllim për të rrëmbyer gjithçka që gjejnë. Gratë serbe kanë ngarkuar në shpinë edhe dyer e dritare që kanë marrë nëpër fshatrat shqiptare. Ndërkohë erdhën dy ushtarë. Ata bëjnë pjesë në çetat të cilat i çarmatosin shqiptarët. Një ushtar pyet ku mund ta këmbejë një lirë. Kërkova të ma tregojë lirën meqë nuk kisha parë monedhë turke. Ushtari fillimisht shikon anash, pastaj e nxjerrë dukatin nga qesja, duke rrëfyer se ka edhe të tjera, por nuk dëshiron të rrëfejë sasinë.




Serbët bënë çudira mbi shqiptarët e Kosovës 


Pushtuesit serbë bënin vrasjet e popullsisë së pafajshme 


Një lirë turke këmbehet me 23 franga. Erdhën edhe ushtarë të tjerë. Po dëgjoja bisedat e tyre. “Nuk e di sa shqiptarë kam vrarë”, thotë njëri, “por te asnjëri prej tyre nuk kam gjetur diçka të vlefshme për të marr. Dhe kur ia kam hequr kokën një nuseje të re, tek ajo kam gjetur 10 lira”. Për bëmat e tyre ata flasin krejt lirshëm. Kjo është e zakonshme për ta. Njerëzit nuk e kuptojnë se sa ndryshime të brendshme kanë sjellë vetëm disa ditë të luftës. Mund të shihet se deri në ç’nivel njeriu varet nga rrethanat. Në kushte të organizmit barbar të luftës, njerëzit shpejt brutalizohen dhe këtë ndoshta edhe nuk e kuptojnë”.
Trocki raporton për dhunën, gjenocidin dhe barbarinë që ushtronin aleatët sllavë kundër shqiptarëve, turqve dhe hebrenjve. Protesta e Leon Trockit kundër Qeverisë ruse, e cila ishte frymëzuese dhe bashkëfajtore e krimeve të kryera nga Aleanca e shteteve sllave të Ballkanit kundër shqiptarëve. Tejet ilustrative janë edhe pyetjet që i parashtrohen deputetit njërit ndër inspiruesit e lëvizjes pansllave Miljukovit. “Zotëri deputet! Ju jeni njëri nga inspiruesit e asaj që njihet si “Lëvizje pansllave”, e cila bazohet në principet e përgjithshme të qytetërimit, humanizmit dhe çlirimit kombëtar. Ju shumë shpesh si në shtyp ashtu edhe foltoren e Dumës, i keni bindur aleatët, dinastitë dhe klikat e tyre, të cilat e sundojnë Ballkanin, lidhur me simpatitë që ata kanë për shoqërinë ruse dhe për fushatën që ata kanë ndërmarrë për “çlirim”.
Jo moti, pas ndërprerjes së zjarrit ju keni ndërmarrë një udhëtim politik nëpër Ballkan. Keni vajtur nëpër krahina, dhe çka është më e rëndësishme, keni vizituar krahinat, të cilat janë pushtuar nga aleatët. Gjatë udhëtimeve tuaja a thua a nuk keni dëgjuar për këto akte të mizorisë dhe brutalitetit, të cilat i kanë kryer disa nga aleatët në zonat Tuaja të luftimeve, jo vetëm kundër ushtarëve të paarmatosur turq, kundër robërve dhe të plagosurve, mirëpo edhe kundër popullatës paqësore myslimane, kundër pleqve e plakave dhe kundër fëmijëve. Nëse keni dëgjuar, dhe nuk mund të mos keni dëgjuar, atëherë përse heshtni. Përse hesht fjala juaj? Në vazhdim ai në hollësi zbërthen veprimet e aleatëve kundër popullatës me masakra dhe tortura nga më të egrat. “Faktet e pamohueshme a nuk ju kanë detyruar të kuptoni se bullgarët në Maqedoni dhe në “Serbinë e Vjetër”, në turrin e tyre kombëtar për të përmirësuar të dhënat për statistikat etnografike, të cilat nuk janë sipas shijes së tyre, ata thjesht po angazhohen për të shfarosur në mënyrë sistematike popullatën myslimane nëpër fshatra, në qytete dhe në rrethe.
Çka keni për të thënë lidhur me këto metoda për të siguruar fitoren e elementit sllav? A nuk do të pajtoheni se heshtja nga i tërë shtypi juaj shtetëror, nga gjarpri i patriotizmit “Novoje Vremja”, pastaj “Ruskaja Molva”, “Ruskoje Slovo” dhe “Reç” të cilat gjithnjë vazhdojnë të tregohen më të përkushtuara, dhe kjo marrëveshje e brendshme e të gjithë juve për të heshtur, a nuk iu bën juve bashkëfajtorë për këto akte shtazarake, të cilat do të lënë damka të zeza për tërë epokën?. Në rrethana të tilla, protestat tuaja kundër veprimeve të shëmtuara turke, të cilat nuk i mohoj, a nuk janë të njëjta me veprimet fariseje: që rrjedhin jo nga principet e përgjithshme të kulturës dhe humanizmit, por nga kalkulimet lakuriqe imperialiste? A thua a nuk e keni të qartë se heshtja e tillë e “partive udhëheqëse të Rusisë” kundrejt veprimeve çmeritëse serbe e bullgare, tani kur aleatët ballkanikë kanë rifilluar operacionet ushtarake, i lehtëson këto të fundit që të angazhohen në veprat e tyre Kainiste, në masakra të tjera kundër popujve të “Gjysmëhënës” në interes të “kulturës” së Krishtit?
A mund të përgjigjeni në këto pyetje të qarta dhe të thjeshta, zotëri deputet? Apo ndoshta ju jeni mësuar të llogaritni vetëm sa bëjnë dy e dy, dhe të konstatoni se prijësit janë fajtorë”. Për tmerret dhe gjenocidin e ushtruar nga forcat gjakatare gjatë luftërave ballkanike e më pas në Anamoravë flasin edhe dëshmitë e paraqitura për disa nga fshatrat e Moravës së Epërme, ku për dokumentimin e të gjitha zhvillimeve padyshim që një kontribut të madh dhanë edhe gazetat e ndryshme, vizitorët, dhe shumë dokumente të kohës.
Rrëfimet tronditëse të Leon Trockit, pastaj njëri ndër librat që hedh dritë mbi gjenocidin dhe shpërnguljet masive të shqiptarëve është edhe libri historik i Leo Freundlich "Golgota shqiptare", ku pa mëdyshje paraqesin barbarinë sllave ndaj shqiptarëve. Një tabllo realiste të gjendjes së rëndë në tokat e pushtuara shqiptare pa përjashtim, na jep socialdemokrati serb Tucoviq ku shkruan:”Kryengritja shqiptare e shtatorit (1913), për shkak të së cilës Serbia u shtrëngua të mobilizojë përsëri afro tre divizione, është një shembull klasik që tregon se si shkaktohen luftërat koloniale. Okupimi i ushtrisë serbe shtrihej prej lindjes e deri në dyert e grykave dhe të qafëmaleve shqiptare. Ky okupim e ndau bujkun prej arës, bagëtinë prej kullosave, kopetë prej lugjeve, fshatin prej mullirit, blerësin e shitësin prej tregut, rrethinën prej qytetit, kurse tërë popullsinë malore prej qendrave ekonomike dhe drithoreve të saj”.
Shqiptari i andejshëm (i Shqipërisë londineze ) nuk guxonte të shkelte më në tokën e tij që i kishte mbetur në këtë anë (në Kosovën e pushtuar). Të gjitha burimet e jetës iu prenë. Populli i dëshpëruar dhe i uritur pa masë, së pari u lut të vijë lirisht në tregje. Por, kur iu ndalua edhe kjo, ndërmjet vdekjes nga uria dhe vdekjes nga plumbi, ai zgjodhi këtë të dytën. Në raportin e Fondacionit Karnegie për paqe Botërore, komisioni hetimor i të cilit asokohe kishte qëndruar në Ballkan, shkruan: “Shtëpi dhe fshatra të tëra janë shndërruar në hi, popullata e pafajshme dhe e paarmatosur është masakruar në masë, dhuna e pabesueshme, plaçkitjet dhe brutalitetet e gjithfarë llojeve të këtilla ishin mjetet që janë përdorur dhe vazhdojnë të përdoren nga ana e soldateskës serbo-malazeze, me qëllim që të ndërrohet karakteri etnik i këtyre trevave të banuara kryekëput me shqiptar”.
“Të pushkatosh fëmijë sikur të ishin të rritur, t’i përdhunosh para se t’i gjymtosh më pas, ky është një krim suprem në këtë botë. Dhe këtë serbët e kanë bërë shumë herë, ku për këtë janë duartrokitur nga një pjesë e madhe e popullsisë së tyre”.
Barbarizmat e tyre serbët kundër shqiptarëve u munduan ti kryejnë në ato vende larg syrit të kontrollit evropian. Të gjitha mënyrat dhe metodat mizore janë kryer gjatë luftërave ballkanike. Falë shënimeve të komisionit hetues “Carnegiet” 1913-1914 konstatohet: “Djegiet e shtëpive e fshatrave, egërsitë e padëgjuara, plaçkitjet, grabitjet dhe barbarizmat janë mënyrat dhe mjetet, të cilat trupat ushtarake serbo-malazeze i kanë përdor me qëllim për ta transformuar dhe ndryshuar fizionominë etnike të vendeve të banuara dhe të populluara thjesht prej shqiptarëve”.
Sipas komisionit “Carnegie” nëse shikojmë vetëm ligjet të cilat kishte nënshkruar mbreti serb Petar në tetor 1913, për shtypjen e vendeve të aneksuara, në barbarizmin e tyre mjaftojnë për ta denoncuar Serbinë. Ato janë botuar në Karnegie Report, i cili duhet lexuar nga të gjithë ata që të bëjnë në Ballkan një paqe të qëndrueshme me drejtësi. Ky është një raport mbi mizoritë dhe çështjen e minoriteteve në Ballkan të bërë nga një komision i dërguar nga Instituti bamirës i madh amerikan Karnegie. Duke pasur nxitje dhe përkrahje të gjithanshme nga ana e “Vëllait të madh” Rusisë, mbreti serb, Petar Karaxhorxheviq, menjëherë pas luftërave ballkanike mprehte shpatën për ta qëlluar për vdekje perandorin e Austrisë.
Komisioni Karnegie Report nxori në shesh se akuzat dhe mizoritë e përgatitura e të kryera nga “Dora e zezë” serbe ishin të vërteta. Damjan Popoviqi, kryetar i mbretvrasësve, udhëhoqi masakrat në Kosovë, e tërë kjo ishte vetëm një pjese e planit për ngritjen e Serbisë së Madhe. “Dora e zezë “ishte një qeveri brenda qeverisë por jo zyrtare, por edhe “Mbrojtja Kombëtare” kishin të dyja dorë të lirë. Krimet më të rënda kryheshin nga këto organizata terroriste të njohura në tërë botën, të cilat mbështeteshin nën mbrojtjen e fuqishme të shtetit serb. Ushtria serbe krijoi edhe kampe përqendrimi për t’i shfarosur shqiptarët, për to shkruajnë edhe Leo Freundlich, Trocki, Edith Durham ku kjo e fundit shkruante: “Viktimat shqiptare serbët nuk i masakronin shpejt, ashtu siç i prisnin delet por ngadalë. Ata bënin prerje të vogla, të gishtave e duarve, në brryla dhe qafë, me qëllim që të zgjatej më shumë vdekja”. Pastaj mburreshin oficerët serbë që i kishin varrosur shqiptarët e Kosovës të gjallë nën dhe. Pushtuesit serbë bënin vrasjet e popullsisë së pafajshme duke i therur me thika e faji i tyre i vetëm ishte se kishin lindur shqiptarë. Masakrat, aktet e pabesueshme të dhunës, sidomos ndaj shqiptarëve janë tejet makabre. Mjafton tu referohemi disa fragmenteve nga shtypi i kohës, ku pasqyrohen mizoritë serbe kundër shqiptarëve në vitin 1913. Në një letër të një ushtaraku serb në gazetën serbe “Radniçke Novine” më 9/22 tetor, pos të tjerash ai habitet dhe shkruan si mund të bëjë njeriu mizori të tilla… po të them vetëm kaq që Luma (krahinë shqiptare përgjatë lumit me të njëjtin emër) nuk ekziston më, nuk ka asgjë veç kufomave. Ka fshatra me nga 100, 150, 200 shtëpi, ku nuk ka mbetur asnjë njeri, në kuptimin e plotë të fjalës asnjë. Ne i mbledhim njerëzit me grupe dyzetë deri në pesëdhjetë vetë, pastaj i vrasim të gjithë duke i shpuar me bajonetë. Për shkaqet e shpërthimit të Kryengritjes shqiptare të vjeshtës së vitit 1913 dhe për përmasat e masakrave serbe të kryera ndaj shqiptarëve, kanë shkruar personalitete serbe (edhe ata që morën pjesë në masakra) si dhe vet shtypi serb i kohës.
Krimet serbe në Dibër e më gjerë i ka parë për së afërmi edhe shkrimtari Haki Stërmilli. Ai për masakrat serbe në Dibër ( shtator-tetor 1913), shkruan: “Në qytet, tabakhaneje, që ishte thertore bagëtish, u bë thertore njerëzish. Qytetit i vinte erë gjak njeriu, kudo mbretëronte pasiguria dhe një heshtje tmerri. Përveç tabakhanes edhe në qytet brenda, ndër postat e xhandarmërisë kishte nga një burg, ku mjaftonte vetëm urdhri i postëkomandantit ose dëshira e ndonjë xhandari që të njomeshin mirë muret e atij burgu me gjak shqiptarësh të pafajshëm”.
Ndërkaq gazeta e Zagrebit ”Hrvatsk Novosti” shkruan: “Çudi e madhe?! Serbët jo vetëm në kohën e luftimeve, që bënë aq çudira mbi shqiptarët e Kosovës sa gjithë bota u neverit, por edhe sot pas vendimeve të Konferencës së Londrës, kudo që kanë shkelur, vrasin, presin, vjedhin, burgosin, dhunojnë e plaçkitin popullsinë e pafajshme vetëm pse janë shqiptarë”.
Gazeta “Daily Telegraph” shkruan: “Historia nuk njeh persekutime më të fëlliqura se sa pasojën e llahtarës së duarve dhe shpirtit të trupave (reparteve) të gjeneral Jankoviqit”.
Për shpirtin shoven të reparteve serbe të vdekjes, kanë shkruar edhe vet xhelatët serbë. Plaçkitja ordinere u bë kudo. Oficerët plaçkitën kope të tëra bagëtish dhe i shitën përmes ushtarëve në Prizren....
Po në gazetën “Radniçke Novine” Beograd-tetor 1913, socialdemokrati Dimitrije Tucoviç, për masakrat e ushtrisë serbe, ndër të tjera shkruan: “...Kur trupat serbe shkatërruan fshatin Topojan (fshat i Lumës) aty s´kishte burra. Oficerët rezervë që morën urdhra ta djegin fshatin dhe të thernin me thika, kot kundërshtonin, kot i përsëritnin fjalët ‘të gjithë a’”?
Të gjithë ishte përgjigjja e njëfarë kapiten Jurishiqit. Për dy orë u vranë 500 shpirtra... Shqiptarët e “egjër” ushtarët tanë të zënë rob i çarmatosnin dhe i lëshonin, kurse ushtria jonë e “kulturuar” e shekullit XX po i vret edhe fëmijët e tyre...”.
Ndërsa një ushtar i quajtur Vuksanoviq për masakrat e kryera, rrëfen si vijon: “Shqiptarët në fillim i vritnim me pushkë dhe patllake, por së shpejti erdh urdhri se nuk kishte leverdi të shpenzohet municioni, prandaj shqiptarët do të theren me thika. Dhe kështu ndaheshin në grupe-grupe..., rreshtoheshin në rreshta me fytyra të kthyera kah njëri tjetri dhe atëherë oficerët dhe nënoficerët i thernin shqiptarët një nga një, në qafë.
Këta njerëz fatkëqij as që luanin nga vendi, as nuk bërtisnin, as nuk mbroheshin, thuajse nuk ishin qenie njerëzore të vetëdijshme, por shikonin të qetë si i therej shoku pranë dhe thika po ia shpërthente fytin e tij


Serbia tentonte t’i shfaroste shqiptarët



Masakra serbe e vitit 1913 në Kabashin e Anamoravës



“Nuk mund ta merrja me mend një gjakftohtësi dhe qëndrueshmëri të këtillë njerëzore, të cilët e shikonin vdekjen me sy të hapur. Është kjo njëra nga skenat më të llahtarshme që e përjetova gjatë luftërave. Duhet të vdesin disa gjenerata të shqiptarëve që të harrohen ato, çfarë kanë bërë serbët ndaj tyre”, shkruan “Radniçke Novine”, Beograd - datë 22 tetor 1913. Nga kronikat e shtypit të huaj, del se përmasat e shfarosjes fizike të shqiptarëve nga Serbia janë të trishtueshme. Krimet kryheshin nga bandat të armatosura, bëheshin nën hundën e komandantëve ushtarakë dhe komandoheshin nga ta. Territoret e Moravës së Epërme ishin pararojë e trevave kombëtare, ishin të parat që u sulmuan nga forcat pushtuese serbe, bullgare, maqedonase, si më 1912, 1915 e 1918 dhe më vonë. Këta pushtues kryen krime shumë të rënda e monstruoze ndaj popullsisë së pafajshme të këtyre viseve, mirëpo popullata e këtyre trevave nuk u gjunjëzua nga këta pushtues. Siç dihet luftërat janë fatkeqësi e përgjithshme për popujt, e sidomos për popujt e vegjël siç jemi ne. Atyre shpeshherë luftërat ju imponohen, prandaj luftërat e kanë kuptimin - jetë a vdekje. Fshati Kabash shtrihet në jug të Vitisë dhe ndodhet rrëzë maleve të Kopilaçës, tani i bashkuar plotësisht me qytezën e Vitisë, në anën jugore me hapësirë kodrinore-malore, kurse në anën veriore me sipërfaqe të rrafshët bujqësore.
Në anën lindore kufizohet me lumin Morava, kurse në anën perëndimore me fshatin Smirë. Kabashi është një ndër fshatrat më të reja në Moravën e Epërme, mirëpo në lokalitetin e sotëm të fshatit Kabash ekzistonte vendbanimi i vjetër ilir me emrin Gërm.
Kabashi si edhe shumë fshatra të Anamoravës u dogjën nga osmanët, pas luftës së Kaçanikut në maj të vitit 1910. Në vjeshtën e vitit 1913 u dogj i tërë fshati. Kabashin e themeluan kabashët e ardhur nga Kabashi i Prizrenit në gjysmën e dytë të shekullit XVIII, mes viteve 1780-1785. Duke marrë parasysh zhvillimet se populli shqiptar po çlirohej nga një pushtues pesëshekullor, por erdhi një okupatori ri i cili për shqiptarët ishte edhe më i rrezikshëm e më barbarë se ai që u dëbua.
Duke pas parasysh se shumica e popullatës shqiptare e kishin pranuar fenë islame këta trajtoheshin si turq. Andaj, dëbimin dhe zhdukjen e shqiptarëve pushtuesit e ri para botës e paraqitnin si qërim hesapesh me ish sundimtarët turq, pra si shenjë hakmarrje.
Periudha e luftërave ballkanike dhe krijimi i aleancës së fshehtë në mes vendeve të Ballkanit të nxitura e të ndihmuara nga Fuqitë e Mëdha të kohës ( Rusia, Austro-Hungaria, Anglia, Franca etj, ) më 8, 17, 18 tetor 1912 e filluan Luftën e Parë Ballkanike. Serbët dëshironin të përfitonin nga dobësimi dhe shthurja e forcave osmane dhe atyre shqiptare. Synimi kryesor i sllavëve ishte që osmanët dhe shqiptarët të dobësoheshin në maksimum, duke luftuar në mes vete, për të hyrë pastaj gati pa rezistencë në Kosovë, e në trevat tjera shqiptare. Shqipëria e vitit 1912, e pa konsoliduar, për shkak të konflikteve e grupacioneve që pretendonin të merrnin pushtetin në duart e veta, nuk ishte e aftë të mbronte popullin shqiptar, sidomos atë në Kosovë e Maqedoni.
Përpjekjet e Hasan Prishtinës, Isa Boletinit, Bajram Currit për të organizuar mbrojtjen e popullatës e të territoreve kombëtare, nuk kishin sitë jepnin rezultate. Një pjesë e forcave shqiptare të atyre nga Morava dhe Karadaku i Gjilanit, që morën pjesë në anën e osmanëve në përleshje me ushtrinë serbe kah Bujanoci, Presheva, Kumanova u angazhuan por njësitet osmane u shpartalluan dhe dështuan gjë që u tërhoqën drejt Edrenesë. Në realitet shqiptarët e kanë dhënë kontributin e tyre për fitoren e aleatëve ballkanik kundër osmanëve, me kryengritjet e armatosura të vitit 1912, duke mos iu përgjigjur thirrjes osmane për luftë, madje edhe pas kërcënimeve se do u digjeshin shtëpitë të gjithë atyre që nuk do u mbronin “truallin turk”.
Menjëherë, pas fillimit të luftës kemi thirrjen mashtruese të Kral Petrit I, ku nga Nishi iu drejtua popullit shqiptar, duke deklaruar: “Ne të gjithëve u sjellim lirinë, vëllazërimin, barazinë në ç’do aspekt me serbët”. Pra, sipas kësaj proklamate “ushtria serbe po vinte në Shqipëri jo si robëruese e ushtri ndëshkuese, por si vëllezër” për të vazhduar luftën shqiptare ku ata e kishin ndërprerë më 18. gusht 1912. Ushtria serbo-malazeze në tetor 1912 e sulmoi Kosovën në shumë drejtime. Patrioti Idriz Seferi u gjend në ballë të frontit, në verilindje të Kosovës në fshatin Sfircë, ku ishin grumbulluar forcat kryesore mbrojtëse. Ai këtyre forcave ju tha; deri më tani kemi luftuar kundër pushtuesit osman, kurse nga sot do e mbrojmë tokën tonë të përgjakur nga ushtria serbe e cila është edhe më barbare se ajo e Turkijës.
Me rastin e depërtimit të njësive të ushtrisë serbe në Prishtinë më 22. X. 1912, e në Anamoravë, njësitet e Armatës së III, që depërtuan kah Kaçaniku në Ferizaj, filluan të bëjnë masakra makabre, gjoja për shkak të rezistencës së armatosur shqiptare kundër ushtrisë serbe, ashtu si edhe ndodhi në fshatrat Komogllavë, Tërstenik, Vërban, Goshicë, Smirë, Lubishtë, Mogillë. Në tetë fshatra u masakruan rreth 350 burra e gra. Vetëm në Lubishtë u pushkatuan 102lubishtas dhe mysafirë.
Ushtria okupuese serbe, të nxitur edhe nga banorët serbë vendas edhe pas masakrave të vjeshtës së vitit 1912 në Moravën e Epërme, nuk pushoi të thurte plane e të gjente pretekste për të ushtruar dhunë kundër popullatës shqiptare, duke synuar ta detyronin të shpërngulej. Këto qëllime ata i realizonin përmes dhunës, në rend të parë kundër fshatrave që ishin fiksuar si elemente kryengritëse dhe pikësynim kishin likuidimin e burrave me nam. Njëri prej tyre ishte edhe fshati Kabash.
Xhelatët serbë mezi prisnin rastin për të treguar se sa mizorë ishin dhe të realizohej plani i Serbisë për kolonizimin, do të thotë serbizimin e vendeve ku populli ishte shumicë shqiptare”. Pas plot një viti, që kur ushtria serbe e kishte okupuar Kosovën, për shkak një incidenti që ndodhi një natë nëntori 1913 në Kabash, vrasja e një roje serbe, pushteti për t’u hakmarrë e rrethoi tërë fshatin me ushtri dhe xhandarmëri, pa dalë drita. Pasi morën peng më shumë se 70 meshkuj, banorët u nxorën në rrugë dhe fshati u dogj plotësisht. Disa vetë u dogjën në plevica, ku kishin provuar të fshiheshin, apo u vranë gjatë asaj dite, ose të nesërmen, e meshkujt e tjerë pas tri ditësh u vranë e masakruan mizorisht afër Kllokotit. Në vlugun e përpjekjeve të regjimit serb të për të thyer rezistencën e shqiptarëve dhe konsolidimin e pushtetit, nxirrte ligje e dekrete siç ishte ai i 18. VIII. 1913 përkitazi me viset e “posaçliruara”, të “Serbisë së vjetër”. Meshkujt e fshatit Kabash që u morën peng, u mbajtën një natë në Xhami kurse e dy net u mbajtën të arrestuar në Kullën e Mbretit në Viti. Ditën e tretë, në mbrëmje, në këmbë, të lidhur me shoka të të arrestuarve, dorë për dore, dy nga dy dhe me forca të mëdha sigurie, i nisin për në Gjilan, duke i gënjyer të burgosurit, se në Gjilan do t’i nxirrnin para gjyqit të “drejtësisë”.
Ndërkaq, ata veç e kishin përgatitur humnerën ku do t’i masakronin. Fshatit ia vunë zjarrin. U dogjën të gjitha shtëpitë, plevicat, gardhiqet. Të gjitha gjërat e vlefshme më parë u grabitën, pajën e nuseve e të vajzave, bulmetin, fasulen, dimërishtat e rezervuara, misrin, grurin. Edhe të vrarët janë plaçkitur. Plaçkitësit i morën me vete të gjitha, duke lënë pas vetëm vajin e nënave për djemtë, vajin e nuseve për burrat, vajin e fëmijëve për prindërit dhe mallkimin e grave drejtuar vrasësve, barbarëve. Fshatit i vinte era shkrumb me javë të tëra. Gjëma e të vrarëve u dëgjua me ditë të tëra. U vranë, u therën me thika dhe u groposën aty 54 veta, disa për së gjalli, në një humnerë të përgatitur më parë te Zabeli i Sahit Agës, në afërsi të Kllokotit.
Sipas Jahi Selmanit, i cili e ka pa me sy ngjarjen, aty ku u masakruan bashkëvendësit e tij thoshte se u krijua një tollovi e paparë. Xhandarët e ndihmuar nga ushtarët dhe civilët vendës serbë shtinin pa ia nda duke përdorur edhe bajonetat. Aty pati të vrarë edhe serbë. Siç duket, ata vranë edhe njëri-tjetrin pas rebelimit të të arrestuarve.
Dyert e oborreve, hambarët, qerret, deri vonë janë vërejtur në shtëpitë e plaçkitësve në Viti, në Binçë, në Vërbovcë e në Kllokot. Kështu, fshati mbeti në duar të grave dhe fëmijëve. Shumica e nënave i rritën fëmijët në gjini, për t’u kthyer pas tre vjetësh, e për të filluar jetën në fshatin e djegur. Me mund të madh arritën t’i shërojnë plagët sadopak dhe t’u dalin zot trojeve që ua lanë amanet të parët.
Ata nuk i harruan fjalët, mesazhin e Bajram Currit, Isa Boletinit, Mustafë Kabashit, në vitin 1909 para se të çlirohej Shkupi, ku qëndruan dy net në Kabash për ta mobilizuar popullin në luftë kundër osmanëve. Që atëherë u kishin thënë të tubuarve në oborrin e xhamisë së fshatit: “Ky truall është i yni. Ta ruajmë e ta mbrojmë si sytë e ballit” (sipas Saqip Misin Salihut 1882-1961). Peripecitë nuk kanë të sosur. Duhej të ndërtoheshin shtëpitë dhe gjithçka tjetër që u nevojitej për jetë. Disa familje u shuan, disa të tjera u shpërngulën në Turqi. Pastaj, filloi kolonizimi i fshatit me serbë të ardhur nga Vllasina. Toka u merret, po dëshira për të jetuar në trojet e të parëve nuk u shua kurrë.
Duhet pasur parasysh se urdhrat dhe masat e komandantit të Armatës së III, ku thuhej se ushtria jonë serbe është përfaqësuese e rendit dhe drejtësisë, dhe atij që i gjendet armado të dënohet me rreptësi, mirëpo e kemi rastin kur tërë fshati u dogj. Pas një hulumtimi janë gjetur emrat e 44 kabashasve të vrarë dhe tre mysafirëve, kurse të tjerët janë të familjeve të shuara, të shpërngulura ose numri i të vrarëve ka qenë më i vogël se sa flitej.
Emrat e të ekzekutuarve: Misin Salih Cenaj, Murat Salih Cenaj, Avdyl Salih Cenaj, Hysen Jakup Cenaj, Ibish Jakup Cenaj, Isak Jakup Cenaj, Agush Ahmet Cenaj, Hamëz Nezir Cenaj, Qerim Ali Cenaj, Alush Ali Cenaj, Hafiz Qerim Cenaj, Halit Qerim Cenaj, Azem Kamer Cenaj, Sefedin Azem Cenaj, Aziz Elez Cenaj, Rexhep Çaush Veselaj, Smajl Bajram Veselaj, Bajram Smajl Veselaj, Hamit Selman Veselaj, Jashar Islam Muçaj, Islam Jashar Muçaj, Murtez Brahim Muçaj, Hamdi Murtez Muçaj, Kadri Brahim Muçaj, Isuf Brahim Muçaj, Qamil Osman Muçaj, Zenel Rexhep Muçaj, Hazir Shaban Muçaj, Qazim Hazir Muçaj, Shabi Sadik Muça, Ramadan Kuklubeci, Rrahim Sallah Trakalaçi, Ali Sallah Trakalaçi, Hebib Ali Trakalaçi, Aziz Avdyl Trakalaçi, Rrustem Veli Trakalaçi, Faik Aziz Trakalaçi, Abaz Sallah Trakalaçi, Veli Abaz Trakalaçi, Shaban Veli Trakalaçi, Hysen Abaz Trakalaçi, Misin Luzha (mysafir, fshati Mogillë), Shefki Qerimi (mysafir, fshati Ballancë) dhe Tahir Musliu (mysafir, fshati Ballancë).
Në situatën e krijuar një numër familjesh shqiptare lanë tokë e shtëpi dhe me plaçka në shpinë ia mësynë rrugës për Turqi. Zakonisht shkonin në Shkup, prej nga me muaj prisnin rastin e volitshëm për të gjetur vend në tren për Selanik, e prej andej me anije për Turqi. Kjo ka vazhduar deri në verën e vitit 1914 kur kemi mbylljen e rrugës që qonte drejt lindjes për shkak të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore.
Fshati Smirë, shtrihet në pjesën jugperëndimore të komunës së Vitisë, ka një lartësi mbi detare 510-560 m dhe i përket fshatrave kodrinore-malore. Nëpërmes kalon lumi, i cili ka burimin në malet e Smirës dhe është një degë e rëndësishme e lumit Morava. Fshati Smirë ka pozitë gjeostrategjike dhe për këtë, gjatë historisë u zhvilluan ngjarje të rëndësishme në të gjitha periudhat e kohës.
Lokaliteti i këtij vendbanimi është mjaft i pasur edhe me dëshmi arkeologjike nga antika, mesjeta, por edhe më vonë. Në dokumentet e shkruara përmendet në kartën e mbretit Millutin rreth vitit 1305. Në defterin kadastral osman të Kazasë së Novobërdës me emrin Smira është regjistruar si vendbanim me 79 kryefamiljarë, të veja, beqarë dhe bashtina, pastaj në defterin e Sanxhakut të Vushtrrisë të vitit 1566-74 ishin të regjistruar 37 shtëpi e 17 beqarë.



Serbia e parë 


Kryengritjet shqiptare filluar pas Kongresit të Berlinit 

Me emrin Smirqa është regjistruar në Sallnamet e Vilajetit të Kosovës të vitit 1893, 1896 dhe të vitit 1900. Në të jetonte popullsia shqiptare vendëse. Pas dëbimit të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit në vitin 1877 /1878, në ngastrën e këtij fshati, sidomos në vendin Drobesh, gjetën strehim disa familje muhaxhire shqiptare, por ato në vitin 1913/1914 kanë migruar në Turqi.
Në gjysmën e parë të shekullit XIX nga pushteti osman u dogj plotësisht fshati Smirë. Në vitin 1917 nga ushtria bullgare u vranë e u masakruan 21 veta. Prej vitit 1915 në fshat filluan të vendosën serbët, pastaj në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore u kolonizuan 13 familje kolone serbe e malazeze. Sipas shënimeve statistikore, në vitin 1913 kishte 635 banorë.
Kryengritjet shqiptare kishin filluar menjëherë pas Kongresit të Berlinit, e në veçanti më 1910 e deri më 1912. Kryengritjet shqiptare kundër Xhonturqve të vitit 1910, 1911 dhe 1912 zënë vend të rëndësishëm në historinë kombëtare. Kryengritjet e vitit 1910 në Grykën e Kaçanikut dhe Grykën e Caralevës, të udhëhequra nga kreshnikët: Idriz Seferi dhe Isa Boletini, treguan vendosmërinë e shqiptarëve për çlirim kombëtar.
Janë zhvilluar tri beteja të mëdha pas luftës së Kaçanikut si: Lufta në Drenogllavë, Lufta në Nikovc dhe lufta në malet e Smirës. Në këto luftëra u dalluan: Zukë Zuka, Sahit Gorani dhe Bajram Ahmeti, ku ushtonin malet nga tytat e tyre. Për organizimin e mirë të këtyre luftërave, flet edhe fakti se komanda osmane kishte angazhuar shumë ushtarë për ta shuar kryengritjen. Malet e Smirës sulmoheshin nga tri drejtime: Nga lindja sulmoi ushtria osmane që vinte nga Gryka e Konçulit, nga jugu erdhi ushtria osmane nga Shkupi nëpërmes maleve të Llokmës dhe nga ana e perëndimi sulmohej nga ushtria që vinte nga Ferizaj. Lufta u zhvillu te Kodra e Shatit, Livadhi i Isufit, Udha e Kuqe, Ara e Hanës etj. Në këto vende janë vrarë me qindra ushtarë osman dhe janë zënë rob 120 ushtarë, të cilët edhe janë burgosur në Xhaminë e Smirës. Në luftën e Smirës kanë marrë pjesë edhe luftëtarë nga fshatrat tjera të Moravës së Epërme, por barrën kryesore e bartnin smirakët, sepse në luftë morën pjesë i madh e i vogël. Në këtë betejë kanë ra dëshmor: Hajdar dhe Jashar Pajaziti. Në Smirë luftëtarëve të lirisë edhe në vjeshtën 1912 u prinin Zukë Zuka dhe Bajram Ahmeti, ndërsa në fshatin Gërmovë u printe Sahit Gorani. Këta tre luaj, të betuar për flamur dhe atdhe i dolën në pritë hordhive serbe në Ferizaj. Në luftën te Fusha e Varoshit morën pjesë me qindra smirak dhe gërmovas të shoqëruar edhe me vullnetarë të fshatrave tjera siç janë: Kabashi, Lubishta, Gjylekari, Pozherani, Remniku, Mogilla, Sllatina, Goshica, Vërbani, Tërsteniku, Sadovina etj. Më 24, 25 dhe 26 tetor 1912, luftëtarët e lirisë nga Morava e Epërme zhvilluan luftë të ashpër kundër njësiteve çetnike të Serbisë te Fusha e Varoshit afër Ferizajt. Në këtë fushëbetejë u bashkuan vullnetarët e luftës nga Morava e Epërme dhe vullnetarë nga rrethi i Kaçanikut dhe Neredimes. Në këtë luftë të pabarabartë, trimat e lirisë kishin bindjen dhe ishin betuar se “me shkaun duhet luftuar fytafyt”, se “shpina shkaut nuk bën t’i kthehet”.
Padyshim se Zuka, Sahiti dhe Bajrami këtu vepruan, luftuan burrërisht deri në fishekun e fundit kundër çetnikëve të Serbisë dhe në fushëbetejë mbetën me qindra çetnikë të vrarë e në mesin e tyre edhe dy oficerët e lartë, Bozhidar Jankoviqi dhe Urosheviqi. Në shenjë hakmarrje ushtria serbe masakroi me qindra veta në këto fshatra të Anamoravës. Në Smirë 83 veta, Goshicë 55 veta, Komogllavë 68 veta, Kabash 54 veta, Lubishtë 102 veta, Mogillë 20 veta, Terstenik 54, Vërban 20 veta etj. Në fshatin Smirë ushtria serbe ka hyrë prej Goshicës në Lagjen e Aliajve dhe ka vazhduar nëpër lagje tjera duke arrestuar njerëzit e pafajshëm dhe të gjithë i ka reshtur dhe i ka dërguar te vendi i Bjeshkallavës dhe në prrockë të saj i ka rreshtuar e nga distanca i ka pushkatuar dhe pastaj ju kanë afruar secilit e i kanë shpërthyer me bajoneta që asnjë mos të mbetet i gjallë. Prej këtyre 83 vetave katër kanë qenë mysafir, kurse të tjerë smirak, prej tyre kanë shpëtuar Mustafë Ramadani dhe Hazir Beqiri që me shumë plagë janë shëruar. Në Bjeshkallavë janë pushkatuar: Ramadan Sallahu, Shefki Salihu, Tahir Bajrami, Sylë Salihu, Misin Salihu, Sejdi Selimi, Hamit Sadiku, Avdi Avdiu, Daut Avdiu, Hazir Beqiri-me shtatë plagë shpëtoi, Shaban Bajrami, Metush Bajrami, Rrahman Pajaziti, Sadik Pajaziti, Ibish Ajeti, Rexhep Ajeti, Habib Ajeti, Adil Shabani, Sufi Shabani, Rashit Shabani, Miftar Shabani, Ismajl Ramadani, Ramë Sallahu, Zeqir Fejzullahu, Osman Fejzullahu, Musli Fejzullahu, Bajram Ukshini, Metush Sejfullahu, Nezir Sejfullahu, Sherif Syla, Zeqir Ajeti, Nezir Ajeti, Ismajl Ajeti, Haki Ajeti, Shaban Sherif-Hita, Adem Sherifi, Nezir Sherifi, Hazir Bajrami. Vehbi Bajrami, Mehmet Idrizi, Qazim Idrizi, MullaRamadan Fejzullahu, Halit Neziri, Mustafë-Tafë Ramadani me nëntë plagë shpëtoi, Ajet Emini, Isuf Shabani, Hafiz Asllani, Hamit Sylejmani, Riza Sadiku, Mulla Jashar Zeqiri, mysafir nate nga Sojeva, Halit Haliti me djalin, Zejnë Haliti-lagja Aliçkaj, Ismajl Ukshini, Ismajl Avdiu.
Në mesin e 83 të pushkatuarve, 29 nuk ka arritur t’i ruajë kujtesa popullore, ku nga të pushkatuarit, si mysafirë atë natë ishin 4 shqiptarë nga Anamorava. Kështu, që të mos na përsëritet historia, duhet të ruhet dhe kultivohet ndër breza, kujtesa dhe shkrimi i historisë. Lubishta shtrihet në një luginë, rreth 8 km në juglindje të Vitisë, është vendbanim i tipit të grumbulluar.
Në verilindje të fshatit ka ekzistuar një kështjellë-Gradinë që dëshmon për ekzistimin e këtijë vendbanimi që nga lashtësia. Në mes të fshatrave Lubishtë e Shashare, ku sot janë livadhe janë gjetur tjegulla, tulla, thëngjij të djegur etj, që dëshmojnë se ajo pjesë ishte e banuar. Në një gur në varrezat e fshatit figuron numri 1721, ku mund të konstatojmë se familja e parë u vendos para 300 vjetëve.
Në vitet 1877 /1878 këtu u vendosën disa familje muhaxhire shqiptare nga Sanxhaku i Nishit, por pas vitit 1913 ato migruan në Turqi, ku nga familjet muhaxhire kanë mbetur Tërnovcët. Në shënimet statistikore Lubishta në vitin 1913 kishte 620 banorë. Fshati Lubishtë ishte çerdhe e fortë e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe gjithnjë frymonte në lëvizjen kaçake në Karadak. Në këtë fshat osmanët paten ngritur e fortifikuar infrastrukturë të fortë ushtarake. Ajo u ngrit nga nevoja dhe pasiguria që ndienin nga sulmet e kryengritësve shqiptarë gjatë viteve 1908-1912, meqë nëpër Lubishtë kalonin rrugët e karvanëve tregtarë që shpinin në dy drejtime, njëra nëpër Kopilaqë-Bilaq- Kurrizi i Kopilaqës-Porta e Kopilaqës dhe në drejtim të Shkupit, ndërsa ana tjetër e kundërt e kësaj rruge, hynte e dilte nga Lubishta që drejtohej nga fshatrat Goshicë, Bellanoc, Sllupqan e hynte në Kumanovë.
Në këtë mënyrë Porta e Lartë u mundua të vinte nën kontroll shqiptarët e padëgjueshëm, ku shumë krerë e luftëtarë antiosman u detyruan të bënin jetë kaçake në Kopilaqë - Majë të Madhe. Pas largimit të ushtrisë osmane, në këto anë të Karadakut hynë forcat e Aradhes IV çetnike, të komanduara nga Bozhin Simiq. Duhet cekur se fshatrat në fqinjësi me Lubishtën ishin Vërboci, Podgorci, Gërnçari, që ishin të banuara me kolonë serb, ku me ardhjen e Aradhes së IV çetnike ata u regjistruan në radhët e saj.
Ngjarjet e viteve 1911-1912 padyshim që i mbanin në kujtesën e tyre çetnikët si Dan Gusha nga Vërboci, Millan Dura nga Podgorci, Spasoje Vukiq, ku këta i dinin emrat e veprimtarëve trima të Lubishtës e të Karadakut. Të trimëruar nga Aradha e IV serbët çetnik ia mësyn Lubishtës, ku kërkohej njëri nga krerët e Lubishtes dhe anëtarë i parisë së Lëvizjes Kombëtare Shqiptare Selman Lubishta, i cili tani veç kuptohej se kishte filluar ndjekja masive e trimave të Lubishtës e Karadakut. Çetnikët vullnetarë (kolonët) në njësitin e Aradhes së IV nga fshatrat fqinje të Lubishtës të prirë nga Dan Gusha, Millan Dura, Spasoje Vukiqi kishin sjellje barbare, fillimisht duke bërë provokime ndaj popullatës. Si rezultat i veprimeve të egra ndaj popullatës së Lubishtës në kalim e sipër për në fshatin Brest, Selman Lubishta me shokë e vrasin Dan Gushën.
Si kundërpërgjigjeje pas vrasjes së Dan Gushës, kapiteni Bozhin Simiq ka kërkuar vullnetarë në fshatrat Partesh, Budrikë, Pasjan, Vërboc, Podgorc, Gërnçar dhe rrethoi Lubishtën. Këtë mobilizim të çetnikëve e vërejtën lubishtasit, sepse dëgjoheshin zërat e çetnikëve serb në rrethim e sipër meqë disa ishin nën ndikimin e alkoolit, kështu që banorët strehoheshin në pyllin e afërt, në kodër të Duhanit, te Bleta e Mustafës dhe te Kroi i Rrahimës.
Në fshat kishin mbetur 36 kryefamiljarë, ku i morën dhe i dërguan në drejtim të Mejtepit. Në pyetjet se ku po i dërgonin, çetnikët ju përgjigjen për të dhënë deklarata në Zyrën e Vërbocit. Shumë shpejt u vërejtë mashtrimi, meqë gjatë rrugëtimit menjëherë u bë devijimi i rrugës. Pasi e kuptuan qëllimin, lubishtasit filluan qëndresën e tyre, ku në atë kacafytje për jetë a vdekje nga turma e 36 lubishtasëve një pjesë e tyre arritën tu ikin çetnikëve serbë, Kurse 20 prej tyre ishin me tytat e pushkëve në kokë, ku edhe filloi ploja dhe u pushkatuan 18 lubishtas. Në mesin e tyre u gjendën edhe dy, të cilët shpëtuan dhe dolën duke hequr trupat e bashkëfshatarëve të tyre vetëm atëherë kur gjakatarët çetnik kishin ikur nga vendi i krimit. Ku në kujtesën e popullit janë ruajtur emrat e të pushkatuarëve: Ibish Veliu- anëtarë i kreut të Lubishtës të Lëvizjës Kombëtare Shqiptare, Elez Ajvazi, Ibishi i Beqirit, Idrizi i Sallahut, Bajrami i Sallahut, Hajdari i Ukës, Dalipi Zeqirit, Haradini i Ukës, Shahini i Sejdës, Ajeti i Eminit, Hasani i Emërllahut, Ahmeti i Selmanit, Shabani i Hafizit, Baftiari i Kadriut, Ahmeti i Bajramit, Sadiku i Bajramit, Saqipi i Ademit dhe Shema i Limanit.
Është me rëndësi të përmendet se në fshatin Terstenik shpëtuan të gjallë vetëm fëmijët meshkuj nën moshën 18 vjeçare dhe ndonjë burrë që nuk kishte qenë në shtëpi në momentin e pushkatimit. Pas kësaj masakre, në fshatin Terstenik, mbetën vetëm femrat dhe fëmijët meshkuj deri në moshën 16 vjeçe.
Gratë të moshuara me përvojë, i kanë bartur kufomat me çka kanë mundur me qerre dhe me qe, i kanë vendosur brenda në xhami. Pas tri ditësh që të gjithë i kanë varrosur me dërrasa të dyshemesë së xhamisë në varrezat e fshatit te xhamia e vjetër, e cila ishte e ndërtuar katër vite para masakrës.
Në gazetën londineze “Daily Telegraph” u botua korrespondenca nga Vjena për masakrat në fshatrat e Moravës së Epërme, tani Komuna e Vitisë si Shashare e Letnicë të banuara me kroat të besimit katolik, pastaj Vërban, Lubishtë, Sefer, Gjylekarë, Selishtë, Koliq të Moravës së Epërme, Tërpezë, Smirë, Tërstenik, Kabash.
Pushtuesit serbë në Kosovë, në dokumentet e tyre nuk përmendin askund masakrat dhe terrorin e bërë ndaj shqiptarëve, por ka dëshmi të shumta nga autorët e huaj, reporterët e gazetave, shënime nga letrat edhe të ushtarëve serbë, por mbi të gjitha vlejnë dëshmitë e vet popullit shqiptar të përcjella brez pas brezi deri në ditët e sotme.
Zyrtarët serbë, pushtimin e Kosovës e quanin si “luftë çlirimtare”, por ajo në të vërtetë për popullin shqiptar ishte një pushtues i egër, i cili bëri një gjenocid të vërtetë mbi popullin e pafajshëm shqiptar. Sundimi serb gjatë viteve 1912 deri në vitin 1915 në popull njihet si Serbia e parë dhe është një ndër periudhat më të rënda për popullin shqiptar të Tërstenikut dhe asaj më gjerë. Qëllimi i udhëheqjes shtetërore, ushtarake dhe intelektuale ishte që populli shqiptar në Kosovë të asgjësohet me metoda të përpunuara-me politikë të një etnocidi, me qëllim që ti krijohet hapësirë për zgjerimin territorial dhe etnik të popullit Serb.
Pushtuesit serbë propagandonin se në “Serbinë e vjetër”-Kosovën, me ushtri do t’u sjellin shqiptarëve të krishterë e muhamedan “të gjitha liritë, vëllazërimin dhe barazinë”.
Një popull me plot karakter, para gjithë botës po gozhdohet, e kjo Evropë e krishterë, Evropa e qytetëruar për këtë po hesht. Dhjetëra mijëra njerëz, të pambrojtur masakrohen, femrat çnjerëzohen, pleqtë e fëmijët mbyten, qindra fshatra digjen, priftërinjtë therën dhe Evropa heshtë.

Masakrat serbe në Anamoravë 


Kryengritjet shqiptare filluar pas Kongresit të Berlinit 

Fshati shtrihet rreth 7 km në jugperëndim të Vitisë, është vendbanim fushor i tipit të grumbulluar me lartësinë mbidetare prej 520-570 m. Bën pjesë në vendbanimet më të vjetra dardane. Këtë e dëshmon lokaliteti “Gradina” që gjendet në pjesën lindore të fshatit. Supozohet se ka ekzistuar edhe një municipum. Ky municipum duket të ketë qenë Lubutza, të cilin e përmend Prokopi në shek. VI.
Në dokumentet e shkruara përmendet në defterin kadastral osman të Sanxhakut të Vushtrrisë të vitit 1566-74 dhe kishte 19 shtëpi e 4 beqarë. E hasim të regjistruar edhe në një hartë austriake të vitit 1689 me emrin Grçica, kurse ishte e regjistruar me emrin Gushica në sallnamet e Vilajetit të Kosovës të vitit 1893 (1311 h), 1896 (1314h) dhe të vitit 1900 (1318 h). Pas dëbimit të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit në vitin 1877/1878, këtu u vendosën këto vëllazëri me disa shtëpi muhaxhirë shqiptarë nga treva e Toplicës si Pllanalitë, Dushollovcët dhe Prestreshët. Pas okupimit nga ushtria serbe 1912 u vranë 55 shqiptarë. Në këtë vendbanim shqiptar, nga viti 1904 filluan të vendosën kolonë serbë të ardhur nga trevat e Vranjës, Medvegjës, Jabllanicës etj. Kurse pas vitit 1922 kemi vendosjen e kolonëve ku u arrit numri prej 40 familje kolone sllave.
Sipas shënimeve statistikore në vitin 1913 Goshica kishte 294 banorë. Pas masakrave që bënë në fshatrat Sojevë, Tërstenik, tani hynë në fshatin Goshicë. Kreu i parisë së Lëvizjes Kombëtare Shqiptare Fetah Agë Goshica, i tuboi fshatarët e fjalës dhe nga ata kërkoi që të jenë të kujdesshëm. Ai kishte përvojë nga pushtuesit osman, kishte qenë në qëndresë kundër serbëve në Sazli e Sojevë. Tani ju propozoi banorëve në rend të parë të shpëtojnë familjet. Në kalimin e parë të ushtrisë serbe kaluan pa probleme të mëdha, por kur arriti njësiti tjetër çetnik, ku lidhi meshkujt me duart pas shpine, dhe i dërguan në livadhet e Hashanëve, vend ku pas vitit 1912 administrata serbe e emëroi “Voçnik”, ndërsa fshatarët këtë vende njohin me emrin uji i njelmët në radhë u pushkatuan 55 shqiptarë të lidhur krah për krah.
Sipas kujtesës popullore të pushkatuar në Goshicë ishin: Fetah Aga, i cili la një djalë Zeqirin, Musli Zeqiri, la djalin Avdiun, Nuhi Zeqiri, la vajzën Ramizen, Ibish Zeqiri, la djalin Nuhiun, Nuhi Ibish Zeqiri, la djalin Ibushin, Xheladin Halit Neziri, Nezir Halit Neziri, Musli Nezir Neziri, Isuf Braha, Rexhep Dervishi, la djalin Bejtullahun, Adem Sadiku, la djalin Ramën, Jashar Bela, la djalin Shukriun, Bafti Zejnullahu, shpëtoi gjallë me nëntë plagë, Sherif Bafti Zejnullahu, shpëtoi gjallë me plagë, Haki Maliqi, 22 vjet, la Haxhën, të cilin serbët e humbën në Gjilan në vitin 1945, Fazli Maliqi, la djalin Metushin, Hajrullah Maliqi, la djalin Ademin, Sahit Azemit iu shua familja, Haxhi Tahiri, la djalin Beqirin, Ajet Goxhufi, la djalin Kamerin, Idriz Sejda, iu fik oxhaku, Ramë Shabani, Rexhep Biçeci nga fshati Biçec ishte mysafir, Sadri Bitia nga fshati Biti, ishte mysafir, një mysafir nga Sodovina Muhaxherëve (që të tre mysafirë të Fetah Agës), Fazli Rexhepi, Osman..., Rashit Mustafa, la djalin Ramën, Liman Hasan Osmani, 25 vjeç, Noja (Stojani) nga Mogilla rrogëtar i Fetah Agës, Cvetku…, nga Vitia, rrogëtar i Fetah Agës.
Për masakrat në fshatrat e Moravës së Epërme, hasim shkrimet nga gazetarët, korrespondentët e huaj të pakët, të cilët për ushtrinë dhe bandat çetnike ishin të padëshirueshëm. Shtrihet rreth 4 km në verilindje të Vitisë. Është vendbanim fushor i tipit të grumbulluar. Në dokumentacionet e shkruara, përmendet në librin e borxhlinjve të Mikel Llukarit në vitin 1436. Me emrin Mugila, në kuadër të Nahisë së Karatunlisë (Karadakut) është regjistruar si vendbanim me 80 familje, beqarë, të veja dhe bashtina.
Përmendet në defterin kadastral osman të Sanxhakut të Vushtrrisë të vitit 1566-74 dhe kishte 52 shtëpi e 16 beqarë. Po ashtu, edhe në regjistrin e Manastirit të Deviqit përmenden banorët e këtij vendbanimi në vitin 1764. Me këtë emër e hasim në sallnamet e Vilajetit të Kosovës në vitet 1893, 1896, 1900. Pas dëbimit të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit në vitin 1878 këtu u vendos familja muhaxhire Pllavci me disa shtëpi shqiptare muhaxhire. Në periudhën në mes dy luftërave botërore, ky vendbanim u kolonizua nga 21 familje kolone serbe e malazeze. Në bazë të statistikave në vitin 1913 kishte 760 banorë.
Sikur fshatrave tjera edhe fshatit Mogillë tragjedia i vinte nga bandat serbo-çetnike të shfrenuara pas masakrës së Lubishtës. Gjatë sundimit osman Dan Gusha, përcillte rregullisht lëvizjet dhe veprimtarinë e mogillasve, ku një vëmendje të veçantë e kishte ndaj Zenë Lubishtës, Xhemë Mugillës, Muharrem Trenajt, Jetullah Ademit etj. Ky priste ndrrimin e pushtetit për tu hakmarrë. Këta çetnikë trimëronin kolonët serbë të Anamoravës për masakra të reja.
Kështu e sulmuan fshatin kolonët dhe ushtarët serb, ku i lidhën dorë për dore 20 burra dhe i dërguan në “Rrash” për t’i pushkatuar nën shoqërimin e vajit dhe gjëmave të nënave grave dhe motrave të tyre. Këta u pushkatuan nga çetnikët e pamëshirshëm. Në kujtesën popullit kanë mbetur këta emra: Beqir Rexhep Xhemaj, Aziz Rexhep Xhemaj, Idriz Rexhep Xhemaj, Hetem Adem Ademi, Halim Hetem Ademi, Hyd Adem Ademi, Shaban Sherif Tafaj, Bajram Sherif Tafaj, Ahmet Trenaj dhe i biri, Feriz Ahmet Trenaj, Lahë Arif Trenaj, Ramë Lahë Trenaj, Brahim Deli Koci, u vra në fshatin Trenaj dhe u soll në Rash, Dil Budaj (Dili ishte ndërtues i një ure, sot Ura e Dilit), Hysen Emin Tërpeza.
Kolonët mogillas të pakënaqur me plojën e Rashit, filluan ofensivën ndëshkuese në janar 1913 me krisma në popull dhe zbrazën fshatin. Në të gjitha aksionet dhe masakrat serbe ishte një skenarë barbarë që me ç’do kusht të terrorizonte popullsinë shqiptare e synimi ishte eliminimi fizikë dhe shpërngulja e tyre.

Masakra e Vërbanit

Shtrihet në jugperëndim të Vitisë në një largësi rreth 8 km. Është vendbanim që shtrihet rrëzë malit në kodrina. Në dokumentet e shkruara përmendet në regjistrin Kadastral të Vilajetit Vëllk të vitit 1455. Ky vendbanim kishte 60 shtëpi, 5 beqarë dhe 2 të veja. Në defterin kadastral osman të Sanxhakut të Vushtrrisë të vitit 1566-74 me emrin Virban kishte 8 shtëpi e 5 beqarë. Kurse në një hartë austriake është regjistruar në vitin 1689 me emrin Vrbana. Me këtë emër ishte regjistruar si vendbanim në sallnamen e Vilajetit të Kosovës të vitit 1893 (1311 h), të vitit 1896 (1314 h), dhe 1900 (1318 h).
Nga familjet shqiptare të dëbuar nga Sanxhaku i Nishit, këtu u vendos familja Kodrali. Pas vitit 1912 disa familje shqiptare migrojnë në Turqi. Sipas shënimeve statistikore Vërbani në vitin 1913 kishte 490 banorë. Gjatë historisë ky fshat kishte pësuar mjaft.
Gjatë kryengritjes shqiptare të vitit 1910 kundër sundimit osman janë vrarë disa banorë të këtij fshati dhe pastaj janë djegur disa shtëpi. Në vitin 1912 ushtria serbe masakroi popullatën e fshatit duke vrarë 20 banorë të tij. Në kujtesën e popullit janë ruajtur emrat e këtyre të pushkatuarve: Bella Muhaxhiri, Shaqir Muhaxhiri, …. Kurti, Deli Fetah Jashari, Jakup Ahmet Jashari, Ramadan Ahmet Jashari, Imer Halit Jashari, Xhafer Halit Jashari, Kamer Halil Jashari, Mersel Latifi me një vëlla, ….. Latifi, Imer Jashari, Xhafer Jashari.
Mbi këto masakra në Moravën e Epërme e në Vërban po ashtu, në librin e tij, austriaku Leo Freundlich me titullin “Golgota shqiptare” saktëson se u vranë 20 shqiptarë në mënyrën më të vrazhdët. Të njëjtin fakt na e jep edhe Gjergj Gashi në librin e tij Kosova, ku shkruan se gjatë tmerreve të luftërave ballkanike, kryqëzatave për ndarjen e territoreve dhe shfarosjen e popullit arbër, në Vërban u vranë 20 shqiptarë. Shumë nga varrezat masive (mbi 350 viktima) të vitit 1912/1913 në komunën e Vitisë nuk janë shënuar. Njerëzit e përgjegjshëm, të mirë, duhet të ndërhyjnë një orë e më parë. Të shënohen këto vende të plojës dhe nga gjaku i derdhur, të shkruhet historia e të pushkatuarve, t’i tregojmë vetes, gjeneratave, botës, se masakrat, plojat mbi shqiptarët janë të hershme që nga periudha e ngritjes së shtetit serb.




Fundi i luftërave ballkanike 


Luftërat ballkanike ishin të përgjakshme dhe të kushtueshme 

Periudha më e vështirë dhe më e përgjakshme, pothuajse gjatë gjithë historisë së popullit shqiptar të kësaj ane, ishte e viteve 1912-1915, që në pjesën e popullit dhe territoreve të pushtuara njihet si kohë e sundimit të Serbisë së parë. Mu atëherë kur dukej se do të agonte liria, në vjeshtën e vitit 1912 tokat shqiptare i përfshiu shtrëngata e Luftës së Parë Ballkanike që ishte shkatërrimtare. Fundi i luftërave ballkanike shpuri në përfundime të mëdha. E tërhequr përsëri në kryeqytetin e saj të vjetër, Adrionopojën, Perandoria Osmane u largua nga Evropa dhe nuk ishte më fuqi evropiane. Luftërat ballkanike ishin të përgjakshme dhe të kushtueshme.
Gjatë dhjetë javë luftimesh, gjashtë javë Lufta e Parë Ballkanike dhe katër javë Lufta e Dytë Ballkanike, u vranë rreth 200. 000 luftëtarë, pa llogaritur civilët, përveç dhjetëra mijëra viktima të kolerës, tifos e dizenterisë. Vetëm pena e Dantes mund ta përshkruaj me saktësi udhën që vjen nga Lozengradi, vetëm talenti i tij i mistershëm do të ishte në gjendje të rikrijonte të gjitha tmerret e moçalishteve të akullta, mbi vijat dhe llumin e të cilave ngrihen trupat e gjymtuara dhe të copëtuara të të rënëve shkruante Leon Trocki.
Traktati i Shën Stefanit e zgjeroi ndikimin e Rusisë në Ballkan në thellësi e sidomos në drejtim të Egjeut. Ky ndikim i jepte mundësi Rusisë të zotëronte Ballkanin e të dilte në brigjet e Detit Egje- Mesdhe, gjë që ishte e papranueshme si për Austro-Hungarinë ashtu dhe për Britaninë. Për atë u bë, thirrja e Kongresit të Berlinit që pos tjerash kishte si qëllim vendosjen e ekuilibrit midis dy fuqive në rajon: Austro-Hungarisë dhe Rusisë. Duhet të theksojmë se përmasat tragjike dhe tonet dramatike të këtyre ngjarjeve në Ballkan kanë zanafillë të hershme. Ato filluan të marrin jetë të paktën që prej fillimit të shekullit të XIX, e të prira më pas nga mitet dhe legjendat e së kaluarës: Bullgaria e Madhe, Serbia e Madhe, Rumania e Madhe, miti Pan Helenik, Mali i Zi i Madh, që ndikuan në trajtat e nacionalizmit tejet agresiv gjë që pasuan hakmarrje dhe konflikte të tmerrshme.
Mbi këtë pikë thurën tragjedi dhe ngjarje që nisin që nga shekulli XIX dhe prodhojnë edhe sot efektet e tyre negative. Si rezultat i Luftës se Dytë Ballkanike u bë një shpërndarje e re forcash në gadishull. Rumania u shkëput nga Aleanca Qendrore e formuar më 1879 dhe u afrua me Antantën, kurse Bullgaria u lidh me Bllokun Qendror austro-gjerman. Luftërat ballkanike çuan në një acarim të mëtejshëm të kontradiktave midis popujve, duke shpejtuar kështu fillimin e Luftës së Parë Botërore. Dhe, megjithëse ato (luftërat ballkanike) shiheshin si shkak i përshpejtimit të Luftës së Parë Botërore, unë pajtohem me thënien: “Megjithëse së paku teknikisht është e padiskutueshme se fuqia për shkëndijën e barutit për Luftën e Parë Botërore erdhi nga Ballkani, shumë të rrallë janë ata historianë, që do të pretendonin se aty qëndronte shkaku”.
Para, faktori më i rëndësishëm, ashtu siç u vërejt edhe në luftërat e fundit në Ballkan, ishte nacionalizmi agresiv, një nacionalizëm me nuanca të prirjeve fisnore, duke e parë kundërshtarin politiko- ushtarak si një armik të frikshëm e të pandreqshëm.
Shpesh çdo arsyetim me qeveritë përkatëse ndeshet në një mur të shurdhët. “Megalomania e idealit kombëtar” nuk linte shteg as për arsyetim e as për kompromise. Sidoqoftë në të dyja luftërat përleshjet ishin tejet të përgjakshme. Dhe sado e lavdishme të paraqitet kjo luftë, lufta e Perandorisë Osmane dhe e aleatëve ballkanik nuk është gjë tjetër veçse një kapitull i mbushur me tmerr. Si histori lufte, pasojat dhe rezultatet morale janë të tmerrshme. Kombet që kishin qenë në aleancë dhe që i ishin drejtuar zotit t’i çlironte, papritmas filluan ta urrenin njëri tjetrin për vdekje. Urrejtja dhe mëria kombëtare, dyshimi i ndërsjellët mjaftonin për ta filluar dhe për ta çuar më tej luftën më brutale dhe më të kotë të kohës. Ata që luftuan krah për krah në Adrianopojë tani janë gati të vrasin dhe të torturojnë. Fundi i luftërave ballkanike përbën periudhë të shkurtër kohore, por shumë të ngjeshur me ngjarje të rëndësisë historike, por dhe tragjike për çështjen kombëtare shqiptare. Është heroike se shpallet pavarësia e Shqipërisë si ngjarje më madhe në historinë e kombit shqiptar. Ajo njëherësh është tragjike, se nga kjo kohë fillon shkelja më flagrante e të drejtat njerëzore e kombëtare për më tepër se gjysmën e popullit në trevat e shumta që mbetën jashtë shtetit të shpallur në Vlorë. Për pjesën e mbetur jashtë Shqipërisë është periudha më e kobshme, reflektimi i së cilës u përcjellë mbi gjenerata të tëra, të cilat mbetën nën robërinë serbomadhe dhe megalomaninë greke. Kështu, në këtë pjesë të Shqipërisë së robëruar, ushtarët dhe paramilitarët serbo-malazezë kryen krime, që Evropa nuk i kishte parë e dëgjuar që prej kohës së depërtimit të hunëve, vandalëve, avarëve dhe Xhingis Kanit. Mirëpo as mizoritë më të tmerrshme nuk ia dolën ta zhbëjnë këtë racë të fortë.
Meqë, Kosova, kjo tokë shqiptare u dënua prej Fuqive të Mëdha të mbajë në kurriz, një zgjedhë të re shumë më gjakpirëse se sa e përparshmja - zgjedhën militariste serbomadhe. Bazuar në zhvillimet dhe gjenocidin e ushtruar ndaj shqiptarëve nga serbo-malazezët, fitohet përshtypja siç thuhet se populli shqiptar i Kosovës, ishte populli më i guximshëm në botë. Me ndihmën e Rusisë Serbia dhe Mali i Zi, i krijuan kufijtë kolonialë me krime të papara mbi shqiptarët.
Pas shqyrtimit të materialeve e fakteve të shumta ne bindemi se disa nga shkaqet kryesore të rënies së shpejtë të territoreve shqiptare nën okupimin shteteve fqinjë ishin: Populli shqiptar, i vetmuar dhe pa asnjë ndihmë, ishte i dërrmuar rëndë në luftëra me një shtet të madh prej dhjetëra milionësh banorë dhe për shkak të urrejtjes shekullore të grumbulluar ndaj osmanëve, nuk mund të shmangej ajo mëri menjëherë në një periudhë një apo dy mujore, që mund të mundësonte një bllok shqiptaro-osman që, gjithsesi në perspektivën historike do të ishte vetëvrasje për shqiptarët. Në atë kahe duhet të pranojmë se synimet e shteteve të pabesa ballkanike u ndihmua nga një gjendje e tillë e shoqërisë shqiptare të asaj kohe.
Të gjithë ishin kundër shqiptarëve dhe asokohe mbetën pa asnjë aleatë në Ballkan dhe pa ndihmë të ndonjë Fuqie të Madhe. Prandaj pushtimi otoman pesë shekullor kishte konservuar konservatorizmin mesjetar, ruralizmin e shoqërisë shqiptare, mbajtje në frenim të çdo prirje për ringritje kulturore dhe civilizuese të shoqërisë në tërësi.
Fuqitë e Mëdha në këtë mënyrë, në vend që t’i hapnin poret jetësore një kombi në rrugën e tij për ripërtëritje qytetare dhe evropiane, e cunguan atë territorialisht, i këputën arteriet kryesore dhe ushqyen faktorët që bëjnë lehtësisht të manipulueshëm dhe të kontrollueshëm një popull të penguar historikisht në rrugën e tij të zhvillimit. Sulmi i menjëhershëm nga të gjitha drejtimet kryesore të territorit shqiptar i ushtrive të katër shteteve ballkanike, ishte i pamundur të përballohej nga luftëtarët shqiptarë. Shqiptarët nuk e kishin ende shtetin e tyre, çfarë e vështirësonte jo vetëm organizimin dhe mbështetjen e duhur të luftëtarëve, megjithëse si atdhetarë të devotshëm bënë luftë heroike dhe qëndresë të admirueshme ushtrive të aleancës në të gjitha drejtimet e depërtimit të tyre, ku ishte lakmia dhe vendosmëria e tyre “për të çliruar” bashkëkombësit e vet të shoqëruar me etjen për territore. Dhe, siç vënë në dukje disa studiues, pas krijimit të shteteve të reja, ata ishin pa përvojë luftarake. Shumica e popullsisë ishin fshatarë joaktiv, indiferent dhe jo të mësuar me luftën.
Luftëtarët e vërtetë dikur ndër popujt e Ballkanit kishin qenë shqiptarët. Mirëpo, bullgarët, serbët e malazezët arritën të krijonin një traditë luftarake, duke u nisur nga hiçi, falë drejtimit me sukses të burimeve ekonomike e arsimore në dobi të ushtrisë në periudhën e shtet ndërtimit dyzetvjeçar. Propaganda e pareshtur e shteteve fqinje e shoqëruar me kërcënime, masakra, shantazhe, premtime të rrejshme, derdhja e shumave të mëdha të parave dhe korruptimi i disa individëve ndikoi në topitjen e tyre kombëtare. Përkrahja dhe mbështetja që patën katër shtetet ballkanike nga Fuqitë e Mëdha, në radhë të parë nga Rusia, Franca, Anglia dhe qëndrimi i tyre mohues ndaj çështjes kombëtare shqiptare.
Në krahasim me periudhën para luftërave ballkanike, ndryshimet territoriale dhe demografike, pas Paqes së Bukureshtit, më 9 gusht 1913, të shprehura në % ishin: Bullgaria fitoi 29 % territor dhe 3% popullsi më shumë, Greqia 68% territor dhe 67% popullsi më shumë, Mali i Zi 62% territor dhe 100% popullsi më shumë, Serbia 82% më shumë territor dhe 55% më shumë popullsi. Dhe sipas gazetës “Obzor”, 24, XII. 1913, Zagreb shkruan: Serbia nga luftërat ballkanike zmadhohet gati dyfish në pikëpamje territoriale. Ajo i afrohet Detit Egje dhe Detit Adriatik, fiton krahina të pëlleshme, kufij të përbashkët me Malin e Zi, sigurim të lirë të transportit në Selanik etj. Para luftërave ballkanike kishte 48. 803 km katror dhe 2. 911. 701 banorë (diku rreth 2. 700. 000 banorë), kurse pas luftërave ballkanike 87. 358 km katror me 4. 393. 315 banorë.
Faktikisht në këto luftëra harta e katër vendeve ballkanike u ndryshua në mënyrë rrënjësore në dobi të tyre, por dëm të madh pësoi çështja shqiptare, duke iu përgjysmuar populli dhe territori historik mijëravjeçar në Ballkan. Kështu që pjesa më e madhe e popullit shqiptar gjatë luftërave ballkanike pësoi zhgënjime të hidhura. Zgjidhjet e gabuara për Shqipërinë e pas luftërave ballkanike krijuan pasoja tragjike që u ndjenë në copëtimin e mundshëm të integrimeve sociale, kulturore, ekonomike, arsimore, të komunikimeve dhe të raporteve me fqinjët dhe me botën të ndërtuara me shekuj: reduktimi i kapaciteteve shpirtërore e materiale të këtij populli; izolimin dhe zvogëlimin e peshës së përgjithshme të shtetit shqiptar në Ballkan; kufirin më të pakalueshëm në Evropë midis dy pjesëve të një populli e me tragjedi të panumërta familjare; zëvendësimin e një robërie (të Perandorisë Osmane) me një tjetër për më se gjysmën e popullit; gangrenizimin e një raporti tipik kolonial në mes të Evropës; destabilizimin permanent politik e ushtarak të rajonit. Pasojat e drejtpërdrejta të këtyre padrejtësive, natyrisht nuk të çonin tjetër, veçse në varfërim ekonomik të rajoneve të tëra malore shqiptare si rezultat i ndërprerjeve të marrëdhënieve tradicionale, ruajtja e konservatorizmit gjysmë-mesjetarë edhe më tej në epokën moderne, mbajtja konstante e pasigurisë së brendshme politike në shtetin e ri shqiptar, dobësimi i mëtejshëm i tendencave kulturore evropiane brenda kombit shqiptar, një Ballkan Perëndimor të destabilizuar për një kohë të gjatë.
Dihet se trajtimi i problemit të kufirit shqiptar nuk u mbështet në konsiderata etnografike, historike, ekonomike etj., por u bë nga Fuqitë e Mëdha nën prizmin e “ruajtjes së ekuilibrave të paqes në rajon e më gjerë”, apo më saktë në mosprishjen e “Koncertit Evropian”. Në këtë këndvështrim, diplomacia e Fuqive të Mëdha kërkonte të shmang Luftën e Madhe, gjë që nuk u shmang dot. Kjo tragjedi me territoret shqiptare ndodhte kur ekzistonin raporte historiko-etnografike e memorandume jo vetëm nga përfaqësues elitar nga kombi shqiptar si Konica etj., por dhe nga personalitete të paanshme botërore, të cilët argumentonin historikisht përbërjen kompakte etnike dhe origjinën historike të pandërprerë të popullit shqiptar. Kështu, në memorandumin e dërguar nga misionari amerikan Telford Erikson, i cili pasi argumenton me fakte dhe dokumente historike lashtësinë ilire-arbërore të shqiptarëve, pyet se si mund të ndahet në mes kjo tokë antike dhe ky popull antik në mes aleatëve si një plaçkë lufte? Më pas ai vazhdon: “Ne zotërinj kemi pas mësuar se drejtësia duhet të jetë guri themeltar i çdo rendi jetëgjatë në shoqërinë njerëzore”.
Rezistenca shqiptare vazhdoi gjatë viteve 1912-1913. Por qëndresa më e organizuar kundër pushtuesve serbë qe kryengritja e shtatorit 1913, ndaj së cilës u morën masa të rrepta represive. Vitet 1912-1915, ishin një periudhë e një krize jo vetëm ballkanike, evropiane, por në përgjithësi edhe vite të krizës botërore. Shikuar nga aspekti kohor është periudhë e shkurtër, por në fakt gjenocidi i ndodhur paraqet njërën ndër periudhat më të kobshme të historisë së këtij gadishulli, ku për ç’do ditë, javë, muaj, ndodhnin ngjarje nga më makarët, e veçanërisht ndaj popullit tonë, e cila edhe për Anamoravën është periudha më e dhimbshme e gjenocidit të ushtruar nga pansllavistët, gjë që e zbatuan në praktikë në mënyrë të përpiktë të gjitha projektet e elaboratet famëkeqe të përpiluara që nga Naçertania e Garashaninit, Vladan Gjorgjeviqit, të pasuara edhe nga shumë tjera në vazhdim, që u zbatuan nga të gjitha regjimet shtetërore serbe pa dallim, dhe quhej si veprim i shenjët masakra dhe gjenocidi i ushtruar ndaj shqiptarëve.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)