Nga Isa Qerimi -
Dihet mirëfilli se e vërteta është një komponentë e moralit shumë të fortë, si në qenien e ibndividit ashtu edhe në atë të komunitetit të caktuar njerëzor, prandaj e vërteta si individin ashtu edhe komunitetin e çon në rrugë të drejtë dhe progressive dhe e kundërta, e pavërteta i sjell dëm jo vetëm individit por edhe tërë atij komuniteti prej nga e ka burimin ajo, veçmas kur ngulitet thellë në vetëdijen e atij komuniteti dhe merr karakterin e së vërtetës. Kur e pavërteta arrin këtë nivel, atëherë dëmi është i shumëfishtë si për atë që farkon të pavërteten ashtu edhe për të tjerët.
Ajo që më shtyri të bëjë këtë vështrim, jo të detajizuar, është një numër shkrimesh të autorëve sërbë të kohërave të shkuara, për fat jo të mirë, edhe të ditëve tona, që kanë të bëjnë me qenien dhe të bëmat jo të mira të popullatës shqiptare e në dëm të asaj serbe në përgjithësi dhe në veçanti në rajonin e Anamoravës?!
Në dorë kam shkrimet “shkencore” të gjilanisit Atanasie Urosheviq, tekstin “Anamorava” (origjinali: “Kosovsko Pomoravlje i Izmornik”) dhe tekstin tjetër po të këtij autori: “Mbi Kosoven – studime antropogjeografike dhe shkrime të tjera” (origjinali: O Kosovu – antropogeografske studije i drugi spisi”).
Si teksti i parë ashtu edhe i dyti, mu nga aktualiteti i përmbajtjes që kanë për këtë rajon (lexo: për popullaten serbe) janë ribotuar viteve të fundit, i pari më 1993, ndërsa i dyti në vitin 2001.
Me subjekt të njejtë është edhe vepra e historianit gjilanas, aktualisht me qëndrim e banim në qytetin e Nishit Bogomir B. Stankoviq “Kurora serbe e Anamoraves” (origjinali: “Srpski venac Kosovskog Pomoravlja”), botim i dytë, në vitin 2012.
Lëndë vështrimi do të jenë edhe një numër shenimesh të konzujve serbë në Prishtinë si dhe të teksteve të botuara në të përkohshmet kishtare “Svetilnik” dhe “Bosilnik”.
Shqiptarët e Anamoraves, atdheu i të parëve të tyre sipas shkrimeve të këtyre autorëve
Shtrohet pyetja, në ç’vend historik i vendos shqiptarët dhe të parët e tyre akademiku, tani i ndjerë që në vitin 1993, Urosheviq? Në tekstin e tij “Anamorava” të botuar për herë të parë më 1935 nga Akademia Mbretërore serbe e Shkencave në Beograd, me të drejtë pohon: “ që nga kohërat më të hershme historike rajoni i tashëm i Anamoravës ka hyrë në kuadrin e territorit të fisit iliro – dardan, prandaj pa farë dyshimi ata janë populli më i vjetër i këtij rajoni.” Dhe ja , menjëherë na del në shesh ironia e tij. Ky dijetar nuk di apo edhe nuk do të dijë për këtë popullatë të ketë pasur farë informacionesh të shkruara, siç thotë as të tërthorta, prandaj “për të smund të flitet asgjë, për të shtuar se si “Anamorava në fillim të shekullit XI ka qenë populluar me serbë.”
Bashkëkombasi dhe bashkëvendasi i tij Bogomir B Stankoviq, pasi konstaton se si “është vërtetuar që para pushtimeve romake këtu jetuan dardanët, territori shtetëror i të cilëve shtrihej që nga Nishi e deri në Shkup, duke përfshirë edhe Kosovën e Metohinë”, por për t’u dehur me pohimin kuturu të njëfarë Millutin Garshaninit dhe Fanulla Papazogllus kur thonë se “dardanët s’janë fisi ilir, por grup i veçantë i popullit që nuk ishte i vetëdijshëm për etnosin e vet; dardanët s’mund të identifikohen me ilirët, ata më afërsisht ndërlidhen me substratin dako – mezin, të vendosur në Anadanubin e Poshtëm dhe në veri të Ballkanit” .
Për hirë të së vërtetës dhe me qëllim të informimit të drejtë të lexuesit përkitazi me pohimet e A.Urosheviqit shtojmë se të parët e shqiptarëve vërtetë s’e patën shkruar gjuhën e tyre – gjuhën ilire, por e vërteta është edhe kjo se ajo gjuhë u zhduk (u shua) bashkë me një numër gjuhësh të vjetra ballkanike e evropiane siç ishin: iberishtja në Spanjë, galishtja në Francë, ligurishtja, ritishtja, etruskishtja, pikerishtja, mesapishtja në Itali, maqedonishtja e vjetër, trakishtja e ndonjë tjetër. Sot dijmë se për iliro – dardanët patën shkruar e folur të tjerët, dijetarët antikë helenë e romakë që nga Homeri e Herodoti e deri tek Tit Livi. Edhe pohimi se në fillim të shekullit XI Anamorava ka qenë populluar me popullatë serbe është në kundërshtim të plotë me të dhënat shkencore historike. Këtu po shërbehemi vetëm me të dhënat nga historiografia serbe, sipas së cilës këmba e serbit shkeli në Dardaninë e dikurshme (Kosovën e sotme) me pushtimin e Kosovës nga ana e Nemanjiqëve, në vitin 1182 d.m.th mbarimi i shekullit XII.
Sa i përket “të dhënave shkencore” të B.Stankoviqit, i cili për të mohuar vazhdimësinë e shqiptarëve nga iliro – dardanët në këto troje, shërbehet me pohimet kuturu të të apostrofuarve më lartë, kemi përgjigje shkencore, tani të verifikuar nga historia dhe disiplinat e tjera ndihmëse të saj, të dijetarëve shqiptarë por edhe të dijetarëve të qarqeve të huaja shkencore.
Arkeologia jonë Edi Shukriu, në një punim destinuar hartimit të Monografisë për Gjilanin, thekson se si formësimi i plotë i Dardanisë u zhvillua gjatë epokës së hekurt, kur dardanët krijuan territorin e tyre kompakt dhe i dhanë emrin Dardani dhe se zhvillimi i Dardanisë kaloi nëpër disa faza:
Faza e parë – faza paradardane, shekulli XII – IX para Krishtit;
Faza e dytë – faza dardane – shekulli IX – IV para Krishtit;
Faza e tretë – faza dardane – urbane, shekulli IV – I para Krishtit.
Albanologu me famë Dr. Eqrem Çabej, i cili jo vetëm për shkencën e shkollën shqiptare ishte emër i madh por edhe për shkencën e përgjithshme linguistike evropiane ishte emër i respektuar, thotë: “ historikisht shqiptarët dhe grekët janë populli më i vjetër i Ballkanit. Ky popull me këto tremijë vjetët që po rron në këto anë, ka pasur sigurisht historinë e tij, ka folur brez pas brezi gjuhën e tij “ .
Në mbështetje të autoktonisë ilire të dardanëve flet jo vetëm shkenca shqiptare, por edhe ajo evropiane me argumente të pamohueshme, duke e pohuar autoktoninë iliro – dardane edhe të shqiptarëve të sotëm. “Nga gjuhëtarët joshqiptarë për autoktoninë ilire të shqiptarëve shquhen sidomos Paul Kretshmeri, Holgen Pederseni, Norbert Jokli, Milan Shuflaj” . Do të bëja mëkat sikur mos të nënvizoja edhe mendimin shkencor të Norbert Joklit përkitazi me autoktoninë e shqiptarëve. Ky pohon : ‘djepi i shqiptarëve në Ballkan ka qenë Dardania” .
Qarqet shtetërore, fakteqësisht edhe ato shkencore e fetare serbe që nga kohët më të hershme u pozicionuan keq, në esencë për qëllime grabitçare të tokëve shqiptare, në atë mënyrë që Kosovën e definuan tokë dhe djep të Serbisë, ndërsa qarqet kishtare edhe si vend e tokë të shenjtë serbe. Ky pozicionim, për fat jo të mirë, në rradhë për të parë për popullaten serbe por edhe për të tjerët, jeton fort edhe sot në kokat e udhëheqësve të shtetit serb. Kujt ia “shiti”pohimin se Kosova është djep i Serbisë, kryeministri serb Aleksander Vuçiq më 14 janar 2015 kur vizitoi Pisjanin?
I udhëhequr nga motive kushedi çfarë, por sigurisht se jo nga motive shkencore. Urosheviqi merret me thash e thëme, merr mendimet e njerëzve të pashkollë apo edhe nga ata me nivel shume të ulët arsimor fetar, pra nga njerëz jo si dhe sa duhet të informuar për përkatësinë e tyre etnike, shqiptarët e sotëm dhe prejardhjen e tyre e gjen aty ku edhe teoritikisht pohimi mbetet i pabazë. Kështu, në vitin 1929 në një shenim të botuar në “Glasnik” të Shkupit të titulluar “Një traditë mbi prejardhjen e shqiptarëve” pasi bën manovrime e manovrime, vjen në përfundim se si “brenda vetë popullit shqiptar ekziston rrëfimi, sipas të cilit shqiptarët e kanë prejardhjen nga Arabia?!... dhe më pastaj, për të nxjerrë përfundimin e çoroditur se si shqiptarët e Anamoravës, të shpërngulur nga rajoni i Shkodrës, kanë ruajtur traditen e tyre të vjetër nga ama e tyre – Shkodra.
Disa nga dëshmitë shkencore mbi autoktoninë e shqiptarëve në këto troje
Shkenca bashkëkohore historke, arkeologjia por edhe gjuhësia krahasuese kanë vërtetuar se atdheu i të parëve tanë – atdheu i shqiptarëve ishte po ky atdhe, në të cilin jetojmë ne sot, se jetuam këtu denbabaden, se jemi pasardhës të drejtëpërdrejtë të iliro – dardanëve, se edhe shqiptarët e Anamoravës janë po të këtij trungu. Dëshmi materiale për vjetërsinë e banimit të të parëve tanë mu këtu janë varrezat tumulare të Llashticës, të cilat kanë tipare të përbashkëta me tuma të zbuluara në viset e tjera të Ilirisë. Ato flasin edhe për ekzistimin e një niveli autokton kulturor, flasin edhe për vazhdimësinë e jetës mu këtu edhe në shekullin e mesëm. Janë këto varrezat tumulare të egzminuara në vitin 1980. S’do mend, dëshmia më e prektshme jemi ne, parsrdhësit e atyre iliro – dardanëve që jetuan këtu në kohë të stërlashta dhe për shumëçka mund të themi se jetuan në kohë të mungëta.
Ndoshta mund të jetë koincidencë rasti, por kjo është kështu e jo ndryshe, dhe se mu në kohën e krijimit të monumentit të madh të njerëzimit – krijimit të ILIADES së Homerit, shekulli VIII – VII para Krishtit, të parët e shqiptarëve, në hapësirën që ze sot kadastri i Llashticës të kenë ngritur nekropolet që janë argument i pamohueshëm se ky troll që nga ajo kohë e ndoshta edhe më heret ka qenë populluar nga iliro – dardanët.
Për të përforcuar dëshmitë lidhur me autoktoninë e shqiptarëve në përgjithësi dhe për ata të Anamorës në veçanti mu në këto troje, huazova edhe mendimin në vijim: “Vendbanimi i sotëm i shqiptarëve nuk është një trevë ekspansioni, por një trevë restriksioni, përfundim i një ngushtimi të paparë gjatë historisë shqiptare” .
Mëkatet e shqiptarëve ndaj popullatës serbe në Anamoravë
Duke përpunuar më tutje shkrime e shenime të një numri autorësh serbë (Atanasije Urosheviq, Bogomir B Stankoviq, Gligorie Bozhoviq, Sllobodan Kostiq, Milorad Filiq, Branislav Nushiç, Svet, St. Simiq) fitohet përshtypja se si me ardhjen e shqiptarëve në Luginën e Moravës (në Anamoravë), jo vetëm që ndryshohet struktura nacionale e popullatës, por arbanasit, shpesh emërtohen edhe si arnautë, të zbritur nga Malësia (fjala është për Veriun e Shqipërisë) patën bërë shumë mëkate në popullaten vendase serbe, dhunshëm bënë përndjekjen e serbëve nga shumë vendbanime të Luginës së Moravës, uzurpuan pronat e tyre të paluajtshme, rrënuan 66 kisha serbe, një numër syresh i shndërruan në xhami” . Ushtruan edhe forma të tjera të dhunës të natyrave të ndryshme.
Të shkojmë rradhazi, të shohim ç’flasin shkrimet e tyre për dhunen e shqiptarëve ushtruar mbi popullaten serbe?!
Akademiku Urosheviq (1898- 1993) gjilanas, gjen se shqiptarët depërtuan në viset dhe tokat serbe në Kosovë rreth fudit të shekullit XVII. Ky depërtim i tyre dhe vendosja në “tokat serbe” shkakton shpërnguljen e popullates vendase (Lexo: serbe) nga këtu. Shpërngulja e filluar që nga ajo kohë vazhdoi edhe në Anamoravë deri me çlirimin e vendit më 1912 (fjala është për kohen e largimit të Turqisë nga Kosova). Ç’pësuan serbët nga ky invadim?!
Përpos shpërnguljes ata u goditen edhe nga të bëmat e tjera të rënda. Kështu, “nën presionin e tyre (lexo: të arbanasve) është bërë islamizimi dhe shqiptarizimi i oxhaqeve dhe farefiseve të tëra serbe ndër periudhat e ndryshme kohore. Kalimi i një pjese të populates sonë (lexo: serbe) në islam është bërë në këto mjedise fshatare: Komoglavë, Mirosalë, Zllatar, Pozheran, Zhiti, Ballancë, Devajë, Cernicë, Mogillë, Podgorc, Remnik, Radivojc, Zhegër, Lipovicë, Llovcë, Sllubicë” .
Pasi përpunoi 119 vendbanime të Anamoravës, me përjashtime shumë të vogla, konstatoi se si paraprakisht, pra para ardhjes së shqiptarëve në Anamoravë, këto ishin mjedise fshatrash të banuara vetëm me serbë: Sllatina e Epërme, Tërpeza, Gjylekari, Llashtica, Velekinca, Muçibaba, Burica e fshatrat të tjera.
Cila është e vërteta përkitazi me këto pohime?
Për autoktoninë e shqiptarëve shkenca e mirëfilltë flet se jo vetëm nga shekulli XVII, siç mendojnë dietarët serbë, por që nga parahistoria shqiptarët janë banorë në tokën e tyre – në Dardaninë e stërlashtë. Nga ana tjetër, që nga shekulli XII e deri në shekullin XIV, pra plot 207 vjet ata (lexo: shqiptarët) jetojnë të pushtuar nga despotët e kralat serbë. Është pushtuesi tjetër, ai otoman, i cili nuk ishte aspak më dorëlirë e zemërmirë ndaj shqiptarëve, përkundrazi në krahasim me popujt e tjerë të pushtuar të Rumelisë, shqiptarët ishin vërtetë më të diskriminuarit në çdo aspekt. Për popullin shqiptar sunduesi otoman solli errësirën më të gjatë në historinë e ekzistimit të tij, naten e gjatë mbi 500 – vjeçare.
Toka shqiptare përjetoi edhe pushtimin e dytë mu nga mbretëria serbe në vitin 1912, pushtim ky që zgjati hiq mq pak se 87 vjet. Nga kjo që u tha logjikisht mund të përfundohet dhe të shtrohet edhe pyetja, vallë, kur shqiptarët patën në dorë pushtetin e forcën për të ushtruar gjithë atë dhunë mbi popullaten serbe, atë dhunë të imagjinuar e të trilluar nga autorë të shumtë të shkrimeve serbe? Pra, pohimet e këtij akademiku janë vërtetë një paradoks që s’e pranon kurrëfarë logjike, qoftë ajo të jetë edhe e sëmurë. Edhe pohimi se shqiptarët islamizuan popullaten serbe, qarqet intelektuale si të huaja ashtu edhe shqiptare me qëndrimin e tyre të bazuar në argumente shkencore, vërtetojnë se pohimi në fjalë është në kundërshtim të plotë me të vërteten historike.
Jo vetëm ky autorë, por edhe autorë të tjerë serbe çuditërisht popullin shqiptar e shohin kinse të ketë qenë gjithmonë i besimit islam.
E vërteta mbi besimin e shqiptarëve
Është viti 58 pas vdekjes së Krishtit në kryq, kur të parët tanë (lexo:të parët e shqiptarëve) patën fatin të kenë pasur në mesin e tyre një njeri për t’iu sjellë një sihariq të madh. Kështu, nga ky moment “iliriku ka hyrë në literaturë sakrale, pikërisht me Shën Pal Apostullin, prandaj me të drejtë përpiqet t’ia shpërblejë atij këtë duke i lidhur fillet e historisë së krishterizmit të vet me emrin e tij. Mbështetja dhe arsyetimi më i mirë për një qëndrim të tillë janë vetë fjalët e Palit: “Kështu prej Jerusalemi rrethepërqark deri në Ilirik e kam kryer plotësisht detyren time të përhapjes së lajmit të gëzueshëm mbi Krishtin” .
Vetë Shën Pali shton edhe këtë:… “sepse prej jush është lëvruar fjala e zotit jo vetëm nëpër Maqedoni e Akaje, por edhe në çdo vend tjetër është përhapur besimi i juaj në Zotin”.
Nga kjo rezulton se të parët e shqiptarëve janë popull apostullik e ungjillor, pra të kishterë, hiq më vonë se 25 vjet pas vdekjes së Krishtit. Të këtillë janë me përjashtime shumë të vogla deri në fund të shekullit XVII. Nga ana tjetër, është e ditur se shqiptarët në qeverisjen e sulltanëve nuk gëzonin kurrëfarë favorizimesh. E kundërta ndodhi me popullaten serbe, ajo qe kurdoherë e përkdhelur, s’u morr në ushtrinë e sulltanin as si nizam e as si redif, përderisa në Kosovë, gjatë sundimit turk, në Vilajetin e Kosovës punojnë 50 shkolla serbe, në Anamoravë 15 e ndoshta edhe më tepër, kjo për shqiptarët ishte rreptësisht e ndaluar, serbët si çifçi ishin në shërbim të vazhdueshëm të Sulltanit dhe si të tillë, në kohërat që do të vijnë do të gëzojnë edhe përfitime të mëdha material në dëm të popullates shqiptare.
Dihet mirë se si procesi i islamizimit të shqiptarëve në fillim është kryer kryesisht përmes ushtrisë turke, u përcoll me format e ndryshme të dhunës. Po shenojmë disa nga këto presione: “Perandoria Osmane ia doli t’i islamizojë 2/3 e popullatës shqiptare (deri në përfundimin e sundimit turk) dhe që kishte pasur një organizim të mirë kishtar gjë që dëshmohej nga përhapja e gjerë e krishterimit nëpër famullitë e panumërta apo nëpër shumë ipeshkëvi, mirëpo turqit arrijnë t’i shkatërrojnë ato, rreth apo mbi 30 ipeshkëvi e qendra të ndryshme kishtare dhe shumë abaci e kuvende”.
Kemi edhe dëshmi të tjera për besimin e kishterë të të parëve tanë dardanë. Ekzistimi i kishes dardane dokumentohet edhe nga letrat e papëve të Vatikanit që nga shekulli V e tutje. Duhet ta themi edhe këtë të vërtetë: “invadimi sllav ishte një goditje e rëndë për ilirët sidomos në pikëpamje etnike, kulturore, gjuhësore dhe fetare, ndonëse për fat, shumë shpejtë, shumë popuj sllavë duke qenë se ata gjeten në viset e ndryshme një kishë të gjallë e të organizuar si duhet dhe në lulëzim e sipër, pranuan krishterizmin” . Me qëllim të krijimit të bindjes ogurzezë në popullaten serbe, akademiku Urosheviq nuk ngurron që edhe rrënimet e kryera të kishave e monastireve, që siç u pa, ishin të të parëve tanë – të shqiptarëve të rrënuara nga pushtues të huaj – kryesisht nga invazioni turk, t’ia mveshë popullates shqiptare.
Logjika e shëndoshë edhe e njeriut të zakonshëm nxjerr përfundimin e arsyeshëm se këto të bëma ndaj faltoreve “serbe” s’ka mundur të ndodhin nga popullata shqiptare kur edhe vetë ishte e krishterë shumë shekuj para asaj serbe. Serbët pranojnë krishterizimin përmes Kirilit dhe Metodit, në tokën e Moravisë, aty këta misionarë shpërndajnë ortodoksizmin në vitin 863 pra hiq më përpara se në shekullin IX pas Krishtit.
Bogomir B Stankoviqi në vepren e tij të titulluar “Kurora serbe e Anamoravës”(në original Serbski venac Kosovskog Pomoravlja), të botuar në vitin 2012 për nder të përvjetorit të çlirimit të Gjilanit nga Turqia në vitin 1912, botim i dytë, ndër të tjera shkruan: “Në hapësirën tokësore të Anamoravës, në shekullin e mesëm, lindin shumë vendbanime, siç ndodhi në tërë Kosoven e Metohinë dhe në to jetuan vetëm serbet”. Sipas tij “në afërsi të vendbanimeve të dikurshme, pra edhe të varrezave që janë boshatisura e rrënuar, më vonë edhe janë lëvruar nga muslimanët pët t’iu humbur gjurma e fundit dhe dëshmia e ekzistimit të serbeve në ato vende në kohërat e shkuara”.
I zhytur deri në fyt në nacionalizmin ekstrem serb dhe në urrejtje ndaj etnosit shqiptar në nivelin e albanofobisë, ky historian humb çdo lidhje me të vërteten historike, jo rastësisht, këtë e bën me qëllim, për t’ju larguar sa më shumë të së vërtetes që ka të bëjë me shqiptarët dhe të parët e tyre, nuk është aspak naiv. Serbët i nxjerr të ardhur dhe të vendosur në tokën që e zotëronin “bizantinët” e jo shqiptarët, pra të parët e tyre iliro – dardanët.
Shërbehet me të dhënat kadastrale, të bëra nga qeveria turke, diku rreth vitit 1455 dhe duke keqpërdorur të dhënat krejt me qëllim, deformon dhe falsifikon historinë. Të dhënat si të tilla sigurisht se dëmtojnë më së shumti vetë popullaten serbe. Fjala është për materialin kadastral e jo për regjistrimin e popullsisë, të përkthyer nga turqishtja në gjuhen serbo – boshnjake nga “Instituti - Oriental i Sarajeves” në vitin 1972, i titulluar në origjinal “Oblast Brankoviqa, popis iz 1455 god, knjiga I, II, III”. Është ky material ku figurojnë të dhënat kadastrale për 61 vendbanime ( jo për të gjitha fshatrat e Anamoraves). Origjinali përmban kolonat: emërtimin e vendbanimit, kryefamiljari (pa shenuar emrin ), gjendjen martesore dhe emërtimi i pasurisë. Në krahasim me të dhënat e origjinalit, ato në vepren e Bogi Stankoviqit flasin qartë se kemi të bëjmë me falsifikim të rëndë; këtu ai shton edhe dy kolona, kolonën mbi numrin e serbëve dhe mbi numrin e të tjerëtve. Sipas shenimeve të instaluara nga ky historian na del se numri i përgjithshëm i popullatës në këto 61 vendbanime të Anamoravës në vitin e cekur është 1819 banorë, prej tyre serbe janë 1875, vllahë bashkë me të tjerët janë 107, ndërsa nuk figuron asnjë shqiptar. Edhe të dhënat nga origjinali (lexo përkthimni nga gjuha serbo – boshnjake) na bën të dyshojmë në vërtetësinë e tyre, sepse, siç dihet, në vitin 1455 Gjilani fare nuk ekziston. Po shenojmë vetëm një numër vendbanimesh për të parë se deri ku ka shkuar ky historian. Kështu, sipas tij, Gjilani na paraqitet të ketë 41 shtëpi, 45 banorë, 41 serbë, 4 të tjerë po pa asnjë shqiptar; Zhegra – 28 shtëpi, 26 mashkuj të rritur, 26 serbe, ska të tjerë; Budrika e Poshtme dhe e Epërme bashkarisht – 18 shtëpi, 20 mashkuj, 18 serbe dy të tjerë e kështu me rradhë”.
Për të njollosur edhemë etnosin shqiptar, Stankoviqi në vepren e tij të cituar, instalon letrat e dy konzujve që aso kohe shërbenin në Prishtinë (1893 – 1899) Branisllav Nushiq dhe Svat. St. Simiq. Kështu, Nushiqi dhe pasardhësi i tij sikur të kishin marrë detyrë speciale të ushtrojnë detyrën e raportuesve ordinerë të të bëmave nga arrnautët. Nushiqi i dërgon letër të ngarkuarit me punë në Stamboll për pesë raste. Një rast kinse për dhunim nga nizamët turq e shpiptarë, një rast për rrahje, një për maltretim, një për tentim grabitjeje dhe një për një keqpërdorim të fuqisë punëtore të serbeve. Konzulli tjetër Simiç informon ministrin e Jashtëm të Mbretërisë Serbe në Beograd se si arnautët për qëllime përfitimi u qesin rabush serbeve dhe u kërkojnë haraç, se si u prishet dasma serbeve dhe tentohet grabitja e vajzave, haraçi ndaj serbeve është i zakonshëm. Ky konzull ka evidencuar katër raste të keqbërjes së arnautëve në popullaten serbe të Anamoravës.
Vetë Bogi Stankoviqi gjen se si “arnautët me bekimin e qeverisë turke ushtrojnë dhunë të nduarnduarshme sa dhuna arrin kulminacionin në fillim të këtij shekulli (lexo: shekulli XX). Në popullaten serbe ushtrohet rrahje e vrazhdë: “në rrugë, në vendbanime, në shtëpi, dhunime e grabitje të vajzave serbe, vjedhje e kafshëve, kallja e të lashtave e shtëpive. Janë këto dukuri të shpeshta krejt me të vetmin qëllim shpërngulja e serbeve.”
Glligorie Bozhoviqi ky udhëpërshkrues serb që vizitoi Anamoraven ndërmjet dy luftrave botërore, qëndron plotësisht në pozicionin e dy të parëve. Në shenimin e tij udhëpërshkrues të titulluar “Gjilani dhe Morava e Epërme” lexojmë se si “arnautët zbriten në viset tona nga shkrepat e tyre dhe po të kishte vazhduar ky invadim një apo edhe dy dekada, pra po të kishte vazhduar procesi i uzurpimit të tokave tona pjellore, as Graçanica e as Deçani s’do të kishin më tapitë e tyre. Serbi fitoi ndaj zullumit të agallarëve e bejlerëve sepse duroi e nuk e lëshoi vendin, këtë tokë të pllleshme që mos ta marrë arnauti” .
Po nga ky udhëpërshkrues po veçojmë shenimin ku bënë fjalë për nahinë e Gjilanit. Pasi përshkruan bukuritë e natyrës së Anamoraves dhe pjellorinë e tokës, nënvizon se si “Kabashasit dhe Malësorët shqiptarë nuk kishin mundur të gjenin vend më të mirë për t’u vendosur në tokat serbe.” Shenon rastin e një keqbërësi në Moraven e Poshtme ndërsa në Moraven e Epërme dallon fshatin Pisjan, “flet për gjoja një kidnapim dhe martirizimin e vajzës së kidnapuar.”
Edhe botimet kishtare, fjala është për ato që botohen nën përkujdesjen e Monastirit të Graçanicës dhe të Kishes së Gjilanit, aspak nuk ngecin prapa në krahasim me shenimet e autorëve të përmendur. Në shenimin e njëfarë prof. Milorad – Minja Filliç, në numrin 12 të vitit 2008 në të përkohshme “Svetilnik” që botohet në Graçanicë, kur bën fjalë për Pisjanin mbështetet në të dhënat nga “Trashëgimia serbe në Kosovë”, citon vitin 1867 kur, sipas tij, na qenka bërë një kasaphane në besimtarët serbe nga ana e arbanasve, pastaj se si në gërmadhat e kishës së vjetër e të rrënuar është ngritur kisha e re me ndihmen financiare të Bejaz Hanmit. Bën fjalë edhe për vjedhjen e kishës nga arnautët ?!
Subjekt të njejtë ka edhe teksti i Sllododan Kostiqit në të përkohshmen “Bosilnik në numrin 1 të vitit 2014. Edhe ky ze ngoje vajzen e kidnapuar të prindërve pisjanas që ishin vendosur këtu kah mbarimi i shekullit XVIII të ardhur nga rajoni i Kumanovës, se gjoja këtë e kishin bërë keqbërësit arbanas Depcës pse s’kishte pranuar të konvertohet në besimin islam.
Cila është e vërteta në krejt “këtë dhunë” të qitur në letër dhe të servuar popullates serbe dhe jo vetëm asaj?
Për të dhënë përgjigjje në saktësinë e ndodhive të këtyre rasteve sporadike e krejtësisht të vetmuara, nuk e shoh të arsyeshme tani për tani, për këtë lypset kohë e punë në hulumtin e dëshmive arkivore e dëshmive të tjera.
Kur mbajmë parasysh faktin se rastet e përmendura, janë raste sporadike, jo të planifikuara e të organizuara nga një qendër, janë raste të vetmuara, le të sypozojmë se mund edhe të kenë ndodhur, marr guximin të përfundoj se me shenime të këtilla nuk zotërojnë arkivat serioze.
Gjykuar lirshëm, autorët në fjalë “këto të dhëna” i përdoren kryesisht për qëllime ditore, aq më tepër për qëllime politike. Nuk mund të përjashtohet mundësia të ketë ndodhur ndonjë eksces ndërmjet nacionaliteteve, siç nuk mund të përjashtohet mundësia e ndodhjes së mosmarrveshjeve me pasoja të rënda brenda vetë popullates shqiptare, në kohë e në vend të caktuar, gjithnjë duke mbajtur parasysh rrethanat nën të cilat jetoi popullata shqiptare që nga okupimi serb në mbarim të shekullit XII e deri në ditët e fundit të shekullit XX.
Ç’i solli okupimi i dytë serb më 1912 popullates shqiptare?
Krejtësisht me qëllim të mirë, për të thënë haptas të vërteten dhe vetëm të vërteten e për të qenë në shërbim të saj.
, me kërkesë që e vërteta të bëhet pronë e gjithë njerëzve liridashës, të të gjitha nacionaliteteve, jo me qëllim revanshizmi në raport me të dhënat që kanë të bëjnë me “të bëmat” e shqiptarëve në dëm të populates serbe, jo për të njollosur popullin serb, i cili si çdo popull tjetër është largë fajësisë dhe se të bëmat e ndodhura gjatë rrugëtimit historik të këtij populli – të popullit serb, janë vepër e shtetit dhe e qeveritarëve e pushtetarëve të kësaj popullate.
I prekur nga pohimet e qarqeve intelektuale serbe të cituara në këtë vështrim, më është imponuar nevoja të qes në letër edhe mëkatet që i bëri Serbia dhe pushtetarët serbë bile në kontinuitet, që kur shkeli këmba e tyre në atdheun e të parëve të shqiptarëve e deri në ditët e fundit të qeverisjes së kralave të Serbisë.
Nga burimet e shumta historike e burime te tjera mësojmë se serbet janë një nga fiset sllave që dikur jetuan në stepet e Uraleve. Ç’ndodhi me ta më pastaj?
“Ata u shfaqen në Ballkan si zaptues barbarë nga shekulli VI – VII ( në Kosovë erdhen vetëm kah fundi i shekullit XII), e që më parë ishin dëbuar nga fqinjtë e tyre për shkak të të bëmave të tmerrshme të tyre, nga pjesa azioatikosllave e Uraleve” .
Duke jetuar për më tepër se dy shekuj nën sundimin e shtetit dhe të kishes serbe, pra që nga pushtimi i Nemanjiqve e deri në Luften e Fushë – Kosovës ( faza e parë e okupimit të Kosovës), populli shqiptarë iu nënshtrua dhunës së natyrave të ndryshme. Po shenojmë veprimet e para dhunuese të kishës serbe: “një legat apostullik i shekullit XIV në një relacion që i dërgonte më 1350 Vatikanit, Stefan Dushani, njoftonte ai, i detyron me forcë shtetasit e tij josllavë të ndërrojnë në kishen serbve emrin dhe besimin” .
Që nga ajo kohë, Serbia bëri veprime të vazhdueshme për të xhveshur popullin shqiptar nga çdo e arritur, qoftë e arritur në sferen e kultures material, shpirtërore apo edhe historike. Kështu, bie fjala, përderisa në Betejen e Fushë – Kosovës në vitin 1389 përpos popullit serb mori pjesë edhe populli shqiptar, bile edhe i Kosovës, i udhëhequr nga feudali Gjergji II Balsha si dhe nga Teodori II Muzaka, shkenca serbe jo vetëm që ia mveshi meritën e luftës populit serb, por atë edhe e ngriti në nivel mitologjik, duke i dhënë edhe karakter fetar. Të shenojmë tekstin në vijim që më së miri e dokumenton pohimin e mësipërm: “… Beteja e Fushë – Kosovës ka tërhequr vëmendjen e studiuesve osmanë dhe të historisë së vendeve ballkanike. Kështu, T. E. Zineisene ka vlerësuar atë si luftë për jetë a vdekje të popujve të Ballkanit ku morën pjesë serbë, boshnjakë, shqiptarë, hungarezë, bullgarë, vllahë e hercegovac” .
Dhuna serbe mbi popullaten shqiptare u zhvillua sistematikisht, ajo ishte gjithnjë me karakter të krimit mbi njerëzimin, në disa raste pati edhe karakter gjenocidi. “ Pos gjenocidit fizik dhe revizionit të kufijve ( në rastin ton konkret tkurrja e kufijve) sollucioni i eleminimit fizik zbatohet në shumicen e rasteve me shpërnguljen e pakicave kombëtare në shtetin amë të tyre. Sipas metodave që zbatohen dhe shkalles së presionit, dallojmë dy forma të shpërnguljes: shpërnguljen e obliguar (rasti ynë) dhe atë fakultative ( sipas vullnetit personal)” . Si mund të definohet ndryshe përndjekja në masë dhe pastrami total etnik i popullates shqiptare nga disa qindra fshtra e mjedise të tjera jetësore me mbi 200 mijë banorë, duke filluar nga skaji më verior – Jagodina e hapësirat e tjera të Toplicës, Kosanicës, Vranjes e Nishit nga ushtria e xhndarmëris serbe, kur pjesa dërmuese deportohet për në shkretëtirat e dikurshme të Anadollit dhe pjesa tjetër në skajet e qoshet më të varfëra të Kosovës, përndjekje kjo e organizuar dhe e zbatuar sipas diktatit të qarqeve të caktuara shtëtërore, gjithnjë në mbështetje të elaborative të njohura famëkeqe, duke filluar nga “Naçertania” e Ilia Garashaninit më 1844 dhe elaborateve të tjera, për t’u zbatuar nga vendimet e “Katër Kalemave”(Lexo: Vendimet e Kongresit të Berlinit të vitit 1878, të nënshkruar nga katër fuqitë e mëdha të kohës: Turqia, Anglia, Franca e Rusia). Meriton të thuhet se kjo shpërngulje e dhunshme e popullates shqiptare nga atdheu i tyre i hershëm u bë sipas sistemit të “vetëtimes e shtrëngatës”. Akoma ruhen dëshmitë – ato gojore, të përcjella nga gjyshërit e “Muhaxherëve”mbi veprimet shtazarake të aparatit shtetëror serb të kohës.
Në biseden e zhvilluar me shkas, më 12 shkurt 2014 me Halit Sylen – Bucen, i moshës 84 vjeçare, që besnikërisht transmetoi fjalët e gjyshit të tij – Kadriut i cili paska jetuar deri në vitin 1944 kur Haliti kishte 15 vjet, i kujtohet të ket thënë: “Përndjekja është bërë në bazë të një ultimatum, veprimet e ushtrisë e xhandarmërisë kanë qenë të rrufeshme, përndjekja e njerëzve është bërë në muajt e dimrit e të acarit të madh, në vitin 1878, brenda një dite, njerëzit kanë arritur të marrin vetëm rrobat e trupit, udhëtimi është bërë këmbë, një ndalje është bërë në bjeshken e quajtur Stallovë, ka pasur edhe të vdekur nga acari. Në Kosovë askush s’i ka pritur, kanë ngritur kasolle të inprovizuara, pushteti turk i ka vendosur në mes të malit”.
Në këtë valle trishtuese të fatit të njerëzve, me qëllim të arsyetimit të veprimit gjenocidal, dy shtete aktore të kësaj tragjedie bëjnë marrëveshje me shkrim, hartojnë kontrata për pranimin e “turqve” në Turqi, lojë kjo qe u zhvillua deri në fund të viteve të 60 – ta të shekullit XX.
Ja dëshmia:
KONTRATË
Mbi rregullat e shpërnguljes së popullates turke (lexo; shqiptare) nga rajoni i Serbisë së Jugut të Jugosllavisë.
Qeveria e Republikës së Turqisë dhe Qeveria e Madhërisë së tij mbretit të Jugosllavisë, duke konstatuar prirjen për emigrim, të shfaqur nga elementë të popullates turke, muslimane të rajonit të Serbisë së Jugut … që ka vendosur të largohet nga territori i Mbretëërisë me dëshiren e ligjshme për t’iu bashkuar trungut etnik natyror, vendosen të nënshkruajnë një
KONTRATË
NENI 1
Me këtë Kontratë përfitojnë shtetasit jugosllavë muslimanë me origjinë dhe gjuhë turke dhe ata që kanë kulturë turke … etj.
Nuk ka dyshim, Serbia filloi me veprime trishtuese e veprime krimi edhe ndaj popullit shqiptar të Kosovës menjëherë pas largimit të Turqisë nga Kosova më 1912.
Populli shqiptar tradicionalisht popull liridashës, e luftoi në vazhdimësi pushtetin turk. Kështu, “forcat e komanduara nga Sali Gjilani, Bajram Daklani, Bislim Hogoshti, Tahir Agë Budrika, Ramë Pozhorani, Islam Pira, në mëngjesin e 13 gushtit të vitit 1913 në qendër të Shkupit shpalosin flamurin kombëtar –” .
“Luftoi edhe kundër pushtimit të Kosovës nga ana e ushtrisë serbe më 1912 nën udhëheqjen e Isa Boletinit, në Merdare me 12 mijë vullnetarë.”
“E vërteta është se çlirimi i Kosovës nga pushteti turk nga ana e ushtrisë serbe shkaktoi gëzim të kuptueshëm si të ushtarëve e popullates serbe e malazese, por jo edhe të asaj shqiptare, sepse ajo nuk ishte edhe liria e tyre, përkundrazi, një formë e imponuar nga ana e shteteve fqinje” . Dhuna e masakrat që do të pasojnë në Kosovë dhe në Anamoravë, për çudinë tonë zurën vend edhe në shkrimet e akademikut Urosheviq, por këtë dhunë e këto masakra i përmbyll vetëm me një fjali të zgjeruar, bile duke i arsyetuar ato plotësisht; “Në shenjë hakmarrje për dhunën e rëndë dhe të gjatë të shqiptarëve dhe për t’u dhënë forcë e kurajo për t’u ringjallur nga vuajtjet që përjetuan, sërbët e këtyre rajoneve në ditët e çlirimit, shqiptarëve u shkaktuan dëme rtë mëdha në vrasje, zjarrëvënie e plaçkitje.”
Serbia tani i ka të gjitha mundësitë për të ushtruar terror të shumfishtë në popullaten shqiptare. Aktore të këtyre dhuniumeve qenë ushtria dhe xhandarmëria, të ndihmuara edhe nga një numër militantësh civilë serbë, kryesisht nga rrradhët e kolonistëve; ishin këto veprime thellësisht armiqëesore, me prapavi fashizoide e me qëllim final – pastrimin etnik të këtyre trojeve nga eelementi autokton shqiptar, veprim që nuk pati të ndalur deri vonë,- deri në fund të gjashtëdhjetave të shekullit XX.
Kosova ishte kapluar në zi të rëndë. Në shumë rajone të Kosovës ushtria e xhandarmëria vrau, masakroi e dogji edhe vendbanime të tëra. Në vijim po paraqesim vetëm një pjesë të këtyre krimeve në disa pjesë të Kosovës. Kështu, në rajonin e Istogut, Jabllanicës, Bellopojes, Gjallicës, Mikushicës, Lipovecit, Pejës me rrethinë privoi nga jeta e masakroi mbi 800 shqiptarë dhe dogji e shkatërroi mbi 400 shtëpi banimi.
Çfarë ishin tmerret e kryera nga Sërbia në Anamoravë?
Edhe Anamorava nuk kaloi lehtë. Sipas të dhënave të përafërta, gjatë periudhes 1912 – 1913 e deri në vitin 1938 Serbia privoi nga jeta hiq më pak se 718 mashkuj. Në këto vrasje pati edhe të botës femrore. Si zakonisht, masakren edhe këtu e bëri xhandarmëria serbe që ishte armë e zgjatur e shtetit serb, ishte e implikuar në këto krime edhe popullata koloniste e këtij rajoni. E shoh të arsyeshme të elaboroj vetëm dy raste më markante të veprimit gjenocidal të ushtrisë dhe policisë serbe në fshatin Lubishtë dhe Kabash, të dyja fshatra këto në territorin e Vitisë. Në vitin 1912 xhandarmëri serbe pasi kishte sulmuar fshatin dhe kishte ekzekutuar mbi 100 veta, pushkatoi tërë kurshqinë që kishin qenë dasmorë në dasmën e Hajriz Qerimit dhe për ta vulosur dhembjen e kësaj popullate, nxori nga gjerdeku dhëndrin Lilin, të cilin e pushkatoi dhe më duhet të them se akoma ruhet kujtimi i njerëzve që evokojnë dhembjen e familjarëve kur nusja e tyre që ishte bijë e shushkajve, me emrin Huma, hoqi nga koka vellën e nusërisë, e plandosi përshtrati, mallkoi fatin e vet, mallkoi edhe pajen e ujdisur me dorën e saj.
Gratë dasmore dhe bijat e shtëpisë, me shtatin e tyre, të ngritura në këmbë, arriten të fshehin dhe shpëtojnë nga pushkatimi Nexhipin, djalin e vetëm. Nusja Humë u rimartua në fshatin Gjylekar. Gjithashtu ruhet kujtimi i gjallë edhe i kabashasve kur pas kryerjes së vrasjes së 58 mashkujve, Serbia dogji hiq më pak se të gjitha shtëpitë e fshatit (shpëtuan pa u djegur vetëm dy shtëpi dhe xhamia e fshatit). Në përpjekje për ta shpëtuar jetën tre të rinj tentuan të fshihen, njëri në plevicë – Qazim Haziri u dogj i gjallë në të dhe dy të tjerë Rrustemi dhe Shabani, djemtë e Veli Sallahut gjithashtu u dogjen në stogun e tallës.
Vrasjet dhe masakrat serbe vazhduan edhe gjatë e pas të ashtuquajtures Luftë Nacionalçlirimtare 1941 – 1945, çështje që është kapitull më vete i vuajtjeve të njerëszve tanë dhe se meriton të bëhet vështrim i posaçëm për këtë.
Tani shtrohet pyetja, vallë, Serbia përdori edhe forma të tjera të dhunës e të krimeve ndaj shqiptarëve? Sigurisht se po.
Është REFORMA AGRARE që filloi së zbatuari menjëherë pas vitit 1912.
Veprimet e ndërmarra për realizimin e qëllimeve të Reformes agrare deri në vitin 1918 u zbatuan në mbështetje të dispozitave paraprake, ndërsa që nga viti i cekur ajo zbatohet sipas PROKLAMATËS së regjentit Aleksandër, për t’u kryer në bazë të Ligjit mbi rregullimin e marrëdhënieve agrare, të miratuar më 5 dhjetor 1931.
Duke u mbështetur në arsyetimet fallso se si vetëm 40 % të tërë sipërfaqes tokësore të Kosovës ishte e populluar; se dentësia në një kilometër katrorë për kokë banori ishte tepër e ultë – diç mbi 30 banorë në një njësi të cekur sipërfaqësore, se elementi serb përbënte 79 % të popullsisë së gjithmbarshme të atëhershme dhe se kjo popullsi ishte e patokë, të gjitha këto “ të dhëna” i shërbyen Serbisë si mbulesë të ndërmarrë masa urgjente për popullimin e Kosovës me elementin serb. Përkitazi me këto të dhëna kemi dëshminë e vërtetë që flet dhe që argumenton të vërteteten për fallsitetin e burimeve qeveritare serbe. Në një dokument të Zonës III të Armatës të vitit 1938, ndër të tjera, theksohet se territori i zonës së Kosovës përbëhet 70% nga popullata shqiptare” .
Arsyetimet e këtilla ishin vetëm paravan në sytë e opinionit të gjerë të kohës, veçmas atij ndërkombëtar. Esenca do të dalë në shesh gjatë procesit të zbatimit në praktikë të Ligjit mbi reformen agrare që në thelb kishte për qëllim shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet e tyre strgjysore.
Të gjitha veprimet e aparatit shtetror serb, siç flasin dokumentet historike si dhe vetë realiteti i krijuar nga këto veprime, ishin në shërbim të politikës antishqiptare, me qëllim të vetëm largimin qoftë edhe me dhunë të elementit shqiptar nga këtu, qëllim ky që në një masë të madhe edhe u arrit. Sot vetëm në shkretëtirat e dikurshme të Anadollit është popullata me perjardhje shqiptare numerikisht më e madhja se kudo mbi rruzullin tokësor, mbi 5 milionë, tërësisht e asimiluar në elementit turk.
Të dhënat historike flasin se për kolonistët serbë që do të vendosen në territorin e Kosovës kanë qenë rezervuar 225. 387 ha sipërfaqe tokësore. Deri në vitn 1938 janë realizuar 11. 600 ha; u formuan 173 koloni me 419 vendbanime. Ky proces vazhdoi deri në vitin 1941.
Kolonistëve u është ndarë tokë sipas çelësit të parapërcaktuar. Kryefamiljari mori 5 ha, anëtaroi i martuar i familjes 4 ha, personat e pamartuar 2 – 3 ha. Me Ligjin mbi reformen agrare ishte përcaktuar që kolonëve tu ndahet toka që ishte në pronësi shtetrore, sipërfaqja e lirë dhe pronat e mbetura pa pronarë.
Si ndodhi në praktikë zbatimi i këtij ligji? – Jo vetëm që nuk u përfillen kriteret e përcaktuara, por serbëve iu nda edhe tokë e bukës që ishte në pronësi të ligjshme të popullates shqiptare. Rasti më markant në rajonin e Anamoravës është rasti i Pogragjës.
Me rastin e hulumtimit të bërë në terren, me qëllim që të thuhet e vërteta, që ajo të dalë në shesh qoftë edhe e vërtetë relative ( vetëm dy raste gjetëm që pronarët kanë ruajtur tapitë turke të patundshmërisë në kadastrin e tashëm në fshatit Pisjan). Nga ana tjetër edhe mbamendja e pasardhësve ka filluar të zbehet. Sido që të jetë, e vërtetë e pamohueshme është se pronarë legjitimë të patundshmërisë të tokës së bukës, të cilen sot e shfrytëzojnë banorët e Pisjanit janë kryesisht pogragjasit, pastaj edhe uglarasit si dhe pasardhësit e familjeve të përndjekura nga Pisjani e të vendosura në vendbanime si në Gjilan, Velekincë, Bukovik, Capar, Depcë, Muçivercë e ndoshta edhe vendbanime të tjera.
Pasardhësit e famljes së Isak dhe Sejdi Uglarit që të dyja familje të një trungu, posedojnë tapinë me të cilen argumentohet se janë pronarë mbi 33 hektarë të tokës së bukës në katastrin e fshatit Pisjan dhe se mbi varrezat e të parëve të tyre në qendër të fshatit Pisjan janë ngritur shtëpitë e banorëve të nacionalitetit serb.
Familja pogragjase e Alush Dalipit me tapi turke argumenton se është pronar i tokës së 30ha në Pisjan.
Edhe familjet e tjera kryesisht pogragjase por që tapitë e dikurshme tani më nuk i kanë, ruajnë kujtetesen të përcjellur brez pas brezi se në katastrin e Pisjanit kanë pasuri të patundshme si p.sh familja Behluli 3ha, Lagjja e Kurtajve mbi 33ha që shtrihej kryesisht në vendin e quajtur “Mezhdëllinjë” ( deformimi i toponimit në sërbisht – Megjullushe), familja Rxhepi, familja e njohur me ofiqin “Vocollët” kishte tokën që nga Gryka e Uglarit, në të dy anët e Lumit Morava, deri të Mulliri i Bekteshit dhe fshati Budrikë e Poshtme, vendi ku është ngritur kasha e sotme që njihet me toponimin “Degllëk” ishte pronë e Sallah Dervishajve mbi 3ha, këtu tokë kishte edhe Salih Zegbasha 3ha.
Për të përforcuar pohimet e mësipërme pata fatin që më 8-12-2014 të marrë deklarimin e plakut pogragjas vjeç 91 nga Qamil Hasani, pjesëtar i familjes së gjerë të Alush Dalipit, psikikisht plotëshit i aftë për biseden, rrëfeu se si pas vitit 1912 Serbia thirri të parët tanë në Gjilan përmes avokatit të shtetit, ua imponon nënshkrimin e kontrates me të cilën shpallen pronarë të tokës sonë serbet e Pisjanit, me obligim që me para, në emër të pronarëve të përparshëm të paguajnë vetëm vlerën e bereqetit të tokës për 3 vera e asgjë më tepër. Kjo është e vërteta e assesi ndryshe.
Paralelisht me procesin e zbatimit të Reformës agrare, zhvillohet procesi i KOLONIZIMIT – vendosja e serbeve kolonë në trollin e Kosovës, pra edhe në Anamoravë. Me masa të veçanta intensifikohet procesi shumë i dhembshëm e me pasoja të rënda – procesi i SHPËRNGULJES SË SHQIPTARËVE NGA TROJET E TYRE ETNIKE, proces ky që pati tipare gjenocidi.
Që në vitet e para të instalimit të qeverisë serbe në Kosovë pas vitit 1912 e deri në vitin 1935 vetëm në rrethinen e Gjilanit Serbia vendosi 678 familje kolonësh. Meriton të theksohet se përpos kolonistëve në kuadrin e realizimit të kolonizimit të tokave shqiptare, tokë iu nda edhe srbeve “vendas” në mbi 1006 raste.
Në pjesen e Moravës së Epërme Serbia vendosi 455 familje kolonësh.
Me qëllim të ndryshimit të strukturës nacionale në favor të nacionalitetit serb të gjitha strukturat shtetrore të Serbisë së atëhershme, ushtria, xhandarmëria, formacionet e çetnikëve e të komitave, si formacione paramilitare, janë në aksion për pastrimin etnik edhe të këtij rajoni, për shpërnguljen e etnosit shqiptar, kryesisht poër në Turqi.
Nga shenimet, të dhënat e siguruara, edhe pse mund të mos jenë plotësisht të sakta, për periudhen kohore 1913 – 1925 nga territori i Anamoravës janë shpërngulur 320 familje (shtëpi). Procesi i shpërnguljes është process i pandalshëm, siç u theksua edhe në konstatimet e mëhershme, vazhdoi me tempo pothuajse të njejtë deri në fund të gjashtëdhjetave të shekullit XX.
Duke u ballafaquar me bindjen se rezultatet e pastrimit etnik të shqiptarëve nuk janë ato të dëshiruarat dhe se lirimi nga ky element i padëshiruar nuk do të jetë i plotë, një nga hartuesit e elaborateve për shpërnguljen e “arnautëve” nga këto troje – Vaso Çubriloviqi alarmon e porosit shtetin, qeverinë e popullaten serbe të marrin shembullin e veprimit të shtetit serb kur u bë përndjekja masive e “arnautëve” nga Serbia e Jugut, të ndërmarrin gjithçka që është e mundur dhe që është në duar të tyre për ta shporrur arnautin nga këtu.
Po shenojmë vetëm disa shqetësime e porosi të tij;
“Mënyra e vetme dhe mjeti i vetëm për shpërnguljen e arnautëve është forca brutale e një pushteti të organizuar shtetëror,
Për çështjen e shpërnguljes së arnautëve të përfitohet paria e tyre fetare dhe njerëzit me influencë,
Personeli i aparatit shtetëror duhet deri në maksimum të shfrytëzojë ligjet që ta bëjë të padurueshme ekzistencen e arnautëve të ne,
Denime ekstreme, aplikim i pamëshirshëm i të gjitha rregulloreve policore,
Rritja e pamëshirshme e taksave, marrja e kullosave, mospranimi i tapive turke etj…”
Në fund të këtij vështrimi, besoj se nuk do të gaboja nëse shërbehem me fjalët e të madhit Ismail Kadare, të thëna në një vepër të tij, shpresoj se do të jenë sublimim i vërtetë të përmbajtjes së këtij vështrimi:
“Procesi i shkombëtarizimit të plotë ose të pjesshëm (në rastin tonë – shpërngulja, pastrimi etnik) sipas doktrinës së vjetër sekrete kalonte nëpër pesë faza kryesore:
E para, zhdukja fizike e rebelimit (mospranimi i të huajit),
E dyta, zhdukja e idesë së rebelimit (pajtimi me robërinë)
E treta, zhdukja ose gjymtimi i kulturës, artit, zakoneve
E katërta, zhdukja ose gjymtimi i gjuhës
E pesta, zhdukja ose dobësimi i kujtesës kombëtare”
Të gjitha këto faza, por edhe të tjera, populli shqiptar i Kosovës i përjetoi në kurrizin e vet.
Në vend që unë të nxjerrë rezymenë, mendoj se lexuesi i kujdesshëm mund të vendosë në peshojë të bëmat e njërës palë dhe të palës tjetër, të nxjerrë përfundimin mbi të vërtetën kush kujt ia bëri të keqen, kush kujt i ka borxh për t’i kërkuar falje dhe për t’i ofruar dëmshpërblimin ?!
Qita në letër, me qëllim, edhe dy sinjale, vërtetë të vetmuara, që vijnë nga intelegjenca serbe e që i drejtohen arsyes së qeveritarëve e udhëheqësve serbë:
Me dhembje në shpirt u drejtohet bashkëkombasve të vet, të heqen dorë nga Kosova, sepse, siç thotë ai “Kosova është e humbur, për të më s’bën të humbet energji as sa kokrra e atomit”- Dobrica Qoshiq “Nedelnjik”2014.
“Ka ardhur koha që Serbisë dhe serbeve t’u tregohet e vërteta” ka thënë Vuk Drashkoviqi në një intervistë për mediat serbe në “Telegraf” në mars të vitit 2015, duke përkujtuar masakrat e krimet që bënë ushtria e paramilitarët serbë në Bosnje, Kroaci e Kosovë.