Pas lumturimit, 13 vjet më parë, Gonxhe Bojaxhiu -Nënë Tereza ngjiti sot qiellin e lavdisë së altareve të mbarë Kishës së përbotshme, falë vullnetit të Papa Françeskut. Ajo i'u bashku kështu edhe shenjtëve që Shqipëria i ka përfalur njerëzimit dhe besimit tash sa mot. Forcë e shembullit të njehsimit me dashurinë për tjetrin, Nënë Tereza është e parëlindura shenjtore shqiptare e shekullit të ri dhe me siguri, një uratë për lumturimin e 40 martirëve shqiptarë. Të cilët u përdëllyen në mbrojtjen e besimit dhe të ndërgjegjes përgjatë kalvarit të ferrit komunist, në shekullin që lamë pas!
Sot paradite, në orën 10.00, në Sallën e Koncistorit në Pallatin Apostolik të Vatikanit, Papa Françesku mbajti Koncistorin e rregullt publik për kanonizimin e pesë të Lumëve, mes tyre edhe në Nënë Terezës. Gjatë Koncistorit, Papa ka dekretuar që e Lumja Tereza e Kalkutës, Anjeze Ganxhe Bojaxhiu të regjistrohet në Librin e Shenjtorëve të dielën më 4 shtator 2016.
Mrekullia e Nënë Terezës
Më 17 dhjetor 2015 Papa Françesku miratoi Dekretin që njohu ndërmjetësimin e të Lumes shqiptare në mrekullinë e shërimit të menjëhershëm e të pashpjegueshëm të një burri me kombësi braziliane, i sëmurë rëndë nga një goditje në tru.
Quhet “Vals Hyjnor” himni kushtuar Nënë Terezës që do të interpretohet më 3 shtator në Vatikan në koncertin kushtuar kanonizimit të Nënë Terezës, që do të realizohet më 4 shtator.
“Kemi rastin historik si komb dhe shtet që ta dëshmojmë veten dhe të hapim një faqe të ndritur të historisë sonë, kur miliona njerëz nga rruzulli tokësor do të përcjellin Shenjtërimin e Nënë Terezës. Ky është një rast historik dhe i papërsëritshëm në historin e kombit shqiptar. Valsi Hyjnor do të jetë një dhuratë për njerëzimin nga shpirti shqiptar si dëshmi e dashurisë sonë të madhe ndaj njerëzimit, paqes, tolerancës, dashurisë dhe vetëm dashurisë” shkruan Dijana Tosku, ideatorja e këtij himni në Facebook, .
“Figura unifikuese dhe mbresëlënëse e Nënës Terezës, u shpreh simbolikisht dhe në vetë përbërjen e ekipit që ju përkushtua realizimit të himnit. Artistë, producentë e organizatorë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Diaspora të mbledhur rreth kësaj ideje artistike, e bënë porosinë që shpreh ajo, më madhështore dhe reflektuese për botën. Imazhi i kësaj vepre artistike do të jetë një ‘’biometri’’ për të gjithë gjeneratat e shqiptarëve të shquar të cilët në rrethana e kohë të ndryshme nuk arritën të kenë komunikim normal me botën e qytetëruar. Nëna Tereza dhe vepra e saj humane po e shpërfaq edhe njëherë talentin dhe zgjuarsinë e artistëve shqiptarë në dioptrinë më të lavdishme”, ka thënë për ATSh-në Tosku.
Ceremonia e shenjtërimit të Nënë Terezës do të mbahet ditën e diel, më 4 shtator 2016, në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan. Dhe data 4 shtator do të shënohet në Kalenderin Apostol, pikërisht si Dita e Shenjtores Nënë Tereza e Kalkutës. Nënë Tereza u shpall E Lume më 19 tetor të vitit 2003 nga Papa Gjon Pali II.
*****
Reportazh nga dita e Lumnimit të Nënë Terezës botuar në Bota Shqiptare nr. 95, nëntor 2003
Në mes të sheshit të Shën Pjetrit, dallohet njolla e kuqe e flamurit shqiptar. Asnjëherë shqiptarizma s'e ka mbushur kryeqytetin italian sa të dielën e lumturimit të Nënë Terezës. Grupe të të gjitha moshave, me flamuj, portrete të motrës shqiptare e tek-tuk edhe me veshje kombëtare, kanë pushtuar sheshin në zemër të shtetit të vogël të Vatikanit. Bashkatdhetarët tanë e kanë pritur me padurim këtë ditë. Ndaj nuk i ka lodhur as pritja disaorëshe dhe as i kanë trembur parashikimet metereologjike, që kanë lajmëruar rreshje. Të hareshëm shtrëngojmë radhët mes pelegrinëve nga e gjithë bota.
Janë njerëz të thjeshtë, që punojmë e jetojnë pa bujë të përditshmen e lodhshme të imigrantit dhe një pjesë e mirë e tyre kanë udhëtuar me kilometra nga çdo cep i Italisë për të ndjekur drejtpërsëdrejti ceremoninë. Nuk janë vetëm të krishterë. Toleranca fetare, një nga virtytet më të qytetëruara shqiptare, i ka sjellë në këtë shesh të gjithë: katolikë, ortodoksë, myslimanë, të pafe. "Për shumë prej ne shqiptarëve", thonë, "që vijmë nga një e shkuar totalitare, kjo ditë përfaqëson pajtimin shpirtëror me të shkuarën, pranimin e sakrificës dhe të dashurisë si të vetmen vlerë të përbotshme".
Janë njerëz të thjeshtë, që punojmë e jetojnë pa bujë të përditshmen e lodhshme të imigrantit dhe një pjesë e mirë e tyre kanë udhëtuar me kilometra nga çdo cep i Italisë për të ndjekur drejtpërsëdrejti ceremoninë. Nuk janë vetëm të krishterë. Toleranca fetare, një nga virtytet më të qytetëruara shqiptare, i ka sjellë në këtë shesh të gjithë: katolikë, ortodoksë, myslymanë, të pafe. "Për shumë prej ne shqiptarëve", thonë, "që vijmë nga një e shkuar totalitare, kjo ditë përfaqëson pajtimin shpirtëror me të shkuarën, pranimin e sakrificës dhe të dashurisë si të vetmen vlerë të përbotshme".
Edhe Sara është shqiptare, megjithëse është rritur në Itali. Duke buzëqeshur ëmbël, thotë me një shqipe të kulluar: "Nënë Tereza është shenjtorja jonë, krenaria e Shqipërisë". Sipas llogarive të Islam Isufajt 70 për qind e shqiptarëve që ndodhen në shesh janë myslymanë: "Dihet, që feja e shqiptarit është shqiptaria", citon ai rilindasit. Veronika thotë se në fillim shpresonte që Nënë Tereza do të bënte më shumë për Shqipërinë, "por pastaj e kuptova", thotë, "që kish njerëz edhe më të mjerë se ne". Silvana Leka, 19 vjeç, me mënyrën e vet është krenare për Nënën e shenjtë: "Ne shqiptarëve s'na do njeri. Kështu të paktën!" Dom Injaz Dema, nga Shkodra, e ka njohur personalisht Nënë Terezës: "I kam dhënë disa herë komunionin. Ishte si t'ia jepje një engjëlli!"
Për të nderuar këtë ditë nga Shqipëria ka mbërritur një delegacion me 26 politikanë, mes të cilëve Presidenti Alfred Moisiu, ish-Presidenti Meidani, Kryetari i PD-së Sali Berisha, nënkryetarja e Kuvendit Popullor, Jozefina Topalli, Ministrja e Kulturës Arta Dade etj., ndërsa nga Kosova Presidenti Rugova dhe personalitete të tjera të politikës dhe kulturës kosovare. Një nder i veçantë i është lënë edhe delegacionit shqiptar, të kryesuar nga Presidenti Moisiu. Pasi i dhuron një statujë argjendi, Moisiu i drejtohet Papës me fjalët: "Kjo është një ditë e shënuar për shqiptarët dhe unë u ndjeva i lumtur që në ceremoninë e Lumturimit të Nënë Terezës isha në radhët e para". Ceremonia në Shesh po i afrohet fundit. Fotografët dhe gazetetarët, që kanë ndjekur e fiksuar gjithçka, shpejtojnë të largohen për të dhënë lajmin. Shqiptarët natyrisht largohen të fundit. "Që sot e tutje, - buzëqesh njëri prej tyre, - nuk do të thuhet më 'Nënë Tereza e shqiptarëve', por 'shqiptarët e Nënë Terezës'".
Në ditët e përkujtimit të Nënë Terezës një skenë faustiane e punës së përbashkët njerëzore do ta kënaqte më shumë atë sesa ceremonitë përkujtimore. Ajo la posaçërisht për bashkatdhetarët një porosi largpamëse: "Po të doni më shumë njëri-tjetrin do të doni kombin." Vetëm kur kjo e vërtetë e thjeshtë të prekë ndërgjegjen tonë mund të quhemi komb i shpëtuar, njerëz të shpëtuar”
nga Donika OMARI - botuar në Bota Shqiptare nr. 95, nëntor 2003
Natyrisht që heronj të tjerë të njerëzimit kanë bërë zgjedhjet e tyre; shkencëtarë të mëdhenj, burra shteti të shquar, artistë që na mahnisin. Njerëzimi u është mirënjohës për ndihmesën që kanë dhënë për zbutjen, ngritjen, pasurimin e shpirtit njerëzor. Por ajo që na duket unikale te Nënë Tereza është masa e dashurisë së saj, ai përkushtim i plotë dhe ai mohim total i vetvetes në shërbim të tjetrit.
Ka një kulturë të të dhënit, që motivohet me përsiatje intelektuale. Psh. një arsye për të dhënë është që të mbushësh zbrazëtinë shpirtërore që mund të të krijohet nga kamja e tepërt.
Por ç`quhet të kesh tepër? Thoshte shën Jeronimi: "Në gjithçka që në të veshur a në të ngrënë kapërcen të domosdoshmen, ne jemi borxhlinj" Ndërsa Nënë Tereza nuk kishte nevojë të shpjegonte se pse duhet dhënë. Shembulli i asaj që e kishte dhënë vetveten pa asnjë kusht - dhe në ato kushte - fliste vetë.
Stili i punës së saj është: pak fjalë shumë veprime konkrete pozitive. Te ne më shumë se kudo është i domosdoshëm ky stil pune: më pak fjalë e më shumë veprime të përbashkëta që do të na shpien drejt bashkimit. Se siç thoshte Nënë Tereza: "Shqipëria bëhet duke punuar së bashku."Le të përfytyrojmë pak: katër bashkësitë fetare që ndërmarrin bashkarisht ngritjen e një shkolle, azili, apo spitali, ku të vihet tabela: Ngritur me ndihmesën dhe punën e përbashkët të bashkësive myslimane, ortodokse, katolike dhe bektashiane. Le të vazhdojmë:Partitë politike dhe organizatat e ndryshme dhe aq të shumta që ndërmarrin së bashku veprimtari për të dhënë ndihmesë në përballimin e problemeve të vendit. Në ditët e përkujtimit të Nënë Terezës një skenë faustiane e punës së përbashkët njerëzore do ta kënaqte më shumë atë sesa ceremonitë përkujtimore.
Ajo la posaçërisht për bashkatdhetarët një porosi largpamëse:"Po të doni më shumë njëri-tjetrin do të doni kombin." Vetëm kur kjo e vërtetë e thjeshtë të prekë ndërgjegjen tonë mund të quhemi komb i shpëtuar, njerëz të shpëtuar. "Njeriu i heshtur, që punon pa u lodhur, rrallëherë qëllon të ketë biografi tërheqëse", thotë diku Cvajgu. Ndërsa biografia dhe vepra e Nënë Terezës nuk pushon së na tërhequri, nuk pushon të na habisë dhe emocionojë. Sepse e gjithë jeta e saj është një betejë e paparë, e përmasave të asaj të Shën Françeskut, kundër egoizmit, për të arritur harrimin e vetvetes, përuljen. Ndërsa lexon për jetën e saj, të krijohet përshtypja se as ajo vetë nuk ia njihte vetes ato cilësi të jashtëzakonshme që i lejuan të bëhet Nënë par-excellence e njerëzimit. Me një zemër të apasionuar, e mençur, praktike, këmbëngulëse, e aftë për flijim, e aftë për besim të palëkundur, por mbi të gjitha e thjeshtë dhe e përulur, të gjitha këto cilësi pati rastin t`i vërë në provat më të pamundura, duke mos kërkuar mirënjohje ose, aq më pak, lavdi për vete. Ajo nuk e kërkoi lavdinë, ia dhanë të varfrit e saj dhe ia njohëm ne, njerëzit e pjesës tjetër të botës të lidhur fort pas rehatit e egoizmit tonë, që na hyjnë tmerri e dridhmat vetëm ta mendojmë se si mund të pastrohen plagët e një lebrozi. "As për një milion dollarë nuk do ta bëja këtë punë,"- i tha njëherë një gazetar. "As unë", iu përgjigj ajo me dy fjalë. Asnjë fjalë të tepërt nuk gjen në këshillat që u jep motrave të urdhrit. Ato janë sentenca të vërteta. Kundër pesimizmit i pëlqen të përdorë fjalën e urtë: "Më mirë të ndezësh një qiri se të mallkosh errësirën." Për t`iu kundërvënë apatisë dhe disfatizmit këshillon: "Duhet vepruar sikur gjithçka të varet nga ne…të tjerat lërja Zotit." Kundër mendjemadhësisë: "Po të gjunjëzohesh në lutje, do ta ndiesh veten më pak të përfryrë, pra më të lehtë."Kundër papërgjegjësisë dhe përtacisë: "Gjithkush bëhet i shenjtë kur kryen mirë detyrën e vet." Me një qartësi të habitshme, e ndihmuar nga një intuitë e thellë, di të kapë kuptimin e fshehtë të gjërave dhe, duke zotëruar mençurinë më të lartë, atë të zemrës, kap thelbësoren dhe e shpreh me fjalë thelbësore: Vetëm duke harruar vetveten e gjejmë përsëri. Varfëria është liri. Kisha jemi ne: unë dhe ti.
Spiritualiteti i Nënë Terezës nuk harron kurrë kërkesat e trupit: "Më parë u duhet përgjigjur nevojave trupore të njerëzve, pastaj tu ofrohet Krishti". Na kujton materializmin latin: Primo vivere deinde filosofare. Këshillat e saj shërbejnë si terapi për një shëndet të mirë: Po të buzëqeshësh e ndien veten më mirë. Po të ecësh ruan freskinë tënde. Po ta ushqesh fenë tënde me lutje të vijnë prapë fuqitë.
Ajo e di që nuk mund të bëjë kushdo gjëra të mëdha dhe këshillon motrat të jenë besnike në gjërat e vogla. Në bukurinë e jashtme, në parapëlqimin për njerëzit e pashëm, për veshjet e shtëpitë e bukura dhe për stolitë sheh një kurth për shpirtin, sepse mund të ngjallin zilinë, lakminë, mospranimin e shëmtisë fizike të tjetrit, neverinë për deformimet e tij trupore. Prandaj shkon në ekstrem: zgjesh veshjen më të thjeshtë, nuk pranon asnjë stoli as në shtëpi. Bukuria për të duhet të jetë krejtësisht e brendshme. Është një sfidë ndaj sipërfaqësisë njerëzore deklarata e saj për lebrozët se janë të bukur. Sidoqoftë nuk harron kurrë të jetë realiste, të njohë e të kuptojë kufijtë e secilit: Një gruaje indu, që ndërsa ofrohej të punonte si vullnetare, i rrëfehej se nuk bënte dot pa sarit lluksozë dhe se muaj për muaj blinte nga një që kushtonte 800 rupi, i sugjeron: "Herën tjetër bli një me 500 rupi dhe me 300 të tjerat bliju sari të varfrave." Pa ca kohësh ajo grua filloi të blinte sari për 100 rupi dhe pjesën tjetër ta falte për bamirësi. Dhe iu rrëfye Nënë Terezës se jeta e saj kishte ndryshuar kryekëput.
Ne po mbajmë sot këtu një konferencë shkencore për të. Por mund të pyetet: Ç`lidhje ka me shkencën një grua që nuk bëri ndonjë zbulim shkencor, që nuk pati lidhje me mjedise e personalitete të mirëfillta shkencore, por që bëri pjesë në atë kategori shoqërore që ka zgjedhur t`i shërbejë njerëzimit nëpërmjet së mbinatyrshmes?
E megjithatë kjo grua e thjeshtë, pa ndonjë përgatitje e kulturë të veçantë, diti ta njohë shpirtin njerëzor më mirë se psikologët më të shquar, pa qenë mjeke e madhe diti të shërojë njerëz, pa qenë poete e madhe shkroi poezi me një ndjenjë njerëzore të hollë, pa qenë financiere e madhe diti të menaxhojë miliona, pa qenë diplomate e madhe mundi të hapë të gjitha dyert, pa qenë dietologe na mësoi si rrohet me përkorje një jetë e gjatë, pa qenë specialiste e edukimit fizik na mësoi dobinë e të ecurit… Ndërsa ecja e saj do të vazhdojë në përjetësi.
Mendoj se njerëzimi ndien nevojë herë pas here për shfaqjen e personaliteteve të tilla. Pyetjet e vështira ekzistenciale, që nuk gjejnë përgjigje, përballimi i idesë së pafundësisë së universit, përpara të cilit njeriu ndien pafuqinë, vogëlsinë, kotësinë e vet, ankthet, frikërat dhe pasiguritë përpara së panjohurës, por edhe tmerri përballë vetë egoizmit të vet, të gjitha këto e shtyjnë të kërkojë një strehë sigurie për t`u mbrojtur madje edhe nga vetja, të krijojë pra Zotin. Por që të vazhdojë të besojë në të, i duhen dëshmi konkrete herë pas here. Prandaj kemi figurat e Mojsiut, të Krishtit e të Muhametit, që frymëzojnë gjatë shekujve përtëritës të besimit. Thoshte Nehrui: "Të ishin të gjithë të krishterët si Nënë Tereza të gjithë do të bëheshin të krishterë." Zoti do të ekzistojë sa kohë të ekzistojnë figura të tilla që e dëshmojnë atë (pra idenë e dashurisë, të mëshirës) me një dashuri e mëshirë totale.
Është interesante të vihet re se edhe vetë Nënë Tereza përmend më shumë të dytin e Trinisë së Shenjtë, Krishtin, njeri të gjallë pra, me mish e kocka, sesa Zotin, që është një ide, një parim. Siç del nga njëri prej botimeve të fundit për të: "E fshehta e Nënë Terezës", në ndonjë prej letrave të saj, ajo rrëfehet se ia përshkon shpirtin ndonjëherë mendimi i mosqenies së Zotit. Te Krishti, ama, nuk dyshon kurrë. Atë e ka si njeri shumë të dashur të familjes, me të shkëmben mendime, i kërkon këshillë. E jashtëzakonshmja e shoqëroi Nënë Terezën edhe pas vdekjes. Në varrimin e saj, për këtë të krishtere u krye bashkë me ritin katolik, edhe ai mysliman, budist, induist si edhe grupimesh të tjera fetare, çka ndodh për herë të parë në historinë shumëshekullore të feve.
Edhe me praktikat e shenjtërimit ajo po tregon se madje në radhën e shenjtorëve është e jashtëzakonshme. Sepse lumnimi që ka zgjatur më pak deri më sot, ai i themeluesit të urdhrit Opus Dei: Hozemaria Eskriva de Balaguer, ka qenë 17 vjet pas vdekjes. Për Shën Terezën dë Lisië, nga e cila mori emrin Tereza e Kalkutës, u desh të pritej 25 vjet.
Por le të dëgjojmë ç`thotë vetë Nënë Tereza për shenjtërinë e saj: "Në u bëfsha ndonjëherë shenjtore, me siguri do të jem një shenjtore që bën mungesa: se do t'ia mbath vazhdimisht nga parajsa që të shkoj e t'u ndez dritën atyre që janë në errësirë".
Kur ne shqiptarët të fillojmë ta ndiejmë si një vuajtje vetjake të përditshme përçarjen tonë, mosmarrëveshjet tona, do të ndërgjegjësohemi për errësirën ku jemi të zhytur shpirtërisht. Do të jetë fillimi i katarsisit.